ATV

Category: Lajme

  • FSK nderon familjen Jashari: Prekazi mbetet simbol i sakrificës, unitetit dhe vendosmërisë për liri

    FSK nderon familjen Jashari: Prekazi mbetet simbol i sakrificës, unitetit dhe vendosmërisë për liri

    Forca e Sigurisë së Kosovës, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 28-vjetorit të “Epopesë së Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, ka organizuar homazhe në Kompleksi Memorial në Prekaz, në nderim të sakrificës së Komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë të rënëve për liri.

    Në njoftimin e bërë publik në Facebook, FSK thekson:

    “5, 6 e 7 Marsi i vitit 1998 na përkujton qëndresën heroike dhe flijimin e familjes Jashari, një ngjarje që shënoi kthesë historike në rrugëtimin e popullit të Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë. Prekazi mbetet simbol i sakrificës, unitetit dhe vendosmërisë për liri”.

    Homazhet u zhvilluan me pjesëmarrjen e oficerëve të lartë të FSK-së dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Mbrojtjes, duke respektuar traditën dhe kujtimin për viktimat e flijimeve heroike të luftës për liri.

    Kjo aktivitet shënon edhe një moment reflektimi për rëndësinë e unitetit dhe sakrificës që solli lirinë e Kosovës, duke rikujtuar brezat e rinj për historinë dhe vlerat e UÇK-së.

  • Pamje interesante nga Prekazi, Rifat Jashari me nipin e tij i provon sportet luftarake

    Pamje interesante nga Prekazi, Rifat Jashari me nipin e tij i provon sportet luftarake

    Prekazi sot po pret mysafirë të shumtë, përfshirë udhëheqës të vendit, me rastin e shënimit të 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së.

    Rifat Jashari përveç pritjeve e përcjelljeve gjeti kohë për lojë me nipin e tij. Ai u pa duke imituar sportet luftarake bashkë me nipin e tij në një hapësirë të shtëpisë së tij.

    Për shënimin e Epopesë së UÇK’së sot po zhvillohet shumë aktivitete si në Prekaz ashtu edhe në Prishtinë.

  • Hamza, Abdixhiku e Haradinaj konfirmojnë pjesëmarrjen në takimin e thirrur nga Osmani për datën e zgjedhjeve

    Hamza, Abdixhiku e Haradinaj konfirmojnë pjesëmarrjen në takimin e thirrur nga Osmani për datën e zgjedhjeve

    Presidentja Vjosa Osmani do të presë në takim liderët e partive nga ora 13:00 për konsultim për caktimin e datës së zgjedhjeve pasi nxori dekretin për shpërndarjen e Kuvendit.

    Në këtë takim prezentë do të jenë liderët e partive opozitare shqiptare.

    Partia Demokratike e Kosovës ka konfirmuar për Gazetën Express pjesëmarrjen e kryetarit Bedri Hamza në takim.

    Po ashtu edhe zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili, konfirmoi për Express se kryetari Ramush Haradinaj do të marrë pjesë në këtë takim.

    “Po në takimin e orës 13:00 do të merr pjesë Kryetari Haradinaj”, tha Xhemaili.

    Ndërkaq, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, konfirmoi vetë pjesëmarrjen e tij në një postim në Facebook ku e mbështeti presidenten Osmani për vendimin për shpërndarjen e Kuvendit.

    “Në këtë frymë, jemi të gatshëm të marrim pjesë në konsultimet për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe t’i drejtohemi qytetarëve për zgjidhjen e re demokratike”, tha Abdixhiku më herët.

    Por, nuk dihet nëse kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, do të shkojë në takimin e thirrur nga Osmani.

    Në një deklarim për gazetarë nga Prekazi ku shkoi për homazhe, Kurti përmendi një ekspozitë në orën 13:00 në hollin e Kuvendit.

  • Ish-gazetari i njohur emërohet zëvëndësministër

    Ish-gazetari i njohur emërohet zëvëndësministër

    Kryeministri Kurti e uroi z. Arton Konushevci për detyrën e re dhe i dëshiroi suksese në përmbushjen e përgjegjësive të reja.

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar z.Arton Konushevci në pozitën e zëvendësministrit të parë në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.

    Kryeministri Kurti e uroi z. Arton Konushevci për detyrën e re dhe i dëshiroi suksese në përmbushjen e përgjegjësive të reja.

  • Sallahu i LVV-së: Dekreti është kundërkushtetues, Kuvendi duhet t’i zhvillojë punimet deri të vendos Kushtetuesja

    Sallahu i LVV-së: Dekreti është kundërkushtetues, Kuvendi duhet t’i zhvillojë punimet deri të vendos Kushtetuesja

    Ish-zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu tha sot se dekreti i presidentes Vjosa Osmani është kundërkushtetues.

    Sallahu në një postim në Facebook shkruan se Kuvendi do të duhej t’i zhvillojë punimet përderisa kemi dekret qartazi kundërkushtetues dhe përderisa Gjykata Kushtetuese të vendos për kërkesën që është dërguar.

    “Dekreti është qartazi kundërkushtetues. Andaj, nuk mund të shpallen zgjedhjet e parakohshme mbi një bazë kushtetuese inekzistente. Kriteret e nenit 86 dhe 82 par 1.3 të Kushtetutës mbi të të cilat është bazuar dekreti nuk janë përmbushur për ta dërguar vendin në zgjedhje.

    Konsideroj që Kuvendi duhet t’i zhvillojë punimet përderisa kemi dekret qartazi kundërkushtetues dhe përderisa Gjykata Kushtetuese të vendos për kërkesën që është dërguar dhe që mund të dërgohet në të ardhmen për rastin konkret”, shkruan Sallahu.

  • Abdixhiku: Në orën 13:00 jemi në takim te Presidentja për datën e zgjedhjeve

    Abdixhiku: Në orën 13:00 jemi në takim te Presidentja për datën e zgjedhjeve

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka konfirmuar se në orën 13:00 do të takohen me presidenten Vjosa Osmani për caktimin e datës së zgjedhjeve.

    “Kemi takim në orën 13:00. Nga këtu do të shkojmë, pas vizitës te baca Rifat në kullë, do të shkojmë te takimi i Presidentes për caktimin e datës së zgjedhjeve, dhe besoj se edhe atje do të deklarohem para mediave”, tha Abdixhiku derisa po merrte pjesë në homazhe për familjen heroike Jashari në Prekaz.

  • Hamza në Prekaz: Pas homazheve vizitova edhe bacën Rifat

    Hamza në Prekaz: Pas homazheve vizitova edhe bacën Rifat

    Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, sot ka bërë homazhe në Prekaz, duke nderuar komandantin legjendar Adem Jashari, Hamzën, bacën Shaban dhe të gjithë të rënët e familjes Jashari.

    Pas ceremonisë, Hamza shkroi se ka vizituar edhe bacën Rifat në shtëpinë e familjes Jashari, që u bë simbol i qëndresës dhe lirisë.

    “Në fjalët e tij të qeta dhe në qëndrimin burrëror ndjehet ende pesha e historisë dhe madhështia e një familjeje që e ktheu qëndresën në betim për liri.

    Sakrifica e familjes Jashari mbetet një amanet i përhershëm, që na thërret ta ruajmë dhe forcojmë Kosovën për çdo brez.

    Lavdi e përjetshme komandantit Adem Jashari dhe gjithë të rënëve të familjes Jashari!”, shkroi i pari i PDK-së.

  • Përparim Rama bën homazhe te shtatorja e Zahir Pajazitit: Lirinë që gëzojmë sot ia kemi borxh UÇK-së

    Përparim Rama bën homazhe te shtatorja e Zahir Pajazitit: Lirinë që gëzojmë sot ia kemi borxh UÇK-së

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, së bashku me drejtorët komunalë, ka bërë homazhe pranë shtatores së heroit Zahir Pajaziti në sheshin me të njëjtin emër, me rastin e shënimit të Epopesë së UÇK-së. Ai theksoi rolin dhe sakrificën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë së vendit.

    Rama pas homazheve u shpreh se Kosova i ka borxh për lirinë që Kosova ka sot.

    “Sot jemi këtu tek sheshi “Zahir Pajaziti”, te monumenti i heroit tonë kombëtar, Zahir Pajaziti. Jemi në proces tash të homazheve. Ishe më herët edhe tek dëshmorët e heroit ku edhe treguam respektin tonë për gjithë atë që kanë bërë dëshmorët e heronjtë tanë kombëtarë për lirinë, për demokracinë, për pavarësinë që sot e gëzojmë ne si vend, si shtet, që na kanë bërë të mundshme që të planifikojmë të ardhmen tonë ne e jo dikush tjetër për ne. Si rezultat, jemi përgjithmonë, për jetë, ju kemi borxh për gjithë atë që kanë dhënë, për gjithë këtë që gëzojmë ne sot. Edhe së bashku me ekipin tonë nga kryeqyteti këtu, me zyrën të cilën e kemi krijuar veçanërisht për respektin dhe ngritjen e vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pra edhe të gjitha proceset që kanë të bëjnë edhe me epopenë e UÇK-së, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Rama.

    Rama tha se sakrifica e UÇK-së ka rezultuar me pavarësinë e Kosovës.

    “Sot jemi në shenjë respekti për historinë tonë, për të kaluarën që ta respektojmë, ta çmojmë dhe ta ndërtojmë një të ardhme më të mirë për vendin tonë. Pas kësaj do të shkojmë edhe në Prekaz, së bashku me ekip, të bëjmë homazhe edhe atje për familjen legjendare të komandantit legjendar Adem Jashari, si shenjë respekti për çdo gjë që ka dhënë, për flijimin e jetës së vet dhe të gjithë familjes së tij, të 59 anëtarëve, edhe si rezultat thashë një emancipimi të popullit tonë dhe luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që edhe ka rezultuar me pavarësinë e Republikës së Kosovës”, theksoi ndërkaq Rama.

    Ndërsa kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve, Naser Pacolli tha se nuk ka investime të duhura në varrezat e dëshmorëve.

    “Sot me rastin e 28 vjetorit të epopesë së ushtarit kosovar, së bashku me komunën, institucionet komunale të Prishtinës, ishim në nderim të dëshmorëve dhe heronjve tanë. Ne këtë agjendë, domethënë, e kemi trashëguar që nga 1998 kur ushtrimi i Adem Jasharit na ka bashkuar dhe sot e asaj dite i përkujtojmë me nderimet më të larta të gjithë dëshmorët dhe heronjtë e rënë në të gjitha vendet e trojeve tona. Jo, për fat të keq… për fat të keq nuk është bërë aq sa duhet. Edhe sot kur po flasim kemi, domethënë, komplekse të varrezave të dëshmorëve të papërfunduara, kemi dëshmorë që ende nuk janë bartur nëpër komplekse të dëshmorëve, kemi të zhdukur që rreth 1500 që ende nuk dihet për fatin e tyre. Kështu që i inkurajoj institucionet që t’i bashkojnë këtë qëllim, t’i bashkojnë vlerat për të cilat dëshmorët dhe të gjithë të rënët e kanë dhënë për me krijuar këto institucione dhe me i bashkuar forcat dhe me i çuar përpara vendet”, tha Pacolli.

  • KFOR i quan të rreme pretendimet se NATO-ja ka lëshuar raketa nga Kosova në drejtim të Iranit

    KFOR i quan të rreme pretendimet se NATO-ja ka lëshuar raketa nga Kosova në drejtim të Iranit

    KFOR ka reaguar ndaj pretendimeve që po qarkullojnë në rrjetet sociale se “NATO ka lëshuar raketa nga Camp Bondsteel apo objekte të tjera të NATO-s në Kosovë drejt Iranit”, duke i cilësuar ato si të pavërteta.

    Në një njoftim për media, misioni ushtarak i NATO-s në Kosovë thekson se ky pretendim është i rremë dhe se NATO e hedh poshtë plotësisht një gjë të tillë. Sekretari i Përgjithshëm Mark Rutte, ka bërë të qartë se NATO si organizatë nuk është e përfshirë në fushatën aktuale ajrore kundër regjimit iranian.

    Tutje thuhet gjithashtu se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të luajnë rol kyç në mbështetjen e sigurisë dhe stabilitetit rajonal në kuadër të misionit të KFOR-it.

    Aktualisht, ShBA-të kanë rreth 600 trupa të dislokuara në KFOR dhe udhëheqin Komandën Rajonale Lindje (RC-East), e cila kontribuon në aktivitetet e përditshme të misionit, përfshirë patrullimet, ushtrimet dhe bashkëpunimin me komunitetet lokale.

    Misioni Paqëruajtësi i Aleancës Veriatlantike, rithekson se vazhdon të përmbushë mandatin për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët në Kosovë, në përputhje me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

  • Deputetja e PDK-së: Me familjen e bacit Rifat, na bashkon një dhimbje dhe krenari e madhe

    Deputetja e PDK-së: Me familjen e bacit Rifat, na bashkon një dhimbje dhe krenari e madhe

    Deputetja e PDK-së, Sala Jashari, sot bashkë me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, kanë vizituar Rifat Jasharin në kullën e tij.

    Ajo ka bërë me dije se familjet e tyre bashkon një dhimbje dhe një krenari e madhe.

    Në profilin e saj në Facebook, ajo ka shkruar se gjatë marsit të vitit 1998 të dy familjet qëndruan dhe luftuan krah për krah.

    “Me familjen e bacit Rifat, na bashkon një dhimbje e përbashkët, por edhe një krenari e madhe. Në të njëjtat data, familjet tona qëndruan dhe luftuan krah për krah, duke u bërë rezistencë historike e Jasharëve. Ato ditë të rënda na lidhën përgjithmonë me një histori të përbashkët sakrifice, që sot e mbajmë si kujtim, por edhe si përgjegjësi. Kam vetëm mirënjohje dhe respekt për bacën Rifat. Ai mban mbi supe një peshë të madhe, peshën e kujtesës, të qëndresës dhe të dinjitetit që familjet tona e kanë treguar në momentet më të vështira!”, ka shkruar Jashari.