ATV

Category: Lajme

  • Sa pritet të zgjasë lufta kundër Iranit, tregon ushtria amerikane

    Sa pritet të zgjasë lufta kundër Iranit, tregon ushtria amerikane

    Sulmi amerikano-izraelit në Iran ka hyrë në ditën e pestë dhe shumica e botës pyet sa do të zgjasë.

    Informacionet që ka siguruar Politico tregojnë se Komanda Qendrore (CENTCOM) planifikon që lufta të zgjasë edhe mbi 100 ditë, madje deri në muajin shtator.

    “Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (CENTCOM) po kërkon nga Pentagoni që të dërgojë oficerë shtesë të inteligjencës ushtarake në selinë e saj në Tampa, Florida, për të mbështetur operacionet kundër Iranit për të paktën 100 ditë, por me shumë gjasa deri në shtator”, sipas njoftimit që ka siguruar gazeta.

    Kjo është kërkesa e parë e njohur e administratës për staf shtesë të inteligjencës për luftën kundër Iranit, një shenjë se Pentagoni po cakton tashmë burime për operacione që mund të zgjasin ndjeshëm më shumë se afati fillestar katër-javor që për këtë konflikt kishte vendosur presidenti amerikan, Donald Trump.

    Shtimi i shpejtë i personelit dhe burimeve për të mbështetur aktivitete që zakonisht planifikohen shumë më parë se një veprim ushtarak amerikan tregon se sa pak ishte parashikuar nga ekipi i Trumpit pasojat e gjera të luftës që u nis së bashku me Izraelin të shtunën.

    “Ne pamë një operacion krejt ad hoc ku dukej se askush nuk e kuptonte vërtet ose nuk besonte se veprimi ushtarak ishte i pashmangshëm. Duket sikur u zgjuan të shtunën në mëngjes dhe vendosën të nisin luftën”, tha Gerald Feierstein, ish-diplomat i lartë amerikan që ka punuar në Lindjen e Mesme.

    Presidenti amerikan, Donald Trump që nga fillimi i agresionit ka ndryshuar disa herë informacionet që ka dhënë, por ka nënkuptuar se lufta mund të zgjasë të paktën katër javë.

    Ministri amerikan i Luftës, Pete Hegseth, ka sugjeruar se lufta mund të zgjasë edhe më shumë se katër javë, duke përmendur edhe gjashtë javë.

  • FSK pritet të zbarkojë në Gaza, Maqedonci: Arritje strategjike

    FSK pritet të zbarkojë në Gaza, Maqedonci: Arritje strategjike

    Forca e Sigurisë së Kosovës pritet të zbarkojë në Gazë brenda pak muajve, si pjesë e forcës stabilizuese që do të vendoset atje. Ky është misioni i parë i saj jashtë vendit në kuadër të një operacioni të autorizuar nga OKB-ja, në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në një intervistë me gazetarin Blerim Haxhiaj, ka dhënë më shumë hollësi rreth angazhimit të Kosovës në kuadër të Bordit të Paqes të themeluar nga presidenti amerikan Donald Trump.

    “Kjo forcë stabilizuese për Gaza po ndërtohet dhe zhvillohet duke iu referuar një rezolute të OKB-së. Pra kjo rezolutë e ka mandatar SHBA-në që të krijojë një forcë stabilizuese dhe ne jemi ndër vendet themeluese të kësaj force, e cila tashmë është duke marrë formë”, ka thënë Maqedonci në RTK.

    Ai ka bërë të ditur se në fillim të kësaj jave e ka dërguar në qeverinë e Kosovës edhe rekomandimin që të bëhet vendimi politik për zbarkimin e FSK-së.

    “Vendimi politik pastaj duhet të kalojë në fazat e tjera të autorizimit të FSK-së nga Kuvendi i Kosovës, për t’u aprovuar përfundimisht nga presidenti apo presidentja e Kosovës autorizimi për zbarkim të FSK-së jashtë vendit. Ne jemi tashmë në fazën përfundimtare të koordinimeve, të identifikimit të kapaciteteve me të cilat do të marrim pjesë në Gaza”, ka shtuar ministri.

    Ai ka thënë se kjo është një arritje e madhe për Kosovën, pasi për herë të parë vendi ynë po merr pjesë në një mision që është autorizuar nga OKB, edhe pse nuk është vend anëtar i saj.

    “Mendoj se kjo është arritja kryesore strategjike për vendin tonë në aspektin e pjesëmarrjes në këtë forcë, për të cilën nuk është folur shumë fatkeqësisht. Përveç kësaj normalisht kontributi për paqen, sigurinë, aspekti humanitar, është gjithmonë element për të cilin ne jemi të fokusuar dhe për të cilin po angazhohemi”, ka nënvizuar Maqedonci.

  • Ambasadorët e QUINT-it në Qeveri

    Ambasadorët e QUINT-it në Qeveri

    Pas zhvillimeve me çështjen e presidentit, ambasadorët e QUNIT-it kanë shkuar në Qeveri, raporton Ekonomia Online.

    Aty janë parë veturat, ndërkohë që nuk ka një njoftim.

    E në zyrë të presidencës, pas pak pritet që në konferencë për media të dalë Presidentja Vjosa Osmani.

  • Presidentja Osmani shpërndan Parlamentin

    Presidentja Osmani shpërndan Parlamentin

    Presidentja Vjosa Osmani tha se ka nxjerrë dekret për shpërndarjen e Kuvendit.

    “Përfaqësuesit mbrëmë vendosën ta çojnë vendin në zgjedhje. Ka qenë krejt e evitueshme. Në përputhje me Kushtetutën kam nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit”.

    E enjtja e 5 marsit ishte afati i fundit kur Kuvendi i Kosovës duhet t’i niste procedurat për zgjedhjen e kreut të shtetit, pasi presidentes së tanishme, Vjosa Osmani, i mbaron mandati më 4 prill.

  • Arrestohet në Prishtinë 40-vjeçari i dënuar me 3 vjet burgim për disa vepra penale

    Arrestohet në Prishtinë 40-vjeçari i dënuar me 3 vjet burgim për disa vepra penale

    Policia e Prishtinës ka njoftuar se ka arrestuar një person i cili ishte në kërkim, i dënuar për disa vepra të ndryshme penale.

    Sipas njoftimit, arrestimi është realizuar mbrëmë, pas disa veprimeve hetimore dhe operative të zhvilluara nga zyrtarët policorë, të cilët arritën të arrestojnë personin I.Q., 40 vjeç.

    “Personi i arrestuar ishte dënuar për veprat penale: ‘Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve’, ‘Asgjësim apo dëmtim i pasurisë’ dhe ‘Lëndim i lehtë trupor’. I njëjti është dërguar në vuajtje të dënimit me burgim”, thuhet në njoftim.

  • Si erdhi deri te dështimi i seancës për zgjedhjen e Presidentit

    Si erdhi deri te dështimi i seancës për zgjedhjen e Presidentit

    Kuvendi i Kosovës ka mbajtur mbrëmjen e së enjtes seancë të jashtëzakonshme lidhur me amendamentet kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit nga populli, të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani.

    Seanca që nisi pas orës 20:00 u shoqërua me deklarata të ndryshme nga përfaqësues të partive politike, ndërsa përfundimisht u ndërpre për shkak të mungesës së kuorumit për votim.

    Para nisjes së seancës, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, e cilësoi të vonshme kërkesën për ndryshime kushtetuese.

    “Kërkesa për ndryshime është e vonshme, këto ndryshime që kanë kaluar edhe nëpër filltrat e Gjykatës Kushtetuese kanë një kohë të gjatë”, deklaroi Zemaj, raporton Klankosova.tv.

    Në anën tjetër, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, arsyetoi mbështetjen e kësaj partie për amendamentet, duke theksuar se zgjedhja e Presidentit nga populli do të rriste legjitimitetin demokratik.

    “Kur qytetarët votojnë për presidentin, ata ndihen më të përfshirë në procesin politik dhe kjo e rritë interesimin për demokracinë dhe zgjedhjet në përgjithësi”, deklaroi Nagavci gjatë seancës.

    Edhe kreu i PDK-së, Bedri Hamza, u shpreh se në parim janë për zgjedhjen e Presidentit nga populli, por theksoi se një proces i tillë duhet të trajtohet në përputhje me Kushtetutën.

    “Sonte kam pritur që, në fakt jo sonte, po shumë më herët që Kosova ta ketë të zgjedhur Presidenten apo Presidentin dhe jo të vijmë në këtë situatë që në orët e fundit të mandatit, deputetët e Kuvendit të sfidohen me një seancë të jashtëzakonshme, pa material dhe të flasim për plotësim-ndryshimin, apo amandamentimin e aktit më të lartë juridik të vendit, Kushtetutës së Kosovës. Pra, në parim jemi për, por kjo kërkon një trajtim në përputhje me rregulloret, me ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës”, u shpreh ai.

    Ndërkohë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, deklaroi se LDK-ja i mbështet në parim amendamentet për zgjedhjen e Presidentit nga qytetarët.

    “Janë në frymë me bindjen tonë ideologjike, presidenti i Kosovës duhet të zgjedhet nga qytetarët drejpërdrejt. Ta përsëris edhe një herë LDK i mbështet dhe i voton”, deklaroi Abdixhiku.

    Nga e njëjta parti, deputetja Hykmete Bajrami tha gjatë seancës se çështja më e rëndësishme për vendin është shmangia e zgjedhjeve të reja.

    “Sot nuk ka rend të ditës më të rëndësishëm se mos me i çu qytetarët në zgjedhje prapë dhe kush po i çon në zgjedhje, po i çoni ju që i keni marrë 51 për qind të votave dhe i keni sjellë në rend të ditës amandamente kushtetuese, të cilat assesi nuk e evitojnë çuarjen e vendit në zgjedhje”, tha Bajrami, së cilës më pas kryeparlamentarja ia ndali fjalën.

    Më pas, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, njoftoi se në orën 22:00 do të zhvillohej një tjetër seancë.

    Por edhe seanca e dytë u ndërpre pasi nuk pati kuorum për votim, sepse në sallë ishin të pranishëm vetëm 66 deputetë.

    Pas seancës reagoi edhe deputeti i AAK-së Besnik Tahiri, i cili tha se partia e tij nuk mori pjesë në këtë proces, duke e cilësuar seancën si improvizim.

    “U thirr për të bërë një improvizim, u shfrytëzua për të bërë disa deklarata politike, gjoja për të ndërruar Kushtetutën, proces ky i cili s’mund të ndodh në pikë të natës dhe nuk mund të ndodh në rrethana kur nuk ka diskutim paraprak. Pamë një improvizim të skajshëm, një tendencë për të shpërndarë një mjegull tek qytetarët e Kosovës”, tha ai.

    Ndërkohë, tek vonë kryeparlamentarja Haxhiu njoftoi se i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese e Kosovës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e Presidentit.

    “Sapo i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës. Po ashtu, përmes kësaj kërkese, kemi kërkuar që Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e afatit kushtetues që lidhet me procedurën e zgjedhjes së Presidentit, deri në publikimin e aktgjykimit”, ka shkruar ajo në Facebook.

    E njëherësh kandidatë për postin e presidentit janë Glauk Konjufca i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, dhe deputetja po ashtu nga VV-ja, Fatmire Kollçaku, të cilën e bëri të ditur deputeti i LDK-së, Besian Mustafa në profilin e tij në Facebook.

  • Kjo është kërkesa e VV-së drejtuar Gjykatës Kushtetuese në lidhje me presidentin

    Kjo është kërkesa e VV-së drejtuar Gjykatës Kushtetuese në lidhje me presidentin

    Lëvizja Vetëvendosje i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për vlerësimin e kushtetueshmërisë së procedurës për zgjedhjen e presidentit.

    Në seancën e së enjtes për zgjedhjen e presidentit, Kuvendi e ka ndalur procesin e zgjedhjes, si pasojë e mungesës së kuorumit të nevojshëm.

    Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu e ka ndërprerë seancën dhe ka njoftuar se kjo seancë do të vazhdojë në të ardhmen po qe se plotësohen kushtet.

    “Me këtë rast nuk ka kuorum për të vazhduar më tutje me votimin. Disa herë në këtë seancë u bëra apel deputetëve të cilët mungojnë që të vijnë dhe të jenë të pranishëm në përputhje me Kushtetutën dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese. Situata është që ata nuk janë të pranishëm. Rrjedhimisht s’i kemi 2/3 e deputetëve”, ka thënë ajo.

    Pas kësaj, Haxhiu ka njoftuar se menjëherë i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për t’i pezulluar afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit.

    “Sapo i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës. Po ashtu, përmes kësaj kërkese, kemi kërkuar që Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e afatit kushtetues që lidhet me procedurën e zgjedhjes së presidentit, deri në publikimin e aktgjykimit. Lidhur me këtë e kam njoftuar edhe presidenten Vjosa Osmani-Sadriu”, ka njoftuar Haxhiu në Facebook.

  • Pacolli: Pse prapë zgjedhje, pse kjo tallje?

    Pacolli: Pse prapë zgjedhje, pse kjo tallje?

    Ish-presidenti Behgjet Pacolli ka shtruar pyetje se pse duhet prapë të ketë zgjedhje dhe pse kjo tallje me qytetarët, pa çka ka përmendur kur ai kishte bindjen e tij në 2007-ën se presidentit duhet të zgjedhet drejtpërdrejt nga populli.

    Ai thotë se kur fati i presidentit vendoset nga deputetët dhe nga të ashtuquajturit “vota të sigurta” apo kalkulime partiake, institucioni i Presidentit rrezikon të reduktohet në një instrument të politikës së ditës.

    Postimi i plotë:

    Pse prap zgjedhje?

    Pse kjo tallje?

    Ideja për zgjedhjen e Presidentit të vendit drejtpërdrejt nga populli ka qenë BINDJA IME që nga viti 2007. Mua atëherë askush nuk më mbështeti. Nese shiqoni në retrospektivë, e shifni se kolegët e mi të atëhershëm ( disa nga ata edhe sot janë deputet ), me akuzoni se “ po du me imponuar sisteme të lindjës” Qe tani ku jemi!

    Në një sistem demokratik të mirëfilltë, posti i Presidentit duhet të jetë shprehje e vullnetit të qytetarëve dhe jo rezultat i marrëveshjeve të mbyllura ndërmjet partive politike. Kur Presidenti zgjidhet nga qytetarët, ai merr një legjitimitet të drejtpërdrejtë demokratik dhe përfaqëson gjithë popullin, jo vetëm interesat e një shumice të përkohshme parlamentare.

    Sot, kur fati i Presidentit vendoset nga deputetët dhe nga të ashtuquajturit “vota të sigurta” apo kalkulime partiake, institucioni i Presidentit rrezikon të reduktohet në një instrument të politikës së ditës. Në vend që të jetë figurë unifikuese dhe garant i Kushtetutës, Presidenti shpesh shihet si produkt i pazareve politike, marrëveshjeve të fshehta dhe interesave të ngushta partiake. Kjo jo vetëm që e dobëson autoritetin moral të këtij institucioni, por gjithashtu e largon atë nga qytetarët që ai duhet të përfaqësojë.

    Është paradoksale që institucioni që duhet të simbolizojë unitetin e kombit të varet nga votat e një grupi të kufizuar deputetësh, të cilët ( nuk logjikojnë ) dhe janë të lidhur ngushtë me kërkesat dhe interesat e udhëheqjeve të partive të tyre.

    Në këto rrethana, zgjedhja e Presidentit nga Parlamenti mund të shndërrohet lehtësisht në një proces formal, ku rezultati dihet paraprakisht dhe ku mungon çdo element i vullnetit të drejtpërdrejtë qytetar.

    Për më tepër, një praktikë e tillë rrezikon ta degradojë institucionin e Presidentit në një post simbolik pa peshë reale morale dhe demokratike. Kur qytetarët nuk kanë mundësi të shprehin drejtpërdrejt vullnetin e tyre për këtë figurë të rëndësishme shtetërore, krijohet një ndjenjë distancimi dhe mosbesimi ndaj institucioneve.

    Prandaj, nëse duam që Presidenti të jetë vërtet përfaqësues i unitetit kombëtar dhe garant i Kushtetutës e jo kukëll, mënyra më e drejtë dhe më demokratike është që ai të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli. Vetëm kështu ky institucion mund të fitojë legjitimitetin e plotë demokratik dhe të çlirohet nga varësia ndaj kalkulimeve të ngushta partiake.

    Ndryshe, vazhdimi i praktikës aktuale rrezikon ta kthejë procesin e zgjedhjes së Presidentit në një farsë politike, ku institucioni që duhet të jetë mbi partitë në fakt mbetet peng i tyre.

  • Epopeja e UÇK-së: Krerët e shtetit do të bëjnë homazhe në Prekaz

    Epopeja e UÇK-së: Krerët e shtetit do të bëjnë homazhe në Prekaz

    Sot shënohet dita e dytë e Epopesë së UÇK-së, e cila njihet si Dita e Dëshmorëve.

    Me këtë rast, krerët e shtetit dhe përfaqësues institucionalë do të bëjnë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

    Homazhet do të nisin nga ora 10:00, ku pritet të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore, organizatave të dala nga lufta dhe qytetarë të shumtë.

    Po ashtu, në kuadër të kësaj dite përkujtimore, homazhe do të bëjnë edhe përfaqësuesit komunalë në komplekset memoriale të dëshmorëve nëpër komuna të ndryshme të Kosovës.

  • Sot mot me diell dhe vranësira të pakta, temperaturat deri në 17°C

    Sot mot me diell dhe vranësira të pakta, temperaturat deri në 17°C

    Të premten parashikohet të mbajë mot me diell dhe vranësira të pakta gjatë ditës, kryesisht në pjesë të Rrafshit të Kosovës, ndërsa në orët e mëngjesit lokalisht vranësira të ulëta nëpër lugina dhe ultësira.

    Era do të fryjë drejtimesh të ndryshme, me shpejtësi prej 7-28 km/h.

    Temperaturat minimale do të luhaten prej 0 deri në 2°C, ndërsa ato maksimale prej 15 deri në 17°C. /MeteoKosova