ATV

Category: Shkencë

  • Astronomët zbulojnë kuazarin më të largët dhe më të lashtë të njohur në univers

    Astronomët zbulojnë kuazarin më të largët dhe më të lashtë të njohur në univers

    Teleskopi hapësinor Euclid ka zbuluar kuazarin më të largët dhe më të lashtë të identifikuar deri më tani, një objekt kozmik i fuqizuar nga një vrimë e zezë supermasive me masë rreth 360 milionë herë më të madhe se ajo e Diellit.

    Objekti, i emërtuar J1504+6252 dhe i pagëzuar me emrin Dún Aonghasa, vëzhgohet në një periudhë kur universi ishte vetëm rreth 630 milionë vjet i vjetër, afërsisht 13.1 miliardë vjet më parë. Zbulimi shënon një rekord të ri, duke e çuar kufirin e vëzhgimit të kuazarëve rreth 40 milionë vjet më tej në të kaluarën, krahasuar me rekordin e mëparshëm.

    Kuazarët janë bërthama jashtëzakonisht të ndritshme të galaktikave, të fuqizuara nga vrima të zeza supermasive që thithin gaz dhe pluhur përreth tyre. Materiali që grumbullohet në diskun e akrecionit nxehet në temperatura ekstreme dhe lëshon sasi të mëdha energjie, duke bërë që kuazari, në disa raste, të shkëlqejë më shumë se të gjitha yjet e galaktikës përreth të marrë së bashku.

    Një vrimë e zezë masive në universin e hershëm

    Kuazari Dún Aonghasa u identifikua nga miliona objekte të analizuara në të dhënat e mbledhura nga teleskopi Euclid gjatë rreth 18 muajve të vëzhgimeve. Zbulimi u konfirmua më pas përmes një fushate të gjerë vëzhgimesh nga teleskopë tokësorë dhe hapësinorë, përfshirë W.M. Keck Observatory, Large Binocular Telescope Observatory, Hubble dhe James Webb.

    Ishte teleskopi James Webb ai që përcaktoi se vrima e zezë në qendër të këtij kuazari ka një masë prej rreth 360 milionë masash diellore.

    Ajo që e bën këtë objekt veçanërisht interesant për astronomët është masa e tij e jashtëzakonshme, e arritur në një periudhë shumë të hershme të historisë së universit. Modelet teorike sugjerojnë se vrimave të zeza u nevojitet një periudhë e gjatë ushqimi me materie dhe bashkimi me vrima të tjera të zeza për të arritur masa prej miliona apo miliarda herë më të mëdha se Dielli.

    Megjithatë, Dún Aonghasa duket se po konsumon material relativisht ngadalë në kohën kur po vëzhgohet. Kjo sugjeron se fazat më intensive të rritjes së tij kanë ndodhur më herët, duke ngritur pikëpyetje të reja mbi mënyrën se si vrimat e zeza supermasive u formuan dhe u rritën kaq shpejt në universin e hershëm.

    Një dritare drejt epokës së parë të galaktikave

    Vëzhgimi i Dún Aonghasa-s i mundëson astronomëve të studiojnë një periudhë kyçe të historisë kozmike, kur yjet dhe galaktikat e para po formoheshin dhe universi po kalonte nga epoka e errët drejt një faze ku drita mund të përhapej më lirshëm.

    Teleskopi Euclid, i lëshuar në vitin 2023 nga Agjencia Evropiane e Hapësirës (ESA), ka si mision kryesor studimin e materies së errët dhe energjisë së errët, të cilat së bashku përbëjnë rreth 95% të përmbajtjes së përgjithshme të materies dhe energjisë në univers.

    Megjithatë, aftësitë e tij për të vëzhguar zona të mëdha të qiellit dhe për të zbuluar objekte jashtëzakonisht të largëta po e shndërrojnë Euclid në një instrument të rëndësishëm edhe për studimin e kuazarëve dhe vrimave të zeza.

    Sipas ESA-s, teleskopi ka identifikuar tashmë 31 kuazarë të lashtë, ndërsa 12 prej tyre ndodhen përtej kufirit të zhvendosjes drejt së kuqes (redshift) prej 7, duke përfaqësuar një avancim të rëndësishëm në vëzhgimin e universit të hershëm.

    Zbulimi i Dún Aonghasa-s, i publikuar në revistën shkencore Astronomy & Astrophysics, mund të ndihmojë astronomët të kuptojnë më mirë se si vrimat e zeza supermasive arritën të formoheshin dhe të rriteshin në një kohë kaq të shkurtër pas Big Bengut.

  • BepiColombo arrin orbitën e Mërkurit pas 8 vitesh

    BepiColombo arrin orbitën e Mërkurit pas 8 vitesh

    Sonda hapësinore BepiColombo ka arritur të hyjë në orbitën e Mërkurit pas një udhëtimi tetëvjeçar, duke kapërcyer një problem teknik që ndërpreu manovrën kryesore të frenimit. Pavarësisht ndërprerjes së papritur, misioni konfirmoi se sonda është në një orbitë të qëndrueshme rreth planetit dhe do të vazhdojë përgatitjet për fazën shkencore.

    BepiColombo është mision i përbashkët i Agjencisë Evropiane të Hapësirës (ESA) dhe Agjencisë Japoneze të Eksplorimit të Hapësirës (JAXA), i nisur në tetor të vitit 2018. Pas tetë vitesh udhëtim dhe manovrash të shumta në hapësirë, sonda arriti një nga momentet më të rëndësishme të misionit më 21 nëntor 2026.

    Manovra e hyrjes në orbitën e Mërkurit nisi sipas planit, me një ndërprerje të përkohshme të komunikimit me qendrën e kontrollit në Qendrën Evropiane të Operacioneve Hapësinore (ESOC), në Darmstadt të Gjermanisë. Gjatë kalimit pranë planetit, BepiColombo aktivizoi katër shtytësit kryesorë, të cilët duhej ta ngadalësonin sondën për ta vendosur në orbitën e Mërkurit.

    Manovra ishte planifikuar të zgjaste rreth 37 minuta, ndërsa sonda kaloi vetëm 635 kilometra mbi sipërfaqen e planetit.

    Një problem teknik ndërpreu manovrën

    Kur komunikimi me sondën u rikthye, ekipet e ESA-s konstatuan se manovra ishte ndërprerë automatikisht dhe BepiColombo kishte kaluar në modalitetin e sigurisë (safe mode), ku aktivitetet jo thelbësore ndalen për të mbrojtur sistemet e sondës.

    Analiza e të dhënave të trajektores tregoi se sonda kishte përfunduar vetëm rreth 77% të ndryshimit të planifikuar të shpejtësisë.

    “Kur e gjetëm Bepi-n në modalitetin e sigurisë, ishte sikur të ndiznim një çelës. Të gjithë u përqendruan në të kuptuarit e asaj që kishte ndodhur”, deklaroi Ignacio Tanco, drejtor i operacioneve të fluturimit të BepiColombo-s në ESA.

    Sipas ESA-s, problemi është identifikuar si një gabim softuerik që lidhet me sistemet e orientimit dhe kontrollit të shtytësve. Hetimi për shkaqet e sakta të anomalise është ende në vazhdim.

    Megjithatë, pas analizimit të të dhënave të trajektores, ekipet e misionit konfirmuan se BepiColombo kishte arritur të sigurojë orbitën rreth Mërkurit. Konfirmimi përfundimtar erdhi rreth gjashtë orë pas nisjes së manovrës.

    Manovra të tjera për orbitën e duhur

    Gjatë javëve dhe muajve të ardhshëm, BepiColombo do të kryejë manovra të tjera të kontrolluara me shtytës, për të rregulluar gradualisht orbitën e saj dhe për të arritur pozicionin optimal për vëzhgimet shkencore.

    ESA e krahasoi procesin me frenimin e një automjeti në momentin e duhur, për të arritur pikën optimale të manovrës. Kryerja e disa manovrave më të shkurtra, në vend të një manovre të vetme të gjatë, ndihmon në kursimin e karburantit dhe lejon ekipin e dinamikës së fluturimit të përshtatë çdo manovër sipas trajektores reale të sondës.

    Sipas ESA-s, ndërprerja e manovrës nuk ka ndikuar në planin e ndarjes së dy sondave shkencore, i cili mbetet i paraparë për 9 dhjetor 2026.

    Dy sonda do të studiojnë Mërkurin

    Më 9 dhjetor, BepiColombo pritet të lëshojë dy instrumente kryesore të misionit, të cilat do të kryejnë vëzhgime të specializuara të planetit.

    Sonda Mercury Planetary Orbiter (MPO), e zhvilluar nga ESA, do të vazhdojë manovrat për të arritur orbitën e saj përfundimtare, të planifikuar për mars të vitit 2027. Operacionet shkencore pritet të fillojnë në prill 2027, me studime mbi strukturën e brendshme, sipërfaqen dhe mjedisin hapësinor të Mërkurit.

    Sonda e dytë, Mercury Magnetospheric Orbiter (Mio), e zhvilluar nga JAXA, do të fokusohet në studimin e magnetosferës së Mërkurit, pluhurit ndërplanetar dhe fushave elektrike që rrethojnë planetin.

    Arritja e BepiColombo-s në orbitën e Mërkurit shënon një etapë të rëndësishme për misionin, i cili synon të zbulojë më shumë për një nga planetët më pak të eksploruar të Sistemit Diellor.

  • Shkencëtarët zbulojnë një gjendje të re kuantike në temperaturë dhome

    Shkencëtarët zbulojnë një gjendje të re kuantike në temperaturë dhome

    Një bashkëpunim mes studiuesve nga disa institucione evropiane ka arritur të vëzhgojë një gjendje të rrallë kuantike të materies, të njohur si supersolid, në temperaturë dhome. Zbulimi u realizua përmes një kondensati Bose-Einstein të eksitone-polaritoneve dhe mund të hapë rrugën për zhvillimin e pajisjeve të reja fotonike kuantike.

    Supersolidi është një gjendje e pazakontë e materies, në të cilën bashkohen dy veti që në pamje të parë duken të papajtueshme: struktura e rregullt e një trupi të ngurtë dhe vetitë e një superfluidi.

    Një superfluid është një gjendje e materies në të cilën lëngu humbet viskozitetin dhe mund të rrjedhë pa rezistencë. Ideja se kjo veti mund të ekzistojë njëkohësisht me një strukturë të ngjashme me kristalin u propozua nga fizikanët që në vitet 1960. Megjithatë, supersolidi u vëzhgua eksperimentalisht për herë të parë në vitin 2017, në kondensate Bose-Einstein të atomeve të ftohura në temperatura jashtëzakonisht të ulëta.

    Këtë herë, studiuesit ndoqën një qasje tjetër, duke përdorur dritën dhe ndërveprimin e saj me materien për të krijuar kushtet e nevojshme për këtë gjendje kuantike në temperaturë dhome.

    Si u krijua gjendja e re kuantike?

    Ekipi kërkimor përfshiu shkencëtarë nga Universiteti i Varshavës, Universiteti Ushtarak i Teknologjisë në Poloni, IBM Research Zurich dhe Qendra Kombëtare Franceze për Kërkime Shkencore (CNRS).

    Në eksperiment, studiuesit përdorën një mikrorezonator optik, ku drita dhe materia ndërveprojnë fuqishëm. Ky sistem mundësoi krijimin e eksitone-polaritoneve, grimca hibride që formohen nga bashkëveprimi i fotoneve me eksitonet, të cilat janë gjendje të lidhura të elektroneve dhe vrimave në një material.

    Mikrorezonatori optik përmbante një kristal të lëngshëm të projektuar posaçërisht dhe ishte i veshur me një gjysmëpërçues organik. Kjo strukturë mundësoi krijimin e eksitone-polaritoneve edhe në temperaturë dhome.

    Edhe pse këto grimca ekzistojnë vetëm për disa pikosekonda, kjo kohë është e mjaftueshme për të formuar një kondensat Bose-Einstein, i cili shfaq sjellje kuantike të ngjashme me atë të një superfluidi.

    Kalimi drejt gjendjes supersolid u identifikua përmes vijave të ndritshme të dritës, të emetuara nga kampioni dhe të vendosura në intervale të rregullta.

    Një fenomen që dëshmon thyerjen spontane të simetrisë

    Një nga rezultatet më interesante të eksperimentit ishte se çdo impuls lazeri që aktivizonte kampionin prodhonte vija të ndritshme në pozicione të ndryshme.

    Sipas studiuesve, ky fenomen është një shembull i qartë i thyerjes spontane të simetrisë. Në këtë proces, një sistem mund të zgjedhë vetvetiu njërën prej disa gjendjeve të mundshme, edhe kur ato janë teorikisht të barasvlershme.

    Studiuesit vëzhguan gjithashtu dy forma të ndryshme të rendit që ekzistonin njëkohësisht: njëra lidhej me polarizimin, ndërsa tjetra me intensitetin e dritës.

    Këto vëzhgime përputhen me parashikimet teorike për sjelljen e një supersolidi dhe ofrojnë një mënyrë të re për të studiuar fazat kuantike të dritës dhe materies.

    Eksperimenti që kërkoi kushte të veçanta

    Realizimi i këtij studimi nuk ishte i lehtë. Gjysmëpërçuesi organik reagonte me kristalin e lëngshëm, prandaj studiuesit duhej t’i përfundonin matjet brenda vetëm disa orësh nga montimi i kampionit.

    Çdo përsëritje e eksperimentit kërkonte përgatitjen e një kampioni të ri, duke e bërë procesin më kompleks.

    IBM Research Zurich u angazhua në kryerjen e matjeve dhe depozitimin e shtresave të holla të gjysmëpërçuesit organik mbi strukturat fotonike të prodhuara nga Universiteti Ushtarak i Teknologjisë në Poloni.

    Megjithëse IBM kishte përvojë të gjatë me filma gjysmëpërçues organikë dhe kishte arritur më parë të vëzhgonte kondensate Bose-Einstein në këto materiale, bashkëpunimi me një mikrorezonator që përmban kristal të lëngshëm përbënte një sfidë të re.

    Çfarë do të thotë ky zbulim për teknologjinë?

    Shumica e eksperimenteve që studiojnë gjendje ekzotike kuantike të materies kërkojnë temperatura shumë pranë zeros absolute, ku lëvizja termike e grimcave është jashtëzakonisht e ulët.

    Rezultati i ri tregon se sisteme të caktuara fotonike mundësojnë vëzhgimin e fenomeneve të tilla edhe në temperaturë dhome. Sipas Wiktor Piecek, profesor në Universitetin Ushtarak të Teknologjisë, mikrorezonatorët me kristale të lëngshme mund të funksionojnë edhe në temperatura që i afrohen 60 gradë Celsius.

    Një tjetër veçori e rëndësishme është mundësia e kontrollimit të vetive të mikrorezonatorit përmes një tensioni të jashtëm elektrik. Kjo e bën sistemin të përshtatshëm për studime të mëtejshme dhe mund të ndihmojë në zhvillimin e pajisjeve fotonike kuantike më praktike.

    Gjetjet e studimit janë publikuar në revistën shkencore Science Advances, duke ofruar një drejtim të ri për kërkimet mbi ndërveprimin mes dritës dhe materies, si dhe për aplikimet e mundshme të teknologjive kuantike.

  • Planeti me lavë mund të ketë re minerale, zbulon James Webb

    Planeti me lavë mund të ketë re minerale, zbulon James Webb

    Teleskopi James Webb zbulon se TOI-561 b mund të ketë një atmosferë reflektuese dhe re minerale që ndihmojnë në ruajtjen e saj.

    Një planet shkëmbor jashtë sistemit tonë diellor, i mbuluar nga një oqean shkëmbinjsh të shkrirë, mund të ketë një atmosferë të pasur me re minerale që reflektojnë pjesën më të madhe të dritës së yllit të tij. Zbulimi, i bazuar në vëzhgimet e teleskopit hapësinor James Webb, po sfidon pritshmëritë shkencore për mënyrën se si planetët jashtëzakonisht të nxehtë mund ta ruajnë atmosferën e tyre.

    Planeti, i njohur si TOI-561 b, është aq afër yllit të tij saqë kushtet në sipërfaqe janë ekstreme. Megjithatë, të dhënat e reja sugjerojnë se ai mund të jetë i rrethuar nga një atmosferë reflektuese, ku mund të formohen re të përbëra nga minerale silikate, të njëjtat familje përbërjesh që përfshin kuarci dhe rëra.

    Studimi u realizua nga një ekip ndërkombëtar astronomësh, ku bëjnë pjesë profesoresha e fizikës dhe astronomisë në Universitetin e Waterloo-s, Lisa Dang, dhe studiues të tjerë. Rezultatet u publikuan në revistën shkencore The Astronomical Journal.

    Teleskopi James Webb vëzhgoi planetin për 37 orë

    Për të kuptuar më mirë karakteristikat e TOI-561 b, studiuesit përdorën teleskopin hapësinor James Webb (JWST) për ta vëzhguar sistemin për rreth 37 orë, duke regjistruar pothuajse katër orbita të plota të planetit rreth yllit të tij.

    Ekipi analizoi ndryshimet në shkëlqimin dhe nxehtësinë e planetit gjatë orbitës. Kjo teknikë, e njohur si kurba e fazës (phase curve), u mundësoi astronomëve të studionin ndryshimet midis anës së ndriçuar nga ylli dhe anës që qëndron larg dritës së drejtpërdrejtë.

    Matjet zbuluan se ana e ndriçuar e planetit është dukshëm më e ftohtë nga sa pritej për një sipërfaqe shkëmbore të zhveshur dhe të errët, kaq pranë një ylli. Vëzhgimet e anës së natës treguan se ajo nuk është mjaftueshëm e ngrohtë për ta shpjeguar të gjithë këtë ndryshim.

    Sipas analizës së ekipit, TOI-561 b reflekton afërsisht 75 për qind të dritës së yllit që e godet, një nivel reflektimi i krahasueshëm me atë të Venusit.

    Këto rezultate tregojnë se planeti mund të ketë një atmosferë që jo vetëm reflekton rrezatimin, por edhe ndihmon në shpërndarjen e nxehtësisë nga ana e ditës drejt anës së natës.

    Retë silikate mund të veprojnë si krem mbrojtës ndaj rrezatimit

    Për të shpjeguar reflektimin e lartë, studiuesit krahasuan të dhënat e teleskopit me modele kompjuterike të klimës së planetit.

    Modelet sugjerojnë se në atmosferën e TOI-561 b mund të formohen re të përbëra nga minerale silikate, përfshirë dioksidin e silikonit (SiO₂) dhe silikatin e magnezit (MgSiO₃).

    Këto re mund të reflektojnë një pjesë të madhe të rrezatimit të yllit përpara se ai të përthithet nga sipërfaqja. Në këtë mënyrë, ato do të ndihmonin në uljen e temperaturës së planetit, duke vepruar si një lloj kremi mbrojtës ndaj rrezatimit.

    Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se retë minerale nuk janë identifikuar drejtpërdrejt në imazhe. Ekzistenca e tyre është një shpjegim i mundshëm i mbështetur nga modelet klimatike dhe të dhënat e vëzhgimit.

    Nëse kjo hipotezë konfirmohet, retë mund të luajnë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e atmosferës. Duke reflektuar dritën dhe duke kufizuar energjinë që përthithet nga planeti, ato mund të ndihmojnë në mbrojtjen e gazrave atmosferikë nga humbja në hapësirë.

    Një oqean shkëmbinjsh të shkrirë mund ta ushqejë atmosferën

    TOI-561 b është një ekzoplanet me një sipërfaqe që besohet të jetë e mbuluar nga një oqean global shkëmbinjsh të shkrirë. Ky mjedis ekstrem mund të jetë gjithashtu pjesë e shpjegimit se si planeti e ka ruajtur atmosferën për miliarda vjet.

    Gazrat që çlirohen nga brendësia e shkrirë e planetit mund të furnizojnë vazhdimisht atmosferën me material të ri. Ky proces do të ndihmonte në kompensimin e humbjeve të gazrave të shkaktuara nga rrezatimi intensiv i yllit.

    Gjetjet e reja mbështesin studimet e mëparshme që kishin ofruar dëshmi për praninë e një atmosfere të dendur rreth këtij planeti. Megjithatë, mënyra se si ajo është formuar dhe si ka mbijetuar për një periudhë kaq të gjatë mbetet ende një çështje e hapur për astronomët.

    Shkencëtarët ende nuk e dinë përbërjen e atmosferës

    Një nga pyetjet kryesore është se nga cilët gazra përbëhet atmosfera e TOI-561 b. Një mundësi është që ajo të dominohet nga dioksidi i karbonit, duke i ngjarë atmosferës së Venusit, por në temperatura shumë më të larta.

    Një tjetër mundësi është prania e sasive të mëdha të dioksidit të squfurit, një gaz që lidhet me aktivitetin vullkanik në hënën e Jupiterit, Io.

    Vëzhgime të tjera me teleskopin James Webb, veçanërisht në gjatësi vale më të mëdha, mund t’i ndihmojnë studiuesit të dallojnë përbërësit e atmosferës dhe të kuptojnë më mirë vetitë e saj.

    Për studiuesit, ky planet përfaqëson një mundësi të rëndësishme për të kuptuar se si planetët shkëmborë mund ta ruajnë atmosferën edhe kur ekspozohen ndaj kushteve që, sipas pritshmërive tradicionale, do të duhej ta zhduknin atë.

    Studimi shkencor: Samuel Boucher et al., “A Highly Reflective Atmosphere on the Lava World TOI-561b Revealed by JWST/NIRSpec Phase Curves”, The Astronomical Journal (2026).

    DOI: 10.3847/1538-3881/ae9763

    Revista shkencore: The Astronomical Journal

  • Dritë diellore gjatë natës: Projekti amerikan për pasqyrat në hapësirë ngjall shqetësime

    Dritë diellore gjatë natës: Projekti amerikan për pasqyrat në hapësirë ngjall shqetësime

    Banorët e një zone rurale në Kaliforni të SHBA-së u befasuan së fundmi nga një dritë jashtëzakonisht e fortë që ndriçonte peizazhin gjatë natës. Ajo që dukej si një fenomen i pazakontë ishte në fakt pjesë e një demonstrimi teknologjik të një kompanie amerikane, e cila synon të përdorë pasqyra gjigante në hapësirë për të reflektuar dritën e Diellit drejt Tokës edhe pas perëndimit.

    Kompania startup Reflect Orbital ka një plan ambicioz për të vendosur deri në 50,000 satelitë me pasqyra në orbitën e Tokës gjatë dekadës së ardhshme. Synimi është që, përmes reflektimit të dritës diellore, të ndriçohen zona të caktuara të planetit gjatë natës.

    Megjithatë, projekti ka ngjallur kritika nga astronomët, ambientalistët dhe shkencëtarët, të cilët paralajmërojnë se ndryshimi i ritmit natyror të dritës dhe errësirës mund të ketë pasoja për ekosistemet, shëndetin e njerëzve dhe vëzhgimin e qiellit.

    Si funksionojnë pasqyrat gjigante në hapësirë?

    Në korrik, Komisioni Federal i Komunikimeve i SHBA-së (FCC) miratoi propozimin për lëshimin e një sateliti demonstrues, të planifikuar për vitin e ardhshëm.

    Sipas planit, sateliti do të përdorë një pasqyrë me diametër rreth 18 metrash për të reflektuar dritën e Diellit në zona të caktuara të Tokës. Rrezja e reflektuar synohet të mbulojë një zonë me gjerësi rreth 4.8 kilometrash, me intensitet që mund të variojë nga ndriçimi i ngjashëm me dritën e Hënës deri te nivele shumë më të forta.

    Ilustrim i satelitit me pasqyrë që reflekton dritën e Diellit drejt Tokës gjatë natës
    Projekti Reflect Orbital synon të përdorë pasqyra në orbitë për të reflektuar dritën diellore drejt Tokës gjatë natës.

    Për të demonstruar se si do të dukej kjo teknologji në praktikë, kompania organizoi një test pranë qytetit Lone Pine, në rajonin e Sierra Nevada-s, në Kaliforni. Në këtë demonstrim u përdorën burime të fuqishme ndriçimi të vendosura pranë malit Whitney, për të simuluar efektin e synuar nga projekti.

    Disa banorë u befasuan nga intensiteti i dritës, të cilën njëri prej tyre e përshkroi si verbuese.

    Sipas kompanisë, demonstrimi synonte të tregonte se si teknologjia mund të përdoret në operacionet e kërkim-shpëtimit, veçanërisht gjatë natës. Ndër përdorimet e tjera të mundshme përmenden ndriçimi i zonave bujqësore, zëvendësimi i përkohshëm i ndriçimit rrugor të dëmtuar dhe mbështetja e operacioneve ushtarake.

    Reflect Orbital thotë se ekipet e kërkim-shpëtimit mund të jenë ndër klientët e parë dhe se do të vazhdojë të bashkëpunojë me komunitetet lokale dhe autoritetet.

    Shkencëtarët paralajmërojnë për ndikimin në natyrë

    Pavarësisht përfitimeve të mundshme, projekti po kundërshtohet nga organizata mjedisore dhe astronomë, të cilët shqetësohen se pasqyrat orbitale mund të ndryshojnë kushtet natyrore të natës.

    Shumë specie të kafshëve, përfshirë zogjtë, insektet dhe gjitarët, mbështeten te cikli natyror i dritës dhe errësirës për të gjetur ushqim, për t’u strehuar dhe për t’u riprodhuar. Ndryshimi i këtij cikli mund të ndikojë në sjelljen e tyre dhe të prishë ekuilibrat ekologjikë.

    Jan Hasselman, avokat i lartë në organizatën mjedisore Earthjustice, e ka kritikuar ashpër projektin, duke argumentuar se ekzistojnë shumë pyetje të pazgjidhura dhe rreziqe të mundshme.

    Sipas tij, përpara se të autorizohet një ndërhyrje e kësaj shkalle në qiellin e natës, nevojitet një analizë e plotë shkencore dhe një diskutim më i gjerë publik.

    Në gusht, katër organizata, të përfaqësuara nga Earthjustice, i kërkuan FCC-së të rishqyrtonte miratimin e dhënë. Ato ngritën shqetësime për ndikimin e mundshëm të satelitëve reflektues, të cilët planifikohet të operojnë në lartësi prej rreth 645 kilometrash mbi sipërfaqen e Tokës.

    Rrezik për astronominë dhe shëndetin e njerëzve

    Një tjetër shqetësim lidhet me ndotjen nga drita dhe pasojat për astronominë. Reflektimi i dritës diellore drejt Tokës gjatë natës mund ta bëjë më të vështirë vëzhgimin e yjeve dhe objekteve të largëta qiellore.

    Astronomët paralajmërojnë gjithashtu se zgjerimi i projekteve të këtij lloji mund të shtojë numrin e satelitëve në orbitë, duke krijuar më shumë pengesa për vëzhgimet shkencore dhe duke rritur shqetësimet për mbetjet hapësinore.

    Ndikimi i mundshëm nuk kufizohet vetëm te natyra dhe astronomia. Ekspozimi ndaj dritës gjatë natës mund të ndërhyjë në ritmin cirkadian, mekanizmin biologjik që ndihmon organizmin të rregullojë ciklin e gjumit dhe zgjimit.

    Gjithashtu, shikimi i drejtpërdrejtë drejt burimeve shumë të forta të dritës mund të përbëjë rrezik për sytë, në varësi të intensitetit dhe kushteve të ekspozimit.

    Për këtë arsye, shkencëtarët kërkojnë që ndikimet e mundshme të vlerësohen përpara se teknologjia të përdoret në shkallë të gjerë.

    A mund të ndihmojë projekti në luftën kundër ndryshimeve klimatike?

    Reflect Orbital argumenton se teknologjia mund të sjellë përfitime edhe për mjedisin. Sipas kompanisë, reflektimi i dritës diellore drejt paneleve fotovoltaike gjatë natës mund të rrisë prodhimin e energjisë diellore dhe të zvogëlojë varësinë nga lëndët djegëse fosile.

    Megjithatë, disa shkencëtarë të klimës paralajmërojnë se ndërhyrjet në sasinë dhe shpërndarjen e energjisë diellore që arrin në Tokë mund të kenë pasoja të paparashikuara.

    David Ho, shkencëtar i klimës në Universitetin e Hawait, ka ngritur pikëpyetje mbi idenë e manipulimit të energjisë diellore përmes pasqyrave hapësinore, duke theksuar se ndryshimet klimatike lidhen me çekuilibrin energjetik të planetit të shkaktuar nga përqendrimi i gazrave serrë.

    Debati lidhet edhe me konceptin e gjeoinxhinierisë diellore, një fushë që shqyrton mënyra të mundshme për të ndryshuar sasinë e energjisë diellore që absorbohet nga Toka. Edhe këto propozime kanë shkaktuar kundërshtime për shkak të pasigurive dhe rreziqeve të mundshme.

    Kompania premton bashkëpunim me shkencëtarët

    Përballë kritikave, Reflect Orbital thotë se ka zhvilluar diskutime me shkencëtarë dhe astronomë për mënyrën e përdorimit të teknologjisë. Kompania pretendon se synon të shmangë zonat e rëndësishme për astronominë, parqet kombëtare dhe habitatet ku jetojnë specie të shumta të egra.

    Përfaqësuesit e saj kanë deklaruar se kompania e mirëpret mbikëqyrjen dhe dëshiron të bashkëpunojë me qeveritë, studiuesit dhe autoritetet rregullatore.

    Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse përfitimet e mundshme të ndriçimit artificial nga hapësira do të justifikojnë rreziqet për mjedisin, shëndetin dhe vëzhgimin e universit.

    Nëse projekti realizohet në shkallën e planifikuar, ai mund të ndryshojë mënyrën se si njerëzit e përjetojnë natën. Për këtë arsye, debati nuk lidhet vetëm me mundësitë e reja teknologjike, por edhe me kufijtë e ndërhyrjes njerëzore në sistemet natyrore të planetit.

    Burimet: The Guardian – Demonstrimi i Reflect Orbital në Kaliforni · Reflect Orbital – Faqja zyrtare · DarkSky – Kundërshtimi i projektit

  • Zbulimi i Yllit të Parë “Zombi” me Shkëlqim Jeshil: Çfarë Fshihet Pas Ngjyrës së Tij të Veçantë?

    Zbulimi i Yllit të Parë “Zombi” me Shkëlqim Jeshil: Çfarë Fshihet Pas Ngjyrës së Tij të Veçantë?

    Astronomët kanë bërë një zbulim të jashtëzakonshëm në hapësirë: yllin e parë xhuxh të bardhë të cilësuar si “zombi”, i cili emeton një shkëlqim jeshil si të një fantazme. Sipas shkencëtarëve, ky fenomen vizual kaq i rrallë është rezultat i drejtpërdrejtë i konsumimit të mbetjeve shkëmbore nga planetet e shkatërruara që e rrethonin atë.

    Ylli i pagëzuar si WD J1330+6435 ndodhet në Rrugën e Qumështit, rreth 280 vite dritë larg sistemit tonë diellor, në konstelacionin e Dragoit (Draco).

    Pse quhet Yll “Zombi” dhe si e Mori Ngjyrën Jeshile?

    Në terma astronomikë, xhuxhët e bardhë janë bërthamat e mbetura të yjeve që kanë harxhuar të gjithë karburantin e tyre bërthamor dhe kanë hedhur tej shtresat e tyre të jashtme. Pa fuzion bërthamor për t’u ushqyer, gravitedi i tyre super i fuqishëm tërheq dhe “dredh” planetet, asteroidët dhe trupat e tjerë qiellorë afër tyre. Për këtë arsye, kjo fazë quhet “zombi” — ylli vazhdon të “jetojë” duke gllabëruar trupa të tjerë edhe pas “vdekjes” së tij.

    Në rastin e WD J1330+6435, një prej këtyre “ushqimeve” celestial përmbante mbetje shkëmbore të pasura me natrium, kalcium dhe litium.

    “Gjurmët e natriumit në atmosferën e këtij xhuxhi të bardhë thithin pjesën portokalli të spektrit të dritës, duke lënë pas vetëm një shkëlqim jeshil mbinatyror,” shpjegoi astrofizikani Mark Hollands nga Universiteti i Warwick-ut. “Përfytyroni sikur të qëndroni në një planet dhe të shikoni lart drejt një ylli plotësisht jeshil.”

    Spektri i Ngjyrave te Xhuxhët e Bardhë

    Shumica e yjeve veprojnë si rrezatues perfektë, ku ngjyra e tyre përcaktohet pothuajse tërësisht nga temperatura (yjet e ftohtë duken portokalli, ndërsa ata më të nxehtë duken në kaltër të lehtë). Megjithatë, konsumimi i elementeve të ndryshme kimike ndryshon drastikisht pamjen e tyre:

    Elementet e Konsumuara / PërbërjaNgjyra e Rezultuar e YllitShembull / Shënime
    Natrium, Kalcium & LitiumJeshile e zbehtë (Ghostly Green)WD J1330+6435 (280 vite dritë larg)
    Përmbajtje e Lartë KarboniRozë ose VjollcëKrijohet nga thithja e planeteve me karbon
    Asteroidë, Kometa & Planete të VjetraE VerdhëMbetje të përziera shkëmbore
    Përzierje Hidrogjeni & HeliumiCyan / E Kaltër e LehtëYje që po ftohen pa mbetje shkëmbore
    Karbon nga Bërthama e VetRozë-Salmon (E Kuqe)WD J1011+2845 (48 vite dritë larg)

    Ylli më i Kuq i Vëzhguar Ndonjëherë

    Përveç yllit jeshil, ekipi i shkencëtarëve njoftoi edhe zbulimin e një xhuxhi tjetër të bardhë, WD J1011+2845, i cili ndodhet vetëm 48 vite dritë larg nesh.

    Ky yll shfaq shkëlqimin më të kuq (rozë-salmon) të vëzhguar ndonjëherë te kjo kategori trupash qiellorë. Ndryshe nga ylli jeshil që u ushqye nga jashtë, WD J1011+2845 ka një zonë të thellë konvektive që sjell karbonin nga bërthama e tij e brendshme drejtpërdrejt në sipërfaqe.

    Sipas shkencëtarit Boris Gänsicke, vetëm rreth 3% e xhuxhëve të bardhë (1 në 30) kanë ngjyra kaq të gjalla dhe të jashtëzakonshme në univers.

    Analiza e Të Dhënave Astronomike me Mjete Moderne

    Zbulimi i ngjyrave të pazakonta te yjet xhuxhë të bardhë kërkon analizë ultra-strikte të të dhënave spektroskopike me volum të madh (Big Data).

    1. Përpunimi i Algoritmeve të Spektrit: Analiza e gjatësive të valëve të dritës nga teleskopët kërkon sisteme automatike që mund të identifikojnë absorbimin e elementeve si natriumi apo karboni brenda milisekondave.
    2. Modelimi i Bazave të Të Dhënave: Për të identifikuar 3% e yjeve të rrallë mes miliarda trupave qiellorë në Rrugën e Qumështit, përdoren modele të avancuara të mësimit automatik (Machine Learning) për filtrimin e shpejtë të imazheve astronomike.

  • Koralet e Shëndetshme Mund të “Shërojnë” Koralet e Zbardhura: Zbulimi i Ri nga Stanford

    Koralet e Shëndetshme Mund të “Shërojnë” Koralet e Zbardhura: Zbulimi i Ri nga Stanford

    Rreziqet nga rritja e temperaturave të ujërave detarë po kërcënojnë me zhdukje ripat koralorë në mbarë botën. Ky problem, i nxitur nga ndryshimet klimatike dhe i përkeqësuar nga fenomene si El Niño, shkakton zbardhjen masive të koraleve dhe ngordhjen e tyre.

    Megjithatë, një studim i ri laboratorik nga shkencëtarët e Universitetit të Stanfordit ka zbuluar se vendosja e koraleve të shëndetshme në kontakt fizik me ato të zbardhura është e mjaftueshme për t’i rikthyer këto të fundit në jetë. Rezultatet e këtij eksperimenti premtues u publikuan në revistën Science Advances.

    Riparimi i ripatve koralorë është një fushë mjaft aktive kërkimi, ku përpjekjet variojnë nga përdorimi i çerdheve artificiale deri te kultivimi i specieve më rezistente ndaj nxehtësisë.

    Si Funksionon Teknika “Duar Ndihmuese” (Helping Hands)

    Gjatë eksperimentit me koralet e llojit lulelakër (Pocillopora), ekipi i Stanfordit vërejti se pesë ditë kontakt i drejtpërdrejtë mes pjesëve të shëndetshme dhe atyre të zbardhura mjaftonin që koralet e dëmtuara të rikuperoheshin plotësisht.

    Sekreti i kësaj teknike, të cilën shkencëtarët e pagëzuan informalisht si “Duar Ndihmuese”, qëndron te transferimi i algave fotosintetike (simbiontëve), të cilat u japin koraleve ngjyrën dhe ushqimin kryesor.

    • Marrëdhënia simbiotike: Koralet përbëhen nga mijëra organizma të vegjël të quajtur polipe. Algat simbionte jetojnë brenda tyre dhe u sigurojnë ushqim përmes fotosintezës, ndërsa koralet u ofrojnë strehë dhe dioksid karboni.
    • Shkaku i zbardhjes: Kur uji ngrohet së tepërmi, algat fillojnë të prodhojnë substanca toksike, duke detyruar polipet t’i dëbojnë ato. Pa alga, koralet humbasin ngjyrën, mbeten pa ushqim dhe përfundimisht ngordhin.

    Ideja për këtë eksperiment lindi nga dy burime: nga një studim që tregoi se mbetjet plastike transmetojnë sëmundje te koralet përmes kontaktit, dhe nga një rast aksidental në laborator ku dy korale që u rrëzuan dhe u prekën me njëra-tjetrën nisën procesin e vetë-shërimit.

    Kufizimet Kryesore të Metodës

    Përmes mikroskopisë me laser, kërkuesit zbuluan se pas një ose dy ditësh kontakti, indet e dy koraleve bashkohen duke krijuar një “autostradë ushqyese” për transmetimin e algave. Megjithatë, studimi nxori në dritë disa kushte strikte:

    ParametriKushti i NevojshëmPasojat nëse nuk plotësohet
    Koha e kontaktitMinimale 3 ditë (3-5 ditë për rikuperim të plotë)Nën 3 ditë nuk ka transferim të mjaftueshëm
    DistancaKontakt i drejtpërdrejtë fizikEdhe pak milimetra largësi e bëjnë procesin joefektiv
    Përputhshmëria gjenetikeTë njëjtës linjë gjenetike (genet)Gjenetika e ndryshme nxit qelizat djegëse (reagim si đào/refuzim organi)

    Sfida e Shkallëzimit në Natyrë

    Aplikimi i kësaj teknike fizikisht në oqean mbetet një sfidë e madhe për shkak të sipërfaqeve gjigante të ripatve koralorë.

    Për këtë arsye, hapi i radhës i shkencëtarëve është nxjerrja dhe kultivimi i algave simbionte të shëndetshme në laborator për t’i riprezantuar ato në masë te koralet e zbardhura. Ky opsion shmang edhe pengesën e mospërputhjes gjenetike, pasi refuzimi ndodh vetëm mes indit të vetë koraleve dhe jo nga algat simbionte.

  • Sonte ndodh spektakli qiellor, si do të përjetohet eklipsi i diellit në Evropë?

    Sonte ndodh spektakli qiellor, si do të përjetohet eklipsi i diellit në Evropë?

    Sonte në mbrëmje, miliona evropianë do të mund të shohin eklipsin diellor. Në Spanjë, Portugali, Grenlandë dhe Islandë do të jetë i plotë, ndërsa në pjesën më të madhe të Evropës Perëndimore i pjesshëm.

    Sipas TimeandDate, kompania e cila ofron informacione për astronominë, në Kosovë qytetarët do të kenë mundësi të vëzhgojnë eklipsin e pjesshëm diellor, i cili do të nisë në orën 19:29.

    Kulmi i eklipsit pritet në 19:38, kur Hëna do ta mbulojë pjesën më të madhe të dukshme të Diellit. Vetëm tre minuta më vonë, në 19:41, Dielli do të perëndojë.

    Për shkak se fenomeni do të ndodhë shumë pranë horizontit, rekomandohet që eklipsi të ndiqet nga një pikë e lartë dhe nga një zonë pa pengesa, me pamje të lirë drejt perëndimit-veriperëndimit.

    Faza e pjesshme e eklipsit do të përfundojë në orën 21:07.

    Sipas The Guardian, në Spanjë kulmi pritet rreth 20:26–20:33, ndërsa në Londër në 19:13. Ekspertët paralajmërojnë të mos shihet Dielli me sy të lirë; në mungesë të syzeve speciale mund të përdoret kullesa si projektor, duke reflektuar dritën mbi letër. Ky është eklipsi i parë i plotë i dukshëm nga Evropa kontinentale pas dy dekadash.

  • Pjesë të raketës së SpaceX mund të godasin Hënën në gusht, sipas NASA-s

    Pjesë të raketës së SpaceX mund të godasin Hënën në gusht, sipas NASA-s

    Në gusht, një pjesë e raketës së kompanisë SpaceX pritet të përplaset me Hënën. Përplasja nuk ishte e planifikuar, por ekspertët po e monitorojnë nga afër situatën. Ende mbetet e paqartë nëse kjo ngjarje do të mund të vërehet nga Toka.

    Eksplorimi i hapësirës ndonjëherë sjell pasoja të papritura. Sipas shkencëtarëve të NASA-s, një pjesë e një rakete mund të përplaset me sipërfaqen e Hënës në fillim të muajit gusht.

    Në janar të vitit 2025, kompania e Elon Musk, SpaceX, lëshoi raketën Falcon 9, e cila dërgoi dy mjete ulëse drejt Hënës. Tani, astronomi amerikan Bill Gray dhe NASA kanë paralajmëruar se pjesa e sipërme e kësaj rakete mund të godasë aksidentalisht Hënën. Sipas llogaritjeve, përplasja pritet të ndodhë më 5 gusht.

    Ekspertët kanë diskutuar për këtë përplasje të mundshme gjatë një takimi të organizuar nga Instituti Virtual i Kërkimeve për Eksplorimin e Sistemit Diellor i NASA-s (SSERVI). Ata theksojnë se Hëna është një mjedis ku përplasjet ndodhin natyrshëm.

    Pjesa e sipërme e raketës Falcon 9 peshon rreth katër tonë dhe po lëviz me një shpejtësi prej më shumë se dy kilometra në sekondë.

    Ekspertët po shqyrtojnë nëse përplasja do të jetë e dukshme nga Toka. Megjithatë, NASA vlerëson se mundësia për ta parë është shumë e ulët. Sipas një zyrtari të NASA-s, do të jetë “shumë e vështirë, nëse jo e pamundur” të vëzhgohet kjo ngjarje.

    Astronomi Bill Gray publikoi llogaritjet për përplasjen që në shtator. Programi i tij astronomik parashikoi se pjesa e raketës do të godasë Hënën më 5 gusht 2026. Ai thekson se kjo përplasje nuk paraqet rrezik.

    Shkencëtarët paralajmërojnë se me rritjen e numrit të mbeturinave hapësinore, raste të tilla mund të bëhen më të shpeshta. Një ngjarje e ngjashme ndodhi edhe katër vite më parë, kur një objekt hapësinor goditi Hënën. NASA dyshoi se bëhej fjalë për një pjesë të një rakete të vjetër kineze, por Kina i mohoi këto pretendime, shkruan Euronews.

  • Ndërpritet në sekondën e fundit nisja e raketës Starship, pësoi 4 defekte motorësh

    Ndërpritet në sekondën e fundit nisja e raketës Starship, pësoi 4 defekte motorësh

    Nisja provë e mega-raketës Starship të kompanisë SpaceX u ndërpre në sekondën e fundit, pasi disa nga motorët nuk u ndezën, duke detyruar anulimin e lëshimit mes reve të dendura të tymit dhe avullit.

    Themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i SpaceX, Elon Musk, tha se dy motorë do të zëvendësohen “për të qenë të sigurt për një fluturim të mirë”, ndërsa shtoi se nisja pritet të tentohet sërish në fillim të javës së ardhshme.

    Ky do të ishte fluturimi i 13-të i Starship, e cila me 124 metra lartësi dhe 33 motorë kryesorë konsiderohet raketa më e madhe dhe më e fuqishme në botë.

    Transmetimi i drejtpërdrejtë i SpaceX tregoi se ndezja e motorëve nisi tre sekonda para ngritjes së planifikuar.

    Megjithatë, të dhënat në ekran treguan se katër motorë nuk u ndezën, ndërsa 29 motorët e tjerë u fikën menjëherë, duke e mbajtur raketën të ankoruar në platformën e lëshimit.

    Kjo ishte hera e parë që një Starship në përmasa të plota përjetoi një ndërprerje të lëshimit në sekondat e fundit.

    Pas anulimit, ekipi i misionit nisi menjëherë procedurat për shkarkimin e karburantit nga raketa.

    Sipas Musk, sistemi automatik i lëshimit funksionoi sipas parashikimeve duke ndalur nisjen, pasi një numër i pamjaftueshëm motorësh në funksion do ta kishte bërë fluturimin të pasigurt.

    Disa nga misionet e mëparshme të Starship kanë përfunduar me shpërthime gjatë fluturimit.