ATV

Category: SHKENCË

  • Shkencëtarët kinezë: Kanceri mund të zhduket brenda 10 viteve, ilaçi i ri premton jetë deri në 150 vjet

    Shkencëtarët kinezë: Kanceri mund të zhduket brenda 10 viteve, ilaçi i ri premton jetë deri në 150 vjet

    Drejtori kryesor teknologjik në kompaninë kineze “Lonvi Biosciences” në Shenzhen, Liu Qinghua, deklaroi se, falë rezultateve të kërkimeve më të fundit, në vitet e ardhshme askush nuk do të vuajë nga kanceri, ndërsa jetesa deri në 150 vjet do të bëhet realitet

    “Të jetosh deri në 150 vjet është një objektiv absolutisht i arritshëm. Pas disa vitesh, kjo do të jetë realitet. Për pesë deri në dhjetë vjet, askush nuk do të sëmuret nga kanceri”, tha Qinghua, raporton The New York Times.

    Optimismi i tyre bazohet në zhvillimin e një ilaçi të ri, i cili ka treguar rezultate mbresëlënëse në studimet laboratorike. Kompania që drejton Qinghua pretendon se ka izoluar molekula “të afta të vrasin qelizat zombie” , qeliza të vjetra dhe senescente, që nuk vdesin dhe dëmtojnë qelizat përreth. Eliminimi i këtyre qelizave është një nga qasjet më premtuese në fushën e senolizës, një teknologji e studiuar gjerësisht nga institute si Mayo Clinic, Scripps Research Institute dhe Buck Institute for Research on Aging.

    Këto qeliza janë të lidhura me plakjen e përshpejtuar, inflamacionin kronik (inflammaging), diabetin e tipit 2, sëmundjet kardiovaskulare dhe disa forma të kancerit. Studime të publikuara në revista të nivelit Nature, Cell dhe Science tregojnë se pastrimi i qelizave senescente te modelet shtazore rrit jetëgjatësinë dhe përmirëson funksionet fizike dhe metabolike.

    Kompania pretendon se ka gjetur një mënyrë për të prodhuar kapsula me përqendrime të larta të këtyre molekulave, duke i dhënë ilaçit potencialin të funksionojë si senolitik oral, një kategori ilaçesh që aktualisht është në fazë të hershme klinike nëpër botë.

    “Kjo nuk është thjesht një pilulë tjetër. Ky është Graali i Shenjtë”, tha drejtori ekzekutiv i “Lonvi Biosciences”, Ip Zuo, i njohur me pseudonimin Ziko.

    Sipas kompanisë, kombinimi i këtyre pilulave me një mënyrë të shëndetshme jetese dhe kujdes të rregullt mjekësor mund të ndihmojë njerëzit të jetojnë nga 100 deri në 120 vjet, madje edhe më shumë. Vlen të theksohet se studimet mbi jetëgjatësinë te njerëzit janë të ndërlikuara dhe kërkojnë prova afatgjata.

    David Furman, profesor i asociuar në Buck Institute for Research on Aging, një nga Qendrat më të njohura të gerontologjisë në botë, tha se pilulat kineze “duken premtuese”, por thekson se ato duhet të testohen në prova të mëdha klinike, të kontrolluara dhe të blinduara ndaj gabimeve metodologjike. Aktualisht, disa senolitikë (si kombinimi dasatinib + quercetin) po testohen te njerëzit, por rezultatet janë ende të kufizuara.

    Kina mbetet një nga vendet kryesore që investon agresivisht në studimet kundër plakjes. Përveç ekstraktit të farës së rrushit, kompanitë kineze po eksplorojnë substanca si manaferrat goji, si dhe teknologji mbështetëse si dhomat kriogjenike, terapia hiperbarike, stimulimi mitokondrial dhe bioinxhinieria e qelizave staminale.

    Kompania “Lonvi Biosciences”, me seli në Shenzhen, ka zhvilluar pilulat kundër plakjes të bazuara në përbërjen procyanidin C1 (PCC1), që gjendet në ekstraktin e farave të rrushit. PCC1 i takon familjes së polifenoleve dhe është studiuar për efektet antioksiduese dhe kundër inflamacionit.

    Studime të kryera në Universitetin e Shangait dhe të botuara në Nature Metabolism treguan se PCC1 rriti jetëgjatësinë e minjve me rreth 10%, duke shkatërruar në mënyrë selektive qelizat senescente dhe duke mbrojtur qelizat e shëndetshme. Te minjtë e moshuar, u vërejt përmirësim i forcës së muskujve, aktivitetit fizik, densitetit të kockave dhe metabolizmit.

    Megjithatë, studiuesit theksojnë se kalimi nga rezultatet te modelet shtazore në prova të suksesshme klinike te njerëzit kërkon vite dhe verifikim rigoroz.

  • Shkencëtarët krijojnë për herë të parë embrione nga ADN-ja e lëkurës së njeriut

    Shkencëtarët krijojnë për herë të parë embrione nga ADN-ja e lëkurës së njeriut

    Shkencëtarët amerikanë kanë realizuar një hap të paparë më parë në shkencën e riprodhimit: për herë të parë kanë krijuar embrione njerëzore në fazat e para të zhvillimit duke manipuluar ADN-në e marrë nga qelizat e lëkurës dhe më pas duke e fekonduar atë me spermë.

    Kjo teknikë, sipas studiuesve, mund të hapë rrugën drejt kapërcimit të infertilitetit të shkaktuar nga mosha apo sëmundjet, pasi pothuajse çdo qelizë e trupit mund të shndërrohet në pikënisje për krijimin e jetës së re.

    Megjithatë, metoda kërkon vite përsosjeje – ndoshta deri në një dekadë – përpara se klinikat e fertilitetit të mund ta përdorin. Ekspertët e quajtën zbulimin mbresëlënës, por paralajmëruan se publiku duhet të jetë pjesë e një diskutimi të hapur për atë që po bëhet e mundur nga shkenca moderne.

    Tradicionalisht, riprodhimi ishte thjesht bashkimi i spermës me vezën. Sot rregullat po ndryshojnë. Eksperimenti i fundit nis me një qelizë të lëkurës së njeriut.

    Ekipi kërkimor i Universitetit të Shëndetit dhe Shkencës në Oregon nxjerr bërthamën – që përmban gjithë kodin gjenetik – nga qeliza e lëkurës dhe e vendos brenda një veze dhuruese të cilës i janë hequr udhëzimet e saj gjenetike. Deri këtu, teknika ngjan me atë që u përdor për të krijuar Dolly the Sheep në vitin 1996.

    Por veza, e cila tashmë ka një set të plotë kromozomesh, nuk është gati për fekondim. Për këtë arsye, studiuesit e detyrojnë atë të heqë gjysmën e kromozomeve, një proces që e kanë quajtur “mitomejozë” – një kombinim i mitozës dhe mejozës.

    Studimi, i publikuar në Nature Communications, tregon se procesi çoi në krijimin e 82 vezëve funksionale. Ato u fekonduan me spermë dhe disa prej tyre arritën të zhvillohen në fazat e para të embrionit. Megjithatë, asnjë nuk shkoi përtej ditës së gjashtë.

    “Ne arritëm diçka që mendohej e pamundur,” deklaroi Prof. Shoukhrat Mitalipov, drejtor i qendrës së terapive të qelizave embrionale dhe gjenetike në OHSU.

    Sipas studiuesve, suksesi aktual është i ulët – rreth 9% – dhe procesi ndikon që kromozomet të humbasin një fazë kyçe të riorganizimit të ADN-së së tyre, të quajtur “kryqëzim”.

    Prof. Mitalipov theksoi: “Ne duhet ta përsosim atë”. Ai shtoi se “përfundimisht kjo do të jetë e ardhmja, sepse ka gjithnjë e më shumë pacientë që nuk mund të kenë fëmijë”.

    Teknologjia është pjesë e një fushe të re që synon prodhimin e spermës dhe vezëve jashtë trupit – gametogjeneza in vitro. Ende është në fazat e hershme shkencore, por ideja është të ndihmojë çiftet që nuk mund të përfitojnë nga IVF për shkak se nuk kanë spermë ose vezë të përdorshme.

    Kjo qasje mund të ndihmojë gratë në moshë që nuk prodhojnë më vezë të shëndetshme, burrat që nuk prodhojnë mjaft spermë apo pacientët që janë bërë infertilë pas trajtimeve të kancerit.

  • Shkencëtarët po krijojnë mikrorobota që lëvizin nëpër gjak për të parandaluar goditjen në tru

    Shkencëtarët po krijojnë mikrorobota që lëvizin nëpër gjak për të parandaluar goditjen në tru

    Shkencëtarët e ETH Zürich kanë zhvilluar mikrorobota më të vegjël se dy milimetra, të cilët mund të lëvizin nëpër enët e gjakut dhe të dërgojnë barnat pikërisht në zonën ku nevojiten, me qëllim parandalimin ose trajtimin e goditjes në tru

    Rezultatet janë publikuar në revistën prestigjioze Science. Edhe pse nuk janë testuar ende te njerëzit, robotët kanë treguar sukses të lartë në eksperimente te kafshë të mëdha, përfshirë derrat dhe delet, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt aplikimeve klinike.

    Mikroroboti ka formën e një kapsule të vogël sferike dhe përbëhet nga një gel biokompatibël brenda të cilit vendosen barnat kundër mpiksjeve ose tumoreve. Ai përmban nanopjesëza oksidi hekuri, që e bëjnë të kontrollueshëm përmes fushave magnetike, si dhe elementë kontrasti që lejojnë monitorimin përmes rrezeve X.

    Lëvizja e robotit drejtohet nga jashtë trupit me magnete të fuqishme, duke e bërë të mundur navigimin e tij në arterie, madje edhe kundër rrjedhës së gjakut. Kur arrin në vendin e bllokimit, aktivizohet një fushë magnetike me frekuencë të lartë që nxeht kapsulën, shkrijë gelin dhe liron ilaçin drejtpërdrejt në mpiksjen e gjakut.

    Kjo teknologji konsiderohet revolucionare sepse mundëson administrim shumë më të saktë të ilaçeve dhe redukton ndjeshëm efektet anësore, të cilat shpesh shfaqen kur barnat shpërndahen në gjithë trupin.

    Dërgimi i fokusuar i barit në vendin e problemit ul rrezikun e gjakderdhjes, toksicitetit sistemik dhe dëmtimit të indeve të shëndetshme, ndërsa rrit efikasitetin tek zona e mpiksjes. Ky është një përparim i veçantë, duke pasur parasysh që goditja në tru mbetet një nga shkaqet kryesore të vdekshmërisë dhe paaftësisë në nivel global.

    Sfida më e madhe për studiuesit ka qenë navigimi i robotit në qarkullimin real të gjakut. Fabian Landers, autori kryesor i studimit, shpjegon se sistemi duhet të përballojë rrjedha të fuqishme dhe presione të mëdha: “Është e jashtëzakonshme sa shumë gjak pompohet nëpër enët tona dhe me çfarë shpejtësie.”

    Për ta zgjidhur këtë, ekipi zhvilloi tre strategji lëvizjeje: rrotullim pranë murit të enës ku rrjedha është më e qetë, tërheqje magnetike drejt destinacionit dhe lëvizje kundër rrjedhës. Në testimet laboratorike, robotët kanë arritur shpejtësi deri në 4 mm/s, çka tregon potencial të madh për funksionim në kushte reale biologjike.

    Fazat e ardhshme parashikojnë testime të zgjeruara te kafshët e mëdha, vlerësim të sigurisë së materialeve dhe fushave magnetike, si dhe përgatitje për miratime rregullatore që duhet të paraprijnë provat klinike te njeriu. Përtej goditjes në tru, teknologjia mund të përdoret në trajtimin e tumoreve, infeksioneve të lokalizuara dhe bllokimeve të tjera vaskulare.

    Nëse arrin në aplikim klinik, kjo teknologji mund të transformojë mënyrën se si administrohen ilaçet në trup, duke hapur një epokë të re të mjekësisë precize.

  • Si identifikohen gjurmët e gishtërinjve nga skena e krimit?

    Si identifikohen gjurmët e gishtërinjve nga skena e krimit?

    Dy ekspertë e Divizionit të Daktiloskopisë nga Agjencia e Forenzikes, Flurim Sahitaj dhe Avni Dragobuzhda, e kanë kaluar me sukses testin ndërkombëtar profesional “Latent Print Processing”, duke treguar sukses maksimal ndër gati 100 shtete pjesëmarrëse. Aftësitë të cilat i dëshmojnë çdo ditë në shërbim të zbardhjes së krimeve në Kosovë, i sjellim në reportazhin në vazhdim.

    Armë, gëzhoja të plumbit, njolla të gjakut, e shenja të gishtërinjve, pista që hetuesit i ndjekin për ta zbardhur krimin.

    Megjithatë, pa ndihmën e ekspertëve nga Agjencia e Forenzikes, provat vështirë se mund t’i dalin në krah drejtësisë.

    Krim perfekt pa asnjë gjurmë nuk ka, dhe eksperti Flurim Sahitaj është gjithnjë i gatshëm që ta dëshmojë këtë konstatim të njohur në botën e krimit.

    Divizioni i Daktiloskopisë në Agjencia e Kosovës për Forenzikë është habitati i tij i punës.

    Puna nis në momentin që provat arrijnë në laborator, vendi i gjurmës lokalizohet, pastaj nis dokumentimi.

    “Pas vendosjes së provave dhe testit, e shohim e vendosim sasinë e ujit që është e nevojshme edhe e vendosim në këtë formën e aluminit e vendosim këtë enën e aluminit këtu, ku vendoset cianokrilati…”, ka deklaruar Flurim Sahitaj – Ekspert Forenzik për Daktiloskopi.

    I gjithë procesi zgjatë 45 minuta.

    ‘Së pari bëhet nxemja është me parametra e rregulluar nxehja e ajrit, pastaj nxehja e cianokliratit apo super ngjitësit, dhe në fund bëhet ajrosja…”, ka theksuar Sahitaj.

    Secila nga tri fazat e do kohën e saj, të paktën 15 minuta.

    Më pas, gjurmët procesohen, dhe nëse gjithçka shkon sipas planit, të dhënat përcillen për në databazën kryesore.

    “…dhe si e tillë kjo mund të krahasohet me kryerësit e veprave penale të cilët janë të skenuar dhe të regjistruar në databazën e afisit që ne i themi databaza e gjurmëve të gishtërinjve…”, ka deklaruar ai.

    Flurim Sahitaj bashkë me ekspertin tjetër, Avni Dragobuzhdën, në mesin e gati 100 shteteve, me sukses të jashtëzakonshëm e kaluan testin prestigjioz ndërkombëtar në fushën e daktiloskopisë “Latent Print Processing”.

    Ekspertët e Agjencisë së Forenzikes i nxorën me 100% sukses, gjurmët e gishtërinjve nga plastika, qeramika e metali, mjete pa pore që nuk e thithin gjurmën, por tek të cilat gjurma e kryerësit të krimit mbetet nga gishtërinjtë që djersiten.

  • NASA anulon misionin për në hapësirë për shkak të një “stuhie diellore” që po i afrohet Tokës

    NASA anulon misionin për në hapësirë për shkak të një “stuhie diellore” që po i afrohet Tokës

    NASA ka vendosur të anulojë misionin hapësinor të planifikuar, për shkak të dyshimeve se një stuhi diellore e fuqishme po i afrohet Tokës. Sipas studimeve, kjo stuhi pritet të jetë ndër më të fuqishmet e 20 viteve të fundit dhe mund të shkaktojë probleme në sistemin GPS të anijes hapësinore, si dhe në sistemet e komunikimit.

    Sky News raporton, duke iu referuar Shërbimit Gjeologjik Britanik (BGS), se stuhi diellore tashmë ka filluar të ndikojë në komunikime dhe navigim satelitor.

    Kompania Blue Origin e Jeff Bezos-it kishte planifikuar të lëshonte sot raketën New Glenn, e cila do të transportonte dy anije hapësinore “ESCAPADE” të NASA-s drejt Marsit. Shtyrjen e misionit e konfirmoi vetë Blue Origin në X, duke deklaruar: “New Glenn është gati për lëshim. Megjithatë, për shkak të aktivitetit diellor veçanërisht të lartë dhe ndikimeve të mundshme në anijen ESCAPADE, NASA shtyn lëshimin derisa të përmirësohen kushtet në hapësirë.”

    NASA shpjegon se një stuhi diellore përbëhet nga shpërthime të grimcave, energjisë dhe fushave magnetike që hidhen nga Dielli dhe mund të shqetësojnë fushën magnetike të Tokës.

  • Shkencëtarët krijojnë “Internetin e Mendjeve”: Komunikim direkt mendje-mendje mes njerëzve

    Shkencëtarët krijojnë “Internetin e Mendjeve”: Komunikim direkt mendje-mendje mes njerëzve

    A mund të imagjinoni të lidheni me mendjen e dikujt tjetër—pa folur një fjalë të vetme? Vetëm duke menduar, të mund të dërgoni ose merrni mesazhe! Kjo që dikur dukej si fantashkencë, po bëhet realitet.

    Shkencëtarët kanë zhvilluar një sistem të quajtur BrainNet, që lejon tre trupa njerëzore të lidhen mes tyre. Në këtë sistem, dy persona mund të transmetojnë informacion tek një i tretë—vetëm përmes sinjaleve të trurit.

    Sistemi përdor elektroda EEG për të lexuar aktivitetin e trurit dhe TMS (stimulimi magnetik transkranial) për të futur mendime tek personi që merr mesazhin.

    Eksperimentet më të fundit treguan se ishte e mundur të transmetohej një mesazh që përmbante fjalë si “përshëndetje” nga India në Francë—vetëm mendje-mendje. Pa telefon. Pa internet. Vetëm fuqia e mendimit. Kjo sugjeron se truri i njeriut mund të lidhet një ditë me një rrjet të trurave të tjera, ashtu si pajisjet lidhen me internetin. Një lloj “Internet i Mendjeve” po lind—ku mendimet, informacioni dhe ndoshta edhe emocionet mund të ndahen direkt.

    Kjo teknologji revolucionare pritet të rishkruajë kufijtë e neuroshkencës, inteligjencës artificiale dhe komunikimit njerëzor. Një të ardhme ku mund të ndash menjëherë ide komplekse, dhimbje, gëzim apo njohuri përmes një lidhjeje mendore duket më afër se kurrë. Ndërsa është ende në faza të hershme, ky përparim mund të hapë dyert për një epokë të re të mendimit të lidhur, ku heshtja bëhet gjuha më e fuqishme.

  • Roboti Neo që bën punët e shtëpisë e gatuan në treg për 20 mijë dollarë

    Roboti Neo që bën punët e shtëpisë e gatuan në treg për 20 mijë dollarë

    Shekulli XXI po përjeton një epokë të re teknologjike, dhe duket se shpikja më mbresëlënëse e tij është roboti humanoid. Një prej tyre, i quajtur NEO, pritet të revolucionarizojë jetën e përditshme në shtëpi, duke e bërë më të lehtë dhe më inteligjente.

    Ky robot inovativ është zhvilluar nga kompania amerikane 1X, me bazë në Palo Alto të Kalifornisë, dhe tashmë mund të porositet nga konsumatorët.
    Çmimi për ta pasur në pronësi arrin në 20 mijë dollarë, ndërsa për ata që duan ta testojnë më parë, ekziston mundësia e abonimit mujor prej 499 dollarësh.

    NEO peshon vetëm 30 kilogramë, ka gjatësi 1.68 metra, dhe është në gjendje të mbajë ngarkesa deri në 25 kilogramë. Ai funksionon me teknologjinë e avancuar të Nvidia-s, ka bateri që zgjat deri në 4 orë, kamera fish-eye për shikim të gjerë dhe sistem audio të integruar për komunikim me përdoruesin.

    Në këtë fazë, roboti kryen detyra bazë si pastrimi, larja e rrobave dhe sistemimi i sendeve, ndërsa mund të trajnohet nga ekspertët e kompanisë për të mësuar edhe funksione të reja.

    Por aftësitë e NEO-s nuk ndalen këtu — ai mund të shërbejë si asistent personal inteligjent, duke ndihmuar në kërkimin e sendeve të humbura, sugjerimin e recetave të gatimit apo edhe mësimin e një gjuhe të huaj.

    Aktualisht, NEO është i vetmi robot humanoid i disponueshëm për publikun, duke shënuar një hap të madh drejt një të ardhmeje ku bashkëjetesa me robotët bëhet realitet.

  • Fluturon kriptomonedha Bitcoin/ Mbi 122 000 USD, shënohet rekordi i radhës

    Fluturon kriptomonedha Bitcoin/ Mbi 122 000 USD, shënohet rekordi i radhës

    Këtë të hënë, Bitcoin ka arritur një tjetër nivel historik, duke u tregtuar mbi 122,000 dollarë. Çmimi i kriptomonedhës më të madhe në botë shënoi 122,285 dollarë, duke shënuar një rritje të dukshme gjatë disa ditëve të fundit dhe duke thelluar rekordin e tij të mëparshëm.

    Gjatë ditës, vlera ka luhatur midis 117,784 dhe 122,394 dollarëve, me një trend të qartë rritës që duket se vazhdon.

    Sipas ekspertëve, kjo rritje e fortë është rezultat i një kombinimi faktorësh ekonomikë, politikë dhe teknologjikë, që kanë krijuar një klimë të favorshme për investime në kripto.

    Faktorët kryesorë për këtë rritje janë:

    1. Legjislacioni në SHBA: Po diskutohen dy projektligje të rëndësishme, Genius Act dhe Clarity Act, që synojnë të rregullojnë më mirë tregun e kriptomonedhave, veçanërisht lidhur me ETF-të dhe stablecoin-et. Këto iniciativa ofrojnë siguri për investitorët institucionalë, të cilët kanë filluar të hedhin miliarda dollarë në produktet e lidhura me Bitcoin.

    2. Adoptimi institucional: Kompani të mëdha dhe disa shtete po shtojnë Bitcoin në rezervat e tyre monetare, ndërsa ETF-të e miratuara më herët këtë vit po thithin një pjesë të madhe të kapitalit në qarkullim.

    3. Mbështetja qeveritare: Administrata aktuale në SHBA ka një qasje pro-teknologjisë dhe po promovon rregullime të favorshme për tregun e kriptove, duke rikthyer besimin e investitorëve pas disa vitesh pasigurie rregullatore.

    Analistët e tregut e konsiderojnë Bitcoinin në një fazë bullish, me mbështetje rreth 118,000 dollarëve dhe rezistencë të ardhshme midis 125,000–130,000 dollarëve. Nëse ky nivel kalon, çmimi mund të shkojë edhe më lart.

    Në një perspektivë afatgjatë, disa analistë dhe kompani si Galaxy Digital parashikojnë se deri në fund të vitit 2025 Bitcoin mund të arrijë 150,000 dollarë, ndërsa skenarët më optimistë flasin për 180,000–200,000 dollarë në vitet e ardhshme.

    Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se tregu i kriptomonedhave mbetet i ndjeshëm ndaj luhatjeve të forta. Çdo ndryshim në politikën monetare globale, incidente sigurie në bursat e kriptove apo vendime të papritura rregullatore mund të shkaktojnë korrigjime të menjëhershme.

    Bitcoin po hyn në një epokë të re, jo vetëm si një aktiv spekulativ, por si një pjesë gjithnjë e më e integruar e sistemit financiar global. Rritja mbi 122,000 dollarë tregon se kriptomonedhat janë bërë tashmë një komponent i rëndësishëm i financës botërore.

    Për ata që dëshirojnë të investojnë, dy platforma të sigurta janë Binance dhe CEX.io, të cilat pranojnë pagesa edhe nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

  • Samsung shtyn publikimin e Galaxy S26

    Samsung shtyn publikimin e Galaxy S26

    Fansat e telefonëve Samsung që mezi prisnin lançimin e Galaxy S26 duket se do të duhet të presin edhe pak më gjatë.

    Sipas raportimeve, kompania ka vendosur të shtyjë publikimin e modelit të ri, për shkak të disa faktorëve që po e vështirësojnë prodhimin dhe shpërndarjen në kohë.

    Një ndër arsyet kryesore mendohet të jetë ndryshimi në linjën e serisë kryesore Galaxy, që kërkon më shumë kohë për të prodhuar disa modele në sasi të mjaftueshme.

    Ndërkohë, një leak i ri nga “SammyPolice” ka zbuluar dizajnin e ri të kamerës së Galaxy S26 Ultra, duke ngjallur kureshtje mes adhuruesve të teknologjisë.

    Për më tepër, vendimi i Samsung për të anuluar modelin Galaxy S26 Edge, vetëm një vit pas prezantimit të S25 Edge, ka shtuar edhe më shumë spekulime për vonesa në prodhim dhe shpërndarje.

  • Google sjell veçori të reja për përdoruesit e Google Fi

    Google sjell veçori të reja për përdoruesit e Google Fi

    Google ka njoftuar përmirësime dhe veçori të reja për Google Fi Wireless.

    Një nga ndryshimet kryesore është përditësimi i thirrjeve dhe mesazheve në web, me një ndërfaqe të re që mbështet plotësisht mesazhet RCS. Kjo mundëson që përdoruesit të dërgojnë foto dhe video me cilësi të lartë në biseda, edhe kur telefoni i tyre nuk është pranë. Funksioni pritet të jetë i disponueshëm në fillim të dhjetorit, pa kosto shtesë.

    Nga mesi i nëntorit, Google Fi do të përdorë inteligjencën artificiale për të filtruar automatikisht zhurmat e padëshiruara dhe për të përmirësuar qartësinë e zërave në të dyja anët e thirrjes, madje edhe kur një pjesëmarrës përdor një telefon fikse ose të vjetër. Filtrimi aplikohet automatikisht, por mund të çaktivizohet plotësisht.

    Gjithashtu, Google Fi po zgjeron veçorinë Wi-Fi Auto Connect Plus, e cila lidh automatikisht telefonin me rrjete Wi-Fi të sigurta dhe me cilësi të lartë.