ATV

Category: Lajme

  • Zhduken dy gra, njëra në Gjakovë e tjetra në Podujevë

    Zhduken dy gra, njëra në Gjakovë e tjetra në Podujevë

    Dy gra janë raportuara të zhdukura, njëra në qytetin e Gjakovës dhe tjetra në Podujevë.

    Sipas raportit 24-orësh, ato janë larguar nga shtëpia dhe nuk dihet asgjë për fatin e tyre.

    Rastet po hetohen nga Policia.

  • Ramadani pas shpërndarjes së Kuvendit: Duhet front i përbashkët për ta rikthyer demokracinë

    Ramadani pas shpërndarjes së Kuvendit: Duhet front i përbashkët për ta rikthyer demokracinë

    Ish-kryeinspektori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Burim Ramadani ka reaguar pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës, duke bërë thirrje për një front të përbashkët për ta rikthyer demokracinë në vend.

    Përmes një postimi, Ramadani e ka cilësuar situatën aktuale si degradim të rëndë të demokracisë dhe të shtetit.

    “Kjo situatë më nuk ka përshkrim më të saktë sesa degradim i pamëshirshëm i demokracisë dhe shtetit tonë. Është dëmtim i skajshëm i ëndrrës sonë për shtet demokratik dhe për dashurinë për Kosovën”, ka shkruar ai.

    Ai ka kritikuar edhe sjelljen e politikanëve gjatë këtyre ditëve, duke thënë se në përvjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është treguar fytyra e vërtetë e politikës.

    “Në ditët e Epopesë së UÇK-së, këta nxorrën fytyrën e vërtetë që gjithçka lidhet me pushtetin dhe karriget e veta. Më keq se secili pesimist ta ketë menduar”, është shprehur Ramadani.

    Ai ka bërë thirrje për angazhim qytetar, duke theksuar se nuk duhet lejuar degradimi i mëtejmë i institucioneve.

    “Duhet të jemi të gjithë aktiv, me guxim dhe me përkushtim. Nuk duhet lejuar që Kosova jonë të shkarravitet kështu. Nuk duhet lejuar që shteti ynë të ngelë kështu. Nuk duhet lejuar që institucionet tona të shkërmoçen kështu”, ka theksuar ai.

    Ramadani ka theksuar se Kosova u përket qytetarëve të saj dhe jo politikanëve.

    “Ne, qytetarët e Kosovës, jemi këtu dhe nuk duhet të bëhemi të shurdhër. Kosova nuk është jetim, është e popullit të vet. Jo e politikanëve!”, ka shtuar Ramadani.

  • Griset një flamur në sheshin “Adem Jashari” në Mitrovicë të Jugut, policia nis hetimet për nxitje të përçarjes

    Griset një flamur në sheshin “Adem Jashari” në Mitrovicë të Jugut, policia nis hetimet për nxitje të përçarjes

    Policia e Kosovës ka nisur hetimet për një rast të dyshuar të nxitjes së përçarjes dhe mosdurimit pasi persona të panjohur kanë grisur një flamur në Mitrovicë të Jugut.

    Sipas raportit të policisë, rasti është raportuar më 5 mars 2026 rreth orës 02:40 në sheshin “Adem Jashari” në Mitrovicë të Jugut. Dyshohet se persona të panjohur kanë dëmtuar, përkatësisht grisur një flamur.

    “Sheshi Adem Jashari, Mitrovicë Jug / 05.03.2026 – 02:40. Është raportuar se nga persona të panjohur është grisur një flamur. Lidhur me rastin janë duke u marrë njësitë përkatëse policore”, thuhte në raportin e policisë së Kosovës.

  • Abdixhiku: Mbështes Osmanin për shpërndarjen e Kuvendit, LDK vlerëson përgjegjësinë e saj për mbrojtjen e rendit kushtetues

    Abdixhiku: Mbështes Osmanin për shpërndarjen e Kuvendit, LDK vlerëson përgjegjësinë e saj për mbrojtjen e rendit kushtetues

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se e mbështet dhe e mirëpret dekretin dhe qëndrimin e Presidentes së Republikës Vjosa Osmani Sadriu, për shpërndarjen e Kuvendit.

    Ai tha se LDK vlerëson “përgjegjësinë dhe qartësinë kushtetuese të treguar në këtë vendim nga ajo, në mbrojtje të rendit kushtetues dhe funksionimit normal të institucioneve të Republikës”.

    “Dështimi politik, bashkë me tendencat e rrezikshme të imponimit e improvizimit, nuk mund të prodhojnë as debate artificiale politike e as zvarritje procedurale që do ta shndërronin Republikën tonë në një vend pa norma dhe pa rregulla. Në këtë frymë, jemi të gatshëm të marrim pjesë në konsultimet për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe t’i drejtohemi qytetarëve për zgjidhjen e re demokratike”.

    Abdixhiku tha se zgjedhjet nuk ishin asnjëherë alternativa e preferuar e LDK-së.

    “Përkundrazi, ato ishin krejt të panevojshme dhe lehtësisht të shmangshme. Fatkeqësisht, apetitet për kapje njëpartiake të të gjitha pozitave shtetërore parandaluan çdo kompromis eventual. Tani vendimi i takon qytetarëve të Republikës së Kosovës. Në demokraci, fjala e fundit gjithmonë i takon sovranit”, tha ai.

  • Dosja Epstein, dalin dokumente të reja me akuza kundër Trumpit

    Dosja Epstein, dalin dokumente të reja me akuza kundër Trumpit

    Dokumentet e FBI-së në lidhje me akuzat kundër presidentit amerikan, Donald Trumpi, për abuzim seksual – të cilat mungonin nga publikimi fillestar i dosjeve Epstein – janë postuar në internet nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së.

    Kjo vjen pasi mediat amerikane raportuan për mungesën e tyre, shkruan skynews.

    Ato përfshijnë përmbledhje dhe shënime nga tre intervista të ndara që FBI-ja zhvilloi me një grua e cila pretendoi se ishte sulmuar seksualisht nga Jeffrey Epstein dhe abuzuar seksualisht nga presidenti i tanishëm.

    Trump ka mohuar vazhdimisht çdo shkelje, dhe ai dhe Shtëpia e Bardhë kanë thënë se dosjet Epstein e kanë liruar atë nga akuzat.

    Në një deklaratë të mëparshme të enjten, Sekretarja e Shtypit e presidentit, Karoline Leavitt, tha se ato janë “plotësisht të pabaza” dhe “të mbështetura nga asnjë provë të besueshme”.

    Edhe Departamenti i Drejtësisë ka paralajmëruar më parë se dosjet përfshijnë akuza të pabaza në lidhje me presidentin.

    Cilat janë akuzat?

    Gruaja, nga Karolina e Jugut, iu drejtua ligjit pasi Epstein u arrestua në vitin 2019.

    Ajo pretendoi se financieri miliarder e sulmoi në ishullin Hilton Head, në shtetin e saj të lindjes, kur ishte 13 vjeç.

    Incidenti i dyshuar ka ndodhur në ose rreth vitit 1984, sipas një përmbledhjeje të një interviste të FBI-së.

    FBI-ja kreu intervista pasuese në katër data të ndara në vitin 2019: 24 korrik, 7 gusht, 20 gusht dhe 16 tetor.

    Datat u zbuluan si pjesë e një katalogu provash kundër Ghislaine Maxwell, ish-të dashurës së Epstein dhe bashkëpunëtores së dënuar në komplot, të cilat u publikuan nga Departamenti i Drejtësisë.

    Por vetëm përmbledhja e FBI-së e intervistës së 24 korrikut u përfshi fillimisht në miliona dokumente që përbëjnë dosjet Epstein. Ajo nuk përmend asnjë akuzë kundër Trumpit.

    Janë memot nga tre intervistat e tjera që janë publikuar tani. Gruaja – emri i së cilës është fshirë në të gjitha intervistat – pretendon abuzim nga Epstein dhe disa bashkëpunëtorë, përfshirë, sipas saj, edhe Trumpin.

    Departamenti i Drejtësisë ka përsëritur paralajmërimin e tij të mëparshëm se dosjet e Epstein përmbajnë pretendime të rreme dhe të paverifikuara.

    Në kohën e publikimit të tyre, Departamenti tha: “Ky prodhim mund të përfshijë imazhe, dokumente ose video të rreme ose të paraqitura në mënyrë të rreme, pasi çdo gjë që iu dërgua FBI-së nga publiku ishte përfshirë”.

  • “Amandamentet kushtetuese do të zbatoheshin pas 5 vjetësh, s’kanë të bëjnë me mandatin tim” – thotë Osmani

    “Amandamentet kushtetuese do të zbatoheshin pas 5 vjetësh, s’kanë të bëjnë me mandatin tim” – thotë Osmani

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Kuvendi i Kosovës nuk ka përmbushur obligimin e tij të paraparë me Kushtetutë për zgjedhjen e presidentit.

    Ajo sqaroi edhe ndikimin e amandamenteve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit drejtpërdrejt nga populli.

    “Këto amandamente nuk do të kishin asnjë efekt për zgjedhjen e presidentit që duhej të zgjidhej deri mbrëmë, pra për pasardhësin e menjëhershëm për mandatin tim. Arsyeja është shumë e thjeshtë, vetë amandamentet parashohin që procedura për zgjedhjen e presidentit drejtpërdrejt nga populli duhet të fillojë 6 muaj para përfundimit të mandatit të presidentit aktual.Kjo do të thotë se, edhe sikur këto amandamente të miratoheshin mbrëmë, ato nuk do të ndryshonin asgjë sa i përket zgjedhjes së pasardhësit tim. Pra, deri dje në mesnatë, ka qenë afati për zgjedhjen e pasardhësit tim, ai do të zgjidhej nga Kuvendi, dhe vetëm pas 5 vjetësh do të krijohej mundësia për zgjedhje të drejtpërdrejta nga populli. Kjo nuk ka të bëjë me mandatin tim aktual”, tha Osmani.

  • AAK mbledh sot Këshillin e Përgjithshëm pas shpërndarjes së Kuvendit, në fokus zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare

    AAK mbledh sot Këshillin e Përgjithshëm pas shpërndarjes së Kuvendit, në fokus zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të mbajë sot mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Përgjithshëm të partisë, bëjnë të ditur burime brenda AAK-së.

    Sipas këtyre burimeve, mbledhja do të zhvillohet sot në ora 16:00 dhe vjen pas zhvillimeve të fundit politike në vend, përkatësisht pas dështimit të zgjedhjes së presidentit dhe dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.

    Në këtë takim pritet të diskutohen hapat e Aleancës në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.

  • Tre emrat që mund ta udhëheqin Iranin pas Khameneit

    Tre emrat që mund ta udhëheqin Iranin pas Khameneit

    Për herë të parë në 36 vjet, Irani është në situatë ku duhet të zgjedhë një udhëheqës të ri suprem.

    Kjo ka ndodhur vetëm një herë më parë, në vitin 1989, kur vdekja e themeluesit të Republikës Islamike, Ajatollah Ruhollah Khomeini, i ka hapur rrugë Ajatollah Ali Khameneit ta merrte drejtimin.

    Khomeini vdiq nga shkaqe natyrore, ndërsa Khamenei u vra në ditën e parë të sulmeve të përbashkëta ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, më 28 shkurt.

    Tani, Asambleja e Ekspertëve e Iranit, me 88 anëtarë, duhet të mblidhet në fshehtësi për të zgjedhur pasardhësin e tij.

    Alex Vatanka, drejtor i Programit për Iranin në Institutin e Lindjes së Mesme me seli në Uashington, thotë për Radion Evropa e Lirë se kushdo që do të zgjidhet, do të zgjidhet mbi një kriter të vetëm: përshtatshmëria politike.

    Sipas tij, Asambleja e Ekspertëve sot është një “organ që vetëm vulos vendimet”, ndërsa procesi udhëhiqet më shumë nga rrethanat sesa nga përgatitja e mëhershme e kandidatëve.

    Ndër vite janë përmendur shumë emra si pasardhës të mundshëm të Khameneit, por, aktualisht, tre kandidatë konsiderohen favoritë kryesorë.

    Mojtaba Khamenei: Zgjedhja nga dinastia

    Djali i dytë 56-vjeçar i udhëheqësit të ndjerë suprem përshkruhet prej kohësh si “rojtar i portës”.

    Megjithëse nuk ka mbajtur kurrë një post formal qeveritar, Khamenei i ri ka kaluar dy dekada në zyrë të babait të tij, duke koordinuar mes establishmentit klerik dhe Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).

    Besohet se ai mbështetet nga IRGC-ja dhe se përzgjedhja e tij do të ishte vazhdimësi e politikës së të atit.

    Mbështetësit, po ashtu, argumentojnë se afërsia e tij e madhe me aparatin e sigurisë, e bën atë kandidatin e vetëm të aftë për të ruajtur rendin, gjatë një konflikti aktiv.

    Megjithatë, ngritja e tij në këtë post rrezikon të shkaktojë zemërim të brendshëm, sidomos mes mbështetësve kryesorë të Republikës Islamike.

    Kritikët argumentojnë se lëvizja drejt “sundimit të trashëguar” bie ndesh me vetë rrënjët antimonarkiste të Revolucionit Islamik, të vitit 1979.

    “Pamja që krijohet kur një djalë pason babanë e tij, ngjan disi me pamjen e një monarkie”, i tha Radios Evropa e Lirë në vitin 2024 Farzan Sabet, bashkëpunëtor i lartë në Shkollën e të Diplomuarve në Gjenevë.

    Një anëtar i Asamblesë së Ekspertëve tha në vitin 2024 se Khamenei i vjetër e ka kundërshtuar idenë që djali i tij ta pasonte.

    Për më tepër, edhe grada relativisht e ulët klerikale e Khameneit të ri, Hojatoleslam, është çështje debati.

    Hetimet e fundit, përfshirë një raport të agjencisë Bloomberg, të publikuar në fund të janarit, nxorën në pah një sërë pasurish të paluajtshme të lidhura me Khamenein e ri, i cili që nga viti 2019 është nën sanksione të SHBA-së.

    Raportet sugjerojnë se ai ka arritur të ruajë dhe të zgjerojë një rrjet global asetesh luksoze, përmes ndërmjetësve dhe kompanive fiktive.

    Alireza Arafi: Zgjedhja e sigurt

    Ajatollah Alireza Arafi, 67 vjeç, konsiderohet si “njeriu tipik i sistemit”.

    Aktualisht, shërben në Këshillin e Përkohshëm të Udhëheqjes, me tre anëtarë.

    Arafi ka ngjitur çdo shkallë institucionale – nga drejtimi i universitetit global Al-Mustafa deri tek udhëheqja e të gjithë sistemit të seminareve fetare në Iran.

    Ai ka hyrë në arenën politike në vitin 2019, kur është emëruar nga Khamenei në pozitën e njërit nga gjashtë klerikët në Këshillin e Fuqishëm të Gardianëve.

    Arafi konsiderohet si zgjedhje e sigurt institucionale. Ai i plotëson kredencialet e nevojshme klerikale dhe ka shërbyer si administrator besnik – pa u lidhur publikisht me dhunën ndaj protestave brenda vendit.

    Sipas Vatankës, ngritja e Arafit nuk ka qenë rastësi. Ai thotë se gatishmëria e Khameneit për ta emëruar në role të rëndësishme, “tregon se ai ka pasur shumë besim në aftësitë e tij burokratike”.

    Ai e përshkruan Arafin si një “ushtar të aftë të sistemit”, i cili ka shumë gjasa ta vendosë mbijetesën e Republikës Islamike përpara karizmës personale.

    Krahasuar me figura si kreu i gjyqësorit, Gholam-Hossein Mohseni-Ejei, për të cilin Vatanka thotë se ka “shumë gjak në duar”, Arafi paraqitet si një administrator me reputacion më të pastër, që mund ta ketë mbështetjen e IRGC-së “për hir të vazhdimësisë”.

    Megjithëse është i njohur në qarqet fetare, ai është larg të qenët një emër i njohur për shumicën e iranianëve.

    Atij i mungon një bazë personale pushteti dhe mund ta ketë të vështirë të sigurojë besnikërinë absolute të Gardës Revolucionare Islamike.

    Hassan Khomeini: Karta e fundit

    Hassan Khomeini, 53 vjeç, është nipi i themeluesit të Republikës Islamike të Iranit, Ruhollah Khomeini.

    Një klerik më i moderuar, me lidhje të afërta me kampin reformist, ai është lënë prej kohësh në hije nga linja e ashpër.

    Por, emri i tij është përmendur si kandidat i mundshëm, veçanërisht pasi presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se do të preferonte një lider “më të moderuar” në Teheran.

    Për një sistem klerikal, legjitimiteti i të cilit është duke u dobësuar dhe që po përballet me izolim ndërkombëtar, Hassan Khomeini mund të jetë një kthesë.

    Ai lidhet me qarqet reformiste dhe ka mbështetur më shumë liri sociale dhe uljen e tensioneve diplomatike.

    Megjithatë, nuk pëlqehet nga linja e ashpër e regjimit.

    Në një fjalim në vitin 2022, fishkëllimat dhe ndërhyrjet nga publiku kundër tij u bënë aq të forta, saqë Ali Khamenei i qortoi ata që po e pengonin, kur doli në skenë pas tij.

    Fakti që në vitin 2016, Këshilli i Gardianëve e skualifikoi nga kandidimi për zgjedhjet në Asamblenë e Ekspertëve, tregon se IRGC-ja do ta pranonte atë vetëm nëse Republika Islamike do të ishte para kolapsit të plotë.

    “Ruani çfarë ka mbetur”

    Vatanka thotë se kushdo që do ta marrë pushtetin në këto rrethana, nuk do të ketë shumë mundësi për të zbatuar ndonjë mision madhor.

    Marrja e kontrollit të një vendi nën sulm ushtarak, me një popullsi të lodhur dhe me një ekonomi të dobësuar, do ta detyronte edhe një ideolog të përkushtuar që të vepronte me pragmatizëm, sipas tij.

    “Tani nuk është koha për t’u thelluar më shumë. Tani është koha për ta përfunduar këtë luftë, për t’u riorganizuar dhe për të ruajtur atë që ka mbetur nga vendi”, përfundon Vatanka./REL

  • Osmani: S’është debat politik, por fakt kushtetues që Kuvendi dështoi të zgjedhë presidentin

    Osmani: S’është debat politik, por fakt kushtetues që Kuvendi dështoi të zgjedhë presidentin

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë për media mëngjesin e së premtes foli edhe për afatin kushtetues që lidhet me zgjedhjen e presidentit të ri.

    Sipas saj, bëhet fjalë për një çështje të qartë kushtetuese dhe jo për debat politik, pasi afati i paraparë me Kushtetutë për zgjedhjen e presidentit ka skaduar.

    “Neni 86 i Kushtetutës përcakton se presidenti i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të afatit të presidentit aktual. Mandati im përfundon më 4 prill 2026. Kjo do të thotë se 5 marsi ishte afati i fundit kushtetues që Kuvendi të zgjedhë presidentin e ri dhe ky afat ka përfunduar mbrëmë në mesnatë. Nuk kemi pra të bëjmë me një debat politik, por me një fakt të qartë kushtetues. Kuvendi i Republikës së Kosovës ka dështuar të përmbushë një nga obligimet themelore kushtetuese”, tha Osmani.

  • Zgjedhje të reja, Osmani: Këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm e me qëllime të rrezikshme

    Zgjedhje të reja, Osmani: Këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm e me qëllime të rrezikshme

    Presidentja Vjosa Osmani, tha se u detyrua të shpërndajë Kuvendin dhe të shpallë zgjedhje të reja, si pasojë e dështimit të Kuvendit për ta kryer detyrën e vet.

    E para e shtetit madje tha se “këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm e me qëllime të rrezikshme”.

    “Zvarritjet do të krijonin situata më të rrezikshme”, u shpreh Osmani mes tjerash.