ATV

Category: SHËNDETËSI

  • Ushqimet që duhet të shmangni kur jeni të sëmurë

    Ushqimet që duhet të shmangni kur jeni të sëmurë

    Tashmë është sezoni i ftohjeve dhe gripit, dhe kujdesi ndaj ushqimit që konsumoni kur jeni me simptoma mund të ndikojë shumë në rikuperimin tuaj.

    “Ruajtja e një ushqyerjeje të mirë kur keni ftohje ose grip siguron që trupi të ketë energji të mjaftueshme për t’u shëruar,” shpjegon Dana Henderson, dietologe e regjistruar dhe mbikëqyrëse e shërbimeve ushqimore në L.A. Care Health Plan.

    “Ushqimi siguron kalori, të cilat janë energjia e nevojshme që trupi të luftojë sëmundjen”, thotë ajo.

    Henderson rekomandon konsumimin e ushqimeve të pasura me antioksidantë, si frutat dhe perimet, për të ndihmuar në luftimin e infeksioneve dhe për të qëndruar të hidratuar. Por ekspertët theksojnë se po aq e rëndësishme sa çfarë hani është edhe ajo që nuk duhet të hani, në mënyrë që të shëroheni më shpejt.

    Më poshtë janë pesë ushqime që mund të përkeqësojnë simptomat kur jeni të sëmurë:

    Ushqimet pikante

    Derisa të ndiheni plotësisht mirë, është mirë të kufizoni kripën dhe ushqimet pikante, thotë Dr. Neil Patel, mjek i mjekësisë familjare në Providence St. Joseph Hospital në Orange County, Kaliforni.

    “Erëzat e forta mund të shqetësojnë sistemin tretës, duke përkeqësuar diarrenë ose simptoma të tjera kur jeni të sëmurë,” shpjegon ai.

    Kafeina

    Kur tashmë ndiheni keq, heqja dorë nga kafeja e mëngjesit mund të duket e vështirë. Por në plan afatgjatë, kjo mund t’ju bëjë të ndiheni më mirë, thotë Henderson.

    Kafeina mund të ndërpresë gjumin, i cili është thelbësor për rikuperimin dhe funksionimin e sistemit imunitar. Për më tepër, kafeina është diuretike (rrit nxjerrjen e lëngjeve nga trupi), kështu që mund të përkeqësojë dehidratimin.

    Alkooli

    Ashtu si kafeina, edhe alkooli shkakton dehidratim, duke penguar shërimin dhe duke shkaktuar dhimbje muskujsh, shpjegon Patel.

    Edhe nëse ndiheni më mirë dhe tundoheni të pini diçka me miqtë, është më mirë të prisni derisa të rikuperoheni plotësisht.

    “Dehidratimi mund të jetë shumë serioz dhe mund të çojë deri në shtrim në spital,” thotë ai. Qëndrimi i hidratuar është shumë i rëndësishëm, dhe Patel rekomandon të pini shumë ujë kur keni ftohje ose grip.

    Ushqimet me shumë yndyrë

    Ushqimet e skuqura ose të pasura me yndyrna të ngopura kërkojnë shumë energji dhe ujë për t’u përpunuar në trup, shpjegon Patel.

    “Kjo mund të marrë energji nga sistemi imunitar,” thotë ai. Për më tepër, këto ushqime mund të rrisin inflamacionin dhe të përkeqësojnë simptoma si bllokimi i hundëve dhe dhimbja e fytit, sipas Henderson.

    Sheqeri

    Akullorja mund të duket sikur qetëson fytin ndërsa e konsumoni, por sheqernat e përpunuara në fakt mund t’i përkeqësojnë simptomat.

    “Ushqimet me sheqer mund të rrisin përkohësisht inflamacionin, gjë që mund ta bëjë bllokimin e hundëve dhe dhimbjen e fytit të ndihen më keq, si dhe mund të dobësojë pak reagimin e sistemit imunitar,” thotë Henderson.

  • Këto janë 8 zakonet për një zemër më të shëndetshme

    Këto janë 8 zakonet për një zemër më të shëndetshme

    Statistikat tregojnë se ka më shumë gjasa të vdisni nga një atak në zemër ose sulm në tru sesa nga çdo shkak tjetër.

    Sëmundjet kardiovaskulare janë shkaku kryesor i vdekjes si për burrat ashtu edhe për gratë, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por në mbarë botën. Rreth 1 në 3 persona që vdesin në vit në nivel global humbin jetën nga sëmundjet e zemrës, përfshirë afro 700 mijë njerëz në SHBA.

    Por lajmi i mirë është se mund ta zgjasni jetën dhe ta ulni ndjeshëm rrezikun për sëmundje të zemrës duke ndjekur një formulë të thjeshtë: përmirësoni tetë tregues dhe sjellje kryesore shëndetësore.

    American Heart Association i quan këto “Life’s Essential 8”, sepse përbëjnë bazën e një jete të gjatë dhe të shëndetshme, ka shkruar The Washington Post.

    Studimet tregojnë se përqendrimi në këto tetë pika ul rrezikun për atak në zemër dhe sulm në tru, përmirëson mbijetesën nëse tashmë keni problem me zemrën, mbron nga sëmundje të tjera si diabeti, demenca dhe madje disa lloje kanceri.

    Sipas kardiologut Donald Lloyd-Jones, ish-president i American Heart Association, njerëzit që i mbajnë këta tregues në nivele optimale “e fitojnë lojën”, sepse përfitojnë shëndet më të mirë në çdo aspekt të jetës.

    Tetë zakonet që mund t’i ndiqni:

    Flini 7 deri në 9 orë në natë

    Gjumi i mirë, ul inflamacionin, ul tensionin e gjakut, zvogëlon hormonet e stresit dhe mbron shëndetin e trurit.

    Studime të mëdha kanë treguar se njerëzit që flenë më pak se 7 orë në natë kanë 48 për qind më shumë rrezik për sëmundje të zemrës.

    Për të përmirësuar gjumin mbani orar të rregullt, shmangni ekranet para gjumit (drita e kaltër pengon prodhimin e melatoninës dhe mos konsumoni alkool para gjumit.

    Lëvizni rregullisht

    Aktiviteti fizik forcon muskujt, ul yndyrën trupore, përmirëson kontrollin e sheqerit në gjak, zgjeron enët e gjakut dhe përmirëson qarkullimin.

    Sa më shumë të lëvizni, aq më i ulët është rreziku për atak në zemër, sulm në tru dhe dështim të zemrës.

    Rekomandohet të bëni 150 minuta aktivitet të moderuar në javë (ecje, kopshtari, vrap i lehtë)
    ose 75 minuta aktivitet intensiv (vrap, not, tenis)

    Edhe lëvizje të vogla gjatë ditës, si ngjitja e shkallëve për 2 minuta, bëjnë diferencë.

    Ushqehuni shëndetshëm

    Baza e dietës duhet të jetë me fruta dhe perime të freskëta, drithëra të plota, fasule dhe thjerrëza, arra peshk e mish të freskët dhe vaj ulliri.

    Studime të mëdha kanë treguar se dieta mesdhetare ul me 30 për qind rrezikun për atak në zemër dhe sulm në tru krahasuar me dietat klasike me pak yndyrë.

    Sekreti është i thjeshtë: më shumë ngjyra në pjatë dhe më pak ushqime të përpunuara.

    Kontrolloni sheqerin dhe kolesterolin

    Është e rëndësishme të njihni vlerat tuaja.

    Niveli i yndyrës duhet të jetë nën 130 mg/dL.
    HbA1c (që tregon mesataren e sheqerit në gjak për 2-3 muaj) duhet të jetë nën 5.7 për qind.

    Niveli i lartë u yndyrës dhe diabeti i tipit 2 rrisin ndjeshëm rrezikun për atak në zemër dhe sulm në tru.

    Nëse vlerat janë të larta, përmirësoni dietën, rrisni aktivitetin fizik, diskutoni me mjekun për medikamente nëse është e nevojshme

    Menaxhoni tensionin e gjakut

    Tensioni i lartë quhet “vrasës i heshtur” sepse shpesh nuk jep simptoma.

    Vlera ideale është nën 120/80.

    Çdo rritje prej 10 mm Hg e tensionit sistolik rrit ndjeshëm rrezikun për sëmundje të zemrës.

    Për ta ulur atë  lëvizni më shumë, reduktoni kripën, humbni peshë nëse është e nevojshme dhe menaxhoni stresin.

    Mbani në nivel të shëndetshëm indeksin e masës trupore

    BMI (indeksi i masës trupore) është një tregues i përgjithshëm i yndyrës trupore.

    Idealja është nën 25.

    Edhe pse nuk është tregues perfekt, shumë studime tregojnë se BMI i lartë lidhet me rrezik më të madh për vdekje nga sëmundjet e zemrës.

    Mos pini duhan

    Duhanpirësit kanë 2 deri në 4 herë më shumë gjasa të zhvillojnë sëmundje të zemrës.

    Edhe cigaret elektronike rrisin rrezikun.

    Lajmi i mirë: sapo ndaloni, rreziku fillon të ulet shpejt.

    Për të lënë duhanin shmangni alkoolin, filloni aktivitet fizik, kërkoni mbështetje nga familja dhe miqtë, përdorni terapi me nikotinë ose medikamente nëse është e nevojshme

    Matni rezultatin tuaj

    American Heart Association ofron një test online ku mund të përgjigjeni në disa pyetje dhe të merrni një rezultat nga 0 në 100 për shëndetin tuaj kardiovaskular.

    Sa më i lartë rezultati, aq më i mirë është shëndeti i zemrës, dhe jo vetëm i zemrës. Një rezultat i mirë do të thotë më pak rrezik për diabet, demencë, kancer dhe probleme të tjera shëndetësore.

  • Si të ushqeheni shijshëm dhe të mbani nën kontroll presionin e lartë të gjakut

    Si të ushqeheni shijshëm dhe të mbani nën kontroll presionin e lartë të gjakut

    Personat që vuajnë nga shtypja e lartë e gjakut duhet ta përfshijnë një regjim të shëndetshëm ushqimor në stilin e tyre të jetesës.

    Hipertensioni mund të sjellë komplikime serioze nëse nuk trajtohet me kohë. Sulmet në zemër dhe goditjet në tru janë ndër pasojat më të rënda, të cilat shpesh kalojnë pa u vënë re deri në momentin kur shkaktojnë probleme të mëdha shëndetësore.

    Një nga mënyrat më efektive për të parandaluar rritjen e tensionit apo për ta mbajtur atë nën kontroll është adoptimi i një diete të shëndetshme dhe të balancuar.

    A do të thotë kjo se duhet të hiqni dorë plotësisht nga mishi? Jo domosdoshmërisht. Megjithatë, rekomandohet të shmanget mishi i kuq  si ai i derrit, viçit dhe qengjit si dhe produktet e përpunuara të mishit, përfshirë proshutën dhe salsiçet.

    Këto ushqime përmbajnë sasi të larta yndyrnash të pangopura dhe kripë, çka ndikon në rritjen e kolesterolit dhe shton rrezikun për infarkt dhe goditje në tru.

    Në vend të tyre, në meny mund të përfshihet mish pa yndyrë, si ai i pulës apo gjelit të detit, ndërsa rekomandohet që peshku të konsumohet sa më shpesh.

    Edhe shijet tradicionale mund të përshtaten  për shembull, sarma mund të përgatitet me mish pule, ndërsa bërxollat e gjelit të detit apo mishi i pjekur në skarë janë alternativa të shkëlqyera ndaj mishit të derrit dhe qebapëve.

    Çelësi mbetet moderimi dhe shmangia e ushqimeve me përmbajtje të lartë kripe.

  • 5 shenjat që tregojnë çrregullime hormonale

    5 shenjat që tregojnë çrregullime hormonale

    Problemet hormonale janë mjaft të zakonshme. Sipas statistikave, rreth 80% e grave përballen me çrregullime hormonale si pasojë e niveleve të ulëta të estrogjenit dhe progesteronit. Edhe meshkujt mund të preken nga ky problem për shkak të uljes së testosteronit ose rritjes së estrogjenit.

    Më poshtë janë pesë shenjat që nuk duhet t’i injoroni:

    Problemet me gjumin
    Pagjumësia ose cilësia e dobët e gjumit mund të lidhet me çrregullimet hormonale. Tek meshkujt, kjo shpesh shoqërohet me nivele të ulëta të testosteronit. Tek femrat, mungesa e progesteronit, veçanërisht para menstruacioneve, mund të shkaktojë vështirësi në gjumë.

    Djersitje gjatë natës
    Djersitjet e shpeshta gjatë natës janë një tjetër tregues. Tek femrat, nivelet e ulëta të progesteronit mund të çojnë në dominancë të estrogjenit, duke shkaktuar vapë dhe djersitje. Tek meshkujt, kjo lidhet me rënien e testosteronit, e cila zakonisht fillon pas moshës 40-vjeçare.

    Lodhje e vazhdueshme
    Gjumi i çrregullt dhe djersitja gjatë natës mund të rezultojnë në lodhje kronike. Nëse ndiheni të rraskapitur edhe pas disa orësh gjumë, kjo mund të jetë shenjë e një çekuilibri hormonal.

    Rënie e dëshirës seksuale
    Mungesa e interesit për marrëdhënie seksuale mund të lidhet me nivele të ulëta të estrogjenit tek femrat dhe testosteronit tek meshkujt. Tek gratë, kjo shpesh shfaqet gjatë periudhës së menopauzës.

    Akne të vazhdueshme në fytyrë
    Shfaqja e akneve para ciklit menstrual është normale, por nëse ato zgjasin për periudha të gjata, mund të jenë sinjal i çrregullimeve hormonale.

    Këto simptoma janë sinjale që trupi juaj mund të jetë jashtë ekuilibrit hormonal dhe kërkojnë vëmendje.

  • Ushqimet që po ju dëmtojnë shëndetin ngadalë

    Ushqimet që po ju dëmtojnë shëndetin ngadalë

    Shumica prej nesh jemi të vetëdijshëm mbi pasojat negative që disa ushqime kanë për shëndetin tonë. Mirëpo gjithsesi, ne i konsumojmë dhe ato janë pjesë e menysë tonë të përditshme.

    Disa prej këtyre ushqimeve, që ekspertët thonë se janë duke ju vrarë çdo ditë pak nga pak janë:

    Kripa – Kripa është një nga mëlmesat më të përdorura në kuzhinë. Përdorimi normal i saj nuk ka ndonjë dëm, mirëpo nëse konsumohet në masë të madhe mund të sjellë probleme serioze të shëndetit. Ajo rrit shtypjen e gjakut dhe është një nga shkaktarët kryesorë të hipertensionit.

    Prodhuemet e grurit – Gruri përmban një karbohidrat, që mund të shkaktojë diabetin. Si pasojë pankreasi dëmtohet dhe organizmi juaj fillon të bëhet rezistent ndaj insulinës.

    Ushqimet e shpejta – Hamburgerët, sandviçët dhe të gjithë ushqimet e tjera të shpejta kanë një shije të mirë dhe janë zgjidhja e duhur për njerëzit që kanë një ditë të ngarkuar. Përbërësit e këtyre ushqimeve si yndyrnat, aditivët artificialë dhe ngjyruesit rrisin rrezikun e diabetit, sëmundjeve të zemrës, kancerit dhe problemeve me sistemin tretës.

    Qumështi dhe prodhimet e tij – Këto produkte mund të jenë shumë të dëmshme, sidomos për njerëzit që kanë intolerancë ndaj përbërësit kryesor të qumështit – laktozës.

    Buka e bardhë – Mielli i bardhë konsiderohet si përzierje e mbeturinave të grurit dhe disa substancave artificiale. Ai nuk përmban asnjë fibër apo proteinë. Përdorimi i miellit të bardhë shkakton shtim të peshës dhe dëmtim të gjëndrës tiroide.

    Sheqeri artificial – Sheqeri, të cilin e përdorim si ëmbëlsues për kafe, çaj apo përgatitjen e ëmbëlsirave, është shumë i dëmshëm. Ky lloj sheqeri e rrit rrezikun e prekjes nga sëmundjet e zemrës, diabetit apo nga çrregullimet e tjera shëndetësore.

    Margarina – Përdoret në masë të madhe për përgatitjen e ëmbëlsirave dhe ushqimeve të tjera. Përmban yndyrna shumë të dëmshme për shëndetin e zemrës, enëve të gjakut dhe shkakton rritjen e nivelit të kolesterolit.

  • Vitamina A, sekreti për sytë e shëndetshëm dhe shikim të mirë

    Vitamina A, sekreti për sytë e shëndetshëm dhe shikim të mirë

    Shëndeti i syve është jetik, dhe kujdesi i duhur mund të parandalojë probleme si degjenerimi makular dhe katarakti. Faktorë si pirja e duhanit, konsumimi i tepërt i alkoolit dhe mungesa e mbrojtjes nga dielli rrisin rrezikun për sytë.

    Një rol të veçantë në mbrojtjen e shikimit ka vitamina A, e cila jo vetëm përmirëson shëndetin e përgjithshëm, por edhe mban sipërfaqen e syrit (kornean) të lubrifikuar dhe ngadalëson zhvillimin e sëmundjeve serioze të syrit.

    Përveç syve, vitamina A ndihmon në rritjen e eshtrave, shëndetin e lëkurës dhe forcimin e sistemit imunitar. Për fat të mirë, mund të merret lehtë përmes ushqimeve të pasura me të:

    • Mëlçia e kafshëve

    • Të verdhët e vezës

    • Gjalpi

    • Patatet e ëmbla

    • Karrota

    • Spinaqi

    • Djathi zviceran

    Një dietë e pasur me vitaminë A ndihmon sytë të qëndrojnë të shëndetshëm dhe shikimin të mprehtë për vite me radhë.

  • Ndryshimet befasuese që i ndodhin trupit gjatë agjërimit në muajin e Ramazanit

    Ndryshimet befasuese që i ndodhin trupit gjatë agjërimit në muajin e Ramazanit

    Ramazani është një kohë e veçantë për reflektim, vetë-përmirësim, mirësi dhe spiritualitet — dhe agjërimi është një nga shtyllat kryesore të Muajit të Shenjtë, ku besimtarët agjërojnë nga agimi deri në perëndim të diellit.

    Agjërimi gjatë muajit të Ramazanit nuk është vetëm një praktikë shpirtërore, por mund të sjellë edhe përfitime të rëndësishme për shëndetin e trupit dhe të mendjes.

    Ja disa nga ndikimet pozitive që agjërimi mund të ketë në shëndetin dhe mirëqenien tuaj:

    Rregullon kolesterolin “e keq”

    Shumë njerëz synojnë të humbin peshë gjatë agjërimit. Megjithatë, një studim i fundit ka treguar se agjërimi ndikon edhe në profilin lipidik. Kjo çon në uljen e kolesterolit në gjak, duke ndihmuar në parandalimin e sulmeve në zemër, goditjeve në tru dhe sëmundjeve të tjera.

    Ul oreksin

    Respektimi i Ramazanit dhe agjërimi i japin stilit të jetesës dhe sistemit tretës një ndryshim pozitiv. Ndërsa trupi mësohet të hajë më pak, sistemi tretës ka mundësi të pushojë dhe stomaku zvogëlohet gradualisht në madhësi. Kjo ndihmon në uljen e oreksit, dhe efektet mund të zgjasin më shumë sesa shumë dieta të përkohshme.

    Detoks njëmujor

    Agjërimi jo vetëm që përdor rezervat e yndyrës, por gjithashtu ndihmon në pastrimin e trupit nga toksinat e dëmshme që mund të jenë të pranishme në depozitat e yndyrës. Me sistemin tretës që kalon një “rinovim” njëmujor, trupi detoksifikohet natyrshëm, duke ju dhënë mundësinë të vazhdoni një stil jetese më të shëndetshëm edhe pas Ramazanit.

    Përmirëson humorin dhe qartësinë mendore

    Agjërimi mund të shërbejë si një mënyrë për të “fuqizuar” trurin, duke nxitur rritjen dhe zhvillimin e qelizave të reja nervore, çka përmirëson reagimin ndaj informacionit nga mjedisi përreth. Studimet tregojnë gjithashtu se agjërimi mund ta bëjë trurin më rezistent ndaj stresit, më të adaptueshëm ndaj ndryshimeve, si dhe të përmirësojë humorin, kujtesën dhe aftësinë për të mësuar.

  • Macet mund të ofrojnë çelësin për trajtimin e kancerit te njerëzit

    Macet mund të ofrojnë çelësin për trajtimin e kancerit te njerëzit

    Studimi i parë i detajuar gjenetik mbi kancerin te macet shtëpiake ka zbuluar ngjashmëri të forta me format e kancerit te njerëzit, duke hapur mundësi të reja për trajtime më efektive për të dyja speciet.

    Shkencëtarët analizuan ADN-në e tumoreve nga rreth 500 mace shtëpiake dhe identifikuan mutacione kyçe gjenetike të lidhura me zhvillimin e kancerit. Edhe pse kanceri është një nga shkaqet kryesore të sëmundjeve dhe vdekjeve te macet, deri më tani dihej shumë pak rreth mënyrës se si zhvillohet kjo sëmundje tek ato.

    “Gjenetika e kancerit te macet ka qenë një territor pothuajse i panjohur deri tani. Sa më shumë të kuptojmë kancerin në çdo specie, aq më shumë përfitojmë të gjithë”, tha studiuesja kryesore, Dr Louise Van der Wayden.

    Ekipi ndërkombëtar, i udhëhequr nga Wellcome Sanger Institute, analizoi rreth 1 mijë gjene të lidhura me 13 lloje të kancerit te macet. Rezultatet treguan se shumë nga gjenet që nxisin kancerin te macet janë të njëjta me ato te njerëzit, duke sugjeruar se të dyja speciet ndajnë mekanizma biologjikë të ngjashëm që lejojnë rritjen dhe përhapjen e tumoreve.

    Sipas shkencëtarëve, macja shtëpiake mund të ndihmojë veçanërisht në kuptimin e disa formave të kancerit të gjirit, përfshirë kancerin e gjirit “triple negative”, një formë agresive që përbën rreth 15% të rasteve te njerëzit. Macet e zhvillojnë këtë nënlloj më shpesh, duke u ofruar studiuesve më shumë mostra dhe mundësi për të testuar trajtime të reja.

    Gati një e katërta e familjeve në Mbretërinë e Bashkuar kanë të paktën një mace, duke e bërë këtë kafshë po aq të përhapur sa qeni si shoqërues shtëpiak. Megjithatë, ndërsa studimet mbi kancerin te qentë janë të shumta, macet kanë mbetur kryesisht jashtë vëmendjes shkencore.

    Studiuesit theksojnë se si macet ashtu edhe qentë mund të ndihmojnë në identifikimin e faktorëve mjedisorë që ndikojnë në zhvillimin e kancerit, pasi ato jetojnë në të njëjtat ambiente si njerëzit dhe ekspozohen ndaj të njëjtave rreziqe.

    “Kjo na ndihmon të kuptojmë më mirë pse zhvillohet kanceri te macet dhe te njerëzit, si ndikon mjedisi përreth nesh në rrezikun e sëmundjes dhe, potencialisht, të gjejmë mënyra të reja për parandalim dhe trajtim”, tha Prof. Geoffrey Wood nga Ontario Veterinary College.

    Studimi është publikuar në revistën shkencore Science, duke u cilësuar si një hap i rëndësishëm drejt një qasjeje më të gjerë ndër-specie në luftën kundër kancerit.

  • Këshillat që duhet t’i keni parasysh në iftar pas agjërimit gjatë ditës

    Këshillat që duhet t’i keni parasysh në iftar pas agjërimit gjatë ditës

    Ramazani është një muaj i shenjtë gjatë të cilit njerëzit agjërojnë nga agimi deri në perëndim të diellit, dhe një ditë e gjatë pa ushqim apo ujë mund t’ju bëjë natyrshëm shumë të uritur në iftar.

    Megjithatë, kjo uri e madhe shpesh mund të çojë në tepricë në ushqim, gjë që mund të mos jetë e mirë për shëndetin.

    “Të ngrënit shumë dhe me shpejtësi mund të çojë lehtësisht në probleme me tretjen si fryrje, aciditet, diarre, gazra apo urth. Shumë njerëz zgjedhin ushqime jo të shëndetshme që mund t’i bëjnë të ndihen të plogësht. Është thelbësore të bëhen zgjedhje të shëndetshme dhe të hahet me vetëdije për të qëndruar të shëndetshëm dhe energjikë gjatë Ramazanit”, ka pohuar eksperti Dr.Meghraj Ingle.

    Këshilla për të ngrënë me kujdes gjatë Ramazanit

    Filloni me hurma dhe ujë:

    Kur të prishni agjërimin, filloni ngadalë me hurma ose ujë. Hurmat ndihmojnë në stabilizimin e nivelit të sheqerit në gjak dhe i japin trupit energjinë e nevojshme pa e mbingarkuar sistemin tretës. Pirja e ujit pas një periudhe të gjatë agjërimi ndihmon në hidratim dhe përgatit stomakun për ushqimin.

    Hani ngadalë dhe përtypeni mirë ushqimin:

    Sigurohuni që të hani ngadalë dhe të përtypni mirë. Të ngrënit me shpejtësi mund të çojë në ngrënie së tepërmi, sepse trurit i duhet kohë për të kuptuar ndjesinë e ngopjes. Përtypja e mirë ndihmon tretjen dhe lejon trupin të përthithë lëndët ushqyese të nevojshme. Merrni kafshata të vogla në vend të atyre të mëdha.

    Shmangni ushqimet e skuqura dhe të rënda:

    Pas agjërimit është e rëndësishme të bëni zgjedhje të kujdesshme. Ushqimet e skuqura mund të duken joshëse, por ato mund të shkaktojnë aciditet, gazra dhe fryrje. Vaktet e rënda e mbingarkojnë sistemin tretës dhe ju bëjnë të ndiheni të lodhur. Zgjidhni ushqime të lehta dhe të shëndetshme në vend të atyre të përpunuara apo “fast food”.

    Kontrolloni sasinë e porcioneve:

    Çelësi për të shmangur teprimin është të hani në sasi të kontrolluara. Në vend të vakteve të rënda, zgjidhni vakte më të lehta dhe me porcione të vogla. Agjërimi i gjatë mund t’ju bëjë të dëshironi të hani më shumë seç duhet, por ngrënia me masë ndihmon në shmangien e problemeve me tretjen.

    Kufizoni ushqimet me shumë sheqer dhe ëmbëlsirat:

    Konsumimi i tepërt i sheqerit mund të rrisë nivelin e sheqerit në gjak, i cili më pas pasohet nga rënie e energjisë dhe lodhje e madhe. Në vend të ëmbëlsirave të përpunuara, zgjidhni alternativa më të shëndetshme si fruta, hurma apo kos.

  • Studimi: Humbja e nuhatjes sinjal më i besueshëm i COVID-19 se temperatura

    Studimi: Humbja e nuhatjes sinjal më i besueshëm i COVID-19 se temperatura

    Humbja e shqisës së të nuhaturit mund të jetë tregues më i saktë i COVID-19 sesa kollitja apo temperatura, thuhet në një studim të ri.

    Një studim nga University College London (UCL), i realizuar me 590 persona që kishin humbur shqisën e të nuhaturit apo të shijuarit në fillim të vitit, ka gjetur se 80 për qind prej tyre kishin antitrupa të koronavirusit. Nga këta, 40 për qind nuk kishin përjetuar simptoma të tjera, shkruan BBC.

    Megjithatë, studimi përfshiu vetëm persona me simptoma të buta. Shenjat se humbja e nuhatjes dhe shijes mund të jenë simptoma të COVID-19 nisën të raportohen nga prilli dhe u shtuan në listën zyrtare të simptomave në mes të majit, transmeton KOHA.

    Sipas udhëzimeve aktuale, çdo person që humb ose vëren ndryshim në shqisën e nuhatjes apo shijes duhet të vetizolohet dhe të testohet.

    Autorja kryesore e studimit, Rachel Batterham nga UCL, thekson se kollitja dhe temperatura vazhdojnë të konsiderohen simptomat kryesore që duhet të gjurmohen. Ajo rekrutoi pjesëmarrësit mes 23 prillit dhe 14 majit, përmes katër kirurgëve në Londër, duke përfshirë ata që kishin raportuar humbje të nuhatjes ose shijes në katër javët e para.

    Të gjithë pjesëmarrësit u testuan për antitrupa dhe katër nga pesë rezultuan pozitivë, duke treguar se kishin qenë të infektuar më herët me COVID-19.

    Studiuesit theksojnë se, edhe pse jo të gjithë pacientët me koronavirus e humbin nuhatjen, nëse kjo ndodh, gjasat janë të larta që shkaku të jetë infektimi me COVID-19.

    Zbulimet nënvizojnë rëndësinë e vëmendjes ndaj çdo ndryshimi në nuhatje apo shije, veçanërisht nëse personi nuk arrin të nuhasë aroma të zakonshme si parfumi, pasta e dhëmbëve, zbardhuesi apo kafeja.