ATV

Category: SPORT

  • Dragusha: Trajneri mbrëmë ka qenë i shkëlqyeshëm

    Dragusha: Trajneri mbrëmë ka qenë i shkëlqyeshëm

    Trajneri dhe analisti i futbollit, Muhamet Dragusha, në emisionin A PLAY në ATV, ka vlerësuar lartë angazhimin e trajnerit të kombëtares së Kosovës, Primozh Gliha në ndeshjen e mbrëmshme kundër Zvicrës.

    Ai tha se trajneri ka qenë afër lojtarëve në çdo aksion dhe ka pasur një impakt shumë të lartë në lojë.

    “E kemi pa qysh mbrëmë se ky trajner dëshiron të jetë afër lojtarëve në çdo aksion, në çdo pasim të lojtarëve edhe pse në çdo pasim është e vështirë ta kontrollojë trajneri, por sigurisht se është mundu edhe aty të kontribuojë në lojë edhe e kemi pa impaktin, se trajneri më të vërtetë ndoshta edhe ai ka vrapu diku tre-katër kilometra, edhe pse në atë hapësirë ngushtë që ka të kufizuara të tre të trajnerit. Mendoj që trajneri mbrëmë ka qenë i shkëlqyeshëm”, tha Dragusha. /atvlive.tv

  • Dragusha tregon se cilët janë dy futbollistët e Supërligës që meritojnë të jenë në kombëtare

    Dragusha tregon se cilët janë dy futbollistët e Supërligës që meritojnë të jenë në kombëtare

    Trajneri dhe analisti i futbollit, Muhamet Dragusha, në emisionin A PLAY në ATV, tha se në kombëtaren e Kosovës është dashur të ftohen edhe dy futbollistë nga Superliga e Kosovës.

    “Ilir Krasniqi, Lumbardh Dellova. Sidomos Dellova, nuk di çka duhet të bëjë në futbollin e Kosovës, po edhe në futbollin evropian nuk di çka duhet të bëjë më shumë që të ftohet nga Kosova, por kjo është ekskuziviteti i trajnerit dhe ai fton kë ia merr mendja dhe kë i duhet për secilin repart”, u shpreh Dragusha.

    Ai tha se arsyeja e mos ftesës së tyre ndoshta ka qenë për shkak se reparti i mbrojtjes ka qenë shumë i ngjeshur, mirëpo shpreson se shumë shpejtë, kombëtarja të freskohet më futbollistë të rinj.

    “Mendoj që ndoshta ka qenë reparti i mbrojtjes shumë i ngjeshur edhe për ata edhe s’ju ka dhënë mundësi, po qysh e thashë edhe më herët besoj edhe shpresoj që shumë shpejtë do të fillojnë të vijnë lojtarë të ri, lojtarë që e ripërtërin ekipin kombëtar edhe asnjëherë duke mos i larguar lojtarët e vjetër, përvoja e tyre sigurisht se na duhet ta transmetojë tek këta lojtarë, po Dellova është dashur të ftohet në repartin e mbrojtjes, po ashtu edhe Krasniqi ka qenë i jashtëzakonshëm sidomos ndeshjen kundër Prishtinës, ka lu nji ndeshje shumë të madhe”, tha Dragusha. /atvlive.tv

  • Lojërat Mesdhetare 2030, Kurti flet për përgatitjet e investimet e Kosovës

    Lojërat Mesdhetare 2030, Kurti flet për përgatitjet e investimet e Kosovës

    Kryeministri Albin Kurti ka thënë se nga Heraklioni i Greqisë për në Prishtinë është kthyer me kujtime të mira, përgjegjësi të reja, e plane të shumta investive.

    “Lojërat Mesdhetare 2030 po i sjellim në Kosovë”.

    “7 vjet përgatitje dhe mbi 250 milionë euro investime publike, për t’u bërë nikoqir i 26 shteteve pjesëmarrëse e 23 disiplinave sportive, mijëra atletëve e dhjetëra mijëra turistëve, në ngjarjen më të madhe të sportit në historinë e vendit. Na priftë e mbara!”, ka thënë Kurti në Facebook.

  • ​Kosova e Zvicra dhurojnë spektakël, Muriqi i jashtëzakonshëm

    ​Kosova e Zvicra dhurojnë spektakël, Muriqi i jashtëzakonshëm

    Ka përfunduar ndeshja tejet interesante mes Kombëtares së Kosovës dhe asaj të Zvicrës, e vlefshme kjo për fazën kualifikuese të Kampionatit Evropian Euro 2024.

    Pas plot 90′ minutave lojë të zhvilluara në stadiumin “Fadil Vokrri”, Kosova ka barazuar 2:2 me Zvicrën.

    Heroi i “Dardanëve” ishte Vedat Muriqi me dy golat e tij (minuta e 65′ dhe minuta e 90+5′), kurse Amir Rahmani me autogolin e tij dhe Remo Freuler ishin golashënuesit e Zvicrës.

    Me pikët e reja, Kosova renditet në vendin e pestë me katër pikë, krahas Zvicrës që zë vendin e parë me 11 pikë të arkëtuara.

    Rezultati final i ndeshjes, 2:2.

  • Kosova-Zvicra, formacionet e mundshme

    Kosova-Zvicra, formacionet e mundshme

    Sonte me fillim nga ora 20:45 stadiumi “Fadil Vokrri” i Prishtinës do të jetë nikoqir i super ndeshjes mes Kombëtares së Kosovës dhe asaj të Zvicrës.

    Kjo përballje i takon raundit të pestë të fazës së grupeve të kualifikimeve të Kampionatit Evropian Euro 2024, raporton KosovaPress.

    “Dardanët” pas katër ndeshjeve renditen në pozitën e pestë në Grupin I me tre pikë të arkëtuara, krahas Zvicrës së Xherdan Shaqirit e Granit Xhakës, që zë pozitën e parë në kuotën e 10 pikëve.

    Zvicra dhe Kosova janë përballur vetëm një herë në mars të vitit të kaluar, me miqësoren që përfundoi pa fitues me rezultat të barabartë 1:1.

    Trajneri i Kosovës, Primozh Gliha, pritet të qëndrojë me formacionin 4-2-3-1, me kapitenin dhe mbrojtësin e Napolit, Amir Rrahmani, që do t’i bashkohet në katërshen e mbrojtjes Mërgim Vojvoda, Fidan Aliti dhe Leart Paqarada.

    Në mesfushë mund të startojë Florent Muslija, së bashku me Dresevic e Fazlijin.

    Muriqi, i cili ka shënuar 24 gola në 48 paraqitje ndërkombëtare, do të jetë në krye të sulmit, së bashku me Edon Zhegrovën e Milot Rashicën.

    Ndërkaq te Zvicra titullarë pritet të jenë yjet me prejardhje nga Kosova, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri.

    Formacionet e mundshme i gjeni më poshtë.

    Kosova (4-2-3-1): Muric; Vojvoda, Rrahmani, Aliti, Paqarada; Dresevic, Fazliji; Zhegrova, Muslija, Rashica; Muriqi

    Zvicra (4-3-3): Sommer; Fernandes, Akanji, Elvedi, Rodriguez; Freuler, Zakaria, Xhaka; Shaqiri, Amdouni, Vargas

  • Kosova – Zvicra përballje e shqiptarëve në ‘Fadil Vokrri’

    Kosova – Zvicra përballje e shqiptarëve në ‘Fadil Vokrri’

    Përgatiti: Ylber Kelmendi

    Nesër, kombëtarja e Kosovës në futboll e zhvillon ndeshjen e pestë kualifikuese për kampionatin evropian.

    Kosova në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë si kundërshtar do ta ketë Zvicrën.

    Takimi kundër ‘helvetikët’ do të jetë shumë interesant por edhe emocionues për disa futbollistë si te kombëtarja e Kosovës po ashtu edhe te ajo e Zvicrës.

    Lojtarët si Florent Hadergjonaj, Kreshnik Hajrizi dhe Betim Fazliji të cilët tani janë reprezentues të Kosovës në të kaluarën kanë qenë pjesë e kombëtarëve zingjir të helvetikëve.

    Kurse te Zvicra janë ftuar katër lojtarë me orgjinë nga Kosova: Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri, Andi Zeqiri dhe Uran Bislmi. Madje ky i fundit braktisi në momentet e fundit kombëtaren ‘dardane’ për Zvicrën.

    Kur jemi te këto dy shtete, në Grupin I. ku bëjnë pjesë, Zvicra është lidere me 10 pikë, kurse Kosova renditet e parfundit me vetëm 3 pikë pas katër ndeshjeve të zhvilluara.

    Kosova dhe Zvicra janë takuar vetëm njëherë edhe ajo ka qenë ndeshje miqësore e cila kishte përfunduar 1:1.

  • Dallaveret me biletat e ndeshjes Kosovë-Zvicër, reagon FFK-ja

    Dallaveret me biletat e ndeshjes Kosovë-Zvicër, reagon FFK-ja

    Federata e Futbollit të Kosovës ka thënë se do ta paraqesë në polici çdo abuzim të mundshëm me biletat e ndeshjes Kosovë-Zvicër.

    Përmes një njoftimi, FFK-ja ka bërë të ditur se biletat janë të personalizuara dhe nuk mund të transferohen te një person tjetër.

    “Federata e Futbollit e Kosovës njofton edhe një herë opinionin se biletat e ndeshjes Kosovë – Zvicër janë të personalizuara dhe nuk mund të transferohen te një person tjetër. Në secilën hyrje të stadiumit funksionon sistemi digjital dhe do të bëhet kontrolli i poseduesve të biletave të personalizuara. Çdo abuzim me biletat do të paraqitet tek organet e rendit, me të cilat jemi duke bashkëpunuar ngushtë në parandalimin e keqpërdorimit të biletave për ndeshje. Andaj, FFK fton qytetarët që të mos bien pre e mashtruesve në tregun e zi dhe çdo abuzim me bileta ta paraqesin tek organet e rendit”, thuhet në njoftim.

    Ndeshja Kosovë-Zvicër luhet nesër me fillim nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian.

  • Kosova-Zvicra, biletat në tregun e zi prekin çmimin e 450 eurove

    Kosova-Zvicra, biletat në tregun e zi prekin çmimin e 450 eurove

    Kur ka mbetur edhe një ditë deri te ndeshja mes Kosovës dhe Zvicrës, tifozët po vazhdojnë të kërkojnë bileta për ta shikuar nga afër përballjen në “Fadil Vokrri”.

    Edhe pse FFK bëri të ditur se nga interesimi i madh për këtë ndeshje të gjitha biletat janë shitur, qytetarët si duket po e kanë të mundur të gjejnë bileta, por në tregun e zi.

    Një qytetar ka bërë një postim në faqen “Shes Blej Gjithçka” në “Facebook”, duke njoftuar për shitje të tre biletave, të cilat e prekin shumë e 450 eurove.

    Postime të tilla po qarkullojnë vazhdimisht në rrjetet sociale, për t’i shitur biletat e ndeshjes në tregun e zi.

  • ​Kalohet pengesa kryesore, Kosova një hap më afër organizimit të Lojërave Mesdhetare

    ​Kalohet pengesa kryesore, Kosova një hap më afër organizimit të Lojërave Mesdhetare

    Është ndryshuar me aklamacion pika 7 e rregullores së Asamblesë së Përgjithshme të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare e cila ua ndalonte shteteve që nuk kishin dalje në detë të organizonin ngjarje të këtij niveli.

    Kjo njëherit ishte pika kryesore që shihej si pengesë për kandidaturën e Kosovës për të marrë organizimin e Lojërave Mesdhetare për vitin 2030, raporton KosovaPress.

    Në pjesën e dytë të asamblesë do të diskutohen edhe shumë pika të tjera në këtë asamble, derisa për kandidaturën e Kosovës do të diskutohet dhe votohet pas orës 15:00.

    Prezantimin e kandidaturës do ta bëjë Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Aliti, ndërsa një fjalim të shkurtët për këtë kandidaturë para asamblesë do ta mbajë edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

  • ​Shpresë për fitore ndaj Zvicrës, a do të festojnë qytetarët nëse shënojnë gol Xhaka e Shaqiri?

    ​Shpresë për fitore ndaj Zvicrës, a do të festojnë qytetarët nëse shënojnë gol Xhaka e Shaqiri?

    Kombëtarja e Kosovës do t’i rikthehet aksionit në arenën ndërkombëtare nesër, ku përballë ka një kundërshtarë tejet të fortë si Zvicra.

    Ndeshja i takon raundit të pestë të fazës së grupeve të kualifikimeve drejt Kampionatit Evropian Euro 2024, raporton KosovaPress.

    “Dardanët”, do të synojnë t’i rikthehen fitoreve, tani nën drejtimin e trajnerit të ri, Primozh Gliha, pas humbjes ndaj Bjellorusisë dhe barazimeve të njëpasnjëshme me Izraelin, Andorrën dhe Rumaninë.

    Po ashtu, kjo ndeshje do të jetë një rast fantastik për tifozët “Dardanë”, që të shohin në aksion kombëtaren e tyre të luajë ndaj futbollistëve të njohur me prejardhje nga Kosova, si Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka.

    Ndërkaq, para ndeshjes së nesërme, disa qytetarë u shprehën optimistë për rezultat pozitivë të Kosovës, e disa edhe treguan nëse do festonin poqëse Shaqiri e Xhaka, do shënonin gol.

    Ramadan Dumani, qytetar nga Prishtina, tha se dëshira e tij është që Kosova të fitojë, por nuk do i vinte keq edhe nëse Zvicra e Xhakës e Shaqirit, do të fitonte.

    “Këto dy ekipe, e Zvicrës është mjaft e njohur dhe e Kosovës tash e tutje gjithnjë është duke u ngrit më lartë, por sipas rezultateve deri tash që kanë qenë, unë kam dëshirë me fituar Kombëtarja e Kosovës, por nga kualiteti nëse më pyetni, unë e shoh që ekipi i Zvicrës është më lartë, edhe pse janë dy shqiptarë atje, unë ju thash se kam dëshirë me fituar Kosova, por edhe ata me fituar nuk më vjen keq”, tha Dumani.

    I të njëjtit mendim ishte edhe Fatmir Muçolli, i cili tha se nëse mendojmë mirë dhe e përkrahim kombëtaren tonë, ajo do të fitojë.

    “Unë besoj që nëse ne të gjithë mendojmë mirë edhe e përkrahim kombëtaren tonë, dhe shkojmë me vullnet të mirë, kombëtarja do të fitojë, por jo me zhurma, gjithmonë më motive të mira me fjalë të urta, motivuese, frymëzuese, sepse njerëzit kanë nevojë edhe sportin ta reformojnë edhe gjithçka, është koha e ndryshimeve, njerëzit me të vërtetë është koha që edhe sportin, lojërat, vallëzimin dhe këndimin, gjithmonë ta bëjnë me energji pozitive që jetën vetëvetit të ia ndryshojnë”, tha Muçolli.

    Më tej, Muçolli tregoi edhe nëse do të festonte në rast se Shaqiri e Xhaka do të shënonin gol.

    “Gjithsesi, sepse sporti, arti edhe muzika nuk njohin kufinjë. Sa ma shpejtë duhet t’i thyejmë paragjykimet, ky e ai. Ti shko e shijoje lojën, shijoje emocionin, edhe për Granitin unë emocionohem, edhe për këtë tjetrin emocionohem, dhe për gjithë ata njerëz që janë të mirë emocionohem”, tha Muçolli.

    Ndërkaq, Shaban Sylaj tha se nuk do të festonte nëse Xhaka e Shaqiri shënojnë kundër Kosovës, duke thënë se nuk i shënojnë gol “Dardanëve”.

    “S’ke çka me festu, ata kështu ashtu kualifikohen, unë i dua ata, unë jam adhurues i tyre, nuk i japin gola ata Kosovës, jo”, tha Sylaj.

    Për fund, Mirsad Krasniqi u shpreh i bindur në rezultat pozitiv për Kosovën, ku më së keqi tha se do të jetë barazimi.

    “Shikoni, ne e dimë se cilësia është në anën e Zvicrës, s’ka dyshim, por unë po shpresoj kësaj radhe do të jetë motivi i lojtarëve tanë shumë i madh. Unë mendoj se Kosova ka me fituar, rezultatin nuk e di, por besoj që Kosova do të fitojë, ose më keq, barazim, humbje jo”, tha Krasniqi.

    Ndeshjen ndaj Zvicrës, Kombëtarja e Kosovës e zhvillon këtë të shtune me fillim nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”, të Prishtinës. /KP