ATV

Category: Lajme

  • Kamerat kapin burrin që imiton Trumpin gjatë tubimit, videoja ‘pushton’ rrjetin

    Kamerat kapin burrin që imiton Trumpin gjatë tubimit, videoja ‘pushton’ rrjetin

    Një burrë i ulur direkt pas presidentit amerikan, Donald Trump, në një tubim fushate në Xhorxhia u bë papritur qendra e vëmendjes pasi kamerat e kapën atë duke imituar nga afër gjestet dhe shprehjet karakteristike të presidenti gjatë gjithë fjalimit.

    Momenti ndodhi gjatë tubimit të Trumpit në shkollën e mesme Wheeler në Marietta, ku pjesëmarrësi i paidentifikuar, i veshur me kostum dhe kravatë të kuqe, u shfaq duke imituar lëvizjet e duarve dhe shprehjet e fytyrës së Trumpit.

    Klipi u bë shpejt viral në rrjete sociale, me shumë përdorues që thanë se burri dukej sikur po tallte Trumpin.

    Disa përdorues gjithashtu pretenduan se ai nuk ishte më i dukshëm në kornizën e kamerës më vonë, megjithëse nuk ishte e qartë nëse ai kishte ndryshuar vend apo thjesht ishte jashtë shikimit.

    Ndërsa Trump fliste për çështje duke përfshirë Iranin dhe kundërshtarët e tij politikë, pjesëmarrësi vazhdoi të pasqyronte shumë nga gjestet e tij, duke tërhequr vëmendjen nga vetë fjalimi.

  • Rama: Eliminohen gypat e azbestit në kuadër të transformimit të Sheshit “Xhorxh Bush”

    Rama: Eliminohen gypat e azbestit në kuadër të transformimit të Sheshit “Xhorxh Bush”

    Kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama ka njoftuar se në kuadër të punimeve për transformimin e Sheshit “Xhorxh Bush” ka nisur eliminimi i gypave të azbestit nga infrastruktura ekzistuese.

    Sipas Ramës, largimi i këtyre gypave është pjesë e ndërhyrjeve për modernizimin e infrastrukturës dhe krijimin e një hapësire më të sigurt dhe funksionale për qytetarët.

    Punimet në këtë zonë po vazhdojnë në kuadër të projektit për transformimin e sheshit, ndërsa ekipet përgjegjëse janë duke realizuar ndërhyrjet e planifikuara në terren.

  • Ngufatja me ushqim i rrezikoi jetën, mjekët i shpëtojnë jetën 79-vjeçarit në Mitrovicë

    Ngufatja me ushqim i rrezikoi jetën, mjekët i shpëtojnë jetën 79-vjeçarit në Mitrovicë

    Reagimi i shpejtë dhe profesional i ekipit të Shërbimit të Emergjencës në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë ka bërë të mundur shpëtimin e jetës së një pacienti 79-vjeçar, i cili kishte pësuar bllokim kritik të rrugëve të frymëmarrjes si pasojë e ngufatjes me ushqim.

    Sipas njoftimit të spitalit, pacienti me inicialet S.S., i lindur në vitin 1947, është transportuar me autoambulancë nga Shtëpia e të Moshuarve në Skenderaj në gjendje të rëndë shëndetësore dhe me rrezik të drejtpërdrejtë për jetën.

    Menjëherë pas pranimit në repartin e Emergjencës, ekipi kujdestar ka ndërmarrë procedurat urgjente të reanimimit. Gjatë ndërhyrjes është larguar trupi i huaj dhe është pastruar ushqimi që kishte bllokuar plotësisht rrugët e frymëmarrjes, duke mundësuar rikthimin e frymëmarrjes së pacientit.

    Falë reagimit të menjëhershëm dhe koordinimit të ekipit mjekësor, gjendja e pacientit është stabilizuar, ndërsa jeta e tij është shpëtuar.

    Spitali ka bërë të ditur se ndërhyrja është realizuar nën udhëheqjen e Dr. Vehbi Salihut, specialist i Mjekësisë Emergjente, me mbështetjen e infermierëve Agron Sumiqi, Musa Peci, Valdete Maliqi, Hidajete Hajrizi dhe Avdullah Ademi.

    Nga Spitali i Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” vlerësohet se ky rast dëshmon rëndësinë e reagimit të shpejtë, profesionalizmit dhe punës ekipore në trajtimin e rasteve emergjente që rrezikojnë jetën e pacientëve.

  • Arrestohet 33-vjeçari nga Ferizaj që dyshohet për vjedhje në Prizren

    Arrestohet 33-vjeçari nga Ferizaj që dyshohet për vjedhje në Prizren

    Policia e Kosovës ka njoftuar se e ka arrestuar një person që ka qenë i kërkuar për vjedhje të rëndë.

    Sipas njoftimit, arrestimi i 33-vjeçarit B.A, nga Ferizaj është bërë pasi që ai dyshohet se për së paku dy raste të vjedhjeve në Prizren.

    “Falë bashkëpunimit të zyrtarëve nga të dy stacionet, është arritur të lokalizohet dhe të arrestohet i dyshuari B.A., mashkull rreth 33 vjeç nga Ferizaj”, thuhet në njoftim.

    Sipas policisë, pas intervistimit në prani të avokatit dhe me aktvendim të prokurorit përgjegjës është ndaluar për 48 orë.

  • NATO hap dyert për industrinë ushtarake turke, nis programin “Front Door”

    NATO hap dyert për industrinë ushtarake turke, nis programin “Front Door”

    NATO ka prezantuar një program të ri të quajtur “Front Door” (Dera e Përparme).

    Aleanca synon t’ua lehtësojë kompanive të industrisë së mbrojtjes nga Turqia qasjen në fondin e inovacionit të Aleancës, me vlerë 5.3 miliardë euro. Programi u prezantua gjatë Samitit të NATO-s në Ankara.

    Iniciativa është krijuar për të zvogëluar pengesat burokratike dhe për të përshpejtuar përfshirjen e kompanive turke në projektet e NATO-s që lidhen me zhvillimin e teknologjive të avancuara ushtarake, raportojnë mediat.

    Përmes programit, ndërmarrjet turke do të kenë më shumë mundësi të aplikojnë për financim dhe të marrin pjesë në projekte që lidhen me inteligjencën artificiale, sistemet autonome, mbrojtjen kibernetike, teknologjitë hapësinore dhe fusha të tjera strategjike.

    Zyrtarët e NATO-s theksuan se synimi është forcimi i bashkëpunimit me industrinë e mbrojtjes së vendeve anëtare dhe përshpejtimi i zhvillimit të teknologjive inovative që do të rrisin aftësitë mbrojtëse të Aleancës.

    Turqia, e cila ka zhvilluar ndjeshëm industrinë e saj të mbrojtjes në vitet e fundit, pritet të jetë një nga përfitueset kryesore të kësaj nisme, duke pasur mundësi më të mëdha për të kontribuar në projektet e përbashkëta të NATO-s dhe për të siguruar financim nga fondi shumëmiliardësh i inovacionit.

  • Në Kroaci zbulohet pllaka përkujtimore për 10 viktimat nga Kosova të aksidentit tragjik të vitit 2021

    Në Kroaci zbulohet pllaka përkujtimore për 10 viktimat nga Kosova të aksidentit tragjik të vitit 2021

    Nën përkujdesjen e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Kroaci, në qytetin e Sllavonski Brod është zbuluar një pllakë përkujtimore në nderim të dhjetë viktimave që humbën jetën në aksidentin tragjik rrugor më 25 korrik në vitin 2021.

    Siç bën të ditur Ambasada, në ceremoninë përkujtimore morën pjesë Përfaqësuesi Special i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, Genc Metaj, prefekti i Qarkut Brod-Posavinë, Danijel Marušić, zëvendëskryetarja e Bashkisë së Sllavonski Brodit, Martina Martic Puaca, familjarë të viktimave, përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe Kroacisë, si dhe qytetarë të shumtë.

    Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, tha se vendosja e pllakës përkujtimore nuk është vetëm një akt simbolik, por një shprehje e përgjegjësisë morale për të ruajtur kujtesën e viktimave dhe për të treguar se dhimbja e familjeve të tyre mbetet një dhimbje e përbashkët.

    Në përmbyllje të ceremonisë, prefekti i Qarkut Brod-Posavinë, Danijel Marushic, u shprehu solidaritet familjeve të viktimave, duke theksuar se asnjë fjalë nuk mund ta zbusë dhimbjen e tyre, por se ato nuk janë vetëm në këtë pikëllim.

    Ai tha se pllaka do të mbetet një simbol i përhershëm i kujtimit për viktimat dhe një thirrje që tragjedi të tilla të mos përsëriten.

  • Musmurati nis iniciativën për renovimin e këndeve të lojërave në Prishtinë

    Musmurati nis iniciativën për renovimin e këndeve të lojërave në Prishtinë

    Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Besianë Musmurati, ka bërë të ditur nisjen e një iniciative për renovimin e këndeve të lojërave në lagje të ndryshme të kryeqytetit, duke u bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë lodrat e dëmtuara.

    Përmes një videomesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Musmurati tha se, si shumë prindër të Prishtinës, edhe ajo kalon kohë me djalin e saj, Tomorin, në parqet e qytetit, ku ka vërejtur se një numër i madh i lodrave janë të dëmtuara dhe kanë nevojë për riparim.

    “Prindër të dashur të Prishtinës, e kemi marrë një iniciativë me i renovu këndet e lojërave nëpër lagje të ndryshme. Sikur shumë prindër të Prishtinës, edhe unë mundohem çdo ditë me Tomorin në parqe të ndryshme të qytetit. Kudo që po shkojmë bashkë me djalin, po e shohim që ka lojëra të prishura që kanë nevojë për riparim”, u shpreh ajo.

    Ajo u bëri thirrje qytetarëve që, nëse hasin në lodra të dëmtuara, të dërgojnë një email në adresën [email protected], duke bashkëngjitur një fotografi, lokacionin e këndit të lojërave dhe një përshkrim të shkurtër të dëmtimit.

    Musmurati tha se ajo dhe djali i saj e kanë nisur këtë iniciativë duke raportuar një lodër të dëmtuar në lagjen Ulpiana, ndërsa ftoi qytetarët që ta vazhdojnë aksionin edhe në lagjet e tjera.

    “Unë e Tomori po e fillojmë me një foto nga kjo lojë e prishur në Ulpianë, e ju vazhdojeni nëpër lagjet e tjera. Për një fëmijë, një lodër e dëmtuar është një lojë e munguar. E për mua, si nënë e si nënkryetare, është një përgjegjësi”, deklaroi ajo.

  • Rafuna: Ndërprerjet e energjisë po u shkaktojnë dëme të mëdha bizneseve, duhen njoftime 24 orë më herët

    Rafuna: Ndërprerjet e energjisë po u shkaktojnë dëme të mëdha bizneseve, duhen njoftime 24 orë më herët

    Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, ka vlerësuar se ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike po shkaktojnë dëme të konsiderueshme për bizneset, duke ndikuar në procesin e prodhimit, furnizimin e klientëve dhe klimën për investime.

    Rafuna nw njw intervistw për Ekonomia Online tha se mungesa e energjisë elektrike gjatë procesit të prodhimit u shkakton humbje të drejtpërdrejta bizneseve.

    “Bizneset pësojnë shumë. E para, për shkak se në momentin që ndërpritet energjia elektrike, e tërë linja e prodhimit ajo lëndë e parë apo gjysmë lloj produkti që ndodh në linjën e prodhimit—shkon shkart. Ose nuk mund më të përpunohet dhe të shkojë si produkt final. Dhe kjo kosto i faturohet biznesit. E dytë, ka më pas vonesa në furnizim të të blerësve, për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike, se prodhuesi nuk ka mundësi që të prodhojë sasinë që e ka planifikuar sot, për shembull. Dhe padyshim kjo të nesërmen nuk mund të kompensohet, nuk mund t’i dyfishojë kapacitetet, se atë makineri e ka, që atë sasi duhet ta prodhojë brenda një dite ose një afati të caktuar. Dhe padyshim kjo reflektohet te zinxhiri i furnizimit, sidomos te dërgimi te blerësi. Dhe këtu bizneset dëmtohen shumë. Biznesi dëmtohet edhe në kuptimin e kohës, po edhe në kuptimin material”, deklaroi Rafuna.

    Sipas tij, bizneset duhet të njoftohen të paktën 24 orë para ndërprerjeve të planifikuara të energjisë elektrike, në mënyrë që të organizojnë procesin e punës dhe të shmangin humbjet.

    “Po koha e duhur do të ishte 24 orë më herët, që të njoftohet biznesi për ndërprerjen që do të ketë. Mos të befasohet biznesi me u ndërprerë energjia elektrike, siç e thamë, në momentin që është në kulmin e prodhimit, me i’u ndërprerë energjia elektrike dhe gjithë ajo vijë e prodhimit të shkojë shkart, të shkojë në në dëm të prodhuesit. Kjo është një prej pengesave më të mëdha edhe për thithjen e investimeve të huaja në Kosovë. Mosstabiliteti me energjinë elektrike ndikon shumë te ardhja e investitorëve të huaj ose në gjerësinë e kapaciteteve të prodhimeve tona. Dhe kjo është një prej arsyeve pse po kërkojmë që të ketë edhe alternativa të tjera, domethënë mos të jetë vetëm energjia elektrike që importohet apo prodhohet në KEK si alternativë e vetme, por të jetë edhe gazi, por të jetë edhe energjia e ripërtëritshme e kështu me radhë”, u shpreh ai.

    I pyetur nëse ndërprerjet e energjisë mund të kenë ndikuar në mbylljen e një numri të madh biznesesh gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, Rafuna tha se Oda Ekonomike nuk ka të dhëna konkrete, por theksoi se faktorët janë të shumtë.

    “Nuk kemi të dhëna sa i përket kësaj, a mund të jetë energjia elektrike shkaktar, mirëpo kur mbyllet një biznes mblidhen shumë shkaktarë. E kështu që duhet të identifikohen nga ana e institucioneve tona, mirëpo kjo bllokada politike, mosfunksionimi i institucioneve me fuqi të plotë, duke mos qenë të fuqiplota për me marrë vendime, po ndikon edhe në investime, po ndikon edhe në jetën e përditshme. Dhe presim që sa më shpejt t’i kemi institucionet dhe të fillojë punën për përmirësimin e ambientit për të bërit biznes në Republikën e Kosovës”, tha ai.

    Duke komentuar njoftimet e KEDS-it për ndërprerjet e energjisë elektrike për shkak të punimeve në rrjet, Rafuna tha se bizneset nuk duhet të mbesin pa furnizim, pavarësisht nevojës për mirëmbajtje.

    “Po me siguri që duhet ndërhyrja në rrjet, duhet të bëhen punimet, se punimet bëhen edhe në vendet më të zhvilluara, mirëpo nuk ndërpritet energjia elektrike. Sigurohet në mënyrë alternative furnizimi derisa të bëhen punimet në rrjet. Nuk është e drejtë që vetëm të ndalet energjia elektrike dhe kemi punime në rrjet. Biznesit nuk i intereson rrjeti, biznesit i intereson që të ketë furnizim të rregullt dhe paguan që të ketë furnizim të rregullt. Edhe ashtu çmimi i energjisë elektrike tani po e shohim sa ka mbërritur. Kërkesa jonë si Odë Ekonomike është që të sigurohet furnizim i rregullt për biznesin. Në çfarë forme e siguron, si e siguron, kur i përfundon punimet në rrjet, ne nuk na intereson. Ne na intereson që të kemi furnizim të pandërprerë të energjisë elektrike”, shtoi Rafuna.

    Ndërkaq, sot është bërë e ditur se në disa lagje të Prishtinës ka ndërprerje të energjisë elektrike dhe se sipas njoftimit ndërprerja zgjatë deri në ora 20:00.

  • Gjini mbështet nismën e IKD-së: Keqpërdorimi i parasë publike për fushata duhet të dënohet me ligj

    Gjini mbështet nismën e IKD-së: Keqpërdorimi i parasë publike për fushata duhet të dënohet me ligj

    Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka shprehur mbështetjen e tij për nismën e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), e cila synon forcimin e përgjegjësisë ligjore për shkeljen e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe keqpërdorimin e parasë publike gjatë fushatave zgjedhore.

    Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gjini ka deklaruar se respektimi i Kushtetutës dhe mosshfrytëzimi i parasë publike duhet të jenë norma të një demokracie funksionale, duke shtuar se abuzimet e viteve të fundit kanë krijuar nevojën për ndërhyrje ligjore.

    “Edhe pse në një demokraci normale respektimi i Kushtetutës dhe mosshfrytëzimi i parasë publike janë norma standarde, abuzimi flagrant në vitet e fundit po na imponon ‘presionin’ për rregullimin e tyre me ligj. Prandaj e mbështes nismën e IKD-së!”, ka shkruar Gjini.

    Ai ka kritikuar praktikën e ndarjes së mjeteve publike pak para zgjedhjeve, duke e cilësuar atë si përpjekje për manipulim të vullnetit të qytetarëve.

    “Ndarja e parave publike disa ditë para zgjedhjeve nuk është politikë sociale, është manipulim i pastër për të blerë vota të qytetarëve me paratë e tyre. Zgjedhjet duhet të jenë garë e barabartë, jo një treg ku pushteti hyn në garë me buxhetin e shtetit në dorë”, ka theksuar ai.

    Gjini ka kërkuar gjithashtu përgjegjësi penale për shkelësit, duke theksuar se ligji duhet të vlejë për të gjithë.

    “Duhet të ketë përgjegjësi penale si për shkeljen e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, ashtu edhe për keqpërdorimin e parasë publike për fushata. Ky abuzim duhet të dënohet me ligj për këdo. Unë do ta nënshkruaj!”, ka shtuar Gjini në reagimin e tij.

  • BE-ja arrin marrëveshje për paketën e 21-të të sanksioneve ndaj Rusisë

    BE-ja arrin marrëveshje për paketën e 21-të të sanksioneve ndaj Rusisë

    Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) kanë arritur sot marrëveshje për paketën e 21-të të sanksioneve kundër Rusisë, ndërsa së shpejti pritet të nisë procedura me shkrim për miratimin e saj, kanë bërë të ditur diplomatë evropianë.

    Pika e fundit e diskutueshme, që lidhej me propozimin për ndalimin e furnizimit me gaz rus drejt vendeve të treta, është zgjidhur përmes një periudhe të gjatë kalimtare, deklaruan dy diplomatë evropianë, sipas portalit të Brukselit Politico.

    Vendet anëtare kanë rënë dakord gjithashtu që për një vit të ngrijnë kufirin maksimal të çmimit për naftën e papërpunuar ruse.

    Aktualisht, ky kufi është 44,10 dollarë për fuçi dhe ishte parashikuar të rritej për shkak të zhvillimeve të lidhura me luftën në Iran dhe rillogaritjes automatike që kryhet çdo gjashtë muaj.

    Greqia fillimisht kundërshtoi propozimin për ndalimin e kompanive evropiane që të transportojnë gazin rus drejt blerësve jashtë bllokut, duke argumentuar se kjo masë tejkalonte marrëveshjet e mëparshme të liderëve të BE-së dhe se nuk do të ishte efektive, pasi anijet mund të riregjistroheshin lehtësisht në vende të tjera.

    Një diplomat evropian tha lidhur me këtë çështje se “shtetet anëtare treguan solidaritet me Greqinë dhe pritet që Greqia të bëjë të njëjtën gjë me të tjerët në të ardhmen”, raportoi agjencia Reuters.

    Puna teknike për paketën e sanksioneve është drejt përfundimit, ndërsa gjatë pasdites së sotme pritet të nisë procedura me shkrim për miratimin përfundimtar të saj. /Telegrafi/