ATV

Category: SHËNDETËSI

  • S’ka të interesuar , QMF e fshatrave të Prizrenit pa biokimist

    S’ka të interesuar , QMF e fshatrave të Prizrenit pa biokimist

    PËRGATITI: SARA SHEHU

    Si pasojë e mungesës së stafit shëndetësor, qendrat e mjekësisë familjare në fshatra të komunës së Prizrenit, nuk po mund t’u ofrojnë pacientëve shërbime mjekësore për çdo ditë. Pacientët ankohen se po detyrohen që të bëjnë rrugë deri në Qendër të qytetit për t’i kryer shërbimet, sidomos për kryerjen e analizave. Mungesa e biokimistëve nëpër QMF-të, është si pasojë e mosinteresimit për të aplikuar për këtë pozitë.

    “Në Qendrën e Mjekësisë Familjare në fshatin Gjonaj në Has të Prizrenit, banorët ankohen se nuk po mund t’i kryejnë të gjitha analizat”.

    Kjo për shkak se në këtë qendër, nuk ka të punësuar asnjë biokimist.

    Mungesa e një biokimisti në QMF-në e këtij fshati, po detyron banorët të cilët kanë nevojë për këtë shërbim mjekësor, të shkojnë në Prizren. Sipas tyre, udhëtimi e më pas edhe kryerja e analizave po iu kushton atyre.

    “Po duhet të shkojmë në Qendrën Kryesore në Prizren e goxha është larg. Mua po më kushton goxha shtrenjtë. E këtu në Qendër të Mjekësisë në Gjonaj s’ka kush me t’i kry analizat, është shqetësuese për krejt edhe fshatarët e mi. Po na kushton secilit”.

    “Është shqetësuese, po masi këtu s’po bahen, po duhet me shku në qendër. E tash më vështirë se shumë nxehtë”.

    Për vështirësitë që hasin pacientët për bërjen e analizave ka folur edhe kryetekniku në këtë qendër, Muharrem Qollaku.

    “Këtu nuk kemi biokimist të punësuar, kemi vetëm një laborant që në vend të biokimistit punon dy herë në javë për pacientët. Ama këtu nuk kryhen krejt llojet e analizave se s’ka biokimist, duhet me shku në qendër pacientët”.

    Mirëpo, nuk është vetëm fshati Gjonaj që ka mungesë të një biokimisti, me të njëjtin hall përballet edhe QMF-ja e fshatit Romaj. Për këtë pozitë nuk ka të interesuar.

    “Në fshatin Gjonaj kemi pasur të hapur një konkurs për biokimist, por s’kemi pasur asnjë të interesuar, andaj jemi detyruar ta mbyllim konkursin. Kemi një biokimist këtu në QKMF. E njëjta situatë është edhe në fshatin Romaj. Të gjitha analizat prej atje i bijnë këtu mostrat për përpunim. Ndërkohë tjetër çështje është se këtu kemi vetëm 1 radiolog, kemi nevojë më shumë. Kemi shumë pak staf për shërbime mjekësore”.

    Sipas menaxhmentit drejtues të QKMF-së në Prizren, në 44 njësitë e kujdesit parësor shëndetësor, numri i të punësuarve arrin në 500.

    Ndryshe, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë, brenda ditës kryhen mbi 150 lloje të analizave.

  • Listat e pritjes dhe mungesa e barnave, ankesat ndaj bordit të SHSKU- së

    Listat e pritjes dhe mungesa e barnave, ankesat ndaj bordit të SHSKU- së

    Gjatë raportimit në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, kryetari i Bordit të Shërbimit Klinik Universitar të Kosovës, Naim Bardiqi, tha se janë duke i adresuar të gjitha problemet me të cilat janë duke u përballur klinikat në QKUK.

    Sipas Bardiqit, lista e gjatë e pritjes vazhdon të jetë një nga problemet më të mëdha, me të cilën tash e sa vjet po ballafaqohen pacientët.

    “Rëndësi të veçantë i kemi dhënë adresimit të rekomandimeve që kanë dalë nga raporti i auditimit për pasqyrat vjetore financiare të SHSKUK-së. Jemi duke bërë maksimum aty ku ka mundësi në eliminimin e listave të pritjes. Do të jemi në funksion të arritjes së planit të punës të menaxhmentit të SHSKUK-së, kemi në fokus harmonizimin e aktiviteteve të SHSKUK-së me MSH-në dhe me ministritë e tjera të linjës për projekte infrastrukturore”, tha Bardiqi.

    Përkundër vështirësive, drejtori i ri i SHSKUK-së, Elvir Azizi, i cili e mori këtë pozitë vetëm pak ditë më parë, u zotua se do të bëjë çmos që të rregullohet niveli i shërbimeve mjekësore.

    “Gjatë kësaj periudhe kam bërë disa vizita për t’u njohur me infrastrukturë dhe kam vërejtë funksionimin. Sfidat janë furnizimi i barnave dhe materialeve shpenzuese, mungon dokumenti i brendshëm, nuk ka udhërrëfyes klinik e kështu më radhë. Infrastruktura është e vjetërsuar dhe jemi vonë me digjitalizimin. Misioni im rrjedh nga vizioni dhe me arritjen e këtij misioni do të merremi me disa drejtime kryesisht me listën e shërbimeve shëndetësore”, tha Azizi.

    Por ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, thotë se Qeveria ka gisht në përzgjedhjen e sekretarit Bardiqi në krye të bordit të SHSKUK-së.

    “Janë 30 muaj të kësaj Qeverie dhe është drejtori i katërt i SHSKUK-së. E kemi parë një dëshirë të flaktë të kësaj Qeverie për një kontroll të plotë dhe kjo u bë me zgjedhjen e një sekretari në krye të bordit. Esenciale është mungesa e barnave dhe kjo është fatkeqësi me folë kur është proklamuar për rritje të buxhetit. Si do ta adresoni sepse të mos ketë antibiotik është papërgjegjësi dhe e dyta është lista esenciale”, tha Zemaj.

    Më tej, anëtarët e komisionit kanë shprehur shqetësimet e tyre edhe për gjendjen e rënduar infrastrukturore nëpër spitalet rajonale. Nën menaxhimin e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës janë 37 klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe shtatë spitale rajonale. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Përhapja e sëmundjes “Mad” te kafshët është e madhe

    Përhapja e sëmundjes “Mad” te kafshët është e madhe

    Një ditë më parë u konfirmua rasti i parë i prezencës së Murtajës Afrikane të Derrit në komunën e Kllokotit, sëmundje kjo që shkakton ethe hemorragjike te derrat e butë, por edhe te ata të egër.

    Rreziku për përhapjen e kësaj sëmundjeje te kafshët është i madh, sipas drejtorit të Shëndetit dhe Mirëqenies së Kafshëve, në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.

    “Kjo sëmundje nuk është sëmundje zonatike, pra nuk kalon nga kafsha te njeriu, por kalon nga kafsha te kafshët, pra prek derrat e egër dhe derrat e butë. Është sëmundje që ka përhapje të shpejtë, shpërndahet ndërmjet kontaktit të drejtpërdrejte me derra, me pajisje, me lëvizje të njerëzve, është sëmundje që ka përhapje të shpejtë”, nga Sadik Heta nga Drejtoria e Shëndetit dhe Mirëqenies së Kafshëve.

    Heta për më tepër tregon edhe zonat ku ka më shumë ferma të derrave.

    “Të gjitha fermat e derrave që i kemi, i kemi te pjesa e komunitetit serb, në pjesën veriore të Kosovës, në pjesën e regjionit të Gjilanit, kemi edhe ferma te pjesa e komunitetit katolik në regjionin e Dukagjinit, pra shumica e fermave koncentrohen në këto pjesë, ne e kemi shtuar vigjilencën në pjesët ku e kultivojnë derrin, pra jemi duke bërë investigime në të gjitha regjionet ku ka ferma të derrave”, tha Heta.

    Ndërkaq, sipas infektologut Visar Gashi, ende nuk ka ndonjë vaksinë për këtë sëmundje.

    “Nuk ka rrezik për njeriun, por ka efekt katastrofal për ekonominë dhe fermerët. Momentalisht nuk ka vaksinë. Virusi është shumë rezistent në ambient, që do të thotë mund të mbijetojë në rroba, çizme, rrota dhe materiale të tjera. Njashtu mund të mbijetojë edhe në produkte të derrit, si proshutë dhe mish derri. Sëmundja bartet përmes rriqrave Ornithodoros që fatmirësisht nuk gjendet në Ballkan”, tha infektologu Visar Gashi.

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë u ka bërë thirrje të gjithë fermerëve të bëjnë vendosjen e masave të sigurisë në fermë dhe të pastrojnë veshjet e personave në kontakt me derrat, me qëllim të parandalimit të përhapjes së kësaj sëmundjeje. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Gjashtë ushqime të shkëlqyeshme për një fytyrë të bukur

    Gjashtë ushqime të shkëlqyeshme për një fytyrë të bukur

    Pamja e lëkurës varet kryesisht nga ushqimi, sepse konsumimi i ushqimit të shëndetshëm dhe shmangia e ushqimit të pashëndetshëm kanë efekt shumë pozitiv.

    Çdo gjë që hani do të manifestohet në lëkurën dhe fytyrën tuaj, ndërsa “superushqimi” dhe disa ushqime të caktuara do të ndihmojnë që lëkura dhe fytyra juaj të duken bukur kur i aplikoni në formë të maskës.

    Bollguri mund të përdoret si një produkt për bukuri për të gjitha llojet e lëkurës. Maskat për fytyrë nga bollguri përdoren për zbardhjen dhe shkëlqimin e lëkurës. Në bollgur mund të shtohet edhe mjalti dhe qumështi i bajameve. Bollguri mund të përdoret gjithashtu për pealing dhe gjatë larjes, ndërsa është i shkëlqyer për lëkurën që u nënshtrohet puçrrave, sepse e absorbon yndyrën nga sipërfaqja e lëkurës.

    Qeskat e ftohta të çajit të gjelbër e lehtësojnë dëmtimin e lëkurës pas djegieve nga dielli dhe ekspozimin e gjatë ndaj rrezatimit ultraviolet. Gjithashtu e rrisin kolagjenin në lëkurë dhe e ngadalësojnë plakjen. Merrni dy qeska të përdorura të çajit të gjelbër, mbajini ato në frigorifer për 30 minuta dhe pastaj vendosni në kapakët e syve. Kjo është efektive për largimin e qeskave të syve, sepse çaji i gjelbër përmban edhe vitaminë K.

    Farat Çia janë të pasura me fibra, proteina, vitaminë E dhe acide yndyrore omega. Këto fara janë një përbërës i rëndësishëm i shumë kremrave dhe serumeve hidratuese. Farat e përziera me vaj të kokosit janë një serum i shkëlqyeshëm për lëkurë dhe hidratimin e saj, transmeton koha.net.

    Uthulla e mollës është shumë efektive në largimin e lëkurës së vdekur, dhe gjithashtu vepron për ta forcuar lëkurën. Përzieni një lugë çaji të uthullës së mollës me dy gota ujë dhe lëreni në frigorifer. Aplikoni dy deri tre pika të kësaj përzierje para se të shkoni për të fjetur, dhe lëkura juaj do të bëhet më e shtrënguar me kalimin e kohës.

    Avokado njihet për efektet e saj pozitive dhe përdoret për të bërë maskë fytyre. Ajo e mënjanon lëkurën e vdekur dhe e hidraton lëkurën, ndërkohë që përmban vitamina A dhe E. Këto vitamina veprojnë si antioksidantë. Pra, avokado është efektive në luftimin kundër lëkurës së thatë, ndërkohë që edhe e ngadalëson plakjen.

    Manaferrat Acai janë një burim i shkëlqyeshëm i antioksidantëve dhe ato i parandalojnë radikalet e lira nga sulmet dhe dëmtimi i qelizave të lëkurës. Përzieni një filxhan të luleshtrydheve të shtypura me pluhur të manaferrave acai dhe aplikoni në lëkurë të pastër dhe të lagësht, rezultatet do të jenë të pabesueshme. Kjo përzierje e ngadalëson plakjen e lëkurës.

  • Gjendja me rriqra në Kosovë mbetet stabile, mbi 200 të prekur në Prishtinë

    Gjendja me rriqra në Kosovë mbetet stabile, mbi 200 të prekur në Prishtinë

    PËRGATITI: SARA SHEHU

    Vetëm për 6 muaj në rajonin e Prishtinës janë regjistruar më shumë se 200 raste të pickimit nga rriqrat. Por, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare thotë se nuk ka rritje të numrit të rasteve, krahasuar me vitin e kaluar.

    Ndonëse gjatë verës, rastet nga thumbimi i rriqrave janë më të përhapura, këtë vit numri i tyre nuk ka shënuar rritje të lartë.

    Në regjionin e Prishtinës në 6 muajt e parë të këtij viti, janë regjistruar 7 raste më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

    “Në të gjitha QMF-të e Prishtinës trajtohen këto raste për rajonin e Prishtinës përfshirë zonat rurale të Prishtinës. Këtë 6 mujor i kemi 7 raste më tepër se vitin paraprak. Domethënë në 2022 kemi paurs 200 raste për 6 muaj. Kurse në këto 6 muaj 2023, kemi 207 një rritje e lehtë. Gjendja me rriqra është e menaxhueshme, nuk është shqetësuese”.

    Qytetarët thonë se largimin e rriqrave e bëjnë në kushte shtëpiake.

    “I hekmi gjithmonë me dorë në shtëpi se nuk ka paraqitë naj problem asnjëherë”.

    “Paj vallai gjithë me dorë i kom hek e i heki nuk është bo kurrgjo”.

    Por për infektologun Hasan Gashi është shqetësues fakti që qytetarët e neglizhojnë shërimin në mënyrë profesionale.

    “Edhe pse numri i të prekurve nga rriqrat është ulur, qytetarët nuk duhet me tentu me i hekë vetë rriqrat. Për shkak se largimi i rriqrës nuk bëhet si duhet. Sepse nëse mbetet rriqra në trup, do të sillte një infeksion të rëndë. Duhet të shkohet tek mjeku për me u shëru”.

    Ndërsa, nga menaxhmenti drejtues i klinikës së Infektivit në QKUK, kanë bërë të ditur se prej muajit prill deri në fund të muajit qershor, 250 qytetarë nga komuna të ndryshme të vendit janë shëruar nga pickimi i rriqrave.

    Në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik nuk kanë treguar për ATV-në se cila komunë vazhdon të jetë më e rrezikuar nga rriqrat.

  • Si ndikon moti i nxehtë në trup dhe kush rrezikohet më së shumti?

    Si ndikon moti i nxehtë në trup dhe kush rrezikohet më së shumti?

    Dhjetëra miliona njerëz janë duke u përballur me temperatura shumë të larta në gjithë botën.

    Moti i nxehtë në Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe Azi, konsiderohet një prej shembujve se si rrezikohet bota nga ngrohja globale.

    Temperatura mesatare globale e ka prekur një rekord të ri në javën e parë të korrikut.

    I nxehti mund të ndikojë te secili mirëpo disa grupe janë më të cenueshme, sikurse të moshuarit dhe foshnjat.

    Çfarë i bën i nxehti ekstrem trupit tonë?

    Teksa trupi bëhet më i nxehtë, nisin të hapen enët e gjakut.

    Kjo rezulton me tension më të ulët të gjakut dhe e bën punën e zemrës më të vështirë për ta lëvizur gjakun nëpër trup.

    Diçka e tillë mund të shkaktojë simptoma të lehta, siç janë kruarjet apo këmbët e ënjtura.

    Në të njëjtën kohë, djersitja ndikon në humbje të lëngjeve dhe kripës, prandaj edhe ndryshon balanci i tyre në trup.

    E gjithë kjo, e kombinuar me tension të ulët të gjakut, mund të çojë në dërrmim nga nxehtësia.

    Disa prej simptomave janë:

    • marramendje
    •  të përziera
    •  të fikët
    • ngërçe të muskujve
    •  dhimbje koke
    • djersitje e madhe
    •  lodhje
    •  lëkurë e zbehtë

    Nëse tensioni i gjakut bie shumë shpejt, rritet rreziku për sulm zemre.

    Pse trupat tanë reagojnë në këtë mënyrë?

    Trupat tanë tentojnë ta mbajnë temperaturën në rreth 37 gradë Celsius, qofshim në borë, apo mot të nxehtë.

    Kjo është temperatura në të cilën është mësuar të punojë trupi.

    Mirëpo kur moti të nxehet, trupi duhet të punojë më shumë për ta ulur temperaturën.

    Prandaj i hap enët e gjakut afër lëkurës për ta nxjerrë nxehtësinë dhe nis të djersijë.

    Si të qëndrojmë të sigurt në mot të nxehtë?

    Qendrat për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) në Shtetet e Bashkuara i kanë disa këshilla:

    • Vishni rroba të përshtatshme që janë të lehta dhe të gjera.
    • Qëndroni në vende me kondicionerë, sa të keni mundësi. Nëse shtëpia juaj nuk ka kondicionerë, shkoni në qendër tregtare apo në biblioteka publike.
    • Mund ta telefononi edhe departamentin lokal shëndetësor për të parë nëse kanë vende të lira për t’i ikur vapës.
    • Kufizojeni aktivitetin në ambiente të jashtme apo ndërrojeni orarin kur është më freskët.
    • Pini shumë lëngje dhe mos pini shumë alkool.
    • Qëndroni në hije, përdorni krem kundër diellit me mbrojtës të lartë dhe vendosni kapele me mbulim të gjerë.
    • Keni kujdes që t’iu ndihmoni atyre që kanë nevojë, personave të moshuar, atyre që kanë ndonjë sëmundje, apo atyre që jetojnë vetëm.
    • Mos e lini askënd, sidomos foshnjat, fëmijët e vegjël apo kafshët nëpër makina të mbyllura.

    Si të bëni gjumë të mirë?

    Përdorni mbulesa të holla, ftohni çorapet tuaja në frigorifer para se t’i mbathni dhe krijojeni një orar të saktë të gjumit, sugjerojnë ekspertët.

    Çfarë të bëni nëse e shihni dikë që e ka dërrmuar i nxehti?

    Nëse ata mund të freskohen brenda një gjysme ore, atëherë lodhja e madhe nuk është shumë serioze.

    Por, CDC këshillon:

    • Dërgojini në një vend të freskët
    • Freskojuani lëkurën me ujë të ftohtë
    • U jepni që të pinë shumë ujë

    Megjithatë, nëse nuk e marrin veten brenda 30 minutave, atëherë ajo që pason njihet si goditje nga i nxehti.

    Një situatë e tillë është urgjente dhe duhet të thërrisni menjëherë emergjencën.

    Njerëzit me një gjendje të tillë mund të mos djersijnë më, edhe pse kanë temperaturë shumë të nxehtë në trup.

    Temperatura e trupit mund t’iu shkojë në mbi 40 gradë Celsius dhe mund ta humbin vetëdijen.

    Kush është më i rrezikuar?

    Moshat e shtyra dhe personat me sëmundje kronike, sikurse sëmundje të zemrës, mund ta kenë më të vështirë funksionimin në këto kushte.

    Diabeti mund ta bëjë trupin që të humbë ujin më shpejt dhe disa komplikime të sëmundjes mund t’i ndryshojnë enët e gjakut dhe aftësinë për të djersitur.

    Edhe fëmijët janë të cenueshëm.

    Personat që vuajnë nga harresa rrezikohen, po ashtu, sepse nuk janë të vetëdijshëm se çfarë është nxehtësia dhe si të veprojnë.

    Njerëzit e pastrehë janë po ashtu të ekspozuar shumë ndaj diellit.

    A e rrisin rrezikun disa ilaçe?

    Po – por njerëzit duhet të vazhdojnë t’i marrin ilaçet si zakonisht dhe duhet të bëjnë përpjekje të qëndrojnë të hidratuar.

    Diuretikët – që ndonjëherë quhen edhe “pilula uji” e rrisin sasinë e ujit që trupi e largon. Ato merren në shumë raste, përfshirë ato për komplikime të zemrës. Mirëpo, në temperatura të larta, ato e rrisin rrezikun e dehidrimit dhe çrregullimit të balancit të mineraleve në trup.

    Më pas janë ilaçet për ulje të tensionit të gjakut, pasi në kombinim me enët e gjakut që tentojnë ta nxjerrin nxehtësinë, mund të nxisin ulje të shpejtë të tensionit.

    Disa ilaçe për epilepsi dhe Parkinson mund ta bllokojnë djersitjen dhe mund ta bëjnë më të vështirë uljen e temperaturës trupore.

    A vret i nxehti?

    Më shumë se 700 persona në Shtetet e Bashkuara vriten nga i nxehti ekstrem çdo vit, sipas CDC-së.

    Shumica prej tyre e pësojnë nga sulmi në zemër dhe sulmet e shkaktuara nga përpjekjet e trupit për ta mbajtur temperaturën stabile.

    Shkalla e vdekjeve rritet sapo termometri të tejkalojë temperaturat 25-26 gradë Celsius.

    Megjithatë, të dhënat sugjerojnë se vdekjet shkaktohen më shpesh nga temperaturat e larta në pranverë, apo fillim të verës, sepse në pikun e verës.

    Kjo për faktin se ne nisim të ndryshojnë përditshmërinë dhe nisim të mësohemi dalëngadalë me të nxehtin.

    Të dhënat nga valët e kaluara të të nxehtit tregojnë për rritje të shpejtë të vdekjeve në orët e para të rritjes së temperaturave.

     

  • Vitia siguron furnizim me insulina: Nga tetori s’do të ekzistojë termi mungesë e barnave esenciale

    Vitia siguron furnizim me insulina: Nga tetori s’do të ekzistojë termi mungesë e barnave esenciale

    Të gjithë pacientët të cilët janë insulinë vartës nuk duhet që të shqetësohen  pasi në stoqe ka mjaftueshme medikamente, kështu ka thënë, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia.

    Ministri Vitia ka sqaruar se i kanë marrë të gjitha masat që qytetarët të mos mbesin pa insulina, pasi Zyra e Prokurimit në MSh javë më parë kishte marr vendimin për anulim të tenderit për furnizim me insulina, shkaku i shkeljes së një dispozite të Ligjit për Prokurimin Publik.

    “Përkundër problemeve të cilat kanë qenë me kontratën të cilët i’u referoheni ne si Ministri e Shëndetësisë kemi marr të gjitha masat dhe deri tani nuk ka ndodhur as edhe një herë që qytetarët e Republikës të mbesin pa insulina, një produkt jetësor për pacientët insulinë varës në Kosovë. Kështu që pacientët nuk do të mbesin pa insulina natyrisht dhe ne i kemi marr të gjitha masat që kjo mos të ndodhë në as një moment”, tha ai.

    Ministri deklaroi se me lëndën për insulina janë duke u marr organet e tjera ku shumë shpejt pritet që të vijnë në përfundime, ku më pastaj sipas tij, do të hapet rrugë për të vazhduar me procedurat për furnizim të rregullt.

    “Kurse në anën tjetër për lëndën të cilët ju i referoheni tani janë duke u marr organet e tjera dhe shpresoj që shumë shpejt do të vijën në një përfundim meritor në raport me këtë lëndë dhe për të hapur rrugë pastaj për të vazhduar me procedurat për furnizim të rregullt jo vetëm emergjent siç ka qenë për insulina në këto vite. Absolutisht jo, i pari shqetësim që do të vinte nga unë edhe ato muaj përpara. Në momentin kur ne nuk jemi të shqetësuar dhe ka mjaftueshëm akoma në stok insulina për pacientët kjo nuk do të ndodh si e potencova qysh nuk ka ndodhur as në vitet e kaluar përkundër këtij problemi”, tha ai per EO.

    Ministri i Shëndetësisë sqaroi se furnizimi me barna esenciale dhe materiale shpenzuese nuk është në nivelin e duhur.

    Sipas tij, listat e barnave esenciale është nënshkruar dhe janë hapur proceduar për qindra produktet, ku sipas Vitisë deri në muajin tetor të këtij viti nuk do të ketë më probleme me barna esenciale nëpër spitale.

    Ai theksoi se fjala mungesë dhe urgjencë në furnizime nuk do të jetë me në fjalorin e në terminologji.

    “Furnizimi nuk është në nivelin e dëshiruar ashtu siç kam thënë edhe në fillim të këtij viti, listat e barnave esenciale është nënshkruar dhe ka kaluar. Janë hapur proceduar për qindra produkte të cilat janë në listën e barnave esenciale, ashtu siç i kam thënë edhe drejtorit edhe drejtorëve të tjerë deri në muajin shtator-tetor nuk do të ketë dhe do të punojmë që të mos ketë më fjalë për mungesë për brana nga lista e barnave esenciale dhe për materiale shpenzuese”, tha ai.

    “Kjo është duke shkuar sipas planit dhe natyrisht me rritjen e buxhetit kjo do të jetë një standard i vendosur i cili nuk ka qenë kurrë më herët i cili do të jetë një standardë i vendosur jo vetëm në shtator, tetor të këtij viti por do të vazhdoj edhe në vitet e tjera ku furnizimet do të jenë ashtu siç duhet me komplet listën e barnave esenciale e materialeve shpenzuese. Ashtu siç thash deri në shtator, tetor kur të mbarojnë të gjitha këto proceduar do të vendoset një standard i ri ku fjala mungesë dhe urgjencë në furnizime e kam fjalën, sepse në shëndetësi ka edhe urgjenca dhe emergjenca, por sa i përket furnizimeve do të punojmë që nuk do të jete me në fjalorin e në terminologjinë tonë”, tha ai.

    “Siç kemi thënë shumë herë, sigurimet shëndetësore dëshirojnë disa parakushte, parakushti kryesorë i sigurimeve shëndetësore është sistemi informativ shëndetësor. Sistemi informativ shëndetësorë tani më është paraqitur drafti final i studimit të fizibilitetit për sistemin informativ shëndetësorë, është pranuar një nga tri propozimet nga ky studim i fizibilitetit dhe është duke u punuar me ritëm të shpejt dhe sistemi informativë shëndetësorë pritet që brenda një viti, ose një vit e gjysmë do të jetë funksional i cili do të jetë pastaj një parakusht esencial për fondin e sigurimeve shëndetësore të cilat me funksionalizimi e sistemit informativë shëndetësor do të jetë shumë lehët dhe shumë shpejt që do të mund të bëhen”, tha ai.

  • FDA miraton pilulën e parë kontraceptive pa recetën e mjekut

    FDA miraton pilulën e parë kontraceptive pa recetën e mjekut

    Zyrtarët amerikanë kanë miratuar pilulën e parë kontraceptive pa recetën e mjekut, duke u dhënë mundësi grave dhe vajzave amerikane ta blejnë atë ashtu siç blejnë aspirinat apo solucionet për pastrimin e syrit.

    Administrata e Ushqimit dhe Barnave tha të enjten se dha miratimin për pilulën Opill të kompaninë Perrigo e cila merret një herë në ditë pa recetën e mjekut, duke e bërë atë ilaçin e parë të tillë që zhvendoset nga seksioni i farmacisë në raftet e dyqaneve. Kompania nuk do të fillojë dërgimin e pilulës me postë deri në fillim të vitit të ardhshëm dhe nuk do të ketë kufizime moshe në shitjen e saj.

    Pilulat e bazuara në hormone kanë qenë prej kohësh forma më e zakonshme e kontrollit të lindjes në SHBA, e përdorur nga dhjetëra miliona gra që nga vitet 1960. Deri më tani, të gjitha kërkonin recetë nga mjeku.

    Shoqëritë mjekësore dhe organizatat për shëndetin e grave kanë kërkuar qasje më të gjerë, duke vënë në dukje se rreth 45% e 6 milionë shtatzënive vjetore në SHBA janë të paplanifikuara. Adoleshentët dhe vajzat, gratë me ngjyrë dhe ato me të ardhura të ulëta njoftojnë për pengesa më të mëdha në marrjen e recetave dhe ilaçeve.

    Disa nga sfidat mund të përfshijnë pagesën për vizitën e mjekut, lejen nga puna dhe gjetjen e kujdesit për fëmijët.

    “Ky është me të vërtetë një transformim në qasjen ndaj kujdesit kontraceptiv,” tha Kelly Blanchard, presidente e Ibis Reproductive Health, një grup jofitimprurës që mbështeti miratimin. “Shpresojmë që kjo do t’i ndihmojë njerëzit të kapërcejnë ato barriera që ekzistojnë tani”.

    Perrigo me bazë në Irlandë nuk njoftoi një çmim për pilulën. Barnat pa recetë janë përgjithësisht shumë më të lira se ato me recetë, por ato zakonisht nuk mbulohen nga sigurimet shëndetësore.

    Detyrimi i siguruesve për të mbuluar kontrollin e lindjeve pa recetë do të kërkonte një ndryshim rregullator nga qeveria federale, të cilin mbështetësit për çështjet e grave po i kërkojnë administratës Biden ta zbatojë.

    Shumë medikamente të zakonshme janë bërë pa recetë në dekadat e fundit, përfshirë barnat për dhimbje, urth dhe alergji. Pilulat kontraceptive janë të disponueshme pa recetë në pjesën më të madhe të Amerikës së Jugut, Azisë dhe Afrikës.

    Kompania Perrigo dorëzoi studime të bëra prej vitesh në FDA për të treguar se gratë mund të kuptonin dhe ndiqnin udhëzimet për përdorimin e pilulës. Miratimi i së enjtes erdhi pavarësisht disa shqetësimeve nga shkencëtarët e FDA-së në lidhje me rezultatet e kompanisë, përfshirë atë nëse gratë me kushte të caktuara mjekësore do të kuptonin se nuk duhet ta merrnin ilaçin.

    Veprimi i FDA-së vlen vetëm për pilulën Opill. Ajo është në një klasë më të vjetër të kontraceptivëve, të quajtur ndonjëherë minipilula, që përmbajnë një hormon të vetëm sintetik dhe në përgjithësi kanë më pak efekte anësore sesa tabletat më të njohura të kombinimit të hormoneve.

    Por avokatët e shëndetit të grave shpresojnë se vendimi do të hapë rrugën për më shumë opsione për kontrollin e lindjeve pa recetë.

    Vendimi i FDA-së nuk ka asnjë lidhje me betejat e vazhdueshme gjyqësore mbi pilulën e abortit mifepristone. Studimet në aplikimin e kompaninë Perrigo për të marrë miratimin nga FDA-ja filluan vite përpara anulimit të Gjykatës së Lartë për të drejtën e abortit.

    Për shkak të kufizimit të të drejtave riprodhuese në disa shtete, FDA-ja është përballur me presion nga politikanët demokratë, mbrojtësit e të drejtave të qasjes në shëndetësi dhe profesionistët mjekësorë për të lehtësuar qasjet tek medikamentet që ofrojnë kontroll për lindjet. Shoqata Mjekësore Amerikane dhe shoqëria kryesore profesionale për mjekët obstetër dhe gjinekologë mbështetën aplikimin e pilulës Opill pa recetë.

    Një panel i jashtëm i këshilltarëve të FDA-së votoi njëzëri në favor të ndryshimit në një seancë dëgjimore në maj, ku dhjetëra kërkuan miratimin e pilulës Opill.

    Pilulat më të reja të kontrollit të lindjes zakonisht kombinojnë dy hormone, estrogjenin dhe progestinën, të cilat mund të ndihmojnë për t’i bërë periodat më të lehta dhe më të rregullta./VOA

  • Kalon në komision Projektligji për Çmimin e Produkteve Medicinale

    Kalon në komision Projektligji për Çmimin e Produkteve Medicinale

    PËRGATITI: SARA SHEHU

    Deputetët nuk arritën sot të diskutojnë për Projektligjin për çmimin e produkteve medicinave, për shkak të mungesë së kryesueses së komisionit parlamentar për Shëndetësi dhe të anëtarëve nga pozita. Por pozita  arriti ta kaloj këtë projektligj pa ndryshimet që i kërkoi opozita.

    Në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale ka kaluar Projektligji për çmimin e produkteve medicinale, pa rekomandimet e opozitës. Këtë e bënë deputetët e pozitës pa praninë e deputetëve të opizitës dhe të mediave.

    Diskutimi për këtë projektligj ishte paraparë të fillojë në ora 10 por kjo gjë nuk ndodhi për shkak se nuk pati kuorum.  Anëtarët nga opozita pritën deri në 20 minuta për paraqitjen e anëtarëve nga pozita.

    Në mungesë të deputetëve nga partia në pushtet, edhe opozita hoqi dorë nga ky takim.

    Deputeti nga radhët e AAK-së, Shemsedin Dreshaj, drejtoi kritika për neglizhencë, derisa paralajmëroi mosvotimin e projektligjit.

    “Qeveria aktuale s’ka interes për implementimit e këtij ligji të cilin e ka sponsorizu. Ky ligj është duke u zvarrit. E kanë hartu këtë ligj të ri po s’e kanë përfshi asnjë vërejtje tonën. Opozita nuk do të jemi pjesë e votimit të këtij ligji pa u futur propozimet tona. Por ligji nuk bie për shkak të mosvotimit tonë, po bie për shkak se pozita s’po ka interes me shty përpara atë.”

    Se Ministria e Shëndetësisë nuk po e sheh si prioritet këtë projektligj, e tha deputeti nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu.

    “Jemi ftu sot për amendamentimin si PDK. Ne kemi dorëzu 15 amendamente në këtë projektligj. Kemi provuar të rregullojmë rimbursimin me barna, i cili do duhej të ishte prioritet i kësaj ministrie. Nëse MSH-ja deklarohet se ka buxhet për barna, atëherë duhet të reflektojë te qytetarët e te pacientët, që të mos i paguajnë nga xhepi i tyre”.

    ATV-ja ka provuar të kontaktojë me kryesuesen e Komisionit, Fatmire Kollçaku lidhur me arsyen e mungesës së saj në këtë takim, mirëpo ajo nuk është përgjigjur.

     

     

     

     

  • 430 raste aktive me Hepatit H në Kosovë

    430 raste aktive me Hepatit H në Kosovë

    PËRGATITI: SARA SHEHU 

    Në klinikën e Infektivit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, këtë vit, janë regjistruar mbi 400 raste me Hepatit B. Teksa familjarët e pacientëve që marrin shërbime mjekësore në këtë klinikë, ankohen për kushtet të këqija, drejtori Arben Vishaj thotë se sfidë për klinikën është furnizimi i rregullt me barna.

    Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, këtë vit, janë regjistruar 430 të infektuar me Hepatit B, të cilët aktualisht po marrin shërbime mjekësore ditore në klinikën e Infektivit.

    Kjo sëmundje infektive inflamatore e mëlçisë transmetohet gjatë kontaktit me gjakun e infektuar dhe lëngjet e tjera trupore.

    “Kemi 430 raste në nivel vendi me hepatit B. Trajtimi mjekësor për këto raste kërkon infrastrukturë laboratorike e imazherike, dhe për këto ne i plotësojmë të gjitha kushtet”.

    Por, ndryshe mendon Mursel Hoti, i cili e ka të hospitalizuar nënën e tij në këtë klinikë.

    “Aktualisht jemi duke trajtuar 430 raste me hepatit B. Qysh pe shihni edhe ju vetë, muret janë në gjendje të keqe, ndërkohë që këtu është Infektiv. Muret dhe tavani kanë nevojë për renovim. Megjithatë, kujdesi nga ana e stafit mjekësor është i mirë”.

    Por, sipas drejtorit Arben Vishaj, për Klinikën e Infektivit sfidë mbetet furnizimi i rregullt me barna.

    “Sfidat që na shoqërojnë janë mungesa e furnizimit me kohë e barnave, gjë e cila ka qenë problematikë edhe viteve të kaluara për t’i ofruar shërbimet mjekësore për pacientët”.

    Menaxhmenti drejtues i klinikës ka bërë të ditur se në repartin e veçantë për trajtimin e rasteve me hepatit B, punojnë 3 mjekë specialistë dhe 2 specializantë.

    Nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, por edhe mjekët vendorë kërkohet që qytetarët të paraqiten me kohë te mjeku, në mënyrë që edhe ecuria e trajtimit të shkojë më mirë.