ATV

Category: Lajme

  • Pesë vende të BE-së bashkohen për të ndërtuar qendra deportimi jashtë Evropës

    Pesë vende të BE-së bashkohen për të ndërtuar qendra deportimi jashtë Evropës

    Gjermania, Holanda, Austria, Danimarka dhe Greqia janë bashkuar për të ndërtuar qendra deportimi jashtë Evropës, duke shënuar herën e parë që një grup shtetesh anëtare të BE-së është krijuar për ta bërë projektin kontrovers një realitet në terren.

    Kampet ekstraterritoriale, të njohura edhe si qendra kthimi, kanë për qëllim të presin azilkërkuesit e refuzuar ndërsa ata presin të kthehen në vendet e tyre të origjinës.

    Ministrat e brendshëm nga pesë vendet u mblodhën të enjten në margjinat e një takimi në Bruksel.

    Magnus Brunner, Komisioneri Evropian për Punët e Brendshme dhe Migracionin, mori pjesë në diskutime si i ftuar.

    “Kthimet janë një pjesë thelbësore e një sistemi të menaxhimit të migracionit që funksionon mirë dhe ne jemi shumë të përkushtuar për të punuar së bashku me Shtetet Anëtare për identifikimin e zgjidhjeve inovative”, tha Brunner në një konferencë për shtyp pas takimit.

    Më pak se një e treta e njerëzve që urdhërohen të largohen nga BE-ja kthehen në vendet e tyre të origjinës, sipas Eurostat .

    Shtytja e përbashkët nga Gjermania, Holanda, Austria, Danimarka dhe Greqia mbështetet në një rregullore të re që do t’u lejojë shteteve anëtare të delegojnë politikën e tyre të migracionit duke ndërtuar qendra jashtë bllokut.

    Qendrat kanë për qëllim të presin azilkërkuesit, kërkesat e të cilëve për mbrojtje janë refuzuar në Evropë.

    Raportohet se rregullorja u miratua nga vendet e BE-së dhjetorin e kaluar dhe tani po diskutohet nga Parlamenti Evropian.

    Kur të miratohet, do t’u mundësojë qeverive të deportojnë migrantë të parregullt në vende të treta që nuk kanë lidhje me to, për sa kohë që kanë marrëveshje dypalëshe në fuqi.

    Qendrat mund të jenë ose vende tranziti ose vende ku një person pritet të qëndrojë.

    Ndërkohë, vendet po eksplorojnë mënyra për të nënshkruar partneritete me vendet e treta që janë të disponueshme për të pritur migrantët që kanë refuzuar.

  • Zhvillimet në Lindjen e Mesme, Macron: Franca nuk është pjesë e kësaj lufte dhe ne nuk do të përfshihemi

    Zhvillimet në Lindjen e Mesme, Macron: Franca nuk është pjesë e kësaj lufte dhe ne nuk do të përfshihemi

    Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se vendi i tij nuk po zhvillon luftë në Lindjen e Mesme dhe se nuk do të përfshihet në konfliktin aktual në rajon.

    Macron e tha këtë në një mesazh të ndarë në Instagram.

    “I kuptoj dhe i dëgjoj shumë mirë shqetësimet tuaja, por dua të jem absolutisht i qartë. Franca nuk është pjesë e kësaj lufte. Ne nuk po luftojmë dhe nuk do të përfshihemi në këtë luftë”, tha Macron.

    Ai theksoi se aktivitetet e Parisit në rajon kanë për qëllim mbrojtjen e qytetarëve dhe aleatëve francezë, dhe jo pjesëmarrjen në konflikt.

    “Franca nuk po bën luftë në këtë rajon. Ajo mbron popullin francez, aleatët e saj dhe qëndron në krah të Libanit”, tha Macron.

    Franca ka vendosur kapacitete shtesë ushtarake në rajon, përfshirë aeroplanmbajtësen franceze “Charles de Gaulle”, ndërsa tensionet rriten pas sulmeve izraelite dhe amerikane ndaj Iranit dhe lëvizjeve hakmarrëse të Teheranit.

    Sipas Macron, vendosja e forcave synon të ndihmojë aleatët të kapin dronë dhe raketa dhe të mbrojnë rrugët detare.

    “Po mobilizohemi në një mënyrë krejtësisht paqësore në mënyrë që të përpiqemi të sigurojmë trafikun detar”, tha ai.

    Macron tha gjithashtu se Franca po kërkon të formojë një koalicion me partnerët për të mbrojtur rrugët detare në rajon që janë thelbësore për ekonominë globale, duke theksuar se Parisi synon të veprojë me përmbajtje.

    “Do të përpiqemi të jemi sa më të arsyeshëm dhe paqësorë të jetë e mundur, sepse ky është roli i Francës”, shtoi ai.

  • Nis takimi konsultativ me Osmanin dhe liderët e partive politike pa Kurtin

    Nis takimi konsultativ me Osmanin dhe liderët e partive politike pa Kurtin

    Ka nisur takimi konsultativ mes presidentes së vendit, Vjosa Osmani, dhe liderëve të disa prej partive politike parlamentare lidhur me procesin e zgjedhjeve të reja në Kosovë.

    Në këtë takim po marrin pjesë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, si dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

    Takimi është thirrur nga presidentja për të zhvilluar konsultime me përfaqësuesit e partive politike në lidhje me zhvillimet e fundit politike dhe mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të reja parlamentare.

    Në këtë takim nuk po merr pjesë kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

  • Rrustemi: Dekretimi për shpërndarjen e Kuvendit, shkelje e Kushtetutës

    Rrustemi: Dekretimi për shpërndarjen e Kuvendit, shkelje e Kushtetutës

    Deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi, tha se presidentja Vjosa Osmani ka bërë shkelje të Kushtetutës me dekretin për shpërndarjen e Kuvendit.

    Në një konferencë për media, ai tha se janë edhe 59 ditë gjatë të cilave mund të tentohet të bëhet zgjedhja e Presidentit.

    “Veprimi i sotëm për të shpërndarë Kuvendin është në kundërshtim me Kushtetutën. Kushtetuta nuk ka asnjë boshllëk kushtetues për sa i përket rrethanave të shpërndarjes së Kuvendit. Në kontekstin aktual për zgjedhjen e presidentit, Kushtetuta parasheh dy momente të shpërndarjes së Kuvendit: i pari, sipas nenit 86 paragrafi 6, kur pas nisjes së procedurës për zgjedhjen e presidentit edhe në rundin e tretë me pjesëmarrje natyrisht me kuorum, dështon zgjedhja e presidentit. Dhe rrethana e dytë, pas fillimit të procedurës brenda 60 ditëve Kuvendi nuk arrin të zgjedh një president”.

    “Natyrisht sot jemi në ditën e parë të afatit 60 ditor. Kemi edhe 59 ditë për të zgjedhur presidentin, ne kemi dekretin për shpërndarje të kuvendit. Natyrisht se dekreti është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën dhe përbën cenim të drejtpërdrejtë të rendit kushtetues, dhe siç tha kryetarja e GP të LVV-së, do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese me kërkesë kundër këtij dekreti dhe me kërkesën urgjente për masë të përkohshme për të kufizuar efektet dhe pasojat e parikuperueshme që pamundëson funksionimin e institucioneve”, theksoi Rrustemi.

    Ai tha se “është për të ardhur keq padyshim që presidentja ndërmerr një vendim të tillë arbitrar në ditën e parë të afatit 60-ditor”.

    “Ndërkohë, ajo e ka përgjegjësinë për të mundësuar funksionimin kushtetues të secilit institucion”, u shpreh Rrustemi.

  • Sherri në Snapchat përfundon në përleshje mes nxënësve në një shkollë në Shqipëri

    Sherri në Snapchat përfundon në përleshje mes nxënësve në një shkollë në Shqipëri

    Një konfrontim fizik ndodhi sot në mëngjes mes nxënësve të fshatit Shënavlash në ambientet e shkollës ku ata mësojnë, teksa mësohet se sherri ka nisur nga rrjetet sociale.

    Mësohet se dy grupe të ndryshme të quajtur grupi “Mirdita” dhe grupi “Shënavlash” kanë sharë njëri-tjetrin në Snapchat dhe janë zënë. Ata janë përballur sot në shkollë dhe kanë përfunduar duke u përleshur, shkruan A2CNN.

    Njëri prej nxënësve 15 vjeç pësoi lëndim në faqe nga gërvishtjet me thonj të fëmijëve gjatë sherrit, por dëmtime të lehta.

  • Aksident i rëndë në Banjë të Pejës, tre të lënduar

    Aksident i rëndë në Banjë të Pejës, tre të lënduar

    Një aksident trafiku me përfshirjen e dy veturave ndodhi sot në Banjë të Pejës, rreth orës 12:00.

    Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka konfirmuar për Sinjalin se tre persona pësuan lëndime trupore dhe u dërguan për trajtim në Spitalin e Pejës.

    Policia po heton shkaqet e aksidentit.

  • Hamza arrin në Presidencë për takim me Osmanin: Do t’i shqyrtojmë datat e propozuara

    Hamza arrin në Presidencë për takim me Osmanin: Do t’i shqyrtojmë datat e propozuara

    Kryetari i PDK-së Bedri Hamza ka mbërritur në presidencë për takim konsultativ me presidenten Vjosa Osmani, lidhur me datën e zgjedhjeve të reja.

    Para mediave, Hamza tha se fillimisht do t’i shqyrtojë datat e propozuara, ndërsa theksoi se çdo vendim duhet të jetë në përputhje me rendin kushtetues dhe ligjor.

    “Do t’i shikoj cilat janë datat e propozuara. Sidoqoftë, mendoj se gjithçka do të vendoset në përputhje me rendin kushtetues dhe rendin ligjor, dhe ne jemi parti që e respektojmë rendin kushtetues dhe ligjin”, tha Hamza.

  • Nurellari: Asnjë kryeministër përpara Albin Kurtit nuk ka shkaktuar kriza të tilla në Kosovë

    Nurellari: Asnjë kryeministër përpara Albin Kurtit nuk ka shkaktuar kriza të tilla në Kosovë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nxori dekretin për shpërndarjen e Kuvendit të premten, pas dështimit të Kuvendit për të zgjedhur Presidentin, duke shtyrë Kosovën drejt zgjedhjeve të reja.

    Në një intervistë në “NewsLine” analisti Adri Nurellari, u shpreh se asnjë kryeministër përpara Albin Kurtit nuk ka shkaktuar kriza të tilla.

    Gjithashtu shtoi se Kurti po tregon totalisht papërgjegjshmëri antikushtetuese.

    “Zgjedhjet janë të paevitueshme tashmë. Është akt i papërgjegjshmërisë të qeverisë së Kurtit. Kurti ka sjellë një ndryshim të madh në skenën politike duke i djegur urat e komunikimit me partitë e tjera. Kjo është papërgjegjshmëri e jashtëzakonshme dhe sjellje e papranueshëm ndaj shtetit dhe ndaj popullit të Kosovës. Kriza e radhës nuk është rastësi. Kjo është shumë e rëndë për Kosovën. Ka qenë vërtet veprime të paprecedent në aspektin e shtetit. Parlamenti ka për detyrë që mos lërë asnjë boshllëk dhe duhet ta kishte zgjidhur çështjen 30 para përfundimit të mandatit. Pra nëse kjo nuk përmbushet shpërndahet parlamenti siç vendosi Presidentja. Datat janë të kufizuara sepse me ligjin e Kosovës afati është 45 ditë. Por Kurti po përpiqet të rikthehet te skenari i vitit të kaluar, ku me praktika banale zvarriti procesin deri më 28 dhjetor për të mundësuar më shumë pjesëmarrje sepse e di që ka epërsi nëse ka më shumë Diasporë sepse banorët aty i shohin me sytë e tyre dështimet”, tha Nurellari.

    Gjatë intervistës, Nurellari shtoi se partitë opozitare janë shprehur për të shkuar në zgjedhje të parakohshme.

    “Partitë opozitare janë shprehur që do shkohet në zgjedhje të parakohshme brenda 45 ditësh. Pra për të mos lënë vendin në vakum do duhet të shkohet në zgjedhje. Unë besoj që neni 86 ka epërsi dhe do shkojmë në zgjedhje brenda 45 ditësh. Kurti shpreson që kur ka verë ka Diasporë dhe ka më shumë epërsi elektorale, pasi shpreson që të mbajë zgjedhje në verë. Përgjegjësia është te njeriu që ka më shumë gjëra në dorë për të bërë dhe njeriu më i fuqishëm është Albin Kurti. Sepse parti të tjera nuk e kanë pasur një problem të tillë. Kurti është person autokrat, konfliktual dhe synon të sigurojë edhe kontroll të Presidencës. Kurti mesa duket synon të krijojë një krizë të re, dhe ai e ka lënë vendin në konflikt me SHBA e BE duke e futur vendin në sanksione, po ashtu ka shkaktuar edhe konfliktet e tij, pra edhe partnerja e tij ngushtë, edhe me Vjosa Osmanin është konfliktuar. Pra edhe me një Presidente që ka qenë noterja e tij në shumë procese”, tha mes të tjerash ai.

  • Petrit Selimi: Osmani do të kërkojë zgjedhje në prill, kundërshtari i saj kryesor Kurti në verë kur është diaspora

    Petrit Selimi: Osmani do të kërkojë zgjedhje në prill, kundërshtari i saj kryesor Kurti në verë kur është diaspora

    Ish-ministri i Jashtëm, Petrit Selimi, ka komentuar zhvillimet e fundit në vend, duke thënë se presidentja Vjosa Osmani do të synojë të caktojë datën e zgjedhjeve në prill, ndërsa kryeministri Albin Kurti gjatë verës kur ka më shumë diasporë.

    Ai e quajti Kurtin tashmë kundërshtarin kryesor të Osmanit pas përplasjeve që patën këta dy me moskandidimin e Osmanit edhe për një mandat nga Lëvizja Vetëvendosje.

    “Kosova po hyn në fushatën e saj të TRETË zgjedhore brenda një viti. Presidentja Osmani do të kërkojë një proces të shpejtë dhe zgjedhje në prill. Ish-aleati i saj, atëherë (ar)mik, tani kundërshtari kryesor, kryeministri Kurti, do të kërkojë shtyrje deri në verë për të siguruar pjesëmarrje optimale të diasporës”, ka shkruar Selimi.

  • Nagavci: S’kemi arsye të marrim pjesë në takimin e ftuar nga Osmani

    Nagavci: S’kemi arsye të marrim pjesë në takimin e ftuar nga Osmani

    Kryeministri dhe lideri i LVV-së Albin Kurti pritet të mos marrë pjesë në takimin e ftuar nga presidentja Vjosa Osmani.

    Arbërie Nagavci nga LVV-ja tha sot se nuk ka arsye që partia e saj të marrë pjesë në këtë takim

    “Unë nuk besoj që ka asnjë arsye të merret pjesë në një takim të tillë, sepse ky është një veprim, jo vetëm që bie ndesh me Kushtetutën, por edhe i nxituar dhe nuk është në interes të vendit”, tha Nagavci në konferencën për media