ATV

Category: SPORT

  • Kayserispor godet dy herë, zyrtarizon Florent Hasanin dhe Taulant Seferin

    Kayserispor godet dy herë, zyrtarizon Florent Hasanin dhe Taulant Seferin

    Kayserispor ka bërë një lëvizje të rëndësishme në merkato, duke zyrtarizuar brenda së njëjtës ditë transferimin e dy futbollistëve shqiptarë, Florent Hasanit dhe Taulant Seferit.

    Klubi turk ka njoftuar afrimin e dy sulmuesve, të cilët pritet të forcojnë repartin ofensiv të skuadrës për sezonin e ri në Superligën turke.

    Florent Hasani, reprezentues i Kosovës, i bashkohet Kayserisporit pas eksperiencës së fundit me Amedin. Sulmuesi pati një sezon të suksesshëm me klubin turk, duke realizuar 18 gola dhe shtatë asistime në 37 ndeshje, para se të merrte një tjetër sfidë në karrierën e tij.

    Në të njëjtën ditë, Kayserispori ka siguruar edhe shërbimet e Taulant Seferit. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare vjen pas një sezoni të spikatur me Bodrumin, ku arriti të shënojë 16 gola dhe të regjistrojë shtatë asistime.

    Me afrimin e Hasanit dhe Seferit, Kayserispori ka krijuar një dyshe shqiptare në repartin ofensiv. Të dy futbollistët pritet t’i japin më shumë alternativa trajnerit dhe të rrisin konkurrencën për vendet në formacion.

    Për Hasanin, aventura te Kayserispori përfaqëson një tjetër hap në karrierën e tij në futbollin turk, ndërsa Seferi synon të vazhdojë formën e mirë që shfaqi sezonin e kaluar.

    Florent Hasani është një prej futbollistëve ofensivë të përfaqësueses së Kosovës dhe prej disa sezonesh është aktivizuar jashtë vendit. Para aventurës së fundit në Turqi, ai ka luajtur edhe në kampionate të tjera evropiane, duke fituar eksperiencë të rëndësishme në nivele të ndryshme.

    Taulant Seferi, ndërkohë, është një prej sulmuesve të Kombëtares shqiptare. Ai ka ndërtuar një karrierë me eksperienca në disa kampionate, ndërsa sezoni i fundit me Bodrumin ishte ndër më produktivët për të në aspektin personal.

    Afrimi i dy sulmuesve tregon qartë interesimin e Kayserisporit për tregun shqiptar dhe atë të Kosovës. Tashmë, Hasani dhe Seferi do të kenë mundësinë të luajnë së bashku në repartin ofensiv dhe të ndihmojnë klubin turk në objektivat e sezonit të ri

  • Ronald Araújo largohet nga Barcelona, transferohet në huazim te Liverpooli

    Ronald Araújo largohet nga Barcelona, transferohet në huazim te Liverpooli

    Një prej kapitenëve të Barcelonës, Ronald Araújo, ka vendosur të ndryshojë ambient. Mbrojtësi uruguaian do të largohet nga katalanasit dhe sezonin e ardhshëm do ta zhvillojë në Premier League, ku do t’i bashkohet Liverpoolit në formë huazimi.

    Qendërmbrojtësi do të transferohet te klubi anglez për një sezon, ndërsa Liverpooli do të ketë një opsion blerjeje jo të detyrueshëm në fund të huazimit. Gjithashtu, skuadra nga “Anfield” do t’i mbulojë plotësisht pagën Araújos gjatë këtij sezoni.

    Largimi i uruguaianit përbën një surprizë të madhe, sidomos kur kanë mbetur pak më shumë se dy javë deri në ndeshjen e parë të Barcelonës në kampionat ndaj Elçes, më 23 gusht. Megjithatë, vendimi thuhet se ka marrë miratimin e trajnerit Hansi Flick dhe drejtorit sportiv Deco.

    Barcelona po lejon largimin e një futbollisti që vetëm në janar të vitit 2025 rinovoi kontratën deri në vitin 2031. Araújo kishte qenë prej vitesh një prej mbrojtësve kryesorë të klubit, ndërsa në një moment dukej shumë pranë një transferimi te Juventusi. Megjithatë, ndryshimi i situatës bëri që ai të vazhdonte karrierën në “Camp Nou”.

    Sipas raportimeve, përfaqësuesit e lojtarit udhëtuan drejt Liverpoolit këtë të premte për të finalizuar detajet e lëvizjes. Për këtë arsye, Araújo nuk do t’u bashkohet shokëve të skuadrës së Barcelonës në Udine.

    Te Liverpooli, mbrojtësi uruguaian pritet të mbushë hapësirën e krijuar pas largimit të Ibrahima Konatés drejt Real Madridit. Araújo do të ketë konkurrencë të fortë për një vend në formacionin titullar, ku do të luftojë për dy pozicionet e qendërmbrojtësit së bashku me Virgil van Dijk, Joe Gomez, Jarell Quansah dhe Leoni.

    Në sezonin 2025/26, Araújo zhvilloi 35 ndeshje në të gjitha kompeticionet me Barcelonën. Ky ishte një numër më i ulët krahasuar me sezonet e mëparshme, por situata nuk lidhej vetëm me aspektin sportiv.

    Uruguaiani kishte kërkuar një periudhë pushimi për shkak të vështirësive personale dhe problemeve me shëndetin mendor. Ai u largua për disa javë nga aktiviteti dhe kaloi një periudhë të tërhequr, përpara se të rikthehej gradualisht në dispozicion të skuadrës.

    Tashmë, Araújo është gati për një kapitull të ri në karrierën e tij. Kalimi te Liverpooli do t’i japë mundësinë të luajë në Premier League dhe njëkohësisht të provojë veten në një ambient të ri, ndërsa Barcelona do të vëzhgojë situatën gjatë gjithë sezonit përpara se të vendoset nëse mbrojtësi do të rikthehet në “Camp Nou” apo do të shitet përfundimisht.

  • Fernando Morientes shpërthen ndaj Real Madridit: Është shaka që e lanë Rodrin t’i afrohet Barcelonës

    Fernando Morientes shpërthen ndaj Real Madridit: Është shaka që e lanë Rodrin t’i afrohet Barcelonës

    Legjenda e Real Madridit, Fernando Morientes, ka kritikuar ashpër klubin madrilen për mënyrën se si ka menaxhuar situatën rreth mesfushorit të Manchester Cityt, Rodri, i cili sipas raportimeve është pranë një transferimi te Barcelona.

    Fituesi i Kupës së Botës me Spanjën konsiderohet një nga objektivat kryesorë të klubit katalanas dhe mediat spanjolle raportojnë se negociatat mes palëve kanë avancuar ndjeshëm. Kjo ka nxitur reagime të forta në Madrid, ndërsa Morientes ka qenë ndër zërat më kritikë ndaj ish-klubit të tij.

    “Është një shaka. Ata na marrin për budallenj. Është e qartë se Real Madridi nuk e donte Rodrin. Real Madridi nuk fle në gjumë në situata të tilla. Mund të flesh kur bëhet fjalë për një mbrojtës të djathtë 14-vjeçar, por jo për një lojtar të këtij niveli”, deklaroi Morientes.

    Ish-sulmuesi spanjoll e cilësoi të pajustifikueshme përpjekjen e klubit madrilen për t’ia atribuar vetë Rodrit vendimin për t’iu bashkuar Barcelonës.

    “Real Madridi nuk i ka bërë të gjitha përpjekjet e nevojshme. Tani ia kalojnë përgjegjësinë Rodrit, duke thënë se ai donte të nënshkruante për Barcelonën për shkak të stilit të lojës. Kjo është një shaka me shije të keqe për ata prej nesh që e njohin futbollin”, shtoi ai.

    Morientes kujtoi gjithashtu disa nga transferimet më të mëdha në historinë e Real Madridit, duke argumentuar se kur klubi madrilen ka qenë vërtet i vendosur për të transferuar një futbollist të klasit botëror, gjithmonë ka arritur ta bindë.

    “Kur Real Madridi ka shkuar pas një transferimi të këtij niveli, ia ka dalë ta realizojë: Figo, Zidane, Owen, Ronaldo… Askush të mos vijë të më thotë tani se Rodri donte të luante diku tjetër”, përfundoi ai.

    Deklaratat e Morientes vijnë në një moment kur Barcelona po avancon në përpjekjet për të siguruar shërbimet e Rodrit, duke e kthyer çështjen e mesfushorit spanjoll në një tjetër kapitull të rivalitetit të madh mes dy gjigantëve të futbollit spanjoll.

  • Gianni Infantino nis fushatën për një mandat të ri, siguron mbështetjen e CAF-it, Meksikës dhe Argjentinës

    Gianni Infantino nis fushatën për një mandat të ri, siguron mbështetjen e CAF-it, Meksikës dhe Argjentinës

    Presidenti i FIFA-së, Gianni Infantino, ka nisur fushatën për të siguruar një mandat të ri në krye të qeverisë botërore të futbollit, përpara zgjedhjeve të planifikuara për marsin e vitit të ardhshëm.

    Pas kritikave të forta që pasuan propozimin për shitjen e një pjese të të drejtave të Kupës së Botës investitorëve privatë, Infantino u përball me reagime të shumta, ndërsa një numër federatash kërkuan dorëheqjen e tij. Më pas, ai e tërhoqi propozimin, por reputacioni i tij u dëmtua dhe marrëdhëniet me shumë anëtarë të UEFA-s u tensionuan.

    Megjithatë, Infantino ka kaluar në kundërsulm. Të mërkurën në mbrëmje, pas një takimi krize të zhvilluar në Marok, FIFA njoftoi se presidenti i saj gëzon mbështetje të plotë. Sipas njoftimit, Infantino u kërkoi falje personalisht anëtarëve të organizatës për propozimin e diskutueshëm lidhur me Kupën e Botës.

    Në prag të zgjedhjeve, ai po punon aktivisht për të siguruar mbështetjen e federatave kombëtare. Një mbështetje vendimtare erdhi nga Konfederata Afrikane e Futbollit (CAF), e cila përfaqëson 54 federata anëtare dhe deklaroi mbështetje unanime për kandidaturën e tij.

    Pas këtij qëndrimi, mbështetje për Infantinon shprehën edhe Federata Meksikane e Futbollit (FMF), duke u bërë e para nga zona e CONCACAF që e mbështet publikisht, si dhe Federata Argjentinase e Futbollit (AFA). Në letrën drejtuar presidentit të FIFA-s, AFA vlerësoi punën e tij gjatë dhjetë viteve të fundit dhe theksoi se vazhdimësia e drejtimit të tij është rruga më e mirë për të ardhmen e futbollit botëror.

    Gianni Infantino drejton FIFA-në që nga viti 2016, kur pasoi Sepp Blatter. Gjatë mandatit të tij janë ndërmarrë reforma të rëndësishme, përfshirë zgjerimin e Kupës së Botës në 48 skuadra nga edicioni i vitit 2026. Megjithatë, ai është përballur edhe me kritika për disa vendime dhe iniciativa të diskutueshme, ndërsa zgjedhjet e ardhshme pritet të jenë një test i rëndësishëm për vazhdimësinë e tij në krye të FIFA-së.

  • FFK hap seminarin e FIFA-s për gjyqtarët, nisin përgatitjet për sezonin 2026/27

    FFK hap seminarin e FIFA-s për gjyqtarët, nisin përgatitjet për sezonin 2026/27

    Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka çelur këtë të premte në Prishtinë seminarin dyditor të FIFA-s për gjyqtarët e futbollit, një aktivitet që shënon nisjen zyrtare të përgatitjeve për sezonin garues 2026/27.

    Seminari synon të forcojë aftësitë profesionale, teknike dhe fizike të gjyqtarëve kosovarë, duke i pajisur ata me njohuritë më të fundit për të përballuar kërkesat e futbollit modern.

    Ceremonia e hapjes u drejtua nga presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ndërsa ligjëratat po zhvillohen nga instruktori i FIFA-s, Alan Snoddy, si dhe eksperti i përgatitjes fizike, Simon Breivik.

    Gjatë dy ditëve të seminarit, gjyqtarët do të trajtojnë një sërë temash kyçe, përfshirë ndryshimet në Rregullat e Lojës për edicionin 2026/27, analizën e situatave të diskutueshme, përdorimin e teknologjisë VAR, integritetin e zyrtarëve të ndeshjes, menaxhimin e sfidave në fushë, përgatitjen fizike dhe analizën e rasteve konkrete nga kampionati vendor.

    Një pjesë e rëndësishme e programit janë edhe testet fizike të zhvilluara sipas standardeve të FIFA-s, me synimin që gjyqtarët të jenë në nivelin optimal të gatishmërisë për fillimin e sezonit të ri.

    Përmes organizimit të këtij seminari, FFK riafirmon angazhimin për zhvillimin profesional të arbitrave, duke synuar rritjen e cilësisë së gjykimit në garat vendore, si dhe përgatitjen e tyre për angazhime në arenën ndërkombëtare.

  • Interi tërhiqet nga gara për Cristian Romero, Atletico Madridi pranë marrëveshjes

    Interi tërhiqet nga gara për Cristian Romero, Atletico Madridi pranë marrëveshjes

    Interi ka hequr dorë nga transferimi i mbrojtësit argjentinas Cristian Romero, i cili ka zgjedhur t’i japë përparësi një kalimi te Atletico Madridi.

    Sipas raportimeve, Romero ka arritur një marrëveshje personale me klubin spanjoll, duke preferuar La Ligën përpara një rikthimi në Serie A.

    Pas largimeve të Nahuel Molinës, Thiago Almadës dhe Matteo Ruggerit, Atletico ka krijuar hapësirën e nevojshme në skuadër dhe bilancin financiar për të finalizuar transferimin e mbrojtësit të Tottenhamit.

    Klubi madrilen tashmë ka nisur negociatat me Tottenhamin, edhe pse oferta e parë prej 30 milionë eurosh është refuzuar nga londinezët. Megjithatë, drejtuesit e Atleticos mbeten optimistë se marrëveshja mund të mbyllet për rreth 40 milionë euro.

    Në anën tjetër, Interi mbeti jashtë garës pasi nuk arriti të krijojë hapësirën e nevojshme financiare. Zikaltrit nuk realizuan largimin e Benjamin Pavardit dhe as transferime të tjera të rëndësishme në dalje, si ai i Davide Frattesit, çka ndikoi në pamundësinë për të finalizuar operacionin.

    Si pasojë, drejtuesit e Interit i kanë njoftuar përfaqësuesit e Romeros se janë tërhequr nga negociatat, pavarësisht se më herët kishin arritur një marrëveshje bazë me Tottenhamin.

    Cristian Romero është pjesë e Tottenham Hotspur që nga viti 2022, pasi fillimisht u transferua në formë huazimi nga Atalanta, përpara se londinezët ta blinin përfundimisht. Mbrojtësi argjentinas konsiderohet një nga qendërmbrojtësit më të mirë në Evropë dhe prej javësh ka qenë në radarët e Interit dhe Atletico Madridit. Megjithatë, preferenca e lojtarit për të vazhduar karrierën në La Liga duket se i ka dhënë avantazh klubit të Diego Simeones

  • Manchester City synon Enzo Fernandezin si pasues të mundshëm të Rodrit

    Manchester City synon Enzo Fernandezin si pasues të mundshëm të Rodrit

    Mesfushori argjentinas i Chelseat, Enzo Fernandez, është shfaqur si objektivi kryesor i Manchester Cityt për përforcimin e mesfushës, në rast se Rodri largohet gjatë kësaj vere.

    Sipas gazetarit Gianluca Di Marzio, trajneri i Cityt, Enzo Maresca, dëshiron të ribashkohet me Fernandezin, me të cilin kishte punuar më parë te Chelsea.

    Megjithëse klubet nuk kanë nisur ende negociata zyrtare, interesimi i Manchester Cityt pritet të intensifikohet në ditët në vijim.

    Chelsea ndodhet në një pozitë të fortë negociuese, pasi Fernandez ka kontratë deri në qershor të vitit 2032. Sipas raportimeve, londinezët e vlerësojnë kartonin e mesfushorit argjentinas rreth 120 milionë funte, ose afërsisht 140 milionë euro.

    Interesi i Cityt lidhet ngushtë me dëshirën e Marescas, i cili e konsideron Fernandezin si profilin ideal për të forcuar repartin e mesfushës.

    Situata varet edhe nga e ardhmja e Rodrit. Sipas raportimeve, mesfushori spanjoll ka autorizuar kontaktet me Barcelonën për të shqyrtuar mundësinë e një transferimi, edhe pse kontrata e tij me Manchester Cityn është e vlefshme deri në verën e vitit 2027.

    Nëse Rodri largohet nga “Etihad”, drejtuesit e Cityt janë të gatshëm të investojnë fuqishëm për ta sjellë Enzo Fernandezin si zëvendësuesin e tij.

    Enzo Fernandez iu bashkua Chelseat në janar të vitit 2023 nga Benfica, në një transferim rekord për klubin londinez. Që atëherë, ai është shndërruar në një nga mesfushorët më të rëndësishëm të ekipit dhe mbetet një nga lojtarët më të vlerësuar në rolin e tij. Ndërkohë, Manchester City është në kërkim të alternativave në mesfushë për shkak të pasigurisë rreth të ardhmes së Rodrit, i cili vazhdon të lidhet me një transferim të mundshëm te Barcelona.

  • PSG përgatit ofertë të re për Mika Godts, Ajax kërkon mbi 50 milionë euro

    PSG përgatit ofertë të re për Mika Godts, Ajax kërkon mbi 50 milionë euro

    Paris Saint-Germain nuk ka hequr dorë nga transferimi i Mika Godts, edhe pse oferta e parë prej 40 milionë eurosh u refuzua nga Ajaxi.

    Sipas De Telegraaf, kampionët e Evropës janë duke përgatitur një ofertë të përmirësuar me vlerë rreth 50-55 milionë euro, me synimin për të bindur klubin holandez që të lejojë largimin e talentit belg.

    Raporti thekson se PSG është optimiste për arritjen e një marrëveshjeje, pasi tashmë ka rënë dakord me kushtet personale të 21-vjeçarit.

    Nga ana tjetër, Ajaxi e ka bërë të qartë se Godts nuk do të largohet për një çmim më të ulët se ai që e konsideron të përshtatshëm, duke mbajtur një qëndrim të fortë në negociata.

    Godts është identifikuar si zëvendësuesi ideal i Bradley Barcolës, i cili mund të largohet gjatë kësaj vere, me Liverpoolin që vazhdon të shfaqë interes për sulmuesin francez.

    Mika Godts zhvilloi një sezon të shkëlqyer me Ajaxin në edicionin 2025/26 dhe e ka nisur në formë edhe sezonin e ri. Në ndeshjet kualifikuese të Ligës së Konferencës, sulmuesi belg ka realizuar një gol dhe ka dhuruar dy asistime në tri paraqitje, duke rritur edhe më shumë interesimin e klubeve të mëdha evropiane për shërbimet e tij.

  • Ardon Jashari: Dua të fitojmë çdo ndeshje, shpresoj të luaj më shumë me Modriçin

    Ardon Jashari: Dua të fitojmë çdo ndeshje, shpresoj të luaj më shumë me Modriçin

    Mesfushori shqiptar i Milanit, Ardon Jashari, ka dhënë një intervistë të gjatë për Gazzetta dello Sport, ku ka folur për pritshmëritë e tij për sezonin e ri, bashkëpunimin me Luka Modriçin dhe spekulimet për të ardhmen.

    Jashari u shpreh optimist për sezonin e ri, duke theksuar se ndihet i motivuar dhe beson se skuadra mund të zbatojë stilin e lojës që kërkon trajneri Ruben Amorim.

    “Pas Kupës së Botës dhe pushimeve kam një energji të re. Sapo kam mbërritur, por mendoj se e kam kuptuar të paktën pjesërisht stilin e lojës që ai dëshiron të luajë. Më pëlqen futbolli me intensitet të lartë dhe mendoj se mund ta vëmë në praktikë sepse kemi cilësinë. Milani duhet të luajë në këtë mënyrë dhe të fitojë”, deklaroi Jashari.

    Ai theksoi se objektivi i skuadrës është të fitojë sa më shumë ndeshje.

    “Duam të fitojmë çdo ndeshje, sepse ky është mentaliteti që duhet të kemi në fushë. Nëse e bëjmë këtë, do të jemi në krye të tabelës. Megjithatë, tani nuk është koha të flasim për Scudetton. Duhet të ndërtojmë një mentalitet fitues dhe të shijojmë futbollin. Nëse i kombinojmë këto dy elemente, do të kemi gjithçka që na duhet për të arritur sukses”, shtoi ai.

    Duke folur për garat evropiane, Jashari tha se skuadra do ta trajtojë me seriozitet Ligën e Evropës.

    “Sigurisht që do të donim të luanim në Ligën e Kampionëve, por tani duhet të përgatitemi sa më mirë për Ligën e Evropës. Edhe atje objektivi ynë është të fitojmë. Do të përballemi me skuadra shumë të forta, por duhet të përqendrohemi te vetja”, u shpreh mesfushori.

    Jashari foli edhe për sezonin e kaluar, duke pranuar se nuk shkoi sipas pritshmërive të tij.

    “Ishte sezoni im i parë me Milanin dhe në Itali. Për më tepër, pata një dëmtim në fibulë dhe nuk luajta aq sa kisha shpresuar. Tani dua vetëm të shpreh potencialin tim maksimal. Më duhet vazhdimësi dhe besim për të treguar se çfarë mund të bëj. Kur të jem në formën time më të mirë, jam i bindur se do t’i bëj tifozët të lumtur dhe do ta ndihmoj ekipin me cilësitë e mia”, deklaroi ai.

    Mesfushori shqiptar u ndal edhe te partneriteti me Luka Modriçin, duke e cilësuar kroatin një vlerë të madhe për skuadrën.

    “Për mua nuk është aspak problem. Përkundrazi, është një lajm shumë i mirë. Të gjithë duhet të jemi krenarë që kemi një lojtar si Luka në ekip. Kam një marrëdhënie shumë të mirë me të edhe jashtë fushës dhe shpresoj të luajmë më shumë së bashku këtë sezon. Në minutat që luajtëm bashkë ndjeva sinjale shumë pozitive”, tha Jashari.

    I pyetur për spekulimet që e lidhnin me Atalantën dhe Juventusin gjatë verës, ai e bëri të qartë se dëshira e tij ka qenë të vazhdojë te Milani.

    “E realizova një ëndërr kur iu bashkova Milanit, sepse gjithmonë kam qenë tifoz i këtij klubi. Doja ta vishja këtë fanellë dhe të tregoja cilësitë e mia në ‘San Siro’. Në futboll je vërtet i lumtur kur luan, ndaj këtë sezon shpresoj ta ndihmoj ekipin dhe të jap maksimumin. Jam i bindur se edhe klubi mendon njësoj”, përfundoi Jashari.

    Ardon Jashari iu bashkua Milanit verën e kaluar dhe sezoni i tij i parë u ndikua nga një dëmtim në fibulë, si dhe nga konkurrenca e madhe në repartin e mesfushës. Përpara nisjes së sezonit të ri, emri i tij u lidh me një kalim të mundshëm te Atalanta dhe Juventusi, por mesfushori ka bërë të qartë se dëshiron të vazhdojë karrierën te klubi ku, sipas tij, ka ëndërruar gjithmonë të luajë.

  • Barcelona bën lëvizjen e parë për Rodrin, gati oferta prej 60 milionë eurosh

    Barcelona bën lëvizjen e parë për Rodrin, gati oferta prej 60 milionë eurosh

    Barcelona ka hedhur hapin e parë konkret për transferimin e Rodrit, duke përgatitur ofertën zyrtare që do t’i dërgohet Manchester Cityt për mesfushorin spanjoll.

    Sipas gazetarit Nil Solà për El Larguero, klubi katalunas është gati të ofrojë 45 milionë euro, ndërsa marrëveshja përfshin edhe 15 milionë euro të tjera në formë bonusesh të lidhura me objektivat, duke e çuar vlerën totale të operacionit në 60 milionë euro.

    Kjo shumë përputhet me vlerësimin që Barcelona i ka bërë 30-vjeçarit, megjithatë mbetet e paqartë nëse Manchester City do të pranojë një formulë pagese të tillë apo do të kërkojë kushte më të favorshme për ta lënë të lirë një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës.

    Ndërkohë, katalunasit kanë avancuar ndjeshëm bisedimet me vetë futbollistin. Raportohet se palët kanë arritur një marrëveshje paraprake për një kontratë që do ta mbajë Rodrin në “Camp Nou” deri në verën e vitit 2030, me mesfushorin që pritet të përfitojë rreth 15 milionë euro neto në sezon.

    Për të realizuar këtë transferim, Barcelona ka vendosur të ridrejtojë fondet që fillimisht ishin planifikuar për përforcimin e repartit të mbrojtjes, duke e bërë afrimin e Rodrit prioritetin kryesor në këtë merkato.