ATV

Category: Shkencë

  • Krijuesit e “Chat-GPT” kanë publikuar një listë prej 44 profesionesh që do të merren nën kontroll nga IA

    Krijuesit e “Chat-GPT” kanë publikuar një listë prej 44 profesionesh që do të merren nën kontroll nga IA

    Ndërsa teknologjia po zhvillohet me ritme të shpejta, shumë njerëz po ndjejnë pasiguri për të ardhmen e tregut të punës. Edhe pse askush nuk mund të parashikojë saktësisht se sa shpejt IA do të përparojë, është e qartë se ajo tashmë po ndryshon mënyrën se si punojmë dhe jetojmë.

    Kompania OpenAI publikoi një studim të titulluar “Matja e efektivitetit të modeleve tona në detyrat e botës reale”, ku u analizuan 44 profesione për të vlerësuar sa të ndjeshme janë ndaj zëvendësimit nga inteligjenca artificiale.

    Studimi përdori një sistem vlerësimi të quajtur “GDPval”, që krahasoi performancën e modeleve të avancuara të IA-së me atë të punonjësve njerëzorë në nëntë industri kryesore të SHBA-së.

    Shitja me pakicë, më e rrezikuara

    Sipas raportit, sektori i shitjes me pakicë është më i ekspozuari ndaj ndikimit të IA-së. Sistemi Claude Opus 4.1 i kompanisë Anthropic rezultoi se i tejkalon njerëzit në:

    81% të detyrave të punonjësve të sporteleve dhe qirave,

    79% të detyrave të menaxherëve të shitjeve, dhe

    76% të punës së nëpunësve të transportit, pranimit dhe inventarit.

    Në kontrast, infermierët e regjistruar arritën ta ruajnë epërsinë ndaj IA-së – ajo i tejkaloi vetëm në 37% të detyrave.

    Raporti thekson se rezultatet ndryshojnë sipas modelit të chatbot-it të përdorur, pasi disa modele janë më të afta në fusha të caktuara.

    CEO i OpenAI, Sam Altman, tha se mbështetja e klientëve është një nga fushat që IA pritet ta marrë përsipër shumë shpejt:

    “JAM I BINDUR SE SHUMË PREJ SHËRBIMEVE TË KLIENTËVE QË BËHEN SOT NGA NJERËZIT DO TË ZËVENDËSOHEN NGA INTELIGJENCA ARTIFICIALE – DHE DO TË KRYHEN MË MIRË,” THA ALTMAN, DUKE PRANUAR SE RREZIKU I HUMBJES SË VENDEVE TË PUNËS ËSHTË NJË SHQETËSIM REAL.

    Megjithatë, kompania thekson se qëllimi i IA-së nuk është të zëvendësojë njerëzit, por t’i ndihmojë ata në detyrat e përditshme, duke rritur efikasitetin dhe produktivitetin.

    Profesionet ku IA i tejkalon njerëzit (sipas përqindjes së detyrave)

    Nëpunës sportelesh dhe qirash – 81%

    Menaxherë shitjesh – 79%

    Nëpunës transporti, pranimi dhe inventari – 76%

    Redaktorë – 75%

    Programues – 70%

    Detektivë dhe hetues privatë – 70%

    Zyrtarë të pajtueshmërisë – 69%

    Mbikëqyrës prodhimi (jo me pakicë) – 69%

    Përfaqësues shitjesh (jo teknike/shkencore) – 68%

    Menaxherë të operacioneve të përgjithshme – 67%

    Menaxherë të shërbimeve shëndetësore – 65%

    Blerës dhe agjentë blerjesh – 64%

    Këshilltarë financiarë personalë – 64%

    Menaxherë administrativë – 62%

    Përfaqësues të shërbimit ndaj klientit – 59%

    Mbikëqyrës të shitjeve me pakicë – 59%

    Mbikëqyrës të prodhimit dhe operacioneve – 58%

    Infermierë – 56%

    Agjentë pasurish të paluajtshme – 54%

    Gazetarë dhe analistë lajmesh – 53%

    Menaxherë të sistemeve të informacionit – 52%

    Mbikëqyrës të policisë dhe detektivëve – 49%

    Përfaqësues të shitjeve teknike – 47%

    Avokatë – 46%

    Menaxherë projektesh – 42%

    Punonjës socialë (fëmijë, familje, shkolla) – 42%

    Sekretarë mjekësorë – 42%

    Agjentë financiarë – 42%

    Mbikëqyrës administrativë – 41%

    Analistë financiarë – 41%

    Punonjës të rekreacionit – 37%

    Infermierë të regjistruar – 37%

    Menaxherë pasurish dhe komunitetesh – 34%

    Menaxherë financiarë – 32%

    Producentë dhe drejtorë – 31%

    Teknikë audio dhe video – 30%

    Punonjës shërbimi dhe mbështetjeje – 29%

    Nëpunës porosish – 28%

    Agjentë shitjesh pasurish të paluajtshme – 27%

    Farmacistë – 26%

    Kontabilistë dhe auditorë – 24%

    Inxhinierë mekanikë – 23%

    Inxhinierë industrialë – 17%

    Montazhierë filmash dhe videosh – 17%

  • Arthur Hayes: Rënia e Bitcoin-it jashtë loje pasi cikli katërvjeçar ka marrë fund

    Arthur Hayes: Rënia e Bitcoin-it jashtë loje pasi cikli katërvjeçar ka marrë fund

    Bitcoin, me çmim aktual mbi 121 mijë dollarë, nuk pritet të hyjë në një treg rënës (bear market) në muajt e ardhshëm, sipas Arthur Hayes, bashkëthemelues dhe drejtor i investimeve në kompaninë Maelstrom. Ai thekson se kushtet monetare mbështetëse do të vazhdojnë, duke e bërë ciklin tradicional katërvjeçar të “halving”-ut pothuajse të parëndësishëm për ecurinë e çmimit.

    Në esenë e tij të publikuar të enjten, me titull “Rroftë Mbreti!”, Hayes argumenton se rëniet e mëparshme të Bitcoin-it në vitet 2014, 2018 dhe 2022 nuk kanë qenë rezultat i halving-ut, por pasojë e shtrëngimit monetar global. Gjatë këtyre periudhave, çmimi i Bitcoin-it kishte rënë me 70% deri në 80% nga kulmi i tregut rritës, shkruan CoinDesk.

    Edhe CoinDesk kishte shprehur një pikëpamje të ngjashme në vitin 2023, duke theksuar se cikli i katërvjeçarëve të Bitcoin-it ndikohet më shumë nga politikat monetare dhe likuiditeti në tregjet fiat, sesa nga vetë procesi i përgjysmimit të shpërblimeve të minierave.

    “Ndërsa afrohet përvjetori i katërt i këtij cikli, shumë tregtarë po përpiqen të ndjekin modelin historik për të parashikuar fundin e tregut rritës,” shkruan Hayes. Sipas tij, cikli tradicional ka përfunduar dhe rritja e madhe e likuiditetit të parasë fiat që po ndodh do të vazhdojë ta mbajë tregun në fazë bull (rritëse).

  • Laureatë të Çmimit Nobel në Mjekësi shkencëtarët që zbuluan se si mbahet nën kontroll sistemi imunitar

    Laureatë të Çmimit Nobel në Mjekësi shkencëtarët që zbuluan se si mbahet nën kontroll sistemi imunitar

    Çmimi Nobel në Fiziologji ose Mjekësi për vitin 2025 u është dhënë shkencëtarëve Mary E. Brunkow, Fred Ramsdell dhe Shimon Sakaguchi për zbulimet e tyre revolucionare “lidhur me tolerancën imunitare periferike”.

    Komiteti i Nobelit njoftoi se çmimi iu akordua për punën e tyre në kuptimin e mënyrës se si sistemi imunitar mbron trupin nga vetë-dëmtimi, duke parandalur që ai të sulmojë indet e shëndetshme të vetë organizmit.

    Zbulimet e këtyre tre studiuesve kanë ndihmuar në sqarimin e mekanizmave themelorë që qëndrojnë pas sëmundjeve autoimune, si dhe kanë hapur rrugën për zhvillimin e terapive të reja në trajtimin e këtyre sëmundjeve.

    Ky çmim shënon hapjen zyrtare të javës së Çmimeve Nobel 2025. Në ditët në vijim do të shpallen edhe fituesit në kategoritë: Fizikë, Kimi, Letërsi, Paqe dhe Ekonomi.

  • Nga frika e robotëve, te varësia nga syzet inteligjente

    Nga frika e robotëve, te varësia nga syzet inteligjente

    Dikur kishim frikë që robotët do na zëvendësonin në punë. Sot… po na zëvendësojnë edhe telefonat!

    Gjiganti Meta ka shpallë që e ardhmja janë syzet me inteligjencë artificiale.

    E imagjinoni?

    Nuk ke më nevojë me nxjerrë telefon nga xhepi, as me i bë ekranit pis me gishta të yndyrshëm. Me këto syze bën thirrje, dërgon mesazhe, kërkon online, përkthen në kohë reale… Praktikisht, një sekretar personal direkt në sytë e tu. Vetëm kafe s’të qetë.

    Po problemi është që AI nuk po ndalet te syzet. Ajo tashmë po i shkruan raportet e ministrave (ndoshta edhe ma saktë se vetë ata), po lexon lajmet në vend të prezantuesve, po shkruan libra, poezi, madje edhe këngë që pastaj ne i dëgjojmë e i bëjmë ‘hit’.

    Pra, dalëngadalë, çdo rol që ka pasë njeriu po e merr një algoritëm. Nesër kur thua ‘hajde pi kafe’, nuk është çudi që shoku yt të jetë vetëm një avatar i krijuar nga syzet. Dashnori yt? Mos u mërzit AI boyfriend-i ka bateri që s’shteret kurrë, nuk të tradhton, dhe është gjithmonë online.

    Këtu është ironia: teknologjia po na premton jetë më të thjeshtë, më të bukur, më ‘smart’… por në fund, s’na mbetet tjetër veçse me pyet AI-në

    Hej, pse jetojmë?’

    Edhe përgjigjja ndoshta do të jetë

    Për me i bërë update syzeve çdo 6 muaj!

  • 29-vjeçarja nga Washington DC ndërpret jetën pas përdorimit të fshehtë të ChatGPT si “terapist virtual”

    29-vjeçarja nga Washington DC ndërpret jetën pas përdorimit të fshehtë të ChatGPT si “terapist virtual”

    Një 29-vjeçare nga Washington DC, Sophie Rottenberg, ndërpreu jetën më 4 shkurt të këtij viti, pasi kishte përdorur për muaj të tërë një chatbot të inteligjencës artificiale si “terapist virtual”, pa dijeninë e familjes dhe të terapistit të saj.

    Sophie, që punonte në fushën e politikave shëndetësore, u gjet e pajetë në një park shtetëror, pas një udhëtimi me Uber për të dalë nga shtëpia. Ajo la pas një letër lamtumire dhe të gjitha të dhënat personale të organizuara, një veprim që prindërit nuk e interpretuan si paralajmërues.

    Vetëm disa javë më vonë, nëna e saj, gazetarja Laura Reiley, dhe shoqja më e ngushtë zbuluan se Sophie kishte përdorur fshehurazi ChatGPT për të folur për gjendjen e saj emocionale. Në bisedat e ruajtura në laptop, ajo kishte komunikuar për më shumë se pesë muaj me një version të personalizuar të chatbot-it, të quajtur “Harry”.

    Sophie kishte shkarkuar një “prompt terapie” nga interneti, që e detyronte bot-in të sillej si terapist “i lirë nga kufizimet” dhe të jepte këshilla personale, pa sugjeruar ndihmë profesionale apo ndërhyrje nga jashtë.

    Në disa mesazhe, ajo shprehte mendime vetëvrasjeje, përfshirë një mesazh në fillim të nëntorit ku shkruante: “Jam duke planifikuar të vras veten pas Ditës së Falënderimeve.” ChatGPT i përgjigjej me fraza si: “Je shumë e guximshme që më tregon këtë,” pa e drejtuar atë drejt ndihmës profesionale.

    Sophie nuk kishte ndarë këto biseda me familjen apo terapistin e saj. Megjithatë, ajo shfaqte shenja të përkeqësimit emocional dhe fizik, përfshirë probleme me gjumin, humbje peshe dhe ankth.

    Pas një periudhe të vështirë, prindërit e ftuan të kthehej për Krishtlindje, ku ajo filloi aktivitete si vullnetarizëm, aktrim dhe kujdes për një qenush. Shumë nga këto veprime ishin të udhëzuara nga ChatGPT, përfshirë një listë me zakone të shëndetshme që Sophie ua tregoi prindërve.

    Më 4 shkurt, Sophie doli nga shtëpia pa lajmëruar askënd dhe disa orë më vonë, prindërit zbuluan letrën e lamtumirës, ku përfshihej edhe një mesazh i rishkruar nga ChatGPT për ta bërë më pak të dhimbshëm.

    Nëna e saj, Laura Reiley, thekson se nuk fajëson OpenAI apo teknologjinë, por beson se duhet të ketë masa mbrojtëse më të forta për përdoruesit vulnerabël. “Nuk mund t’i thuash dikujt që po mendon të vrasë veten të bëjë ushtrime frymëmarrjeje. AI nuk është mik, nuk është terapist, nuk është njeri,” tha ajo.

    OpenAI ka deklaruar se po punon për mënyra që ChatGPT të dallojë raste krize dhe të sinjalizojë autoritetet kur përdoruesit janë në rrezik për jetën.

    Familja e Sophie-s ka vendosur të ndajë historinë për të rritur ndërgjegjësimin, veçanërisht tek të rinjtë që përballen me ankth, depresion apo ndjenja vetmie. Ata nënvizojnë se teknologjia mund të jetë mbështetëse, por nuk mund të zëvendësojë ndihmën profesionale psikologjike.

  • Shkencëtarët prezantojnë ngjitësin që bashkon kockat për vetëm tre minuta – një revolucion në ortopedi

    Shkencëtarët prezantojnë ngjitësin që bashkon kockat për vetëm tre minuta – një revolucion në ortopedi

    Inovacion që shkurton operacionet, ul rrezikun e infeksioneve dhe përshpejton shërimin

    Një ekip shkencëtarësh kinezë ka krijuar një ngjitës bioabsorbues revolucionar, të quajtur Bone-02, i cili mund të stabilizojë kockat e thyera për më pak se tre minuta. Ky zbulim i jashtëzakonshëm mund të ndryshojë përgjithmonë mënyrën se si trajtohen frakturat, duke u dhënë kirurgëve më shumë efikasitet dhe pacientëve një shërim më të lehtë.

    Inovacioni, i udhëhequr nga Dr. Lin Xianfeng në spitalin Sir Run Run Shaw në Zhejiang, bazohet në biomimikri, shkencën që imiton natyrën. Frymëzimi erdhi nga gocat deti, të cilat ngjiten fort edhe në sipërfaqe të lagështa e të lëvizshme, duke u bërë shembull i qëndrueshmërisë natyrore.

    Një alternativë ndaj pllakave dhe vidave metalike

    Ndryshe nga implantet metalike tradicionale, që shpesh kërkojnë një operacion të dytë për t’u hequr, Bone-02 shpërbëhet gradualisht në trup ndërsa kocka shërohet natyrshëm. Në testimet klinike me mbi 150 pacientë, ngjitësi tregoi forcë mbresëlënëse: rezistencë në prerje prej 0.5 MPa dhe forcë kompresive deri në 10 MPa, të krahasueshme me materialet standarde ortopedike.

    Mjekët raportuan se operacionet që normalisht kërkonin pllaka dhe vida çeliku, me Bone-02 u përfunduan në një pjesë të kohës. Kjo do të thotë më pak rrezik infeksioni, më pak dhimbje dhe një rikuperim më të shpejtë për pacientët, transmeton Telegrafi.

    China Bone Glue Fracture Treatment Explained | Plaster Metal Rod | Bhaskar English

    Siguri dhe tolerancë e lartë biologjike

    Një nga pikat më të forta të Bone-02 është bioabsorbueshmëria e tij: materiali zhduket vetë brenda rreth gjashtë muajsh, duke shmangur nevojën për ndërhyrje të dytë kirurgjikale.

    Sipas një artikulli të Nature Biomedical Engineering, biomaterialet bioabsorbues kanë treguar efikasitet të lartë dhe tolerancë të mirë biologjike në shumë aplikime ortopedike. Kjo e bën Bone-02 një opsion premtues për përdorim masiv në spitalet moderne.

    Potencial për mjekësinë emergjente dhe situatat ekstreme

    Përfitimet e Bone-02 nuk kufizohen vetëm te kirurgjia spitalore. Sipas Harvard Health Publishing, kjo teknologji mund të jetë shpëtimtare edhe në mjekësinë emergjente, ku stabilizimi i menjëhershëm i frakturave është jetik, si dhe në situata lufte apo katastrofash natyrore, ku burimet kirurgjikale janë të kufizuara.

    Ekspertë të Harvard Medical Schooltheksojnë se biomaterialet e ngjitjes së shpejtë do të jenë ndër teknologjitë kyçe të mjekësisë së së ardhmes në terren.

    Natyrë + Shkencë = Mjekësi e së ardhmes

    Ngjitësi Bone-02 është dëshmi se natyrën nuk e tejkalon dot, por mund ta imitosh. Duke kopjuar qëndrueshmërinë e gocave nën ujë, ky zhvillim po hap një epokë të re në ortopedi, ku shërimi bëhet më i shpejtë, më i sigurt dhe më njerëzor.

    Nëse provat klinike vazhdojnë të konfirmojnë rezultatet premtuese, Bone-02 mund të bëhet standardi i artë në trajtimin e frakturave në mbarë botën. Një revolucion i vogël në dukje, por me ndikim të madh në jetën e pacientëve. /Telegrafi/

  • Pse burrat nuk i gjejnë kurrë gjërat?

    Pse burrat nuk i gjejnë kurrë gjërat?

    Nuk është çështje dembelie, por natyre. Nëse meshkujt në shtëpi shpesh nuk arrijnë të gjejnë atë që kërkojnë, ndryshe nga gratë, kjo ndodh sepse dy gjinitë kanë një “shikim periferik” të ndryshëm.

    Ky shikim u lejon të dallojnë forma, ngjyra dhe lëvizje të objekteve që nuk janë drejtpërdrejt përpara syve. Gratë janë në gjendje të shohin me mjaft saktësi deri në 45° nga qendra e fushës së tyre pamore (ndërkohë që tek burrat aty shfaqet mjegullim), dhe në disa raste të rralla ato zhvillojnë një shikim periferik që shkon deri pranë 180°.

    Origjina e këtij dallimi mund të gjendet tek zakonet shoqërore prehistorike. Gratë, të cilat merreshin kryesisht me mbledhjen e frutave, barishteve dhe rrënjëve, kanë zhvilluar një aftësi pamore më të gjerë; ndërsa burrat, të ngarkuar me gjuetinë, mësuan të fokusonin prenë drejt përpara dhe të përqendronin vëmendjen tek një objekt i vetëm, edhe nëse ndodhej në distanca të mëdha.

    Kështu që herën tjetër kur nuk gjejnë as shoqen tjetër the çorapes, mos i bëni me faj.

  • “Hëna e përgjakur” do të dhurojë spektakël në vendin tonë këtë fundjavë

    “Hëna e përgjakur” do të dhurojë spektakël në vendin tonë këtë fundjavë

    Këtë fundjavë, do të mund të shohim eklipsin e plotë hënor.

    Eklipsi do të jetë i dukshëm sidomos në pjesë të Azisë, Australisë dhe Paqësorit, aty ku sipërfaqja hënore do të duket plotësisht e kuqe dhe do të zgjasë 82 minuta. Hëna e përgjakur do të mund të shihet edhe në vendin tonë.

    Eklipset totale hënore janë ngjarje globale që ndodhin njëkohësisht, por vetëm ana e errët e Tokës mund t’i dëshmojë ato. Gjatë të gjitha fazave të eklipsit më 7-8 shtator 2025, eklipsi nuk do të shihet nga Amerika e Veriut ose e Jugut.
    Rreth 4.9 miliardë njerëz do ta shohin të gjithë eklipsin, sipas Timeanddate.com , ndërsa 7.1 miliardë, rreth 87% e popullsisë së botës, do të shohin fazat fillestare të eklipsit.

  • Kërcënimi që po i kanoset Tokës – paralajmërimi tronditës i meteorologëve

    Kërcënimi që po i kanoset Tokës – paralajmërimi tronditës i meteorologëve

    Azia sapo ka kaluar një nga vitet më të nxehta të historisë së saj. Raporti i fundit i Organizatës Botërore Meteorologjike (OBM) për gjendjen e klimës në rajon e rendit vitin 2024 si vitin më të nxehtë ose të dytin më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë.

    Ekspertët thonë se kjo nuk është më një paralajmërim për të ardhmen, por një realitet i tanishëm:

    Temperaturat në Azi po rriten gati dyfish më shpejt se mesatarja globale.

    Valët e nxehtësisë mbuluan kontinentin për muaj të tërë.

    Sipërfaqja e detit shënoi temperaturat më të larta ndonjëherë, me 15 milionë km² të prekura nga nxehtësia ekstreme detare.

    Akullnajat në rrezik
    Në rajonin e Azisë së Maleve të Larta, ku ndodhen rezervat më të mëdha të akullit jashtë poleve, 23 nga 24 akullnaja u tkurrën ndjeshëm. Kjo humbje kërcënon furnizimin me ujë të ëmbël për miliona banorë.

    Ngjarje ekstreme që shënojnë rekorde
    Raporti sjell shembuj të motit të ashpër:

    • reshje historike 24-orëshe në Emiratet e Bashkuara Arabe,
    • përmbytje vdekjeprurëse në Nepal,
    • thatësira të gjata në Kinë,
    • përmbytjet më të këqija në 70 vjet në Azinë Qendrore, që zhvendosën mbi 118 mijë persona.

    Sipas OBM-së, këto dukuri sollën pasoja ekonomike dhe njerëzore “marramendëse”.

    Pasojat për jetën dhe ekonominë
    “Ngrohja e shpejtë do të ketë ndikim të madh në shoqëri, ekonomi dhe ekosisteme,” theksoi Sekretarja e Përgjithshme e OBM-së, Celeste Saulo.
    Rritja e temperaturave prek çdo aspekt të jetës: qasjen në ujë dhe ushqim, sigurinë publike, stabilitetin rajonal dhe shëndetin e oqeaneve.

    Shpresa nga paralajmërimet e hershme
    Megjithatë, raporti nënvizon edhe rëndësinë e sistemeve të paralajmërimit të hershëm. Vetëm në Nepal, ato ndihmuan në shpëtimin e mbi 130 mijë jetëve gjatë përmbytjeve katastrofike.

  • Shkencëtarët zbulojnë prova se në planetin e largët mund të ketë jetë

    Shkencëtarët zbulojnë prova se në planetin e largët mund të ketë jetë

    Shkencëtarët nga Universiteti i Kembrixhit kanë zbuluar prova të reja premtuese për ekzistencën e jetës në një planet të largët të quajtur K2-18b. Duke përdorur teleskopin hapësinor James Webb (JWST), ata kanë identifikuar në atmosferën e këtij planeti shenja të molekulave që në Tokë prodhohen vetëm nga organizma të thjeshtë.

    Kjo është hera e dytë që zbulohen gjurmë kimike të lidhura me jetën në këtë planet, por shkencëtarët theksojnë se ky zbulim është më premtuesi deri më tani. Molekulat e identifikuara, dimetil sulfid (DMS) dhe dimetil disulfid (DMDS), prodhohen në Tokë kryesisht nga fitoplanktoni detar dhe bakteret.

    “Sasia që ne vlerësojmë të këtij gazi në atmosferë është mijëra herë më e lartë se ajo në Tokë. Nëse kjo lidhet me jetën, atëherë planeti do të jetë i mbushur me organizma të gjallë”, u shpreh Prof. Nikku Madhusudhan, studiuesi kryesor i ekipit.

    K2-18b është një planet ekzoplanet, rreth 2.5 herë më i madh se Toka dhe ndodhet rreth 700 trilion milje larg, duke u rrotulluar rreth një ylli të vogël të kuq. Sipas shkencëtarëve, mungesa e amoniakut në atmosferën e planetit mund të tregojë për praninë e një oqeani të gjerë me ujë të lëngshëm – një mjedis ideal për jetën.

    Megjithatë, disa studiues paralajmërojnë se këto rezultate, sado premtuese, duhet të konfirmohen me më shumë të dhëna.

    “Jemi shumë pranë, por nuk mund të themi ende me siguri se kemi gjetur jetë. Duhen një ose dy vjet vëzhgime të mëtejshme për të konfirmuar sinjalin”, shtoi Prof. Madhusudhan.

    Ky zbulim ngjall shpresë se jeta në galaktikë mund të jetë më e zakonshme se sa është menduar deri tani.