ATV

Category: Lajme

  • Zelensky zbret në vendin e katërt në renditjen e besimit të ukrainasve

    Zelensky zbret në vendin e katërt në renditjen e besimit të ukrainasve

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, nuk është më ndër tre liderët më të besuar në vend, sipas një sondazhi të ri të publikuar nga grupi “Rating”.

    Sipas anketës së zhvilluar më 20 dhe 21 korrik 2026, lideri më i besuar nga ukrainasit rezulton të jetë ish-komandanti i përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës, Valeriy Zaluzhnyi, me 70 për qind të mbështetjes.

    Në vendin e dytë renditet Mykhailo Fedorov me 65 për qind, ndërsa në vendin e tretë është Kyrylo Budanov me 62 për qind. Zelensky renditet i katërti me 59 për qind të besimit nga qytetarët.

    Rritja më e madhe në këtë renditje është shënuar nga Mykhailo Fedorov, niveli i besimit ndaj të cilit është rritur nga 35 për qind në 65 për qind brenda vetëm një jave.

    Ndërkohë, besimi ndaj shefit të ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskyi, ka pësuar një rënie të ndjeshme, duke zbritur nga 39 për qind në 23 për qind.

    Rezultatet e sondazhit tregojnë ndryshime të rëndësishme në perceptimin e publikut ukrainas ndaj figurave kryesore politike dhe ushtarake të vendit, në një periudhë kur Ukraina vazhdon përballjen me agresionin rus.

  • Ushtarë moldavë nisen drejt Kosovës për një mision të ri në KFOR

    Ushtarë moldavë nisen drejt Kosovës për një mision të ri në KFOR

    Një grup prej 41 ushtarësh të Ushtrisë Kombëtare të Moldavisë është nisur për mision paqeruajtës në Kosovë.
    Për gjashtë muajt e ardhshëm, këta paqeruajtës moldavë do të punojnë krahas trupave nga vende të tjera për të monitoruar situatën e sigurisë në rajon. Para nisjes, ushtarët përfunduan një program të gjerë trajnimi, shkruan radiomoldova.md.

    Si pjesë e misionit të KFOR-it, kontingjenti do të garantojë sigurinë e objekteve ushtarake dhe do të kryejë patrullime brenda zonës së tij të përgjegjësisë. Trupat moldave do të veprojnë nën Komandën Rajonale Perëndimore dhe do të vendosen në bazën ushtarake “Camp Villaggio Italia” në Pejë, Kosovë.

    Lejtnantja Marina Agachi është një nga shtatë gratë që marrin pjesë në këtë mision.

    “Jemi të përgatitura si moralisht dhe psikologjikisht, ashtu edhe profesionalisht. Janë zhvilluar disa lloje trajnimesh, si jashtë vendit ashtu edhe brenda tij. Unë kam besim te koleget e mia dhe, me mbështetjen e ushtarëve burra, ne nuk e lëmë njëra-tjetrën pas. Ata na ndihmojnë dhe unë u uroj atyre shumë suksese”, shprehet Agachi.

    Misioni i parë paqeruajtës moldav në KOFR ka ndodhur më 8 mars, 2014.

  • Hodhi ujë drejt Edi Ramës, deputeti i PD’së Gazment Bardhi përjashtohet nga seanca

    Hodhi ujë drejt Edi Ramës, deputeti i PD’së Gazment Bardhi përjashtohet nga seanca

    Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, është përjashtuar nga seanca plenare.

    Kjo pasi ky i fundit ka hedhur ujë në drejtim të Edi Ramës, teksa apo kryhej votimi i projektligjeve të rendit të ditës.

    Ndërkohë që mazhoranca vijonte me votimet, opozita kishte bllokuar foltoren dhe bënte zhurmë duke i rënë tavolinave me sende.

    Demokratët u ngritën në këmbë duke bllokuar foltoren dhe duke bërë zhurmë në shenjë revolte për të mos kaluar në votim direkt, që u bë me propozim të PS duke shmangur diskutimet pasi demokratët nuk po lironin foltoren.

  • Nëntë kosovarë të vdekur nga aksidentet në trafik në vetëm shtatë ditë

    Nëntë kosovarë të vdekur nga aksidentet në trafik në vetëm shtatë ditë

    Kosovën e ka përcjellë një javë me bilanc të rëndë në komunikacion. Brenda pak ditësh, në disa aksidente të ndodhura në vende të ndryshme kanë humbur jetën nëntë persona.

    Një nga rastet më të rënda të javës u regjistrua në Maqedoninë e Veriut, ku tre qytetarë të Kosovës humbën jetën në një aksident tragjik.

    Një tjetër aksident me pasoja fatale ndodhi në Istog, ku dy persona humbën jetën. Rasti riktheu shqetësimet për gjendjen e sigurisë në rrugët e Kosovës dhe për faktorët që çojnë në aksidente të rënda.

    Gjatë kësaj jave u raportuan edhe raste të tjera tragjike në komunikacion.

    Në afërsi të Komoranit, një person humbi jetën në një vetaksident, ndërsa tre persona të tjerë mbetën të lënduar.

    Në Shirokë të Suharekës, një 52-vjeçar ndërroi jetë pas një vetaksidenti, ndërsa në një rast tjetër, një grua humbi jetën disa ditë pas një aksidenti të rëndë në Mitrovicë.

    Sot, një tjetër viktimë iu shtua këtij bilanci pas aksidentit fatal në Studime të Vushtrrisë, ku një grua humbi jetën, ndërsa disa persona të tjerë u lënduan. Sipas dyshimeve fillestare, aksidenti lidhet me ngasjen në gjendje të dehur, ndërsa Prokuroria ka nisur procedurat hetimore ndaj personit të dyshuar.

    Shpejtësia, moskujdesi gjatë ngasjes, drejtimi i automjetit nën ndikimin e alkoolit dhe mosrespektimi i rregullave të komunikacionit vazhdojnë të konsiderohen ndër faktorët kryesorë që shkaktojnë aksidente me pasoja të rënda.

    Policia e Kosovës vazhdimisht kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar nga ana e drejtuesve të automjeteve, respektim të kufizimeve të shpejtësisë dhe shmangie të çdo sjelljeje që mund të rrezikojë jetën në rrugë.

  • Kaos brenda e jashtë Kuvendit, 6 policë të plagosur dhe 17 protestues në spital

    Kaos brenda e jashtë Kuvendit, 6 policë të plagosur dhe 17 protestues në spital

    Ashtu edhe siç ishte paralajmëruar, ditën e sotme po zhvillohet tubimi i radhës para Kuvendit, e cila ka përshkallëzuar në tensione mes protestuesve dhe forcave të policisë.

    Policia ka blinduar zonën, duke vendosur gardh metalik që nga kryqëzimi i ‘Rrugës së Elbasanit’. Protesta ka përshkallëzuar me vezë dhe domate ndaj efektivëve, ndërsa policia i është kundërpërgjigjur me ujë dhe gaz lotësjellës.

    Pas disa orësh seancë plenare, në Kuvend ka mbërritur edhe Kryeministri Edi Rama.

    Pas mbërritjes së tij demokratët kanë bllokuar sërish foltore dhe pas kësaj janë mbyllur diskutimet dhe u kaluar direkt në votim. /Tch/

  • Ministria e Bujqësisë e zgjat afatin për bujqit, mund të aplikojnë për programin e pagesave direkte deri më 31 korrik

    Ministria e Bujqësisë e zgjat afatin për bujqit, mund të aplikojnë për programin e pagesave direkte deri më 31 korrik

    Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) ka njoftuar të gjithë fermerët dhe subjektet e interesuara se me vendim të ministrit, Armend Muja është zgjatur afati për aplikim në Programin e Pagesave Direkte 2026 edhe për 10 ditë, me qëllim që të gjithë fermerët të kenë mundësi të përfundojnë aplikimet e tyre.

    Afati i aplikimit është zgjatur deri me datën 31 korrik 2026, ora 16:00. Aplikimet, siç njofton ministria, vazhdojnë të dorëzohen në Drejtoritë Komunale për Bujqësi në komunat përkatëse.

    Programi i Pagesave Direkte 2026 është ridizajnuar në përputhje me harmonizimin gradual me Politikat e Përbashkëta Bujqësore të Bashkimit Evropian (CAP) dhe përfshin katër shtylla kryesore të mbështetjes:

    Pagesa Bazë për të Ardhura sipas Sipërfaqes, për kulturat bujqësore të pranueshme;

    Pagesat Rishpërndarëse, për hektarët e parë të fermës dhe fermerët e rinj;

    Pagesat e Lidhura me Prodhimin dhe Cilësinë, për sektorët prioritarë të bujqësisë dhe blegtorisë;

    Eko-Skemat, për prodhimin organik dhe praktikat e qëndrueshme bujqësore.

  • Ramadani i del në mbështetje IKD-së: Duhet të ndalet keqpërdorimi i buxhetit në zgjedhje

    Ramadani i del në mbështetje IKD-së: Duhet të ndalet keqpërdorimi i buxhetit në zgjedhje

    Deputeti i zgjedhur i Aleancës, Burim Ramadani ka shprehur mbështetjen e tij për nismën e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), e cila synon forcimin e përgjegjësisë ligjore për shkeljen e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe keqpërdorimin e parasë publike gjatë fushatave zgjedhore.

    Sipas tij, kjo nismë duhet të kulmojë me ndryshimin e nevojshëm ligjor.

    Postimi i tij i plotë:

    Nisma e IKD-së për kriminalizimin e përdorimit të buxhetit të shtetit në kohë zgjedhjesh është edhe e qëlluar, edhe duhet të përkrahet.

    Kjo nismë duhet të kulmojë me ndryshimin e nevojshëm ligjor.

    Për këtë ka përkrahjen tonë.

  • Tragjedi në Deçan, djali dyshohet se aksidentalisht vrau babanë

    Tragjedi në Deçan, djali dyshohet se aksidentalisht vrau babanë

    Një rast tragjik ka ndodhur pasditen e sotme në Bjeshkën e Strellcit në komunën e Deçanit.

    Djali dyshohet se aksidentalisht ka vrarë babanë.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë në Pejë, Driton Rugova.

    “Sot rreth orës 13:43 policia ka pranuar informatën se në Bjeshkën e Strellcit në oborrin e një stani një person është vrarë. Deri tani dyshohet për vrasje aksidentale mes familjarëve”, ka thënë Rugova.

    Ai ka shtuar se policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes ku ka sekuestruar një armë zjarri, ndërkaq personi që dyshohet se ka kryer veprën është arrestuar.

    Ndërkaq zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi, ka konfirmuar se prokurori i rastit është duke u marrë me rastin.

    “Prokurori i Shtetit dhe të gjitha njësitë relevante policore ndodhen në vendin e ngjarjes, duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore”, ka deklaruar Nikçi.

  • Dy kosovarë ndalohen në Gjermani, dyshohet se qëndronin pa leje të rregullt

    Dy kosovarë ndalohen në Gjermani, dyshohet se qëndronin pa leje të rregullt

    Dy shtetas të Kosovës janë ndaluar nga policia kufitare gjermane gjatë një kontrolli pranë Aeroportit të Memmingerbergut, pasi është konstatuar se nuk kishin dokumentacionin e nevojshëm për qëndrim të ligjshëm në Gjermani.

    Sipas autoriteteve gjermane, bëhet fjalë për dy persona të moshës 22 dhe 32 vjeç, të cilët u ndaluan gjatë një kontrolli rutinë në rrugën që çon drejt aeroportit.

    Gjatë verifikimit të dokumenteve, policia ka zbuluar se dy kosovarët nuk posedonin leje apo dokumente që u mundësonin qëndrimin e rregullt në territorin gjerman.

    Ndaj tyre është nisur procedurë penale për shkelje të ligjit për qëndrimin e të huajve, ndërsa autoritetet po shqyrtojnë edhe masat e mëtejshme administrative, përfshirë mundësinë e largimit të tyre nga Gjermania.

  • Rrëzohet një helikopter ushtarak në Çeki, humb jetën një ushtar

    Rrëzohet një helikopter ushtarak në Çeki, humb jetën një ushtar

    Një helikopter ushtarak u rrëzua sot në një bazë ajrore në Republikën Çeke, ku humbi jetën një ushtar, sipas gazetës TN.cz.

    Helikopteri “UH-1Y Venom” i ushtrisë çeke u rrëzua në bazën e 22-të të forcave ajrore të helikopterëve në qytetin Namest nad Oslavou në rajonin e Vysocinas.

    Pesë ushtarë ishin në bordin e aeroplanit në momentin e rrëzimit.

    “Njësitë e integruara të sistemit të shpëtimit po përgjigjen në vendngjarje. Ne do të japim informacione të mëtejshme sapo të lejojë situata”, tha ushtria.

    “Shërbimet e urgjencës dërguan katër ekuipazhe tokësore dhe një helikopter të ambulancës ajrore nga Jihlava në vendin e rrëzimit”, njoftoi zëdhënësi i shërbimit të shpëtimit Petr Janacek.

    “Një person nuk i mbijetoi përplasjes”, tha Janacek duke shtuar se një tjetër helikopter shpëtimi nga rajoni fqinj Olomouc u dërgua gjithashtu për të ndihmuar. /AA/