ATV

FIFA lehtëson dënimin për Nahuel Molinën, por nuk fal Leandro Paredesin pas finales së Botërorit

Written by

in

FIFA ka pranuar pjesërisht ankesën e Federatës së Futbollit të Argjentinës (AFA) ndaj sanksioneve disiplinore të vendosura pas finales së Kupës së Botës 2026.

Organi më i lartë i futbollit botëror ka vendosur ta ulë pezullimin e Nahuel Molinës nga shtatë në katër ndeshje, ndërsa ka lënë në fuqi dënimin prej 10 ndeshjesh për Leandro Paredesin.

Gjithashtu, FIFA ka reduktuar gjobën financiare të Molinës nga 90 mijë në 60 mijë dollarë. Ndërkohë, Paredes duhet ta vuajë të plotë pezullimin dhe të paguajë gjobën fillestare prej 90 mijë dollarësh, bëri të ditur AFA.

Paredes u dënua me 10 ndeshje pezullim për shkak të sjelljes agresive ndaj Gavit gjatë finales, ku Spanja mposhti Argjentinën me rezultatin 1-0 në muajin korrik. Edhe Molina u ndëshkua për incidentet e ndodhura pas përfundimit të takimit.

Federata argjentinase ka bërë të ditur se do të kërkojë arsyetimin e plotë të FIFA-s për këto vendime, përpara se të shqyrtojë mundësinë e paraqitjes së një ankese në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS).

AFA beson se ka argumente të mjaftueshme faktike dhe ligjore për të kërkuar rishikimin e sanksioneve të vendosura.

Dënimet fillestare përfshinin gjithashtu një ndeshje pezullim për Thiago Almadën dhe tri ndeshje për anëtarin e stafit teknik të Argjentinës, Roberto Ayala.

Përveç këtyre masave, AFA ishte gjobitur me 321 mijë dollarë dhe ishte urdhëruar që ndeshjet e ardhshme të zhvilloheshin me kufizime për tifozët në stadium, pas incidenteve me thirrje diskriminuese gjatë përballjeve të Argjentinës me Kepin e Gjelbër, Egjiptin, Zvicrën, Anglinë dhe Spanjën.