ATV

Category: SPORT

  • Raphinha: “Lamine Yamal duhet ta fitojë Topin e Artë”

    Raphinha: “Lamine Yamal duhet ta fitojë Topin e Artë”

    Sulmuesi i Barcelonës, Raphinha, ka deklaruar se bashkëlojtari i tij, Lamine Yamal, është kandidati kryesor për ta fituar “Topin e Artë”.

    Në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”, braziliani ka lavdëruar talentin e 18-vjeçarit, duke theksuar golat, asistimet, titujt dhe ndikimin e tij te Barcelona dhe Kombëtarja e Spanjës.

    “Për mua nuk ka asnjë dyshim. Lamine Yamal është kandidati kryesor për Topin e Artë. Ai krijon magji në fushë, ka karizëm dhe personalitet”, ka deklaruar Raphinha.

    Braziliani ka folur edhe për objektivat e Barcelonës, duke theksuar se triumfi në Ligën e Kampionëve mbetet një prej synimeve kryesore të skuadrës.

    Ndërkohë, Raphinha ka shprehur besim të plotë te Carlo Ancelotti dhe puna e tij me Kombëtaren e Brazilit, duke theksuar se sheh me optimizëm drejt Botërorit të vitit 2030.

  • Benjamin Huggel del në mbrojtje të Granit Xhakës: “Duhet të vazhdojë të jetë kapiten”

    Benjamin Huggel del në mbrojtje të Granit Xhakës: “Duhet të vazhdojë të jetë kapiten”

    Ish-futbollisti i Kombëtares së Zvicrës, Benjamin Huggel, ka dalë në mbrojtje të Granit Xhakës pas deklaratës së kapitenit shqiptar se kishte përdorur një certifikatë të falsifikuar vaksinimi kundër COVID-19.

    Në një intervistë për gazetën zvicerane “Neue Zürcher Zeitung”, Huggel, i cili aktualisht punon si trajner dhe komentator i Kombëtares së Zvicrës në televizionin publik SRF, ka thënë se Xhaka duhet të vazhdojë të mbajë shiritin e kapitenit, nëse çështja nuk sjell pasoja të tjera juridike apo sportive.

    “Kapiteni caktohet nga skuadra dhe nga trajneri, jo nga opinioni publik”, ka deklaruar Huggel, duke shtuar se nëse trajneri Murat Yakin dhe këshilli i skuadrës, pas një bisede të sinqertë, vlerësojnë se Xhaka duhet të vazhdojë të jetë kapiten, ai nuk sheh arsye që kjo të ndryshojë.

    Huggel ka theksuar se çështja e certifikatës së vaksinimit nuk duhet të lidhet me paraqitjet dhe sjelljen e Xhakës në fushën e futbollit. Sipas tij, veprimi i pretenduar nuk është arsye për të humbur besimin te mesfushori si kapiten.

    “Falsifikimi i pretenduar i dokumentit nuk ka asnjë lidhje me sjelljen e Xhakës në fushë”, është shprehur ish-lojtari zviceran.

    Ai ka vlerësuar lart kontributin e Xhakës për Kombëtaren e Zvicrës, duke e përshkruar atë si një lojtar që ka marrë vazhdimisht përgjegjësi dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në ekip.

    Huggel është ndalur edhe te disa episode të tjera të së kaluarës së Xhakës, përfshirë tatuazhin e bërë në vitin 2021 gjatë periudhës së kufizimeve nga pandemia, si dhe festimin me simbolin e shqiponjës së bashku me Xherdan Shaqirin në ndeshjen ndaj Serbisë në Kupën e Botës 2018.

    Sipas Huggel, në rastin e ndeshjes ndaj Serbisë duhet të merret parasysh edhe fakti se dy futbollistët ishin provokuar gjatë gjithë takimit nga tifozët serbë.

    Në fund, ish-futbollisti zviceran ka dhënë një vlerësim shumë të lartë për Xhakën, duke e konsideruar atë si futbollistin më të suksesshëm në historinë e Kombëtares së Zvicrës.

  • Procredit Superliga e Kosovës në basketboll vije me xhiron e dytë në fundjavë

    Procredit Superliga e Kosovës në basketboll vije me xhiron e dytë në fundjavë

    Në fundjavën e 26 dhe 27 shtatorit do të zhvillohen disa ndeshje interesante në kuadër të basketbollit kosovar, me skuadrat që do të kërkojnë rezultate pozitive në përballjet e tyre.

    Të shtunën, më 26 shtator, programi nis në ora 17:00, ku Rahoveci 029 do të përballet me Bashkimin në palestrën “Mizahir Isma”. Dy orë më vonë, në ora 19:00, Trepça do të luajë ndaj Pejës në palestrën “Minatori”.

    Ndërkohë, të dielën, më 27 shtator, në ora 17:00, Vëllaznimi do të jetë nikoqir i Prishtinës në palestrën “Shani Nushi”. Programi i ditës mbyllet në ora 19:00 me ndeshjen mes Yllit dhe Borës, e cila do të zhvillohet në palestrën “13 Qershori”.

    Të gjitha këto përballje pritet të sjellin rivalitet dhe atmosferë të mirë në palestrat kosovare gjatë fundjavës.

  • Liverpooli nis të mendojë për pasuesin e Van Dijk, holandezi mund të largohet në vitin 2027

    Liverpooli nis të mendojë për pasuesin e Van Dijk, holandezi mund të largohet në vitin 2027

    Liverpooli ka shtyrë negociatat për rinovimin e kontratës me Virgil van Dijk, ndërsa po forcohet gjithnjë e më shumë mundësia që kapiteni holandez të largohet nga klubi si lojtar i lirë në verën e vitit 2027.

    Sipas Football Insider, drejtuesit e klubit nga “Anfield” kanë nisur punën për gjetjen e pasuesit të Van Dijk, me synimin për të planifikuar gradualisht ndryshimin e gjeneratës në qendër të mbrojtjes.

    Van Dijk, i cili aktualisht është 35 vjeç, është në sezonin e tij të dhjetë me Liverpoolin. Kontrata e tij aktuale skadon në fund të sezonit 2026/27, kur mbrojtësi holandez do të jetë 36 vjeç.

    Sipas ish-shefit të skautimit, Mick Brown, drejtuesit e Liverpoolit nuk po planifikojnë t’i ofrojnë Van Dijk një kontratë të re afatgjatë, kryesisht për shkak të moshës së tij dhe nevojës së klubit për të ristrukturuar repartin defensiv.

    Edhe pse Van Dijk vazhdon të jetë titullar dhe një nga figurat kryesore të skuadrës, drejtuesit sportivë mendohet se duan të shmangin një kontratë të re afatgjatë, e cila mund të kufizonte hapësirën në buxhetin e pagave për afrimin e një qendërmbrojtësi më të ri.

    Mundësia që Van Dijk të bëhet lojtar i lirë në vitin 2027 ka tërhequr interesin e disa klubeve jashtë Evropës.

    Klubet e Ligës së Arabisë Saudite e kanë monitoruar situatën e mbrojtësit që nga viti 2025 dhe kanë kapacitetin financiar për t’i ofruar atij një kontratë të rëndësishme. Në të njëjtën kohë, edhe skuadra nga MLS-ja amerikane dhe Superliga turke po e ndjekin situatën dhe mund të bëjnë oferta për holandezin kur ai të hyjë në gjashtë muajt e fundit të kontratës.

    Liverpooli, ndërkohë, pritet të vazhdojë kërkimet për pasuesin e Van Dijk që në afatin kalimtar të dimrit, përpara se të bëjë një investim më të madh në verën e vitit 2027 për të siguruar një qendërmbrojtës të nivelit të lartë.

  • Vedat Muriqi në topformë si me Fenerbahçen ashtu edhe me Kosovën

    Vedat Muriqi në topformë si me Fenerbahçen ashtu edhe me Kosovën

    Sulmuesi Vedat Muriqi është duke kaluar në një formë fantastike javëve të fundit,si me Fenerbahcen ashtu edhe me Kombëtaren e Kosovës.

    Muriqi mbrenda 5 ditëve shënoi 5 gola në dy ndeshje ku së pari shënoi 4 gola për Fenerin në fitoren 8:0 kundër Eyupspor në Superligën Turke,si dhe në fitoren e dardanëve kundër Irlandës 1:0 në Ligën e Kombeve.

    Përndryshe kjo formë tregon që Muriqi është një nga sulmuesit më të mirë në Evropë,dhe se sulmuesi nga Prizreni mund të shënoj edhe më shumë gola gjatë këtij sezoni në nivel klubesh dhe kombëtaresh.

    Kujtojmë që Vedat Muriqi në 11 ndeshje ka shënuar 7 gola e dhuroi 2 asistime,teksa ka rastin që të shënoj edhe në tre ndeshje të rradhës të Kombëtares së Kosovës dy herë kundër Austrisë dhe ndaj Izraelit.

  • Shqipëria kërkon reagimin ndaj Bjellorusisë, “Kuqezinjtë” synojnë startin pozitiv

    Shqipëria kërkon reagimin ndaj Bjellorusisë, “Kuqezinjtë” synojnë startin pozitiv

    Shqipëria nis këtë të shtunë një tjetër aventurë në Ligën e Kombeve, por këtë herë me një objektiv të qartë: të ndalë serinë negative dhe ta nisë garën me këmbën e mbarë.

    “Kuqezinjtë” do të përballen me Bjellorusinë, në një sfidë që vjen me presion të shtuar për skuadrën e drejtuar nga italiani Rolando Maran.

    Shqipëria hyn në këtë takim pas pesë humbjeve radhazi, seri e cila u thellua pas disfatës në miqësoren ndaj Luksemburgut në muajin qershor. Një tjetër humbje do ta barazonte serinë më negative të Kombëtares që nga viti 1997.

    Problemet janë shfaqur veçanërisht në repartin ofensiv. Shqipëria nuk ka arritur të shënojë në katër nga pesë ndeshjet e fundit, ndërsa Rolando Maran ende është në pritje të golit të parë që nga marrja e drejtimit të Kombëtares. Italiani ka humbur dy ndeshjet e para në stolin kuqezi.

    Objektivi mbetet rikthimi në Ligën B, por për të bërë një hap drejt këtij synimi, Shqipëria duhet të reagojë që në sfidën e parë. Edhe bilanci i fundit në Tiranë nuk është në favor të kuqezinjve, të cilët kanë humbur tri ndeshjet e fundit në kryeqytet dhe nuk kanë shënuar asnjë gol.

    Në anën tjetër, Bjellorusia vjen me një seri dukshëm më pozitive. Edhe pse renditet 29 pozita më poshtë se Shqipëria në ranglistën e FIFA-s, skuadra bjelloruse nuk njeh humbje në gjashtë ndeshjet e fundit, ku ka regjistruar tri fitore dhe tri barazime.

    Katër prej këtyre ndeshjeve janë zhvilluar nën drejtimin e Viktor Gonsharenkos, me tri fitore dhe një barazim.

    Megjithatë, Bjellorusia ka edhe një pikë të dobët: mbrojtjen. Në 12 ndeshjet e fundit, ka arritur ta mbajë portën e paprekur vetëm në dy raste.

    Në favor të Shqipërisë flet edhe historia e përballjeve. “Kuqezinjtë” kanë fituar tri nga katër ndeshjet e fundit ndaj Bjellorusisë, ndërsa njëra është mbyllur në barazim.

    Takimi i fundit mes tyre u zhvillua në nëntor të vitit 2020, kur Shqipëria triumfoi 3-2.

    Tani, në një tjetër kapitull, “Kuqezinjtë” kërkojnë reagimin dhe një start pozitiv në Ligën e Kombeve.

  • Zyrtare: Liridon Leci emërohet trajner i Vëllaznimit

    Zyrtare: Liridon Leci emërohet trajner i Vëllaznimit

    Vëllaznimi ka bërë një lëvizje të re në stolin e skuadrës, duke emëruar Liridon Lecin në postin e trajnerit.

    Klubi gjakovar e ka zyrtarizuar marrëveshjen përmes një njoftimi në faqet e veta, ndërsa nuk ka bërë të ditur kohëzgjatjen e kontratës së trajnerit të ri.

    Leci tashmë ka nisur punën me skuadrën dhe do të ketë për detyrë ta drejtojë Vëllaznimin në garën për objektivat e këtij edicioni.

    “Mirë se vjen, Leci!

    Mirëpresim në familjen kuqezi trajnerin Liridon Leci.

    Me respekt për fanellën, me përkushtim dhe me punë, nisim së bashku”, thuhet në njoftimin e klubit.

    Vëllaznimi synon rikthimin në elitën e futbollit kosovar dhe aktualisht renditet në vendin e gjashtë pas gjashtë xhirove të zhvilluara.

    Skuadra nga Gjakova ka grumbulluar nëntë pikë, ndërsa pesë pikë e ndajnë nga lideri i tabelës, Dinamo e Ferizajt.

    Me ardhjen e Lecit në krye të ekipit, Vëllaznimi synon të nisë një kapitull të ri dhe të afrohet edhe më shumë me objektivin e rikthimit në Superligë.

  • Zyrtare: David Alaba transferohet te Udinese, bashkohet me Mërgim Vojvodën

    Zyrtare: David Alaba transferohet te Udinese, bashkohet me Mërgim Vojvodën

    David Alaba ka një destinacion të ri në karrierë. Mbrojtësi austriak është zyrtarisht futbollist i Udineses, pasi ka nënshkruar kontratë me klubin italian.

    Pas përfundimit të aventurës së tij me Real Madridin më 30 qershor 2026, Alaba mbeti pa klub dhe si lojtar i lirë ishte në kërkim të një sfide të re.

    Emri i tij gjatë kësaj vere ishte lidhur me disa klube, veçanërisht në Gjermani. Hamburger SV dhe Union Berlini ishin ndër skuadrat që kishin shfaqur interes për mbrojtësin, por në fund destinacioni i tij nuk do të jetë Bundesliga.

    Udinese ka zyrtarizuar transferimin e Alabës, i cili ka firmosur kontratë deri më 30 qershor 2027.

    Klubi italian e ka prezantuar austriakun si një futbollist me përvojë të madhe, aftësi lidershipi dhe një karrierë të ndërtuar në nivelet më të larta të futbollit evropian.

    “David Alaba është lojtar i ri i Udineses. Përvojë, lidership dhe një karrierë në nivelin më të lartë të futbollit botëror. Mirë se vini në Udine, David!”, thuhet në njoftimin e klubit.

    Transferimi në Serie A do të jetë një kapitull i ri për Alabën, i cili gjatë karrierës së tij ka fituar trofe të shumtë dhe ka luajtur në nivelet më të larta të futbollit evropian.

    Në Udinese, Alaba do të ketë mundësinë të luajë edhe përkrah një futbollisti të Kombëtares së Kosovës. Bëhet fjalë për Mërgim Vojvodën, i cili iu bashkua klubit italian këtë verë pas largimit nga Como.

    Kështu, Udinese bëhet aventura e radhës për një prej mbrojtësve më të njohur të futbollit austriak.

  • “Dardanët” gati për Irlandën, Kosova mbyll përgatitjet para sfidës në “Fadil Vokrri”

    “Dardanët” gati për Irlandën, Kosova mbyll përgatitjet para sfidës në “Fadil Vokrri”

    Gjithçka është gati për përballjen e shumëpritur mes Kosovës dhe Irlandës. “Dardanët” kanë zhvilluar sot në orët e paradites stërvitjen e fundit para ndeshjes së Grupit B3 të Ligës së Kombeve.

    Seanca e fundit përgatitore është zhvilluar me intensitet të kontrolluar, pasi fokusi nuk ishte te ngarkesa fizike, por te detajet taktike që mund të jenë vendimtare në duelin e mbrëmjes.

    Përzgjedhësi Franco Foda ka shfrytëzuar minutat e fundit në fushë për t’ua përcjellë futbollistëve udhëzimet përfundimtare dhe për të punuar në skemat që Kosova pritet t’i aplikojë ndaj përfaqësueses irlandeze.

    Me përfundimin e kësaj seance, përgatitjet kanë hyrë zyrtarisht në fazën finale. Tani nuk ka më kohë për eksperimente – vëmendja e të gjithëve është te ndeshja dhe te atmosfera që pritet të krijohet në stadiumin “Fadil Vokrri”.

    Kosova do ta nisë sonte një tjetër sfidë në Ligën e Kombeve, këtë herë ndaj Irlandës, në kuadër të Grupit B3.

    Takimi zhvillohet në Prishtinë dhe nis nga ora 20:45, ndërsa “Dardanët” synojnë ta shfrytëzojnë avantazhin e fushës dhe përkrahjen e tifozëve për ta nisur me rezultat pozitiv këtë kampanjë.

    Topi tashmë është gati. “Fadil Vokrri” po pret dhe gjithçka do të vendoset në fushë.

  • Joshua–Fury më në fund bëhet realitet, dy britanikët përballen në dhjetor

    Joshua–Fury më në fund bëhet realitet, dy britanikët përballen në dhjetor

    Pas më shumë se një dekade pritjeje, Anthony Joshua dhe Tyson Fury më në fund pritet të përballen mes vete në ring. Dy prej emrave më të mëdhenj të boksit britanik kanë caktuar duelin e shumëpritur për 11 dhjetor, me Cardiffin si vendin ku pritet të zhvillohet kjo përballje spektakolare.

    Joshua dhe Fury kanë qenë në rrugë për t’u takuar që prej vitesh, por për arsye të ndryshme dueli mes tyre është shtyrë vazhdimisht. Tani, megjithatë, marrëveshja është arritur dhe dy ish-kampionët e botës pritet të zbresin më në fund në të njëjtin ring.

    Fillimisht ishte paraparë që përballja të zhvillohej në Britani, me stadiumin “Wembley” si një nga opsionet kryesore. Megjithatë, transmetuesi Netflix kishte shqetësime për orarin e duelit për audiencën amerikane, duke bërë që të shqyrtoheshin edhe mundësi të tjera, përfshirë Las Vegasin, Los Angelesin dhe Madison Square Garden në Nju Jork.

    Të dy boksierët pritet të kenë përfitime të mëdha financiare nga kjo përballje, me rreth 87 milionë euro për secilin.

    Joshua dhe Fury e kanë mbajtur veten aktivë para duelit. Në muajin korrik, Fury mposhti Mariusz Wachun me nokaut teknik në raundin e shtatë në Tajlandë, ndërsa Joshua triumfoi ndaj Kristian Prengës, duke e rrëzuar dy herë dhe më pas duke e mbyllur duelin me nokaut në raundin e dytë.

    Pas këtyre fitoreve, tifozët pritën vetëm zyrtarizimin e duelit. Pas disa vonesave, ai u konfirmua nga Turki Al-Sheikh përmes rrjeteve sociale.

    Kjo përballje shihet si fundi i një sage të gjatë mes dy superyjeve britanikë. Në vitin 2021, Fury dhe Joshua ishin në majën e kategorisë së rëndë dhe së bashku mbanin katër titujt kryesorë botërorë.

    Atëherë ishin planifikuar edhe dy përballje mes tyre, por marrëveshja dështoi pasi Fury u urdhërua të përballej për herë të tretë me Deontay Wilder.

    Tani, pas vitesh pritjeje, Joshua dhe Fury janë më pranë se kurrë për ta zgjidhur në ring rivalitetin që ka mbajtur pezull botën e boksit britanik.