ATV

Category: Lajme

  • Rritet fluksi në kufi, deri në një orë pritje në Muçibabë dhe te Dheu i Bardhë

    Rritet fluksi në kufi, deri në një orë pritje në Muçibabë dhe te Dheu i Bardhë

    Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka njoftuar se gjatë ditës së sotme është shtuar fluksi i automjeteve në disa pika kufitare të Kosovës, duke shkaktuar pritje më të gjata për qytetarët.

    Sipas të dhënave të fundit, pritjet më të gjata janë regjistruar në pikën kufitare të Muçibabës, ku automjetet presin deri në 60 minuta për të hyrë në Kosovë, ndërsa kolona arrin rreth një kilometër.

    Ngarkesë e shtuar është evidentuar edhe në pikën kufitare te Dheu i Bardhë, ku pritjet në hyrje zgjasin deri në një orë, ndërsa në dalje rreth 25 minuta.

    Në Han të Elezit, pritjet për hyrje janë rreth 15 minuta, ndërsa në dalje qarkullimi zhvillohet më shpejt.

    Ndërkohë, në pikat e tjera kufitare si Merdarë, Kullë, Jarinjë, Bërnjak, Qafë e Morinës, Vërmicë dhe Stançiq, pritjet mbeten të shkurtra dhe variojnë nga 2 deri në 15 minuta.

    Autoritetet u bëjnë thirrje udhëtarëve që para nisjes të informohen për gjendjen në pikat kufitare, në mënyrë që të shmangin vonesat dhe të zgjedhin itinerarin më të përshtatshëm.

  • Gucati pas dënimit të kërcënuesit të tij: Le të mbledhin mend nga ky rast, 17 të tjerë i kam paditur

    Gucati pas dënimit të kërcënuesit të tij: Le të mbledhin mend nga ky rast, 17 të tjerë i kam paditur

    Eqrem Avdullahu është dënuar me 4 muaj burgim për kërcënim nga kreut të OVL-UÇK-së Hysni Gucati.

    Këtë vendim i mirëpriti Gucati, i cili tha se kjo do t’ju shërbejë edhe tjerëve “që të mbledhin mend”.

    “Të kenë kujdes në rrjetet sociale, të mos fyejnë më, të mos shkruajnë palidhje edhe të mos ofendojnë pa fakte dhe pa argumente një njeri se s’ka nevojë”, deklaroi ai para mediave.

    Gucati tha se padia ndaj Avdullahut nuk është e vetmja pasi që ai i ka dërguar në gjykatë edhe 17 persona të tjerë.

    “Shumica prej tyre janë jashtë vendit, që punojnë në Gjermani e në Zvicër”, theksoi kreu i veteranëve para mediave.

  • Pesë të vdekur brenda 4 ditëve, mbi 120 aksidente me të lënduar

    Pesë të vdekur brenda 4 ditëve, mbi 120 aksidente me të lënduar

    Vetëm brenda katër ditëve të fundit, nga 20 deri më 23 korrik, rrugët e Kosovës janë përgjakur nga aksidentet e trafikut, duke lënë pas pesë viktima, dhjetëra të lënduar dhe qindra aksidente

    Rasti më i fundit u shënua sot (23 korrik), kur një grua humbi jetën në një aksident të rëndë në magjistralen Mitrovicë–Prishtinë.

    Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, bilanci i katër ditëve është alarmues:

    5 aksidente me fatalitet, ku humbën jetën 5 persona, 121 aksidente me të lënduar, 162 aksidente me dëme materiale ndërsa 7.123 tiketa trafiku të shqiptuara nga Policia e Kosovës.

    Shifrat tregojnë se, pavarësisht kontrolleve të shtuara dhe mijëra gjobave të shqiptuara, aksidentet vazhdojnë të marrin jetë në rrugët e vendit.

    Policia vazhdon t’u bëjnë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat e komunikacionit, të shmangin shpejtësinë e tepërt dhe të tregojnë kujdes maksimal gjatë ngasjes./IndeksOnline

  • Prishtina nis fazën e pestë të dezinsektimit hapësinor më 27 korrik

    Prishtina nis fazën e pestë të dezinsektimit hapësinor më 27 korrik

    Komuna e Prishtinës ka njoftuar se faza e pestë e dezinsektimit hapësinor për vitin 2026 do të fillojë më 27 korrik, nga ora 20:00.

    Sipas njoftimit, aplikimi i larvicideve do të realizohet më 27 dhe 28 korrik, duke filluar nga ora 09:00, sipas planit dinamik të operimit.

    “Faza e pestë e dezinsektimit hapësinor për vitin 2026 fillon më 27 korrik, nga ora 20:00”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.

    Po ashtu, komuna ka bërë të ditur se “Aplikimi i larvicideve do të realizohet më 27 dhe 28 korrik, nga ora 09:00, sipas planit dinamik të operimit.”

  • Agim Ademi përkujton Fadil Vokrrin në ditëlindjen e tij: Përjetësisht legjendë

    Agim Ademi përkujton Fadil Vokrrin në ditëlindjen e tij: Përjetësisht legjendë

    Federata e Futbollit e Kosovës dhe presidenti i saj, Agim Ademi, kanë përkujtuar legjendën e futbollit kosovar, Fadil Vokrri, në ditën e lindjes së tij.

    Në postimin e publikuar, FFK e cilëson Vokrrin si një figurë që nuk do të harrohet kurrë, duke theksuar se ai ishte më shumë se një futbollist, pasi mishëroi ëndrrën dhe krenarinë e futbollit të Kosovës.

    “Fadili ishte nga ata njerëz që nuk e shihnin futbollin vetëm si lojë. Për të, futbolli ishte mision, ishte dashuri, ishte një mënyrë për ta ngritur emrin e Kosovës aty ku e meritonte”, thuhet në postim.

    FFK rikujton edhe rolin vendimtar të Vokrrit në krye të federatës, në periudhën kur futbolli i Kosovës u pranua në organizatat ndërkombëtare.

    “Së bashku ndamë sfida, besim dhe një qëllim të përbashkët: ta shihnim futbollin e Kosovës të pranuar në familjen e madhe të futbollit botëror”, thuhet më tej.

    Në fund të mesazhit theksohet se emri dhe vepra e Fadil Vokrrit vazhdojnë të jetojnë përmes stadiumit që mban emrin e tij dhe brezave të rinj që frymëzohen nga rrugëtimi i tij.

    “Fadil Vokrri nuk është vetëm një kujtim. Ai është një frymëzim. Është pjesë e çdo hapi që bën futbolli ynë drejt së ardhmes. Përjetësisht legjendë!”, thuhet në postimin e FFK-së dhe presidentit Agim Ademi.

  • “Eliza, pëllumbesha në botën e çudirave”, Spiropali përplaset me Berishën në Kuvend

    “Eliza, pëllumbesha në botën e çudirave”, Spiropali përplaset me Berishën në Kuvend

    Elisa Spiropali dhe Sali Berisha janë përplasur këtë të enjte në sallën e Kuvendit.

    Spiropali iu drejtua Berishës me një sfide duke i thënë nëse është gati që të ‘çlirojë opozitën’ dhe të hapë rrugë.

    “Edhe para protestës, edhe gjatë protestës unë kam folur për reformimin e pushtetit, nevojën për korrigjim, për vetëpastrim, për vetërregullim, për administratën, për nevojën për të kuptuar që ky është moment historik, kam folur për më shumë përfaqësim brenda partive, për ndryshimi të sistemi zgjedhor që ka prodhuar një banalitet sot.

    Njerëzit janë të papërfaqësuar dhe janë në rrugë dhe nuk ka as dehje ideologjike dhe as asgjë veçse nevojën e njerëzve për të shpalosur veten.

    Kam folur për institucione shtetërore që instrumenalizohen kundër njërit dhe tjetrit, me besimin e madh që kemi mundësinë për ta ndryshuar këtë.

    Dhe unë po ju bëj pyetje, por ju e keni fuqinë? Po ti Sali e ke fuqinë ta hapësh rrugën dhe ta çlirosh opozitën tënde? Të bëhesh pjesë e një ndryshimi që nuk i takon një partie por të gjithëve. Asnjë nga sulmet e asnjë bedeli politik nuk më ndal dot te kjo, se nuk kam asgjë për të fshehur, asnjë njeri që përdor pushtetin se mendon se mund të dëmtojë politikisht, njerëzisht, familjarisht dikë, nuk do ia dalë sepse do hiqet si apendicit”, tha Spiropali.

    “Eliza, pëllumbesha në botën e çudirave nuk meriton asnjë përgjigje, kjo është replika që kam”, ishte përgjigjja e Berishës./TCh/

  • Kryeministrja japoneze zbulon se fle maksimumi 3 orë në natë, neurologu: Rrezikon seriozisht shëndetin

    Kryeministrja japoneze zbulon se fle maksimumi 3 orë në natë, neurologu: Rrezikon seriozisht shëndetin

    Kryeministrja e Japonisë, Sanae Takaichi, ka habitur opinionin publik pasi zbuloi në rrjetet sociale se, që prej marrjes së detyrës, fle vetëm nga zero deri në tre orë në natë për shkak të ritmit të ngarkuar të punës.

    Deklarata e saj ka ngjallur reagime të forta, ndërsa specialistët paralajmërojnë se mungesa kronike e gjumit mund të ketë pasoja të rënda për shëndetin fizik dhe mendor.

    Neurologu italian Luigi Ferini Strambi, drejtues i Qendrës së Mjekësisë së Gjumit në spitalin San Raffaele-Turro në Milano, e cilësoi deklaratën e kryeministres si “një mesazh thellësisht të gabuar”.

    “Na vjen keq për të, por sot kemi prova të forta shkencore që tregojnë rëndësinë e gjumit. Për më tepër, këto janë fjalë që nuk duhet t’i thotë drejtuesja e një vendi si Japonia, ku fenomeni karōshi, vdekja si pasojë e ritmeve ekstreme të punës, njihet prej vitesh si një problem shëndetësor dhe shoqëror”, u shpreh ai.

    Sipas ekspertit, gjumi është thelbësor për funksionimin normal të organizmit. Ai ul nivelin e hormonit të stresit, forcon sistemin imunitar dhe zvogëlon rrezikun e sëmundjeve të rënda si infarkti, diabeti, kanceri, demenca, hipertensioni dhe goditja në tru.

    Mungesa e gjumit ndikon gjithashtu në aftësitë njohëse. Sipas neurologut, personat që flenë pak kanë më pak përqendrim dhe vëmendje, dëmtojnë kujtesën, reagojnë më ngadalë dhe janë më të rrezikuar nga gabimet dhe aksidentet.

    Po ashtu, mungesa e pushimit ndikon edhe në gjendjen emocionale, duke rritur ankthin, nervozizmin, luhatjet e humorit dhe vështirësitë në përballimin e stresit.

    Eksperti rekomandon që një i rritur, përfshirë persona të moshës 65-vjeçare si kryeministrja japoneze, të flejë mesatarisht rreth shtatë orë çdo natë. Ai thekson se rëndësi ka jo vetëm kohëzgjatja e gjumit, por edhe cilësia dhe rregullsia e tij.

    Megjithëse ekzistojnë persona me një predispozitë të rrallë gjenetike që mund të funksionojnë normalisht edhe me katër orë gjumë, Strambi thotë se kjo nuk duket të jetë rasti i Takaichit, e cila ka pranuar se dëshiron të flejë më shumë dhe se mungesa e gjumit i ka shkaktuar edhe rrathë të zinj poshtë syve.

  • Trafiku Urban njofton për devijim të përkohshëm të linjave të autobusëve

    Trafiku Urban njofton për devijim të përkohshëm të linjave të autobusëve

    Komuna e Prishtinës ka njoftuar për devijimin e përkohshëm të linjave të autobusëve të Trafikut Urban.

    Arsye për këtë janë punimet në segmentin e rrugës “Ilir Konushevci”, nga kryqëzimi me semaforë në rrugën “Lidhja e Prizrenit” deri te kryqëzimi me semaforë në rrugën “Vëllezërit Fazliu”.

    “Linjat e përfshira: 3, 3A, 3B, 3C, 6, 6A, 7B, 8, 11, 12, 13, 15, 16, 22, 23, 25, S22 dhe S25”, njofton Komuna e Prishtinës.

    Devijimet do të mbeten në fuqi deri në përfundimin e punimeve dhe rihapjen për qarkullim të segmentit të lartpërmendur.

  • Ngjarje e rëndë në Orikum, humb jetën 75-vjeçari – dyshohet se pësoi infarkt pasi doli nga deti

    Ngjarje e rëndë në Orikum, humb jetën 75-vjeçari – dyshohet se pësoi infarkt pasi doli nga deti

    Një ngjarje tragjike është shënuar paraditen e kësaj të enjteje në plazhin e Orikumit, ku një turist shqiptar, rreth 75 vjeç, ka humbur jetën pasi dyshohet se pësoi infarkt.

    Sipas informacioneve paraprake, 75-vjeçari kishte ardhur për pushime së bashku me familjen e tij. Mësohet se, rreth orës 11:30, sapo ka hyrë në det, ai është ndier keq dhe ka dalë drejt bregut, ku ka humbur ndjenjat.

    Kanë qenë pushuesit dhe familjarët e tij që e kanë nxjerrë menjëherë në breg dhe kanë kërkuar ndihmë. Në vendngjarje ka mbërritur ambulanca e Orikumit, ndërsa personeli mjekësor ka kryer manovrat e reagimit, por pa mundur ta rikthejë në jetë, raporton euronews.al.

    Paraprakisht dyshohet se shkaku i vdekjes ka qenë një infarkt kardiak, ndërsa pritet që rrethanat e plota të ngjarjes të konfirmohen nga autoritetet përkatëse.

  • Haradinaj dekoron katër kontribuues nga Shqipëria për rolin e tyre në çlirimin e Kosovës

    Haradinaj dekoron katër kontribuues nga Shqipëria për rolin e tyre në çlirimin e Kosovës

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar nga Bashkia e Tropojës, ku katër personalitete u shpallën “Qytetar Nderi” për kontributin e tyre në shërbim të atdheut dhe kombit.

    Përmes një postimi në rrjetet sociale, Haradinaj ka vlerësuar rolin e patriotëve nga Shqipëria që iu bashkuan luftës për çlirimin e Kosovës, duke theksuar se shumë prej tyre i kishte njohur në frontet e luftës.

    “Luftës për çlirimin e Kosovës iu bashkuan shumë patriotë nga të gjitha trojet shqiptare. Shumë prej tyre që ishin nga Shqipëria pata fatin t’i njoh personalisht në frontet e luftës. Ishin ushtarakë me përvojë, të cilët me dijen, profesionalizmin e tyre dhanë ndihmë të jashtëzakonshme në organizimin dhe rrjedhën e luftës”, ka shkruar Haradinaj.

    Ai ka bërë të ditur se në ceremoninë e mbajtur në Tropojë u nderuan me titullin “Qytetar Nderi” Halil Kuçana, ish-komandant i Brigadës së Tropojës, Avni Hoxha, punonjës në institucionet e sigurisë, Rexhep Kortoçi, ish-ushtarak dhe komandant i Policisë Ushtarake, si dhe Selim Demushi, ushtarak dhe ish-komandant i Batalionit të Kufirit në Tropojë.

    Haradinaj ka njoftuar gjithashtu se, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre në çlirimin e Kosovës, i ka dekoruar me medaljen “Me besim në Zot, Atdhe e Shtet”.

    “Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre në çlirimin e Kosovës dhe për shërbimin ndaj kombit, pata nderin t’i dekoroj me medaljen ‘Me besim në Zot, Atdhe e Shtet’”, ka theksuar ai.

    Haradinaj ka shprehur respekt për të gjithë ata që kontribuan në luftën për liri.

    “Krenar me rrugën tonë për liri. Nderim i përjetshëm për të gjithë ata që i dolën zot atdheut”, ka shtuar Haradinaj.