ATV

Category: SHËNDETËSI

  • Menopauza mund të shkaktojë depresion

    Menopauza mund të shkaktojë depresion

    Ndryshimet e mëdha në jetë mund të sjellin depresion, si p.sh. largimi i fëmijëve nga shtëpia, divorci, etj. rreth kohës së menopauzës.  Studimet kanë sugjeruar se një qëndrim negativ ndaj menopauzës ka më shumë gjasa të përkeqësojë simptomat. Prandaj, është e rëndësishme të ruani një qëndrim pozitiv ndaj jetës gjatë kësaj faze të jetës, përcjell Klankosova.tv

    Si të kuptoni nëse është depresion

    Është e rëndësishme të bëhet dallimi midis ndjenjës së stresit ose ndryshimit të humorit dhe depresionit klinik.

    Depresioni i madh është një gjendje që ndodh për shkak të çekuilibrit kimik në tru, karakterizohet nga një humor depresiv shumicën e kohës dhe një humbje e interesit për aktivitetet dhe marrëdhëniet normale. Luhatja e hormoneve gjatë menopauzës mund të shoqërohet me këtë çekuilibër.

    Shenjat e Depresionit të madh

    Nëse keni përjetuar disa nga këto shenja dhe simptoma çdo ditë për të paktën dy javë, mund të jeni duke përjetuar depresion klinik:

    * Pak interes për të bërë ndonjë aktivitet

    * Ndjenja e mungesës së shpresës ose ndjenja e dobësisë gjatë gjithë kohës

    * Pagjumësi

    * Përqendrimi i dëmtuar, pavendosmëria

    * Shqetësimi

    * Mendime të përsëritura për vdekje ose vetëvrasje

    * Ndryshime në oreks

    * Ndjenja e të qenit një dështim

    Nëse keni ndonjë nga këto simptoma dhe dyshoni se mund të jeni në depresion, duhet të konsultoheni menjëherë me një mjek.

  • Studimi: Alergjitë po vijnë më herët – Çfarë duhet të dini dhe si t’i parandaloni

    Studimi: Alergjitë po vijnë më herët – Çfarë duhet të dini dhe si t’i parandaloni

    Shumë njerëz po përjetojnë sezonin e alergjive më herët se zakonisht – fakt që ekspertët lidhin me ndryshimet klimatike dhe temperaturat më të ngrohta që nxisin lulëzimin e bimëve më shpejt. Kjo gjë ka bërë që simptomat si kollitja, teshtitjet, rrjedhja e hundës, lotimi i syve apo kruajtja e fytit të shfaqen para kohe, edhe para se stina e pranverës të fillojë zyrtarisht.

    Pse po ndodh kjo?
    Shkencëtarët vërejnë se sezoni i polenit – alergjeni kryesor i stinëve – po fillon më herët dhe po zgjat më gjatë, për shkak të ndryshimeve klimatike dhe periudhave të ngrohta pa ngrica që lejojnë bimët të prodhojnë polen për më shumë kohë. Kjo ndikon jo vetëm tek njerëzit, por edhe tek shtëpitë me kafshë shtëpiake që mund të preken nga alergjitë e stinës.

    Simptomat zakonisht përfshijnë:

    • Teshtima dhe sekrecione të hundës

    • Sy të skuqur apo lotues

    • Ndjesi kruarje në fyt ose hundë

    • Lodhje dhe dhimbje koke

    Si t’i parandalohet apo menaxhohet alergjia:
    Filloni trajtimin më herët – shumë mjekë rekomandojnë të përdorni antihistaminikë ose spraye nazale para se sezonit të polenit të arrijë kulmin. Kjo ndihmon në zgjedhjen e reagimit të trupit para se simptomat të shfaqen.
    Monitoroni nivelin e polenit në zonën tuaj dhe shmangni aktivitetet jashtë në kohët kur ai është më i lartë (zakonisht në mëngjes dhe vonë pasdite).
    Mbyllni dritaret dhe përdorni filtra HEPA në shtëpi për të reduktuar hyrjen e polenit dhe alergjenëve të tjerë në ambientin tuaj.
    Ndryshoni rrobat dhe bëni dush sapo të ktheheni nga jashtë për të hequr polenin e mbledhur në trup dhe veshje.
    Konsideroni konsultimin me mjekun alergolog nëse simptomat janë të rënda ose vazhdojnë edhe pas masave paraprake

  • Kanabisi nuk është trajtim efektiv për ankthin dhe shëndetin mendor

    Kanabisi nuk është trajtim efektiv për ankthin dhe shëndetin mendor

    Një analizë e madhe ndërkombëtare ka nxjerr në përfundimin se kanabisi nuk është zgjidhje efektive për shumë probleme të shëndetit mendor, pavarësisht përdorimit në rritje nga pacientët, ka shkruar The Guardian.

    Studiues nga universitete në Australi dhe Britani analizuan 54 studime me mbi 2,400 pjesëmarrës dhe gjetën “shumë pak prova për efektivitetin e tij” në trajtimin e çrregullimeve si ankthi, anoreksia, çrregullimet psikotike, PTSD (stresi posttraumatik) dhe varësia nga opioidet.

    “Nuk u gjetën efekte të rëndësishme në trajtimin e këtyre gjendjeve”, thuhet në raportin e studimit të publikuar në The Lancet Psychiatry.

    Po ashtu, nuk ka pothuajse fare prova që kanabisi ndihmon në depresion, ndërsa për çrregullime të tjera si ADHD (çrregullime me hiperkativitet dhe mungesë të vëmendjes) apo bipolariteti, provat janë të pamjaftueshme.

    “Përdorimi rutinë i kanabinoideve për çrregullime mendore aktualisht rrallë justifikohet”, kanë theksuar studiuesit në raport.

    Megjithatë, disa prova tregojnë se produktet me bazë kanabisi mund të ndihmojnë në raste të caktuara, si përmirësimi i gjumit, ulja e simptomave të sindromës Tourette apo ndihma në disa varësi.

    “Përfitimet terapeutike të kanabisit janë shumë të kufizuara, ndërsa efektet anësore janë të shpeshta… shumë njerëz po mashtrohen ta përdorin për problemet e tyre”, ka thënë profesori Robin Murray nga King’s Collage London.

    Nga ana tjetër, përfaqësues të industrisë kundërshtojnë këto përfundime.

    “Provat nga praktika reale tregojnë se kanabisi mjekësor ul simptomat e ankthit dhe PTSD-së dhe studimi nuk pasqyron si duhet përdorimin klinik”, ka thënë Mike Morgan-Giles, shef ekzekutiv i Cannabis Industry Council

    Ekspertë të tjerë kërkojnë kujdes më të madh.

    Profesori Owen Bowden-Jones nga Royal College of Psychiatrists ka thënë se studimi është mjaft i qartë.

    “Ky studim tregon qartë se përfitimet e kanabisit si ilaç mund të jenë ekzagjeruar. Pacientët duhet të kenë informacion të saktë dhe transparent për të marrë vendime duke qenë të informuar”, ka thënë ai. /Përktheu: Koha/.

  • Pse dhemb shpina gjatë gripit apo ftohjes? Arsyeja do t’ju befasojë

    Pse dhemb shpina gjatë gripit apo ftohjes? Arsyeja do t’ju befasojë

    Ekspertët zbulojnë mekanizmin “e fshehtë” që qëndron pas këtij simptomi të zakonshëm

    Dhimbja e shpinës është një nga ato simptoma që shpesh befasojnë kur shfaqen bashkë me gripin apo një ftohje të zakonshme. Edhe pse shumëkush fillimisht mendon për një problem me shpinën, shkaku nuk është shtylla kurrizore, por mënyra se si trupi reagon ndaj virusit.

    Sinjalet e trupit që tregojnë se ftohja po përkeqësohet dhe të gjitha ndërlikimet e saj

    Dhimbja e shpinës shpesh shoqëron gripin, ftohjen apo COVID-19, por ky simptom nuk është vetëm pasojë anësore e infeksionit. Pas tij qëndron një komunikim i ndërlikuar mes sistemit imunitar dhe trurit.

    Gjatë një infeksioni viral aktivizohet një mekanizëm që shkencëtarët e quajnë sinapsë neuroimune, një lloj ndërveprimi mes sistemit nervor dhe atij imunitar. Ky ndërveprim ndihmon organizmin të njohë kërcënimin dhe të aktivizojë reagimet mbrojtëse, por njëkohësisht mund të rrisë ndjesinë e dhimbjes në muskuj dhe nyje.

    Është interesante se ky efekt shpesh ndihet më shumë pikërisht në pjesën e poshtme të shpinës. Studiuesit supozojnë se kjo zonë është veçanërisht e ndjeshme ndaj sinjaleve neuroimune që krijohen gjatë infeksionit, prandaj dhimbja dhe ngurtësimi shfaqen shpesh në këtë pjesë të trupit.

    Edhe pse ky fenomen është i njohur në mjekësi, mekanizmat që qëndrojnë pas tij ende nuk janë plotësisht të qarta dhe mbeten objekt i kërkimeve intensive në fushën e neuroimunologjisë, shkruan The Conversation, përcjell Telegrafi.

    Bazat e imunologjisë: si trupi sinjalizon infeksionin
    Sistemi imunitar është si një shpatë me dy tehe: mbron trupin nga infeksionet, por njëkohësisht na “njofton” për punën e tij përmes simptomave që tregojnë se në trup po zhvillohet një betejë.

    Kur trupi zbulon një infeksion, sistemi imunitar çliron citokina, proteina sinjalizuese që koordinojnë reagimet mbrojtëse. Këto molekula nuk ndikojnë vetëm në sistemin imunitar, por dërgojnë sinjale edhe në tru dhe palcën kurrizore, duke ndryshuar sjelljen dhe fiziologjinë tonë, shpjegon dr. Joshua Pate, ligjërues i lartë i fizioterapisë në Universitetin e Teknologjisë në Sydney.

    Rezultati janë simptomat e njohura:

    • lodhje,
    • humbje e oreksit,
    • temperaturë
    • dhe ndjeshmëri e shtuar ndaj dhimbjes.

    Këto ndryshime kanë një qëllim praktik, e drejtojnë energjinë drejt luftës kundër infeksionit dhe nxisin pushimin. Prandaj, kur jemi të sëmurë, shpesh tërhiqemi nga aktivitetet e përditshme dhe ndiejmë mungesë vullneti apo plogështi, përshkruan dr. Mark Hutchinson, profesor i neuroimunofarmakologjisë në Universitetin e Adelaide.

    Ndryshimet e padukshme në trup gjatë sëmundjes
    Gjatë infeksioneve, trupi aktivizon një sërë reagimesh vetëmbrojtëse që ndikojnë edhe në mënyrën se si e përjetojmë botën përreth. Prekja mund të bëhet e dhimbshme, muskujt të tensionuar, ndërsa lëvizjet që zakonisht janë të këndshme, të lodhshme.

    Komunikimi mes sistemit imunitar dhe trurit gjithashtu dërgon sinjale se jemi të sëmurë, apo na bën të ndihemi të tillë.

    Këto ndryshime fillojnë në nivel molekular. Ndryshime të vogla, “të padukshme” në tru dhe palcën kurrizore mund të ndryshojnë humorin, perceptimin e dhimbjes dhe reagimet shqisore. Kur sinapsat neuroimune aktivizohen në pjesët e trurit që përpunojnë informacionin shqisor, dhimbja mund të rritet edhe në pjesë të trupit ku nuk ka infeksion, më shpesh në pjesën e poshtme të shpinës, thotë prof. dr. Hutchinson.

    Kjo ndjeshmëri e shtuar ndaj dhimbjes, e njohur si alodini dhe hiperalgjezi, tregon sa i sofistikuar është komunikimi mes sistemit imunitar dhe atij nervor. Një ndryshim i vogël molekular mund të ndikojë në gjithë përjetimin e trupit gjatë sëmundjes.

    Kujtesa imune dhe ndjenja e sëmundjes
    Sistemi imunitar nuk ndalet kur virusi apo bakteret tërhiqen.

    Te infeksionet si COVID-i apo gripi, ky reagim ndihmon në krijimin e kujtesës imune mbrojtëse, prandaj ndonjëherë shfaqet ndjesi të përzierash apo dobësie edhe pas vaksinimit. Kjo është shenjë se trupi mëson dhe përgatitet për takime të ardhshme me patogjenin, thekson prof. dr. Hutchinson.

    Ky komunikim mes sistemit imunitar dhe trurit gjithashtu dërgon sinjale se jemi të sëmurë, ose na shtyn të ndihemi të tillë. Pas disa infeksioneve virale, ndjenja e sëmundjes mund të zgjasë më shumë se vetë infeksioni, fenomen i vërejtur te COVID-i afatgjatë.

    Dhimbja e fortë apo e vazhdueshme, veçanërisht nëse shoqërohet me simptoma të tjera, kërkon vlerësim mjekësor.

    Është interesante se gratë, të cilat mesatarisht kanë një reagim imunitar më të fortë se burrat, më shpesh përjetojnë simptoma më intensive dhimbjeje. Ndërsa një përgjigje më e fortë imune ofron mbrojtje ndaj infeksioneve, ajo gjithashtu rrit rrezikun për gjendje inflamatore, përfshirë sëmundjet autoimune, thotë dr. Pate.

    Kur duhet shqetësuar dhe si të lehtësohet dhimbja
    Dhimbja e fortë apo e vazhdueshme, sidomos nëse shoqërohet me simptoma të tjera, kërkon vlerësim mjekësor. Dhimbja e lehtë deri mesatare në pjesën e poshtme të shpinës është e zakonshme gjatë infeksioneve dhe zakonisht zhduket me tërheqjen e sëmundjes.

    Përveç trajtimit të infeksionit bazë, ekzistojnë strategji për lehtësimin e dhimbjes neuroimune, thotë dr. Pate, duke përmendur:

    • ruajtjen e një mikrobiome të shëndetshme përmes ushqimit të larmishëm dhe qëndrimit në natyrë,
    • gjumë cilësor,
    • hidratim
    • reduktim të inflamacionit.

    Studimet tregojnë se receta tradicionale, si supa e pulës, mund të zvogëlojnë sinjalet imune në sinapsën neuroimune, ndërsa meditimi i vetëdijshëm, terapia me ujë të ftohtë dhe frymëmarrja e kontrolluar shkaktojnë ndryshime molekulare që ndihmojnë në rregullimin e sistemit imunitar dhe atij nervor autonom, shton dr. Pate.

    Këto praktika jo vetëm që lehtësojnë dhimbjen, por shtojnë edhe një komponent anti-inflamator në përgjigjen imune, duke ulur intensitetin dhe kohëzgjatjen e simptomave.

    Trajtimet me nxehtësi, si kompresat apo termoforët, përmirësojnë qarkullimin dhe japin lehtësim, ndërsa ilaçet kundër dhimbjes pa recetë mund të ndihmojnë, por gjithmonë me kujdes për ndërveprimet e mundshme me terapi të tjera, këshillon dr. Pate.

    Fuqia e mendjes mbi trupin – ndihmë reale, por jo magji
    Ndikimi i mendjes mbi trupin nuk është mit, por nuk është as i pakufizuar. Studimet tregojnë se pritshmëritë dhe praktikat mendore, si kontrolli i frymëmarrjes, meditimi dhe terapia me ujë të ftohtë, mund të shkaktojnë ndryshime në nivel qelizor dhe molekular.

    Kuptimi i mekanizmave të dhimbjes së shpinës gjatë infeksioneve hap mundësinë për ta kontrolluar atë më efektivisht. Kombinimi i këtyre teknikave me strategjitë bazë për ruajtjen e shëndetit ofron shpresë reale për reduktimin e shqetësimeve. Megjithatë, nëse simptomat bëhen të forta ose zgjasin më shumë se pritet, është e domosdoshme vlerësimi mjekësor, përfundon prof. dr. Hutchinson.

  • Pse peshku është ushqimi më i mirë për shëndetin e trurit

    Pse peshku është ushqimi më i mirë për shëndetin e trurit

    Peshku është një nga ushqimet më të mira për funksionet e trurit dhe shëndetin mendor.

    Sipas studimeve, acidet yndyrore dhe amino acidet që gjenden tek disa lloje peshqish përmirësojnë shëndetin mendor dhe funksionet e trurit.

    Ndaj dhe ekspertët rekomandojnë konsumimin e të paktën 1 apo 2 vakteve me peshk në javë.

    Acidet yndyrore omega-3

    Kur njeriu konsumon ushqim, trupi përthith acidet yndyrore omega-3 që gjenden në të dhe i përdor për të krijuar membranat e qelizave për trurin.

    Një prej acideve yndyrore në fjalë është acidi alfa linolenik.

    Ky acid gjendet tek salmoni, sardelet, trofta dhe skumbria.

    Trupi e përdor këtë acid për të prodhuar një tjetër acid yndyror më kompleks që ndërton muret e qelizave të trurit.

    Për këtë arsye, ngrënia e këtyre peshqve që rriten në ujëra të ftohta është e shëndetshme për trurin.

    Sipas të dhënave njerëzit që konsumojnë tre racione me peshk në javë përballen me një rrezik më të ulët të sëmundjeve si Alzheimeri dhe Skleroza.

    Mungesa e acidit të lartpërmendur mund të luajë rol pengues në aftësitë mendore tek të rinjtë, thonë ekspertët.

    Proteina dhe amino acidet

    Truri ka nevojë për amino acide për të lidhur transmetuesit nervorë që mundësojnë komunikimin nervor në mbarë trupin.

    Sipas studimeve peshku përmban një proteinë të cilësisë së lartë që përmban sasi të jashtëzakonshme të amino acideve të rëndësishme.

    Ato janë të rëndësishme sepse nuk prodhohen dot nga trupi ndaj duhen marrë nëpërmjet ushqimeve.

    Marrja e proteinave të peshkut ndihmon në përmirësimin e aftësive mendore.

    Vitamina D

    Vitamina D gjendet natyralisht në shumë pak ushqime.

    Peshku është një prej tyre.

    Vitamina D është thelbësore për zhvillimin e duhur të trurit dhe funksionet e tij.

    Njerëzit që kanë sasi të larta të vitaminës D në organizëm kanë një shëndet më të mirë mendor.

    Për më tepër, vitamina D e ndihmon trupin të përthithë kalçiumin, një gjë që promovon funksionin e shëndetshëm të nervave të trurit.

  • Përfitimet shëndetësore që merr organizmi nga hudhra

    Përfitimet shëndetësore që merr organizmi nga hudhra

    Hudhra është përdorur që në kohët e lashta si një ushqim që shëron. Ajo është gjetur  në piramidat egjiptiane dhe në tempujt e lashtë grekë, madje është e përmendur dhe në Bibël.

    Nuk është një rastësi që këto kultura të lashta kanë arritur në përfundimin që hudhra ka veti të mahnitshme shëndetësore.

    Edhe shkenca moderne po e shikon hudhrën njësoj si lashtësia, një ushqim i fuqishëm që ndihmon në përmirësimin dhe trajtimin e shumë problemeve shëndetësore.

    Më poshtë ju sjellim vetitë e pabesueshme që ka hudhra në shëndetin e njeriut.

    E dimë që hudhra nuk mban një aromë edhe aq të pëlqyer, por efektet e saj janë të mëdha. Sugjerohet që ta përdorni hudhrën me qumësht që aroma e saj të mos jetë e lartë. Ose të hani mollë, majdanoz apo spinaq. Janë ushqime që largojnë aromën shumë shpejt.

    Ul rrezikun e kancerit të mushkërive

    Konsumimi dy herë në javë i hudhrës gjatë një periudhe 7 vjeçare ka ulur me 44% rrezikun e kancerit të mushkërive, sipas një studimi të kryer në Kinë. Duke iu referuar këtij hulumtimi, dritare.net ju sugjeron  të përdorni hudhrën në gatime pasi është një agjent kimik që parandalon kancerin.

    Parandalon kancerin e trurit

    Elementët që ndodhen në hudhër kanë veti shkatërruese ndaj qelizave vdekjeprurëse në tru. Shkencëtarët e Universitetit Mjekësor në Kaliforninë e Jugut.

    Janë antibiotikë të fuqishëm

    Hudhra ka një përbërës 100 herë më efektiv sesa dy antibiotikë, sipas një studimi të botuar në Journal of Chemotherapy Antimicrobial. Hudhra shkatërron baktere që shkaktojnë sëmundje.

    Mbron zemrën

    Hudhra përmban kimikate që mbrojnë zemrën. Diallyl trisulfide, një komponent i vajit të hudhrës, ndihmon në mbrojtjen e zemrës gjatë operacionit kardiak dhe pas një sulmi në zemër.

  • Nga brokoli te sardelet, 10 ushqimet me shumë kalcium

    Nga brokoli te sardelet, 10 ushqimet me shumë kalcium

    Kalciumi është një nga mineralet më të rëndësishme për trupin tonë, pasi kontribuon në ruajtjen e kockave dhe dhëmbëve të shëndetshëm, mbështet funksionimin e duhur të muskujve dhe sistemit nervor dhe luan një rol të rëndësishëm në parandalimin e sëmundjeve serioze, siç është osteoporoza.

    Edhe pse shumë njerëz e shoqërojnë kalciumin ekskluzivisht me produktet e qumështit, në të vërtetë ka shumë ushqime me bazë bimore dhe jo-qumështore që mund t’ju ofrojnë sasi të konsiderueshme.

    Nëse zgjidhni të shmangni produktet e qumështit për shkak të intolerancës ndaj laktozës, zgjedhjeve dietike ose preferencave personale, mund t’i plotësoni nevojat tuaja të përditshme përmes një diete të ekuilibruar që përfshin një shumëllojshmëri ushqimesh të pasura me kalcium.

    Një i rritur mesatar ka nevojë për rreth 1,000 mg kalcium në ditë, dhe me zgjedhjet e duhura mund ta arrini këtë qëllim natyrshëm dhe në mënyrë efektive.

    Më poshtë do të gjeni 10 ushqime pa produkte qumështi që mund t’i përfshini lehtësisht në rutinën tuaj të përditshme për të rritur marrjen e kalciumit dhe për të mbrojtur shëndetin tuaj të përgjithshëm.

    Amaranti

    Amaranti është një drithër i lashtë që ia vlen ta përfshini në dietën tuaj, veçanërisht nëse doni të rrisni marrjen e kalciumit pa u mbështetur në produktet e qumështit. Një filxhan amarant i gatuar përmban një sasi të konsiderueshme kalciumi, ndërsa ju siguron edhe folat, i cili është thelbësor për prodhimin e qelizave të shëndetshme të gjakut dhe funksionimin e duhur të trupit tuaj.

    Përveç kësaj, përmban proteina, fibra dhe karbohidrate komplekse, të cilat ju sigurojnë energji për një periudhë më të gjatë kohore. Mund ta përdorni si alternativë ndaj orizit, ta shtoni në sallata ose ta hani si

    Bajamet

    Bajamet janë një zgjedhje e shkëlqyer për ata që kërkojnë një meze të shëndetshme të pasur me kalcium dhe lëndë të tjera ushqyese të vlefshme. Përveç kalciumit, ato përmbajnë yndyrna të shëndetshme mono të pangopura, të cilat ndihmojnë në uljen e kolesterolit të keq, si dhe proteina dhe fibra që ju ndihmojnë të ndiheni të ngopur për më gjatë.

    Mund t’i hani si ushqime të lehta, t’i shtoni në kos, sallata ose drithëra mëngjesi, duke rritur kështu vlerën ushqyese të vakteve tuaja dhe duke mbështetur shëndetin e kockave tuaja.

    Brokoli rabe (Rapini)

    Brokoli rabe është një perime me gjethe jeshile që ofron një sasi të konsiderueshme kalciumi, i cili ndihmon në ruajtjen e shëndetit të kockave. Është gjithashtu i pasur me vitaminë C, e cila forcon sistemin imunitar dhe ndihmon trupin të përthithë më mirë lëndët e tjera ushqyese.

    Mund ta skuqni me vaj ulliri dhe hudhër ose ta shtoni në gatime të ndryshme, duke përmirësuar si shijen ashtu edhe vlerën ushqyese të vakteve tuaja.

    Brokoli

    Është një nga perimet më ushqyese që mund të hani, pasi përmban kalcium, vitamina dhe antioksidantë që mbrojnë trupin tuaj.

    Konsumi i rregullt i tij mund të ndihmojë në ruajtjen e kockave të forta dhe në forcimin e sistemit imunitar. Mund ta hani të zier, të zier në avull ose si pjesë të një vakti të ekuilibruar.

    Karrota

    Ato janë një zgjedhje e shkëlqyer për të përmirësuar dietën tuaj, pasi përmbajnë kalcium, fibra dhe vitaminë A, të cilat ndihmojnë në ruajtjen e lëkurës dhe shikimit të shëndetshëm.

    Konsumimi i tyre mund të ndihmojë shëndetin tuaj të përgjithshëm dhe t’i sigurojë trupit tuaj lëndë ushqyese të rëndësishme. Mund t’i hani të gjalla, të gatuara ose si pjesë të sallatave dhe vakteve të tjera.

    Kungull i verdhë

    Është një burim i shkëlqyer kalciumi, kaliumi dhe antioksidantësh dhe mbështet shëndetin e kockave tuaja, ndërkohë që përmirëson funksionin e trupit tuaj. Mund ta piqni në furrë, ta përdorni në supa ose ta kombinoni me perime të tjera për një vakt ushqyes.

    Fasule të bardha

    Ato janë një burim i shkëlqyer kalciumi, proteinash dhe fibrash, të cilat kontribuojnë në shëndetin e kockave dhe sistemit tretës. Konsumimi i tyre mund t’ju ndihmojë të mbani një dietë të ekuilibruar dhe të mbështesni shëndetin tuaj të përgjithshëm. Mund t’i shtoni në sallata, supa ose pjata kryesore.

    Sardelet

    Një nga burimet më të pasura të kalciumit që nuk vjen nga produktet e qumështit. Kur i konsumoni me kockat e tyre, merrni një dozë të madhe kalciumi, e cila përmirëson ndjeshëm shëndetin e kockave tuaja.

    Përveç kësaj, sardelet janë të pasura me acide yndyrore omega-3, të cilat ndihmojnë në mbështetjen e shëndetit të zemrës dhe zvogëlojnë inflamacionin në trup. Mund t’i shtoni në sallata, sanduiçe ose t’i servirni me perime dhe vaj ulliri, duke krijuar një vakt të pasur me lëndë ushqyese dhe shije.

    Ato janë të vogla, por të fuqishme, pasi përmbajnë sasi të larta kalciumi, fibrash dhe acidesh yndyrore omega-3. Konsumimi i tyre ndihmon në përmirësimin e shëndetit të kockave, mbështet tretjen dhe ruan ekuilibrin e energjisë.

    Mund t’i shtoni në bollgur, kos me bazë bimore, smoothie ose sallata, dhe të përfitoni nga përfitimet e tyre të shumta ushqyese. Përveç kësaj, për shkak të aftësisë së tyre për të thithur ujin, ato ndihmojnë në ruajtjen e hidratimit dhe stabilizimin e glukozës në gjak.

    Farat e lulediellit

    Ato janë një mundësi e thjeshtë, por efektive për të rritur marrjen e kalciumit. Përveç kësaj, ato janë të pasura me vitaminë E dhe bakër, lëndë ushqyese që kontribuojnë në një sistem imunitar të shëndetshëm dhe mbrojnë qelizat nga dëmtimi i radikaleve të lira.

    Mund t’i shtoni në sallata, bukë, drithëra ose t’i hani si ushqime të lehta, duke rritur vlerën e përgjithshme ushqyese të vakteve tuaja. Konsumi i rregullt i tyre mund të ndihmojë në shëndetin e zemrës dhe të mbështesë funksionin qelizor.

    Perimet me gjethe jeshile të gatuara janë burimet më të pasura të kalciumit në botën bimore, dhe konsumi i tyre i rregullt kontribuon në ruajtjen e kockave të forta dhe të shëndetshme.

    Kur konsumohen të gatuara, lëndët ushqyese të tyre absorbohen më mirë nga trupi dhe ju mund të përfitoni nga sasi të konsiderueshme vitaminash, mineralesh dhe fibrash.

    Shtojini ato në sallata, ushqime të skuqura, supa ose si pjatë anësore për të rritur marrjen e kalciumit në dietën tuaj dhe për të përmirësuar shëndetin tuaj të përgjithshëm.

  • 4 gjëra që duhet të bëni pas orës 5 pasdite për stabilizimin e nivelit të sheqerit në gjak

    4 gjëra që duhet të bëni pas orës 5 pasdite për stabilizimin e nivelit të sheqerit në gjak

    Mjekët endokrinologë thonë se zakonet e mbrëmjes mund të kenë ndikim të madh në kontrollin e sheqerit në gjak, sidomos te personat që jetojnë me diabet.

    Përveç ushqimit, faktorë të tjerë si stresi, gjumi, aktiviteti fizik dhe ora e ditës ndikojnë në mënyrën si trupi përpunon sheqerin. Në mbrëmje, hormoni insulinë bëhet më pak efektiv, gjë që mund ta vështirësojë kontrollin e glukozës në gjak, ka shkruar EatingWell.

    “Ndjeshmëria ndaj insulinës bie natyrshëm në fund të pasdites dhe në mbrëmje si pjesë e ritmit të orës së brendshme biologjike. Kjo është arsyeja pse disa njerëz ndihen më të lodhur ose kanë më shumë dëshirë për ushqim në fund të ditës. Është një proces normal biologjik, por tregon se zakonet e mbrëmjes kanë më shumë rëndësi sesa mendohet”, shpjegon endokrinologia Rekha Kumar.

    Ekspertët rekomandojnë disa zakone të thjeshta pas orës 17:00 që mund të ndihmojnë në mbajtjen nën kontroll të sheqerit në gjak.

    Ecni pak pas darkës

    Aktiviteti fizik ndihmon trupin të përdorë më mirë insulinën.

    “Ecja është një nga ushtrimet më të mira për kontrollin e sheqerit në gjak”, ka thënë endokrinologia Melina Roman Gerardino.

    Një shëtitje e shkurtër mund të bëjë ndryshim.

    “Të ecësh për 10-15 minuta pas darkës mund të kufizojë rritjet e menjëhershme të sheqerit në gjak pas ushqimit”, ka thënë mjekja Vanessa Curtis.

    Sipas Kumar, edhe lëvizjet e lehta në shtëpi mund të ndihmojnë.

    “Lëvizjet e lehta, si shtrirja e trupit ose punët e shtëpisë, i ndihmojnë muskujt të përthithin më mirë glukozën”, ka thënë ajo, duke theksuar se vazhdimësia është më e rëndësishme se intensiteti.

    Hani darkën më herët

    Ekspertët rekomandojnë që darka të hahet të paktën dy ose tre orë para gjumit.

    “Darkat e vona rrisin nivelin e sheqerit në gjak gjatë natës dhe ulin ndjeshmërinë ndaj insulinës”, ka thënë endokrinologu Andres Splenser.

    Disa specialistë sugjerojnë edhe një agjërim gjatë natës prej rreth 12 orësh, por kjo duhet diskutuar me mjekun.

    Zgjidhni ushqime të pasura me fibra

    Fibrat, që gjenden në fruta, perime, drithëra të plota dhe bishtajore, ndihmojnë në stabilizimin e sheqerit në gjak.

    “Ngrënia e fibrave ngadalëson përthithjen e karbohidrateve, kështu që sheqeri rritet më gradualisht dhe pankreasi nuk duhet të prodhojë shumë insulinë”, ka shpjeguar Curtis.

    Sipas Splenser, ushqimet me fibra mund të përmirësojnë edhe ndjeshmërinë ndaj insulinës.

    Ekspertët sugjerojnë që në darkë të konsumohen rreth 8 gramë fibra dhe që gjysma e pjatës të jetë me perime.

    Kujdesuni për gjumin

    Gjumi dhe sheqeri në gjak janë të lidhur ngushtë. Gjumi i dobët mund ta vështirësojë kontrollin e glukozës.

    Për gjumë më të mirë, ekspertët këshillojnë:

    -të shkoni në shtrat në të njëjtën orë çdo natë

    -të mbani dhomën të errët dhe të freskët

    -të shmangni ekranet të paktën një orë para gjumit

    -të relaksoheni me muzikë, lexim ose meditim

    Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu të shmangen disa zakone në mbrëmje, si ngrënia vonë gjatë natës, pijet me shumë sheqer, qëndrimi i gjatë ulur dhe konsumimi i alkoolit.

    Në fund, mjekët thonë se edhe ndryshimet e vogla në rutinën e mbrëmjes mund të kenë ndikim të madh në shëndet.

    “Vazhdimësia është çelësi për krijimin e zakoneve të shëndetshme dhe të qëndrueshme”, kanë thënë ekspertët, duke këshilluar që çdo person të konsultohet me mjekun për një plan të përshtatshëm për veten.

  • A është ngrënia e mëngjesit vonë e rrezikshme për shëndetin?

    A është ngrënia e mëngjesit vonë e rrezikshme për shëndetin?

    Të gjithë e kemi dëgjuar shprehjen se mëngjesi është vakti më i rëndësishëm i ditës. Tani, një studim i ri sugjeron se edhe koha specifike e ngrënies së mëngjesit dhe vakteve të tjera mund të jetë shumë e rëndësishme, veçanërisht ndërsa plakeni.

    Një studim dhjetëvjeçar nga studiuesit në Spitalin e Përgjithshëm të Masaçusetsit dhe Universitetin e Mançesterit ndoqi gati 3,000 të rritur të moshës 42 deri në 94 vjeç për një mesatare prej 22 vjetësh. Ekipi gjurmoi kohën e vakteve të pjesëmarrësve, faktorët e stilit të jetës, të dhënat gjenetike dhe rezultatet shëndetësore për të parë se si ndryshonin oraret e të ngrënit me moshën, si dhe çfarë nënkuptonin këto ndryshime për shëndetin afatgjatë.

    Ajo që ata zbuluan është se, ndërsa pjesëmarrësit plakeshin, ata kishin tendencë të hanin vaktet e tyre më vonë gjatë ditës. Afati kohor në të cilin të gjitha vaktet konsumoheshin çdo ditë gjithashtu u ngushtua. Por ndoshta rezultati më i rëndësishëm i studimit ishte zbulimi se ngrënia e mëngjesit më vonë lidhej me një rrezik më të lartë vdekjeje.

    Pjesëmarrësit në grupin që hëngrën herët kishin një shkallë mbijetese 10-vjeçare prej gati 90%, krahasuar me afërsisht 87% për ata që hëngrën vonë. Për më tepër, çdo orë shtesë vonesë në mëngjes shoqërohej me një rrezik vdekshmërie prej 8-11% më të lartë, varësisht nga modeli statistikor, edhe pasi të merren parasysh faktorë si mosha, seksi dhe stili i jetesës.

    Pse oraret e vakteve mund të ndryshojnë

    Studiuesit vunë re se arsyet pse pjesëmarrësit hanin mëngjes më vonë ndonjëherë lidheshin me problemet shëndetësore. Të moshuarit me lodhje, depresion, ankth dhe sëmundje të shumta kronike kishin më shumë gjasa të hanin më vonë. Vështirësitë në përgatitjen e ushqimit dhe cilësia e dobët e gjumit gjithashtu ndikuan në vonesa, ashtu si edhe predispozita gjenetike për të qëndruar zgjuar deri vonë.

    Meqenëse studimi ishte vëzhgues, kjo mund të ketë shumë rëndësi. Është plotësisht e mundur që rritja e shkallës së vdekshmërisë tek ata që hanë vonë të jetë e lidhur me problemet themelore shëndetësore ose gjenetike me të cilat ata përballen, dhe të cilat gjithashtu i kanë bërë ata të vonojnë vaktet e tyre. Me fjalë të tjera, megjithëse ekziston një korrelacion midis vonesave të vakteve dhe një rreziku më të lartë të vdekshmërisë, ky studim nuk vërteton se vetë vonesa është fajtorja.

    Vlen gjithashtu të përmendet se studimi u përqendrua kryesisht te të rriturit e bardhë britanikë dhe u mbështet në oraret e vetë-raportuara të vakteve.

    A duhet të ha mëngjes herët?

    Megjithatë, e gjithë kjo sugjeron që mbajtja e vakteve të qëndrueshme – veçanërisht fillimi i ditës me mëngjes më herët – mund të jetë një tregues i një shëndeti më të mirë në përgjithësi tek të rriturit e moshuar. Ndryshimet në kohën e vakteve jo vetëm që mund të pasqyrojnë problemet themelore shëndetësore, por gjithashtu mund të ndikojnë në ritmet cirkadiane, të cilat ndihmojnë në rregullimin e gjërave të tilla si gjumi dhe metabolizmi.

    Edhe pse nevojiten më shumë kërkime, mbajtja e një rutine të qëndrueshme të mëngjesit mund të jetë një hap i thjeshtë drejt mbështetjes së plakjes më të shëndetshme.

  • Zonat e trupit më të prekura nga stresi

    Zonat e trupit më të prekura nga stresi

    Shumë studime tregojnë se reagimet ndaj stresit mund të çojnë në shfaqjen e sëmundjeve të ndryshme. Stresi është një nga problemet që më prek shoqërinë moderne. Të gjithë herët a vonë mund të kemi episode të dukshme e stresit për arsye të ndryshme, por kur kjo është kronike, duhet t’i kushtojmë vëmendje, për shkak se mund të ketë pasoja negative në shëndetin fizik dhe mendor.

    Lëkura

    Stresi shkakton çekuilibër hormonal. Tensioni i gjeneruar nga ky çrregullim emocional rrit përgjigjen inflamatore të trupit, gjë e cila shkakton mbylljen e poreve të lëkurës. Akumulimi i papastërtive brenda shkaton akne.

    Muskujt

    Eshtrat dhe muskujt janë zona më e prekur nga stresit kronik, që shkakton dhimbje dhe vështirësi në lëvizje.

    Zemra

    Ekziston një lidhje midis episodeve të vazhdueshme të stresit dhe një rreziku më të madh për probleme kardiovaskulare, si rritja e kolesterolit dhe triglicerideve, presion i lartë i gjakut dhe probleme të qarkullimit.

    Sistemi imun

    Njerëzit që gjithmonë vuajnë nga ky çrregullim emocional shfaqin një ulje të konsiderueshme të mbrojtjes imunitare, e cila çon në një sensibilitet më të madh ndaj infeksionit.

    Sistemi i tretjes

    Stresi mund të shoqërohet me shenja fizike që prekin traktin digjestiv, si për shembull:

    • diarre
    • kapsllëk
    • pezmatim
    • gazra
    • dhimbje barku

    Të gjitha këto çrregullime mund të jenë rezultat i rritjes së nivelit të hormonit të stresit, kortizolit.

    Truri

    Një nga pjesët e trupit më të prekura nga stresi i përsëritur është truri. Kortizoli, hormoni i stresit, ka një ndikim negativ dhe kjo shpjegon edhe arsyen pse gjatë situatave të tensionuara, njerëzit nuk arrijnë të marrin vendime të caktuara dhe nuk janë në gjendje të përqëndrohen në zhvillimin e aktiviteteve të tyre të përditshme.

    Veshkat

    Kortizoli i tepërt çon në rritjet të prodhimit të fosfatit, e cila çon në dobësi të muskujve, ndryshime në nivelin e eshtrave dhe vështirësi të mëdha në funksionimin e tyre.