ATV

Category: SHËNDETËSI

  • Këto simptoma tregojnë rënie të kalciumit në gjak: Kur gjendja mund të bëhet e rrezikshme

    Këto simptoma tregojnë rënie të kalciumit në gjak: Kur gjendja mund të bëhet e rrezikshme

    Hipokalcemia është gjendje që ndodh kur niveli i kalciumit në gjak bie shumë. Në fillim mund të mos japë shenja, por në rastet e rënda mund të shkaktojë spazma muskulore, kriza, çrregullime të ritmit të zemrës dhe komplikacione serioze

    Hipokalcemia është një gjendje që ndodh kur niveli i kalciumit në gjak është shumë i ulët. Është e rëndësishme të theksohet se këtu bëhet fjalë për kalciumin në gjak, dhe jo për sasinë e kalciumit në kocka. Kjo gjendje mund të jetë pasojë e çrregullimeve të ndryshme shëndetësore dhe mund të paraqitet në formë të lehtë ose të rëndë. Në shumicën e rasteve hipokalcemia është e trajtueshme dhe mund të jetë e përkohshme ose kronike, varësisht nga shkaku.

    Pse është i rëndësishëm kalciumi për organizmin?
    Kalciumi është një nga mineralet më të rëndësishme në trupin e njeriut. Pjesa më e madhe e tij gjendet në kocka, por edhe kalciumi në gjak është thelbësor për shumë funksione jetike. Ai mundëson funksionimin normal të sistemit nervor, tkurrjen e muskujve, mpiksjen e gjakut dhe funksionimin e rregullt të zemrës.

    Kur niveli i kalciumit në gjak bie, organizmi e ka më të vështirë të kryejë këto funksione themelore. Në përpjekje për ta mbajtur nivelin e kalciumit në gjak të qëndrueshëm, trupi mund të fillojë ta marrë atë nga kockat, gjë që me kalimin e kohës mund të çojë në dobësimin e tyre.

    Rregullimin e nivelit të kalciumit në organizëm e kontrollojnë hormonet – hormoni paratiroid dhe kalcitonina, ndërsa vitamina D ka rol kyç në përthithjen e kalciumit nga ushqimi.

    Kush mund të zhvillojë hipokalceminë?
    Hipokalcemia mund të prekë njerëz të të gjitha moshave, përfshirë edhe të porsalindurit. Shkaku shpesh përcakton edhe periudhën e jetës kur shfaqet kjo gjendje. Te foshnjat, për shembull, hipokalcemia mund të jetë pasojë e disa çrregullimeve gjenetike.

    Në praktikë, kjo gjendje shpesh shfaqet si pasojë ose komplikim i problemeve të tjera shëndetësore. Për shembull, është relativisht e shpeshtë pas operacionit të gjëndrës tiroide, sepse mund të dëmtohet funksioni i gjëndrave paratiroide.

    Cilat janë simptomat e hipokalcemisë?
    Rënia e lehtë e kalciumit shpesh nuk shkakton simptoma. Megjithatë, me uljen e mëtejshme të nivelit të kalciumit, mund të shfaqen shenja të ndryshme.

    Te format më të lehta mund të paraqiten:

    ▪ ngërçe në muskuj, veçanërisht në shpinë dhe në këmbë
    ▪ lëkurë e thatë dhe me luspa
    ▪ thonj të brishtë
    ▪ ndryshime në strukturën e flokëve.

    Nëse gjendja zgjat dhe nuk trajtohet, mund të shfaqen edhe simptoma neurologjike dhe psikologjike, si:

    ▪ konfuzion
    ▪ probleme me kujtesën
    ▪ nervozizëm dhe irritim
    ▪ gjendje depresive
    ▪ halucinacione.

    Kur hipokalcemia bëhet e rrezikshme?
    Në rastet e hipokalcemisë së rëndë, pra kur niveli i kalciumit në gjak është shumë i ulët, mund të shfaqen simptoma serioze dhe potencialisht kërcënuese për jetën.

    Këto përfshijnë mpirje të buzëve, gjuhës, gishtërinjve dhe shputave, dhimbje dhe spazma të forta muskulore, ngërçe të muskujve të fytit që mund të vështirësojnë frymëmarrjen, kriza epileptike, çrregullime të ritmit të zemrës dhe dobësim të funksionit të saj.

    Në këto situata nevojitet ndihmë e menjëhershme mjekësore, sepse komplikacionet mund të jenë të rrezikshme për jetën.

    Shkaqet më të shpeshta të hipokalcemisë
    Ekzistojnë shumë faktorë që mund të çojnë në rënien e kalciumit në gjak, por tre prej tyre janë më të shpeshtët.

    1. Hipoparatiroidizmi
    Kjo gjendje ndodh kur gjëndrat paratiroide nuk prodhojnë mjaftueshëm hormon paratiroid (PTH), i cili rregullon nivelin e kalciumit në gjak. Mund të jetë pasojë e çrregullimeve gjenetike ose e ndërhyrjeve kirurgjikale në gjëndrën tiroide ose paratiroide.

    2. Mungesa e vitaminës D
    Vitamina D i mundëson organizmit të përthithë kalciumin nga ushqimi. Mungesa e saj mund të çojë në hipokalcemí. Shkaku mund të jetë ekspozimi i pamjaftueshëm në diell, ushqyerja e dobët ose disa çrregullime gjenetike.

    3. Dëmtimi kronik i veshkave
    Në rastet e pamjaftueshmërisë së veshkave ndodh çrregullim në metabolizmin e fosforit dhe vitaminës D, gjë që mund të ulë nivelin e kalciumit në gjak.

    Hipokalceminë mund ta shkaktojnë edhe faktorë të tjerë, si disa barna, niveli i ulët i magnezit, pankreatiti akut ose disa sëmundje të rralla gjenetike.

    Si vendoset diagnoza?
    Hipokalcemia diagnostikohet përmes analizës së gjakut, kur përqendrimi total i kalciumit është më i ulët se rreth 8,8 mg/dL. Përveç kësaj, mjekët shpesh bëjnë analiza shtesë për të zbuluar shkakun e çrregullimit, duke përfshirë matjen e magnezit, fosforit, hormonit paratiroid dhe vitaminës D.

    Në disa raste kryhet edhe elektrokardiogramë (EKG), sepse niveli i ulët i kalciumit mund të shkaktojë çrregullime të ritmit të zemrës.

    Trajtimi i hipokalcemisë
    Forma më e zakonshme e trajtimit janë suplementet e kalciumit, zakonisht në formë tabletash. Megjithatë, është po aq e rëndësishme të trajtohet edhe shkaku themelor që ka çuar në rënien e kalciumit.

    Terapia mund të përfshijë preparate orale të kalciumit, suplemente të vitaminës D, hormon paratiroid sintetik në rastin e hipoparatiroidizmit, si dhe dhënie intravenoze të kalciumit në kushte spitalore në rastet e rënda.

    Cila është prognoza?
    Në shumicën e rasteve hipokalcemia është një gjendje e trajtueshme dhe e kontrollueshme, veçanërisht kur zbulohet dhe trajtohet në kohë. Simptomat zakonisht zhduken pasi niveli i kalciumit në gjak normalizohet.

    Megjithatë, hipokalcemia e rëndë dhe e patrajtuar mund të çojë në komplikacione serioze, si kriza epileptike, çrregullime të zemrës ose dështim të saj, prandaj konsiderohet një gjendje potencialisht kërcënuese për jetën.

    Për këtë arsye është e rëndësishme të kërkohet ndihmë mjekësore nëse shfaqen simptoma që mund të tregojnë një rënie të theksuar të kalciumit në organizëm.

  • Zbulim shqetësues për ilaçet për dobësim – Studimi paralajmëron rrezik për kockat

    Zbulim shqetësues për ilaçet për dobësim – Studimi paralajmëron rrezik për kockat

    Një studim i ri tregon se përdorimi i ilaçeve për dobësim si Ozempic, Wegovy dhe Mounjaro mund të rrisë rrezikun e osteoporozës me rreth 30 për qind, por ekspertët thonë se aktiviteti fizik mund ta zvogëlojë këtë efekt

    Një studim i ri paralajmëron se ilaçet e njohura për dobësim, si Ozempic, Wegovy dhe Mounjaro, mund të rrisin rrezikun e osteoporozës me rreth 30 për qind. Megjithatë, ekspertët theksojnë se ky rrezik mund të zvogëlohet me aktivitet të rregullt fizik, veçanërisht me ushtrime të forcës.

    Ilaçet nga grupi i agonistëve të receptorit GLP-1 kanë ndryshuar mënyrën e trajtimit të obezitetit dhe diabetit të tipit 2. Por ndërsa efektet e tyre në humbjen e peshës janë shumë të vlerësuara, studiuesit po paralajmërojnë gjithnjë e më shumë për pasojat e mundshme afatgjata.

    Kockat mund të bëhen më të brishta

    Shkencëtarët, të udhëhequr nga dr. John Horneff nga Universiteti i Pensilvanisë, analizuan të dhënat mjekësore të më shumë se 146 mijë të rriturve me obezitet dhe diabet të tipit 2 gjatë një periudhe pesëvjeçare. Ata krahasuan pacientët që përdornin këto ilaçe me ata që nuk i përdornin.

    Rezultatet treguan se përdoruesit e ilaçeve GLP-1 kishin rreth 30 për qind rrezik më të lartë për zhvillimin e osteoporozës, një sëmundje që i bën kockat më të dobëta dhe më të prirura për thyerje. Rreth 4 për qind e përdoruesve zhvilluan këtë problem, krahasuar me pak më shumë se 3 për qind tek personat që nuk i përdornin.

    Gjithashtu u vu re një rritje e rasteve të osteomalacisë, gjendje që shkakton zbutjen e kockave, si dhe një rritje e lehtë e rrezikut për përdhes.

    Pse ndodh kjo?

    Ekspertët theksojnë se problemi nuk lidhet drejtpërdrejt vetëm me ilaçin, por me humbjen e shpejtë të peshës. Çdo rënie e madhe në peshë shoqërohet me ulje të densitetit mineral të kockave.

    Kur pesha bie shpejt, zvogëlohet edhe presioni mekanik mbi kockat, i cili normalisht ndihmon në forcimin dhe rinovimin e tyre. Përveç kësaj, deri në 40 për qind e peshës së humbur mund të jetë masë trupore pa yndyrë, përfshirë edhe muskujt, gjë që rrit rrezikun e dobësimit të skeletit dhe të frakturave.

    Ushtrimet mund të mbrojnë kockat

    Megjithatë, një studim tjetër i publikuar në revistën JAMA Network Open tregon se aktiviteti fizik mund të ndihmojë në mbrojtjen e kockave. Personat që përdornin këto ilaçe, por nuk ushtronin aktivitet fizik, kishin densitet më të ulët të kockave në ije dhe shtyllën kurrizore.

    Ndërsa ata që kombinuan ilaçet me ushtrime të rregullta, veçanërisht ushtrime të forcës dhe rezistencës, arritën të ruajnë më mirë shëndetin e kockave.

    Prandaj mjekët rekomandojnë që personat që përdorin këto ilaçe të konsultohen me specialistët për një plan ushqimor të pasur me proteina dhe kalcium, si dhe për një program të rregullt ushtrimesh që ndihmon në ruajtjen e masës muskulore dhe kockore.

  • Lajm i mirë për pacientët me kancer: Zemra mund të mbrohet gjatë kimioterapisë

    Lajm i mirë për pacientët me kancer: Zemra mund të mbrohet gjatë kimioterapisë

    Një studim i publikuar në revistën shkencore Basic Research in Cardiology tregon se një teknikë e thjeshtë jo-farmakologjike mund të mbrojë zemrën gjatë trajtimit me kimioterapi, pa ulur efektin kundër tumorit

    Një ekip shkencëtarësh nga Centro Nacional de Investigaciones Cardiovasculares (CNIC) në Madrid ka zbuluar se zemra mund të mbrohet gjatë kimioterapisë pa e ulur efektivitetin e trajtimit kundër kancerit.

    Përparimet në trajtimin e kancerit kanë bërë që sot shumë më tepër njerëz të mbijetojnë këtë sëmundje. Megjithatë, disa nga barnat më efektive kundër tumorit, veçanërisht një grup ilaçesh të quajtura antracikline, mund të shkaktojnë dëmtime serioze të zemrës. Tek disa pacientë, këto dëmtime shfaqen muaj apo edhe vite pas përfundimit të trajtimit dhe mund të ndikojnë ndjeshëm në cilësinë e jetës.

    Një teknikë e thjeshtë për mbrojtjen e zemrës
    Mbrojtja e zemrës gjatë kimioterapisë pa rrezikuar efektin kundër tumorit ka qenë një nga sfidat kryesore në fushën e kardio-onkologjisë, disiplinë që studion ndikimin e trajtimeve të kancerit në sistemin kardiovaskular.

    Tani studiuesit e CNIC, të udhëhequr nga Dr. Borja Ibáñez, kanë paraqitur prova të reja se kjo është e mundur.

    Studimi, i publikuar në revistën shkencore Basic Research in Cardiology, tregon se zemra mund të mbrohet gjatë trajtimit me antracikline duke përdorur një metodë të thjeshtë jo-farmakologjike të quajtur kondicionim ishemik në distancë.

    Si funksionon kjo metodë
    Kondicionimi ishemik në distancë konsiston në ndërprerje të shkurtra dhe të kontrolluara të rrjedhjes së gjakut në një gjymtyrë, zakonisht duke përdorur një manshetë presioni të ngjashme me atë që përdoret për matjen e tensionit të gjakut.

    Ky stimul aktivizon mekanizma mbrojtës në organizëm që ndihmojnë zemrën të përballojë më mirë stresin e mëvonshëm, përfshirë dëmtimet e mundshme të shkaktuara nga disa trajtime kundër kancerit.

    Zemra mbrohet pa ndikuar në efektin kundër tumorit
    Në studim, shkencëtarët përdorën një model eksperimental me minj që kishin tumore dhe trajtoheshin me antracikline, për të simuluar situatën klinike tek pacientët me kancer.

    Rezultatet treguan se kafshët që iu nënshtruan kësaj teknike ruajtën funksion më të mirë të zemrës gjatë trajtimit. Ajo që është më e rëndësishme, ky efekt mbrojtës nuk u shoqërua me rritje të tumorit dhe nuk e zvogëloi efektin antitumoral të kimioterapisë.

    Autorja e parë e studimit, Anabel Díaz Guerra, studiuese në CNIC, thekson se mundësia për të mbrojtur zemrën pa kompromentuar trajtimin e kancerit është thelbësore për zhvillimin e terapive më të sigurta.

    Rezultatet e këtij hulumtimi janë në përputhje me vizionin translacional të ekipit të drejtuar nga Dr. Borja Ibáñez, drejtor shkencor i CNIC dhe kardiolog në Fondacionin Jiménez Díaz. Ky ekip aktualisht koordinon edhe një studim klinik evropian të quajtur RESILIENCE, i cili po vlerëson nëse kjo teknikë mund të mbrojë zemrën e pacientëve me kancer që trajtohen me antracikline dhe të zvogëlojë komplikacionet kardiovaskulare afatgjata.

    Sipas Dr. Laura Cádiz nga CNIC, këto gjetje përforcojnë idenë se strategjitë e thjeshta dhe jo invazive mund të luajnë rol të rëndësishëm në mbrojtjen kardiovaskulare të pacientëve me kancer dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre gjatë dhe pas trajtimit.

    Përmes programit të tij për homeostazën e miokardit dhe dëmtimet e zemrës, CNIC vazhdon të studiojë toksicitetin kardiovaskular të trajtimeve të kancerit, veçanërisht dëmtimet e shkaktuara nga antraciklinet, me qëllim zhvillimin e terapive më të sigurta dhe më efektive për pacientët.

  • Duhani mund të shkaktojë diabet

    Duhani mund të shkaktojë diabet

    Në të vërtetë, duhanpirësit kanë një rrezik 30-40% më të madh të zhvillimit të sëmundjes sesa joduhanpirësit dhe sa më i lartë numri i cigareve të tymosura në ditë, aq më i madh është rreziku për t’u bërë diabetik.

    ”Për më tepër, duhanpirësit me diabet kanë një menaxhim të vështirë të sëmundjes (kontroll më të ulët të glicemisë) dhe rrezik më të madh të ndërlikimeve të tilla si infarkti i miokardit, retinopatia ose probleme me veshkat”, raporton Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, shkruan ANSA.

    “Studimet kanë bërë një analizë të plotë të duhanpirësve me rrezikun e diabetit, domethënë me duhanpirësit ‘e rëndë’ (më shumë se 25 cigare në ditë) të cilët kanë më shumë rrezik për diabet sesa duhanpirësit ‘e lehtë’ (jo më shumë se 10 cigare në ditë)”, shpjegon Francesco Purrello, president i Shoqatës Italiane të Diabetologjisë.

    ”Ka disa mekanizma që shpjegojnë se si pirja e duhanit mund të çojë në diabet”, thotë eksperti.

    ”Nikotina vepron në qelizat pankreatike që prodhojnë insulinën duke krijuar një gjendje inflamimi kronik që rrit rezistencën e insulinës (mosfunksionimi i insulinës), në bazë të shfaqjes së diabetit. Pirja e duhanit, dieta dhe pasiviteti fizik, mund të ndryshojë rrjedhën e shëndetit të një personi”, thekson Purrello.

  • Kollitja me gjak duket alarmante, por jo gjithmonë është shenjë e sëmundjes së rëndë

    Kollitja me gjak duket alarmante, por jo gjithmonë është shenjë e sëmundjes së rëndë

    Mjekët shpjegojnë se gjaku gjatë kollitjes mund të vijë nga mushkëritë, fyti ose edhe nga hunda, ndërsa në disa raste mund të jetë shenjë e një gjendjeje që kërkon vlerësim të menjëhershëm mjekësor

    Kollitja me gjak nga rrugët e frymëmarrjes në gjuhën mjekësore quhet hemoptizi. Edhe pse në shikim të parë kjo dukuri mund të duket shumë shqetësuese, mjekët theksojnë se në shumicën e rasteve shkaku nuk është i natyrës serioze.

    Gjaku mund të kollitet nga mushkëritë, nga fyti ose nga hunda. Në varësi të shkakut, sasia e gjakut mund të jetë e vogël ose më e madhe dhe ndonjëherë shoqërohet me temperaturë të lartë, vështirësi në frymëmarrje ose kollë të fortë.

    Sasi të vogla gjaku mund të jenë pasojë e irritimit ose e një infeksioni të rrugëve të frymëmarrjes, ndërsa sasi më të mëdha mund të kërkojnë ndihmë të menjëhershme mjekësore. Mjekët theksojnë se çdo hemoptizi e vërtetë duhet të vlerësohet nga një profesionist shëndetësor, sepse edhe sëmundjet serioze mund të fillojnë me simptoma të lehta.

    Nuk është gjithmonë shenjë e një sëmundjeje të rëndë
    Ekspertët theksojnë se kollitja e lehtë me gjak mund të shfaqet gjatë infeksioneve të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes ose gjatë bronkitit viral.

    Në disa raste, gjaku mund të vijë nga gjakderdhja nga hunda, kur gjaku rrjedh poshtë në fyt dhe më pas kollitet. Në këtë situatë, teknikisht nuk bëhet fjalë për hemoptizi.

    Megjithëse shumë njerëz e lidhin kollitjen me gjak me tuberkulozin ose me kancerin e mushkërive, mjekët theksojnë se ky simptom nuk është gjithmonë tregues i një sëmundjeje të rëndë.

    Gjaku në pështymë mund të vijë nga mushkëritë, fyti ose hunda. Megjithatë, sa herë që vërehet një simptomë e tillë, është e rëndësishme të konsultohet mjeku për të përcaktuar shkakun.

    Pse ndodh më shpesh kollitja me gjak
    Shkaku më i zakonshëm është kolla e fortë ose infeksioni i rrugëve të frymëmarrjes. Kollitja e zgjatur mund të dëmtojë enët e vogla të gjakut në fyt ose në mushkëri dhe të shkaktojë gjak në sekrecione.

    Sekrecioni me gjurmë gjaku mund të shfaqet gjatë infeksioneve të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes ose gjatë bronkitit dhe zakonisht nuk është i rrezikshëm. Bronkiti ndonjëherë mund të zgjasë disa javë dhe të shoqërohet me kollë dhe sekrecion të përzier me gjak.

    Kollitja me gjak mund të ndodhë edhe gjatë pneumonisë, gripit, COVID-19 ose ftohjes së rëndë.

    Tek personat që vuajnë nga alergjitë sezonale ose kanë kanale nazale shumë të thata, mund të ndodhë që një sasi e vogël gjaku nga hunda të rrjedhë në fyt dhe më pas të pështyhet.

    Nëse gjakderdhja përsëritet ose shkaku nuk është i qartë, rekomandohet konsultimi me mjekun.

    Problemet me dhëmbët dhe stomakun
    Ndonjëherë gjaku në pështymë mund të vijë nga problemet dentare. Gjakderdhja e mishrave të dhëmbëve, plagët në gojë ose larja shumë e fortë e dhëmbëve mund të shkaktojnë gjakderdhje të vogla që përzihen me pështymën.

    Mjekët theksojnë se gjaku mund të vijë edhe nga stomaku ose ezofagu. Shkaktarët mund të jenë refluksi i acidit, ulçera në stomak, të vjella të forta ose dëmtimi i ezofagut.

    Edhe ushqimet shumë pikante, alkooli dhe përdorimi i disa barnave antiinflamatore mund të irritojnë mukozën e stomakut dhe të shkaktojnë gjakderdhje.

    Në këto raste, gjaku zakonisht është më i errët dhe mund të përzihet me ushqim.

    Ngjyra dhe sasia e gjakut mund të ndihmojnë mjekun të përcaktojë burimin:

    • gjaku i kuq i ndezur zakonisht vjen nga mushkëritë ose fyti
    • gjaku rozë ose me shkumë zakonisht përzihet me sekrecionet nga mushkëritë
    • gjaku i errët, i ngjashëm me llumin e kafesë, zakonisht vjen nga stomaku ose ezofagu

    Sëmundjet kronike të mushkërive
    Disa sëmundje kronike mund të shkaktojnë kollitje me gjak, përfshirë:

    • sëmundjen kronike obstruktive të mushkërive
    • fibrozën cistike
    • tuberkulozin
    • bronkiektazitë

    Në raste më të rënda, kollitja me gjak mund të jetë pasojë e embolise pulmonare, një gjendje urgjente dhe potencialisht fatale që ndodh kur arteria pulmonare bllokohet nga një mpiksje gjaku.

    Në këtë rast pacienti mund të ketë dhimbje në gjoks, vështirësi në frymëmarrje, rrahje të shpejta të zemrës dhe kollitje me gjak.

    Kanceri i mushkërive
    Në disa raste, kollitja me gjak mund të jetë një nga shenjat e kancerit të mushkërive.

    Në fazat e hershme shpesh nuk ka simptoma të dukshme. Në fazat më të avancuara mund të shfaqen:

    • kollë e vazhdueshme që përkeqësohet
    • kollitje me gjak
    • vështirësi në frymëmarrje
    • dhimbje në gjoks ose në shpatull
    • humbje e pashpjegueshme e peshës
    • ngjirje e zërit

    Kur duhet kërkuar ndihmë mjekësore
    Kollitja me gjak bëhet më shqetësuese kur shoqërohet me simptoma të tjera.

    Duhet kërkuar ndihmë urgjente mjekësore nëse shfaqen:

    • vështirësi në frymëmarrje
    • dhimbje ose shtrëngim në gjoks
    • sasi e madhe gjaku gjatë kollitjes
    • marramendje ose humbje ndjenje
    • rrahje të shpejta të zemrës
    • të vjella me gjak

    Duhet të konsultohet mjeku edhe nëse gjaku shfaqet disa herë, nëse ka temperaturë, djersitje gjatë natës, humbje peshe, nëse personi është duhanpirës ose ka sëmundje të mushkërive.

    Mjekët mund të rekomandojnë analiza të ndryshme, si radiografi të mushkërive, skaner CT, analiza të gjakut dhe të sekrecioneve, si dhe ekzaminime endoskopike të rrugëve të frymëmarrjes ose të traktit tretës.

    Parandalimi
    Kollitja me gjak nuk mund të parandalohet gjithmonë, por rreziku mund të zvogëlohet nëse:

    • shmanget duhani dhe cigaret elektronike
    • trajtohen në kohë infeksionet e frymëmarrjes
    • kontrollohen mirë astma dhe sëmundjet kronike të mushkërive

    Rekomandohet edhe përdorimi i lagështuesve të ajrit dhe spërkatësve për hundë nëse ajri i thatë shkakton gjakderdhje nga hunda, si dhe përdorimi i pajisjeve mbrojtëse nëse ekspozohemi ndaj pluhurit ose kimikateve.

  • Ndërprerja e injeksioneve për humbje peshe çon në rifitimin e peshës

    Ndërprerja e injeksioneve për humbje peshe çon në rifitimin e peshës

    Barnat për humbje peshe i përkasin të ashtuquajturave barna GLP-1, të cilat funksionojnë duke imituar hormonin GLP-1 për të rregulluar nivelet e sheqerit në gjak dhe insulinës.

    Një studim ka zbuluar se njerëzit që përdorin injeksione për humbje peshe si Mounjar ose ëegovy do të rifitojnë rreth dy të tretat e peshës që kanë humbur brenda një viti nga ndërprerja e marrjes së tyre, raportoi të enjten agjencia gjermane e lajmeve dpa. Megjithatë, shtimi në peshë ka të ngjarë të ndalet pas një periudhe të caktuar kohore dhe pacientët do të jenë ende më të dobët në planin afatgjatë sesa para se të fillonin të merrnin ilaçet.

    Pavarësisht kësaj, studiuesit paralajmëruan se nëse shtimi në peshë është kryesisht nga yndyra, njerëzit “mund të jenë më keq se më parë” kur filluan të përdorin ilaçet.

    Barnat për humbje peshe i përkasin të ashtuquajturave barna GLP-1, të cilat funksionojnë duke imituar hormonin GLP-1 për të rregulluar nivelet e sheqerit në gjak dhe insulinës.

    Analizat tregojnë se pasi njerëzit ndërpresin përdorimin e ilaçit për 52 javë, ata rifitojnë, mesatarisht, 60 përqind të peshës që kanë humbur.

    Megjithatë, deri në javën e 60-të, studiuesit thanë se shtimi në peshë filloi të ngadalësohej në 75 përqind të humbjes fillestare, që do të thoshte se njerëzit mbeteshin me një humbje prej 25 përqind të peshës në planin afatgjatë.

    Brian Budini, një student mjekësie në Universitetin e Kembrixhit, tha: “Ilaçe si Ozempic dhe ëegovy veprojnë si frenues të oreksit dhe na bëjnë të ndihemi të ngopur më shpejt, që do të thotë se hamë më pak dhe për këtë arsye humbasim peshë.”

    “Kur njerëzit ndalojnë së përdoruri ato, është sikur po e heqin këmbën nga freni dhe kjo mund të çojë në rifitim të shpejtë të peshës.”

  • A është i dëmshëm solariumi? Ja çfarë thotë studimi

    A është i dëmshëm solariumi? Ja çfarë thotë studimi

    Në mënyrë që të kemi nuance të kaftë të lëkurës dhe ten të rrezitur, shumica zgjedhin solariumet ku ata mund të fitojnë ngjyrë.

    Megjithatë për shkak të pasojave shumë të dëmshme që mund të ketë kjo rrezitje në kushte artificial, disa vende kanë ndaluar tashmë nga ligji, apo kanë kufizuar moshën nën 18 vjet.

    Përdorimi i solariumit nuk rekomandohet nën moshën 18 vjecare dhe në shumicën e vendeve të bashkimit evropian është e ndaluar me ligj për shkak të efekteve anësore si: përshpejtimi i plakjes së lëkurës, humbja e lagështisë, rritja e keratozës diellore, tumoret kanceroze si dhe dukuri të shpeshta të melanomas malinje.

    Thuhet se rrezik më të lartë për zhvillimin e kancerit të lëkurës kanë personat që kanë sy me nuance të çelët dhe ata persona që kanë mole apo bene në trup.

    Format më të zakonshme malinje

    Tumoret malinje të lëkurës janë forma më e shpeshtë malinje e sëmundjeve. Sipas të dhënave, në raportin e bërë thuhet se ka pasur 4.388 pacientë të rinj me tumore malinje të lëkurës, nga të cilët 173 njerëz kanë vdekur si rezultat i kancerit të lëkurës. Kanceri i lëkurës është më i keq se melanoma e lëkurës, vecanërisht shkon në drejtim të vdekshmërisë.

    Kemi vizituar disa solariume dhe kemi vërejtur se nuk ka edhe turma të shumta njerëzish. Morëm gjithashtu rekomandimin se sa është maksimumi që mund ta përdorim atë.

    Mos u shqetësoni, është e sigurtë. Minimumi është 5 minuta ndërs amaksimumi është 15. Llampat janë të forta dhe nuk rekomandohet të përdoren më shumë se 5 minuta nëqoftëse keni nuance të bardhë të lëkurës, pastaj cdo ditë mund të frekuentoni solariumin duke rritur minutazhin deri sa të arrini ngjyrën e preferuar. Duhet të shkoni njëherë në javë për ta mbajtur ngjyrën- na këshilluan sallonet e bukurisë.

  • Gjinekologia ngre shqetësimin për vaginizmin: Kam çifte që deri në 6 vite martesë s’kanë bërë kurrë marrëdhënie seksuale

    Gjinekologia ngre shqetësimin për vaginizmin: Kam çifte që deri në 6 vite martesë s’kanë bërë kurrë marrëdhënie seksuale

    Gjatë emisionit “LIBERO”, ku po diskutohej tema e të qenit prindër për herë të parë – mes gëzimit dhe frikës – e ftuar ishte edhe gjinekologia Aida Kumnova, e cila solli në vëmendje një tjetër çështje të rëndësishme që shpesh mbetet tabu: vaginizmin.

    Ajo tregoi se në praktikën e saj has shpesh çifte që kërkojnë ndihmë pas një kohe të gjatë martese, pikërisht për shkak të kësaj problematike.

    “…Kam çifte që vijnë dhe kërkojnë ndihmë pas 1 viti martesë, 2 vite martesë, madje kam pasur rast edhe deri në 6 vite martesë dhe absolutisht asnjëherë nuk kanë pasur marrëdhënie seksuale…”, u shpreh Kumnova.

    Doktoresha derisa foli për vaginizmin, tha se kjo mund të tejkalohet me ndihmën e psikologut, psikiatrit dhe gjinekologut!

    Sipas saj, kjo është një çështje për të cilën duhet të flitet më shumë në shoqëri, në mënyrë që të rritet ndërgjegjësimi, sidomos te vajzat.

    “…Është një çështje që duhet ta ngrisim dhe të bisedojmë për të dhe t’i vetëdijësojmë vajzat…”, shtoi ajo.

    Çka është vaginizmi?

    Sipas Cleveland Clinic, vaginizmi konsiderohet një problem i shëndetit seksual që mund të ndikojë në jetën intime dhe emocionale të një gruaje. Ky çrregullim nuk është vetëm fizik; ai shpesh lidhet edhe me faktorë psikologjikë dhe emocionalë, si ankthi, frika ose përvoja negative që lidhen me seksualitetin. Për këtë arsye, vaginizmi shpesh trajtohet si një problem biopsikosocial që kërkon qasje të kombinuar në trajtim.

    Vaginizmi mund të paraqitet në dy forma kryesore: primar dhe sekondar. Vaginizmi primar ndodh kur një grua nuk ka qenë kurrë në gjendje të ketë penetrim vaginal pa dhimbje. Ndërsa vaginizmi sekondar zhvillohet pasi gruaja ka pasur më parë marrëdhënie seksuale pa probleme, por më vonë fillon të përjetojë kontraktime dhe dhimbje gjatë penetrimit.

    Për ta dëgjuar diskutimin e plotë në emisionin LIBERO të datës 02.03.2026 (rreth prindërimit për herë të parë), klikoni linkun e mëposhtëm:

  • Pse dobësohet shikimi me kalimin e moshës?

    Pse dobësohet shikimi me kalimin e moshës?

    Disa ndryshime të shikimit janë një pjesë normale e plakjes, ndërsa të tjerat mund të jenë pasojë e problemeve shëndetësore ose nën efektin e zgjedhjeve të dobëta të stilit të jetesës, siç është pirja e duhanit.

    Ndryshimet e shikimit mund të ndodhin me plakjen për disa arsye, si:

    Fleksibilitet i reduktuar i lenteve
    Reduktimi i prodhimit të lotëve ose tharja e syve
    Prishja e lëngut të ngjashëm me xhel ose qelqit në sy
    Akumulimi i lëngjeve në dhomat e syve
    Mbyllja ose errësimi i thjerrëzave
    Rënia e qepallave
    Dëmtimi i kornesë ose retinës
    Për të kuptuar se si këto ndryshime ndikojnë në shikimin tonë ndërsa plakemi, është e rëndësishme të kuptojmë se si shohim.

    Kuptimi i vizionit

    Drita hyn përmes një indi transparent përpara syrit të quajtur kornea.

    Forma dhe trashësia e kornesë përcaktojnë se sa rrezet e dritës hyrëse do të jenë të përkulura dhe, rrjedhimisht, do të fokusohen në indin e ndjeshëm ndaj dritës (retinë) të pranishëm në pjesën e pasme të syrit.

    Kështu, shëndeti i kornesë është thelbësor për të përcaktuar se sa mirë është fokusuar një imazh në sy.

    Pas hyrjes në korne, drita kalon përmes hapjes së vogël rrethore të quajtur bebëza, e cila shihet në qendër të pjesës së ngjyrosur të syrit të quajtur iris.

    Irisi kontrollon se sa dritë hyn në sy duke ndryshuar madhësinë e bebëzës.

    Kështu, në dritë të ndritshme, bebëza duket më e vogël, ndërsa në dritë të zbehtë bëhet më e madhe.

    Drita që hyn në bebëzën më pas kalon përmes thjerrëzës, e cila është një strukturë e qartë që fokuson më tej dritën. Trashësia e lenteve mund të ndryshohet nga muskujt e lidhur me të.

    Së fundi, drita përqendrohet në retinë, e cila e shndërron atë në sinjale elektrike që barten në tru përmes nervit optik.

    Pjesa e brendshme e kokës së syrit është e ndarë në tre dhoma: anteriore, e pasme dhe qelqore.

    Dhoma e përparme është pjesa midis kornesë dhe irisit.

    Dhoma e pasme është midis irisit dhe thjerrëzës.

    Dhoma e qelqit është pjesa prapa thjerrëzës.

    Dhomat e përparme dhe të pasme janë të mbushura me një lëng ujor të quajtur humor ujor, ndërsa dhoma qelqore ka një substancë të qartë xhel të quajtur humor qelqor.

    Qartësia dhe konsistenca e këtyre humorëve ose lëngjeve ndihmojnë në ruajtjen e formës së kokës së syrit dhe arritjen e një vizioni të duhur.

    Kështu, nëse ndonjë pjesë e syrit preket, imazhi përfundimtar i përpunuar nga truri mund të ndikohet, duke rezultuar në probleme të shikimit.

    Cilat janë problemet e ndryshme të shikimit të lidhura me moshën?

    Probleme të ndryshme të shikimit të lidhura me moshën përfshijnë:

    Presbiopia

    I referohet rënies së aftësisë së fokusimit të syrit për shkak të një reduktimi të elasticitetit të lenteve.

    Mund të shfaqet pas moshës 40-vjeçare si vështirësi për të parë objekte të mbajtura afër ose për të lexuar gazeta dhe shkronja të tjera të imta. Mund të ndodhë më shpejt te njerëzit që tashmë kanë miopi.

    Personi shpesh mban libra ose materiale të tjera leximi larg krahut për t’i lexuar siç duhet.

    Presbiopia mund të menaxhohet duke mbajtur syze leximi ose bifokale.

    Katarakta

    Errësimi ose turbullimi i thjerrëzave quhet katarakt.

    Zonat e errëta në lente rezultojnë në fokusim të dobët të rrezeve të dritës, duke rezultuar në një shikim të zvogëluar ose të paqartë.

    Ndryshimet e shikimit janë pa dhimbje dhe varen nga vendi ku ndodh errësimi i lenteve.

    Kataraktet mund të trajtohen lehtësisht përmes operacionit që përfshin heqjen e thjerrëzës së errët dhe zëvendësimin e saj me një lente artificiale.

    Glaukoma

    Një gjendje e rëndë që ndodh për shkak të rritjes së presionit brenda syrit (presioni intraokular ose IOP).

    Rritja e vazhdueshme e IOP mund të çojë në humbje të përhershme të shikimit për shkak të dëmtimit të nervit optik.

    Glaukoma mund të shfaqet si dhimbje të forta të syve, dhimbje koke, turbullim të shikimit, rritje të lotëve, të përziera ose të vjella dhe shikimi i aureolëve ose unazave me ngjyrë rreth burimeve të dritës.

    Mund të trajtohet me medikamente dhe kirurgji.

    Sytë e thatë

    Gjëndrat e lotit sekretojnë më pak lot me kalimin e moshës.

    Prodhimi i lotëve ndihmon në mbajtjen e syve të pastër dhe të rehatshëm dhe ndihmon në shikimin e duhur. Me formimin e reduktuar të lotëve, sytë ndihen të ashpër dhe të lodhur.

    Prodhimi i reduktuar i lotëve mund të rrisë rrezikun e inflamacionit dhe infeksioneve të syve.

    Mjeku mund të përshkruajë pika lubrifikuese për sy ose lot artificial për të ndihmuar me këtë problem.

    Miza para syve

    Ato i referohen njollave të vogla lëvizëse ose njollave në fushën e shikimit, veçanërisht të dukshme në dritë të ndritshme.

    Floaters të rastit janë normale, por rritja e mizave së bashku me ndezjet e dritës mund të tregojë një gjendje serioze themelore, siç është shkëputja e retinës.

    Kontaktoni menjëherë mjekun tuaj nëse shihni shumë miza papritmas së bashku me ndezje drite.

    Degjenerimi makular i lidhur me moshën (ARMD)

    Rezulton për shkak të dëmtimit të një pjese të retinës të quajtur makula.

    Shkakton humbje të shikimit qendror, me shikimin anësor ose periferik të ruajtur.

  • Gabimet e përditshme që dëmtojnë shpinën pa e kuptuar

    Gabimet e përditshme që dëmtojnë shpinën pa e kuptuar

    Disa gabime shumë njerëz i bëjnë në përditshmëri pa vetëdije, të cilat mund të shkaktojnë probleme me shpinën.

    Siç raporton “Mirror”, shumë njerëz nuk bëjnë mjaftueshëm për të reduktuar presionin dhe stresin e punës së përditshme, dhe me kalimin e kohës rritja e tensionit mund të shkaktojë dhimbje shpine.

    Sipas mjekes Juliette Hobson, një gabim tjetër që njerëzit bëjnë çdo ditë është se neglizhojnë marrjen e ujit.

    Ajo shpjegon se hidratimi siguron lubrifikimin e kyçeve, gjë që redukton dhimbjet e shpinës.

    Hobsoni gjithashtu vë në dukje se pacientët e saj me dhimbje shpine shpesh nuk hanë mjaftueshëm ushqime të pasura me proteina, të cilat janë të rëndësishme sepse nxisin rritjen dhe rimëkëmbjen në trup.

    Kur bëhet fjalë për dietën e përditshme, konsumimi i tepërt i ëmbëlsirave me sheqer mund të shkaktojë probleme me shpinën, sepse sheqeri i tepërt çon në inflamacion në trup.

    Paralajmërimi i fundit i Hobsonit është se njerëzit bëjnë gabim duke mos lëvizur mjaftueshëm. Thotë se të gjithë duhet ta kalojnë kohën jashtë rregullisht dhe se mjafton edhe 10 minuta shëtitje një herë në ditë.