ATV

Category: Sport

  • Sylvinho ndryshon listën e Kombëtares para ndeshjes me Bullgarinë

    Sylvinho ndryshon listën e Kombëtares para ndeshjes me Bullgarinë

    Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Sylvinho e ka ndryshuar listën e lojtarëve të ftuar për ndeshjen miqësore me Bullgarinë.

    Pas fitores së madhe 3:0 ndaj Çekisë, Shqipëria të martën i rikthehet sërish aksionit në “Air Albania”, ku e pret në shtëpi Bullgarinë, raporton KosovaPress.

    Lista e Kombëtares tani ka pësuar ndryshime pas largimit të Keidi Bares dhe Mirlind Dakut, ku për miqësoren me Bullgarinë është ftuar për herë të parë Marvin Çuni.

    Çuni, që aktivizohet me skuadrën e Frosinones në Serie A, do t’i bashkohet Kombëtares së Shqipërisë sot, dhe nesër e zhvillon seancën e parë stërvitore me lojtarët e tjerë të grumbulluar.

    Marvin Çuni ka përfaqësuar Shqipërinë në grupmoshat U19, ku në gjashtë paraqitje ka shënuar dy gola.

    Miqësorja mes Shqipërisë dhe Bullgarisë luhet të martën në “Air Albania” me fillim nga ora 18:00.

  • Kombëtarja shqiptare iu kthehet sot ushtrimeve për t’u bërë gati për ndeshjen e dytë të tetorit

    Kombëtarja shqiptare iu kthehet sot ushtrimeve për t’u bërë gati për ndeshjen e dytë të tetorit

    Kombëtarja shqiptare e regjistroi mbrëmë një fitore të madhe ndaj Republikës Çeke, pas së cilës iu afrua kualifikimit në Euro 2024.

    E sot, Kuqezinjtë do t’ju kthehen ushtrimeve, ndërsa Federata Shqiptare e Futbollit njofton se lojtarët do të ushtrojnë nga ora 16:30 në Shtëpinë e Futbollit, shkruan “Gazeta Express”.

    Shqipëria këto ditë do të ushtrojë për t’u bërë gati për ndeshjen miqësore me Bullgarinë, të cilën do ta zhvillojë të martën tjetër, respektivisht më 17 tetor nga ora 18:00 në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.

    Kuqezinjtë më pas në nëntor do t’i zhvillojnë edhe dy ndeshjet e fundit të fazës eliminatore për Euro 2024, kundër Moldavisë dhe ndaj Ishujve Faroe, kur edhe mund ta sigurojnë edhe matematikisht kualifikimin në Kampionat Evropian.

  • ​Kosova me tre xhudistë në Evropianin U18 në Berlin

    ​Kosova me tre xhudistë në Evropianin U18 në Berlin

    Ekipi i kadetëve i Kosovës do të jetë pjesëmarrës në Kupën Evropiane të xhudos, që do të mbahet në Berlin të Gjermanisë.

    Nga data 14 deri më 15 tetor do të zhvillohet Evropiani i xhudos në Berlin për grupmoshat U18, raporton KosovaPress.

    Sidorela Dodaj (kategoria deri në 48 kilogramë), Enise Zijade (kategoria deri në 52 kilogramë) dhe Blin Kuka (kategoria deri në 90 kilogramë) do ta përfaqësojnë Kosovën në këtë garë.

    Dodaj e Zijade ndeshen nesër, kurse Kuka ndeshet pasnesër. Së bashku me garuesit ka udhëtuar edhe trajnerja, Majlinda Kelmendi.

    Në Kupën Evropiane marrin pjesë 25 shtete dhe 433 garues.

  • Si e parashikoi rezultatin e saktë të ndeshjes Shkurte Fejza?

    Si e parashikoi rezultatin e saktë të ndeshjes Shkurte Fejza?

    Jo vetëm që këndoi këngën “Mora fjalë“, e solli shumë emocione në stadionin “Air Albania”, këngëtarja Shkurte Fejza parashikoi edhe rezultatin e ndeshjes Shqipëri-Çeki.

    Megjithëse tha se është shumë e emocionuar për përformancën e saj, e pyetur nga mediat në Shqipëri para fillimit të lojes, ajo parashikoi dhe rezultatin për të cilën tha se do të përfundojë me rezultat 3 me 0.

    “Rezultati dhe mendimi vjen gjithmonë nga dëshira. Njeriu e humb ndonjëherë ndoshta, por prej dëshirës unë do doja të jetë 3:0 . Neve ta kemi në dorë fitoren, kjo është dëshira ime”, tha ajo pak para fillimit të ndeshjes.

    Ndryshe performanca e këngëtares Shkurte Fejza, elektrizoi 22 mijë tifozë në stadionin “Air Albania”, ndërsa këndoi këngën ‘Mora Fjalë’.

  • ​Super derbi sot mes Holandës e Francës

    ​Super derbi sot mes Holandës e Francës

    Sonte me fillim nga ora 20:45 stadiumi “Johan Cruijff Arena” i Amsterdamit do të jetë nikoqir i super derbit mes Holandës e Francës, ndeshje kjo e vlefshme për xhiron e shtatë të fazës së grupeve të kualifikimeve drejt Kampionatit Evropian Euro 2024.

    Në xhiron e fundit të zhvilluar në kuadër të këtyre kualifikimeve, Holanda e mposhti Irlandën 2:1, kurse Franca u mposht në një miqësore nga Gjermania 2:1, raporton KosovaPress.

    Momentalisht, Franca kryeson Grupin B me 15 pikë pas pesë ndeshjeve të zhvilluara, krahas Holandës që ka nëntë pikë në vendin e dytë, por me një ndeshje më pak të zhvilluar.

    Takimi i fundit mes këtyre dy kombëtareve daton në muajin mars të këtij viti, ku asokohe Franca e deklasoi 4:0 Holandën.

    Sa i përket ndeshjes së sotme, të dy kombëtaret do të kenë mungesa të shumta, ku për Holandën nuk do të paraqiten Berghuis, Depay, Flekken, Gakpo, Koopmeiners, Lang, Malacia, Timber, De Jong dhe De Ligt, kurse te Franca mungojnë Disasi, Fofana, Kounde, Nkunku, Upamecano dhe Veretout.

    Formacionet e mundshme i gjeni më poshtë.

    Holanda (3-4-3): Verbruggen; De Vrij, Van Dijk, Ake; Dumfries, De Roon, Veerman, Blind; Simons, Weghorst, Malen

    Franca (4-2-3-1): Maignan; Pavard, Konate, L. Hernandez, T. Hernandez; Tchouameni, Rabiot; Dembele, Griezmann, Mbappe; Giroud

  • Sandro Tonali dhe Nicolo Zaniola largohen nga kombëtarja e Italisë, arsyeja bastet

    Sandro Tonali dhe Nicolo Zaniola largohen nga kombëtarja e Italisë, arsyeja bastet

    Sandro Tonali i Newcastle United dhe Nicolo Zaniolo i Aston Villas janë marrë në pyetje nga policia në kampin stërvitore të Coverciano të Italisë, si pjesë e një hetimi për platformat e paligjshme të basteve dixhitale.

    Të dy lojtarët janë lejuar nga detyra ndërkombëtare teksa Italia përgatitet të përballet me Maltën në Bari nesër mbrëma dhe Anglinë në Wembley të martën e ardhshme.

    Në një deklaratë nga Shoqata Italiane e Futbollit (FICG) thuhet: “Federata njofton se sot pasdite Prokuroria Publike e Torinos ka kryer hetime për lojtarët Sandro Tonali dhe Nicolò Zaniolo, të cilët aktualisht po stërviten me kombëtaren në Qendrën Federale të Stërvitjes Coverciano.

    “Pavarësisht natyrës së ngjarjeve, duke pasur parasysh se dy lojtarët nuk janë në gjendjen e nevojshme për t’u përballur me ndeshjet e planifikuara për ditët në vijim, Federata ka vendosur që edhe për mbrojtjen e tyre t’i lejojë ata të kthehen në klubet e tyre përkatëse.”- ka shkruajtur FICG.

    Mesfushori i Juventusit, Nicolo Fagioli, ishte i pari që u përfshi në hetim, ku dhe pranoi përfshirjen gjatë dëshmisë me prokurorët në Torino, duke dorëzuar me vetdëshirë telefonin e tij celular.

    Skandali i basteve në Serie A është ende në fazat e para dhe raportet sot sugjerojnë se të paktën 10 lojtarë të tjerë janë të përfshirë.

    Kujtojmë që neni 24 i kodit të drejtësisë sportive të FIGC-së ndalon vendosjen ose marrjen e basteve, drejtpërdrejt ose tërthorazi në ngjarjet e organizuara nga FIGC, FIFA dhe UEFA. Kushdo që e bën këtë rrezikon një ndalim tre-vjeçar nga sporti dhe një gjobë prej të paktën 25,000 €.

  • Shitën bileta të falsifikuara deri në 400 euro, arrestohen 2 persona

    Shitën bileta të falsifikuara deri në 400 euro, arrestohen 2 persona

    Kërkesa për bileta në ndeshjen Shqipëri-Çeki ishte shumë e lartë. Kjo bëri që shumë tifozë të ofronin çmime të larta për ta blerë një të tillë.

    Megjithatë ka patur edhe shumë raste mashtrimi. Policia njoftoi këtë të premte se janë vënë në pranga 2 persona, njëri 35 vjeç dhe tjetri 31 vjeç. Ata falsifikuan të paktën 60 bileta dhe i shitën për çmime deri në 400 Euro.

    “Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë, në vijim të veprimeve të thelluara hetimore për dokumentimin e plotë ligjor të rastit të shitjes së biletave për ndeshjen Shqipëri-Çeki, me çmime shumë të larta, me anë të mashtrimit, që u godit ditën e djeshme, kanë vënë në pranga 2 nga shtetasit që ishin në hetim për këtë rast, konkretisht: A. O. dhe S. A., të dy banues në Tiranë. Nga veprimet e thelluara hetimore ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë falsifikuar biletat për ndeshjen Shqipëri-Çeki dhe i kanë shitur ato me çmime deri në 400 Euro”, njoftoi policia.

    Pasi qytetarët kanë paraqitur këto bileta, për të hyrë në stadium, janë krijuar probleme teknike sepse biletat ishin të dubluara.

    Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme./tvklan.al

  • Pamje nga festa e “çmendur” e futbollistëve shqiptarë

    Pamje nga festa e “çmendur” e futbollistëve shqiptarë

    Shqipëria triumfoi ndaj Republikës Çeke gjatë së enjtes, duke bërë një hap të madh drejt kualifikimit në Kampionatin Evropian që do të mbahet në Gjermani, në vitin e ardhshëm.

    Kombëtarja shqiptare renditet e para në grupin E, me 13 pikë të grumbulluara nga gjashtë ndeshje, me katër fitore, një barazim dhe asnjë humbje.

    Pas ndeshjes festa ishte e madhe si tek tifozët, njashtu edhe te lojtarët në dhomën e zhveshjes.

    Përndryshe, Shqipëria do ta luajë edhe një ndeshje gjatë këtij, muaji miqësoren ndaj Bullgarisë.

  • Konfirmohet lëndimi i rëndë për Albion Rrahmanin, i futet operimit

    Konfirmohet lëndimi i rëndë për Albion Rrahmanin, i futet operimit

    Në ndeshjen e mbrëmshme Andorrë – Kosovë, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024, sulmuesi ynë Albion Rrahmani ka pësuar lëndim, me ç’rast menjëherë është dërguar për ekzaminime mjekësore në spitalin e qytetit në Andorra La Vella. Pas këtyre ekzaminimeve ka rezultuar se ai ka pësuar frakturë në kyçin e këmbës së djathtë dhe do t’i nënshtrohet operimit.

    Të gjithë bashkëlojtarët dhe stafi i Kombëtares kanë qenë të prekur nga lëndimi i Albionit, por presin që ai ta kalojë sa më shpejtë periudhën e rehabilimit dhe të kthehet edhe më fuqishëm për ta treguar talentin e tij në skenën ndërkombëtare.

    FFK është e përkushtuar që të kujdeset për shëndetin dhe mirëqenien e Albionit dhe do të bashkëpunojë ngushtë me klubin e tij Rapid Bukuresht dhe ekspertët mjekësorë për të siguruar që operacioni dhe rehabilitimi i tij të jetë sa më i suksesshëm.

  • Duka i bindur: Shqipëria në Evropian

    Duka i bindur: Shqipëria në Evropian

    Kreu i Federatës shqiptare të futbollit, Armand Duka, ka folur pas fitores vendimtare të Shqipërisë ndaj Çekisë.

    Shqipëria ka shënuar një fitore mbresëlënëse me rezultat 3:0, përballë Çekisë.

    Sipas tij, Shqipëria tani është me dy është në “Euro 2024”.

    “Të gjithë jemi të lumtur për këtë trepikësh. Jemi me dy këmbë në Evropian. Jam i bindur që do bëjmë edhe më shumë. Këtë fitore sot e kam shijuar më shumë. I kisha lënë të gjitha për fitoren e sotme. Na takon që të festojmë gjatë. Dua të përqafoj gjithë stadiumin sot. Tani kemi më shumë eksperiencë, do bëjmë më mirë në Evropian. Është e vështirë të fle sot”, tha ndër të tjera Duka.

    Pas kësaj fitore Shqipëria mbetet në vendin e parë me 13 pikë dhe i duhen vetëm dy pikë nga dy ndeshjet e fundit për të siguruar kualifikimin në Euro 2024.

    Polonia fitoi ndaj Ishujve Faroe dhe merr vendin e dytë me nëntë pikë kurse, Çekia mbetet në vendin e tretë.