ATV

Category: Lajme

  • Niveli “portokalli” i rrezikut dhe paralajmërimet IHMK-së për stuhi më 22 korrik, Rugova: Kosova s’u përfshi në momentin e fundit

    Niveli “portokalli” i rrezikut dhe paralajmërimet IHMK-së për stuhi më 22 korrik, Rugova: Kosova s’u përfshi në momentin e fundit

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës përmes një njoftimi në faqen zyrtare kishte paralajmëruar se përgjatë datës 22 korrik priteshin zhvillime të fuqishme konektive, të cilat do të rezultonin me stuhi lokale, bubullima, reshje shiu, breshër e stuhi, shkruan Gazeta Express.

    Për këtë arsye ishte njoftuar për “nivelin portokalli” të rrezikut, duke thënë se ka rrezik për rruge, dëmtime të rrjetit energjetik, pengesa në sistemin e telekomunikimit, përmbytje të shpejta loakale, dëmtime të objekteve, automjeteve e kulturave bujqësore.

    Megjithatë përgjatë datës 22 korrik nuk ka pasur një manifestim të tillë të motit, siç ka paralajmëruar IHMK.

    Por pse ka ndodhur kjo?

    Meteorologu Mendim Rugova ka thënë se për shkak të situatës meterologjike të datës 21 korrik, është pritur edhe vazhdimësi e saj përgjatë datës 22, megjithatë sqaron se Kosova s’është përfshirë në momentet e fundit.

    “Ka qenë pak e parashikueshme që mund të zgjaste edhe pas mesnate ndonjë stuhi. Ka pasur në Adriatik, por momentin e fundit s’ka hyrë në vendin tonë, siç parashihej. Prandaj dita e sotme s’pati potencial për stuhi”, ka thënë Rugova në Klan Kosova.

    “Mund të ndodh në parashikime, që brenda 24 orëve mund të ketë ndryshim drastik”, ka thënë ai në emisionin e mbrëmjes në Klan Kosova më 22 korrik.

  • Prokurori: Video-incizimet dëshmojnë se vrasja e rreshterit Muhamet Lika ishte e planifikuar

    Prokurori: Video-incizimet dëshmojnë se vrasja e rreshterit Muhamet Lika ishte e planifikuar

    Në Gjykatën Themelore në Ferizaj po vazhdon shqyrtimi gjyqësor për rastin e vrasjes së rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamet Lika, ku prokurori Ismet Rrahmani, në fjalën e tij hyrëse, deklaroi se provat materiale dhe video-incizimet e kamerave të sigurisë dëshmojnë se vrasja ishte e planifikuar dhe se të akuzuarit kanë ndihmuar autorin e dyshuar para, gjatë dhe pas kryerjes së krimit.

    Sipas prokurorit, 1 prilli i vitit 2025 kishte nisur si një ditë e zakonshme pune për rreshterin Muhamet Lika, i cili pas përfundimit të orarit të punës në Kaçanik, rreth orës 22:54, u nis drejt banesës së tij, por nuk arriti kurrë në destinacion.

    “Arsyeja ishte se u privua nga jeta me armë zjarri nga i mituri Rejhan Bela”, ka thënë Rrahmani.

    Ai theksoi se nga analiza e video-incizimeve të kamerave të sigurisë janë identifikuar personat e përfshirë në rast dhe se, sipas Prokurorisë, Rejhan Bela është autori i drejtpërdrejtë i vrasjes, ndërsa pesë të pandehurit e tjerë kanë vepruar në bashkëkryerje duke i ofruar ndihmë para, gjatë dhe pas ekzekutimit të krimit.

    Prokurori u shpreh se provat, përfshirë video-incizimet, lokacionet dhe dëshmitë e dëshmitarëve, do të dëshmojnë se ngjarja nuk ishte spontane, por rezultat i një përgatitjeje të qëllimshme që kulmoi me vrasjen e rreshterit Lika.

    Në fjalën e tij, Rrahmani përshkroi edhe rolin që, sipas aktakuzës, kanë pasur të akuzuarit. Ai tha se Rilind Murati është parë në shoqëri me Rejhan Belën gjatë kohës së kryerjes së vrasjes, ndërsa Vatan Çaka është filmuar së bashku me Muratin dhe Belën duke vëzhguar vendin e ngjarjes para se të ndodhte krimi.

    Sa i përket Edmond Likës, prokurori deklaroi se ai është parë në shoqërinë e Shkëlqim Kukës duke ndjekur lëvizjet e rreshterit Muhamet Lika pas daljes nga stacioni policor. Sipas Prokurorisë, pasi viktima kaloi pranë tyre, Edmond Lika zbriti nga vetura “Opel”, pronë e Shkëlqim Kukës, dhe vazhdoi me veturën e tij “Golf 2” në drejtim të vendit ku u krye vrasja.

  • Sulm i armatosur në jug të Tajlandës: Vriten 5 anëtarë të forcave të sigurisë, plagosen 6 persona

    Sulm i armatosur në jug të Tajlandës: Vriten 5 anëtarë të forcave të sigurisë, plagosen 6 persona

    Pesë anëtarë të forcave të sigurisë tajlandeze u vranë dhe gjashtë civilë, përfshirë dy fëmijë të vegjël, u plagosën në një sulm në jugun e trazuar të Tajlandës.

    Rreth 10 sulmues të veshur me të zeza dhe me kapele mbërritën me një kamionçinë dhe motoçikleta përpara se të nisnin një sulm në një pikë kontrolli buzë rrugës në provincën Narathiwat vonë të mërkurën duke përdorur armë zjarri të nivelit ushtarak dhe bomba.

    Autoritetet thanë se sulmuesit sekuestruan tre pushkë AK-47, tre jelekë antiplumb dhe disa telefona celularë nga pika e kontrollit përpara se të iknin. Forcat e sigurisë më vonë gjetën kamionçinën e përdorur në sulm të braktisur dhe të djegur rreth 21 km nga vendi i ngjarjes.

    Ashtu si me shumicën e sulmeve në jug të Tajlandës, asnjë grup nuk e mori menjëherë përgjegjësinë.

    Qeveria e dënoi sulmin si një akt terrorizmi që përbënte “një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare” dhe minonte përpjekjet e vazhdueshme për të ringjallur procesin e paqes.

    Rajoni kufitar jugor i Tajlandës përgjatë kufirit me Malajzinë ka qenë skena e një kryengritjeje të ngadaltë që zgjati për dekada, me forcat e sigurisë që luftojnë grupet që kërkojnë pavarësi për provincat kryesisht myslimane dhe etnikisht malajze të Pattani, Yala, Narathiwat dhe pjesë të Songkhla.

    Rajoni dikur ishte pjesë e sulltanatit të pavarur malajzian të Patanit përpara se të aneksohej nga Siami sipas një traktati të vitit 1909 me Britaninë.

    Faza e fundit e konfliktit shpërtheu në vitin 2004 dhe ka marrë më shumë se 7,800 jetë njerëzish, sipas monitoruesit të konflikteve Deep South Watch, shkruan Euronews.al

    Bisedimet e paqes midis qeverisë tajlandeze dhe disa grupeve kryengritëse filluan në vitin 2013 me ndërmjetësimin e Malajzisë, por kanë ngecur vazhdimisht, duke dhënë pak përparim të prekshëm.

  • IKD nis mbledhjen nënshkrimeve për ndryshimin e Kodit Penal

    IKD nis mbledhjen nënshkrimeve për ndryshimin e Kodit Penal

    Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka nisur zyrtarisht mbledhjen e nënshkrimeve për nismën legjislative qytetare për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës, me të cilën kërkohet që moszbatimi i qëllimshëm i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe përdorimi i parasë publike për përfitim elektoral të parashikohen si vepra penale, raporton Ekonomia Online.

    Hulumtuesi i lartë në IKD, Naim Jakaj, tha se për procedimin e kësaj nisme në Kuvend nevojiten së paku 10 mijë nënshkrime, ndërsa synimi i institutit është që ky numër të jetë edhe më i lartë.

    Në një deklaratë për media, Jakaj tha se dy ndryshimet e propozuara kanë për qëllim forcimin e llogaridhënies, mbrojtjen e rendit kushtetues dhe rritjen e besimit të qytetarëve në institucionet e Republikës së Kosovës.

    “Instituti i Kosovës për Drejtësi fillon zyrtarisht mbledhjen e nënshkrimeve për nismën legjislative qytetare për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Përmes kësaj nisme propozojmë dy ndryshime konkrete. Së pari, propozojmë që moszbatimi i qëllimshëm i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të parashikohet shprehimisht si vepër penale”, tha ai.

    “Së dyti, propozojmë që përdorimi i parasë publike me qëllim përfitimin elektoral gjatë periudhave zgjedhore dhe parazgjedhore të parashikohet si vepër penale”, tha ai.

    Jakaj tha se politikat sociale duhet të jenë të qëndrueshme dhe të bazuara në ligj, duke ngritur shqetësimin për ndarjen e mjeteve publike në periudha të afërta me zgjedhjet.

    “Këto dy propozime kanë një qëllim të përbashkët. Forcimin e llogaridhënies. Mbrojtjen e rendit kushtetues. Dhe rritjen e besimit të qytetarëve në institucionet e Republikës së Kosovës. Së pari, dua të ndalem te përdorimi i parasë publike. Qytetarët e Kosovës meritojnë politika sociale. Meritojnë mbështetje nga shteti. Meritojnë shtesa fëmijët. Meritojnë pensione dinjitoze pensionistët. Meritojnë mbështetje për lehonat. Meritojnë mbështetje punëtorët. Por këto politika duhet të ndërtohen mbi ligj. Duhet të jenë të qëndrueshme. Duhet të jenë të parashikueshme. Jo të varen nga afërsia e zgjedhjeve. Në dy palët e fundit të zgjedhjeve kemi parë vendime për ndarjen e mjeteve publike vetëm pak ditë para votimit”, tha ai.

    Sipas tij, përdorimi i parasë publike duhet të jetë në funksion të interesit të qytetarëve dhe jo të interesave partiake apo elektorale.

    “Këto veprime, me të drejtë ngrisin dyshime dhe debat publik nëse buxheti i shtetit po përdoret për politika sociale apo për përfitim elektoral. Demokracia nuk duhet të lërë hapësirë për dyshime të tilla. Paraja publike është e qytetarëve. Ajo duhet të përdoret për interes publik. Jo për interesa partiake apo elektorale. Pikërisht për këtë arsye propozojmë që përdorimi i parasë publike për përfitim elektoral të sanksionohet si vepër penale”, tha Jakaj.

    Duke folur për propozimin e dytë, Jakaj tha se moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese cenon autoritetin e Kushtetutës.

    “Po aq i rëndësishëm është edhe ndryshimi i dytë. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare. Janë të detyrueshme. Dhe duhet të zbatohen nga të gjitha institucionet. Megjithatë, në Kosovë kemi parë raste kur ato nuk janë zbatuar. Një nga shembujt më të qartë është aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Pagat në Sektorin Publik. Gjykata obligoi Kuvendin që, brenda gjashtë muajve, ta harmonizonte ligjin. Kjo nuk ndodhi. Si rezultat, edhe sot mbi 94 mijë zyrtarë publikë nuk kanë përfituar pagesat që burojnë nga ky aktgjykim. Kur nuk zbatohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese, nuk cenohet vetëm një aktgjykim. Cenohet autoriteti i Kushtetutës”, tha ai.

    Ai theksoi se nisma nuk është e drejtuar kundër ndonjë partie politike apo individi, por synon forcimin e shtetit të së drejtës.

    “Pikërisht për këtë arsye propozojmë që moszbatimi i qëllimshëm i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të ketë pasoja të qarta penale. Dua të theksoj se kjo nismë nuk është kundër asnjë partie politike. Nuk është kundër asnjë qeverie. Dhe nuk është kundër asnjë individi. Kjo është një nismë në mbrojtje të Kushtetutës. Në mbrojtje të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Dhe në mbrojtje të shtetit të së drejtës. Për ta proceduar këtë nismë në Kuvend nevojiten të paktën 10 mijë nënshkrime. Sot e fillojmë këtë proces në Prishtinë. Në javët në vijim do të jemi në komunat e Kosovës për t’i informuar qytetarët dhe për t’i ftuar të bëhen pjesë e kësaj nisme. Ftoj secilin qytetar të informohet për përmbajtjen e saj. Dhe, nëse beson se askush nuk duhet të jetë mbi Kushtetutën dhe se paraja publike duhet t’u shërbejë qytetarëve, ta mbështesë këtë nismë me nënshkrimin e tij. Sepse demokracia nuk mbrohet vetëm në ditën e zgjedhjeve. Ajo mbrohet edhe duke kërkuar përgjegjësi”, tha Jakaj.

    Ai ka shpjeguar edhe procedurën që do të ndiqet pas mbledhjes së nënshkrimeve, duke thënë se ato do t’i dorëzohen Kuvendit dhe do të verifikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

    “Sapo t’i mbledhim së paku dhjetë mijë nënshkrime, synojmë një numër më të lartë, por së paku dhjetë mijë, ne këtë nismë e procedojmë solemnisht tek kryetari ose kryetarja bashkë me Kryesinë e Kuvendit. Këtë nismë dorëzohen nënshkrimet, i verifikon Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, riprocedohen pastaj prej KQZ-së në… në Kuvend të Kosovës dhe pastaj fillon ftesa për ne si IKD që të shkojmë ta prezantojmë këtë nismë në komisionin parlamentar përgjegjës… respektivisht në Komisionin për Legjislacion. Pasi që Komisioni për Legjislacion ta shqyrton, e miraton në parim apo jo, ne presim dhe do të kontribuojmë me takime të ndryshme tek partitë politike që ta miratojmë këtë… këtë propozim. Shkon në seancë, në seancë kemi të drejtën e prezantimit të kësaj seance ose e dërgojmë dikë nga deputetët me autorizim, preferojmë dhe do të kërkojmë me ngulm që ta prezantojmë vetë këtë nismë legjislative dhe pastaj i mbetet Kuvendit që të votojë. Normalisht ne presim që Kuvendi e voton këtë nismë, i bën këto ndryshime në mënyrë, siç e thashë edhe më herët, me mbrojt kushtetutshmërinë, ligjshmërinë dhe integritetin zgjedhor në Republikën e Kosovës”, tha ai.

  • Fillon rrënimi i shtëpisë që rrezikonte të shembej te rruga “A”, Policia në vendngjarje

    Fillon rrënimi i shtëpisë që rrezikonte të shembej te rruga “A”, Policia në vendngjarje

    Ka filluar sot rrënimi i shtëpisë te rruga “A”, që rrezikonte të shembej.

    Rrënimi i kësaj shtëpie ishte planifikuar të kryhej të martën, por kjo nuk u arrit pasi pronari i kësaj shtëpie Faruk Maxhuni nuk u largua nga shtëpia e tij.

    Ai dhe bashkëshortja e tij kanë kundërshtuar rrëzimin e shtëpisë pasi që kanë thënë se i kishin njoftuar Policinë dhe Inspektoratin e Komunës së Prishtinës se ndërtimi i ndërtesave të reja në këtë lagje, e rrezikonte shembjen e kësaj shtëpie.

    Në lidhje me këtë shtëpi, dje ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama,

    Ai ka thënë se kjo shtëpi është ndërtuar pa leje dhe ndodhet në pronë komunale.

    “Evakuimi i familjeve që banonin në këto objekte është bërë para 2 vitesh, për shkak të punimeve në “Rrugën A” dhe rrezikut të rrëshqitjes së dheut. Edhe pse këto objektet kanë qenë të ndërtuara pa leje në pronë komunale, Kryeqyteti ka paguar dhe vazhdon të paguaj shpenzimet e qirasë për familjet e evakuuara. Lusim personin në fjalë që të mos rrezikojë jetën e tij dhe të ekipeve tona duke hyrë në këtë zonë, e cila mbetet e rrezikshme për shkak të punimeve dhe është pronë komunale. Gjithashtu, pajtohem me personat publik që po prononcohen për këtë çështje duke thënë se “Prona është e shenjtë”. E tillë është edhe kjo pronë, pronë komunale, në pronësi të Komunës dhe si e tillë meriton të njëjtin respekt dhe mbrojtje sipas ligjit!”, ka shtuar dje Rama.

  • Sot i jepet lamtumira e fundit policit Shaban Hajdari

    Sot i jepet lamtumira e fundit policit Shaban Hajdari

    Sot do t’i jepet lamtumira e fundit zyrtarit policor Shaban Hajdari, i cili u gjet pa shenja jete mëngjesin e së martës pranë varrezave të fshatit Morinë në Kukës.

    Familja ka njoftuar se ceremonia e varrimit të 35-vjeçarit do të mbahet sot në orën 16:00, transmeton Klankosova.tv.

    Humbja e tij ka pikëlluar familjarët, kolegët dhe komunitetin policor, ndërsa Sindikata e Policisë së Kosovës ka shprehur ngushëllimet e saj për familjen dhe të afërmit e të ndjerit.

  • Të akuzuarit për vrasjen e Muhamet Likës deklarohen të pafajshëm, prokurori thotë se provat dëshmojnë të kundërtën

    Të akuzuarit për vrasjen e Muhamet Likës deklarohen të pafajshëm, prokurori thotë se provat dëshmojnë të kundërtën

    Gjashtë të akuzuarit për vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamet Lika, ashtu si në seancën fillestare, janë deklaruar sërish të pafajshëm, raporton Ekonomia Online.

    Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, prokurori Ismet Rrahmani, tha se provat materiale dhe video-incizimet e siguruara dëshmojnë se vrasja ishte e planifikuar dhe se të akuzuarit kanë ndihmuar autorin e dyshuar para, gjatë dhe pas kryerjes së krimit.

    Sipas prokurorit, megjithëse 1 prilli i vitit 2025 kishte nisur si një ditë e zakonshme pune për rreshterin Muhamet Lika, i cili pas përfundimit të orarit të punës në Kaçanik, rreth orës 22:54, u nis drejt banesës së tij, por nuk arriti kurrë në destinacion.

    “Arsyeja ishte se u privua nga jeta me armë zjarri nga i mituri Rejhan Bela”, ka thënë Rrahmani.

    Ai theksoi se nga analiza e video-incizimeve të kamerave të sigurisë janë identifikuar personat e përfshirë në rast dhe se, sipas Prokurorisë, Rejhan Bela është autori i drejtpërdrejtë i vrasjes, ndërsa pesë të pandehurit e tjerë kanë vepruar në bashkëkryerje duke i ofruar ndihmë para, gjatë dhe pas ekzekutimit të krimit.

  • Plagosi aksidentalisht një person në Skenderaj, arrestohet i dyshuari

    Plagosi aksidentalisht një person në Skenderaj, arrestohet i dyshuari

    Një person është arrestuar nën dyshimin se aksidentalisht ka plagosur një person.

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosoëvs bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur të mërkurën rreth orës 19:50, në Skenderaj.

    Tutje thuhet se viktima është dërguar në QKUK për tretman mjekësor.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se aksidentalisht ka plagosur me armë zjarri viktimen mashkull kosovar. Viktima është dërguar në QKUK për tretman mjekësor”, thuhet në raport.

    Ndërkaq, me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt. /Telegrafi/

  • Dhunë brenda familjes në Istog: Dy gra rrahin një burrë

    Dhunë brenda familjes në Istog: Dy gra rrahin një burrë

    Një person ka pësuar lëndime trupore pas një sulmi fizik në Istog, ku të dyshuara janë dy gra.

    Rasti ka ndodhur më 22 korrik, rreth orës 21:35, kur dy të dyshuara femra, shtetase të Kosovës, dyshohet se kanë sulmuar fizikisht viktimën mashkull, duke i shkaktuar lëndime.

    Sipas raportit të policisë, viktima ka pranuar tretman mjekësor për lëndimet e pësuara.

    Njëra nga të dyshuarat, pas intervistimit nga Policia, është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa e dyshuara tjetër pritet të intervistohet gjatë ditës së nesërme.

    “Istog, 22.07.2026 – 21:35. Është raportuar se dy të dyshuarat femra kosovare kanë sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar të cilit i kanë shkaktuar lëndime trupore. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Njëra nga të dyshuarat pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt ndërsa tjetra pritet të intervistohet nesër”.

  • AKK kundërshton Projektligjin për Pronën Publike: Po cenohen kompetencat e komunave

    AKK kundërshton Projektligjin për Pronën Publike: Po cenohen kompetencat e komunave

    Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka shprehur shqetësim lidhur me Projektligjin për Pronën Publike, duke vlerësuar se ky projektligj paraqet tendencë për centralizim të kompetencave dhe cenim të autonomisë së komunave.

    Sipas AKK-së, dispozitat e propozuara kufizojnë të drejtën e komunave për të poseduar, administruar dhe menaxhuar pronën e tyre, e cila, sipas këtij institucioni, është një prej shtyllave kryesore të vetëqeverisjes lokale.

    “Projektligji për Pronën Publike paraqet një tendencë shqetësuese të centralizimit të kompetencave dhe cenon një nga shtyllat themelore të vetëqeverisjes lokale, atë të drejtën e komunave për të poseduar, administruar dhe menaxhuar pronën e tyre”, thuhet në reagimin e AKK-së.

    AKK ka vlerësuar se projektligji është në kundërshtim me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale, konkretisht me nenin 14, i cili përcakton të drejtën e komunave për të poseduar dhe menaxhuar pronën e luajtshme dhe të paluajtshme.

    “Ky projektligj nuk është në frymën e Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale, e cila garanton autonominë lokale dhe mbrojtjen e kompetencave të komunave”, thuhet në reagim.

    Sipas Asociacionit, përmes këtij projektligji komunave mund t’u kufizohen kompetencat në administrimin e pronës komunale, ndërsa niveli qendror do të ketë kontroll më të madh mbi asetet që shërbejnë për zhvillimin lokal.

    AKK ka theksuar se prona komunale nuk është vetëm një aset administrativ, por bazë për zhvillimin ekonomik dhe realizimin e projekteve me interes publik.

    “Prona komunale është baza e zhvillimit ekonomik lokal. Përmes saj komunat planifikojnë zhvillimin urban, krijojnë zona ekonomike, tërheqin investime, ndërtojnë shkolla, çerdhe, qendra shëndetësore, rrugë, objekte sportive e kulturore dhe realizojnë projekte të tjera me interes publik”, ka deklaruar AKK.

    Në reagim, Asociacioni ka ngritur shqetësime edhe për vendimet e mëhershme të nivelit qendror, të cilat, sipas tij, kanë shkaktuar pasoja financiare për komunat.

    “Komunat nuk mund të përballen njëkohësisht me barrë gjithnjë e më të madhe financiare nga vendimet e nivelit qendror dhe, në anën tjetër, t’u kufizohen kompetencat që u garantohen me ligj”, thuhet në reagim.

    AKK i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të mos procedojë me miratimin e këtij projektligji pa një dialog të mirëfilltë me komunat dhe pa harmonizimin e tij me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale dhe Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale.

    “Autonomia lokale nuk është privilegj i komunave, por është garanci kushtetuese për qytetarët. Mbrojtja e pronës komunale është mbrojtje e decentralizimit, e zhvillimit ekonomik lokal dhe e një shteti demokratik ku kompetencat respektohen në çdo nivel të qeverisjes”, përfundon reagimi i AKK-së.