ATV

Category: SHËNDETËSI

  • Komuna e Prishtinës i blen QKMF-së aparatura të reja

    Komuna e Prishtinës i blen QKMF-së aparatura të reja

    PËRGATITI: SARA SHEHU 

    Komuna e Prishtinës ka blerë pajisje mjekësore për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, vlera e të cilave është rreth 300 mijë euro. Dorëzimin e tyre e bënë Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, bashkë me drejtorin e Shëndetësisë, Izet Sadiku, të cilët thanë se synohet ofrimi i shërbimeve sa më cilësore për pacientët e kujdesit primar shëndetësor.

    Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Prishtinë, është furnizuar me pajisje të reja mjekësore, të cilat janë investim i Komunës së Prishtinës në vlerë rreth 300 mijë euro.

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se këto mjete do t’i përmirësojnë shërbimet mjekësore të cilat ofrohen për pacientët në sektorin primar shëndetësor.

    “Kemi marrë tash një numër të madh të aparaturave, të cilat do të shfrytëzojnë në sektorin primar. Gjithë ky transformim i kryeqytetit, i shërbimeve duke u fokusuar në sektorin primar, është duke ndodhur, kemi aparatura me kosto afër 300 mijë euro, e cila do të shpërndahet në QKMF në pjesë të ndryshme të kryeqytetit. Ultrazërat janë shërbimi i pari në sektorin primar në kryeqytet, por edhe gjithë vendin. Do të fillojmë së shpejti që ta bëjmë këtë në të gjitha QKMF. Kjo do t’i ndihmojë shumë gjithë nivelit shëndetësor, për arsye se qytetarët do të mund ta marrin këtë shërbim në sektorin primar, pa pasur nevojë të shkojnë në atë sekondarin apo terciarin për t’i marrë këto shërbime. Kjo është përmirësim i kushteve në të gjitha nivelet. Kjo është risi për kryeqytetin, Kosovën”.

    Tutje, ai ka folur edhe për mundësinë e digjitalizimit të QKMF-së.

    “Kjo për fat keq, përkundër faktit se si kryetar jam munduar ta shtyj përpara, ne kemi arrit deri te një pikë, por kjo është e ndërlidhur edhe me nivelin qendror në aspektin e SISH-it, i cili ende nuk është i gatshëm, pra duhet ndërlidhur sistemin primar me atë sekondar dhe terciar. Për fat të keq, ende nuk e kemi prej nivelit qendror. Po ashtu, ka të bëjë me çështjen e informatave të cilat janë sensitive, që kemi mundësinë me shty qysh tash, por është e kontrolluar nga niveli qendror dhe për këtë shpresoj së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë të mund ta shtyjmë këtë proces sa më shpejt, sepse mënyra si bëhet sot marrja e informatave është e shekullit të kaluar. Por, jemi duke punuar që ta shtyjmë këtë sa më shpejt. Duhet me pas shtyrje prej nivelit qendror që të na lejojnë edhe ne, i kemi fondet e gatshme”.

    Drejtori i shëndetësisë, Izet Sadiku, tha se do të trajnojnë stafin mjekësor të kësaj qendre për ta kryer shërbimin e ultrazërit.

    “Ne po fillojmë për herë të parë, përveç radiologëve që janë në mjekësi primare kanë të drejtë, të bëjnë shërbimeve radiologjike, ne e jemi në proces me Odën e Mjekëve të Kosovës, një projekt që kemi nënshkruar marrëveshje me kryetarin e odës dhe do të zgjidhen persona profesionalistë që kanë të bëjnë me trajnimin e stafit tonë për ultrazë të abdomenit dhe kukave, me qëllim që edhe mjeku familjar të bëjë ultrazërin e abdomenit, mos ta dërgojë menjëherë qytetarin në emergjencë dhe ta ngarkojë atë. Vetëm vitin e kaluar rreth 40 për qind e pacientëve në emergjent kanë qenë prej Prishtinës, dhe me këtë shërbim po mundohemi ta lirojmë emergjencën”, tha Sadiku.

    Sipas udhëheqësit të shëndetësisë në kryeqytet, pajisjet e blera janë kryesisht mjete stomatologjike, biokimike e të tjera.

  • Rritet numri i rasteve me kancer, trajtimi mjekësor sfidë

    Rritet numri i rasteve me kancer, trajtimi mjekësor sfidë

    PËRGATITI: SARA SHEHU 

    Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, vetëm për 6 muaj, janë regjistruar 900 raste me kancer. Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, thotë se ky numër është 10% më i lartë, krahasuar me vitin e kaluar. Por nga ana tjetër, familjarët e pacientëve ankohen se me vështirësi po e sigurojnë terapinë për kurim.

    Klinika e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është e mbushur me pacient të diagnostikuar me kancer.

    Statistikat në këtë klinikë flasin për shtim të rasteve me këtë sëmundje, krahasuar me vitin e kaluar.

    “900 raste të reja janë regjistruar me kancer, domethënë 10% më shumë sesa në vitin 2022, ku kanë qenë total 1800 raste, në bazë të kësaj në këtë vit ky numër pritet të arrijë në 2000. Në këtë rritje dominon kanceri i gjiri, 250 raste, kurse te meshkujt kanceri i mushkërive. Kemi rritje edhe të kancerit të pankreasit, kemi deri në 40 raste me terapi dhe krahasuar me vitet e kaluara ky numër është ngritur, numri i terapive do të shtohet nga 45 në 90”.

    Tutje, Kurtishi ka përmendur disa nga shkaktarët që kanë ndikuar në rritjen e këtyre shifrave.

    “Ka shumë faktorë që ndikojnë në mënyrë direkte dhe indirekte, janë faktorët trashëgues, infeksionet virale, ambienti i ndotur, ekspozimi në rreze të diellit dhe faktorë të ndryshëm që shtyjnë në këto sëmundje”.

    Autoritetet përgjegjëse thonë se janë duke punuar që vërejtjet shëndetësore të respektohen dhe vetëdijesimi i qytetarëve të rritet.

    “Mbështetur në hulumtime, kosovarët shpenzojnë në bazë vjetore afro 400 milionë euro për duhan. Pirja e duhanit renditet si faktor i madh i rrezikut që çon në Kancer të Mushkërive. Po ashtu, ushqimi llogaritet një nga shkaktarët për shumë lloje të kancerit, siç është kanceri i lukthit, i zorrës së trashë, mëlçisë, pankreasit. Ne jemi duke punuar sa më shumë për vërejtjet shëndetësore. Për parandalimin e duhanit, këtë vit për tre muaj janë inspektuar mbi 5000 subjekte afariste, kurse inspektorët janë detyruar të shqiptojnë gjoba në rreth 60 raste. Jemi duke punuar në zbatimin e ligjit për duhanin që të mos konsumohet shumë në mënyrë që të ulet edhe numri i pacientëve me kancer”.

    Meqenëse nuk ka mjaftueshëm terapi për këto raste, familjarët e pacientëve të sëmurë me kancer po duhet t’i sigurojnë nga xhepi i tyre.

    “Kom pas 4 raste me kancer në familje, është jashtëzakonisht e vështirë të sigurohet terapia, pjesa e kimioterapisë, po lindin probleme financiare. Një terapi normale kushton 400-600 euro”.

    “E kam gruan me kimioterapi prej kancerit të pankreasit. Terapitë e para ka qenë më lehtë për t’i siguruar, por tani terapia e tretë vetëm një ampulë, po kushton 500 euro. Në total për tre muaj 40 mijë euro harxhohem”.

    Ndryshe, menaxhmenti drejtues i klinikës në QKUK ka bërë të ditur se problematikë tjetër vazhdon të jetë edhe mungesa e infermierëve.

  • Sivjet fillon ndërtimi i Spitalit të Prishtinës, komuna ka ndarë pronën dhe buxhetin

    Sivjet fillon ndërtimi i Spitalit të Prishtinës, komuna ka ndarë pronën dhe buxhetin

    Ndërtimi i Spitalit të Prishtinës do të nisë këtë vit. Komuna është në fazën përfundimtare të planifikimit, teksa janë ndarë prona dhe buxheti – një milion e treqind mijë këtë vit dhe pesë milionë vitin e ardhshëm. Kështu ka bërë të ditur drejtori i Shëndetësisë së Prishtinës, Izet Sadiku.

    Sadiku ka thënë se përderisa kryeqyteti nuk ka nevojë për qendra të reja të mjekësisë familjare, sidomos pas hapjes së QMF-së së re në Veternik, një spital do të ishte më së i nevojshëm, jo vetëm për Prishtinën, por për gjithë vendin. Ai këtë projekt e ka cilësuar si një ndër më të mëdhatë në shëndetësi, që nga periudha e pas luftës.

    “Sipas shtrirjes së rrjetit, tash për tash, nuk ka nevojë për qendrat e mjekësisë familjare. Ajo që kemi nevojë ne dhe që jemi duke e bërë është Spitali i qytetit, që Prishtina nuk e ka. Sivjet do ta fillojmë ndërtimin e Spitalit të qytetit, jemi në fazën përfundimtare të bërjes së planit në detaje, me një kompani që është përzgjedhur”.

    “Kemi ndarë pronën, kemi ndarë një milion e treqind mijë këtë vit dhe pesë milionë vitin e ardhshëm për ta filluar ndërtimin e Spitalit të qytetit. Është një prej projekteve më të mëdha të shëndetësisë pas luftës besoj për kryeqytetin por edhe në nivel të vendit”, ka thënë ai.

    Sadiku për EO foli edhe për hapjen e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Veternik, e cila përpos shërbimeve bazike, do të ofrojë edhe shërbime të vaksinimit, radiologjisë, rëngënit, memografisë e shërbime emergjente.

    Ai tha se disa nga aparatet që janë në posedimin e kësaj Qendre, janë në mesin e të paktëve që ka Kosova.

    Ndërsa, si një veçanti tjetër ai ka përmendur se kjo është qendra e parë që do të funksionojë sipas sistemit të konceptit të mjekësisë familjare, i akredituar nga Mbretëria e Bashkuar. Qendra do të punojë cdo ditë prej orës shtatë deri në ora tre, pra tetë orë në ditë e nuk do të ketë ndërrim të pasdites e as të natës.

    “Hapja e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Vetërnik ka qenë një prej premtimeve të kryetarit Rama. Tendenca e zhvillimit të Prishtinës është në pjesën e Veternikut dhe qytetarët e kësaj pjese të Prishtinës nuk kanë pasur shërbime shëndetësore të afërta, ata është dashur t’i marrin ato në Dardani apo në qendra të tjera”.

    “Më 21 qershor të këtij viti, në Ditën e Shëndetësisë së Prishtinës ne e kemi hapur qendrën e mjekësisë familjare.Ka shërbime të mjekësisë familjare, shërbimet e vaksinimit, ka shërbimet e radiologjisë, kemi një rëngën, është rëngën shumë specifik që të tillë Kosova ka tre ose katër, pastaj kemi një memograf për realizimin e mamografisë, aparati i tretë i memografisë që e kemi në kryeqytet, pastaj janë shërbimet e urgjencës, janë shërbimet e terapisë infusive”, është shprehur Sadiku.

    Ai ka treguar edhe për disa qendra të cilat janë duke u rinovuar në Prishtinë dhe shërbimet e reja të cilat po planifikohen të shtohen për qytetarët.

    “Kemi renovuar qendrën e parë të mjekësisë familjare, qendrën e njëmbëdhjetë, jemi duke bërë renovime në qendrën e mjekësisë famijare në Hajvali, në Matiqan, kemi filluar renovimin në Velani dhe pastaj në Kodër të Trimave, renovimin në Bardhosh. Do ta krijojmë një laborator dhe renovime do të bëjmë gjatë gjithë vitit”.

    Sadiku tha se qendrave të mjekësisë familjare po planfikohet t’u shtohet edhe shërbimi për logopedi dhe fizioterapi.

    “Po fillojmë këtë vit të planifikojmë që me bashkëpunëtorë të bëjmë shërbimin për logopedi. Kemi biseduar me një organizatë e cila merret me shërbimin e logopedisë dhe në bashkëpunim me ta. Jemi duke biseduar dhe duke e përgaditur që me Odën e Fizioterapeutëve të Kosovës për t’i filluar shërbimet fizioterapeutike edhe në Prishtinë. Këto do të jenë shërbime të reja që mendojmë t’i fillojmë sivjet”.

    Ai po ashtu tha se laboratorët kanë filluar të punojnë çdo ditë të javës, krahasuar me më herët kur kanë punuar vetëm një ditë. Përveç kësaj, Sadiku tha se janë shtuar edhe disa lloje analizash, si ato për gjëndrrën tiroide dhe për matjen periodike të sheqerit.

    “Kemi filluar t’i ofrojmë edhe shërbimet e laboratorit këtu në Prishtinë. Kemi filluar t’i ofrojmë edhe analizat e gjëndrrës tiroide, T4, T3, dhe TSH-në çdo ditë të javës nga e hëna në të premten, ndërsa më parë janë bërë vetëm një ditë në javë. Edhe një analizë që është për matjen periodike të sheqerit. Kështu që kërkesat janë rritur 100 përqind për hormon të tiroides dhe 400% kemi më shumë analiza për përcaktimin e sheqerit në gjak”.

    Sadiku foli edhe për shërbimet shtëpiake të cilat tha se janë rritur për 60 për qind që nga viti i kaluar. Kjo, sipas tij, është pasojë e zgjatjes së orarit nga tetë orë për pesë ditë të javës, në dymbëdhjetë orë, shtatë ditë të javës.

    “Shërbimet shtëpiake janë shumë të rëndësishme për ne. E kemi rritur këtë shërbim, i cili ka punuar pesë ditë të javës nga tetë orë. Prej 1 marsit të vitit të kaluar, ky shërbim funksionon dymbëdhjetë orë, shtatë ditë të javës. Vitin e kaluar kemi pasur rritje 60% në shërbime, sesa një vit më parë. Kemi pasur 45 mijë e 214 shërbime për një vit apo mesatarisht 120 shërbime në ditë”, ka thënë ai.

  • Botohet libri me këshilla për gratë shtatzëna nga Argjentina Hoxhaj

    Botohet libri me këshilla për gratë shtatzëna nga Argjentina Hoxhaj

    Argjentina Hoxhaj e ftuar në emisionin e mëngjesit ”Alarm”, në ATV ka folur rreth librit të saj të botuar së fundi “Nga shtatzënia deri në lindje”, që kryesisht përmban këshilla dhe informacione, për gratë shtatzëna.

    Ajo tha se ky libër është i ndarë në dy kapituj; në pjesën e parë flitet për shtatzëninë, derisa në pjesën e dytë jepen informacione rreth lindjes.

    “Duke e parë se sa e rëndësishme është që secila grua shtatzënë të ketë informacione rreth shtatzënisë, gjendjes emocionale e psikologjike të nënës, ndryshimet për të cilat kalon etj., atëherë unë e kam sjell këtë libër. Fillimisht kam bërë hulumtime rreth temave që i kam përzgjedhur, e pastaj kam vazhduar për teknikat dhe metodat e ndryshme që ndihmojnë gruan në procesin e lindjes, e për të cilin kam bërë thuajse një vit përgatitje që ky libër të botohet. Përveç këshillave dhe informacioneve të përgjithshme për shtatzëninë, në këtë libër ka edhe të dhëna rreth marrëdhënieve në çift, për çka mendoj se ndihmon shumë sepse kuptohet, që ka ndryshime në çift pas lindjes së fëmijës së parë”, tha ajo.

    Tutje, ajo përmendi se është në përgatitje të librit të dytë, që kryesisht do të ketë informacione rreth zhvillimit të hershëm të fëmijës./atvlive.tv./

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Fillon renovimi i QMF së në Hajvali

    Fillon renovimi i QMF së në Hajvali

    PËRGATITI: KASTRIOT TAHIRI

    Komuna ka nisur renovimin e Qendrës së Mjekësisë Familjare, në fshatin Hajvali të Prishtinës. Banorët thonë se për shërbime nga mjekët po udhëzohen të shkojnë në qendrën e re që është rreth 5 kilometra larg fshatit.

    Në letrën e vendosur në derën e Qendrës së mjekësisë familjare në fshatin Hajvali, data e nisjes së rinovimeve shënon, që nga 20 qershori, por sipas banorëve këtu, ata nuk po marrin shërbime këtu tash e 10 ditë.

    Për shërbime mjekësore thonë se janë të detyruar të shkojnë në qendrën kryesore të mjekësisë familjare, por shkuarja deri atje po del të jetë e mundimshme.

    Në Prishtinë që dy ditë jam tu shkua te spitali, nuk është e përshtatshme hiç, se ja kallaballëk, ja qashtu, se punët që duhet me u krye ma herët nuk po kryhen, se po arsyetohen ja projekti, ja sene.

    Ndonëse po udhëzohen, që për shërbime të shkojnë në qendrën e re e cila u përuruar të mërkurën në Veternik, banorët thonë se po kanë vështirësi për ta gjetur vendin.

    Shumë nxehtë tash me shkua deri në qytet me marrë shërbime, këta po thonë diku te gjykata me shkua, po nuk po e di ku është.

    Komuna tha se punimet për rinovimin e qendrës së mjekësisë familjare në këtë fshat, pritet të përfundojnë më së largu deri më 26 qershor.

  • Çfarë mund të ju ndihmojë në përmirësimin e disponimit

    Çfarë mund të ju ndihmojë në përmirësimin e disponimit

    Pas lodhjes dhe nëse ndiheni të rraskapitur, ekzistojnë disa ndryshimet të vogla në rutinën tuaj të cilat mund të bëjnë ndryshime të mëdha tek ju.

    Kur zgjoheni dhe jeni të lodhur, niveli I energjisë tuaj mund të jetë jashtë nivelit andaj sipas Dr. Alfred Tallia krejt kjo ka një shpjegim ku disa ndryshime të vogla në stilin e jetës tuaj të përditshme që mund të bëjnë dallimin .

    Sipas kërkimeve gjatë zakonet e mëposhtme janw tejet efektive në rritjen e energjisw dhe humorit tuaj.

    Efekti i parë dhe i drejtpërdrejt në disponimin dhe gjendjen tonë emocioanle është Stresi kjo mund t’ju bëjë të ndiheni më pak të gjallë dhe ka efekte të rëndësishme në shëndetin mendor.

    Andaj për të përballuar këtë ju duhet të shtoni në rutinën tuaj të përditshme meditimin ose disa minuta ushtrime që mund të rikthen energjinë tuaj të humbur.

    Patjetër edhe të merresh me gjërat që ju pëlqejnë si leximi i ndonjë libri apo vallëzimi.

    Konsumimi i kafeinës po ashtu ndikon në cilësinë e gjumit dhe rrjedhimisht kjo bënë që energjia gjatë ditës të mos jetë në maksimum.

    Duhet të konsumohet në dozë të normales apo të kufizohet që të mos ketë ndikim në energjinë.

    Ekspertët rekomandojnë që të përpiqeni ta reduktoni gradualisht.

    Aktiviteti fizik është po ashtu një element shumë i rëndësishëm i cili kontribon në rritjen e ndjeshëm të energjisë.

    Nuk keni nevojë të bëni stërvitje të tepruar, edhe pesë minuta nga koha juaj mjaftojnë për të rifituar energjinë dhe vitalitetin e humbur.

    Dehidratimi si një faktor i rëndësishmen i cili shpesh dobëson trupin tuaj.

    Përgjatë aktivitetit fizikë trupi ynë humb ujë duke u djersitur, andaj duhet ta keni në kontroll edhe konsumimin e ujit.

    Është e rëndësishme ta zëvendësoni atë për të shmangur dehidratimin, sepse kur jeni të dehidratuar, jeni në një rrezik më të lartë të lëndimit dhe performanca juaj mund të ulet.

    Mundësia që të kemi po ashtu një gjumë të rehatshëm është edhe shkurtimi i kohës para televizionit apo telefonit.

    Një pjesë tjetër e rëndësishme sipas ekspertëve është ushqimi të cili vendosni ta konsumoni, anashkalimi i vakteve asnjëherë nuk është ide e mirë./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

     

  • “Që nga koha kur kam pasur Covidin nuk po ndihna njësoj” telefonuesja kërkon ndihmën e mjekut

    “Që nga koha kur kam pasur Covidin nuk po ndihna njësoj” telefonuesja kërkon ndihmën e mjekut

    Në emisionin e mëngjesit ALARM në ATV, në rubrikën “Mjeku me ne”, ishte mysafir pulmologu Leonard Muja.

    Në emision ai ka folur për problemet më të shpeshta të mushkërive me të cilat përballen pacientët në Kosovë.

    Gjatë emisionit u inkuadruan edhe shikues të cilët kërkuan këshilla nga mjeku në studio.

    “Tash një vit kam qenë me Covid edhe prej atëherë, sa herë që më bjen një grip, m’u bllokohen mushkëritë. Pa i pi pesë kokrra që ishin shumë të idhëta, nuk po lirohna dhe po kam shumë lodhje”, pyet telefonuesja.

    Përgjigjen e specialistit të pulmologjisë për këtë problem shëndetësor e gjeni në videon më poshtë:

    Bisedën e plotë të pulmologut Leonard Muja në emisionin ALARM e gjeni në videon më poshtë:

  • Shkencëtarët krijojnë një embrion njerëzor pa vezore apo fertilizim

    Shkencëtarët krijojnë një embrion njerëzor pa vezore apo fertilizim

    Embrioni është krijuar nga qelizat staminale njerëzore pa vezore, spermatozoide apo fertilizim

    Një model i embrionit njerëzor me rrahje zemre dhe gjurmë gjaku është krijuar nga shkencëtarët në një zbulim që mund të ofrojë informacione të brendshme për javët e para të jetës.

    Struktura sintetike është krijuar nga qeliza staminale njerëzore pa nevojën e vezoreve, spermatozoideve apo fertilizim.

    Ky krijim replikon disa nga strukturat që zakonisht shfaqen në javën e tretë dhe të katërt të shtatzënësisë, por është dizajnuar në mënyrë që të zhvillohet në një fetus.

    “Këto janë vetëm modele që mund të përdoren për të shikuar nëpër aspekte specifike të zhvillimit njerëzor”, kanë thënë shkencëtarët.

    Qelizat e rrahjeve të zemrës shfaqen në ditën e 23-të të një embrioni natyral, përderisa qelizat e rruazave të kuqe të gjakut nisin të shfaqen në javën e katërt.

    “Kur e dëgjova rrahjen e zemrës për herë të parë, isha pak i frikësuar të jem i sinqertë”, ka thënë dr. Neupane.

    Por ai paralajmëroi se kjo është e rrezikshme për të krahasuar strukturat direkte me embrionin natyral njerëzor, duke shtuar se “në të ardhmen këto krijime nuk i kanë të gjitha karakteristikat e një embrioni natyral”.

    Zbulimi u arrit duke përdorur qelizat burimore embrionale – qeliza “të bardha” të marra nga një embrion njerëzor i cili më pas mund të bëhet çdo qelizë në trup, raportoi “The Guardian”.

    Ato ishin krijuar në mënyrë që të rriteshin në një strukturë të ngjashme me embrionin në laborator dhe u transferuan në një lloj shisheje rrotulluese, e projektuar për të vepruar si një mitër artificiale.

    Shpresohet se gjetjet – të cilat ende nuk janë botuar – mund të japin një kuptim më të madh të shkaqeve të abortit të përsëritur dhe ndikimit të çrregullimeve gjenetike.

    Profesori Robin Lovell-Badge, drejtues i sektorit të biologjisë së qelizave burimore dhe gjenetikës së zhvillimit në Institutin Francis Crick në Londër, i cili nuk ishte i përfshirë në punë, tha se embrionet sintetike “nuk mund të zhvillohen për t’u implantuar për të formuar një fëmijë”.

    Puna pason një zbulim më vete, të raportuar javën e kaluar, në të cilin shkencëtarët krijuan embrione që nuk përfshinin fillimet e një truri apo të një zemre që rreh, por përfshinte qeliza që do të vazhdonin të formonin placentën dhe qesen e brendshme të vezës.

    Sarah Norkros, drejtoreshë e “Progress Educational Trust”, një organizatë bamirëse që ndihmon njerëzit që luftojnë me sterilitetin, tha: “Duhet të kujtojmë se këto modele nuk janë embrione njerëzore të vërteta”./ATVLIVE.TV/

  • Përfitimet shëndetësore nga portokalli

    Përfitimet shëndetësore nga portokalli

    Portokalli është një nga frutat më të mirë, që shpesh këshillohet të konsumohet gjatë sezonave gripoze.

    Portokalli është një frut me ngjyrë të gjallë si vetë emri, i cili ka një shije të ëmbël ose të thartë, në varësi të llojit.

    Ai gjendet në çdo stinë të vitit, përveç portokallit të kuq, që e gjejmë për një periudhë të shkurtër.

    Njihet si burimi më i mirë i vitaminës C – një antioksidant shumë i fuqishëm, që mbron qelizat e trupit nga dëmtime të ndryshme.

    Vetëm konsumi i një portokalli mesatar siguron sasinë e rekomanduar ditore për vitaminë C tek të rriturit.

    Ai përmban gjithashtu kompozime të mira për shëndetin që njihen ndryshe si flavanone.

    Këto fitokimikate mbështesin dhe mbrojnë trupin nga sëmundjet e zemrës dhe kanceri, si dhe kanë përfitime të njohura anti-inflamatore, antivirale dhe antibakteriale.

    Gjithashtu, portokalli njihet si burim i fibrave, vitaminës B, vitaminës A, kalciumit dhe kaliumit.

  • Konsumoni lulelakra për shëndet të mirë mendor

    Konsumoni lulelakra për shëndet të mirë mendor

    Studimet më të fundit kanë treguar se ushqimet që shumë nga ne blejmë çdo ditë kanë po aq shumë përfitime shëndetësore sa ato që njihen si super-ushqime, dhe si duket është koha e lulelakrës që të shkëlqejë.

    Dietologët dhe ekspertët e shëndetit e kanë cilësuar gjithmonë lulelakrën si nga produktet bimore më të mira: një racion i vetëm na siguron 73% të dozës ditore të vitaminës C, përmban thuajse zero gramë yndyra, sodium ose sheqer, dhe vjen me një sërë përfitimesh shëndetësore, nga mbrojtja nga kanceri deri tek përmirësimi i shëndetit mendor.

    Ja cilat janë disa nga arsyet përse duhet të konsumoni më shumë lulelakër:

    Ndihmon për rënien në peshë

    Një studim i vitit 2015 nga Shkolla e Shëndetit Publik T.H. Chan në Universitetin e Harvardit ka zbuluar se konsumi i lulelakrës ndihmon në rënien në peshë. Frutat dhe perimet në përgjithësi ndihmojnë për t’u dobësuar, megjithatë njerëzit që konsumojnë fruta dhe perime pa niseshte, si lulelakër, thjerrëza apo mollës, bien më shpejt në peshë.

    Shkencëtarët thonë se kjo ndodh sepse ushqimet pa niseshte kanë përmbajtje më të ulët të glicemikës, që rrit nivelet e sheqerit në gjak.

    Ul rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve degjenerative të trurit

    Një studim i vitit 2011, i botuar tek revista “Frontiers in Aging Neuroscience”, tregon se ushqimet e pasura me vitaminë E, si lulelakra, ndihmojnë për të ulur rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve neurodegjeneratve, si alcajmeri ose parkinsoni.

    Dozat e larta të ushqimeve të pasura në vitaminë E mund të ulin konsiderueshëm rrezikun e demencës dhe parkinsonit, thonë hulumtuesit shkencorë

    Një tjetër studim, i publikuar në vitin 2014, tregon se përmbajtja e lartë në antioksidues tek lulelakra, brokoli, lakra e perime të tjera ndihmon për të parandaluar sëmundjet neurodegjenerative.

    Zhbllokon arteriet

    Një studim i vitit 2009 tregon se konsumimi i lulelakrës mund të mbrojë pjesën e brendshme të arterieve. Hulumtuesit shkencorë kanë zbuluar se një proteinë është pasive tek disa pjesë të arterive, duke i cenuar nga sëmundje të ndryshme.

    Pas disa eksperimenteve që kryen tek minjtë, shkencëtarët zbuluan se një përbërës kimik i quajtur ‘sulforafane’, që gjendet në mënyrë natyrale tek perime si lulelakra, mund të stimulojnë këtë proteinë dhe sigurojnë mbrojtje tek arteriet.

    Duke konsumuar lulelakër, ju pastroni njëkohësisht arteriet dhe ulni rrezikun për zhvillimin e sëmundjeve të zemrës dhe goditjes në tru.

    Ul rrezikun e zhvillimit të kancerit

    Një studim i vitit 2007 ka zbuluar se një dietë e pasur në lulelakër dhe brokoli mund të ulë në mënyrë drastike gjasat për zhvillimin e kancerit të prostatës tek meshkujt.

    Ekspertët tek Instituti Kombëtar Amerikan i Kancerit në Maryland monitoruan 29 mijë meshkuj për një periudhë 4-vjeçare, ku vëzhguan mënyrën e ushqyerjes dhe i kontrolluan rregullisht për shenja të kancerit të prostatës. Në fund të sutidmit ata zbuluan se meshkujt që konsumonin lulelakër dy herë në javë ulën rrezikun e zhvillimit të kancerit të prostatës me 52%. Studimi zbuloi gjithashtu se frutat dhe perimet e tjera nuk kanë të njëjtin efekt si lulelakra.

    Mbron shëndetin mendor

    Lulelakra është e pasur në një lëndë ushqyese e quajtur “kholine”, që është shumë e rëndësishme për zhvillimin mendor duke qenë se ndihmon për mbrojtjen e membranave qelizore.

    Një studim i vitit 2014, i publikuar tek revista ‘Neurophysiology’, zbuloi se prezenca e kësaj lënde ushqyese ndikon në zhvillimin mendor dhe njohës gjatë periudhës së shtatzënisë.