ATV

Category: Lajme

  • Kroacia vendos kufirin e çmimeve të karburantit

    Kroacia vendos kufirin e çmimeve të karburantit

    Qeveria e Kroacisë ka vendosur çmime maksimale për çmimin me pakicë të karburantit.

    Masa do të zbatohet nesër dhe do të mbetet në fuqi për të paktën dy javë, shkruan BBC.

    Kryeministri Andrej Plenkoviç thotë se çmimi i benzinës Eurosuper do të kufizohet në 1.50 euro për litër, ndërsa ai i naftës Eurosuper në 1.55 euro.

    Ai shton se pa masat qeveritare, çmimet do të ishin rritur përkatësisht në 1.55 € dhe 1.72 €.

    Kroacia më parë kishte rregulluar çmimet e karburantit pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, por i hoqi masat korrikun e kaluar.

  • KQZ për zgjedhjet e reja: Do të veprojmë në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor

    KQZ për zgjedhjet e reja: Do të veprojmë në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor

    Nuk ka kaluar as një muaj që nga dita kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës të 28 dhjetorit 2025. Megjithatë, zgjedhje të tjera të parakohshme mund të ndodhin së shpejti.

    KQZ, që përmbylli vitin 2025 me organizimin e dy proceseve zgjedhore parlamentare të 9 shkurtit dhe 28 dhjetorit, si dhe dy proceseve zgjedhore për nivelin lokal më 12 tetor dhe raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave më 9 nëntor, do t’i duhet sërish të organizojë zgjedhje të reja.

    Zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi, ka thënë për Ekonomia Online se nuk komentojnë zhvillimet politike dhe se qëndrimi i KQZ-së mbetet i njëjtë, si në rastet tjera.

    Sipas tij, organizimi i një procesi të ri zgjedhor brenda një kohe të shkurtër pas zgjedhjeve të fundit përbën sfidë për KQZ-në dhe stafin e tij, megjithkëtë, ky institucion do të veprojë në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor.

    “Organizimi edhe i një procesi të ri dhe të parakohshëm zgjedhor për Kuvendin e Kosovës, vetëm brenda një kohe të shkurtër pas përmbylljes së zgjedhjeve, gjithashtu të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, përbën sfidë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe stafin e tij. Megjithkëtë, KQZ, si institucion i përhershëm që detyrë kryesore ka organizimin e zgjedhjeve, do të veprojë në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor, si dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, kurdo që kjo do të kërkohet”, tha Elezi.

    Elezi tha se nëse do të ketë një proces të ri zgjedhor KQZ do të diskutojë për çështjet e buxhetit.

    “Aktualisht Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka diskutuar lidhur me këto çështje, por sigurisht se nëse do të ketë pra një proces të ri zgjedhor atëherë KQZ fillimisht në forumet e veta do të diskutojë për çështjet e buxhetit dhe pastaj do të bëjë edhe planifikimin e nevojshëm i cili si zakonisht i dërgohet për miratim Qeverisë së Kosovës”, tha ai.

    Ai shtoi se në rast të zgjedhjeve të parakohshme, ligji për zgjedhjet e përgjithshme parasheh mundësinë që KQZ-ja të bëjë shkurtimin e afateve kohore për organizimin e tyre.

    “Nëse pra do të kemi një proces të parakohshëm zgjedhor, pra ai do të organizohej në afate të shkurtra kohore, ligji për zgjedhjet e përgjithshme parasheh mundësinë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të bëjë shkurtimin e afateve kohore të aktiviteteve të ndryshme dhe t’i përshtasë ato me rrethanat, pra me ditët që ka në dispozicion për organizimin e këtij procesi zgjedhor”, tha ai.

    Më 6 mars, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nxori dekretin për të shpërndarë legjislaturën e 10-të pasi deri më 5 mars dështoi të zgjedhë presidentin e ri të Kosovës.

    Osmani mori këtë vendim duke u mbështetur në nenin 86 të Kushtetutës së Kosovës, ku thuhet se “zgjedhja e Presidentit të Repubikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual”.

    Aktualisht, çështja e dekretit të nxjerrë nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, nga ku është kërkuar vendosja e masës pezulluese, deri në shqyrtimin përfundimtar.

  • Qeveria e Albin Kurtit “për 6 vjet , 21 miliardë euro buxhet, dhe prapë fajet të tjerët”

    Qeveria e Albin Kurtit “për 6 vjet , 21 miliardë euro buxhet, dhe prapë fajet të tjerët”

    Dardan Sejdiu, ekonomist dhe opinionist, ka kriitkuar Albin Kurtin e Vetëvendosjes i cili për gjashtë vite qeverisje ka menaxhuar plot 21 miliardë euro buxhet.

    “Edhe prap, për çdo dështim, fajin e paskan të tjerët”, tha Sejdiu.

    Postimi i plotë:

    Prej vitit 2020 deri në 2026, kjo qeverisje i ka pasë në dorë mbi 21.6 miliardë euro buxhet.

    Mbi 21 miliardë euro.

    Edhe prapë, për çdo dështim, fajin e paskan të tjerët.

    Jo.

    Kur i ke pasë krejt këto pare, krejt këto vota, krejt këtë kohë dhe pushtet, nuk mundesh me u fsheh ma pas tregimeve.

  • Meteor i madh shpërthen mbi Gjermani, fragmente bien në disa rajone dhe shkaktojnë dëme

    Meteor i madh shpërthen mbi Gjermani, fragmente bien në disa rajone dhe shkaktojnë dëme

    Shpërthen një meteor i madh mbi Gjermani, raportohen dëme në disa vende
    Topi i zjarrtë spektakolar që u pa mbi Gjermaninë Perëndimore, Luksemburgun dhe Holandën të dielën rreth orës 19:00 ishte me sa duket një meteor.

    Dëshmitarët thanë se ngjarja u shoqërua me shpërthime të forta dhe i ngjante një “ylli shumë të madh që binte”, të ngjashëm me ato të parë në shiun e meteorëve Perseid të parë në gusht.

    Ky meteor, megjithatë, ishte shumë më i madh dhe policia gjermane raportoi se disa fragmente ranë në shtetin e Rheinland-Pfalz, duke shkaktuar dëme në shtëpi dhe çati. Raportet për dëme erdhën nga rajonet Hunsrück dhe Eifel, si dhe nga qyteti i Koblenz.


    Nicki Feierstein, ish-presidente e astronomëve amatorë të Luksemburgut, shpjegoi se një meteor i tillë udhëton me shpejtësi nga 60,000 deri në 70,000 km/orë, prandaj fërkimi intensiv i krijuar në atmosferë mund të shkaktojë një shpërthim dhe të prodhojë shpërthimet e forta të përshkruara nga dëshmitarët. Fragmentet që bien në tokë njihen si meteoritë.

    Ekspertët nga Agjencia Evropiane e Hapësirës (ESA) thonë gjithashtu se ka të ngjarë të ketë qenë një meteor dhe aktualisht po analizojnë imazhe dhe të dhëna. Më shumë detaje duhet të dihen të hënën.

  • Ekstradohen nga Shqipëria në Kosovë dy shqiptarë, kërkoheshin përmes INTERPOL-it

    Ekstradohen nga Shqipëria në Kosovë dy shqiptarë, kërkoheshin përmes INTERPOL-it

    Dy shtetas shqiptarë janë ekstraduar sot nga Shqipëria për në Kosovë, të dyshuar për veprat penale “kultivim i lëndëve narkotike” dhe “vjedhje e rëndë”.

    Të njëjtit ishin arrestuar nga autoritetet shqiptare pasi që kërkoheshin përmes INTERPOL-it me letër rreshtim ndërkombëtar lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës.

    “Të dy ekstradimet u realizuan bazuar në ligjet në fuqi dhe falë bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre shqiptare, ndërsa pas ekstradimit të dyshuarit iu dorëzuan njësiteve përkatëse të policisë së rajonit të Pejës, përkatësisht atij të Prizrenit”, thuhet në njoftim.

  • LDK bën homazhe te varri i ish-kryetarit të Istogut, Haki Rugova

    LDK bën homazhe te varri i ish-kryetarit të Istogut, Haki Rugova

    Kryetari i komunës së Istogut, Ilir Ferati bashkë me struktura të degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe familjarë, kanë bërë homazhe në nderim të jetës dhe veprës së ish-kryetarit të komunës së Istogut dhe nënkryetarit të LDK-së, Haki Rugova, në 4-vjetorin e vdekjes së tij.

    Në njoftimin e lëshuar nga LDK, thuhet se sot kujtohet një personalitet dhe veprimtar i dalluar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, “njeriu që ishte shembull i përkushtimit dhe kontributit të jashtëzakonshëm në shtetndërtimin e Kosovës, nënkryetari i LDK-së dhe kryetari i Istogut, Haki Rugova”.

    “Angazhimi i tij ishte i pandalshëm në proceset e vështira të Kosovës. Ai për më shumë se tre dekada qëndroi i palëkundur në veprimtarinë e tij atdhetare e politike. Prandaj si i tillë, mbetet dhe kujtohet gjithmonë si model i njeriut të urtë e punëtor, i afërt dhe bashkëpunues. Lavdi jetës dhe veprës së Haki Rugovës. I përjetshëm kujtimi për të!”, thuhet në njoftim.

  • Kosova nënshkruan një marrëveshje me SPAK-un e Shqipërisë

    Kosova nënshkruan një marrëveshje me SPAK-un e Shqipërisë

    Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, priti sot në një takim pune drejtuesin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Shqipërisë, Klodjan Braho.

    Sipas njoftimit zyrtar, në kuadër të bashkëpunimit SPAK dhe PSRK nënshkruan një marrëveshje për krijimin e ekipeve të përbashkëta hetimore.

    “Gjatë takimit, z. Braho dhe z. Isufaj shprehën gatishmërinë për angazhim të përbashkët me qëllim avancimin e mëtejshëm të koordinimit ndërinstitucional. z.Braho, riafirmoi rëndësinë e partneritetit me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës”, thuhet në takim.

  • Cakolli: Zgjedhjet opsioni më i keq në këtë fazë

    Cakolli: Zgjedhjet opsioni më i keq në këtë fazë

    Në situatën aktuale kushtetuese, Eugen Cakolli, hulumtues në KDI thekson se Gjykata Kushtetuese duhet të veprojë shpejt dhe të shqyrtojë mundësinë e vendosjes së një mase të përkohshme lidhur me dekretin e presidentes, në mënyrë që të shmanget një krizë edhe më e thellë institucionale.

    Sipas tij, ndonëse sipas parimit të ligjshmërisë dekretet konsiderohen të vlefshme deri sa të vërtetohet e kundërta nga gjykata, paqartësitë kushtetuese në këtë rast kërkojnë reagim të menjëhershëm.

    “Edhe pse sipas parimit të ligjshmërisë dekretet janë të ligjshme derisa të vërtetohet e kundërta në gjykatë, për shkak të paqartësisë kushtetuese që kemi në këtë situatë është tejet e rëndësishme që gjykata ta trajtojë me prioritet lëndën dhe potencialisht të vendosë edhe masë të përkohshme mbi bazë ex officio, nëse një kërkesë e tillë nuk është paraqitur nga Lëvizja Vetëvendosje”, ka thënë ai.

    Cakolli paralajmëron se nëse nuk ndërmerren hapa të tillë, vendi mund të përballet me një cikël të kontestuar institucional, duke kujtuar edhe një rast të mëhershëm të vendimmarrjes kushtetuese.

    “Çfarëdo situate ku mund të hyjmë në një cikël të kontestuar do të rrezikonte që vendi të përsërisë skenarin që e kemi pasur me rastin e zgjedhjes së nënkryetarëve, kur gjykata konstatoi se procedura nuk kishte qenë kushtetuese, por ndërkohë Kuvendi ishte shpërndarë dhe vendi kishte shkuar në zgjedhje pas një procedure që në esencë ishte jokushtetuese”, ka theksuar ai.

    Sipas tij, praktika e deritanishme tregon se Gjykata Kushtetuese ka vepruar shpeshherë me prioritet në raste të ndjeshme.

    “Gjykata në të kaluarën ka treguar se ka trajtuar me prioritet raste të tilla dhe ka vendosur edhe masa të përkohshme pa iu kërkuar fare nga palët, prandaj pres që brenda kësaj jave, nëse jo brenda ditëve aktuale, të vendoset për një masë të përkohshme si mënyra e vetme për të parandaluar një shkelje edhe më të rëndë dhe cenimin e interesit publik”, ka shtuar ai.

    Ai gjithashtu ka vlerësuar se zgjedhjet në këtë moment do të ishin opsioni më i pafavorshëm për vendin.

    “Pas krizave të njëpasnjëshme kushtetuese që kanë derivuar nga situata politike, zgjedhjet janë opsioni më i keq i mundshëm në këtë fazë, sidomos në raport me proceset reformuese dhe funksionin ligjvënës e mbikëqyrës të institucioneve”, ka thënë ai.

    Sipas tij, vendi tashmë po hyn drejt vitit të dytë me institucione jo plotësisht funksionale, gjë që mund të minojë besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore.

    “Një situatë e tillë e minon besimin e publikut në institucione dhe mund të ndikojë edhe në pjesëmarrjen në zgjedhje, për shkak të lodhjes së qytetarëve nga ciklet e shpeshta zgjedhore”, ka deklaruar ai.

    Ai paralajmëron se krizat e vazhdueshme institucionale mund të kenë ndikim edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës.

    “Kjo situatë ndikon drejtpërdrejt edhe në proceset e integrimit dhe në marrëveshjet ndërkombëtare, duke e dëmtuar kredibilitetin ndërkombëtar të Kosovës, pasi në sytë e partnerëve ndërkombëtarë mund të paraqitemi si një vend që nuk arrin të tejkalojë as krizat më të zakonshme politike”, ka theksuar ai.

    Sa i përket rolit të presidentes, ai ka thënë se nga aspekti ligjor nuk ka pengesa që ajo ta caktojë datën e zgjedhjeve, por se mund të presë edhe për një kohë të shkurtër.

    “Meqenëse presidentja është njoftuar nga gjykata se rasti është pranuar për shqyrtim, nuk ka ndonjë ndalesë ligjore që ajo ta caktojë datën e zgjedhjeve. Megjithatë, duke marrë parasysh situatën aktuale, ajo mund të presë edhe pak, ndonëse kjo mund ta prekë afatin 45-ditor dhe kohën në dispozicion të KQZ-së”, ka thënë ai.

    Megjithatë, ai shton se nëse Gjykata Kushtetuese nuk vendos shpejt, presidentja do të jetë e obliguar të veprojë.

    “Nëse kjo nuk ndodh brenda ditëve në vijim, atëherë presidentja, në funksion të ushtrimit të kompetencave kushtetuese dhe ligjore, është e obliguar ta caktojë datën e zgjedhjeve, për të ruajtur sigurinë juridike në vend”, ka përfunduar Cakolli për Ekonomia Online.

  • Keqpërdorimi i ujit të pijes mund të sjellë gjobë dhe ndërprerje furnizimi, paralajmëron KRU Mitrovica

    Keqpërdorimi i ujit të pijes mund të sjellë gjobë dhe ndërprerje furnizimi, paralajmëron KRU Mitrovica

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Bifurkacioni” në Mitrovicë ka bërë thirrje ndaj qytetarëve për përdorim të racionuar dhe të dedikuar të ujit të pijes, duke theksuar se shfrytëzimi i tij jashtë qëllimeve bazike familjare konsiderohet keqpërdorim.

    Sipas njoftimit, uji i pijes është i dedikuar ekskluzivisht për: pije dhe përgatitje të ushqimit, higjienë personale dhe familjare, si dhe nevoja themelore shtëpiake. Ndërkohë, përdorimi për ujitjen e kopshteve dhe livadheve, larjen e automjeteve, oborreve dhe trotuareve, mbushjen e pishinave apo për qëllime komerciale dhe ndërtimore pa autorizim, konsiderohet i papranueshëm.

    “Konsumatori që evidentohet duke keqpërdorur ujin e pijes do të përballet me masa ndëshkuese, duke përfshirë gjobë, ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë dhe masa të tjera administrative e ligjore”, thuhet në njoftim.

    KRU Mitrovica apelon që çdo konsumator të respektojë rregulloret dhe të përdorë ujin e pijes në mënyrë të përgjegjshme, në mënyrë që furnizimi i qëndrueshëm dhe i rregullt të sigurohet për të gjithë qytetarët.

    “Apelojmë për përdorim racional dhe të përgjegjshëm të ujit të pijes, në interes të përgjithshëm dhe për të garantuar furnizim të qëndrueshëm për të gjithë konsumatorët”, thekson kompania.

  • Delegacioni i SPAK-ut vizitë në Kosovë, riafirmohet angazhimi i përbashkët institucional

    Delegacioni i SPAK-ut vizitë në Kosovë, riafirmohet angazhimi i përbashkët institucional

    Një delegacion nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), nga Shqipëria po qëndrojnë për vizitë zyrtare në Kosovë.

    Delegacioni shqiptar i kryesuar nga drejtuesi i SPAK-ut, Klodjan Braho u prit sot në takim nga Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj.

    Sipas një komunikate për media, Qalaj njoftoi delegacionin nga Tirana për funksionimin e sistemit prokurorial, e në veçanti për funksionimin e Prokurorit të Shtetit, për strukturën organizative, për kompetencat e prokurorive, si dhe për sfidat me të cilat ballafaqohet sistemi prokurorial në realizimin e misionit për sundim të ligjit.

    Në njoftimin zyrtar theksohet se gjatë këtij takimi u riafirmua angazhimi i përbashkët institucional në funksion të forcimit të sundimit të ligjit në të dyja shtetet, si dhe u diskutua për ngritjen e nivelit të bashkëpunimit, koordinimin dhe efikasitetin në luftën kundër krimit në të dyja shtetet.

    “Palët u dakorduan se forcimi i bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet dy prokurorive në fushën e drejtësisë penale është thelbësor për përballimin e sfidave të përbashkëta dhe trajtimin e çështjeve me interes të ndërsjellë”, thuhet në njoftim.