ATV

Category: Lajme

  • Zbulohet shifra, sa ka harxhuar SHBA për luftën Iran 100 orë të fundit

    Zbulohet shifra, sa ka harxhuar SHBA për luftën Iran 100 orë të fundit

    100 orët e para të luftës së SHBA-së kundër Iranit vlerësohet se kanë kushtuar 3.7 miliardë dollarë, ose rreth 891.4 milionë dollarë në ditë, sipas Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS).

    Meqë si presidenti amerikan Donald Trump ashtu edhe sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth kanë lënë të kuptohet se lufta mund të zgjasë për javë të tëra, ky institut kërkimor me bazë në Washington DC thekson se Departamenti i Mbrojtjes do të ketë nevojë për më shumë fonde sesa ato që janë aktualisht të parashikuara në buxhet për të financuar luftën.

    “Kostoja e municioneve do të ulet ndërsa Shtetet e Bashkuara kalojnë në municione me kosto më të ulët,” tha CSIS, duke shpjeguar se fillimi i një fushate ajrore është më i kushtueshëm për shkak të armëve të sofistikuara që kërkohen.

    “Megjithatë, kostot e paparashikuara në buxhet do të jenë të konsiderueshme… Kjo do të thotë se Departamenti i Mbrojtjes (DOD) do të ketë nevojë për fonde shtesë në një moment, sepse niveli i shkurtimeve buxhetore që do të nevojiteshin për ta financuar këtë konflikt nga brenda ka të ngjarë të jetë politikisht dhe operacionalisht i vështirë,” thuhet në raport.

  • Përplasja e Osmanit me Kurtin, Musliu: Kosova nuk ka nevojë për ego politike në majë të shtetit

    Përplasja e Osmanit me Kurtin, Musliu: Kosova nuk ka nevojë për ego politike në majë të shtetit

    Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka thënë se përplasjet mes presidentes Vjosa Osmani e kryeministrit Albin Kurti tregojnë pushteti aktual më shumë merret me luftë për ndikim sesa me hallet reale të qytetarëve.

    Musliu ka thënë se Kosova nuk ka nevojë për ego politike në majë të shtetit, por ka nevojë për lidership që bashkon.

    “Sot Kosova po përballet me një paradoks të madh politik. Në vend që institucionet më të larta të shtetit të jenë shembull i unitetit, përgjegjësisë dhe garant i rendit kushtetues, ato janë kthyer në arenë përplasjesh dhe inatesh politike. Përplasjet mes Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit po tregojnë qartë se pushteti aktual më shumë merret me luftë për ndikim sesa me hallet reale të qytetarëve. Kosova nuk ka nevojë për ego politike në majë të shtetit. Kosova ka nevojë për lidership që bashkon, që respekton institucionet dhe që punon për qytetarin. Shteti nuk është pronë e askujt. Udhëheqja e shteti është përgjegjësi, kush nuk e kupton këtë, nuk e meriton ta udhëheqë”, ka shkruar ajo.

  • Përfundon takimi me ambasadorët e QUINT-it, Kurti niset drejt Prekazit

    Përfundon takimi me ambasadorët e QUINT-it, Kurti niset drejt Prekazit

    Ambasadorët e vendeve të Quint kanë zhvilluar një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

    Takimi është zhvilluar në Qeverinë e Kosovës, pas zhvillimeve të fundit me çështjen e presidentit.

    Ky takim tashmë ka përfunduar dhe diplomatët ndërkombëtarë kanë dalë nga ndërtesa e Qeverisë.

    Pas takimit me ata, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është nisur drejt Prekazit.

  • Agjencia Kadastrale e Kosovës, institucioni i parë shtetëror 100% digjital

    Agjencia Kadastrale e Kosovës, institucioni i parë shtetëror 100% digjital

    Agjencia Kadastrale e Kosovës (AKK) ka nisur muajin e informimit për transformimin digjital të sistemit kadastral, duke prezantuar edhe kampanjën e re informuese “KADASTRI DIGIT-ALL”, e cila do të shpalosë rrugëtimin e digjitalizimit të plotë të shërbimeve kadastrale në vend.

    Pas pesë vitesh pune dhe përkushtimi të vazhdueshëm institucional, AKK bëhet institucioni i parë shtetëror në Kosovë me sistem 100% online, duke vendosur një standard të ri për shërbimet publike dhe administratën moderne.

    Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Avni Ahmeti, tha se transformimi i sistemit kadastral shënon një moment të rëndësishëm për institucionet dhe për qytetarët e vendit.

    “Shërbimet kadastrale kanë hyrë në një epokë të re, epokën e digjitalizimit të plotë. Digjitalizimi i Kadastrit nuk ka qenë thjesht një projekt teknologjik, por një reformë e thellë shtetërore, rezultat i një pune disavjeçare që sot na sjell më afër qytetarëve,” tha Ahmeti.

    Në këtë kuadër është prezantuar edhe e-Kadastri, platforma digjitale që mundëson realizimin e të gjitha procedurave kadastrale në mënyrë elektronike.

    Përmes sistemit e-Kadastri:

    regjistrimi i të dhënave bëhet drejtpërdrejt nga noterët, përmbaruesit privatë, ndërmjetësuesit dhe gjeodetët e licencuar;
    të dhënat dërgohen automatikisht në Regjistrin e të Drejtave Pronësore;

    qytetarët nuk kanë më nevojë të lëvizin nga një zyrë në tjetrën;

    eliminohen pritjet e gjata dhe reduktohet burokracia;

    rritet transparenca dhe forcohet siguria juridike mbi pronën.

    Sipas Ahmetit, ky transformim ka ndikuar drejtpërdrejt në forcimin e besimit në institucion dhe në përmirësimin e klimës për zhvillim ekonomik dhe investime.

    “Me këto shërbime kemi forcuar besimin në institucion, kemi rritur sigurinë në pronë dhe kemi krijuar një bazë më të fortë për zhvillim ekonomik dhe investime. Ky është një hap i madh për çdo biznes që kërkon procedura të shpejta dhe të qarta, si dhe për çdo qytetar që meriton shërbim dinjitoz, transparent dhe efikas,” theksoi ai.

    Kampanja “KADASTRI DIGIT-ALL” synon të informojë publikun për transformimin e plotë të sistemit kadastral dhe për mundësitë që ofron digjitalizimi i shërbimeve.

    Emri i kampanjës simbolizon pikërisht këtë transformim të plotë: çdo proces, çdo aplikim, çdo regjistrim dhe çdo ndërveprim me sistemin kadastral tashmë zhvillohet në një realitet tërësisht digjital, duke lidhur në një sistem unik noterët, gjeodetët, bizneset dhe qytetarët.

    “Ky transformim është dëshmi se kur ka vizion, përkushtim dhe punë të vazhdueshme, ndryshimi i madh bëhet realitet. Ne do të vazhdojmë të punojmë që administrata publike të jetë gjithnjë e më afër qytetarit, më efikase dhe më transparente,” përfundoi Ahmeti.
    Me këtë reformë, Agjencia Kadastrale e Kosovës vendos një standard të ri në administratën publike dhe e pozicionon Kosovën në hartën e transformimit digjital të shërbimeve publike.

  • Çitaku: Ambicia për kontroll total nga VV, po e çon Kosovën drejt zgjedhjeve

    Çitaku: Ambicia për kontroll total nga VV, po e çon Kosovën drejt zgjedhjeve

    Sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas dekretit për zgjedhje.

    Ajo ka thënë se ambicia e VV-së për kontroll total, po e dërgon vendin në zgjedhje.

    Postimi:

    Egot politike dhe ambicia e shfrenuar për kontroll total të institucioneve nga LVV po e lënë Kosovën sërish pa institucione dhe po e shtyjnë vendin drejt një cikli tjetër zgjedhjesh.

    Adresa e përgjegjësisë është e qartë kristal: refuzimi i LVV-së për marrëveshje dhe për dialog të sinqertë politik.

    Sot, kur të shkojnë e të bëjnë homazhe aty ku pushojnë heronjtë tanë, duhet të ndihen të turpëruar.

    Është luftuar shumë dhe gjatë që qytetarët tanë të kenë të drejtën të zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe të jetojnë të lirë.

    Kjo liri dhe kjo Republikë nuk guxojnë të shpërdorohen.

  • Agon Maliqi: Ankesa e VV për dekretin mund t’i vonojë pak zgjedhjet, por nuk ndryshon asgjë

    Agon Maliqi: Ankesa e VV për dekretin mund t’i vonojë pak zgjedhjet, por nuk ndryshon asgjë

    Analisti politik Agon Maliqi ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit politike në Kosovë, pas dështimit të Kuvendit për ta zgjedhur presidentin e ri brenda afatit kushtetues.

    Përmes një postimi në rrjetin social X, Maliqi ka theksuar se vendi po shkon drejt një cikli të ri zgjedhjesh të jashtëzakonshme.

    “Besoni apo jo, Kosova po shkon drejt një pale të re zgjedhjesh të jashtëzakonshme pasi Kuvendi nuk arriti të pajtohet për zgjedhjen e presidentit në kohë. Presidentja Osmani sapo ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit”, thuhet në postimin e tij.

  • Po bënin gara shpejtësie, Policia ua merr lejen për një vit dy të rinjve në Ferizaj

    Po bënin gara shpejtësie, Policia ua merr lejen për një vit dy të rinjve në Ferizaj

    Njësia e Komunikacionit Rrugor në Ferizaj, ka njoftuat se të enjten rreth orës 00:25, ka ndaluar dy shoferë të cilët po zhvillonin gara shpejtësie në rrugën “Rexhep Bislimi” në Ferizaj.

    Shoferët me inicialet A.K. 22 vjeç, i cili drejtonte një veturë të tipit VW Golf me targa vendore, dhe A.K. 19 vjeç, i cili po ashtu drejtonte një veturë të tipit VW Golf me targa vendore, janë kapur në flagrancë duke zhvilluar gara shpejtësie.

    Për këto kundërvajtje të rënda në trafik, Policia thotë se ndaj tyre janë shqiptuar gjobë në vlerë prej 500 euro, si dhe masa mbrojtëse – ndalim i të drejtës për të drejtuar automjetin për 12 muaj në territorin e Republikës së Kosovës, për shkak se posedonin patentë-shofer të huaj.

    “Policia Rajonale në Ferizaj u bën thirrje të gjithë shoferëve që të shmangin garat e shpejtësisë, pasi ato përbëjnë rrezik serioz për jetën e tyre dhe për pjesëmarrësit e tjerë në trafik.Policia do të intensifikojë kontrollet në të gjitha rrugët e rajonit të Ferizajt, me qëllim të rritjes së sigurisë në trafik, dhe fton qytetarët që të raportojnë çdo shkelje”, thuhet nga Policia e Ferizajt.

  • Tri raste të vdekjeve në vend, Policia nis hetimet

    Tri raste të vdekjeve në vend, Policia nis hetimet

    Policia e Kosovës ka nisur hetimin për tre vdekje të dyshimta që kanë ndodhur në vend

    Sipas raportit 24-orësh, bëhet fjalë për komunat Zveçan, Gjilan dhe Prizren.

    Viktimat janë dy burra dhe një grua, të gjithë shtetas të Kosovës.

    Zveçan / 01-05.03.2026 – NN. Më 05.03.2026 është raportuar se është gjetur pa shenja jete viktima mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për Obduksion.

    Gjilan / 04-05.03.2026 – NN. Pasi është raportuar se viktima femër ndodhet e shtrirë në oborrin e saj, lidhur me rastin njësitë relevante policore dhe ekipi mjekësor kanë dalë në vendin ngjarjes ku është konstatuar vdekja e viktimës femër kosovare. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

    Prizren /05.03.2026 – 13:20. Lidhur me rastin viktima mashkull kosovar është dërguar në spitalin rajonal Prizren, ku ekip mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me vendim të prokurorit, trupi pajetë është dërguar në IML për Obduksion.

  • Kur do të ftohen liderët partiakë nga Presidentja për datën e zgjedhjeve të reja? Flet Osmani

    Kur do të ftohen liderët partiakë nga Presidentja për datën e zgjedhjeve të reja? Flet Osmani

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme do të zhvillojë konsultime me liderët e partive politike për të përcaktuar datën e zgjedhjeve të reja parlamentare.

    Njoftimi u bë në një konferencë për media, pasi presidentja nxori dekretin për shpërndarjen e Kuvendi i Kosovës.

    Osmani theksoi se konsultimi me subjektet politike është një obligim ligjor që duhet të zhvillohet para shpalljes së datës së zgjedhjeve.

    “Menjëherë sot do të ftohen liderët e partive për datën e zgjedhjeve sepse siç e dini është obligim që të konsultohen paraprakisht, dhe është pasojë e nevojshme menjëherë pas shpërndarjes së Kuvendit dhe të shpallen zgjedhjet e reja. Paraprakisht duhet një konsultim formal me partitë politike, dhe menjëherë pas kësaj do të caktohet data”, deklaroi Osmani.

  • Osmani shpalli dekretin për shpërndarje të Kuvendit, reagojnë nga Lëvizja Vetëvendosje

    Osmani shpalli dekretin për shpërndarje të Kuvendit, reagojnë nga Lëvizja Vetëvendosje

    Këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, njëherësh zyrtar i Lëvizja Vetëvendosje, Jeton Zulfaj, ka reaguar pas zhvillimeve në Kuvendi i Kosovës lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit të vendit.

    Përmes një postimi në Facebook, Zulfaj ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje ka respektuar plotësisht Kushtetutën gjatë gjithë procesit.

    “Lëvizja Vetëvendosje e respektoi Kushtetutën në plotni”, ka shkruar ai.

    Sipas tij, partia në pushtet ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm kushtetues për zhvillimin e procesit të zgjedhjes së presidentit.

    “Vendosi dy kandidatë që të ketë garë. PDK dhe LDK së bashku kanë 37 deputetë, por nuk sollën asnjë kandidat. Filloi seancën që të niste procedura brenda afatit. Bëri të gjitha veprimet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit, deri te konstatimi i prezencës së deputetëve në sallë”, ka theksuar Zulfaj.

    Ai shtoi se seanca u ndërpre për shkak të mungesës së deputetëve në sallë, duke theksuar se ajo do të vazhdojë kur të sigurohet prezenca e tyre.

    “Ndërpreu seancën për mungesë të deputetëve, për ta vazhduar kur ata të kthehen në sallë, siç e kanë obligim dhe detyrim kushtetues”, ka deklaruar ai.

    Në reagimin e tij, Zulfaj ka akuzuar opozitën për bojkot të proceseve institucionale, duke përmendur edhe zhvillimet e vitit të kaluar.

    “Vitin e kaluar na humbën kohë duke bojkotuar zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit; tash duan të na humbin kohë sërish duke bojkotuar zgjedhjen e presidentit. Por presidenti duhet të zgjedhet”, ka shkruar Zulfaj.