ATV

Category: Sport

  • Prishtina triumfon në Vushtrri, merr tri pikë të rëndësishme dhe shkëputet në krye të tabelës

    Prishtina triumfon në Vushtrri, merr tri pikë të rëndësishme dhe shkëputet në krye të tabelës

    Prishtina ka marrë tri pikë të plota në udhëtim te Vushtrria, duke triumfuar me rezultat 1-2 në kuadër të javës së 13-të të Superligës së Kosovës.

    Bardhekaltrit e nisën mirë takimin dhe kaluan në epërsi në minutën e 28-të, kur Rin Ahmeti realizoi pas një aksioni të bukur.

    Prishtina e vazhdoi dominimin edhe në pjesën e dytë, ndërsa në minutën e 49-të Assane Diatta shënoi golin e dytë, duke e dyfishuar epërsinë e skuadrës mysafire.

    Vushtrria arriti të ngushtonte rezultatin në minutën e 79-të, kur Urim Statovci përfitoi nga një gabim në mbrojtjen e Prishtinës dhe realizoi për 1-2.

    Megjithatë, vendasit nuk arritën të shmangnin humbjen, ndërsa Prishtina u largua nga Vushtrria me pikët e plota.

    Pas kësaj fitoreje, Prishtina ngjitet në kuotën e 32 pikëve, duke krijuar një epërsi prej pesë pikësh ndaj Malishevës, ndërsa Vushtrria mbetet me vetëm tri pikë.

  • Odegaard vendos me golin e fitores, Arsenali mposht Hull Cityn dhe vazhdon kryesimin në Premier League

    Odegaard vendos me golin e fitores, Arsenali mposht Hull Cityn dhe vazhdon kryesimin në Premier League

    Arsenali ka marrë një fitore të rëndësishme ndaj Hull Cityt, duke triumfuar me rezultat minimal 1-0 në kuadër të javës së dhjetë të Ligës Premier.

    Skuadra e drejtuar nga Mikel Arteta u desh të priste deri në minutën e 72-të për ta zhbllokuar rezultatin, kur Martin Odegaard realizoi golin që vendosi fatin e kësaj përballjeje.

    Pjesa e parë u karakterizua me lojë të luftuar, ku të dyja skuadrat kërkuan hapësira për të rrezikuar portën kundërshtare. Hull City pati një mundësi të mirë në minutën e 19-të, por goditja e Elliot Stroud u ndal nga portieri David Raya.

    Në anën tjetër, Arsenali provoi të gjente golin përmes Kai Havertz dhe Declan Rice, por pa arritur të konkretizonte rastet e krijuara.

    Në minutën e 43-të pati edhe një moment diskutimi për penallti, por pas rishikimit të situatës përmes VAR-it, gjyqtari vendosi të mos akordonte 11-metërsh, pasi Havertz ishte në pozitë jashtë loje.

    Para përfundimit të pjesës së parë, Declan Rice pati një tjetër rast të mirë me kokë, por portieri Konstantinos Tzolakis reagoi shkëlqyeshëm.

    Arsenali vazhdoi të kërkonte golin edhe në pjesën e dytë, ndërsa ndryshimet e bëra nga Arteta i dhanë skuadrës më shumë freski në lojë.

    Goli i shumëpritur erdhi në minutën e 72-të. Pas një goditjeje të Noni Maduekes, të cilën Tzolakis nuk arriti ta kontrollonte plotësisht, Odegaard reagoi shpejt në zonë dhe nga topi i kthyer realizoi për 1-0.

    Deri në fund, londinezët arritën ta menaxhonin epërsinë dhe të siguronin tri pikët, pavarësisht përpjekjeve të Hull Cityt për të rikthyer baraspeshën.

    Me këtë triumf, Arsenali shkon në kuotën e 27 pikëve dhe vazhdon të kryesojë tabelën e Ligës Premier, duke konfirmuar ambiciet për të luftuar deri në fund për titullin e kampionit.

  • Gjilani fiton derbin ndaj Malishevës në një spektakël me pesë gola

    Gjilani fiton derbin ndaj Malishevës në një spektakël me pesë gola

    Gjilani ka triumfuar në derbin ndaj Malishevës me rezultat 3-2, në kuadër të javës së 13-të të Albi Mall Superligës së Kosovës, duke arkëtuar tri pikë të rëndësishme në garën për kreun e tabelës.

    Skuadra gjilanase e nisi më mirë takimin dhe kaloi në epërsi që në minutën e 11-të. Arjol Bllaca përfitoi nga asistimi i Ardian Limanit dhe realizoi për 1-0.

    Malisheva reagoi menjëherë në fillim të pjesës së dytë. Në minutën e 47-të, Valmir Nafiu, pas asistimit të Rimal Haxhiut, shënoi për 1-1, duke rikthyer baraspeshën.

    Mysafirët patën mundësinë e artë për ta përmbysur rezultatin në minutën e 73-të, kur fituan një penallti. Megjithatë, Valmir Nafiu nuk arriti ta shfrytëzonte këtë rast, pasi portieri Marijan Coric u tregua i shkëlqyer duke ia pritur goditjen nga pika e bardhë.

    Ky rast i humbur u kushtoi shtrenjtë mysafirëve, pasi vetëm pesë minuta më vonë Gjilani riktheu epërsinë. Në minutën e 78-të, Arjol Bllaca realizoi golin e dytë personal për rezultatin 2-1.

    Vendasit vazhduan të sulmonin dhe në minutën e 87-të shënuan edhe golin e tretë. Kësaj radhe Bllaca ishte në rolin e asistuesit, duke shërbyer për Bleart Tolajn, i cili realizoi për 3-1.

    Malisheva nuk u dorëzua dhe në minutën e 92-të arriti ta ngushtonte epërsinë në 3-2 përmes Xhemajl Ibishit. Megjithatë, koha nuk mjaftoi për mysafirët që të shmangnin humbjen.

    Me këtë fitore, Gjilani shkon në kuotën e 22 pikëve dhe ngjitet në pozitën e katërt në tabelën e klasifikimit.

    Në anën tjetër, Malisheva mbetet në vendin e dytë me 27 pikë, dy më pak se liderja Prishtina, e cila ka 29 pikë dhe një ndeshje më pak të zhvilluar.

  • Ibrahim Cërvadiku vendos në minutat shtesë, Feronikeli ’74 mposht Ballkanin dhe arkëton tri pikë të mëdha

    Ibrahim Cërvadiku vendos në minutat shtesë, Feronikeli ’74 mposht Ballkanin dhe arkëton tri pikë të mëdha

    Feronikeli ’74 ka shënuar një fitore të rëndësishme ndaj Ballkanit, duke triumfuar me rezultat minimal 1-0 në përballjen e vlefshme për javën e 13-të të Albi Mall Superligës së Kosovës.

    Skuadra nga Drenasi po vazhdon formën pozitive në kampionat, pasi pas fitores ndaj Dukagjinit dhe barazimit me Malishevën, ka arritur të marrë edhe një rezultat të madh, këtë herë përballë një prej skuadrave pretendente për titull.

    Pjesa e parë e takimit u karakterizua me lojë të barabartë nga të dyja skuadrat. Pavarësisht disa tentimeve në të dyja portat, rrjetat mbetën të paprekura dhe ekipet shkuan në pushim me rezultatin 0-0.

    Edhe në pjesën e dytë vazhdoi rivaliteti në fushë, por me më shumë raste shënimi dhe lojë më dinamike. Megjithatë, vendasit u treguan më të rrezikshëm dhe vazhduan të kërkonin golin e fitores.

    Kur gjithçka dukej se po shkonte drejt barazimit, në minutat shtesë Ibrahim Cërvadiku u shfaq në skenë, duke realizuar një gol të bukur dhe duke i dhuruar Feronikelit ’74 tri pikë të arta.

    Pas këtij triumfi, Feronikeli ’74 ngjitet në pozitën e shtatë me 15 pikë, ndërsa Ballkani mbetet në vendin e katërt me 19 pikë.

    Në xhiron e ardhshme, drenicasit do të përballen në udhëtim me Dritën, ndërsa Ballkani do të jetë nikoqir i Gjilanit.

  • FIFA lehtëson dënimin për Nahuel Molinën, por nuk fal Leandro Paredesin pas finales së Botërorit

    FIFA lehtëson dënimin për Nahuel Molinën, por nuk fal Leandro Paredesin pas finales së Botërorit

    FIFA ka pranuar pjesërisht ankesën e Federatës së Futbollit të Argjentinës (AFA) ndaj sanksioneve disiplinore të vendosura pas finales së Kupës së Botës 2026.

    Organi më i lartë i futbollit botëror ka vendosur ta ulë pezullimin e Nahuel Molinës nga shtatë në katër ndeshje, ndërsa ka lënë në fuqi dënimin prej 10 ndeshjesh për Leandro Paredesin.

    Gjithashtu, FIFA ka reduktuar gjobën financiare të Molinës nga 90 mijë në 60 mijë dollarë. Ndërkohë, Paredes duhet ta vuajë të plotë pezullimin dhe të paguajë gjobën fillestare prej 90 mijë dollarësh, bëri të ditur AFA.

    Paredes u dënua me 10 ndeshje pezullim për shkak të sjelljes agresive ndaj Gavit gjatë finales, ku Spanja mposhti Argjentinën me rezultatin 1-0 në muajin korrik. Edhe Molina u ndëshkua për incidentet e ndodhura pas përfundimit të takimit.

    Federata argjentinase ka bërë të ditur se do të kërkojë arsyetimin e plotë të FIFA-s për këto vendime, përpara se të shqyrtojë mundësinë e paraqitjes së një ankese në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS).

    AFA beson se ka argumente të mjaftueshme faktike dhe ligjore për të kërkuar rishikimin e sanksioneve të vendosura.

    Dënimet fillestare përfshinin gjithashtu një ndeshje pezullim për Thiago Almadën dhe tri ndeshje për anëtarin e stafit teknik të Argjentinës, Roberto Ayala.

    Përveç këtyre masave, AFA ishte gjobitur me 321 mijë dollarë dhe ishte urdhëruar që ndeshjet e ardhshme të zhvilloheshin me kufizime për tifozët në stadium, pas incidenteve me thirrje diskriminuese gjatë përballjeve të Argjentinës me Kepin e Gjelbër, Egjiptin, Zvicrën, Anglinë dhe Spanjën.

  • Lamine Yamal, arma kryesore e Barcelonës ndaj Atletico Madridit, shifrat e tij mahnitin Evropën

    Lamine Yamal, arma kryesore e Barcelonës ndaj Atletico Madridit, shifrat e tij mahnitin Evropën

    Barcelona do të përballet këtë të diel me Atletico Madridin në stadiumin “Wanda Metropolitano”, në një ndeshje me rëndësi të madhe për garën drejt titullit të La Ligës. Në qendër të vëmendjes pritet të jetë një emër i veçantë: Lamine Yamal.

    Talenti spanjoll, ende pa i mbushur 20 vjet, është shndërruar në një prej futbollistëve më të rrezikshëm të futbollit evropian, duke regjistruar statistika mbresëlënëse që nga fillimi i këtij sezoni.

    Përballja me skuadrën e Diego Simeones është mjaft e rëndësishme, pasi Barcelona kryeson kampionatin me dy pikë më shumë se Atletico Madridi. Një fitore ose barazim do t’i mbante katalunasit në krye të tabelës, ndërsa humbja do t’i zbriste në pozitën e dytë dhe do t’i jepte Real Madridit mundësinë për t’u afruar me pikë.

    Në këtë sfidë, Yamal pritet të jetë një prej lojtarëve kryesorë të Barcelonës. Së bashku me Raphinhan, ai përbën një nga armët më të forta të repartit ofensiv të skuadrës.

    Statistikat e tij janë mbresëlënëse. Sipas të dhënave të publikuara nga “Marca”, anësori spanjoll ka realizuar 13 gola dhe ka dhuruar 11 asistime në La Liga dhe Ligën e Kampionëve, duke kontribuar drejtpërdrejt në 24 gola të Barcelonës.

    Asnjë futbollist tjetër në Evropë nuk ka regjistruar më shumë kontribute në gola se ai. Pas Yamalit renditet bashkëlojtari i tij, Raphinha, me 22 kontribute, ndërsa Kylian Mbappe ka 19, Harry Kane 16 dhe Erling Haaland 14.

    Yamal do të zbresë në fushë ndaj Atletico Madridit edhe me një formë të jashtëzakonshme, pasi ka realizuar pesë gola në pesë ndeshjet e fundit, duke regjistruar një mesatare prej një goli për ndeshje.

    Barcelona shpreson që talenti i saj i madh të vazhdojë me të njëjtin ritëm dhe të bëjë diferencën në një prej sfidave më të rëndësishme të sezonit.

  • Luka Doncic në superformë, shënon 53 pikë dhe vendos rekord sezonal me Lakersin

    Luka Doncic në superformë, shënon 53 pikë dhe vendos rekord sezonal me Lakersin

    Luka Doncic po vazhdon të shkëlqejë në NBA, duke regjistruar një tjetër paraqitje spektakolare me fanellën e Los Angeles Lakers.

    Ylli slloven ishte i pandalshëm në fitoren 124:118 ndaj Portland Trail Blazers, duke realizuar plot 53 pikë, pesë kërcime dhe pesë asistime. Kjo ishte paraqitja e tij më e mirë për nga pikët e shënuara në këtë sezon.

    Doncic po zhvillon një edicion mbresëlënës, pasi në dhjetë ndeshjet e para ka regjistruar mesatare prej 40.1 pikësh, 7.8 kërcimesh dhe 7.7 asistimesh për ndeshje.

    Në historinë e NBA-së, vetëm legjenda Wilt Chamberlain ka arritur të regjistrojë mesatare mbi 40 pikë për ndeshje në një sezon të plotë. Chamberlain kishte shënuar mesatarisht 50.4 pikë në sezonin 1961/62, ndërsa një edicion më vonë regjistroi 44.8 pikë për ndeshje.

    Ndërkohë, mesatarja prej 37.1 pikësh e Michael Jordanit në sezonin 1986/87 mbetet më e larta në një sezon të rregullt që nga fillimi i epokës së gjuajtjeve për tri pikë. James Harden, nga ana tjetër, kishte regjistruar 36.1 pikë për ndeshje në sezonin 2018/19.

    Megjithatë, Doncic mbetet i përmbajtur dhe e di se rruga deri në fund të sezonit është ende e gjatë.

    “Është një sezon i gjatë. Jemi vetëm në ndeshjen e dhjetë. Kemi edhe 72 ndeshje. Përderisa fitojmë, jam në rregull. Shpresoj të vazhdoj me këtë ritëm, por kurrë nuk i dihet”, deklaroi Donçiq, transmeton “ESPN”.

    Mesatarja më e lartë e Donçiqit në një sezon të plotë deri më tani ishte 33.9 pikë për ndeshje, të cilën e regjistroi në sezonin 2023/24, kur ishte pjesë e Dallas Mavericks.

  • Didier Deschamps refuzon Manchester Unitedin, synon të ardhmen te Real Madridi

    Didier Deschamps refuzon Manchester Unitedin, synon të ardhmen te Real Madridi

    Didier Deschamps është aktualisht pa skuadër, pas largimit nga drejtimi i kombëtares së Francës, por ofertat për trajnerin që shpalli francezët kampionë bote në vitin 2018 nuk kanë munguar.

    Sipas raportimeve të mediave franceze, Manchester United ka kontaktuar Deschampsin me një ofertë për të marrë drejtimin e skuadrës angleze, duke zëvendësuar Michael Carrick në pankinën e “Djajve të Kuq”.

    Megjithatë, tekniku francez ka vendosur ta refuzojë këtë mundësi, pasi thuhet se ka objektiva të tjera për të ardhmen e tij.

    Një prej arsyeve që ndikoi në vendimin e Deschampsit lidhet me mundësinë për të marrë drejtimin e Real Madridit në të ardhmen. Klubi madrilen e kishte pasur emrin e tij në listën e kandidatëve për pankinën edhe gjatë këtij sezoni.

    Krahas Deschampsit, në mesin e emrave të përmendur për drejtimin e “Los Blancos” ishin edhe Mauricio Pochettino, Jürgen Klopp, Julian Nagelsmann, Massimiliano Allegri dhe José Mourinho.

    Në fund, ishte pikërisht Mourinho ai që u përzgjodh për t’u rikthyer në pankinën e Real Madridit për herë të dytë, ndërsa Deschamps mbetet në pritje të një mundësie të re për karrierën e tij.

  • Publikohen formacionet zyrtare: Feronikeli ’74 pret Ballkanin në duelin e javës së 13-të

    Publikohen formacionet zyrtare: Feronikeli ’74 pret Ballkanin në duelin e javës së 13-të

    Feronikeli ’74 dhe Ballkani kanë publikuar formacionet zyrtare për përballjen e vlefshme për javën e 13-të të Albi Mall Superligës së Kosovës.

    Drenicasit do të jenë nikoqirë të skuadrës nga Suhareka në stadiumin “Rexhep Rexhepi”, me ndeshjen që nis nga ora 13:00.

    Skuadra e drejtuar nga Elon Berisha vjen në këtë takim pas fitores ndaj Dukagjinit dhe barazimit me Malishevën. Feronikeli ’74 synon të vazhdojë me rezultate pozitive dhe të shfrytëzojë përparësinë e fushës vendase.

    Në anën tjetër, Ballkani i Sami Sermaxhajt po kalon një moment pozitiv, pasi ka regjistruar dy fitore radhazi. Therandasit synojnë ta vazhdojnë serinë e sukseseve për t’u ngjitur edhe më lart në tabelën e klasifikimit.

    Formacionet zyrtare:

    Feronikeli ’74: Në pritje.

    Ballkani: Selmani; Diene, Jashanica, Batarelo, Dosso; Sabanhadzovic, Domgjoni; Klinaku, Giovanni, Hamidi; Berisha.

  • Alcaraz përmbys Fritzin pas një drame të madhe në Paris, siguron gjysmëfinalen dhe i jep një biletë Jodarit për ATP Finals

    Alcaraz përmbys Fritzin pas një drame të madhe në Paris, siguron gjysmëfinalen dhe i jep një biletë Jodarit për ATP Finals

    Carlos Alcaraz ka dhuruar spektakël në turneun Masters 1000 të Parisit, duke siguruar një vend në gjysmëfinale pas një fitoreje dramatike ndaj amerikanit Taylor Fritz.

    Tenisti spanjoll triumfoi me rezultatin 2-1 në sete (6-7, 7-5, 6-3), në një përballje të mbushur me emocione dhe rivalitet deri në momentet e fundit.

    Pas humbjes së setit të parë në tie-break, Alcaraz reagoi fuqishëm në të dytin, ku tregoi karakterin e një kampioni të madh, duke përmbysur situatën dhe duke shpëtuar edhe pikë ndeshjeje. Në setin vendimtar, spanjolli mori kontrollin e plotë të lojës dhe vulosi fitoren e rëndësishme.

    Nga ana tjetër, ky rezultat ishte një goditje e rëndë për Taylor Fritzin, pasi një fitore ndaj Alcaraz do t’i siguronte amerikanit kualifikimin në ATP Finals.

    Humbja e Fritzit i hapi rrugën bashkëkombësit të Alcaraz, Rafa Jodar, i cili siguroi pjesëmarrjen e tij të parë në turneun prestigjioz të tetë tenistëve më të mirë të sezonit.

    ATP Finals do të zhvillohet në Torino, nga 15 deri më 22 nëntor.