ATV

Category: Sport

  • Kosova kërkon hakmarrjen sportive ndaj Italisë në kualifikimet për Botërorin 2028

    Kosova kërkon hakmarrjen sportive ndaj Italisë në kualifikimet për Botërorin 2028

    Kombëtarja e Kosovës në futsall zbret sonte në parket për një tjetër sfidë të rëndësishme në rrugëtimin drejt Kupës së Botës 2028, ku do të përballet me Italinë në ndeshjen e kthimit të Grupit 10, në kuadër të raundit kryesor kualifikues.

    Dardanët do të luajnë në palestrën “PalaDisfida” në Barletta, me fillim nga ora 20:00, me synimin për të marrë një rezultat pozitiv dhe për të kompensuar humbjen e pësuar në përballjen e parë.

    Ndeshja e zhvilluar në Prishtinë disa ditë më parë ishte mjaft dramatike dhe përfundoi me fitoren e italianëve me rezultat 4-3.

    Pavarësisht humbjes, Kosova tregoi se mund të rivalizojë me përfaqësuesen italiane, ndërsa në atë takim Ramadan Alaj ishte protagonist me dy gola të realizuar. Një tjetër gol për Dardanët e shënoi Fitim Krasniqi.

    Në anën tjetër, për Italinë realizuan Michele Podda, Giovanni Pulvirenti, Carmelo Musumeci dhe Giuliano Fortini.

    Përballja e sotme paraqet një tjetër mundësi për futsallistët kosovarë që të dëshmojnë vlerat e tyre dhe të luftojnë deri në fund për një rezultat që do t’i mbante në garë në këto kualifikime.

    Pas duelit me Italinë, Kosova do të vazhdojë aventurën kualifikuese më 24 shkurt, kur në program është ndeshja ndaj Gjeorgjisë.

  • Kurti takohet me përfaqësuesit francezë, diskutohet organizimi i “Prishtina 2030”

    Kurti takohet me përfaqësuesit francezë, diskutohet organizimi i “Prishtina 2030”

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me përfaqësues të lartë francezë, ku në fokus ishte përgatitja dhe organizimi i Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.

    Në këtë takim morën pjesë ambasadori francez për Sportin, Damien Combredet-Blassel, ambasadori i Francës në Kosovë, Jean-François Huchet, si dhe përfaqësues të France Sport Expertise, të cilët kanë pasur rol në organizimin e Lojërave Olimpike “Paris 2024”.

    Gjatë diskutimeve u trajtuan çështje të rëndësishme që lidhen me përgatitjet për këtë ngjarje sportive, duke përfshirë bashkëpunimin ndërinstitucional, zhvillimin e infrastrukturës dhe mënyrën e menaxhimit të organizimit.

    Kurti bëri të ditur se nga përfaqësuesit francezë morën këshilla konkrete për hapat që duhet të ndërmerren në vazhdim, duke theksuar rëndësinë e planifikimit dhe ndarjes së qartë të përgjegjësive.

    Sipas tij, prioritet duhet të jenë qeverisja dhe menaxhimi, procedurat e prokurimit, zbatimi i projekteve, përcaktimi i afateve kohore, si dhe sigurimi i kostove dhe burimeve të financimit.

    Kryeministri gjithashtu theksoi se Franca mbetet një partnere e rëndësishme e Kosovës në këtë projekt madhor sportiv.

    Ai rikujtoi marrëveshjen e kredisë me Agjencinë Franceze për Zhvillim (AFD), e cila parasheh investime në infrastrukturën e nevojshme për Lojërat Mesdhetare, si dhe Deklaratën e Synimit për themelimin e një komiteti të përbashkët për organizimin e tyre, të nënshkruara në fund të muajit korrik.

    Kosova tashmë ka nisur përgatitjet për “Prishtina 2030”, me synimin që kjo ngjarje të organizohet në nivelin e duhur dhe të shërbejë si një mundësi e rëndësishme për zhvillimin e sportit dhe infrastrukturës në vend.

  • Vincent Kompany rikthehet te Bayerni pas problemeve shëndetësore

    Vincent Kompany rikthehet te Bayerni pas problemeve shëndetësore

    Trajneri i Bayern Munichut, Vincent Kompany, ka bërë një hap të rëndësishëm drejt rikthimit në punë, pasi është paraqitur sërish në zyrat e klubit në “Säbener Straße”, pothuajse tri javë pas problemeve shëndetësore që e detyruan të qëndronte jashtë aktiviteteve.

    Trajneri belg ishte rrëzuar gjatë një seance stërvitore më 23 tetor dhe ishte dërguar me urgjencë në spital, ku iu diagnostikua acarim i meningjeve.

    Sipas gazetarit të Bild, Philipp Kessler, Kompany tashmë ka rifilluar punën, por për momentin do të merret kryesisht me përcjelljen e programeve të rikuperimit për futbollistët e lënduar. Rikthimi i tij në bankinën e Bayernit pritet në ndeshjen e Bundesligës ndaj Kolnit, më 20 nëntor.

    Megjithatë, klubi bavarez ende nuk ka dhënë një konfirmim zyrtar për datën e rikthimit të trajnerit.

    Kompany përfundoi në spitalin Klinikum rechts der Isar në Mynih, ku qëndroi për gati një javë. Drejtori sportiv i Bayernit, Max Eberl, kishte sqaruar se bëhej fjalë për acarim të meningjeve dhe jo meningjit, pasi gjendja e tij nuk përfshinte inflamacion.

    Pas daljes nga spitali, trajneri vazhdoi rikuperimin në shtëpi, ndërsa klubi vendosi që rikthimi i tij të bëhej vetëm me miratimin e mjekëve.

    Gjatë mungesës së belgut, skuadra u drejtua nga ndihmësi Aaron Danks, duke arritur rezultate pozitive, përfshirë një fitore bindëse ndaj Magdeburgut në Kupën e Gjermanisë dhe vazhdimin e ecurisë së mirë në kampionat.

    Ndërkohë, presidenti i nderit të Bayernit, Uli Hoeness, kishte paralajmëruar se Kompany mund të rikthehej pas pushimit të ndeshjeve ndërkombëtare.

    Kështu, rikthimi i trajnerit belg po afrohet, por Bayern Munich dëshiron të sigurohet që ai të jetë plotësisht i gatshëm për t’u kthyer në bankinë.

  • NBA: Lakers, Spurs dhe Warriors vazhdojnë seritë e fitoreve

    NBA: Lakers, Spurs dhe Warriors vazhdojnë seritë e fitoreve

    Elita e basketbollit amerikan, NBA, ka vazhduar edhe sot me disa përballje interesante.

    Lideri i Konferencës së Perëndimit, Los Angeles Lakers, ka regjistruar fitoren e gjashtë radhazi, pasi kësaj radhe mposhti Atlanta Hawks me rezultat 124-114.

    Luka Doncic udhëhoqi skuadrën e tij drejt fitores me 32 pikë, tetë kërcime e 10 asistime, derisa kontribut dha edhe Sandro Mamukelashvili me 23 pikë e tetë kërcime.

    Nga ana tjetër, CJ McCollum u dallua me 21 pikë, ndërsa Nickeil Alexander-Walker shtoi edhe 20 të tjera, por që nuk mjaftuan për fitore.

    Hawks renditen në vendin e katërt në Konferencën e Lindjes.

    Të pandalshëm këtë sezon janë edhe San Antonio Spurs, duke regjistruar fitoren e nëntë radhazi, pas triumfit ndaj Phoenix Suns me shifrat 122-96.

    Si gjithmonë, ylli francez Victor Wembanyama shkëlqeu edhe në këtë ndeshje me 40 pikë e 11 kërcime, derisa Dylan Harper shtoi 17 pikë në këtë fitore.

    Te skuadra humbëse, më efikasi ishte Devin Booker me 32 pikë.

    Kujtojmë se Spurs renditen në vendin e dytë në tabelën e Perëndimit, derisa Suns zënë vendin e 12-të.

    Me tetë fitore radhazi po shkëlqen edhe skuadra e Golden State Warriors.

    “Luftëtarët” mposhtën New Orleans Pelicans me rezultat 138-87.

    Më meritorët për këtë fitore ishin Stephen Curry me 25 pikë e pesë kërcime. Me po aq pikë u dallua edhe Brandin Podziemski, ndërsa Yaxel Lendeborg kontribuoi me 23 pikë.

    Nga ana tjetër, paraqitje të mirë pati Derik Queen me 16 pikë, por që ishin të pamjaftueshme për ta evituar humbjen.

    Warriors pozicionohen në vendin e katërt në Perëndim, derisa Pelicans renditen në vendin e 11-të.

  • Trajneri Hossam Hassan shkarkohet nga Kombëtarja e Egjiptit

    Trajneri Hossam Hassan shkarkohet nga Kombëtarja e Egjiptit

    Një histori e pazakontë ka tronditur futbollin egjiptian. Hossam Hassan nuk është më përzgjedhës i Kombëtares së Egjiptit, pasi Federata Egjiptiane e Futbollit ka vendosur t’i japë fund bashkëpunimit me të, pas një sërë polemikash që kanë dëmtuar imazhin e përfaqësueses.

    Sipas raportimeve të mediave, në qendër të kësaj situate është një incident i ndodhur në gusht të vitit 2026, në një hotel në resortin Porto Marina, ku bashkëshortja dhe ish-bashkëshortja e trajnerit u përfshinë në një përleshje fizike.

    Ngjarja shkaktoi kaos në hotel, ndërsa dëshmitarët raportuan për britma dhe hedhje objektesh, duke detyruar stafin të ndërhynte. Situata thuhet se ndikoi rëndë edhe te vetë Hassani, i cili sipas raportimeve humbi ndjenjat dhe u dërgua në spital.

    Federata nuk e përmendi drejtpërdrejt incidentin në njoftimin zyrtar, por bëri të ditur se vendimi erdhi pas ngjarjeve të fundit, të cilat kishin ndikuar negativisht në imazhin dhe stabilitetin e Kombëtares.

    Shkarkimi është edhe më i bujshëm për faktin se Hassani kishte arritur rezultate të rëndësishme sportive. Gjatë drejtimit të Egjiptit, ai regjistroi 21 fitore, 10 barazime dhe shtatë humbje në 38 ndeshje, ndërsa e udhëhoqi ekipin deri në fazën e 16 më të mirëve të Kupës së Botës 2026.

    Megjithatë, karriera e tij në krye të përfaqësueses është shoqëruar edhe me polemika të tjera, përfshirë një pezullim nga FIFA pas ndeshjes ndaj Argjentinës.

    Ndërkohë, Egjipti nuk ka humbur kohë për të gjetur pasuesin. Në vendin e Hassanit është emëruar Ali Maher, ish-trajneri i Ceramica Cleopatra.

    Kështu, një periudhë që nisi me ambicie të mëdha për Hossam Hassanin përfundon mes polemikave dhe një vendimi që ka bërë bujë të madhe në futbollin egjiptian.

  • Tre yje të futbollit saudit drejt rikthimit në Evropë, gjigantët evropianë i kanë në radar

    Tre yje të futbollit saudit drejt rikthimit në Evropë, gjigantët evropianë i kanë në radar

    Futbolli evropian mund të mirëpresë sërish disa emra të njohur që aktualisht aktivizohen në Arabinë Saudite. Afati kalimtar i janarit 2027 pritet të sjellë zhvillime interesante për të ardhmen e Joao Felix, Ivan Toney dhe Darwin Nunez, të cilët mund të largohen nga kampionati saudit.

    Secili prej tyre ka një situatë të ndryshme, por një gjë i bashkon: mundësia për t’u rikthyer në futbollin e nivelit më të lartë në Evropë.

    Emri që po përmendet më së shumti është ai i Joao Felixit. Sulmuesi portugez, që aktualisht luan te Al-Nassr, nuk e ka fshehur dëshirën për t’u rikthyer në Evropë dhe për të garuar sërish në Ligën e Kampionëve.

    Forma e tij këtë sezon ka qenë mbresëlënëse, me shtatë gola dhe 11 asistime në 14 paraqitje. Madje, në mesin e mundësive të përfolura është edhe një rikthim te Barcelona, ku kishte luajtur më parë si i huazuar. Megjithatë, kontrata e tij me Al-Nassr dhe mundësia e vazhdimit të saj mund ta vështirësojnë largimin.

    Në anën tjetër, vëmendjen e klubeve angleze e ka tërhequr Ivan Toney. Sulmuesi i Al-Ahlit është lidhur me Manchester Unitedin dhe Newcastle Unitedin, ndërsa përvoja e tij në Ligën Premier me Brentfordin e bën një përforcim potencialisht shumë interesant.

    Megjithatë, një transferim i tij do të varet edhe nga kërkesat financiare të klubit saudit.

    Ndërkohë, rasti i Darwin Nunez është më ndryshe. Uruguaiani, pas një periudhe jo të qëndrueshme te Al-Hilal, është huazuar te Al-Diriyah deri në vitin 2027. Për momentin, prioriteti i tij është rikthimi në formën më të mirë dhe sigurimi i minutave të rregullta në fushë.

    Përvojat e mëparshme te Benfica dhe Liverpooli tregojnë se Nunez ka cilësitë për të luajtur në nivelet më të larta të futbollit evropian.

    Tashmë, janari mund të jetë vendimtar për të ardhmen e këtyre tre sulmuesve. Felix dhe Toney duken më pranë një largimi të mundshëm, ndërsa për Nunez gjithçka do të varet nga paraqitjet në muajt e ardhshëm.

    Një gjë është e sigurt, rikthimi i tyre në Evropë do të ishte një nga temat më interesante të merkatos së dimrit.

  • Betim Fazliji i bashkohet Kosovës para dy ndeshjeve vendimtare në Ligën e Kombeve

    Betim Fazliji i bashkohet Kosovës para dy ndeshjeve vendimtare në Ligën e Kombeve

    Kombëtarja e Kosovës ka marrë një përforcim në prag të dy ndeshjeve të fundit të këtij edicioni të Ligës së Kombeve. Mbrojtësi Betim Fazliji i është bashkuar grumbullimit të “Dardanëve” dhe do të jetë në dispozicion të përzgjedhësit Franco Foda.

    Lajmi është konfirmuar nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), e cila ka bërë të ditur se futbollisti i St. Gallenit ka mbërritur në kampin e përfaqësueses.

    Kosovën e presin dy përballje të rëndësishme në kuadër të Grupit B3, ku synimi është që edicioni të mbyllet me rezultate sa më pozitive. Pas katër ndeshjeve të zhvilluara, ekipi i drejtuar nga Foda pozicionohet në vendin e dytë me pesë pikë, tri më pak se liderja Austria.

    Fillimisht, Kosova do të përballet me Izraelin më 14 nëntor në stadiumin “Fadil Vokrri”, ndërsa më 17 nëntor do të udhëtojë drejt Dublinit, ku do të zhvillojë ndeshjen kundër Republikës së Irlandës.

    Fazliji, 27-vjeçar, pritet t’i japë më shumë alternativa përzgjedhësit Foda në repartin e mbrojtjes, veçanërisht në një moment kur gjendja e Lumbardh Dellovës mbetet e paqartë për shkak të shqetësimeve fizike pas një lëndimi të pësuar te klubi i tij.

    Kujtojmë se mbrojtësi i St. Gallenit kishte kaluar një periudhë të vështirë për shkak të lëndimeve, ndërsa në maj të këtij viti ishte rikthyer te Kosova pas një mungese të gjatë.

    Tashmë mbetet të shihet nëse Fazliji do të marrë minuta në dy sfidat e ardhshme, ku Kosova synon të konfirmojë pozitën e saj në grup dhe ta përmbyllë me sukses këtë edicion të Ligës së Kombeve.

  • Kosova synon fitoret në nëntor, objektivi mbetet Liga B

    Kosova synon fitoret në nëntor, objektivi mbetet Liga B

    Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka mbajtur konferencë për media, ku ka folur për dy ndeshjet e muajit nëntor ndaj Izraelit dhe Irlandës, objektivat e Dardanëve në Ligën e Kombeve, si dhe planet për të ardhmen dhe futbollistët që mund t’i bashkohen Kombëtares.

    Foda ka theksuar se synimi kryesor mbetet që Kosova të ruajë vendin në Ligën B, ndërsa në dy ndeshjet e fundit kërkon fitoret.

    “Sigurisht që objektivi ynë është që ta fitojmë çdo ndeshje, objektivi kryesor gjithmonë ka qenë që të mbetemi në grupin B dhe në këtë drejtim është shumë me rëndësi që ta fitojmë ndeshjen kundër Izraelit pasi është shumë me rëndësi në këtë fazë dhe ne të shohim se cilin vend do ta zëmë të parin apo të dytin por me rëndësi që këto ndeshje t’i fitojmë”.

    Tekniku gjerman ka folur edhe për planet afatgjata, duke konfirmuar se stafi po përcjell futbollistë nga kampionatet vendore dhe ato ndërkombëtare, me fokus të veçantë te talentet e rinj.

    “Është e rëndësishme që kemi disa mundësi edhe për ndeshjet e ardhshme. Megjithatë, duke pasur parasysh skuadrën, ne nuk përgatitemi vetëm për ndeshjet aktuale, por edhe për vitin e ardhshëm dhe kualifikimet për Kampionatin Evropian”. I përcjellim të gjithë lojtarët, edhe ata që aktivizohen në ligat ndërkombëtare. Është e rëndësishme t’i ndjekim edhe talentet e rinj. Ne punojmë së bashku për t’i arritur këto objektiva”.

    Ndërkohë, menaxheri i Kombëtares, Bajram Shala, ka bërë të ditur se dokumentacioni i Enis Rexhepit ende nuk është kompletuar dhe se janë në pritje të përgjigjes përfundimtare nga FIFA.

    “Dokumentacionet janë kryer për Bleon Kurtulus dhe Lindrit Kamberin, mirëpo jo për Enis Rexhepin. Jemi në pritje të përgjigjes së FIFA-s”.

    Shala konfirmoi gjithashtu mungesën e Erblin Osmanit dhe Valmir Matoshit për shkak të lëndimeve, ndërsa bëri të ditur se Lumbardh Dellova do t’i nënshtrohet testeve mjekësore para se të konfirmohet gatishmëria e tij.

    Në konferencë, Foda ka zbuluar edhe kontaktet me dy talentë të futbollit, Lutfi Dalipin dhe Arijon Ibrahimovicin, të cilët ende nuk kanë marrë vendimin përfundimtar se cilën kombëtare do të përfaqësojnë.

    “Po, kam pasur kontakte me Lutfi Dalipin. Kam biseduar me të. Ai ende nuk ka vendosur se kë të përfaqësojë. Të shohim, shpresoj që të vendos për Kosovën”.

    Po ashtu ai foli edhe për Ibrahimovicin, i cili ka të drejtë të luajë për Kosovën dhe Gjermaninë.

    “Po, kam biseduar dhe me të, por do të jetë zgjedhja e tij nëse do të luajë për Kosovën. Ai ka të drejtë të luajë për Gjermaninë dhe Kosovën. Kemi biseduar disa herë, shpresoj që në fund të zgjedhë Kosovën”.

    Kujtojmë se Kosova do të përballet me Izraelin më 14 nëntor dhe Irlandën më 17 nëntor, në dy ndeshjet e fundit të këtij edicioni të Ligës së Kombeve.

  • NBA: Lakers marrin kreun e Perëndimit, Celtics vazhdojnë serinë e fitoreve

    NBA: Lakers marrin kreun e Perëndimit, Celtics vazhdojnë serinë e fitoreve

    NBA ka vazhduar edhe mëngjesin e sotëm me disa superpërballje, të cilat sollën befasi dhe spektakël.

    Los Angeles Lakers ka arritur të marrë kreun e tabelës së Perëndimit, pas pesë fitoreve radhazi, ku kësaj here mundi Detroit Pistons me shifrat 121-116.

    Edhe pse Luka Doncic mungoi në këtë përballje, Austin Reaves udhëhoqi skuadrën e tij drejt fitores me 43 pikë, pesë kërcime e katër asistime.

    Te Pistons paraqitje të mirë kishin Daniss Jenkins me 31 pikë dhe Kevin Huerter me 24 pikë, por që nuk mjaftuan për fitore.

    Pistons renditen në pozitën e tretë në Konferencën e Lindjes.

    Boston Celtics kanë realizuar fitoren e tretë radhazi, pasi mposhtën kësaj radhe Milwaukee Bucks me rezultat 117-97.

    Paul George shkëlqeu në këtë përballje me 27 pikë, derisa Jayson Tatum shtoi 21 pikë për këtë fitore.

    Te skuadra humbëse më efikasi ishte Kyle Kuzma me 27 pikë.

    Celtics pozicionohen në vendin e dytë në Konferencën e Lindjes, derisa Bucks në pozitën e fundit.

    Miami Heat është këndellur me fitore pas triumfit ndaj Sacramento Kings me rezultat 114-108.

    Giannis Antetokounmpo, si gjithmonë, ishte ylli i mbrëmjes me 29 pikë e 14 kërcime, derisa Klay Thompson realizoi 23 të tilla.

    Nga ana tjetër, Darius Acuff Jr. po ashtu shkëlqeu me 32 pikë e 10 asistime, por që nuk mundi ta evitonte humbjen.

    Heat renditen në vendin e tetë në Konferencën e Lindjes, derisa Kings në pozitën e 14-të në Perëndim.

  • Kosova siguron edhe dy talentë të Bayern Munichut, FFK-ja i bind për ta veshur fanellën dardane

    Kosova siguron edhe dy talentë të Bayern Munichut, FFK-ja i bind për ta veshur fanellën dardane

    Federata e Futbollit të Kosovës vazhdon të përforcojë të ardhmen e përfaqësueses me talente që po zhvillohen në akademitë e njohura evropiane.

    Dy emrat e rinj që kanë vendosur t’i bashkohen Kosovës janë Lamar Rama dhe Florent Krasniqi, të cilët po lënë gjurmë me paraqitjet e tyre në grupmoshat e Bayern Munichut.

    Rama, i cili luan në pozitën e mbrojtësit të krahut të djathtë, dhe Krasniqi, anësor i krahut të djathtë, janë ftuar për herë të parë në përfaqësuesen U17 të Kosovës.

    Të dy talentët kanë marrë besimin e përzgjedhësit Fadil Berisha për tri sfidat e rëndësishme që Dardanët do t’i zhvillojnë më vonë gjatë këtij muaji.

    Lamar Rama ka regjistruar gjashtë paraqitje këtë edicion me Bayern Munichun U17 në kuadër të DFB Youth League.

    Mbrojtësi kosovar ka edhe dy vite kontratë me klubin gjerman dhe, nëse vazhdon me zhvillimin e tij pozitiv, mund të bëjë hapin drejt ekipit U19 të Bayernit, aty ku aktualisht luajnë edhe Erblin Osmani dhe Yll Gashi.

    Ndërkohë, Florent Krasniqi po kalon një sezon të jashtëzakonshëm me bavarezët.

    Anësori është një prej lojtarëve të rëndësishëm të skuadrës U17, ku deri më tani ka zhvilluar 11 ndeshje, duke shënuar po aq gola dhe duke regjistruar edhe një asistim.

    Shifrat e tij flasin qartë për potencialin që posedon dhe për pritshmëritë që mund të ketë Kosova nga ky futbollist në të ardhmen.

    Kosova U17 do të përballet me Belgjikën, Kroacinë dhe Letoninë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian të kësaj grupmoshe.

    Ftesa e parë për Ramën dhe Krasniqin përbën një tjetër lajm pozitiv për futbollin kosovar, i cili vazhdon të afrojë talente të rinj që po zhvillohen në futbollin evropian.