ATV

Category: SHËNDETËSI

  • Zbulimi befasues: Bakteret mbajnë mend dhe marrin disa “vendime” për shkak të hekurit

    Zbulimi befasues: Bakteret mbajnë mend dhe marrin disa “vendime” për shkak të hekurit

    Sipas kërkimeve të reja, një organizëm njëqelizor pa tru ose sistem nervor mund të krijojë një lloj kujtese dhe t’ua kalojë atë brezave të ardhshëm.

    Shkencëtarët kanë zbuluar se bakteri i kudogjendur Escherichia coli “kujton” përvojat e kaluara për disa orë dhe se kjo kujtesë mund t’u kalohet brezave të ardhshëm.

    Ky është zbulimi i parë i tillë, por duhet theksuar se e ashtuquajtura kujtesa e baktereve ndryshon nga kujtesa e vetëdijshme e njeriut. Fenomeni i kujtesës në baktere në fakt përshkruan se si informacioni nga përvojat e kaluara ndikon në vendimmarrjen e tyre aktuale.

    “Bakteret nuk kanë tru, por ato mund të mbledhin informacion nga mjedisi i tyre. Nëse ata kanë hasur shpesh në të njëjtin mjedis, ata mund ta ruajnë këtë informacion dhe t’i qasen më vonë kur të jetë e nevojshme,” tha bioshkencëtari molekular Souvik Bhattacharyya nga Universiteti i Teksasit, raporton Science Alert.

    Bhattacharyya dhe kolegët e tij kryen më shumë se 10.000 teste mbi bakteret për të përcaktuar modelet e sjelljes. Ata donin të shihnin nëse qelizat E. coli do të grumbulloheshin së bashku në mostër në një masë të vetme migruese. Një sjellje e tillë shpesh tregon se qelizat janë bashkuar në një kërkim efikas për një mjedis të përshtatshëm.

    Në eksperimentet fillestare, shkencëtarët ekspozuan qelizat E. coli ndaj disa faktorëve të ndryshëm mjedisorë për të parë se cilat kushte i nxisin më shpejt ato të grumbullohen në një masë lëvizëse. Ekipi zbuloi se nivelet ndërqelizore të hekurit luajnë një rol të rëndësishëm në këtë.

    Nivelet e ulëta të hekurit u shoqëruan me formimin më të shpejtë dhe më efikas të një tufe bakteriale aktive, ndërsa nivelet më të larta çuan në një mënyrë jetese më paqësore.

    Midis qelizave të gjeneratës së parë E. coli, kjo dukej si një përgjigje intuitive. Por pas vetëm një grumbullimi masiv, bakteret në nivele të ulëta hekuri ishin edhe më të shpejta dhe më efikase në grumbullim se më parë.

    Për më tepër, ata e përcollën këtë memorie “të hekurt” në të paktën katër gjenerata të njëpasnjëshme të pasardhësve – të cilët krijohen nga ndarja e qelizës mëmë në dy qeliza të reja. Deri në gjeneratën e shtatë të qelizave të reja, kjo memorie humbet natyrshëm.

    Shkencëtarët ende nuk e kanë zbuluar mekanizmin molekular pas sistemit potencial të kujtesës dhe trashëgimisë së tij, por duket se ekziston një lidhje e fortë midis hekurit ndërqelizor dhe sjelljes së grumbullimit të brezave.

    Epigjenetika luan një rol në transmetimin e mjediseve biologjike “të kujtuara” përmes brezave të E. coli duke fikur ose ndezur cilësimet e gjeneve specifike, por ekspertët besojnë se ky nuk është mekanizmi parësor në këtë rast, duke pasur parasysh kohëzgjatjen e shkurtër të informacioni i trashëguar.

    Nga ana tjetër, hekuri shoqërohet me reagimet e baktereve ndaj stresit, kështu që ka kuptim evolucionar që rreth tij të formohet një sistem memorie ndër brezash. Një sistem memorie me bazë hekuri mund të ndihmojë E. coli të përshtatet me kushtet e këqija mjedisore ose me antibiotikët.

    “Përpara se të kishte oksigjen në atmosferën e Tokës, jeta e hershme qelizore përdorte hekurin për shumë procese qelizore. Ai është i rëndësishëm jo vetëm në formimin e jetës në Tokë, por edhe gjatë evolucionit. Në çdo rast, aq më shumë dimë për sjelljen e baktereve, aq më shumë ne mund t’i luftojmë ato”, përfundon Bhattacharyya.

    Hulumtimi u botua në revistën “PNAS”.

  • Tetë ushqimet që nuk e dini se shkaktojnë alergji

    Tetë ushqimet që nuk e dini se shkaktojnë alergji

    Alergjitë janë shumë të përhapura dhe mund të prekin një numër të madh personash.

    Mund të shkaktohen si nga ushqimet ashtu edhe nga faktorë të jashtëm siç janë poleni i luleve apo pluhurat.

    Në botë numërohen rreth 170 ushqime të cilat shkaktojnë alergji, por vetëm 8 prej tyre janë më të përhapurat.

    Në këtë artikull nga AgroWeb.org do të flasim për alergjitë më të zakonshme ndaj ushqimit dhe disa mënyra alternative me çfarë mund ti zëvendësoni.

    Çfarë janë alergjitë ndaj ushqimit
    Një alergji ndaj ushqimit shkaktohet kur trupi ka një reaksion ndaj një enzime të caktuar që futet në organizëm.

    Disa nga këto enzima apo proteina trupi i disa njerëzve mund ti përkthejë si të dëmshme dhe ti konsiderojë si sulme.

    Për tu mbrojtur trupi krijon një sërë procesesh që shkaktojnë inflamacionin.

    Këto reaksione të brendshme të trupit përkthehen menjëherë edhe jashtë tij.

    Duke shkaktuar kështu, ënjtje të zonës së fytyrës apo gojës, vështirësi në frymëmarrje, presion i ulët gjaku, të vjella, diarre dhe kruarje të lëkurës.

    Në disa raste alergjitë mund t’i shkaktojnë të gjithë këto reaksione njëherazi dhe të jenë një problem shumë i rrezikshëm për shëndetin.

    Disa nga këto ushqime të cilat i përdorni çdo ditë AgroWeb.org iu shpjegon mëposhtë.

    Qumështi i lopës
    Alergjitë nga qumështi i lopës zakonisht prekin fëmijët nën moshën 3 vjeç, por edhe persona të rritur.

    Fëmijët në 90% të rasteve e kalojnë këtë alergji teksa rriten, kështu që në mosha madhore mund të mos jenë më të rrezikuar.

    Gjithsesi si për fëmijët ashtu edhe për të rriturit, simptomat e alergjisë mund të fillojnë 5-30 minuta pas konsumimit të këtij qumështi.

    Simptomat mund të variojnë që nga enjtja e fytyrës, skuqje, kruarje, të përziera apo inflamacion të stomakut.

    Nëse jeni diagnostikuar nga mjeku me këtë lloj alergjie bëni kujdes të evitoni jo vetëm qumështin e lopës, por edhe produktet që e përmbajnë atë.

    Këtu futet djathi, gjalpi, kosi, margarina, kremi i qumështit apo akullorja.

    Vezët
    Alergjia ndaj vezëve është e dyta për nga më të përhapurat në të gjithë botën.

    Rreth 68% e personave janë alergjik ndaj vezës deri në moshën 16 vjeç.

    Pas kësaj moshe alergjia mund të largohet gradualisht.

    Simptomat e alergjive nga veza fillojnë që nga kruarjet e lëkurës, problemet me tretjen dhe problemet me frymëmarrjen.

    Në disa raste të veçanta këto simptoma mund të shkaktohen të gjitha sëbashku.

    Ajo që e shkakton alergjinë tek veza është proteina, ndaj nëse jeni alergjik ndaj të verdhave të vezës jeni edhe ndaj të bardhave të saj.

    Nëse shikoni që pas konsumimit të këtij ushqimi keni simptoma shqetësuese, drejtohuni menjëherë tek mjeku dhe hiqni dorë nga konsumimi i tyre.

    Ky përjashtim mund të mos jetë i vlefshëm edhe për të gjitha ushqimet që përmbajnë vezë.

    Sipas të dhënave, rreth 70% e fëmijëve të cilët vuajnë nga kjo lloj alergjie nuk përjetojnë simptoma të rrezikshme kur konsumojnë biskota apo kek me vezë.

    Arrorët
    Alergjitë ndaj arrorëve janë gjithashtu shumë të përhapura.

    Këtu përfshihen të gjithë ushqimet të cilët rriten në pemë në formën e arrive, bajameve apo fistikëve.

    Nëse vuani nga kjo lloj alergjie, nuk duhet në asnjë mënyrë të konsumoni ushqime që i përmbajnë këto produkte.

    Këshillohet përshtatja me një dietë pa arrorë, salca apo vajra të ndryshëm.

    Kikirikët
    Megjithëse mund të mendoni se futen në familjen e arrorëve, kikirikët janë bishatjorë.

    Njihen si shkaktarë të alergjive për shumë persona dhe mund të jenë të rrezikshëm për shëndetin në këto raste.

    Zakonisht shfaqet në mosha të vogla dhe mund të zhduket gjatë jetës gjithësesi kujdesi maksimal është i nevojshëm.

    Nëse vuani nga kjo alergji, eleminoni menjëherë këtë ushqim nga dieta juaj.

    Ushqimet e detit
    Alergjitë nga ushqimet e detit shkaktohen kur trupi reagon ndaj proteinave që këto ushqime përmbajnë.

    Këtu futen të gjithë llojet e guackave, aragosta apo karkalecat e detit.

    Proteina e quajtur tropomiosinë që këto ushqime përmbajnë, mund të shkaktojnë një sërë reaksionesh në organizëm.

    Evitojini të gjitha këto ushqime nëse ndjeni se jeni alergjikë prej tyre.

    Drithërat
    Alergjia ndaj drithërave mund të zhduket gjatë 10 viteve të para të jetës, por është gjithsesi e rrezikshme.

    Këtu futen të gjithë ushqimet me bazë drithërat, brumërat, buka dhe çdo gjë tjetër që përmban këtë produkt.

    Soja
    Megjithëse nuk janë shumë të përhapura, alergjitë ndaj sojës janë prezentë në 0.4% të fëmijëve.

    Kjo alergji shkaktohet nga farat e sojës dhe produktet që i përmbajnë ato.

    Peshku
    Alergjitë nga peshku prekin rreth 2% të të gjithë të rriturve

    Kjo lloj alergjie mund të zhvillohet edhe gjatë jetës dhe në mosha të mëdha.

    Përveç alergjive nga ushqimi disa njerëz mund të përjetojnë edhe intolerancën nga ushqime të ndryshme.

    Intoleranca ndaj ushqimit mund të shkaktojë efekte anësore minimale të cilat nuk prekin sistemin imunitar dhe nuk janë të rrezikshme./AgroWeb.org

  • Çrregullimet psikologjike pas ngjarjeve traumatike

    Çrregullimet psikologjike pas ngjarjeve traumatike

    Shumë njerëz mund të përjetojnë ngjarje traumatike në forma e faza të ndryshme të jetës.

    Sipas hulumtimeve të bëra nga Verywellhealth rreth traumës u raportua se afërsisht 60% e burrave dhe 51% e grave përjetojnë një ngjarje traumatike gjatë jetës së tyre.

    Njerëzit mund të ekspozohen ndaj ngjarjeve traumatike përmes mënyrave të ndryshme, psh kur ndodhë dicka direkt me ne, duke qenë dëshmitarë të një ngjarje të keqe, apo kur jemi të ekspozuar vazhdimisht ngjarjeve të përsëritura traumatike që prekin njerëzit e tjerë.

    Ngjarjet traumatike mund të përfshijnë: të shohësh dikë duke vdekur , duke u plagosur rëndë, apo përjetimi i dhunës seksuale.

    Ngjarjet tipike traumatike përfshihen edhe përvoja të ndërlikuara të lindjes së fëmijëve, diagnostifikimi i një sëmundje kërcënuese për jetën, lufta, sulmet terroriste, fatkeqësitë natyrore apo të shkaktuara nga njeriu, etj.

    Gjithashtu disa njerëz që janë të ekspozuar ndaj ngjarjeve traumatike përmes mediave sociale, televizionit, filmave, të gjitha këto mund të bëjnë që të përjetojmë gjithashtu vështirësi në shëndetin mendor, raporton ATVLIVE.TV.

    Është e rëndësishme të theksohet se është një numër i madh I ngjarjeve të shumta që mund të cilësohen traumatike.

    Disa njerëz me profesionin që kanë mund të kenë më shumë gjasa të përjetojnë ngjarje traumatike në punë. Si psh: policët, zjarrfikësit, personeli ushtarak dhe njerëzit që punojnë në zonat e luftës, etj.

    Pas një ngjarjeje traumatike, është e zakonshme që njerëzit të përjetojnë si psh kujtime, ëndërra rreth ngjarjes, duke pasur ndjesinë sikur po ndodh përsëri. Mund të ndjehemi veçanërisht të mërzitur kur jemi afër vendit ku ka ndodhur ngjarja ose në një mjedis që na kujton ngjarjen.

    Gjithashtu, pas një ngjarje traumatike mund të vërejmë ndryshime në mënyrën se si veprojmë, përfshirë humbjen e interesit për gjërat që i kemi pëlqyer më parë, shkëputja nga njerëzit, të qenurit të zemëruar dhe agresiv ndaj njerëzve ose gjërave të tjera.

    Pasi keni përjetuar një ngjarje traumatike duhet t’i jepni kohë vetës, por ajo çka është më e rëndësishme sipas hulumtimeve është se duhet të flisni për ngjarjen.

    Problemi më i madh del të jetë mohimi i asaj që ju ka ndodhur, pra përvojës tuaj. Kjo krijon një pengesë për aftësitë për t’u shëruar nga ajo.

    Të folurit për ngjarjen dhe ndjenjat tuaja mund t’ju ndihmojë të jeni më të shliruar dhe më të shëndetshëm në mendime. Sa më shumë që shmangemi nga kujtimet dhe ndjenjat , na bën të ndjehemi më keq.

    Është normale që të keni vështirësi në rikuperimin nga trauma ose dhimbjet nga e kaluara. Vetëm për shkak se përvoja ka mbaruar nuk do të thotë që nuk jeni prekur thellë. Mund të duhet kohë për të njohur dhe kuptuar se çfarë ka ndodhur dhe çfarë do të thotë për ju.

    Të flasim hapur për përvojat e këqija në jetë, do të thotë që ne po e çlirojmë veten nga pjesë të së kaluarës.

    Përpiquni të mbani rutinën që keni pasur përpara ngjarjes traumatike sa më shumë që të mundeni, edhe nëse kjo duket e vështirë. Merrni parasysh të kërkoni ndihmë profesionale.

    Pas një ngjarjeje traumatike, shanset janë që të mos ndiheni si vetvetja. Mund të jetë e vështirë të mendosh që të shkosh në një vend ku ndihesh më mirë. Dhimbja dhe pasojat e një ngjarjeje traumatike mund të jenë jetëshkurtër ose kronike.

    Marrja e ndihmës profesionale mund të bëjë ndryshim të madh në jetën e secilit. Terapia ofron një ndjenjë sigurie dhe të hapur për të diskutuar dhe filluar shërimin.
    Arsyet që mund të konsideroni të flisni me një terapist përfshijnë: Rikthime ose ndjesi sikur po ripërjetoni ngjarjen traumatike,vështirësi për të fjetur ose duke pasur ankthe,probleme në ruajtjen e marrëdhënieve, luftimi I vazhdueshëm për të funksionuar në shtëpi, punë ose shkollë,faji, turpi ose fajësimi i vetes.

    Edhe ndjenjat e mungesës së izolimit, përdorimi i shtuar ose problematik i substancave narkotike ose alkoolit , mendime tejet negative.
    Jo të gjithë ata që përjetojnë një ngjarje traumatike vazhdojnë të kenë probleme me shëndetin mendor. Në fakt, shumica e njerëzve që përjetojnë një ngjarje traumatike kanë raportuar se efektet negative zhduken me kalimin e kohës./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Pse dhembin muskujt në mëngjes – Çfarë duhet të bëni

    Pse dhembin muskujt në mëngjes – Çfarë duhet të bëni

    Vështirësitë në lëvizje si pasojë e ngurtësimit ose kontraktimit të muskujve njerëzit zakonisht ia atribuojnë moshës ose plakjes.

    Megjithatë studimet të cilave u referohet AgroWeb.org, sqarojnë se mosha apo plakja nuk është shkaktari i vetëm i kontraktimeve të muskujve të shpinës, gjunjëve apo këmbëve.

    Zakonisht këto kontraktime ndodhin për arsye të ndryshme ku përfshihet inflamacioni apo artriti.

    Me kalimin e moshës gjymtyrët plaken, përthahen dhe ngurtësohen. Lëngjet e ndërmjetme mes kockave që zakonisht luajnë një rol lubrifikues bëhen më të pakta.

    Gjatë gjumit, muskujt e dobët dhe tendinat kanë tendencën të ngurtësohen më shumë, thonë ekspertët.

    Sipas tyre, ngurtësimi i muskujve që ndodh në mëngjes mund të shkaktohet si nga osteoartriti por edhe reumatizma.

    Sa Zgjat Ngurtësimi I Muskujve Në Mëngjes
    Ekspertët shpjegojnë se ndjesia e ngurtësimit të muskujve mund të zgjasë nga 10 në 15 minuta.

    Ajo largohet me lëvizjen dhe ngrohjen e gjymtyrëve dhe muskujve.

    Megjithatë, ngurtësimi dhe kontraktimi si pasojë e reumatizmës mund të zgjasë deri në një orë.

    Trajtimet Dhe Kurat Për Ngurtësimin E Muskujve
    Ndikimi i plakjes së gjymtyrëve për fat të keq është i pakthyeshëm.

    Pacientët mund të përdorin medikamente të caktuara për kontrollin e dhimbjeve të shkaktuara nga artriti dhe inflamacioni.

    Tek këto medikamente mund të përfshihen aspirina apo ibuprofeni dhe qetësues të tjerë.

    Megjithatë, pavarësisht medikamenteve, ngurtësimi i muskujve është diçka që mund të ndodhë shpesh.

    Ashpërsia dhe intensiteti i ngurtësimit të muskujve në mëngjes mund të pakësohet me disa hapa të thjeshtë.

    Duhet të jeni më aktiv dhe të kryeni aktivitet fizik për të rritur forcën dhe fleksibilitetin e gjymtyrëve.

    Mirëmbajtja e peshës është gjithashtu e rëndësishme dhe e dobishme.

    Gjatë këtyre rasteve të dhimbshme, mund të përdorni kompresa të ngrohta ose të ftohta.

    Ato duhen mbajtur në zonën e dhimbjes për 15-20 minuta disa herë në ditë.

    Gjithashtu edhe masazhi me vajrat esencialë si ai i rozmarinës.

    Suplementët e peshkut, si vaji i peshkut janë të pasur me acide yndyrore omega-3.

    Këto acide zbusin ndjeshëm kontraktimin dhe ngurtësimin e muskujve.

    Farat e linit janë një tjetër burim i këtyre acideve yndyrore që luftojnë inflamacionin dhe zbusin simptomat. /AgroWeb.org

  • Si t’i mbijetoni një sulmi në zemër kur jeni vetëm

    Si t’i mbijetoni një sulmi në zemër kur jeni vetëm

    Problemet e rënda me shëndetin mund të ndodhin në çdo kohë. A e dini se çfarë duhet të bëni kur jeni vetëm dhe keni një atak në zemër?
    Së pari, ato që nuk duhet të bëni.
    Mund të keni lexuar këshilla që qarkullojnë në internet, se nëse kolliteni fort gjatë ataku në zemër, mund t’ju ndihmojë që të mbijetoni deri kur të vijë ambulanca.
    Është një praktikë reale mjekësore që quhet CPR e kollës, por është e dobishme vetëm gjatë arrestit të plotë kardiak, dhe jo domosdoshmërisht një ataku në zemër. Në fakt, përdorimi i kësaj teknike gjatë një ataku në zemër mund t’i përkeqësojë gjërat në mënyrë të konsiderueshme, dhe mund të shkaktojë vdekjen, përpara se të vijë ndihma.

    CPR me kollë funksionon duke rritur trysninë mbi gjoks, aq sa duhet për të ruajtur qarkullimin e gjakut që përmban oksigjen. Ndihmon trurin që të ruajë vetëdijen në periudha rreziku. Në disa raste mund të jetë gjëja e duhur, por nuk duhet të jeni ju që ta vendosni nëse është apo jo gjëja që duhet të bëhet. Gjëja më e mirë që mund të bëni nëse keni një atak në zemër, kur jeni vetëm, është të ruani qetësinë dhe thërrisni ambulancën MENJEHERE.

    Nëse keni atak në zemër, mund të merrni edhe Aspirinë, si një zgjidhje emergjente. Do t’ju hollojë gjakun dhe ndihmojë qarkullimin. Por përtypeni aspirinën përpara se ta gëlltisni. Kjo ndihmon që ajo të hyjë më shpejt në sistemin tuaj. Pra duhet të dini vetëm që aspirina dhe ruajtja e qetësisë do jua shpëtojë jetën, të kolliturit me siguri do i japë fund asaj.

  • Pse pijet energjike dhe me kafeinë nuk duhet të konsumohen nga fëmijët?

    Pse pijet energjike dhe me kafeinë nuk duhet të konsumohen nga fëmijët?

    Ndonjëherë prindërit, për të qetësuar ankimet e fëmijëve si pasojë e kufizimeve dhe ndalimeve, bëjnë përjashtime nga rregullat strikte që kanë vendosur.

    Ata i lejojnë fëmijët të konsumojnë ushqime tradicionalisht “të ndaluara”, si ëmbëlsirat dhe pijet joalkoolike.

    Megjithatë, një studim i ri paralajmëron kundër konsumit të tepërt të pijeve me kafeinë dhe energjike nga fëmijët e vegjël, duke e lidhur atë me efektet në funksionin e trurit, por edhe me zhvillimin e zakoneve jo të shëndetshme, si përdorimi i alkoolit që në moshë shumë të re.

    Studimi korean,i botuar në Substance Use & Misuse, zbuloi, se fëmijët e moshës 9-10 vjeç që konsumonin pije joalkoolike me kafeinë çdo ditë kishin dy herë më shumë gjasa të fillonin të pinin alkool brenda një viti.

    I njëjti studim doli gjithashtu në përfundimin se fëmijët që e kanë këtë zakon priren të jenë më impulsivë dhe kanë memorie pune më të dobët.

    Më shumë se 2000 fëmijë amerikanë morën pjesë në studim, me studiuesit që morën parasysh faktorë të tillë si historia familjare e përdorimit të drogës dhe niveli i ulët arsimor i prindërve.

    Përveç kësaj, u përdorën të dhënat nga Studimi i Zhvillimit Njohës të Trurit të Adoleshentëve (ABCD), studimi më i madh gjatësor në SHBA për zhvillimin dhe shëndetin e trurit të fëmijëve.

  • A është uji me gaz i dëmshëm apo i shëndetshëm për sistemin tretës?

    A është uji me gaz i dëmshëm apo i shëndetshëm për sistemin tretës?

    Nuk ka asgjë më të mirë se një gotë me ujë të ftohtë, një pije kaq e lehtë dhe freskuese!

    Por nëse jeni adhurues të ujit të gazuar, mund të pyesni me të drejtë veten nëse është apo jo i shëndetshëm.

    A është i shëndetshëm uji me gaz për sistemin tretës?

    Ekspertët e shëndetit thonë se për disa persona, konsumi i ujit të gazuar mund të shkaktojë efekte negative për sistemin tretës.

    Konsumatorët mund të përjetojnë dhimbje të kyçeve, e madje edhe probleme kardiake, për shkak të ndryshimeve në mikrobiomën e zorrëve (shtëpia e mikroorganizmave në traktin tretës që ndihmojnë në përpunimin e ushqimit që konsumoni çdo ditë).

    Po ashtu, duke qenë se ky lloj uji ka flluska gazi natyror në të, është normale që disa njerëz të përjetojnë fryrje dhe gazra pas konsumit.

    Uji i gazuar mund të përkeqësojë simptomat tek njerëzit që kanë çrregullime të tretjes si refluksi i acidit, sëmundja e zorrës së irrituar etj.

    Gjithashtu vlen të përmendet se disa lloje uji me gaz, përmbajnë ëmbëlsues artificialë për të përmirësuar shijen. Të cilët mund të shkaktojnë shqetësime në tretje dhe ndryshime në mikrobiomën e zorrëve.

    Megjithatë, konsumi i këtij uji nuk është tërësisht i dëmshëm. E kjo pasi çdo lloji uji rrit nivelin e hidratimit në trupin tuaj.

    E madje, mund të përmirësojë tretjen dhe kapsllëkun edhe më shumë se uji i zakonshëm.

    Në fund të fundit shëndeti i zorrëve dhe simptomat e shqetësimeve që ai mund të japë ndryshojnë nga personi në person.

    AgroWeb.org këshillon se nëse përjetoni shqetësime pas konsumit të ujit të gazuar, veçanërisht nëse keni probleme me tretjen, kalimi në ujë të zakonshëm mund të jetë një zgjedhje më e mirë.

    Ju gjithashtu t’i drejtoheni edhe mjekut tuaj, i cili mund t’ju ndihmojë në adresimin e shqetësimeve që lidhen me shëndetin e sistemit tretës.

  • Psikologu Telaku tregon se si ndikon mbajtja e kafshëve në shëndetin mendor

    Psikologu Telaku tregon se si ndikon mbajtja e kafshëve në shëndetin mendor

    Kafshët shtëpiake kanë ndikim të thellë në shëndetin mendor të njeriut. Për këtë, shpesh kafshët sjellin ndjenja të mira dhe mund të ndikojnë pozitivisht në jetën e një individi.

    Psikologu Naim Telaku, tregon më tepër rreth përfitimeve psikologjike të të pasurit kafshë shtëpiake. Ai thotë se stresi dhe ankthi janë sfida të zakonshme dhe shumë njerëz kanë deklaruar se aktivitetet e përbashkëta me kafshën shtëpiake mund të ulë nivelet e kortizolit, hormoni I stresit, duke ndihmuar në ndjesinë e qetësisë emocionale.

    Sipas Telakut, sjellja e njeriut ndaj kafshëve mund te jete reflektim I gjendjes emocionale.

    Tutje ai thotë se mbajtja e kafshëve mund të ndikojë në zhvillimin e cilësive si kujdesi, ndërgjegjësimi dhe aftësia për të kujdesur për dikë tjetër, duke sjellë një ndikim pozitiv në shëndetin mendor të personit dhe shpesh redukton stresin dhe ankthin./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Hipertensioni dhe trajtimi i tij

    Hipertensioni dhe trajtimi i tij

    Hipertensioni është një gjendje e presionit të lartë të gjakut dhe zakonisht është pa asnjë simptomë

    Një person mund të ketë hipertension për vite pa e ditur. Shkaku i presionit të lartë të gjakut zakonisht nuk dihet. Megjithatë, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, më shumë se 50 për qind e rasteve të hipertensionit shkaktohen nga dieta jo e duhur. Në vend të dytë është pasiviteti dhe në fund obeziteti.

    Ka dy lloje të hipertensionit. Hipertensioni që nuk shkaktohet nga një gjendje ose sëmundje tjetër quhet hipertension esencial dhe është më i zakonshmi, ndërsa hipertensioni i shkaktuar nga një gjendje quhet hipertension sekondar.

    Hipertensioni esencial mund të shkaktohet nga obeziteti, rezistenca ndaj insulinës, marrja e tepërt e kripës, jeta sedentare ose pirja e duhanit.

    Hipertensioni sekondar ndodh për shkak të komplikimeve të një gjendjeje të caktuar shëndetësore që ka një person. Po kështu, hipertensioni është më i zakonshëm te njerëzit mbi 65-vjeç dhe ata që konsumojnë alkool ose duhan.

  • E verdha e vezës ndonjëherë ka njollë të kuqe: A është e sigurt të hani?

    E verdha e vezës ndonjëherë ka njollë të kuqe: A është e sigurt të hani?

    Nganjëherë shfaqet një njollë e kuqe në vezë sepse kapilarët në vezoren e pulës vozitëse kanë shpërthyer. Nëse do të ndodhë kjo varet nga mosha e pulës, nga lloji i ushqimit që ha, por kjo nuk do të thotë se veza nuk është e mirë për t’u ngrënë. Kjo është në fakt një dukuri normale dhe veza është e sigurt për t’u përdorur.

    Sa të zakonshme janë njollat e gjakut në vezë?

    Është e vërtetë që shumë rrallë mund të gjejmë një vezë me njollë gjaku. Të gjitha vezët komerciale skanohen dhe renditen duke përdorur procesin e qërimit, i cili përfshin ndriçimin e një drite përmes lëvozhgës për të dalluar defektet. Shumica e vezëve refuzohen nga ky proces, por disa ia dalin.

    Çfarë duhet bërë nëse veza ka njollë të kuqe?

    Fakti që veza ka njolla të kuqe nuk do të thotë se duhet ta hidhni. Ekspertët thonë se këto vezë janë plotësisht të sigurta për t’u ngrënë. Nëse njolla e kuqe ju shqetëson, hiqeni me majën e thikës dhe vazhdoni me mëngjesin, transmeton The Kitchn.