ATV

Category: Shëndetësi

  • Kafeja mund të ulë rrezikun për demencë, sipas studimit të Harvardit

    Kafeja mund të ulë rrezikun për demencë, sipas studimit të Harvardit

    Një studim nga ekspertët e Harvard University zbuloi se konsumimi i dy deri në tre filxhanë kafe me kafeinë gjatë ditës lidhet me një rrezik më të ulët për zhvillimin e demencës, krahasuar me personat që nuk konsumojnë kafe.

    Sipas Yu Zhang, nga Shkolla e Shëndetit Publik në Harvard, studimi përfshiu të dhëna nga 86,000 infermiere femra dhe 45,000 burra profesionistë të shëndetit në SHBA, të ndjekur mesatarisht për 43 vjet. Gjatë kësaj periudhe u identifikuan 11,033 raste të demencës.

    Rezultatet treguan se:

    • Konsumuesit e kafesë me kafeinë kishin 18% më pak rrezik për demencë.

    • Konsumimi i çajit lidhej me një 16% rrezik më të ulët.

    • Kafeja pa kafeinë nuk tregoi ndonjë përfitim të dukshëm.

    Megjithatë, studiuesit theksojnë se ky rezultat tregon vetëm një lidhje, jo një shkak-pasojë. Siç shprehet Dr. Susan Kohlhaas, drejtoreshë ekzekutive e Alzheimer’s Research UK: “Njerëzit që pinë kafe ose çaj mund të ndikojnë pozitivisht në shëndetin e trurit, por kjo nuk vërteton se kafeja mbron trurin në mënyrë të drejtpërdrejtë.”

    Prof. Tara Spires-Jones, nga Instituti i Kërkimeve për Demencën në MB, shton se faktorë të tjerë si gjumi dhe shëndeti kardiovaskular mund të ndikojnë gjithashtu në rrezikun për demencë, duke komplikuar interpretimin e lidhjes me konsumimin e kafeinës.

    Përmbledhje praktike: Dy deri në tre filxhanë kafe me kafeinë gjatë ditës mund të jenë të lidhur me një rrezik më të ulët për demencë, por nuk ka garanci dhe faktori kafeinës nuk është shkaku i vetëm i përfitimit.

  • Studimi: Truri ndihmon në rigjenerimin e zemrës pas infarktit

    Studimi: Truri ndihmon në rigjenerimin e zemrës pas infarktit

    Një studim i realizuar nga University of California San Diego dhe i publikuar në revistën shkencore Cell ka zbuluar se truri aktivizon mekanizma specifikë për të ndihmuar rigjenerimin e zemrës pas një infarkti.

    Sipas studiuesve, zemra dhe truri nuk funksionojnë të izoluar, por janë të lidhur përmes një sistemi kompleks komunikimi. Ky bashkëpunim është thelbësor për procese si rregullimi i presionit të gjakut dhe reagimet ndaj gjendjeve të fikëta.

    Si funksionon komunikimi?

    Organet komunikojnë përmes neuroneve sensoriale, të cilat perceptojnë edhe ndryshimet më të vogla në funksionimin e zemrës. Gjatë eksperimenteve, shkencëtarët identifikuan një grup të panjohur më parë neuronesh që burojnë nga një nerv i madh që lidh trurin me zemrën, sistemin tretës dhe mushkëritë.

    Kur zemra pëson dëmtim, si në rastin e një ataku kardiak, u vu re një rritje e ndjeshme e fibrave nervore rreth saj një reagim që duket se ndihmon në procesin e shërimit.

    Pse është i rëndësishëm ky zbulim?

    Ky mekanizëm mund të hapë rrugën për zhvillimin e terapive të reja për pacientët që kanë pësuar infarkt, duke synuar jo vetëm zemrën, por edhe rrugët nervore që lidhen me të.

    Studimi forcon idenë se zemra dhe truri janë të lidhur përmes një “aksi” biologjik thelbësor për shëndetin kardiovaskular.

  • Uthulla e mollës mund të ndihmojë në uljen e sheqerit pas ushqimit, por jo si ilaç

    Uthulla e mollës mund të ndihmojë në uljen e sheqerit pas ushqimit, por jo si ilaç

    Rritjet e shpejta të sheqerit pas vakteve të pasura me karbohidrate mund të rrisin rrezikun metabolik. Ja si ndikon acidi acetik në përthithjen e glukozës

    Rritjet e larta të sheqerit në gjak dhe insulinës pas një vakti të pasur me karbohidrate nuk janë të padëmshme. Ato e ngarkojnë pankreasin, nxisin rezistencën ndaj insulinës, shkaktojnë rënie të papritur të energjisë dhe, në afat të gjatë, rrisin rrezikun metabolik.

    Ekspertët paralajmërojnë se pikërisht këto “maja” të shpeshta glikemike lidhen me zhvillimin e sindromës metabolike dhe diabetit tip 2. Sipas publikimeve në Diabetes Care dhe European Journal of Clinical Nutrition, kontrolli i rritjeve postprandiale të glukozës është një faktor kyç në ruajtjen e shëndetit metabolik.

    Lajmi i mirë është se ekzistojnë strategji të thjeshta dhe praktike që mund të zbusin këto rritje.

    Çfarë tregojnë studimet për uthullën e mollës?

    Studime klinike kanë treguar se konsumimi i uthullës së mollës para vaktit mund të ulë rritjen postprandiale të glukozës dhe insulinës.

    Një studim i publikuar në Diabetes Care (Johnston et al.) raportoi se uthulla mund të përmirësojë ndjeshmërinë ndaj insulinës pas vakteve të pasura me karbohidrate, veçanërisht tek personat me rezistencë ndaj insulinës.

    Portali mjekësor Healthline shkruan se uthulla e mollës mund të ndihmojë në uljen e rritjes së sheqerit pas vaktit, duke kontribuar në stabilitet më të mirë energjetik.

    Megjithatë, ekspertët theksojnë se nuk bëhet fjalë për terapi, por për një mjet ndihmës të vogël, praktik dhe të përballueshëm.

    Pse karbohidratet shkaktojnë rritje të sheqerit?

    Karbohidratet rrisin nivelin e glukozës në gjak. Sa më i madh të jetë përqendrimi i tyre në një vakt:

    • rritet më shumë glukoza
    • sekretohet më shumë insulinë
    • pason rënie energjie
    • rritet rreziku për rezistencë ndaj insulinës dhe diabet
    • shtohet stresi metabolik

    Sipas Harvard Health Publishing, pikërisht këto luhatje të shpeshta glikemike mund të ndikojnë negativisht në metabolizëm dhe peshë trupore, përcjell Telegrafi.

    Çfarë ndodh kur pini uthull para vaktit?

    Disa studime sugjerojnë:

    • deri në 20–30% rritje më e vogël e sheqerit
    • deri në 20–25% më pak insulinë
    • energji më e qëndrueshme pas vaktit
    • më pak stres për pankreasin

    Pse funksionon uthulla e mollës?

    Efekti i saj lidhet me acidin acetik, i cili:

    • ngadalëson zbrazjen e stomakut
    • ngadalëson përthithjen e glukozës
    • ul nevojën për insulinë
    • rezulton në glikemi më të qëndrueshme pas vaktit

    Sipas Journal of Functional Foods, acidi acetik mund të përmirësojë ndjeshmërinë ndaj insulinës në kushte të caktuara metabolike.

    Si ta përdorni?

    Rekomandohet 1–2 lugë gjelle uthull molle, të holluara në një gotë ujë, të pihen 10–15 minuta para vaktit.

    Ekspertët theksojnë se uthulla duhet gjithmonë të konsumohet e holluar, pasi përdorimi i drejtpërdrejtë mund të irritojë mukozën e traktit tretës dhe të dëmtojë smaltin e dhëmbëve.

    Kujdes dhe masa paraprake

    Healthline raporton se uthulla e mollës mund të ngadalësojë zbrazjen e stomakut, gjë që mund të përkeqësojë simptomat e gastroparezës, veçanërisht tek personat me diabet tip 1.

    • mund të shkaktojë të përziera
    • mund të dëmtojë smaltin e dhëmbëve
    • mund të ndikojë në nivelin e kaliumit

    Ndërveprime me barna

    • barna për diabet – rrezik për hipoglicemi
    • barna që ulin kaliumin
    • diuretikë – mund të rrisin humbjen e kaliumit

    Prandaj rekomandohet konsultim me mjekun, sidomos nëse përdorni terapi kronike.

    Si të konsumohet në mënyrë të sigurt?

    Sipas Healthline, rekomandohet të fillohet me sasi të vogla dhe gradualisht të rritet deri në maksimumi 2 lugë gjelle (30 ml) në ditë, gjithmonë e holluar në ujë. Këshillohet të pihet me pipë për të mbrojtur smaltin e dhëmbëve, të shpëlahet goja pas konsumimit dhe të pritet të paktën 30 minuta para larjes së dhëmbëve.

    Personat me gastroparezë duhet ta shmangin ose ta kufizojnë në 1 lugë çaji.

    Përfundim

    Uthulla e mollës nuk është ilaç, por mund të jetë një mjet ndihmës për:

    • ulje të moderuar të sheqerit
    • ulje të insulinës
    • energji më të qëndrueshme
    • kontroll më të mirë metabolik

    Megjithatë, kontrolli i vërtetë i glikemisë mbështetet kryesisht në:

    • ushqim të balancuar
    • fibra
    • aktivitet fizik
    • kontroll të peshës
    • mbikëqyrje mjekësore

     

  • Largoni toksinat nga lukthi, si funksionon “butoni i energjisë” i trupit

    Largoni toksinat nga lukthi, si funksionon “butoni i energjisë” i trupit

    Shumë njerëz përballen me vështirësi në lëvizjen e zorrëve ose ndjesi fryrjeje pas vakteve. Një teknikë e njohur në akupunkturë sugjeron ekzistencën e një “butoni” të brendshëm, të quajtur edhe “deti i energjisë”, që mund të ndihmojë në lehtësimin e tretjes.

    Ky buton ndodhet rreth tri gishta poshtë kërthizës. Për ta stimuluar:

    1. Sigurohuni që jeni në tualet.

    2. Me tre gishta të parë, ushtroni presion të lehtë mbi këtë pikë.

    3. Merrni frymë thellë dhe vazhdoni shtypjen derisa të ndjeni një lehtësim. Kjo mund të zgjasë nga 10 sekonda deri në tre minuta.

    Sipas terapistit të akupunkturës, Dr. Michael Reed Gach, stimulimi i kësaj zone aktivizon proceset natyrale të trupit, duke përfshirë:

    • Lëvizjen e zorrëve dhe lehtësimin e kapsllëkut

    • Liron gazrat

    • Mund të zvogëlojë dhimbjet e menstruacioneve

    • Përmirëson funksionimin e sistemit tretës

    Hulumtimet e mëparshme mbi masazhin abdominal kanë treguar se presioni mbi zonat e barkut mund të nxisë nevojën për jashtëqitje, duke ndihmuar trupin të lirojë mbetjet.

    Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë që kjo metodë nuk zëvendëson trajtimin mjekësor. Për probleme të shpeshta ose të zgjatura me tretjen, duhet të konsultoheni me mjekun. Përveç teknikave të akupresurës, një dietë e pasur me fibra, konsum i mjaftueshëm i ujit dhe aktivitet fizik i rregullt janë thelbësore për shëndetin e tretjes.

  • Frika në javët e para të shtatzënisë: Çfarë nënkuptojnë dhimbja dhe gjakderdhja?

    Frika në javët e para të shtatzënisë: Çfarë nënkuptojnë dhimbja dhe gjakderdhja?

    Nga analizat e para dhe ndjekja e beta HCG, te kontrolli me ultratinguj dhe testet e skriningut – cilat janë shenjat normale dhe kur nevojitet mbikëqyrje e shtuar në javët e para të shtatzënisë

    Në javët e para të shtatzënisë, përveç gëzimit për një fazë të re të jetës, tek shumica e grave shfaqen edhe dilema, pyetje dhe frikëra të shumta. Çfarë është normale dhe çfarë është shenjë për shqetësim? Cilat analiza janë të domosdoshme dhe kur nevojitet vetëm pak durim?

    Edhe pse tremujori i parë është periudhë me ndryshime intensive, me informacionin e duhur shumë paqartësi mund të zgjidhen në kohë.

    Cilat analiza janë të rëndësishme në fillim të shtatzënisë?

    Një nga dilemat e para të grave shtatzëna është se cilat kontrolle dhe analiza duhet të bëhen sapo të konfirmohet shtatzënia.

    – Një nga gjërat bazë që duhet të kontrollojë gruaja shtatzënë në javët e para është funksioni i gjëndrës tiroide. Përveç kësaj, të rëndësishme janë analiza e gjakut (parametrat që mund të tregojnë anemi) dhe niveli i sheqerit në gjak në mëngjes. Është e dëshirueshme që gruaja të ketë rezultate të rregullta të analizave mikrobiologjike, ndërsa i detyrueshëm është edhe kontrolli kolposkopik me testi PAPA, nëse nuk është kryer gjatë vitit të fundit.

    A duhet ndjekur beta HCG?

    Testi pozitiv nga gjaku shpesh është shenja e parë konkrete e shtatzënisë, por pikërisht vlerat e beta HCG mund të jenë burim shqetësimi shtesë.

    – Përcaktimi i hormonit hCG në gjak është për shumicën e grave “prova” e parë e shtatzënisë, sepse del pozitiv shumë më herët sesa mund të konfirmohet shtatzënia me ultratinguj. Ndjekjen e dinamikës së beta HCG e rekomandojmë në rastet kur rrjedha e shtatzënisë devijon nga e zakonshmja, për shembull, kur shfaqen simptoma si dhimbje dhe gjakderdhje, ose kur gruaja ndihet mirë, por kontrolli me ultratinguj tregon devijime.

    Siç shton ajo, ndjekja e dinamikës nënkupton përsëritjen e analizës pas 48 orësh.

    – Në një shtatzëni normale, vlerat përafërsisht dyfishohen çdo 48 orë. Shqetësuese konsiderohet rritja e pamjaftueshme e vlerave, mbajtja në të njëjtin nivel ose rënia e tyre. Është shumë e rëndësishme që analiza të përsëritet në të njëjtin laborator, në mënyrë që rezultatet të jenë të krahasueshme.

    Çfarë duhet të tregojë ultratingulli në shtatzëninë e hershme?

    Një nga pyetjet e shpeshta është çfarë shihet në kontrollin e parë me ultratinguj.

    – Kontrolli bazë me ultratinguj në shtatzëninë e hershme duhet të përcaktojë: formën dhe pozicionin e mitrës, gjendjen e vezoreve, praninë e shtatzënisë në mitër, numrin e embrioneve, madhësinë e tyre, konfirmimin e rrahjeve të zemrës së embrionit dhe mungesën e hematomës.

    Vend të veçantë në ndjekjen e shtatzënisë ka edhe kontrolli i parë më i detajuar me ultratinguj.

    – Ky kontroll kryhet në kohën e testit të dyfishtë dhe ka rëndësi të veçantë në monitorimin e shtatzënisë.

    Testet e skriningut dhe dilema e zgjedhjes

    Shumë gra shtatzëna ndihen të hutuar nga numri i madh i testeve për zbulimin e anomalive kromozomale.

    – Ekzistojnë dy grupe kryesore testesh skriningu për anomalitë kromozomale. Grupi i parë përfshin teste statistikore si testi i dyfishtë, i trefishtë dhe i katërfishtë, ndërsa sot më i përdoruri është testi i dyfishtë, me besueshmëri rreth 85%.

    Grupi i dytë përfshin teste më moderne.

    – Bëhet fjalë për testet jo-invazive prenatale (NIPT), me të cilat analizohet ADN-ja e fetusit nga gjaku i nënës, me besueshmëri rreth 99%. Testi i dyfishtë rekomandohet për të gjitha shtatzënat, ndërsa NIPT për ato që kanë rezultat normal të testit të dyfishtë, por dëshirojnë një shkallë shtesë sigurie.

    Kur gjetjet e ultratingullit nuk përputhen me mungesën e menstruacioneve

    Një dilemë e shpeshtë në tremujorin e parë lind kur mosha e shtatzënisë nuk përputhet me pritshmëritë.

    – Një nga situatat më të zakonshme është mospërputhja midis periudhës së mungesës së menstruacioneve dhe moshës reale të shtatzënisë, veçanërisht tek gratë me cikël të parregullt.

    Në këto raste, është e rëndësishme të ruhet qetësia.

    – Mund të ndodhë që në kohën e pritur embrioni të mos shihet ende ose rrahjet e zemrës të mos jenë shfaqur. Është e rëndësishme të jemi të durueshëm dhe t’i japim kohë shtatzënisë të zhvillohet me ritmin e saj, nëse gruaja nuk ka shqetësime, thekson ajo.

    Megjithatë, ekzistojnë edhe përfundime të pafavorshme si shtatzënia pa embrion, ndërprerja e heshtur e shtatzënisë apo sëmundjet trofoblastike që mund të ndikojnë në pamjen e hershme të saj.

    Kur nevojitet mbikëqyrje e shtuar?

    Edhe pse shumë ndryshime në tremujorin e parë janë fiziologjike, ka situata që kërkojnë vëmendje të veçantë.

    – Mbikëqyrje e shtuar dhe terapi shtesë kërkojnë dhimbjet dhe gjakderdhja në shtatzëninë e hershme, të vjellat e tepërta ose sëmundjet kronike për të cilat gruaja është në dijeni dhe që mund të ndikojnë në rrjedhën e shtatzënisë, si diabeti, tensioni i lartë, funksioni i ulët i tiroides, skleroza multiple, lupusi dhe të tjera.

    Tremujori i parë është periudhë pasigurie, por me kontrolle të rregullta, analiza në kohë dhe komunikim të mirë me mjekun, shumica e dilemave marrin përgjigje të qarta dhe qetësuese.

  • Çdo dhimbje koke sinjalizon një problem shëndetësor, çfarë duhet të dini

    Çdo dhimbje koke sinjalizon një problem shëndetësor, çfarë duhet të dini

    Dehidratimi, pozicionimi i keq i trupit dhe lodhja e syve janë disa prej shkaktarëve të dhimbjeve të kokës.

    Në shumë raste, dhimbjet e kokës rrëfejnë mesazhe të fshehura të organizmit.

    Ato mund të paralajmërojnë edhe praninë e një sëmundjeje serioze, thonë ekspertët.

    Mjekët shpjegojnë se dhimbja e kokës mund të jetë simptomë e një çrregullimi organik por edhe shenjë e një problemi më të komplikuar.

    Dy llojet e dhimbjeve të kokës

    Ekspertët shpjegojnë se njerëzit mund të vuajnë nga një ose dy lloje të dhimbjeve të kokës.

    Bëhet fjalë për dhimbjet si pasojë e tensionit të gjakut në të dyja rastet, i ulët apo i lartë, ose ato si pasojë e enjtjes së enëve të gjakut përreth kokës.

    Ndonjëherë, këto dhimbje tregojnë se një aspekt i përditshmërisë suaj po shkakton stres ose lëndim të organizmit.

    Ushqyerja e pamjaftueshme, dehidratimi, pozicionimi i keq i trupit dhe lodhja e syve janë disa prej shkaktarëve të dhimbjeve të kokës.

    Ekspertët thonë se nëse njeriu përballet me dhimbje të shpeshta të kokës duhet të frenohet nga dëshira për të marrë ilaç dhe të hetojë arsyet e dhimbjeve.

    Studentët për shembull përballen shpesh me dhimbje të vazhdueshme të kokës sepse nuk janë të rregullt me ushqimin.

    Migrena është një dhimbje e ndryshme

    Dhimbjet e migrenës ndryshojnë nga dhimbjet e zakonshme të kokës.

    Njerëzit që vuajnë nga migrena shprehen se ndihen sikur kanë një çekan në kokë që godet në mënyrë të përsëritur.

    Dhimbjet e migrenës zakonisht janë në një anë të kokës dhe shoqërohen me të përziera.

    Si të dalloni nëse vuani nga migrena

    Shenjat paralajmëruese të migrenës janë të shumta dhe zakonisht përfshijnë:

    Turbullim të shikimit,

    Vështirësi në artikulim,

    Aromë të paqenë portokallesh,

    Konfuzion,

    Të përziera,

    Mungesë oreksi,

    Ndjeshmëri e lartë ndaj dritës së fortë dhe zhurmave.

    Nxitësit e dhimbjeve të migrenës nga ana tjetër ndryshojnë në varësi të individit, por më të përhapurat janë:

    Ushqime të caktuara,

    Aroma të forta,

    Depresioni, ankthi dhe probleme me humorin,

    Shmangia e marrjes së ilaçeve në kohë,

    Niveli i ulët i sheqerit në gjak,

    Ndryshimet e papritura të motit,

    Dritat e forta,

    Ndryshimet hormonale.

    Nëse përjetoni 3 ose 4 dhimbje koke në javë dhe merrni doza të larta ilaçesh kundër dhimbjes, duhet të shkoni tek mjeku sa më parë.

  • Dieta që po shkakton diabet

    Dieta që po shkakton diabet

    Nga gjithë llojet e dietave, më të rrezikshmet janë ato në të cilat hapësira mes vakteve është tepër e gjatë.  Të rrish për orë të tëra pa konusmuar asgjë, shkakton efekte anësore të rrezikshme.

    Ekspertët kanë paralajmëruar se të tilla dieta ndonëse mund të të ndihmojnë për të humbur peshë, mund të përkeqësojnë nivelet e insulinës duke shkaktuar kështu diabet.

    Përpara se të ndjekin një regjim të tillë ushqimor, njerëzit duhet të dinë se çfarë pasojash po marrin përsipër.

    Pavarësisht humbjes së peshës, dietat e “agjerimit” dëmtojnë pankreasin, shkaktojnë diabet dhe probleme të tjera shumë serioze për shëndetin.

    Njerëzit mbipeshë, zakonisht zgjedhin të tilla dieta (ku iu duhet të qëndrojnë shumë kohë pa ngrënë), për tu dobësuar shpejt, por duhet të marrin parasysh se pasojat janë potencialisht shumë serioze.

  • A mund të shkaktojë infeksioni urinar dhimbje në pjesën e poshtme të shpinës, kur duhet të shqetësohemi?

    A mund të shkaktojë infeksioni urinar dhimbje në pjesën e poshtme të shpinës, kur duhet të shqetësohemi?

    Nëse keni përjetuar ndonjëherë një infeksion të traktit urinar (UTI), e dini sa i dhimbshëm dhe shqetësues mund të jetë. Djegia gjatë urinimit, nevoja e shpeshtë për të shkuar në tualet dhe ndjesia e presionit në pjesën e poshtme të barkut janë simptomat më të zakonshme. Por kur kësaj i shtohet edhe dhimbja në pjesën e poshtme të shpinës, shumë persona pyesin veten nëse ka lidhje mes tyre.

    Po, një infeksion urinar mund të shkaktojë dhimbje në mes ose në pjesën e poshtme të shpinës. Kjo ndodh për shkak të inflamacionit që shkakton infeksioni në traktin urinar. Në rastet e zakonshme, kur infeksioni prek vetëm fshikëzën, dhimbja e shpinës është e lehtë dhe përmirësohet sapo fillon trajtimi me antibiotikë.

    Megjithatë, situata bëhet më serioze nëse dhimbja e shpinës shoqërohet me temperaturë, të dridhura, gjak në urinë, të përziera, të vjella ose dhimbje të forta në anët e mesit. Këto mund të jenë shenja se infeksioni është përhapur në veshka, duke shkaktuar infeksion të veshkave, i cili kërkon trajtim të menjëhershëm mjekësor.

    Simptomat e zakonshme të një infeksioni urinar përfshijnë urinim të shpeshtë dhe urgjent, djegie gjatë urinimit, urinë të turbullt ose me erë të fortë, dhimbje në pjesën e poshtme të barkut, presion në zonën e legenit dhe ndonjëherë gjak në urinë. Gratë preken më shpesh nga këto infeksione, por ato mund të shfaqen tek kushdo.

    Edhe pse disa infeksione të lehta mund të kalojnë vetë, zakonisht nevojiten antibiotikë për ta zhdukur plotësisht infeksionin. Simptomat zakonisht përmirësohen brenda një ose dy ditësh pas nisjes së trajtimit. Dhimbja e shpinës që lidhet me infeksionin duhet të zbutet gradualisht ndërsa infeksioni trajtohet. Ndërkohë, mund të ndihmojë aplikimi i nxehtësisë, pushimi dhe përdorimi i qetësuesve të dhimbjes sipas këshillës së mjekut.

    Nëse dhimbja përkeqësohet, zgjat ose shoqërohet me temperaturë të lartë dhe simptoma të tjera alarmuese, është e rëndësishme të kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore për të shmangur komplikimet.

  • Suplementi i njohur në palestër mund të ketë “shumë përfitime” për pacientët me Alzheimer

    Suplementi i njohur në palestër mund të ketë “shumë përfitime” për pacientët me Alzheimer

    Një suplement i përdorur gjerësisht në palestër mund të sjellë shpresë të re për miliona njerëz që jetojnë me sëmundjen e Alzheimerit, sipas disa shkencëtarëve dhe neurofiziologëve.

    Kreatina — shpesh e konsideruar thjesht si suplement për ndërtimin e muskujve — po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje për potencialin e saj në mbështetjen e shëndetit të trurit.

    Louisa Nichola, neurofiziologe dhe trajnere e performancës njerëzore, foli për përfitimet e kreatinës në një paraqitje në podcastin “The Diary of a CEO” në fillim të shkurtit. Ajo i tha moderatorit Steve Bartlett se beson se kreatina ka “shumë përfitime” dhe se ajo vetë ua jep prindërve të saj 71-vjeçarë, jo vetëm për shëndetin fizik, por edhe për atë neurofiziologjik.

    Kreatina është një molekulë natyrale që prodhohet në mëlçi dhe gjendet gjithashtu në ushqime si mishi i kuq dhe peshku. Megjithatë, suplementimi mund të rrisë rezervat e saj në organizëm përtej asaj që sigurohet zakonisht përmes dietës.

    Dihet prej kohësh se kreatina ndihmon në rritjen e energjisë qelizore duke shtuar nivelet e fosfokreatinës, e cila ndihmon në rigjenerimin e ATP-së — molekulës kryesore të energjisë në trup. Ky proces mund të përfitojë si qelizat muskulore, ashtu edhe ato nervore.

    Sipas Verywell Health, ndonëse kreatina njihet kryesisht për përmirësimin e performancës muskulore, ajo mund të rrisë nivelet e kreatinës në tru deri në 15% dhe të përmirësojë funksionin njohës, veçanërisht në kushte stresi.

    Në një studim, personat me Alzheimer që morën 20 gramë kreatinë monohidrat në ditë shfaqën një rritje prej 11% të niveleve totale të kreatinës në tru. Këto rritje u shoqëruan me përmirësime të matshme në funksionet njohëse, si kujtesa e punës, përqendrimi dhe funksionet ekzekutive. Pjesëmarrësit performuan më mirë në teste njohëse, përfshirë detyra klasifikimi dhe leximi, pas suplementimit.

    Nichola theksoi se pacientët jo vetëm që ruajtën funksionet njohëse, por gjithashtu patën më shumë energji dhe ishin në gjendje të ushtronin më shumë aktivitet fizik. Sipas saj, kreatina mund të ndihmojë në mbrojtjen e trurit nga dëmtimet si tronditjet cerebrale, goditjet në tru dhe efektet e stresit, duke vepruar sidomos në sfondin e situatave stresuese.

    Studiuesit vunë re përputhshmëri të lartë me trajtimin dhe ndryshime të rëndësishme biokimike, çka sugjeron se metabolizmi energjetik i trurit — shpesh i dëmtuar në Alzheimer — mund të mbështetet nga kreatina.

    Megjithatë, ekspertët theksojnë se këto gjetje janë ende paraprake. Sipas Dr. Oracle, aktualisht nuk ka prova të mjaftueshme për të rekomanduar kreatinën si mjet për parandalimin e demencës apo rënies njohëse.

    Studime të publikuara në PubMed sugjerojnë se kreatina ndihmon në ruajtjen e ekuilibrit energjetik në neurone dhe potencialisht mund të ulë neuroinflamacionin dhe stresin oksidativ — dy faktorë kyç në zhvillimin e Alzheimerit.

    Megjithëse kreatina nuk zëvendëson trajtimet e miratuara për Alzheimerin, evidencat në rritje tregojnë se ky suplement me kosto të përballueshme mund të mbështesë shëndetin e trurit dhe, në të ardhmen, të bëhet pjesë e strategjive më të gjera terapeutike.

  • Dieta që mund të rrisë rrezikun për diabet

    Dieta që mund të rrisë rrezikun për diabet

    Ndër dietat e ndryshme për humbje peshe, ekspertët paralajmërojnë se më problematike mund të jenë ato ku hapësira mes vakteve është shumë e gjatë, pra kur qëndrohet për orë të tëra pa konsumuar ushqim.

    Sipas specialistëve, ndonëse këto regjime mund të ndihmojnë në humbje të shpejtë peshe, ato mund të ndikojnë negativisht në:

    • balancën e insulinës,

    • funksionin e pankreasit,

    • dhe metabolizmin e sheqerit në gjak.

    Ndryshimet e shpeshta dhe ekstreme në nivelin e glukozës mund të rrisin rrezikun për rezistencë ndaj insulinës, e cila është një faktor kryesor në zhvillimin e diabetit tip 2.

    Veçanërisht personat mbipeshë shpesh zgjedhin dieta me “agjërim” të zgjatur për rezultate të shpejta, por duhet të jenë të vetëdijshëm se:

    • stresi metabolik i vazhdueshëm,

    • luhatjet e sheqerit në gjak,

    • dhe mungesa e ushqyesve esencialë

    mund të kenë pasoja serioze për shëndetin afatgjatë.

    Ekspertët rekomandojnë që çdo ndryshim i madh në regjim ushqimor të bëhet nën këshillën e mjekut ose nutricionistit, dhe që prioritet të ketë një dietë e balancuar, me vakte të rregullta dhe cilësi të mirë ushqimore, në vend të metodave ekstreme.