ATV

Category: Shëndetësi

  • Pse dhemb shpina gjatë gripit apo ftohjes? Arsyeja do t’ju befasojë

    Pse dhemb shpina gjatë gripit apo ftohjes? Arsyeja do t’ju befasojë

    Ekspertët zbulojnë mekanizmin “e fshehtë” që qëndron pas këtij simptomi të zakonshëm

    Dhimbja e shpinës është një nga ato simptoma që shpesh befasojnë kur shfaqen bashkë me gripin apo një ftohje të zakonshme. Edhe pse shumëkush fillimisht mendon për një problem me shpinën, shkaku nuk është shtylla kurrizore, por mënyra se si trupi reagon ndaj virusit.

    Sinjalet e trupit që tregojnë se ftohja po përkeqësohet dhe të gjitha ndërlikimet e saj

    Dhimbja e shpinës shpesh shoqëron gripin, ftohjen apo COVID-19, por ky simptom nuk është vetëm pasojë anësore e infeksionit. Pas tij qëndron një komunikim i ndërlikuar mes sistemit imunitar dhe trurit.

    Gjatë një infeksioni viral aktivizohet një mekanizëm që shkencëtarët e quajnë sinapsë neuroimune, një lloj ndërveprimi mes sistemit nervor dhe atij imunitar. Ky ndërveprim ndihmon organizmin të njohë kërcënimin dhe të aktivizojë reagimet mbrojtëse, por njëkohësisht mund të rrisë ndjesinë e dhimbjes në muskuj dhe nyje.

    Është interesante se ky efekt shpesh ndihet më shumë pikërisht në pjesën e poshtme të shpinës. Studiuesit supozojnë se kjo zonë është veçanërisht e ndjeshme ndaj sinjaleve neuroimune që krijohen gjatë infeksionit, prandaj dhimbja dhe ngurtësimi shfaqen shpesh në këtë pjesë të trupit.

    Edhe pse ky fenomen është i njohur në mjekësi, mekanizmat që qëndrojnë pas tij ende nuk janë plotësisht të qarta dhe mbeten objekt i kërkimeve intensive në fushën e neuroimunologjisë, shkruan The Conversation, përcjell Telegrafi.

    Bazat e imunologjisë: si trupi sinjalizon infeksionin
    Sistemi imunitar është si një shpatë me dy tehe: mbron trupin nga infeksionet, por njëkohësisht na “njofton” për punën e tij përmes simptomave që tregojnë se në trup po zhvillohet një betejë.

    Kur trupi zbulon një infeksion, sistemi imunitar çliron citokina, proteina sinjalizuese që koordinojnë reagimet mbrojtëse. Këto molekula nuk ndikojnë vetëm në sistemin imunitar, por dërgojnë sinjale edhe në tru dhe palcën kurrizore, duke ndryshuar sjelljen dhe fiziologjinë tonë, shpjegon dr. Joshua Pate, ligjërues i lartë i fizioterapisë në Universitetin e Teknologjisë në Sydney.

    Rezultati janë simptomat e njohura:

    • lodhje,
    • humbje e oreksit,
    • temperaturë
    • dhe ndjeshmëri e shtuar ndaj dhimbjes.

    Këto ndryshime kanë një qëllim praktik, e drejtojnë energjinë drejt luftës kundër infeksionit dhe nxisin pushimin. Prandaj, kur jemi të sëmurë, shpesh tërhiqemi nga aktivitetet e përditshme dhe ndiejmë mungesë vullneti apo plogështi, përshkruan dr. Mark Hutchinson, profesor i neuroimunofarmakologjisë në Universitetin e Adelaide.

    Ndryshimet e padukshme në trup gjatë sëmundjes
    Gjatë infeksioneve, trupi aktivizon një sërë reagimesh vetëmbrojtëse që ndikojnë edhe në mënyrën se si e përjetojmë botën përreth. Prekja mund të bëhet e dhimbshme, muskujt të tensionuar, ndërsa lëvizjet që zakonisht janë të këndshme, të lodhshme.

    Komunikimi mes sistemit imunitar dhe trurit gjithashtu dërgon sinjale se jemi të sëmurë, apo na bën të ndihemi të tillë.

    Këto ndryshime fillojnë në nivel molekular. Ndryshime të vogla, “të padukshme” në tru dhe palcën kurrizore mund të ndryshojnë humorin, perceptimin e dhimbjes dhe reagimet shqisore. Kur sinapsat neuroimune aktivizohen në pjesët e trurit që përpunojnë informacionin shqisor, dhimbja mund të rritet edhe në pjesë të trupit ku nuk ka infeksion, më shpesh në pjesën e poshtme të shpinës, thotë prof. dr. Hutchinson.

    Kjo ndjeshmëri e shtuar ndaj dhimbjes, e njohur si alodini dhe hiperalgjezi, tregon sa i sofistikuar është komunikimi mes sistemit imunitar dhe atij nervor. Një ndryshim i vogël molekular mund të ndikojë në gjithë përjetimin e trupit gjatë sëmundjes.

    Kujtesa imune dhe ndjenja e sëmundjes
    Sistemi imunitar nuk ndalet kur virusi apo bakteret tërhiqen.

    Te infeksionet si COVID-i apo gripi, ky reagim ndihmon në krijimin e kujtesës imune mbrojtëse, prandaj ndonjëherë shfaqet ndjesi të përzierash apo dobësie edhe pas vaksinimit. Kjo është shenjë se trupi mëson dhe përgatitet për takime të ardhshme me patogjenin, thekson prof. dr. Hutchinson.

    Ky komunikim mes sistemit imunitar dhe trurit gjithashtu dërgon sinjale se jemi të sëmurë, ose na shtyn të ndihemi të tillë. Pas disa infeksioneve virale, ndjenja e sëmundjes mund të zgjasë më shumë se vetë infeksioni, fenomen i vërejtur te COVID-i afatgjatë.

    Dhimbja e fortë apo e vazhdueshme, veçanërisht nëse shoqërohet me simptoma të tjera, kërkon vlerësim mjekësor.

    Është interesante se gratë, të cilat mesatarisht kanë një reagim imunitar më të fortë se burrat, më shpesh përjetojnë simptoma më intensive dhimbjeje. Ndërsa një përgjigje më e fortë imune ofron mbrojtje ndaj infeksioneve, ajo gjithashtu rrit rrezikun për gjendje inflamatore, përfshirë sëmundjet autoimune, thotë dr. Pate.

    Kur duhet shqetësuar dhe si të lehtësohet dhimbja
    Dhimbja e fortë apo e vazhdueshme, sidomos nëse shoqërohet me simptoma të tjera, kërkon vlerësim mjekësor. Dhimbja e lehtë deri mesatare në pjesën e poshtme të shpinës është e zakonshme gjatë infeksioneve dhe zakonisht zhduket me tërheqjen e sëmundjes.

    Përveç trajtimit të infeksionit bazë, ekzistojnë strategji për lehtësimin e dhimbjes neuroimune, thotë dr. Pate, duke përmendur:

    • ruajtjen e një mikrobiome të shëndetshme përmes ushqimit të larmishëm dhe qëndrimit në natyrë,
    • gjumë cilësor,
    • hidratim
    • reduktim të inflamacionit.

    Studimet tregojnë se receta tradicionale, si supa e pulës, mund të zvogëlojnë sinjalet imune në sinapsën neuroimune, ndërsa meditimi i vetëdijshëm, terapia me ujë të ftohtë dhe frymëmarrja e kontrolluar shkaktojnë ndryshime molekulare që ndihmojnë në rregullimin e sistemit imunitar dhe atij nervor autonom, shton dr. Pate.

    Këto praktika jo vetëm që lehtësojnë dhimbjen, por shtojnë edhe një komponent anti-inflamator në përgjigjen imune, duke ulur intensitetin dhe kohëzgjatjen e simptomave.

    Trajtimet me nxehtësi, si kompresat apo termoforët, përmirësojnë qarkullimin dhe japin lehtësim, ndërsa ilaçet kundër dhimbjes pa recetë mund të ndihmojnë, por gjithmonë me kujdes për ndërveprimet e mundshme me terapi të tjera, këshillon dr. Pate.

    Fuqia e mendjes mbi trupin – ndihmë reale, por jo magji
    Ndikimi i mendjes mbi trupin nuk është mit, por nuk është as i pakufizuar. Studimet tregojnë se pritshmëritë dhe praktikat mendore, si kontrolli i frymëmarrjes, meditimi dhe terapia me ujë të ftohtë, mund të shkaktojnë ndryshime në nivel qelizor dhe molekular.

    Kuptimi i mekanizmave të dhimbjes së shpinës gjatë infeksioneve hap mundësinë për ta kontrolluar atë më efektivisht. Kombinimi i këtyre teknikave me strategjitë bazë për ruajtjen e shëndetit ofron shpresë reale për reduktimin e shqetësimeve. Megjithatë, nëse simptomat bëhen të forta ose zgjasin më shumë se pritet, është e domosdoshme vlerësimi mjekësor, përfundon prof. dr. Hutchinson.

  • Pse peshku është ushqimi më i mirë për shëndetin e trurit

    Pse peshku është ushqimi më i mirë për shëndetin e trurit

    Peshku është një nga ushqimet më të mira për funksionet e trurit dhe shëndetin mendor.

    Sipas studimeve, acidet yndyrore dhe amino acidet që gjenden tek disa lloje peshqish përmirësojnë shëndetin mendor dhe funksionet e trurit.

    Ndaj dhe ekspertët rekomandojnë konsumimin e të paktën 1 apo 2 vakteve me peshk në javë.

    Acidet yndyrore omega-3

    Kur njeriu konsumon ushqim, trupi përthith acidet yndyrore omega-3 që gjenden në të dhe i përdor për të krijuar membranat e qelizave për trurin.

    Një prej acideve yndyrore në fjalë është acidi alfa linolenik.

    Ky acid gjendet tek salmoni, sardelet, trofta dhe skumbria.

    Trupi e përdor këtë acid për të prodhuar një tjetër acid yndyror më kompleks që ndërton muret e qelizave të trurit.

    Për këtë arsye, ngrënia e këtyre peshqve që rriten në ujëra të ftohta është e shëndetshme për trurin.

    Sipas të dhënave njerëzit që konsumojnë tre racione me peshk në javë përballen me një rrezik më të ulët të sëmundjeve si Alzheimeri dhe Skleroza.

    Mungesa e acidit të lartpërmendur mund të luajë rol pengues në aftësitë mendore tek të rinjtë, thonë ekspertët.

    Proteina dhe amino acidet

    Truri ka nevojë për amino acide për të lidhur transmetuesit nervorë që mundësojnë komunikimin nervor në mbarë trupin.

    Sipas studimeve peshku përmban një proteinë të cilësisë së lartë që përmban sasi të jashtëzakonshme të amino acideve të rëndësishme.

    Ato janë të rëndësishme sepse nuk prodhohen dot nga trupi ndaj duhen marrë nëpërmjet ushqimeve.

    Marrja e proteinave të peshkut ndihmon në përmirësimin e aftësive mendore.

    Vitamina D

    Vitamina D gjendet natyralisht në shumë pak ushqime.

    Peshku është një prej tyre.

    Vitamina D është thelbësore për zhvillimin e duhur të trurit dhe funksionet e tij.

    Njerëzit që kanë sasi të larta të vitaminës D në organizëm kanë një shëndet më të mirë mendor.

    Për më tepër, vitamina D e ndihmon trupin të përthithë kalçiumin, një gjë që promovon funksionin e shëndetshëm të nervave të trurit.

  • Përfitimet shëndetësore që merr organizmi nga hudhra

    Përfitimet shëndetësore që merr organizmi nga hudhra

    Hudhra është përdorur që në kohët e lashta si një ushqim që shëron. Ajo është gjetur  në piramidat egjiptiane dhe në tempujt e lashtë grekë, madje është e përmendur dhe në Bibël.

    Nuk është një rastësi që këto kultura të lashta kanë arritur në përfundimin që hudhra ka veti të mahnitshme shëndetësore.

    Edhe shkenca moderne po e shikon hudhrën njësoj si lashtësia, një ushqim i fuqishëm që ndihmon në përmirësimin dhe trajtimin e shumë problemeve shëndetësore.

    Më poshtë ju sjellim vetitë e pabesueshme që ka hudhra në shëndetin e njeriut.

    E dimë që hudhra nuk mban një aromë edhe aq të pëlqyer, por efektet e saj janë të mëdha. Sugjerohet që ta përdorni hudhrën me qumësht që aroma e saj të mos jetë e lartë. Ose të hani mollë, majdanoz apo spinaq. Janë ushqime që largojnë aromën shumë shpejt.

    Ul rrezikun e kancerit të mushkërive

    Konsumimi dy herë në javë i hudhrës gjatë një periudhe 7 vjeçare ka ulur me 44% rrezikun e kancerit të mushkërive, sipas një studimi të kryer në Kinë. Duke iu referuar këtij hulumtimi, dritare.net ju sugjeron  të përdorni hudhrën në gatime pasi është një agjent kimik që parandalon kancerin.

    Parandalon kancerin e trurit

    Elementët që ndodhen në hudhër kanë veti shkatërruese ndaj qelizave vdekjeprurëse në tru. Shkencëtarët e Universitetit Mjekësor në Kaliforninë e Jugut.

    Janë antibiotikë të fuqishëm

    Hudhra ka një përbërës 100 herë më efektiv sesa dy antibiotikë, sipas një studimi të botuar në Journal of Chemotherapy Antimicrobial. Hudhra shkatërron baktere që shkaktojnë sëmundje.

    Mbron zemrën

    Hudhra përmban kimikate që mbrojnë zemrën. Diallyl trisulfide, një komponent i vajit të hudhrës, ndihmon në mbrojtjen e zemrës gjatë operacionit kardiak dhe pas një sulmi në zemër.

  • Nga brokoli te sardelet, 10 ushqimet me shumë kalcium

    Nga brokoli te sardelet, 10 ushqimet me shumë kalcium

    Kalciumi është një nga mineralet më të rëndësishme për trupin tonë, pasi kontribuon në ruajtjen e kockave dhe dhëmbëve të shëndetshëm, mbështet funksionimin e duhur të muskujve dhe sistemit nervor dhe luan një rol të rëndësishëm në parandalimin e sëmundjeve serioze, siç është osteoporoza.

    Edhe pse shumë njerëz e shoqërojnë kalciumin ekskluzivisht me produktet e qumështit, në të vërtetë ka shumë ushqime me bazë bimore dhe jo-qumështore që mund t’ju ofrojnë sasi të konsiderueshme.

    Nëse zgjidhni të shmangni produktet e qumështit për shkak të intolerancës ndaj laktozës, zgjedhjeve dietike ose preferencave personale, mund t’i plotësoni nevojat tuaja të përditshme përmes një diete të ekuilibruar që përfshin një shumëllojshmëri ushqimesh të pasura me kalcium.

    Një i rritur mesatar ka nevojë për rreth 1,000 mg kalcium në ditë, dhe me zgjedhjet e duhura mund ta arrini këtë qëllim natyrshëm dhe në mënyrë efektive.

    Më poshtë do të gjeni 10 ushqime pa produkte qumështi që mund t’i përfshini lehtësisht në rutinën tuaj të përditshme për të rritur marrjen e kalciumit dhe për të mbrojtur shëndetin tuaj të përgjithshëm.

    Amaranti

    Amaranti është një drithër i lashtë që ia vlen ta përfshini në dietën tuaj, veçanërisht nëse doni të rrisni marrjen e kalciumit pa u mbështetur në produktet e qumështit. Një filxhan amarant i gatuar përmban një sasi të konsiderueshme kalciumi, ndërsa ju siguron edhe folat, i cili është thelbësor për prodhimin e qelizave të shëndetshme të gjakut dhe funksionimin e duhur të trupit tuaj.

    Përveç kësaj, përmban proteina, fibra dhe karbohidrate komplekse, të cilat ju sigurojnë energji për një periudhë më të gjatë kohore. Mund ta përdorni si alternativë ndaj orizit, ta shtoni në sallata ose ta hani si

    Bajamet

    Bajamet janë një zgjedhje e shkëlqyer për ata që kërkojnë një meze të shëndetshme të pasur me kalcium dhe lëndë të tjera ushqyese të vlefshme. Përveç kalciumit, ato përmbajnë yndyrna të shëndetshme mono të pangopura, të cilat ndihmojnë në uljen e kolesterolit të keq, si dhe proteina dhe fibra që ju ndihmojnë të ndiheni të ngopur për më gjatë.

    Mund t’i hani si ushqime të lehta, t’i shtoni në kos, sallata ose drithëra mëngjesi, duke rritur kështu vlerën ushqyese të vakteve tuaja dhe duke mbështetur shëndetin e kockave tuaja.

    Brokoli rabe (Rapini)

    Brokoli rabe është një perime me gjethe jeshile që ofron një sasi të konsiderueshme kalciumi, i cili ndihmon në ruajtjen e shëndetit të kockave. Është gjithashtu i pasur me vitaminë C, e cila forcon sistemin imunitar dhe ndihmon trupin të përthithë më mirë lëndët e tjera ushqyese.

    Mund ta skuqni me vaj ulliri dhe hudhër ose ta shtoni në gatime të ndryshme, duke përmirësuar si shijen ashtu edhe vlerën ushqyese të vakteve tuaja.

    Brokoli

    Është një nga perimet më ushqyese që mund të hani, pasi përmban kalcium, vitamina dhe antioksidantë që mbrojnë trupin tuaj.

    Konsumi i rregullt i tij mund të ndihmojë në ruajtjen e kockave të forta dhe në forcimin e sistemit imunitar. Mund ta hani të zier, të zier në avull ose si pjesë të një vakti të ekuilibruar.

    Karrota

    Ato janë një zgjedhje e shkëlqyer për të përmirësuar dietën tuaj, pasi përmbajnë kalcium, fibra dhe vitaminë A, të cilat ndihmojnë në ruajtjen e lëkurës dhe shikimit të shëndetshëm.

    Konsumimi i tyre mund të ndihmojë shëndetin tuaj të përgjithshëm dhe t’i sigurojë trupit tuaj lëndë ushqyese të rëndësishme. Mund t’i hani të gjalla, të gatuara ose si pjesë të sallatave dhe vakteve të tjera.

    Kungull i verdhë

    Është një burim i shkëlqyer kalciumi, kaliumi dhe antioksidantësh dhe mbështet shëndetin e kockave tuaja, ndërkohë që përmirëson funksionin e trupit tuaj. Mund ta piqni në furrë, ta përdorni në supa ose ta kombinoni me perime të tjera për një vakt ushqyes.

    Fasule të bardha

    Ato janë një burim i shkëlqyer kalciumi, proteinash dhe fibrash, të cilat kontribuojnë në shëndetin e kockave dhe sistemit tretës. Konsumimi i tyre mund t’ju ndihmojë të mbani një dietë të ekuilibruar dhe të mbështesni shëndetin tuaj të përgjithshëm. Mund t’i shtoni në sallata, supa ose pjata kryesore.

    Sardelet

    Një nga burimet më të pasura të kalciumit që nuk vjen nga produktet e qumështit. Kur i konsumoni me kockat e tyre, merrni një dozë të madhe kalciumi, e cila përmirëson ndjeshëm shëndetin e kockave tuaja.

    Përveç kësaj, sardelet janë të pasura me acide yndyrore omega-3, të cilat ndihmojnë në mbështetjen e shëndetit të zemrës dhe zvogëlojnë inflamacionin në trup. Mund t’i shtoni në sallata, sanduiçe ose t’i servirni me perime dhe vaj ulliri, duke krijuar një vakt të pasur me lëndë ushqyese dhe shije.

    Ato janë të vogla, por të fuqishme, pasi përmbajnë sasi të larta kalciumi, fibrash dhe acidesh yndyrore omega-3. Konsumimi i tyre ndihmon në përmirësimin e shëndetit të kockave, mbështet tretjen dhe ruan ekuilibrin e energjisë.

    Mund t’i shtoni në bollgur, kos me bazë bimore, smoothie ose sallata, dhe të përfitoni nga përfitimet e tyre të shumta ushqyese. Përveç kësaj, për shkak të aftësisë së tyre për të thithur ujin, ato ndihmojnë në ruajtjen e hidratimit dhe stabilizimin e glukozës në gjak.

    Farat e lulediellit

    Ato janë një mundësi e thjeshtë, por efektive për të rritur marrjen e kalciumit. Përveç kësaj, ato janë të pasura me vitaminë E dhe bakër, lëndë ushqyese që kontribuojnë në një sistem imunitar të shëndetshëm dhe mbrojnë qelizat nga dëmtimi i radikaleve të lira.

    Mund t’i shtoni në sallata, bukë, drithëra ose t’i hani si ushqime të lehta, duke rritur vlerën e përgjithshme ushqyese të vakteve tuaja. Konsumi i rregullt i tyre mund të ndihmojë në shëndetin e zemrës dhe të mbështesë funksionin qelizor.

    Perimet me gjethe jeshile të gatuara janë burimet më të pasura të kalciumit në botën bimore, dhe konsumi i tyre i rregullt kontribuon në ruajtjen e kockave të forta dhe të shëndetshme.

    Kur konsumohen të gatuara, lëndët ushqyese të tyre absorbohen më mirë nga trupi dhe ju mund të përfitoni nga sasi të konsiderueshme vitaminash, mineralesh dhe fibrash.

    Shtojini ato në sallata, ushqime të skuqura, supa ose si pjatë anësore për të rritur marrjen e kalciumit në dietën tuaj dhe për të përmirësuar shëndetin tuaj të përgjithshëm.

  • 4 gjëra që duhet të bëni pas orës 5 pasdite për stabilizimin e nivelit të sheqerit në gjak

    4 gjëra që duhet të bëni pas orës 5 pasdite për stabilizimin e nivelit të sheqerit në gjak

    Mjekët endokrinologë thonë se zakonet e mbrëmjes mund të kenë ndikim të madh në kontrollin e sheqerit në gjak, sidomos te personat që jetojnë me diabet.

    Përveç ushqimit, faktorë të tjerë si stresi, gjumi, aktiviteti fizik dhe ora e ditës ndikojnë në mënyrën si trupi përpunon sheqerin. Në mbrëmje, hormoni insulinë bëhet më pak efektiv, gjë që mund ta vështirësojë kontrollin e glukozës në gjak, ka shkruar EatingWell.

    “Ndjeshmëria ndaj insulinës bie natyrshëm në fund të pasdites dhe në mbrëmje si pjesë e ritmit të orës së brendshme biologjike. Kjo është arsyeja pse disa njerëz ndihen më të lodhur ose kanë më shumë dëshirë për ushqim në fund të ditës. Është një proces normal biologjik, por tregon se zakonet e mbrëmjes kanë më shumë rëndësi sesa mendohet”, shpjegon endokrinologia Rekha Kumar.

    Ekspertët rekomandojnë disa zakone të thjeshta pas orës 17:00 që mund të ndihmojnë në mbajtjen nën kontroll të sheqerit në gjak.

    Ecni pak pas darkës

    Aktiviteti fizik ndihmon trupin të përdorë më mirë insulinën.

    “Ecja është një nga ushtrimet më të mira për kontrollin e sheqerit në gjak”, ka thënë endokrinologia Melina Roman Gerardino.

    Një shëtitje e shkurtër mund të bëjë ndryshim.

    “Të ecësh për 10-15 minuta pas darkës mund të kufizojë rritjet e menjëhershme të sheqerit në gjak pas ushqimit”, ka thënë mjekja Vanessa Curtis.

    Sipas Kumar, edhe lëvizjet e lehta në shtëpi mund të ndihmojnë.

    “Lëvizjet e lehta, si shtrirja e trupit ose punët e shtëpisë, i ndihmojnë muskujt të përthithin më mirë glukozën”, ka thënë ajo, duke theksuar se vazhdimësia është më e rëndësishme se intensiteti.

    Hani darkën më herët

    Ekspertët rekomandojnë që darka të hahet të paktën dy ose tre orë para gjumit.

    “Darkat e vona rrisin nivelin e sheqerit në gjak gjatë natës dhe ulin ndjeshmërinë ndaj insulinës”, ka thënë endokrinologu Andres Splenser.

    Disa specialistë sugjerojnë edhe një agjërim gjatë natës prej rreth 12 orësh, por kjo duhet diskutuar me mjekun.

    Zgjidhni ushqime të pasura me fibra

    Fibrat, që gjenden në fruta, perime, drithëra të plota dhe bishtajore, ndihmojnë në stabilizimin e sheqerit në gjak.

    “Ngrënia e fibrave ngadalëson përthithjen e karbohidrateve, kështu që sheqeri rritet më gradualisht dhe pankreasi nuk duhet të prodhojë shumë insulinë”, ka shpjeguar Curtis.

    Sipas Splenser, ushqimet me fibra mund të përmirësojnë edhe ndjeshmërinë ndaj insulinës.

    Ekspertët sugjerojnë që në darkë të konsumohen rreth 8 gramë fibra dhe që gjysma e pjatës të jetë me perime.

    Kujdesuni për gjumin

    Gjumi dhe sheqeri në gjak janë të lidhur ngushtë. Gjumi i dobët mund ta vështirësojë kontrollin e glukozës.

    Për gjumë më të mirë, ekspertët këshillojnë:

    -të shkoni në shtrat në të njëjtën orë çdo natë

    -të mbani dhomën të errët dhe të freskët

    -të shmangni ekranet të paktën një orë para gjumit

    -të relaksoheni me muzikë, lexim ose meditim

    Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu të shmangen disa zakone në mbrëmje, si ngrënia vonë gjatë natës, pijet me shumë sheqer, qëndrimi i gjatë ulur dhe konsumimi i alkoolit.

    Në fund, mjekët thonë se edhe ndryshimet e vogla në rutinën e mbrëmjes mund të kenë ndikim të madh në shëndet.

    “Vazhdimësia është çelësi për krijimin e zakoneve të shëndetshme dhe të qëndrueshme”, kanë thënë ekspertët, duke këshilluar që çdo person të konsultohet me mjekun për një plan të përshtatshëm për veten.

  • A është ngrënia e mëngjesit vonë e rrezikshme për shëndetin?

    A është ngrënia e mëngjesit vonë e rrezikshme për shëndetin?

    Të gjithë e kemi dëgjuar shprehjen se mëngjesi është vakti më i rëndësishëm i ditës. Tani, një studim i ri sugjeron se edhe koha specifike e ngrënies së mëngjesit dhe vakteve të tjera mund të jetë shumë e rëndësishme, veçanërisht ndërsa plakeni.

    Një studim dhjetëvjeçar nga studiuesit në Spitalin e Përgjithshëm të Masaçusetsit dhe Universitetin e Mançesterit ndoqi gati 3,000 të rritur të moshës 42 deri në 94 vjeç për një mesatare prej 22 vjetësh. Ekipi gjurmoi kohën e vakteve të pjesëmarrësve, faktorët e stilit të jetës, të dhënat gjenetike dhe rezultatet shëndetësore për të parë se si ndryshonin oraret e të ngrënit me moshën, si dhe çfarë nënkuptonin këto ndryshime për shëndetin afatgjatë.

    Ajo që ata zbuluan është se, ndërsa pjesëmarrësit plakeshin, ata kishin tendencë të hanin vaktet e tyre më vonë gjatë ditës. Afati kohor në të cilin të gjitha vaktet konsumoheshin çdo ditë gjithashtu u ngushtua. Por ndoshta rezultati më i rëndësishëm i studimit ishte zbulimi se ngrënia e mëngjesit më vonë lidhej me një rrezik më të lartë vdekjeje.

    Pjesëmarrësit në grupin që hëngrën herët kishin një shkallë mbijetese 10-vjeçare prej gati 90%, krahasuar me afërsisht 87% për ata që hëngrën vonë. Për më tepër, çdo orë shtesë vonesë në mëngjes shoqërohej me një rrezik vdekshmërie prej 8-11% më të lartë, varësisht nga modeli statistikor, edhe pasi të merren parasysh faktorë si mosha, seksi dhe stili i jetesës.

    Pse oraret e vakteve mund të ndryshojnë

    Studiuesit vunë re se arsyet pse pjesëmarrësit hanin mëngjes më vonë ndonjëherë lidheshin me problemet shëndetësore. Të moshuarit me lodhje, depresion, ankth dhe sëmundje të shumta kronike kishin më shumë gjasa të hanin më vonë. Vështirësitë në përgatitjen e ushqimit dhe cilësia e dobët e gjumit gjithashtu ndikuan në vonesa, ashtu si edhe predispozita gjenetike për të qëndruar zgjuar deri vonë.

    Meqenëse studimi ishte vëzhgues, kjo mund të ketë shumë rëndësi. Është plotësisht e mundur që rritja e shkallës së vdekshmërisë tek ata që hanë vonë të jetë e lidhur me problemet themelore shëndetësore ose gjenetike me të cilat ata përballen, dhe të cilat gjithashtu i kanë bërë ata të vonojnë vaktet e tyre. Me fjalë të tjera, megjithëse ekziston një korrelacion midis vonesave të vakteve dhe një rreziku më të lartë të vdekshmërisë, ky studim nuk vërteton se vetë vonesa është fajtorja.

    Vlen gjithashtu të përmendet se studimi u përqendrua kryesisht te të rriturit e bardhë britanikë dhe u mbështet në oraret e vetë-raportuara të vakteve.

    A duhet të ha mëngjes herët?

    Megjithatë, e gjithë kjo sugjeron që mbajtja e vakteve të qëndrueshme – veçanërisht fillimi i ditës me mëngjes më herët – mund të jetë një tregues i një shëndeti më të mirë në përgjithësi tek të rriturit e moshuar. Ndryshimet në kohën e vakteve jo vetëm që mund të pasqyrojnë problemet themelore shëndetësore, por gjithashtu mund të ndikojnë në ritmet cirkadiane, të cilat ndihmojnë në rregullimin e gjërave të tilla si gjumi dhe metabolizmi.

    Edhe pse nevojiten më shumë kërkime, mbajtja e një rutine të qëndrueshme të mëngjesit mund të jetë një hap i thjeshtë drejt mbështetjes së plakjes më të shëndetshme.

  • Zonat e trupit më të prekura nga stresi

    Zonat e trupit më të prekura nga stresi

    Shumë studime tregojnë se reagimet ndaj stresit mund të çojnë në shfaqjen e sëmundjeve të ndryshme. Stresi është një nga problemet që më prek shoqërinë moderne. Të gjithë herët a vonë mund të kemi episode të dukshme e stresit për arsye të ndryshme, por kur kjo është kronike, duhet t’i kushtojmë vëmendje, për shkak se mund të ketë pasoja negative në shëndetin fizik dhe mendor.

    Lëkura

    Stresi shkakton çekuilibër hormonal. Tensioni i gjeneruar nga ky çrregullim emocional rrit përgjigjen inflamatore të trupit, gjë e cila shkakton mbylljen e poreve të lëkurës. Akumulimi i papastërtive brenda shkaton akne.

    Muskujt

    Eshtrat dhe muskujt janë zona më e prekur nga stresit kronik, që shkakton dhimbje dhe vështirësi në lëvizje.

    Zemra

    Ekziston një lidhje midis episodeve të vazhdueshme të stresit dhe një rreziku më të madh për probleme kardiovaskulare, si rritja e kolesterolit dhe triglicerideve, presion i lartë i gjakut dhe probleme të qarkullimit.

    Sistemi imun

    Njerëzit që gjithmonë vuajnë nga ky çrregullim emocional shfaqin një ulje të konsiderueshme të mbrojtjes imunitare, e cila çon në një sensibilitet më të madh ndaj infeksionit.

    Sistemi i tretjes

    Stresi mund të shoqërohet me shenja fizike që prekin traktin digjestiv, si për shembull:

    • diarre
    • kapsllëk
    • pezmatim
    • gazra
    • dhimbje barku

    Të gjitha këto çrregullime mund të jenë rezultat i rritjes së nivelit të hormonit të stresit, kortizolit.

    Truri

    Një nga pjesët e trupit më të prekura nga stresi i përsëritur është truri. Kortizoli, hormoni i stresit, ka një ndikim negativ dhe kjo shpjegon edhe arsyen pse gjatë situatave të tensionuara, njerëzit nuk arrijnë të marrin vendime të caktuara dhe nuk janë në gjendje të përqëndrohen në zhvillimin e aktiviteteve të tyre të përditshme.

    Veshkat

    Kortizoli i tepërt çon në rritjet të prodhimit të fosfatit, e cila çon në dobësi të muskujve, ndryshime në nivelin e eshtrave dhe vështirësi të mëdha në funksionimin e tyre.

  • Vuajtja nga ankthi e çoi drejt Jogës, sot Sara Obërtinca është trajnere që ndihmon të tjerët

    Vuajtja nga ankthi e çoi drejt Jogës, sot Sara Obërtinca është trajnere që ndihmon të tjerët

    Ajo e nisi si një mënyrë për ta ndihmuar veten, por sot është kthyer në një mision për të ndihmuar edhe të tjerët. Sara Obërtinca, tashmë trajnere e Jogës, tregon se rrugëtimi i saj me këtë praktikë filloi në një periudhë sfiduese të jetës.

    Në një rrëfim për emisionin “LIBERO”, ajo ka treguar se fillimisht e provoi Jogën për ta menaxhuar ankthin dhe stresin, pa e menduar se një ditë do të bëhej instruktore.

    “…Kam bërë Joga për vete dhe e kam vërejtur që po më ndihmon mentalisht shumë, sidomos për ankth, për stres…”, ka thënë ajo.

    Sipas Obërtincës, përfitimet që ndjeu në gjendjen e saj emocionale e shtynë të mësonte më shumë rreth kësaj praktike dhe më vonë të marrë edhe licencën si instruktore.

    “…Unë e kam pa që po më ndihmon dhe mandej kam dashtë me e bo trajnimin dhe me marrë licencën si instruktore, por në fakt nuk e kam pasë qëllim me jap mësim, me u bo instruktore; kam pasë qejf me mësu për vete…”, është shprehur Sara.

    Ajo tregoi se një periudhë me ankth dhe sulme paniku e bëri të kërkonte mënyra për ta përmirësuar mirëqenien mendore.

    “Kam pasë një fazë sfiduese që kisha panika, ankth. Besoj që secili e ka një fazë pak më sfiduese gjatë jetës së vet. Po më ka ndihmu Joga, sidomos ushtrimet e frymëmarrjes…”, ka rrëfyer Obërtinca.

    Vlen ta potencojme se sipas disa studimeve  shkencore thuhet se praktika e Jogës mund të ketë ndikim pozitiv në reduktimin e ankthit dhe stresit. Një studim i publikuar (në vitin 2024) në National Library of Medicine ka zbuluar se personat që praktikonin joga për disa javë kishin një ulje të ndjeshme të simptomave të ankthit dhe përmirësim të cilësisë së jetës krahasuar me ata që nuk e praktikonin.

    Po ashtu, analiza e disa studimeve klinike ka treguar se kombinimi i ushtrimeve fizike të jogës, teknikave të frymëmarrjes dhe meditimit mund të ndihmojë në uljen e stresit të perceptuar dhe në përmirësimin e mirëqenies mendore te të rriturit.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Sara Obërtincës, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Kur duhet të filloni të merrni kolagjen dhe cilat ushqime e përmbajnë atë?

    Kur duhet të filloni të merrni kolagjen dhe cilat ushqime e përmbajnë atë?

    Hulumtimet e fundit kanë zbuluar efektet e gjera të një suplementi të vetëm që mund të jenë të dobishme për shëndetin e lëkurës, kockave dhe muskujve. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se njerëzit mund të kenë nevojë ta marrin këtë suplement për një kohë të gjatë para se të ndiejnë përfitimet e vërteta.

    Kolagjeni është një proteinë kyçe e përfshirë në shumë funksione në trup. Edhe pse trupi ynë e prodhon atë natyrshëm, niveli i prodhimit zvogëlohet me moshën, gjë që mund të shkaktojë probleme të ndryshme estetike dhe funksionale. Vicky Pennington, nutricioniste e Boots, shpjegon:

    “Kolagjeni është një nga proteinat më të bollshme në trupin e njeriut dhe është çelësi për ndërtimin e muskujve dhe riparimin e qelizave”, thotë ajo.

    Popullariteti i suplementeve të kolagjenit po rritet në rrjetet sociale, por nutricionisti këshillon që së pari të përqendrohemi në mënyrat natyrale për të ruajtur kolagjenin:”Para se të merrni në konsideratë suplementet, është e rëndësishme të bëni sa më shumë që të mundeni natyrshëm për të ruajtur nivelet e kolagjenit.

    Kjo do të thotë të hani një dietë të shëndetshme që përfshin arra dhe fara, një shumëllojshmëri frutash dhe perimesh, peshk dhe proteina të ushqyera me bar. Kolagjeni detar, i marrë nga peshq të tillë si salmoni, absorbohet deri në 1.5 herë më me efikasitet sesa kolagjeni nga burimet e mishit të viçit ose derrit, prandaj zgjidheni sa herë që të jetë e mundur”, shkruan Mirror.co.uk.

    Kolagjeni nuk është i rëndësishëm vetëm për lëkurën.

    “Kolagjeni është çelësi për shumë më tepër sesa elasticitetin dhe hidratimin e lëkurës. Ai luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen e lëkurës, kockave dhe nyjeve të shëndetshme, riparimin e muskujve dhe mbrojtjen e organeve, përfshirë sistemin tretës”, thotë ajo.

    Kur duhet të fillohet marrja e kolagjenit?

    Një keqkuptim i zakonshëm është se kur duhet të filloni të merrni kolagjen.

    “Kolagjeni nuk do të ketë një efekt të menjëhershëm, por marrja afatgjatë dhe e vazhdueshme tregon rezultatet më të mira. Nuk ka një kohë të përsosur për të filluar, megjithatë, pas moshës 40 vjeç, prodhimi i kolagjenit bie më shpejt, kështu që shumë vendosin të fillojnë suplementet që në të njëzetat dhe të tridhjetat e tyre”, thekson ajo.

    Kirsty Torley-Mitchell, drejtoreshë e Wellness në Boots, shton se brezat e rinj po ndjekin trendet:

    “Shtesat e kolagjenit janë më të popullarizuara tek të rinjtë. Një studim i kohëve të fundit zbuloi se gjysma e Gjeneratës Z dhe Millennials kanë provuar kolagjenin, krahasuar me vetëm 20 përqind të njerëzve në të gjashtëdhjetat. Nëse doni të rrisni marrjen e kolagjenit për të zëvendësuar kolagjenin e humbur ose për të inkurajuar trupin tuaj të prodhojë më shumë, suplementet mund të jenë zgjidhja më e mirë. Shtesat vijnë në formë tabletash, pluhuri, kapsulash dhe pijesh, kështu që të gjithë mund të gjejnë një mënyrë për ta përfshirë atë në rutinën e tyre të përditshme”, beson ajo.

    Ushqimet më të mira për marrjen e kolagjenit

    Kolagjeni është një proteinë kyçe që mban lëkurën, flokët dhe nyjet të shëndetshme, por ndërsa plakemi, trupi prodhon më pak prej tij. Pije dhe ushqime të caktuara mund të mbështesin prodhimin natyror të kolagjenit dhe të ndihmojnë në vonimin e shenjave të plakjes së parakohshme, shkruan Verywell Health .Ushqimet dhe pijet bazë përfshijnë lëngun e kockave, qumështin, pijet me bazë bimore si qumështi i sojës, lëngu jeshil dhe smoothiet me fruta agrume dhe manaferra. Lëngu i kockave përmban kolagjen natyral nga mishi dhe peshku, ndërsa qumështi dhe qumështi i sojës sigurojnë proteina që trupi mund ta përdorë për të prodhuar kolagjen.

    Lëngjet jeshile dhe perimet me gjethe janë të pasura me vitaminë C dhe aminoacide që ndihmojnë në krijimin e kolagjenit, ndërsa frutat agrume dhe manaferrat mbështesin më tej prodhimin e kësaj proteine ​​dhe mund të ndihmojnë lëkurën të rigjenerohet.Përveç dietës, shëndeti i kolagjenit mbështetet edhe nga zgjedhjet e përditshme të stilit të jetesës: gjumë i mjaftueshëm, kontrolli i stresit, shmangia e pirjes së duhanit dhe alkoolit të tepërt, si dhe mbrojtja e lëkurës nga dielli.

    Shtesat e kolagjenit, të tilla si kapsulat ose pluhurat, mund të jenë gjithashtu të dobishme, por këshillohet të konsultoheni me një mjek përpara se t’i përfshini ato në rutinën tuaj.

    Një kombinim i rregullt i një diete të pasur me vlera ushqyese, zakoneve të shëndetshme dhe suplementeve të mundshme mund të ndihmojë ndjeshëm në ruajtjen e kolagjenit, i cili kontribuon në një lëkurë, flokë, nyje më të shëndetshme dhe një ndjenjë të përgjithshme vitaliteti.

  • 9 simptoma të pazakonta të shtatzënisë për të cilat ndoshta nuk keni dëgjuar

    9 simptoma të pazakonta të shtatzënisë për të cilat ndoshta nuk keni dëgjuar

    Shumica e grave shtatzëna presin të përjetojnë të përzierat e mëngjesit dhe dëshirat e pazakonta për ushqim, por shtatzënia sjell edhe një sërë simptomash të tjera më pak të njohura

    Ndryshimet hormonale dhe rritja e qarkullimit të gjakut mund të shkaktojnë dukuri të papritura, si gjakderdhje të mishrave të dhëmbëve, hundë të bllokuar dhe ndryshime në lëkurë.

    Shumë nga këto shqetësime, përfshirë kapsllëkun, këmbët e ënjtura dhe venat e zgjeruara, mund të lehtësohen me ndryshime të thjeshta në stilin e jetesës. Megjithatë, është e rëndësishme që për çdo simptomë të pazakontë ose shqetësuese të konsultoheni me mjekun për të siguruar shëndetin dhe mirëqenien tuaj dhe të foshnjës.

    Shumë gra gjatë shtatzënisë përballen me probleme për të cilat shoqet apo anëtarët e familjes nuk kanë folur kurrë. Për disa simptoma, si gjakderdhja e mishrave të dhëmbëve, kapsllëku ose ndjesia e çuditshme e shpimit në pjesën e poshtme të trupit, ndonjëherë është e vështirë të flitet.

    Megjithatë, nuk ka arsye për shqetësim. Edhe pse këto simptoma mund të duken të pazakonta dhe t’ju shtyjnë të kërkoni informacione në internet deri vonë natën, ato janë të zakonshme dhe nuk jeni e vetmja që i përjeton. Më poshtë janë disa nga simptomat më pak të njohura të shtatzënisë dhe këshillat e ekspertëve se si të përballeni me to, shkruan Parents.com, përcjell Telegrafi.

    1. Hunda e bllokuar

    “Prisni hundë të bllokuar, gjakderdhje nga hunda dhe madje edhe gërhitje. Arsyeja është se hormonet shkaktojnë fryrje të mukozës së hundës”, thotë gjinekologia Laura Dean nga Minesota.

    Kjo ënjtje ngushton hapësirën nëpër të cilën qarkullon ajri. Shqetësimi mund të lehtësohet me sprej fiziologjik, lagështues ajri ose me thithjen e avullit gjatë dushit. Problemi zakonisht zhduket pas shtatzënisë.

    2. Gjakderdhja e mishrave të dhëmbëve

    Falë ndryshimeve në nivelet e progesteronit dhe estrogjenit dhe rritjes së qarkullimit të gjakut, mishrat e dhëmbëve gjatë shtatzënisë mund të fryhen, ashtu si pjesë të tjera të trupit.
    “Mishrat mund të mbushen me gjak dhe të krijojnë xhepa të ndjeshëm indesh, ndaj mund të rrjedhin gjak gjatë larjes së dhëmbëve ose përdorimit të fillit dentar”, shpjegon stomatologu nga Nju Jorku, Gildo Corradi.

    Nëse vëreni gjakderdhje më të madhe, edhe kur nuk i lani dhëmbët, vizitoni stomatologun. Ai do të kontrollojë nëse bëhet fjalë për gingivit apo parodontit, një formë më e rëndë e inflamacionit që mund të lidhet me rrezik më të lartë për lindje të parakohshme dhe peshë të ulët të foshnjës.

    Corradi rekomandon pastrim profesional të dhëmbëve dy herë gjatë shtatzënisë dhe ruajtjen e higjienës së mirë orale. Problemet zakonisht zhduken pas lindjes.

    3. Kapsllëku

    Niveli i rritur i progesteronit e ngadalëson kalimin e ushqimit nëpër zorrë, gjë që mund të shkaktojë kapsllëk. Edhe vitaminat prenatale mund ta përkeqësojnë këtë problem.

    Dr. Dean rekomandon konsumimin e shumë lëngjeve dhe ushqimeve të pasura me fibra si fruta, perime dhe drithëra të plota. Mund të përdoren edhe suplemente me fibra, por duhet të shmangen laksativët stimulues.

    4. Venat e zgjeruara

    Gjatë shtatzënisë, vëllimi i gjakut në trup mund të rritet deri në 50 për qind. Kjo rritje presioni mund të shkaktojë shfaqjen e venave të zgjeruara në këmbë.

    Edhe hemorroidet janë një problem i zakonshëm për shkak të presionit në venat rreth anusit. Kremrat, banjat e ngrohta dhe jastëkët medicinale mund të ndihmojnë në lehtësimin e simptomave.

    5. Rritje të vogla në lëkurë

    Hormonet e shtatzënisë mund të shkaktojnë akne, ndjeshmëri ndaj diellit dhe errësim të lëkurës. Por disa gra vërejnë edhe rritje të vogla të lëkurës, sidomos në qafë, nën sqetulla ose rreth gjoksit.

    Shumica zhduken pas lindjes, por nëse ju shqetësojnë, mund të hiqen nga specialistët.

    6. Rritja e madhësisë së këmbëve

    Disa gra pas lindjes vërejnë se këmbët e tyre janë bërë më të mëdha.

    Shkaktar është hormoni relaksin, i cili zbut ligamentet për të lehtësuar lindjen. Ky hormon mund të ndikojë edhe në nyjet e këmbëve, duke bërë që ato të zgjerohen ose të zgjaten.

    7. Shikimi i turbullt

    Mbajtja e lëngjeve gjatë shtatzënisë mund të ndikojë edhe në sy.
    “Kurz jeni shtatzënë, i gjithë trupi fryhet dhe kjo mund të ndikojë edhe në sy”, thotë gjinekologia Kristin Greves.

    Megjithatë, në disa raste shikimi i turbullt mund të jetë shenjë e preeklampsisë, prandaj duhet të përmendet te mjeku.

    8. Ënjtje dhe mpirje në kyçe

    Mbajtja e lëngjeve mund të shkaktojë presion mbi nervat e duarve dhe kyçeve, duke çuar në sindromën e tunelit karpal.

    Mbajtja e ortozave për kyçet mund të ndihmojë në lehtësimin e simptomave. Problemi zakonisht zhduket pas lindjes.

    9. Mpirje ose shpim në pjesën e poshtme të trupit

    Rritja e qarkullimit të gjakut dhe presioni i mitrës mbi nervat mund të shkaktojë mpirje ose shpim në pjesën e jashtme të kofshëve.

    Ekspertët rekomandojnë përdorimin e rripit mbështetës për shtatzëni, i cili ndihmon në uljen e presionit mbi nervat.