ATV

Category: SPORT

  • Ballkani rishkruan historinë, kalon për herë të dytë në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës

    Ballkani rishkruan historinë, kalon për herë të dytë në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës

    Kampioni i Kosovës, Ballkani, ka rishkruar historinë, duke u kualifikuar për herë të dytë radhazi në grupet e Ligës së Konferencës, pasi në përballjen e play-offit, pas 180 minutave lojë e mposhti me rezultat të përgjithshëm 4:2 Bate Borisovin.

    ‘Xhebrailat’ shënuan fitore të thellë në Fadil Vokrri një javë më parë, me rezultat 4:1, çka ia lehtësoi shumë punën për ndeshjen e sotme të kthimit, që u zhvillua në terren neutral, në shtetin e Hungarisë.

    Bate Borisov shënoi fitore minimale 1:0 si vendas dhe kështu Ballkani u kualifikua në grupet e Ligës së Konferencës.

    Goli i vetëm i takimit të sotëm u shënua në minutën e 30-të, kur ‘vendasit’ shënuan pas një gabimi në mbrojtje të skuadrës së Ilir Dajës.

    Kampioni i Kosovës arriti deri në fund ta menaxhonte ndeshjen, për ta bërë një arritje të madhe.

    Për të ardhur deri këtu, Ballkani, fillimisht u eliminua nga faza e parë kualifikuese e Ligës së Kampionëve, ku pastaj erdhi në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, ku dominuan në çdo përballje deri më sot.

    ‘Xhebrailat’ nesër do ta mësojnë grupin e tyre në Ligën e Konferencës, ku do të bëhet tërheqja e shortit në Monako.

  • Përzgjedhësi Gliha publikon listën e futbollistëve për ndeshjet e shtatorit

    Përzgjedhësi Gliha publikon listën e futbollistëve për ndeshjet e shtatorit

    Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Primozh Gliha e ka bërë publike listën e futbollistëve për dy ndeshjet e muajit shtator në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024, kundër Zvicrës dhe kundër Rumanisë.

    Në listë janë përfshirë 27 futbollistë, teksa ka edhe emra të rinj. Grumbullimi i Dardanëve nis më 4 shtator, derisa më 9 shtator në stadiumin “Fadil Vokrri” zhvillohet ndeshja Kosovë-Zvicër.

  • ​Donjeta Sadiku dhe tre boksierë të tjerë synojnë Lojërat Olimpike “Parisi 2024”

    ​Donjeta Sadiku dhe tre boksierë të tjerë synojnë Lojërat Olimpike “Parisi 2024”

    Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC), ka caktuar vendet mikpritëse dhe datat për turnetë kualifikues botëror të boksit për në Lojërat Olimpike Paris 2024.

    Për shkak të pezullimit të Federatës Ndërkombëtare të Boksit (IBA) nga IOC, edhe këtë herë garat kualifikuese për LO Paris 2024 i organizon ‘task forca’ e aranzhuar nga IOC.

    Kështu, turneu i parë kualifikues botëror do të mbahet në Busto Arsizio të Italisë, prej 29 shkurt deri më 12 mars 2024, ku do të ndahen 49 kuota, 21 për femrat dhe 28 për meshkujt nga të gjitha kategoritë.

    Vendi mikpritës për turneun e dytë kualifikues është caktuar Bangkoku i Tailandës, prej 23 maj deri më 3 qershor 2024, ku do të ndahen 51 kuotat e fundit për të dyja konkurrencat.

    Boksierët kosovarë në Lojërat Evropiane Krakoë dhe Malopolska 2023 humbën mundësinë e parë për të fituar normën olimpike, por të dy turnetë e lartpërmendur janë mundësitë e fundit për të marrë ‘vizën’ për Paris 2024.

    Favoritja kryesore për të fituar normën olimpike është Donjeta Sadiku, kategoria 60 kg, ku në të dy turnet e vitit të ardhshëm, mund të kualifikohet nëse zë njërën nga tri pozitat e para.

    Gjasa të mira ka edhe Shpetim Bajoku, kategoria 63.5 kg, i cili për të fituar normën duhet të përfundojë në katër të parët në turneun e parë ose në pesë të parët në turneun e dytë. E njëjta vlen edhe Patriot Behramin (71 kg), ndërsa Bashkim Bajokut (51 kg) i duhet të jetë në katër të parët në turneun e parë ose të dytë.

    Garuesit e kualifikuar deri më tani nga Lojërat Evropiane 2023, dhe atë që do të kualifikohen në turnet kontinental të Afrizë, Azisë, Oqeanisë dhe Amerikës.

  • ​Presidenti i ri i Gjilanit ka një kërkesë për futbollistët

    ​Presidenti i ri i Gjilanit ka një kërkesë për futbollistët

    Drejtuesit e rinj të klubit të Gjilanit janë prezantuar para futbollistëve dhe shtabit teknik

    Presidenti i klubit, Afrim Veliu ka përshëndetur nga afër të gjithë futbollistët dhe stafin teknik, teksa ka ofruar mbështetje maksimale në rrugëtimin e ri që është nisur, por edhe ka kërkuar impenjimin maksimal të tyre në çdo seancë stërvitore.

    “Motivin nuk e solla unë, atë e gjeta në mesin tuaj. Në sytë tuaj shoh shumë vullnet dhe dëshirë për ta shfaqur më të mirën të cilën dini ta bëni. Së bashku me aksionarët e tjerë dhe bashkëpunëtorët e mi do të përkujdesemi që klubi të orientohet në rrugën e duhur, prandaj dua nga ju që të impenjoheni maksimalisht në çdo seancë stërvitore, në çdo ndeshje dhe çdo sfidë me të cilën do të ballafaqohemi. Ju falenderoj që keni qëndruar besnik klubit dhe ju pres në vazhdim që së bashku ta ngrisim klubin në nivelet më të larta”, tha Veliu para futbollistëve.

    Ndërkohë, aksionarët e tjerë të klubit, Fatlum Pireva, Qëndrim Demiri, Valmir Emini dhe Shaban Bajrami ofruan garancion dhe stabilitet në organizimin e klubit. Ata theksuan gjithashtu se presin nga futbollistët të japin gjithçka nga vetja e tyre për t’i realizuar objektivat e klubit, ndërkohë që mbështetja e drejtuesve nuk do të mungojë aspak.

  • ​Zvicra publikon listën, 4 shqiptarë zbarkojnë në Prishtinë për të luajtur kundër Kosovës

    ​Zvicra publikon listën, 4 shqiptarë zbarkojnë në Prishtinë për të luajtur kundër Kosovës

    Më 9 shtator, stadiumi “Fadil Vokrri” do të jetë arenë e përballjes ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës, ndeshje kjo e vlefshme për kualifikimet për në Kampionatin Evropin “EURO 2024”.

    Trajneri i helvetikëve, Murat Yakin tashmë ka publikuar listën e lojtarëve të ftuar për këtë ballafaqim, ku në mesin e dë ftuarve janë edhe katër lojtar shqiptar si Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri, Ardon Jashari dhe Uran Bislimi

  • ​“Puthe, puthe”, zbulohet çfarë ndodhi në autobusin e skuadrës së Spanjës pas puthjes së famshme të Rubiales me Hermoson

    ​“Puthe, puthe”, zbulohet çfarë ndodhi në autobusin e skuadrës së Spanjës pas puthjes së famshme të Rubiales me Hermoson

    Fituesja e Kupës së Botës për femra me Spanjën, Jenni Hermoso qeshte dhe bënte shaka teksa tregonte një foto të puthjes që Luis Rubiales i bëri asaj, të cilën ditë më vonë ajo e denoncoi si një akt seksist.

    Pamjet e 33-vjeçares në autobusin e skuadrës teksa lojtarët përgatiteshin të largoheshin nga stadiumi në Sidnej pritet të shndërrohen në armë në duart e Rubailes, tashmë i suspenduar nga federataspanjolle, ndërsa ai kërkon të mbrohet kundër akuzave se ka kryer sulm seksual.

    Hermoso u filmua duke qeshur me zë të lartë teksa shfaqte në ekranin e celularit e saj puthjen tashmë famëkeqe pak më shumë se një javë më parë së bashku me një foto të ish-reprezentuesit spanjoll Iker Casillas duke u puthur me reporteren Sara Carbonero teksa ajo e intervistonte atë drejtpërdrejt, përcjellë KosovaPress.

    Një grua tjetër në autobusin e ekipit u dëgjua duke qeshur dhe dukë thënë: ‘Ashtu si Iker dhe Sara’ ndërsa Jenni vazhdoi të tregonte telefonin e saj.

    Për më tepër, shumica nga 23 lojtaret e skuadrës së Jenni-t që kanë thënë se do të refuzojnë të luajnë përsëri për ekipin kombëtar derisa Rubiales të jetë aty, më pas u filmuan duke kënduar “Beso, beso” që do të thotë “puthe, puthe” – ndërsa Rubiales futet në autobus duke thënë “Ndaloni, po më bëni të skuqem”.

  • ​Ky është numri që do ta marrë Lukaku te Roma

    ​Ky është numri që do ta marrë Lukaku te Roma

    Romelu Lukaku do të luajë për Romën në këtë sezon pasi sulmuesi belg ka arritur marrëveshje me skuadrën që drejtohet nga trajneri Jose Mourinho.

    Ish- sulmuesi i Interit zbarkoi në aeroportin Ciampino të martën, i mirëpritur nga më shumë se 5000 tifozë.

    Ai tashmë ka kryer testet mjekësore me skuadrën e José Mourinhos dhe Roma do të njoftojë transferimin e tij sot, përcjellë KosovaPress.

    Të gjitha gazetat sportive italiane, përfshirë Corriere dello Sport, pretendojnë se Lukaku do të veshë fanellën me numër 90.

    30-vjeçari ka veshur të njëjtin numër te Interi sezonin e kaluar.

    Lukaku do të stërvitet për herë të parë me bashkëlojtarët e tij të rinj sot, por nuk pritet të jetë në dispozicion kundër Milanit të premten. Ish-sulmuesi i Interit ka qenë duke u stërvitur veçmas nga pjesa tjetër e skuadrës së Chelseat gjatë gjithë verës.

    Lukaku i është bashkuar Romës në formë huazimi deri në fund të sezonit, duke rënë dakord për të ulur pagën për t’u transferuar në Itali për herë të tretë në karrierën e tij.

  • ​Ky është topi me të cilin do të luhen ndeshjet e Ligës së Kampionëve

    ​Ky është topi me të cilin do të luhen ndeshjet e Ligës së Kampionëve

    Me afrimin e shpejtë të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve, kompania “adidas” ka zbuluar topat e ndeshjeve zyrtare për Ligën e Kampionëve 2023/24

    Frymëzuar nga himnet e para ndeshjes që kumbojnë nëpër stadiume në fillimin e çdo loje, dizajnet e reja i bëjnë homazh këtyre simfonive ikonike dhe ndjenjave të pazëvendësueshme të eksitimit dhe pritjes që vijnë me to.

    E vendosur në një sfond argjendi metalik, topi zyrtar integron një shkronjë të vetme nga lirika e korit të njohur ‘THE CHAMPIONS’, në secilin prej 12 yjeve, në një stil të pasur kaligrafie.

    Shorti për fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve do të tërhiqet të enjten me fillim nga ora 18:00.

  • ​Rezultatet mungojnë, por “Dardanët” konfirmojnë mbështetjen e fuqishme për Kosovën

    ​Rezultatet mungojnë, por “Dardanët” konfirmojnë mbështetjen e fuqishme për Kosovën

    Të gjitha biletat për ndeshjen kualifikuese për Euro 2024 ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, e cila zhvillohet më 9 shtator në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, janë shitur brenda pak orëve.

    Ky interesim i madh nga tifozët është një shenjë e fortë e përkrahjes së fuqishme ndaj Kombëtares së Kosovës. Mbi 13 mijë tifozë, aq sa është kapaciteti maksimal i stadiumit “Fadil Vokrri” do të jenë të pranishëm në tribuna natën e 9 shtatorit, aty ku për kundërshtar Kosova do t’i ketë edhe yje si Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri.

    Kosova nuk ka pasur rezultate të mira në ndeshjet e fundit. Ata barazuan me Andorrën e Rumaninë, derisa u mposhtën nga Bjellorusia, por kjo nuk e ndali hovin e madh të tifozëve në mbështetje të lojtarëve.

    Kosova është në grupin I të kualifikimeve për Euro 2024, ku renditet në vendin pestë me vetëm tri pikë, duke pasur kështu fare pak gjasa për kualifikim tutje.

  • Ballkani zyrtarizon goditjen e papritur në merkato

    Ballkani zyrtarizon goditjen e papritur në merkato

    Ballkani ka bërë edhe një tjetër blerje në ditët e fundit të afatit kalimtar.

    Skuadra kampione e Kosovës ka njoftuar se ka siguruar shërbimet e anësorit Marsel Ismajlgeci.

    23 vjeçari ka luajtur për Tiranën, skuadër me të cilën u shpall kampion i Superiorës në Shqipëri, kurse së fundmi kishte një aventurë edhe në Bosnje, me kampionët e Zrinjskit të Mostarit.

    “Kemi kënaqësinë të ju njoftojmë se skuadrës tonë kampione i është bashkuar edhe një kampion. Anësori i majtë, Marsel Ismajlgeci, tani është futbollist i Ballkanit. 23 vjeçari ka luajtur për Tiranën, skuadër me të cilën u shpall kampion i Superiorës në Shqipëri, kurse së fundmi kishte një aventurë edhe në Bosnje, me kampionët e Zrinjskit të Mostarit.”, thuhet në njoftimin e Ballkanit.