ATV

Category: Lajme

  • Nga 1.39 deri në 1.55 euro për litër nafta në treg: MINT njofton se po monitorojnë çmimet e derivateve

    Nga 1.39 deri në 1.55 euro për litër nafta në treg: MINT njofton se po monitorojnë çmimet e derivateve

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka bërë të ditur se përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut është duke zhvilluar monitorim dhe inspektime intensive në tregun e derivateve të naftës për të siguruar zbatimin e vendimit për rregullimin e përkohshëm të çmimeve.

    Sipas njoftimit zyrtar, mbikëqyrja po realizohet në bazë të vendimit të nënshkruar më 4 mars nga ministrja Mimoza Kusari Lila, i cili synon mbrojtjen e konsumatorëve, rritjen e transparencës dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg.

    Autoritetet kanë bërë të ditur se, përveç monitorimit në terren, janë duke u analizuar edhe të dhënat lidhur me çmimet e importit dhe çmimet e ekspozuara për konsumatorët në tregun vendor.

    Sipas të dhënave zyrtare të siguruara nga evidencat e Doganë e Kosovës, çmimi mesatar i importit për derivatet e naftës gjatë 7 marsit ka qenë 1.40 euro për litër për naftën (dizel) dhe 1.14 euro për litër për benzinën.

    Ndërkohë, nga monitorimi i tregut vendor rezulton se çmimet e ekspozuara për konsumatorët në pikat e shitjes me pakicë kanë lëvizur nga 1.39 deri në 1.55 euro për litër për naftën dhe nga 1.27 deri në 1.32 euro për litër për benzinën.

    “Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, pranë Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, njofton opinionin publik se, në kuadër të monitorimit të vazhdueshëm të tregut të derivateve të naftës, është duke realizuar mbikëqyrje intensive lidhur me zbatimin e Vendimit për rregullimin e përkohshëm të çmimeve dhe caktimin e masave të tjera mbrojtëse të nënshkruaj nga ministrja znj. Mimoza Kusari Lila, me datë 04.03.2026, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorit, rritjen e transparencës, mbrojtjen e konkurrencës së ndershme si dhe mënjanimin e çrregullimeve në treg.

    Gjithashtu, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut së bashku me Administratën Tatimore të Kosovës është duke realizuar analiza të të dhënave lidhur me çmimet e importit dhe çmimet e ekspozuara për konsumatorët në tregun vendor.

    Sipas të dhënave zyrtare të siguruara nga evidencat e Doganës, çmimi mesatar i importit për derivatet e naftës gjatë ditës së shtunë (datë: 07.03.2026), ka qenë si në vijim:
    1. Naftë (Dizel): 1.40 €/litër;
    2. Benzinë: 1.14 €/litër;

    Ndërkohë, bazuar në monitorimin e realizuar në tregun vendor nga dita e shtunë e deri më tani, çmimet e ekspozuara për konsumatorët në pikat e shitjes me pakicë rezultojnë si më poshtë:
    1. Naftë (Dizel): nga 1.39 €/litër deri në 1.55 €/litër;
    2. Benzinë: nga 1.27 €/litër deri në 1.32 €/litër;
    Bazuar në vendimin e datës 04.03.2026 për rregullimin e përkohshëm të çmimeve dhe caktimit të masave të tjera mbrojtëse është vendosur marzha tregtare maksimale e lejuar si vijon:
    – dy (2) eurocentë për litër të produktit të shitur me shumicë, dhe
    – dymbëdhjetë (12) eurocentë për litër të produktit të shitur me pakicë.

    Marzhë tregtare domethënë ndryshimi mes çmimit të shitjes dhe çmimit të furnizimit.
    Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka qenë në terren gjatë vikendit edhe gjatë ditëve të javës së kaluar, IQMT do të vazhdojë të monitorojë dhe inspektojë në mënyrë intensive zhvillimet në tregun e derivateve të naftës e po ashtu edhe inspektimin në pajisje matëse, së bashku me Doganën e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës, si dhe Autoritetin e Konkurrencës së Kosovës. Kështu që në të gjitha rastet ku identifikohen parregullsi eventuale, si mos respektim i vendimit të marzhës apo praktikave që mund të dëmtojnë konkurrencën dhe konsumatorët, do të ndërmerren masa rigoroze të parapara me legjislacionin në fuqi.

    Për çdo zhvillim të mëtejmë, qytetarët e Republikës së Kosovës do të njoftohet me kohë”, thuhet në njoftim.

  • Fox News shkruan për krizën e re në Kosovë: Osmanin e quan aleate të Trump-it

    Fox News shkruan për krizën e re në Kosovë: Osmanin e quan aleate të Trump-it

    Mediumi pro-Republikan, “Fox News”, i ka kushtuar një artikull krizës së re politike në Kosovë me vendin që po shkon drejt zgjedhjeve të reja.

    “Fox News” e quan Vjosa Osmanin “Aleate të Trump-it” dhe rikujton lëvdatën që Presidenti i ShBA-së i drejtoi asaj gjatë mbledhjes së Bordit të Paqes “për punën e mirë që po bën në vendin e saj”.

    “Trump kohët e fundit e vlerësoi presidenten e Kosovës për “punën e shkëlqyer” që ajo po bën në vendin e saj në një fjalim në shkurt. Osmani pranoi një ftesë nga Trump për t’u bashkuar me Bordin e Paqes në janar dhe është zotuar të ofrojë burime për Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit për Gazën,” thuhet në artikull.

  • Rikthehet qarkullimi në Jarinje, pritje deri në dy orë

    Rikthehet qarkullimi në Jarinje, pritje deri në dy orë

    Qarkullimi i automjeteve në dalje të pikës kufitare Jarinje është rikthyer në normalitet rreth orës 12:35 të së hënës.

    Sipas njoftimit të Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, lëvizja e automjeteve është lejuar sërish pasi kompania për mirëmbajtjen e rrugëve në anën e Serbisë ka përfunduar punimet që po zhvilloheshin më herët.

    Megjithatë, si pasojë e bllokimit të mëparshëm, është krijuar një kolonë automjetesh rreth 1.5 kilometra e gjatë, ndërsa pritjet për kalim në kufi arrijnë deri në dy orë.

    Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që për informata shtesë të kontaktojnë Qendrën Kombëtare për Menaxhim Kufitar në numrat 045 198 000, 045 198 606 ose në numrin pa pagesë 0800 50095.

  • LVV dorëzon në Kushtetuese dekretin e presidentes për shpërndarjen e Kuvendit

    LVV dorëzon në Kushtetuese dekretin e presidentes për shpërndarjen e Kuvendit

    Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar në Kushtetuese ankesën lidhur me dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, bëjnë të ditur nga Zyra për media e kësaj partie për KosovaPress.

    Osmani shpërndau Kuvendin në një konferencë për media të premten, ku nuk pranoi pyetje nga gazetarët.

    Ky veprim i saj nxiti reagime të shumta, ndërsa nga Lëvizja Vetëvendosje u konsiderua të jetë akt kundërkushtetues.

    Të enjten, Kuvendi i Kosovës ka dështuar të zgjedh presidentin.

    Kryeparlamentarja, Albulena Haxhiu tha mbrëmjen e së enjtes se nuk mund të vazhdohet me votimin, meqë në sallë nuk ishin prezent 80 deputetë. Ndërkohë që Haxhiu njoftoi se LVV i ishte drejtuar mënjherë Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për t’i pezulluar afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit, vendimi i presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit erdhi mëngjesin e së premtes.

    Në konferencën për media Osmani madje tha se se deri në shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës e kanë sjellë vendin, siç tha ajo, “njerëz me qëllime të rrezikshme”. E nga LVV kanë thënë se ajo duhet të tregojë se për kënd e kishte fjalën. Megjithatë, deri më sot (e hënë), presidentja Osmani nuk ka pasur ndonjë paraqitje mediale lidhur me këtë çështje.

    SPAK publikon raportin vjetor: Mbi 45 milionë euro dhe kriptomonedha të bllokuara
    Read more

  • NATO stërvitje në Arktik me fokus në gatishmërinë e civilëve

    NATO stërvitje në Arktik me fokus në gatishmërinë e civilëve

    NATO filloi stërvitjet e saj dyvjeçare në Arktik të hënën, këtë herë duke i kushtuar më shumë rëndësi rolit të civilëve në mbështetjen e ushtrisë, në një kohë tensionesh të larta për shkak të përpjekjes së Presidentit të ShBA-së Trump për të marrë Grenlandën nga Danimarka, një anëtare tjetër e NATO-s.

    Stërvitjet, të quajtura “Reagim i Ftohtë”, përqendrohen në mbrojtjen e aleancës në Arktikun Evropian, ku anëtarët e NATO-s, Norvegjia dhe Finlanda, ndajnë një kufi me Rusinë, dhe këtë herë do të zhvillohen nga 9 deri më 19 mars.

    Stërvitja tani është bërë pjesë e Arctic Sentry , misionit të NATO-s për të forcuar praninë e saj në rajonin polar që u nis për të zbutur tensionet me Trumpin mbi Grenlandën.

  • Haxhi Avdyli dorëhiqet nga Guxo

    Haxhi Avdyli dorëhiqet nga Guxo

    Deputeti nga Guxo, pjesë e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Haxhi Avdyli, ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha pozitat në partinë e tij, duke e lidhur vendimin me atë që ai e quan fushatë linçimi dhe urrejtjeje ndaj presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

    Në një deklarim publik në Facebook, Avdyli tha se sulmet ndaj Osmanit, përfshirë edhe thirrjet për dhunë dhe sulmet ndaj familjes së saj, janë të papranueshme dhe i përkasin një politike që do të duhej të ishte lënë pas.

    “Sulmet e paskrupullta ndaj Presidentes Osmani, deri edhe në thirrje për pushkatim, si dhe linçimet publike ndaj saj nga figura të njohura e panjohura, përfshirë edhe sulme ndaj fëmijëve të saj, janë një politikë që do të duhej t’i përkiste së kaluarës së hidhur.

    Manipulimet me inteligjencë artificiale, të cilat e dehumanizojnë Presidenten dhe ata që mendojnë ndryshe, vetëm që të nxisin urrejtje të pakontrollueshme, e për qëllime elektorale me të vërtet janë të gërditshme.

    Kjo fushatë e thirrje për dhunë është sa rrezikshme dhe tërësisht e papranueshme për mua, dhe më ka prekur shumë.

    Si njeri që gjithmonë ka promovuar paqen, dialogun, mirëkuptimin dhe respektin edhe me njerëz me të cilët kemi dallime politike, unë nuk mund të rri i heshtur e i strukur përballë një situate të tillë.

    Sot është Vjosa, nesër mund të jem unë, pasnesër ju, apo vajza e djali juaj që mund të kenë një bindje apo ambicje legjitime të dallueshme nga Partia .

    Qëndrimin tim për procesin e fundit politik, e kam thënë publikisht në mbledhjen GP të VV-së në prani edhe të zotit Kurti, e poashtu edhe në kryesi të Guxo.

    Ne disa, me respekt të ndërsjelltë, jemi pajtuar, që spo pajtohemi me orientimin që po merrte shumica e grupit tonë politik.

    Por edhe pse ishte ky mospajtim politik i rrallë mes nesh, nuk do ta kisha menduar kurrë që do pasonte kjo fushatë bazuar në linqim, fyerje, shpifje të ulëta e deri në kërcënime nga kolegë deputetë, politikanë , miqë të mi të njohur e panjohur, nga mu ata që deri para 5 ditësh e quanin Vjosa Osmanin krenari të Kosovës.

    Prandaj, në shenjë proteste, dhe për të mos identifikuar veten me këtë fushatë të ulët, kam vendosur të jap dorëheqje të parevokueshme, nga të gjitha pozitat në Partinë Guxo.
    Uroj dhe shpresoj që, për hir të Kosovës dhe të ardhmes së fëmijëve tanë, kjo dorëheqje e ime, si deputet në 5 mandate, 3 mandate nga lista me VV, të ju shërbej sa do pak që të mendoni me kokë të ftohur, që të jetë apel nga një deputet që ka dhënë shumë për këtë 50% e 51% , që ta ndrroni strategjinë denigruese, ta ndalni gjuhën e urrejtjes dhe dhunës.

    Mbani qëndrime politike, por aman shpërndani më shumë respekt e dashuri mesh nesh, sepse ajo është që na duhet.

    Rrugët politike mund të na ndahen, e mund të na bashkohen, por njerzillëkun brenda nesh sbën ta vrasim.

    Sepse Liria e ardhmëria e Republikës sonë duhet të jetë mbi gjithçka”, ka shkruar Avdyli.

  • “Çka ka shtëpija, tregon fëmija” – Haradinaj reagon pas deklaratës së Rashiq për 24 hektarët që iu dhanë Manastirit të Deçanit

    “Çka ka shtëpija, tregon fëmija” – Haradinaj reagon pas deklaratës së Rashiq për 24 hektarët që iu dhanë Manastirit të Deçanit

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar në lidhje me deklaratën e ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiqit, i cili tha se për “hatër të tij”, Kurti i kishte dhënë 24 hektarët Manastirit të Deçanit.

    Për këtë, Haradinaj ka ironizuar me një fjalë popullore.

    “Çka ka shtëpija, tregon fëmija”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

  • Me këtë datë fillon llogaritja verore e kohës, akrepat shkojnë 60 minuta para

    Me këtë datë fillon llogaritja verore e kohës, akrepat shkojnë 60 minuta para

    Java e fundit e marsit, më saktë në javën e 29 marsit, në orën dy pas mesnatës, akrepat e orës do të lëvizin një orë përpara, pra në orën tre. Pikërisht në atë moment fillon llogaritja verore e kohës. Kjo do të thotë që errësira do të vijë më vonë.

    Ideja kryesore për futjen e orarit veror dhe dimëror është të shfrytëzohet drita e ditës në mënyrë më efikase. Ora dimërore përfaqëson kohën reale, astronomike, ndërsa ora verore “merr” një orë të mëngjesit dhe e shton në mbrëmje, me qëllim që të zgjatet drita e ditës dhe errësira të vijë më vonë.

    Megjithatë, për vite me radhë në rrethet shkencore diskutohet përsëri dhe përsëri nëse lëvizja e akrepave do të vazhdojë. Pyetja kryesore është: A do të hiqet ky sistem?

    Pse po mendohet për heqjen e lëvizjes së akrepave të orës?

    Motivi kryesor është ndikimi negativ i provuar shkencërisht mbi shëndetin e njerëzve. Çrregullimi i bioritmit mund të shkaktojë pagjumësi, lodhje të vazhdueshme, depresion, shterim, ndryshime në frekuencën e zemrës, madje edhe probleme me tretjen. Trupi ndonjëherë mund të ketë nevojë deri në dy javë për t’u përshtatur plotësisht me ritmin e ri.

    Përveç efekteve shëndetësore, ndryshimi i orarit ndikon edhe në rritjen e aksidenteve rrugore, sidomos gjatë muajve të vjeshtës kur fëmijët shkojnë në shkollë në errësirë.

    Edhe pse Komisioni Evropian në vitin 2019 mbështeti iniciativën për heqjen e ndryshimit sezonal të orës, për shkak të shfaqjes së pandemisë së koronavirusit në mars 2020, vendimi përfundimtar u shty.

  • Kjo është deklarata e babait të deputetit të VV-së, për të cilën reagoi Osmani: Në Turqi do të pushkatohej

    Kjo është deklarata e babait të deputetit të VV-së, për të cilën reagoi Osmani: Në Turqi do të pushkatohej

    Halil Geci, babai i deputetit të VV-së, Fatos Gecit, ka bërë një deklaratë të tmerrshme për Vjosa Osmanin.

    Ai ka thënë se ajo në Turqi do të pushkatohej.

    Ndaj kësaj deklarate reagoi edhe Presidenca.

    Postimi i Gecit:

    “Ja si iu bashkua Vjosa tavolinës së tradhtisë – si vegël e puçit të Prontos.”

    “Baton Haxhiu i thotë gazetares për takimin që po flasim: ‘A e di kush e ka aranzhuar?’ Gazetarja: ‘Kush?’ Batoni: ‘UNË.’ Ja pse kjo “atdhetare”, që e mban emrin e Ibrahim Rugovës në gojë si bananen për Bajram, bëri grushtet. Po të ishte në Turqi, do të pushkatohej.”

  • Aktorja e “Ghostbusters” vdes nga kanceri

    Aktorja e “Ghostbusters” vdes nga kanceri

    Aktorja amerikane Jennifer Runyon, e njohur për rolet në filmin  Ghostbusters  dhe sitcom-in  Charles in Charge , vdiq më 6 mars, në moshen 65 vjeçare.

    Vdekja e Jennifer Runyon u konfirmua nga shoqja e saj Erin Murphy në rrjetet sociale. Në një postim, ajo shkroi se aktorja kishte ndërruar jetë pas një beteje të shkurtër me kancerin.

    “Disa njerëz e di se do t’i kesh shoqe para se t’i takosh. Ajo ishte një grua e veçantë. Do të më mungosh, Jenn. Mendimet e mia janë me familjen tënde dhe fëmijët e tu të bukur.”