ATV

Category: SPORT

  • Neymar drejt Inter Miamit? Braziliani mund të ribashkohet me Messin dhe Suarezin

    Neymar drejt Inter Miamit? Braziliani mund të ribashkohet me Messin dhe Suarezin

    Mundësia që Neymar të transferohet te Inter Miami në vitin 2027 po merr gjithnjë e më shumë vëmendje. Klubi amerikan po shqyrton seriozisht mundësinë për të afruar yllin brazilian dhe për të krijuar një tjetër kapitull spektakolar në historinë e futbollit.

    Sipas raportimeve të fundit, Inter Miami po konsideron transferimin e Neymarit që në janar të vitit 2027. Një lëvizje e tillë do të mundësonte ribashkimin e brazilianit me ish-shokët e tij të Barcelonës, Lionel Messin dhe Luis Suarezin.

    Lajmi u bë i ditur fillimisht nga ish-futbollisti brazilian Felipe Melo, i cili përmes kanalit të tij foli për interesimin e klubit të MLS-së për Neymarin.

    Nëse marrëveshja do të realizohej, Neymar do të largohej nga Brazili pas përfundimit të aventurës së tij me Santosin, klubin ku nisi karrierën dhe ku riktheu fanellën legjendare me numrin 10.

    Ribashkimi me Messin dhe Suarezin do t’i jepte këtij transferimi një dimension të veçantë. Të tre futbollistët formuan te Barcelona një nga repartet sulmuese më të frikshme në historinë e futbollit, të njohur si “MSN”.

    Neymar, Messi dhe Suarez krijuan një epokë të paharrueshme në “Camp Nou”, duke fituar trofe të rëndësishëm dhe duke prodhuar një numër të madh golash e asistimesh.

    Inter Miami, ndërkohë, ka ndërtuar një projekt ambicioz pikërisht përmes afrimit të yjeve me famë ndërkombëtare. Klubi amerikan ka tërhequr disa prej emrave më të mëdhenj të futbollit botëror dhe një transferim i Neymarit do të ishte në përputhje të plotë me këtë strategji.

    Afrimi i brazilianit do të ishte gjithashtu një tjetër goditje e madhe për MLS-në, duke rikthyer në të njëjtën skuadër treshen që dikur shkëlqeu së bashku në Spanjë.

    Megjithatë, për momentin bëhet fjalë vetëm për një mundësi të raportuar dhe jo për një marrëveshje të konfirmuar. Mbetet për t’u parë nëse Inter Miami do ta konkretizojë interesimin dhe nëse Neymar do të vendosë të nisë një aventurë të re në Shtetet e Bashkuara në vitin 2027.

  • Drenica përforcohet në mbrojtje, afron talentin 19-vjeçar nga Gjermania

    Drenica përforcohet në mbrojtje, afron talentin 19-vjeçar nga Gjermania

    Drenica ka bërë një tjetër lëvizje në merkato, duke siguruar shërbimet e mbrojtësit 19-vjeçar, Adrian Durmishaj.

    Futbollisti shqiptar vjen nga skuadra gjermane Kickers Offenbach, ku sezonin e kaluar ishte pjesë e ekipit U19.

    Klubi kuqezi e ka zyrtarizuar transferimin, duke vlerësuar cilësitë e mbrojtësit të ri.

    “19-vjeçari vjen nga akademia e Kickers Offenbach, ku ishte pjesë e ekipit U19, ndërsa shquhet për fizikun e tij, lojën në ajër dhe sigurinë në repartin defensiv. Adrianit i urojmë mirëseardhje në familjen kuqezi dhe shumë suksese me fanellën e FC Drenicës”, thuhet në njoftimin e klubit.

    Durmishaj sezonin e kaluar regjistroi 17 paraqitje me Kickers Offenbach dhe kontribuoi me dy asistime.

    Me afrimin e tij, Drenica synon të shtojë alternativat në repartin defensiv dhe t’i japë më shumë hapësirë një prej talenteve të rinj që vjen nga futbolli gjerman.

  • Armando Broja jashtë edhe në Kupë, mbetet e paqartë e ardhmja e sulmuesit te Burnley

    Armando Broja jashtë edhe në Kupë, mbetet e paqartë e ardhmja e sulmuesit te Burnley

    Armando Broja nuk ishte mes zgjedhjeve të Bërnlit për ndeshjen e “Carabao Cup” ndaj Notts County, ku skuadra e Premier League siguroi kualifikimin pas goditjeve të penalltive.

    Mungesa e sulmuesit shqiptar vjen në një moment kur situata e tij te Bërnli mbetet e paqartë. Dy javë më parë, trajneri Niki Hajen bëri të ditur se Broja po përballej me një dëmtim dhe se do të mungonte për disa javë.

    “Broja ka një dëmtim të lehtë, ndaj do të mungojë për disa javë”, ishte shpjegimi i trajnerit belg për gjendjen e sulmuesit shqiptar.

    Tashmë, Broja vijon të jetë jashtë fushës dhe nuk u përfshi në sfidën e Kupës ndaj Notts County. Në të njëjtën kohë, në mediat britanike kanë qarkulluar vazhdimisht zëra për një largim të mundshëm të tij nga Bërnli.

    Sulmuesi shqiptar iu bashkua klubit pas një investimi prej 20 milionë paundësh. Bërnli pagoi këtë shumë për Çelsin në një transferim që u realizua pasi Broja nuk ishte më pjesë e planeve të klubit londinez.

    Pavarësisht investimit të madh, aventura e sulmuesit shqiptar te Bërnli nuk ka marrë ende drejtimin e pritur. Dëmtimi i fundit ka ndikuar në aktivizimin e tij, ndërsa pasiguria për të ardhmen vazhdon të jetë e pranishme.

    Mbetet për t’u parë nëse Broja do të rikthehet në planet e trajnerit Hajen pas rikuperimit apo nëse merkatoja do të sjellë një tjetër kapitull në karrierën e tij.

    Në sfidën ndaj Notts County, Bërnli e siguroi kualifikimin pas goditjeve të penalltive, ndërsa Broja e ndoqi takimin jashtë fushës.

  • UEFA shqyrton hetim ndaj Infantinos, në fokus një pagesë gjashtëshifrore gjatë kohës së tij në drejtim

    UEFA shqyrton hetim ndaj Infantinos, në fokus një pagesë gjashtëshifrore gjatë kohës së tij në drejtim

    UEFA po shqyrton mundësinë e nisjes së një hetimi ndaj presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, lidhur me periudhën 16-vjeçare të tij në institucionin drejtues të futbollit evropian.

    Sipas raportimeve, në qendër të vëmendjes është një pagesë në vlerë gjashtëshifrore që një ish-punonjëse e UEFA-s dyshohet se ka marrë në momentin e largimit nga organizata. Identiteti i saj nuk është bërë publik, ndërsa pretendohet se ajo kishte pasur një marrëdhënie me Infantinon gjatë kohës kur ai ishte pjesë e drejtimit të UEFA-s.

    Infantino iu bashkua UEFA-s në vitin 2000 dhe qëndroi në organizatë për 16 vjet, përpara se të zgjidhej president i FIFA-s në vitin 2016.

    Sipas raportimeve, drejtues të lartë të UEFA-s duan të sqarojnë mënyrën se si është miratuar pagesa dhe nëse marrëdhënia e pretenduar ka ndikuar në vendimet e personelit gjatë kohës kur Infantino shërbente si sekretar i përgjithshëm.

    Gruaja në fjalë thuhet se kishte përparuar në karrierë gjatë kësaj periudhe, duke kaluar nga një pozicion fillestar në një rol drejtues, ndërsa paga e saj raportohet se ishte rritur me rreth 30 për qind. Ky avancim, sipas raportimeve, kishte shkaktuar shqetësime të brendshme në UEFA.

    Vëmendje të veçantë ka tërhequr edhe paketa financiare që ajo përfitoi në momentin e largimit. UEFA ka konfirmuar se një pagesë është bërë, por ka deklaruar se ajo ishte në përputhje me rregulloret në fuqi në atë kohë.

    Institucioni ka bërë të ditur gjithashtu se rregullat për marrëdhëniet mes punonjësve, si dhe politikat lidhur me kompensimet gjatë largimit, janë forcuar që prej asaj periudhe.

    Një burim i cituar nga The Telegraph pretendon se Infantino nuk kishte të drejtë të miratonte paketën e largimit të punonjëses për shkak të një konflikti të mundshëm interesi.

    Raportimi shton se UEFA më pas kishte financuar edhe një program MBA për gruan në një shkollë biznesi, ku tarifat vjetore arrinin rreth 45 mijë paund.

    Nga ana tjetër, FIFA i ka mohuar kategorikisht akuzat ndaj Infantinos. Organizata i ka cilësuar pretendimet si “tërësisht të pavërteta”, duke argumentuar se çdo sugjerim për sjellje të papërshtatshme apo shkelje të rregullave është shpifës.

    Rihapja e çështjeve që lidhen me periudhën e Infantinos në UEFA vjen në një moment të tensionuar në marrëdhëniet mes UEFA-s dhe FIFA-s.

    UEFA së fundmi ka kundërshtuar një propozim të Infantinos për përfshirjen e investitorëve privatë në financimin e Kupës së Botës. Sipas raportimeve, UEFA ka votuar unanimisht, me rezultatin 55-0, kundër kësaj ideje dhe ka kërkuar garanci se projekti është braktisur përfundimisht.

    Pavarësisht përplasjeve, Infantino mbetet i vendosur për të kërkuar një tjetër mandat në krye të FIFA-s. Zgjedhjet presidenciale të organizatës janë planifikuar të zhvillohen në marsin e ardhshëm.

    Tashmë pritet të shihet nëse UEFA do të nisë zyrtarisht një hetim dhe nëse pretendimet e raportuara do të çojnë në një përballje të re mes institucioneve më të rëndësishme të futbollit evropian dhe botëror.

  • PSG gati të paguajë 115 milionë euro për Arda Güler, Real Madridi përballë një dileme

    PSG gati të paguajë 115 milionë euro për Arda Güler, Real Madridi përballë një dileme

    Real Madridi ka marrë një ofertë të bujshme prej 115 milionë eurosh nga Paris Saint-Germain për Arda Güler. Klubi francez kërkon të transferojë mesfushorin turk gjatë kësaj vere dhe është i gatshëm të bëjë një investim të madh për të siguruar shërbimet e tij.

    Güler, 21 vjeç, është shndërruar gradualisht në një nga lojtarët më të rëndësishëm të Real Madridit dhe konsiderohet një prej talenteve kryesore për të ardhmen e klubit. Sezoni 2025/26 ishte një tjetër hap përpara në zhvillimin e tij, pasi ai fitoi më shumë minuta dhe përgjegjësi në skuadër.

    Në të gjitha kompeticionet, turku regjistroi 51 paraqitje, duke shënuar 6 gola dhe dhënë 12 asistime. Në La Liga, ai luajti 33 ndeshje, 25 prej të cilave i nisi si titullar, ndërsa e mbylli kampionatin me 4 gola dhe 8 asistime.

    Në total, Güler grumbulloi 3,254 minuta gjatë sezonit dhe ishte i përfshirë drejtpërdrejt në 18 gola, shifra që kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen e statusit të tij në Madrid.

    Real Madridi e transferoi Gülerin në vitin 2023 nga Fenerbahçe për rreth 20 milionë euro, kur ai ishte vetëm 18 vjeç. Sot, vlera e tij në treg vlerësohet rreth 90 milionë euro, ndërsa oferta e PSG-së është rreth 25 milionë euro më e lartë.

    Megjithatë, klubi madrilen nuk është nën presion për ta shitur. Güler ka kontratë me Real Madridin deri më 30 qershor 2029 dhe vazhdon të jetë pjesë e planeve të skuadrës për sezonet e ardhshme.

    Edhe në përgatitjet për sezonin 2026/27, mesfushori turk ka treguar se mbetet një element i rëndësishëm për ekipin. Në miqësoren e zhvilluar më 8 gusht ndaj Ferencváros, Güler ishte sërish pjesë e rëndësishme e repartit të mesfushës.

    Oferta prej 115 milionë eurosh e vendos Real Madridin përballë një dileme të madhe. Në njërën anë është mundësia për të arkëtuar një shumë të jashtëzakonshme për një lojtar që u ble për rreth 20 milionë euro, ndërsa në anën tjetër qëndron rëndësia e Gülerit për projektin e klubit dhe potenciali i tij për vitet e ardhshme.

    PSG ka kapacitetin financiar për të rritur ofertën në rast të një refuzimi fillestar dhe dëshiron të kuptojë nëse ekziston një shumë që mund ta bindë Real Madridin të ndryshojë qëndrim.

    Për momentin, Arda Güler mbetet lojtar i Real Madridit dhe ka kontratë me klubin deri në vitin 2029. Tashmë pritet të shihet nëse madrilenët do ta refuzojnë ofertën e PSG-së apo nëse klubi francez do të rikthehet me një propozim edhe më të madh.

  • Ferran Torres i jep “OK” PSG-së, tani priten negociatat me Barcelonën

    Ferran Torres i jep “OK” PSG-së, tani priten negociatat me Barcelonën

    Ferran Torres ka dhënë dritën jeshile për transferimin te Paris Saint-Germain, duke bërë një hap të rëndësishëm drejt largimit nga Barcelona. Sulmuesi spanjoll ka arritur një marrëveshje me klubin francez për kushtet personale të kontratës, ndërsa tani radha është e dy klubeve për të gjetur gjuhën e përbashkët për shumën e transferimit.

    PSG ka avancuar ndjeshëm në përpjekjet për të transferuar Torresin dhe marrëveshja me lojtarin për kushtet personale shihet si një hap i rëndësishëm drejt kompletimit të operacionit.

    Interesimi i klubit francez për sulmuesin e Barcelonës ishte raportuar më herët edhe nga mediat spanjolle, ndërsa tashmë dëshira e Torresit për të ndryshuar ambient duket se është konkretizuar.

    Marrëveshja mes PSG-së dhe Ferran Torresit nuk do të thotë se transferimi është përfunduar. Tani priten negociatat mes dy klubeve për tarifën e transferimit.

    Barcelona nuk po e detyron lojtarin të qëndrojë në “Camp Nou” dhe është e gatshme të dëgjojë ofertat për sulmuesin spanjoll. Megjithatë, katalanasit do të kërkojnë një shumë që e konsiderojnë të përshtatshme për të lejuar largimin e tij.

    PSG, nga ana tjetër, duhet të gjejë një marrëveshje me Barcelonën përpara se transferimi të marrë formën përfundimtare.

    Nëse dy klubet arrijnë marrëveshje për shumën e transferimit, Torres do të largohet nga Barcelona dhe do të nisë një kapitull të ri në karrierën e tij në Paris.

    Ferran Torres iu bashkua Barcelonës në janar të vitit 2022, pasi u transferua nga Manchester City. Sulmuesi spanjoll është aktivizuar në disa role në repartin ofensiv dhe ka qenë një prej alternativave të rëndësishme për trajnerët e klubit katalanas.

    Megjithatë, konkurrenca e madhe për vendet në sulm dhe situata e tij në skuadër kanë bërë që e ardhmja e Torresit të vihet në diskutim.

    Tani, PSG është shfaqur si destinacioni i mundshëm për të. Marrëveshja personale me klubin francez është arritur dhe mbetet vetëm pika më e rëndësishme: negociatat mes Barcelonës dhe PSG-së për tarifën e transferimit.

  • Diego Simeone i mbyll derën Barcelonës për Julian Alvarezin: “Do të qëndrojë te Atletico”

    Diego Simeone i mbyll derën Barcelonës për Julian Alvarezin: “Do të qëndrojë te Atletico”

    Diego Simeone ka përsëritur qëndrimin e Atletico Madridit për Julian Alvarezin, duke bërë të qartë se klubi madrilen nuk dëshiron të ndahet me sulmuesin argjentinas, pavarësisht interesimit të madh të Barcelonës.

    Barcelona ka shfaqur disa herë gjatë kësaj vere dëshirën për të transferuar Alvarezin dhe madje ka paraqitur një ofertë prej 100 milionë eurosh, e cila është refuzuar nga Atletico Madridi.

    Drejtuesit e klubit katalanas nuk kanë hequr dorë dhe po shqyrtojnë mundësinë për të rritur ofertën në rreth 120-130 milionë euro. Megjithatë, situata mbetet e komplikuar, pasi Atletico nuk dëshiron ta shesë sulmuesin.

    Për më tepër, dëshira e Alvarezit për t’u transferuar në “Camp Nou” i ka dhënë Barcelonës shpresë për një marrëveshje. Por nga Madridi vjen një mesazh i qartë: Atletico dëshiron që argjentinasi të vazhdojë të jetë pjesë e skuadrës.

    Trajneri Diego Simeone ka konfirmuar edhe një herë qëndrimin e klubit, duke theksuar se vendimi për të ardhmen e Alvarezit është marrë.

    “Situata është shumë e qartë. Klubi mori një vendim që Miguel Ángel e shpjegoi shumë mirë. Jemi shumë të lumtur me Julianin dhe, nga një perspektivë sportive, do ta ndihmojmë të vazhdojë të rritet, të përmirësohet dhe të na kthejë atë që na ka dhënë në këto dy vite. Ka qenë një marrëveshje e shkëlqyer”, deklaroi Simeone.

    Argjentinasi më pas foli edhe për situatën e përgjithshme në skuadër dhe nevojën që klubi të menaxhojë me kujdes situata të tilla.

    “Kemi disa probleme. E pamë tashmë se çfarë ndodhi me Griezmannin. Nuk shoh asnjë mënyrë tjetër përveçse të punojmë nga një perspektivë sportive siç duhet dhe të përpiqemi të ndihmojmë, ashtu siç kemi bërë gjatë këtyre dy viteve”, përfundoi trajneri i Atletico Madridit.

    Pavarësisht qëndrimit të Simeones dhe Atletico Madridit, Barcelona vazhdon ta shohë Alvarezin si një prej objektivave kryesorë të merkatos.

    Sulmuesi argjentinas është kthyer në një prej figurave kryesore të Atletico Madridit që prej transferimit të tij nga Manchester City dhe paraqitjet e tij në dy sezonet e fundit kanë rritur edhe më shumë interesimin e klubeve të mëdha evropiane.

    Tashmë, mbetet për t’u parë nëse një ofertë e Barcelonës në vlerën 120-130 milionë euro do të mjaftojë për të ndryshuar qëndrimin e Atletico Madridit apo nëse Simeone do ta ketë Alvarezin në dispozicion edhe për sezonin e ri.

  • Ndërron jetë Jorge Messi, babai dhe njeriu kyç pas karrierës së Lionel Messit

    Ndërron jetë Jorge Messi, babai dhe njeriu kyç pas karrierës së Lionel Messit

    Jorge Messi, babai dhe ish-agjenti i Lionel Messit, ka ndërruar jetë në moshën 68-vjeçare pas një sëmundjeje të zgjatur. Ai u nda nga jeta të premten në mbrëmje, në një spital në Rosario të Argjentinës.

    Jorge Messi ka qenë një prej njerëzve më të rëndësishëm në rrugëtimin e djalit të tij drejt majës së futbollit botëror. Ai luajti një rol kyç në vendimin që ndryshoi përgjithmonë karrierën e Lionel Messit, duke e ndihmuar atë të transferohej nga Argjentina te Barcelona në moshën 13-vjeçare.

    Në atë periudhë, Jorge u përfshi drejtpërdrejt në negociatat me klubin katalanas, ndërsa çështja e trajtimit me hormonin e rritjes ishte një prej faktorëve kryesorë që ndikuan në vendimin për ta dërguar të riun Lionel në Spanjë.

    Jorge Messi kishte pasur vetë një të kaluar të lidhur me futbollin, pasi kishte qenë mesfushor në nivelet e të rinjve. Më vonë, ai punoi si teknik kimik, përpara se të bëhej një prej figurave më të rëndësishme në menaxhimin e karrierës së djalit të tij.

    Për vite me radhë, Jorge ishte një figurë e pranishme pranë Lionel Messit, duke e shoqëruar në momentet më të rëndësishme të karrierës së tij, nga hapat e parë te Barcelona deri te triumfet më të mëdha në futbollin botëror.

    Lajmi për ndarjen nga jeta të Jorge Messit vjen si një goditje e rëndë për familjen. Ai lë pas bashkëshorten e tij, Celia, dhe katër fëmijë.

    Lionel Messi, i cili aktualisht luan për Inter Miami, ka folur në raste të ndryshme për rëndësinë e familjes në jetën dhe karrierën e tij. Figura e babait ka qenë veçanërisht e rëndësishme në vitet e para të rrugëtimit të tij, kur familja mori vendimin e vështirë për të lënë Argjentinën dhe për të nisur një jetë të re në Barcelonë.

    Jorge Messi do të kujtohet jo vetëm si babai i një prej futbollistëve më të mëdhenj të historisë, por edhe si njeriu që ishte pranë Lionel Messit që nga hapat e tij të parë dhe që ndihmoi në krijimin e rrugës drejt një karriere të jashtëzakonshme.

  • Arsenal godet në merkato, zyrtarizon transferimin e Bruno Guimaraes

    Arsenal godet në merkato, zyrtarizon transferimin e Bruno Guimaraes

    Arsenali ka përfunduar zyrtarisht transferimin e Bruno Guimaraes nga Newcastle United. Mesfushori brazilian i është bashkuar “Topçinjve” në një marrëveshje që raportohet të ketë vlerën e 75 milionë paundëve, rreth 88 milionë euro.

    Guimaraes ka firmosur një kontratë katërvjeçare me Arsenalin, me mundësi zgjatjeje edhe për një sezon tjetër. Marrëveshja mes dy klubeve angleze u arrit pas negociatave të gjata, ndërsa tashmë transferimi është zyrtarizuar.

    “Jemi të kënaqur të njoftojmë se lojtari brazilian Bruno Guimaraes është bashkuar me ne nga Newcastle United me një kontratë afatgjatë”, thuhet në njoftimin e Arsenalit.

    Transferimi i brazilianit shihet si një lëvizje e rëndësishme për skuadrën e Mikel Artetës. Trajneri spanjoll e ka admiruar Guimaraesin prej disa vitesh dhe e ka konsideruar prej kohësh si një futbollist që mund t’i japë më shumë forcë dhe kreativitet mesfushës së Arsenalit.

    Tashmë, Arteta do të ketë në dispozicion një prej mesfushorëve më të vlerësuar të Premier League, i cili pritet të luajë një rol të rëndësishëm në objektivat e klubit londinez.

    Guimaraes e mbylli sezonin e kaluar si kapiten i Newcastle United, duke qenë një prej liderëve kryesorë të skuadrës.

    Në total, braziliani zhvilloi 41 paraqitje në të gjitha garat, duke realizuar nëntë gola dhe duke dhënë shtatë asistime.

    Tani, pas një aventure të suksesshme në “St James’ Park”, Guimaraes nis një kapitull të ri në karrierën e tij me Arsenalin. Transferimi i tij pritet të jetë një prej lëvizjeve më të rëndësishme të klubit londinez në këtë merkato.

  • Përmbysje spektakolare, Mitrovica mposht Ferencvaroshin dhe vazhdon aventurën evropiane

    Përmbysje spektakolare, Mitrovica mposht Ferencvaroshin dhe vazhdon aventurën evropiane

    Futbollistet e Mitrovicës kanë shënuar një tjetër sukses në arenën evropiane, duke siguruar vazhdimin e garave pas fitores 2-1 ndaj skuadrës së njohur hungareze, Ferencvarosh.

    Ndeshja u zhvillua të shtunën paradite në Budapest dhe ishte e vlefshme për vendin e tretë në mini-grupin e raundit të dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve.

    Me këtë fitore, Mitrovica siguroi të drejtën për të vazhduar garat në raundin e parë kualifikues të Europa Cup, që përfaqëson nivelin e dytë të garave evropiane për klubet e futbollit të femrave.

    Ferencvaroshi kaloi në epërsi në minutën e 68-të, duke e vështirësuar ndjeshëm situatën për skuadrën kosovare. Megjithatë, Mitrovica nuk u dorëzua dhe reagoi fuqishëm në minutat e fundit të takimit.

    Heroina e madhe e përmbysjes ishte Aurora Mulliqi. Fillimisht, ajo barazoi rezultatin në minutën e 76-të, ndërsa vetëm pesë minuta më vonë realizoi edhe golin e dytë personal.

    Goli i Mulliqit i dha Mitrovicës fitoren 2-1 dhe, mbi të gjitha, një biletë për të vazhduar aventurën në garat evropiane.

    Për Mitrovicën, kjo fitore kishte një rëndësi të veçantë, pasi sfida ndaj Ferencvaroshit ishte vendimtare. Fituesi siguronte një vend në Europa Cup, ndërsa skuadra humbëse do t’i jepte fund aventurës evropiane.

    Skuadra kosovare kishte pësuar një humbje të rëndë në gjysmëfinalen e raundit të dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve, duke u mposhtur 5-0 nga Brann i Norvegjisë, të mërkurën në Budapest.

    Megjithatë, futbollistet e Mitrovicës treguan karakter në sfidën vendimtare. Pavarësisht disavantazhit ndaj Ferencvaroshit, ato arritën ta përmbysnin rezultatin brenda pak minutash dhe të siguronin vazhdimin e garave.

    Fitorja ndaj Ferencvaroshit i garanton Mitrovicës një tjetër mundësi për të përfaqësuar Kosovën në skenën evropiane.

    Me një paraqitje të fortë në pjesën e fundit të ndeshjes dhe dy golat e Aurora Mulliqit, skuadra kosovare e mbylli me sukses një tjetër sfidë evropiane dhe tani do të synojë të shkojë sa më larg në Europa Cup.