ATV

Category: Sport

  • Ballkani i pandalshëm, mposht Lirinë me rezultat të thellë

    Ballkani i pandalshëm, mposht Lirinë me rezultat të thellë

    Në kuadër të xhiros së 10, kampioni aktual i ‘Albi Mall Superligës’ Ballkani nuk ka lejuar befasi.

    Në ndeshjen e zhvilluar në Suharekë, të drejtuarit e trajnerit Ilir Daja kanë fituar me rezultat 4:1 përballë Lirisë së Prizrenit.

    Megjithatë, befasia ndodhi në minutën e 16, kur Liria kaloi në epërsi me golin e mbrojtësit Melos Zenunaj. Me këtë rezultat përfunduan edhe 45 minutat e parë.

    Në pjesën e dytë Ballkani ishte skuadër komplet tjetër dhe kështu e përmbysë epërsinë e skuadrës mysafire.

    Në minutën e 46, Albin Berisha realizoi nga pika e penalltisë për 1:1, vetëm 4 minuta më vonë reprezentuesi i Kosovës, Lumbardh Dellova realizoi për 2:1, me pas në skenë doli Almir Kryeziu i cili shënoi dy gola.

    Ish lojtari i Dritës realizoi në minutat 55 dhe 79.

    Pas kësaj fitore Ballkani ka grumbulluar 23 pikë dhe kështu e ka përforcuar pozitën e parë në ‘Albi Mall Superligë’.

    Kujtojmë që te Enjten Kampioni i Kosovës në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë e pret Astanën, ndeshje kjo e vlefshme për rrethin e dytë në Konferencë Ligë.

  • ​Belgjikë-Suedi, vjen vendimi i UEFA-s

    ​Belgjikë-Suedi, vjen vendimi i UEFA-s

    UEFA e ka konfirmuar që ndeshja kualifikuese në kuadër të Euro 2024 mes Belgjikës dhe Suedisë nuk do të përsëritet pasi që u pezullua pas përfundimit të pjesës së parë.

    Ndeshja u ndal me përfundim të pjesës së parë mbrëmjen e së hënës për çështje sigurie, pasi dy burra, të cilët thuhet se kanë qenë në fanella të Suedisë, u qëlluan për vdekje në qytet, raporton KosovaPress.

    Një tjetër tifoz u lëndua rëndë gjatë sulmit, me të tre viktimat që ishin në 60-at dhe 70-at e tyre.

    Në atë kohë, ishte bërë e ditur se i dyshuari ishte në arrati, dhe Brukseli ishte i alarmuar për terrorizëm.

    Pasi që ndeshja nuk u vazhdua, tifozëve iu kërkua të qëndronin brenda stadiumit “King Baudouin”, dhe mbetën aty për orë të tëra para se të evakuoheshin.

    Gjatë gjithë natës i dyshuari ishte në arrati, ndërsa ai u qëllua për vdekje të nesërmen nga policia belge në një kafe.

    Kapiteni i Suedisë dhe mbrojtësi i Manchester United, Victor Lindelof e konfirmoi që lojtarët morën vendimin për të mos e vazhduar ndeshjen.

    Sulmi ndodhi gjatë orës 19:00, por lojtarët u informuan vetëm pas pjesës së parë.

    Ish-sulmuesi i Coventryt, Victor Gyokeres kaloi Suedinë në epërsi në minutën e 15’, para se Romelu Lukaku të barazonte shifrat në 1:1 për Belgjikën.

    UEFA tani ka njoftuar se ndeshja nuk do të rifillojë apo përsëritet dhe rezultati i pjesës së parë 1:1 do të qëndrojë.

    Në një deklaratë zyrtare, UEFA tha se federatat e futbollit të Belgjikës dhe Suedisë shprehën publikisht dëshirën e tyre për të mos luajtur kohën e mbetur të ndeshjes dhe për të marrë në konsideratë rezultatin në intervalin e pjesës së parë (1:1).

    Një tjetër pikë e konsideruar nga UEFA ishte se rezultati i ndeshjes nuk do të ndikonte në asnjërën palë, pasi Belgjika tashmë është kualifikuar dhe Suedia është eliminuar matematikisht.

  • ​Edhe një tjetër kompeticion i UEFA-s i besohet FSHF-s

    ​Edhe një tjetër kompeticion i UEFA-s i besohet FSHF-s

    UEFA, qeveria evropiane e futbollit i beson organizmin e një tjetër turneu të rëndësishëm Federatës Shqiptare të Futbollit! Në muajin tetor, FSHF do të organizojë sfidat kualifikuese të grupit A7, të vlefshme për Kampionatin Europian U-19 për vajza, e ku marrin pjesë përfaqësueset e Serbisë, Bjellorusisë, Skocisë e Islandës.

    Ndeshjet do të luhen në stadiumet ‘Air Albania’ dhe ‘Elbasan Arena’ në datat 24, 27 dhe 30 tetor të këtij viti. UEFA ka vendosur që këto ndeshje të luhen në Shqipëri, duke ia besuar FSHF-së organizimin e këtij raundi të parë të kualifikueseve të kampionatit evropian për këtë grupmosh.

    Të gjitha skuadrat do të akomodohen në Durrës dhe do të stërviten në vendin tonë përgjatë periudhës së përcaktuar nga UEFA.

    Ky është turneu i 7-të që organizohet në Shqipëri nga FSHF në bashkëpunim me UEFA-n, ndërsa duhet theksuar se institucioni i futbollit shqiptar ka organizuar edhe shumë ndeshje miqësore të grupmoshave të ndryshme përgjatë këtij viti futbollistik.

  • ​Kapitenja e Kosovës U17 në hendboll synon Botërorin

    ​Kapitenja e Kosovës U17 në hendboll synon Botërorin

    Sara Gjergjaj është shpallur lojtarja më e mirë e IHF Trophy për zonën evropiane në grupmoshën U17. Sara tashmë është edhe kapitene e Kombëtares U17, ndërsa synimi i ardhshëm i saj është që me Kosovën të kualifikohet në Botëror. Për këtë Kosovës U17 i duhet që ta fitojë fazën interkontinentale të IHF Trophy që pritet të mbahet në muajt e parë të vitit të ardhshëm.

    Kosova U17 fitoi garën IHF Trophy për zonën evropiane, që të dielën përfundoi në Prishtinë. Kështu u kualifikua për fazën ndërkontinentale.

    “Dëshiroj që të kualifikohemi në Kampionat Botëror me Kombëtaren U17. Momentalisht i gjithë fokusi dhe dëshira ime, por edhe i gjithë Kombëtares, është që të arrijmë në Kampionatin Botëror me U17. Pastaj, padyshim që ëndërr e imja është që një ditë të luaj në Kombëtaren A, të jap gjithë potencialin tim dhe të ndihmoj Kombëtaren që të arrijmë suksese”, ka thënë Sara Gjergjaj në një bisedë për sajtin zyrtar të FHK-së.

    Ajo jeton dhe luan në Zvicër, ndërsa është krenare që përfaqëson Kosovën.

    “Titulli MVP është nder i madh. Ndihem krenare me këtë të arritur. Dëshmon se përpjekjet dhe pasioni im për hendbollin janë vlerësuar. Pa dyshim që ky çmim më jep edhe më shumë motiv për të vazhduar punën de përpjekjet, që të zhvillohem dhe të kontribuoj për Kombëtaren. Suksesi im është rezultat i punës së madhe ekipore. Jam shumë falënderuese ndaj bashkëlojtareve dhe trajnerëve që kanë pasur besim në mua”, ka thënë Gjergjaj.

    Ajo ndihet mirë që u zgjodh kapitene, por e di se me këtë ka edhe përgjegjësi shtesë. Sara përpiqet të jetë shembull i mirë për ekipin, që të motivojë dhe ndihmojë bashkëlojtaret dhe që atmosfera të jetë shembullore.

  • ​Prishtina fiton Superkupën Kosovë-Diasporë

    ​Prishtina fiton Superkupën Kosovë-Diasporë

    FC Prishtina është fituese e Superkupës Kosovë-Diasporë, pasi që e ka mposhtur FC Kastriotin Stukenbrock.

    Në ndeshjen që u zhvillua në Kampin Nacional në Hajvali, Prishtina e mposhti 4:0 FC Kastrioti Stukenbrock, raporton KosovaPress.

    Rezistenca e Kastriotit u thye në minutën e 65’, kur Diar Halili shënoi për 1:0, teksa në minutat e fundit Prishtina u shfaq edhe më efikase, duke realizuar edhe tre gola tjerë përmes Albin Krasniqit (minua e 85’), Hasan Hysenit (minuta e 88’) dhe Jalen Miller Blesas (minuta e 90’).

    Trajneri i Prishtinës, Debatik Curri në këtë ndeshje u dha më shumë hapësirë futbollistëve që kanë pasur minutazhë më të vogël gjatë këtij edicioni në Superligën e Kosovës.

  • Skuadra gjermane përjashton lojtarin që doli pro Palestinës

    Skuadra gjermane përjashton lojtarin që doli pro Palestinës

    Skuadra gjermane Mainz 05 ka përjashtuar Anwar El Ghazi nga stërvitjet dhe lojërat pas postimit të tij pro Palestinës në Instagram, i cili më pas është fshirë.

    Këtë e ka bërë të ditur klubi në rrjetet sociale të martën në mbrëmje. Në postimin e tij, El Ghazi mori një pozicion për konfliktin në Lindjen e Mesme në një mënyrë që ishte e patolerueshme për klubin. Përjashtimit i parapriu një diskutim i detajuar midis bordit dhe lojtarit.

    “Mainz 05 respekton se ka perspektiva të ndryshme për konfliktin kompleks të Lindjes së Mesme që ka vazhduar për dekada. Megjithatë, klubi distancohet nga përmbajtja e postimit pasi nuk shkon paralelisht me vlerat e klubit tonë”, thuhet në deklaratën e klubit, përcjellë KosovaPress.

    Në mesditë, El Ghazi, i cili ishte bashkuar me Mainz 05 në mes të shtatorit, kishte ndërprerë stërvitjen. Holandezi 28-vjeçar kishte shpërndarë më parë një postim ku ndër të tjera thoshte: “Nga lumi në det, Palestina do të jetë e lirë”. Ajo që nënkuptohet është se Palestina duhet të shtrihet nga Jordani në Mesdhe.

    Postimi u fshi më vonë dhe deri të hënën ai kishte gjithashtu një foto profili me fjalët “Unë qëndroj me Palestinën”. Të martën, ajo foto u zëvendësua me një imazh të fytyrës së El Ghazit.

  • Peja nis sot aventurën në grupet e FIBA Europe Cup

    Peja nis sot aventurën në grupet e FIBA Europe Cup

    Kampionia e Kosovës në basketboll, KB Peja do të nis sot aventurë në garat evropiane, respektivisht në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup.

    Me fillim nga ora 19:00 KB Peja do të zhvillojë ndeshje si mysafire e skuadrës së njohur gjermane, NINERS Chemnitz, raporton KosovaPress.

    Përballja ndaj skuadrës gjermane shihet tejet e vështirë, sidoqoftë kampioni i Kosovës synon të tregojë paraqitje sa më të mirë, ndërsa ka ftuar edhe bashkëkombësit në Gjermani për përkrahje sa më të madhe.

    Peja është pozicionuar në Grupin H së bashku me NINERS Chemnitz, Heroes Den Bosch nga Holanda dhe Spojnia Stargard nga Polonia.

    Hera e fundit kur Peja ishte pjesë e garave evropiane, përkatësisht FIBA Europe Cup ishte sezoni 2016/17.

    Po ashtu, edhe KB Trepça këtë sezon është pjesë e grupeve të kësaj gare, por që ndeshja kundër Hapoel Galil Elion është pezulluar për shkak të situatës aktuale në Izrael.

    19:00 KB NINERS Chemnitz – KB Peja

  • 14 ndeshje sot në Kupën e Shqipërisë

    14 ndeshje sot në Kupën e Shqipërisë

    Kupa e Shqipërisë i rikthehet sot aksionit me plot 14 ndeshje, të vlefshme këto për xhiron e 1/32-ës së kësaj gare.

    Të gjitha ndeshjet do të zhvillohen me fillim nga ora 13:30, ku interesante pritet të jetë ajo mes Dinamos dhe Iliria Kruja, raporton KosovaPress.

    Po ashtu, ndeshje sot zhvillon edhe Skënderbeu, i cili e pret në shtëpi skuadrën e Delvinas.

    Programin e plotë të ndeshjeve të sotme të Kupës së Shqipërisë e gjeni më poshtë:

     

  • ​Broja mund t’i bashkohet Interit në janar

    ​Broja mund t’i bashkohet Interit në janar

    Interi po planifikon një lëvizje për të nënshkruar me sulmuesin e Chelseat, Armando Broja në formë huazimi në afatin kalimtar të janarit.

    Kështu ka raportuar sot “La Gazetta dello Sport” e cila thekson se sulmuesi shqiptar mund të jetë duke kërkuar një skuadër të re, përcjellë KosovaPress.

    Pasi u shfaq në vetëm katër ndeshje për “Blutë” këtë sezon, Broja po lufton për më shumë minuta nën drejtimin e trajneri Mauricio Pochettino dhe mund të mendojë të shkojë në Itali në afatin kalimtar të janarit.

    Ai së fundi u rikthye nga një lëndim që e mbajti jashtë fushës për disa muaj, por forma e tij edhe më tutje nuk është në nivelin më të mirë të mundshëm.

  • ​Peja e gatshme për FIBA Europe Cup

    ​Peja e gatshme për FIBA Europe Cup

    Kampionia e Kosovës, Peja do të fillojë nesër (e mërkurë) garat në grupet e FIBA Europe Cup.

    Pejanët janë mysafirë të skuadrës së njohur gjermane, NINERS Chemnitz.

    Takimi në Gjermani do të zhvillohet nga ora 19:00 dhe shihet si shumë i vështirë për verdhezinjtë, megjithatë, kampionët e Kosovës dhe liderët e Superligës synojnë paraqitje sa më të mirë, ndërsa kanë ftuar bashkëkombësit për përkrahje sa më të madhe.

    Në Grupin H marrin pjesë Heroes Den Bosch nga Holanda dhe Spojnia Stargard nga Polonia.

    Në edicionin 2016-17, Peja gjithashtu kishte garuar në grupet e FIBA Europe Cup.

    Në këtë edicion edhe Trepça do të garojë në grupet e FIBA Europe, megjithatë sfida e parë e mitrovicasve është pezulluar kundër Hapoel Galil Elion, për shkak të situatës në Izrael.