ATV

Category: SPORT

  • Spektakël në Trabzon! Mohamed Salah prezantohet par 41 mijë tifozëve

    Spektakël në Trabzon! Mohamed Salah prezantohet par 41 mijë tifozëve

    Mohamed Salah është zyrtarisht futbollisti më i ri i Trabzonsporit. Sulmuesi egjiptian u prezantua në mënyrë madhështore para mijëra tifozëve në stadiumin “Papara Park”, në një ceremoni që u shndërrua në një festë të vërtetë futbolli.

    Ylli egjiptian firmosi një kontratë dyvjeçare me klubin turk, nga e cila do të përfitojë 17 milionë euro në sezon. Marrëveshja parashikon gjithashtu bonuse të lidhura me performancën, si dhe 20 për qind të të ardhurave nga shitja e produkteve zyrtare të klubit që mbajnë emrin e tij.

    Prezantimi i Salahut u shoqërua nga një atmosferë elektrizuese në “Papara Park”, ku rreth 41 mijë tifozë mbushën shkallët e stadiumit. Fishekzjarrët, tymueset dhe brohoritjet krijuan një spektakël të paharrueshëm, duke i dhënë mirëseardhjen njërit prej futbollistëve më të njohur në botë.

    I veshur me fanellën e Trabzonsporit me numrin 10, Salah doli në fushë mes ovacioneve të pandërprera të tifozëve. Ekranet gjigante LED dhe tabelat elektronike të stadiumit shfaqnin mesazhe mirëseardhjeje në turqisht dhe anglisht, ndërsa egjiptiani përshëndeti tribunat me krahët hapur dhe premtoi se kishte ardhur për të sjellë trofe në klub.

    Transferimi i Mohamed Salahut konsiderohet një nga goditjet më të mëdha në historinë e Superligës Turke dhe një sinjal i qartë i ambicieve të Trabzonsporit për të rivalizuar në majën e futbollit turk.

  • FSHF tërhiqet nga mbështetja për Infantinon në garën për kreun e FIFA-s

    FSHF tërhiqet nga mbështetja për Infantinon në garën për kreun e FIFA-s

    Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka ndryshuar qëndrim dhe ka vendosur të tërheqë zyrtarisht mbështetjen për kandidaturën e Gianni Infantinos për një mandat të katërt në krye të FIFA-s.

    Vendimi i është komunikuar institucionit më të lartë të futbollit botëror përmes një letre zyrtare drejtuar sekretarit të përgjithshëm të FIFA-s, Mattias Grafström, të nënshkruar nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka.

    Në komunikatën e saj, FSHF ka bërë të ditur se pas konsultimeve të brendshme dhe një vlerësimi të situatës aktuale në futbollin ndërkombëtar, ka vendosur të tërheqë mbështetjen që i kishte dhënë më herët Infantinos.

    Sipas federatës shqiptare, ky vendim lidhet me zhvillimet e fundit në qeverisjen e futbollit botëror, si dhe me qëndrimet e shprehura nga federatat evropiane për proceset dhe mënyrën e drejtimit të FIFA-s.

    “FSHF mbetet e përkushtuar për të bashkëpunuar ngushtë me UEFA-n dhe partnerët ndërkombëtarë, në mbështetje të një qeverisjeje të futbollit të bazuar në transparencë, integritet dhe interesin më të mirë të lojës”, thuhet në deklaratën e federatës.

    Tërheqja e mbështetjes nga Shqipëria vjen në një periudhë të rëndësishme për Infantinon, i cili synon të sigurojë një mandat të ri në krye të FIFA-s, ndërsa gara për presidencën e organizatës pritet të shoqërohet me zhvillime të reja politike brenda futbollit botëror.

  • Real Madridi siguron një tjetër diamant, zyrtarizon transferimin e Yan Diomande

    Real Madridi siguron një tjetër diamant, zyrtarizon transferimin e Yan Diomande

    Real Madridi ka bërë goditjen e radhës në merkato, duke siguruar shërbimet e një prej talenteve më të lakmuar të futbollit evropian, Yan Diomande.

    Klubi madrilen ka konfirmuar zyrtarisht marrëveshjen me RB Leipzig për transferimin e sulmuesit anësor nga Bregu i Fildishtë, i cili ka firmosur një kontratë afatgjatë shtatëvjeçare, që do ta mbajë në “Santiago Bernabeu” deri më 30 qershor 2033.

    “Real Madrid dhe RB Leipzig kanë arritur marrëveshje për transferimin e Yan Diomande, i cili do të jetë pjesë e klubit tonë për shtatë sezonet e ardhshme”, thuhet në njoftimin zyrtar të klubit spanjoll.

    Transferimi i 19-vjeçarit ishte një nga historitë kryesore të merkatos së verës, pasi disa prej klubeve më të mëdha evropiane kërkuan të siguronin firmën e tij. Në fund, ishte Real Madridi që fitoi garën dhe afroi në skuadër një futbollist që shihet si një nga yjet e së ardhmes.

    Sipas raportimeve nga mediat ndërkombëtare, marrëveshja mund të arrijë vlerën e 140 milionë eurove, duke u renditur ndër transferimet më të shtrenjta në historinë e klubit madrilen. Shuma përfshin rreth 125 milionë euro të garantuara, ndërsa pjesa tjetër lidhet me bonuse të ndryshme.

    Diomande vjen në Madrid pas një sezoni fantastik me RB Leipzig, ku la gjurmë me paraqitjet e tij në Bundesligë, duke realizuar 12 gola dhe duke dhuruar nëntë asistime.

    Me shpejtësi, teknikë dhe aftësi për të vendosur ndeshjet, sulmuesi nga Bregu i Fildishtë shihet si një tjetër investim i madh i Real Madridit për të ardhmen.

  • Zyrtare: Mirlind Daku transferohet te Spartak Moska, firmos kontratë trevjeçare

    Zyrtare: Mirlind Daku transferohet te Spartak Moska, firmos kontratë trevjeçare

    Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Mirlind Daku, është zyrtarisht futbollist i Spartak Moskës. Klubi rus konfirmoi të enjten transferimin e 27-vjeçarit nga Rubin Kazan, duke i dhënë fund spekulimeve që e shoqëruan javët e fundit.

    Spartaku e prezantoi Dakun përmes kanaleve zyrtare, duke e cilësuar atë si një nga sulmuesit më të mirë të kampionatit rus.

    “Mirlind Daku është sulmuesi i ri i Spartakut. Njëri nga sulmuesit më të fortë në Superligën e Rusisë ka nënshkruar kontratë trevjeçare me klubin kuqezi”, thuhet në njoftimin e klubit.

    Transferimi u finalizua pavarësisht reagimeve të një pjese të tifozëve të Spartakut, të cilët shprehën kundërshtimin e tyre për afrimin e sulmuesit shqiptar, madje në ndeshjen e fundit të skuadrës u panë edhe pankarta dhe u dëgjuan thirrje fyese ndaj Kosovës dhe shqiptarëve.

    Sipas raportimeve, Daku do të përfitojë një pagë vjetore prej rreth 3.3 milionë eurosh, ndërsa në marrëveshje është përfshirë edhe një bonus nënshkrimi prej 1.5 milionë eurosh.

    Daku largohet nga Rubin Kazani pas tre sezonesh të suksesshme, ku u shndërrua në një nga sulmuesit më të spikatur të elitës ruse. Ai realizoi 38 gola dhe dhuroi 10 asistime në 89 ndeshje, duke shënuar të paktën 10 gola në secilin sezon.

    Te Spartak Moska, reprezentuesi shqiptar do të mbajë fanellën me numrin 19, ndërsa pritet të jetë një nga emrat kryesorë të repartit ofensiv për sezonin e ri.

  • Asllani drejt Leipzigut, Romano konfirmon marrëveshjen 30 milionëshe

    Asllani drejt Leipzigut, Romano konfirmon marrëveshjen 30 milionëshe

    Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Fisnik Asllani, ka kompletuar transferimin te RB Leipzig, në një marrëveshje me vlerë totale prej 30 milionë eurosh nga Hoffenheimi.

    Lajmin e ka bërë të ditur eksperti i merkatos, Fabrizio Romano, i cili raporton se klubi nga Bundesliga ka mbyllur marrëveshjen për 23-vjeçarin, duke e konsideruar atë një nga përforcimet kryesore për sezonin e ri.

    Ndërkohë, gazetari gjerman Guido Schäfer ka bërë të ditur se Asllani do t’u nënshtrohet testeve mjekësore në Salzburg, përpara se t’i bashkohet zyrtarisht skuadrës së RB Leipzigut.

    Sipas raportimeve, kontrata e sulmuesit kosovar përfshin edhe një klauzolë lirimi prej 75 milionë eurosh, e vlefshme vetëm gjatë periudhës 1-15 qershor 2027.

    Transferimi vjen pas një sezoni të shkëlqyer të Asllanit me Hoffenheimin, paraqitje që i siguruan interesimin e disa klubeve të mëdha evropiane. Megjithatë, sipas Fabrizio Romanos, ishte RB Leipzig që arriti të finalizojë marrëveshjen dhe ta sigurojë firmën e reprezentuesit të Kosovës.

  • Zyrtare: Bersant Celina transferohet në Arabinë Saudite te skuadra Al-Ettifaq

    Zyrtare: Bersant Celina transferohet në Arabinë Saudite te skuadra Al-Ettifaq

    Mesfushori ofensiv i Kombëtares së Kosovës, Bersant Celina, ka nisur një aventurë të re në karrierën e tij, pasi është transferuar zyrtarisht te Al-Ettifaq në elitën e futbollit saudit.

    Klubi saudit e konfirmoi afrimin e 29-vjeçarit përmes kanaleve zyrtare, duke e prezantuar si përforcimin më të ri të skuadrës. Celina mbërrin si lojtar i lirë, vetëm pak javë pasi mbylli bashkëpunimin me AIK-un suedez.

    Futbollisti kosovar kaloi dy sezone me ekipin nga Stokholmi, ku la gjurmë me paraqitjet e tij. Ai zhvilloi 77 ndeshje në kampionat, realizoi 11 gola dhe kontribuoi me 14 asistime, përpara se palët të vendosnin t’i ndanin rrugët në fillim të muajit korrik.

    Kalimi te Al-Ettifaq shënon një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën e Celinës, i cili ndër vite ka ndërtuar një eksperiencë të pasur në futbollin evropian. I formuar në akademinë e Manchester Cityt, ai ka veshur edhe fanellat e Twente, Ipswich Town, Swansea City, Dijon, Kasımpaşa dhe AIK.

    Me Kombëtaren e Kosovës, Celina ka regjistruar 38 paraqitje dhe dy gola, duke qenë për një kohë të gjatë një prej emrave më të rëndësishëm të “Dardanëve”.

    Al-Ettifaq e mbylli sezonin e kaluar në vendin e shtatë të kampionatit saudit dhe me afrimin e Celinës synon të rrisë cilësinë në repartin ofensiv për edicionin e ri.

  • Messi rikthehet me gola dhe shkruan histori, bëhet golashënuesi më i mirë në Kupën e Ligës

    Messi rikthehet me gola dhe shkruan histori, bëhet golashënuesi më i mirë në Kupën e Ligës

    Lionel Messi ka lënë pas periudhën pa gola pas Kupës së Botës 2026, duke u rikthyer në mënyrën më të mirë të mundshme. Ylli argjentinas realizoi dy herë për Inter Miamin dhe njëkohësisht vendosi një rekord të ri në Kupën e Ligës.

    Pas paraqitjes si zëvendësues ndaj Columbus Crew, ku nuk arriti të gjente rrugën e rrjetës, 39-vjeçari u rikthye në formacionin titullar dhe dha menjëherë përgjigjen në fushë. Dy golat e shënuar i dhanë fund pritjes së tij pas Botërorit dhe e ngjitën në krye të listës së golashënuesve më të mirë në historinë e këtij kompeticioni.

    Me këto realizime, Messi numëron tashmë 14 gola në vetëm 12 ndeshje të Kupës së Ligës, duke lënë pas sulmuesin e Los Angeles FC, Denis Bouanga, dhe duke u bërë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në këtë turne.

    Përveç dy golave, kapiteni i Inter Miamit kontribuoi edhe me një asist, duke konfirmuar edhe një herë ndikimin e tij vendimtar në lojën e skuadrës amerikane.

    Inter Miami fitoi me rezultat 4-2 ndaj Atletico San Luis, në një sfidë që u ndërpre për rreth 30 minuta për shkak të kushteve të vështira atmosferike.

    Rikthimi i Messit në formën e tij më të mirë vjen vetëm pak javë pasi ai udhëhoqi Argjentinën në finalen e dytë radhazi të Kupës së Botës, ku “Albiceleste” u mposht minimalisht nga Spanja. Tashmë, kapiteni argjentinas duket se e ka kthyer vëmendjen te objektivat me Inter Miamin, duke nisur menjëherë të thyejë rekorde të reja.

  • Drita nis sonte sfidën e raundit të tretë, përballet me Tre Fiorin në San Marino

    Drita nis sonte sfidën e raundit të tretë, përballet me Tre Fiorin në San Marino

    Kampionia e Kosovës, Drita, rikthehet sonte në skenën evropiane, ku do të luajë ndeshjen e parë të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Konferencës ndaj skuadrës nga San Marino, Tre Fiori.

    Takimi zhvillohet në San Marino Stadium në Serravalle, me fillim nga ora 21:00, ndërsa gjilanasit synojnë të hedhin një hap të rëndësishëm drejt fazës “play-off” duke siguruar një rezultat pozitiv në transfertë.

    Pas një ecurie të mirë në raundet paraprake, Drita kërkon të vazhdojë rrugëtimin e suksesshëm në Evropë. Një kualifikim në këtë fazë do ta afronte kampionen e Kosovës vetëm një hap larg fazës së ligës në Ligën e Konferencës.

    Në anën tjetër, Tre Fiori do të synojë të shfrytëzojë avantazhin e fushës dhe përkrahjen e tifozëve vendas për të krijuar epërsi para sfidës së kthimit.

    Përballja vendimtare do të zhvillohet pas një jave në Prishtinë, ku Drita do të ketë përkrahjen e tifozëve të saj në përpjekje për të siguruar kalimin në fazën tjetër të garës.

    Nëse arrin të eliminojë Tre Fiorin, Drita në fazën “play-off” do të përballet me fituesin e çiftit Flora Tallinn – Inter Escaldes.

  • Daku përballet me thirrje kundër Kosovës te Spartaku

    Daku përballet me thirrje kundër Kosovës te Spartaku

    Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Mirlind Daku, u gjend në qendër të vëmendjes gjatë paraqitjes së tij të parë në stadiumin e Spartak Moskës, pasi një pjesë e tifozëve vendas shfaqën pankarta dhe brohoritje me përmbajtje politike e fyese ndaj Kosovës dhe shqiptarëve.

    Vetëm pak ditë pasi firmosi me gjigantin rus, Daku ndoqi nga tribunat sfidën e Kupës së Rusisë mes Spartak Moskës dhe Orenburgut. Megjithatë, ngjarjet jashtë fushës së lojës tërhoqën më shumë vëmendje sesa vetë takimi.

    Sipas videove të publikuara nga mediumi rus Bombardir, nga sektori i tifozëve u dëgjuan thirrje “Kosova është Serbi”, ndërsa në tribunë u shpalos edhe një flamur gjigant me mbishkrimin “Kosova është Serbi”.

    Ndërkohë, mediumi rus Inkazan raportoi se gjatë ndeshjes u dëgjuan edhe brohoritje të tjera me mesazhe politike, përfshirë thirrjet “Rusët dhe serbët janë vëllezër përgjithmonë”, si dhe ofendime të drejtuara ndaj shqiptarëve.

    Edhe pse transferimi te Spartak Moska përfaqëson një hap të rëndësishëm në karrierën e Dakut dhe i siguron atij një kontratë të konsiderueshme financiarisht, incidenti në ndeshjen e parë që ai ndoqi si pjesë e klubit ka rikthyer në fokus qëndrimet e një pjese të tifozëve të skuadrës ndaj Kosovës.

    Mbetet për t’u parë nëse klubi do të reagojë zyrtarisht lidhur me sjelljen e tifozëve dhe mesazhet e shfaqura gjatë takimit.

  • Infantino kërkon falje pas polemikave në FIFA, në prag të garës për një mandat të katërt

    Infantino kërkon falje pas polemikave në FIFA, në prag të garës për një mandat të katërt

    Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka kërkuar falje publike pasi propozimi i tij për shitjen e një pjese të të drejtave komerciale të Kupës së Botës investitorëve privatë shkaktoi reagime të forta dhe pakënaqësi brenda qeverisë së futbollit botëror.

    Sipas raportimeve, gjatë një mbledhjeje të drejtuesve të FIFA-s në Marok, Infantino pranoi se mënyra se si u paraqit ideja ishte e gabuar. Ai theksoi se në asnjë moment nuk kishte synuar të anashkalonte federatat anëtare në vendimmarrje për çështje me rëndësi kaq të madhe.

    BBC raporton se, në një letër drejtuar 211 federatave anëtare, presidenti i FIFA-s ka shprehur “falje të sinqerta” për trajtimin e këtij propozimi, duke premtuar se situata të ngjashme nuk do të përsëriten në të ardhmen.

    Në të njëjtin dokument thuhet se drejtuesit e FIFA-s kanë riafirmuar mbështetjen e plotë për Infantinon, pavarësisht debatit që ka shkaktuar kjo çështje.

    Zhvillimet vijnë në një moment vendimtar për zviceranin, i cili synon të sigurojë një mandat të katërt në krye të FIFA-s. Megjithatë, polemikat e fundit kanë ngritur pikëpyetje mbi nivelin e mbështetjes që ai do të gëzojë në zgjedhjet e ardhshme.

    Afati për paraqitjen e kandidaturave për postin e presidentit të FIFA-s është 18 nëntori, ndërsa zgjedhjet do të zhvillohen gjatë Kongresit të FIFA-s në Marok, në mars të vitit 2027.

    Infantino mbledh urgjentisht drejtuesit e FIFA-s në përpjekje për të konsoliduar mbështetjen para zgjedhjeve

    Për t’u zgjedhur president i FIFA-s, një kandidat duhet të sigurojë të paktën 106 vota nga 211 federatat anëtare.