ATV

Category: Lajme

  • QKMK: Është bllokuar qarkullimi i automjeteve në dalje të pikëkalimit kufitar me Serbinë në Jarinjë

    QKMK: Është bllokuar qarkullimi i automjeteve në dalje të pikëkalimit kufitar me Serbinë në Jarinjë

    Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar të Kosovës njoftoi se është bllokuar qarkullimi i automjeteve në dalje të pikëkalimit kufitar me Serbinë në Jarinjë.

    Sipas njoftimit, kjo po ndodh për shkak të pastrimit të rrugës “në anën e Serbisë”.

    “Më datë, 09.03.2026, prej orës 10:10, është bllokuar qarkullimi i automjeteve ne dalje të PKK Jarinje, për shkak se në anën e Serbisë, janë duke e pastruar rrugën me bager dhe kamionë, kështu që asnjë automjet nuk mund të levizë”, thuhet në njoftim.

    “Për çdo informatë shtesë kontaktoni QKMK në numrat 045198000, 045198606 dhe pa pagesë 080050095”.

  • Kurti s’dëshiron të deklarohet për fjalët e Rashiqit: Ka folur zëdhënësi, e ka sqaruar edhe ministri

    Kurti s’dëshiron të deklarohet për fjalët e Rashiqit: Ka folur zëdhënësi, e ka sqaruar edhe ministri

    Kryeministri i vendit refuzoi të ndalet për t’iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me një deklaratë të ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, i cili tha se për shkak të tij, Albin Kurti kishte vendosur t’ia transferonte 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit.

    Kurti nuk deshi të sqaronte më shumë, duke përmendur reagimin e zëdhënësit të Qeverisë, Arlind Manxhukës dhe vetë ministrit.

    “Ka folur tashmë zëdhënësi ynë, Arlindi, e po ashtu e ka sqaruar edhe ministri”, tha ai.

    Në vitin 2024, Kurti i kishte kërkuar Agjencisë Kadastrale që t’ia transferonte 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit, duke thënë se kjo do të ishte vendimtare për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës, gjë që më pas nuk ndodhi.

    “Do ta them, ndoshta edhe pa modesti, por kjo ndodhi falë këmbënguljes sime të vazhdueshme. Me vite shpjegoja pse kjo është e rëndësishme. Në fund kryeministri më thirri para mbledhjes së Qeverisë dhe më tha: ‘Kam menduar shumë për këtë. Do ta bëjmë, por ta dish – për shkakun tënd’”, tha Rashiq në një intervistë të fundit për mediumin lokal serb, Radio Gorazhdevci.

    Ai shtoi se, edhe pse kjo ishte një detyrim i vjetër gjyqësor që askush më parë s’e kishte zbatuar, fakti që këtë e bëri Albin Kurti me nxitjen e tij ka peshë të veçantë: “Ishte një gjë e madhe që nuk është e natyrës materiale, por diçka shumë më e rëndësishme. Mendoj se kjo duhet vlerësuar”, deklaroi ai.

  • Deputeti i LDK-së fton Prokurorinë dhe AKI-në të merren me deklaratat e Rashiqit

    Deputeti i LDK-së fton Prokurorinë dhe AKI-në të merren me deklaratat e Rashiqit

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ermal Sadiku i ka bërë thirrje prokurorisë dhe AKI-së të merren me deklaratat e Rashiqit.

    Teksa ka thënë se Kosova nuk ka tokë për të falur, Sadiku shpreson që deklarata e Rashiqit të mos jetë e vërtetë.

    “Prokuroria dhe AKI duhet të merren seriozisht me deklaratat e Rashiqit. Shpresoj që kjo të mos jetë e vërtetë dhe që ai ta ketë thënë vetëm për të fituar popullaritet tek votuesit serbë.Megjithatë, gjithmonë kam pasur dyshime për burimin e kësaj marrëdhënieje kaq të mirë mes Rashiqit dhe Kurtit. Kosova nuk ka tokë për të falur”, ka shkruar Sadiku.

    Deputeti serb, Nenad Rashiq në një media serbe deklaroi se “Kurti ia fali tokën e Manastirit të Deçanit serbëve për hatër timin”. Për të njëjtën ai i tha sot Insajderit se e ka ngatërruar me diçka krejt tjetër.

  • Rritet siguria e profilit në eKosova

    Rritet siguria e profilit në eKosova

    Platforma eKosova përmes një njoftimi ka bërë të ditur se është rritur siguria e profilit të qytetarëve në pamundësi të thyerjes së saj nga persona të tjerë.

    Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook bëhet e ditur se në kuadër të avancimit dhe rritjes së sigurisë në Platformën eKosova, ju rekomandojnë aktivizimin e Autentifikimit me Dy Faktorë (2FA) gjatë dy javëve të ardhshme.

    Sipas njoftimit thuhet se ky mekanizëm ofron një nivel shtesë mbrojtjeje për profilin tuaj, duke bërë të mundur që, përveç fjalëkalimit, gjatë hyrjes në llogari të kërkohet edhe një kod unik verifikimi që dërgohet në numrin e telefonit apo email adresën tuaj.

    “ Në këtë mënyrë, edhe në rast se fjalëkalimi juaj mund të merret apo të zbulohet nga persona të paautorizuar, qasja në llogarinë tuaj mbetet e mbrojtur përmes hapit të dytë të verifikimit. 2FA konsiderohet sot si një nga standardet më të sigurta për mbrojtjen e identitetit digjital dhe të të dhënave personale, veçanërisht në platformat që ofrojnë shërbime publike”, thuhet në njoftim.

    Po ashtu siç thuhet në njoftim duke pasur parasysh rëndësinë e të dhënave që administrohen përmes profilit tuaj në eKosova, aktivizimi i këtij funksionaliteti paraqet një masë parandaluese efektive për rritjen e sigurisë dhe besueshmërisë gjatë përdorimit të shërbimeve elektronike.

  • Apeli i Posaçëm lë në fuqi pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut

    Apeli i Posaçëm lë në fuqi pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut

    Gjykata e Apelit të Posaçëm lë në fuqi pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut.

    Avokati i Ballukut ka kërkuar pushim të çështjes, me pretendimin se objekti ka rënë.

    Përfaqësuesit e SPAK-ut kanë pranuar faktin se Balluku nuk është më në detyrë, por kanë kërkuar formalisht lënin në fuqi të masës “detyrim për paraqitje”.

  • Ambasada e Finlandës në Kosovë njofton shtetasit e saj me rregullat e reja: Duhet të regjistroheni brenda 72 orëve pasi të mbërrini

    Ambasada e Finlandës në Kosovë njofton shtetasit e saj me rregullat e reja: Duhet të regjistroheni brenda 72 orëve pasi të mbërrini

    Ambasada e Finlandës në Kosovë ka njoftuar shtetasit e saj se nga 15 marsi duhet të regjistrohen 72 orë nga hyrja në vend.

    Ambasada thotë se në rast akomodimi në hotel, regjistrimi mund të bëhet automatikisht.

    “Sipas legjislacionit të Kosovës, duke filluar nga 15.3.2026, të gjithë të huajt duhet të regjistrohen brenda 72 orëve nga hyrja në vend menjëherë pas mbërritjes në pikën kufitare, në aeroport ose në stacionin më të afërt të policisë. Gjatë regjistrimit kërkohet adresa e vendqëndrimit. Nëse qëndroni në një vend akomodimi ose hotel, ia vlen të kontrolloni nëse regjistrimi mund të kryhet automatikisht përmes tyre. Opsioni i tretë është të regjistroheni në një shërbim elektronik, të cilin Ministria e Punëve të Brendshme do ta publikojë më vonë”, thuhet në njoftim.

    Ambasada finlandeze shton linkun e web-faqes së autoriteteve të Kosovës.

    “ UM nuk mban përgjegjësi për rregullat e hyrjes në shtetet e huaja, siç janë kushtet lidhur me vlefshmërinë e pasaportës ose detyrimi për vizë. Sigurohuni për rregullat aktuale të hyrjes nga autoritetet e vendit të destinacionit, për shembull nga përfaqësia më e afërt e atij vendi”, thuhet në njoftim.

  • Tahiri: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese do t’i japë fund amullisë dhe polemikave mes Osmanit e Kurtit

    Tahiri: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese do t’i japë fund amullisë dhe polemikave mes Osmanit e Kurtit

    Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, ka reaguar për situatën e fundit politike.

    Kjo në kohën kur pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuse lidhur me dekretin e presidentes së vendit, Vjosa Osmani.

    Sipas Tahirit, vendimi i gjykatës do t’i japë fund amullisë dhe polemikave mes Osmanit e Kurtit.

    Postimi i plotë;

    Kosova ne pritje te vendimit te Gjykates Kushtetuese – kushtetutshmeria eshte e shenjte do t’i jap fund kesaj amullie perplote polemika, kesaj radhe mes Osmanit dhe Kurtit

  • Në Ditën e Gruas, Haxhiu: Të drejtat e grave nuk janë dhuratë, por rezultat i veprimit

    Në Ditën e Gruas, Haxhiu: Të drejtat e grave nuk janë dhuratë, por rezultat i veprimit

    Me temën globale “Të Drejta, Drejtësi, Veprim”, Agjencia për Barazi Gjinore ka shënuar 8 Marsin – Dita Ndërkombëtare e Gruas, ku Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se të drejtat e grave janë standard për mënyrën se si një shoqëri e kupton lirinë dhe demokracinë, raporton Ekonomia Online.

    Ajo theksoi se mënyra se si një vend i trajton gratë dhe vajzat është pasqyra më e ndershme e lirisë së atij vendi, duke shtuar se historia ka dëshmuar se të drejtat e grave nuk janë dhuratë, por rezultat i veprimit dhe angazhimit të vazhdueshëm të grave që kanë refuzuar ta pranojnë padrejtësinë si normalitet.

    “Në këtë frymë duhet ta themi qartë se të drejtat e grave nuk janë vetëm çështje e grave. Ato janë standart për mënyrën se si një shoqëri e kupton lirinë por po ashtu edhe demokracinë e saj. Mënyra se si një vend i trajton gratë dhe vajzat e tij është pasqyra më e ndershme e lirisë së atij vendi. Historia na ka mësuar se të drejtat e grave nuk janë dhuratë. Ato janë rezultat i veprimit. Çdo e drejtë që sot na duket e natyrshme është fituar sepse një grua dikur e ka ngritur zërin. Një tjetër ka protestuar. Dikush ka refuzuar ta pranojë padrejtësinë si normalitet. Dhe me çdo veprim të tyre, ato frymëzuan gratë e tjera ta gjejnë zërin e tyre dhe të punojnë së bashku për ndryshim të vërtetë. Këtë e dëshmojnë shumë gra në historinë tonë. Gra që e kanë kthyer bindjen në punë të përditshme”, tha ajo.

    Haxhiu shtoi se ndonëse Kosova ka bërë përparime në legjislacion, realiteti tregon se puna nuk përfundon me miratimin e ligjeve, pasi shumë gra vazhdojnë të përballen me dhunë në familje, pabarazi ekonomike dhe barriera në vendimmarrje e në tregun e punës.

    “Kosova ka bërë përparimi në ligje. realiteti na kujton se puna nuk përfundon me miratimin e ligjeve. Shumë gra vazhdojnë të përballen me dhunë në familje, me pabarazi ekonomike dhe me barriera në qasjen në vendimmarrje, por po ashtu edhe në tregun e punës. Si Kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, zotohem se do t’i fuqizojmë mekanizmat e mbikëqyrjes parlamentare dhe do t’ua kujtojmë institucioneve përkatëse përgjegjësinë që kanë në zbatimin e ligjeve. Sepse në fund të fundit, qëllimi i gjithë këtij angazhimi është që progresi për të cilin flasim të bëhet i dukshëm, i prekshëm për vajzat dhe gratë e këtij vendi. Shpesh e kam menduar edhe në të kaluarën, gjatë kohës sa kam qenë Ministre e Drejtësisë, por edhe sot si Kryetare e Kuvendit, se si duket në praktikë progresi për të cilin flasim apo flasim kaq shpesh. Ligjet, po, janë të rëndësishme. Politikat janë të domosdoshme. Por ndryshimi duhet të ndihet në jetën e përditshme. Dhe ndonjëherë ky ndryshim shfaqet në mënyrë shumë konkrete, për shembull siç e kemi parë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, ku pjesa më e madhe e deputeteve gra janë zgjedhur pa u mbështetur në kuotën gjinore”, tha ajo.

  • Kurti për 8 Marsin: Tolerancë zero për dhunën me bazë gjinore, drejtësia e barabartë është përgjegjësi e Republikës

    Kurti për 8 Marsin: Tolerancë zero për dhunën me bazë gjinore, drejtësia e barabartë është përgjegjësi e Republikës

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se drejtësia e barabartë nuk është parim abstrakt, por përgjegjësi konkrete e Republikës së Kosovës, raporton Ekonomia Online.

    Ai theksoi se drejtësia e barabartë nënkupton zbatim të plotë të të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe ligj në çdo institucion, mos tolerim të dhunës në familje dhe diskriminimit, si dhe ndjekje penale të rasteve të tilla.

    “Në ditën ndërkombëtare të gruas flasim për drejtësi të barabartë, jo si një parim abstrakt, por si një përgjegjësi e Republikës së Kosovës. Drejtësia e barabartë në Kosovë do të thotë që të drejtat e garantuara nga kushtetuta dhe ligji të zbatohen plotësisht në çdo gjykatë, në çdo vend pune, në çdo komunë dhe në çdo stacion policie. Do të thotë që dhuna në familje dhe diskriminimi nuk tolerohen, justifikohen ose fshihen, por ndiqen penalisht dhe parandalohen. Do të thotë që çdo vajzë dhe grua në Kosovë ka qasje të barabartë në arsim dhe mundësi cilësore për jetë dhe karrierë. Drejtësia e barabartë do të thotë që gratë nuk janë vetëm votuese, por edhe vendimmarrëse. Do të thotë përfaqësim i barabartë në politikë, lidership, në institucione publike dhe pjesëmarrje kuptimplote në formësimin e së ardhmes së vendit tonë. Sepse një demokraci nuk mund të jetë e fortë nëse gjysma e popullsisë së saj është e nënpërfaqësuar”, tha ai në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas – 8 Marsi, me temën globale të këtij viti: “Të Drejta, Drejtësi, Veprim”, organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës.

    Kurti shtoi se drejtësia e barabartë nënkupton tolerancë zero për dhunën me bazë gjinore, zbatim të urdhrave mbrojtës, mbështetje për të mbijetuarat dhe përgjegjësi për autorët e dhunës, si dhe barazi në paga dhe qasje në shërbime shëndetësore.

    “Do të thotë tolerancë zero për dhunën me bazë gjinore, jo vetëm deklarata, por urdhra mbrojtje, të drejta të zbatuara. Autorët e dhunës mbahen përgjegjës, të mbijetuarat mbështeten me ndihmë ligjore të qasshme dhe strehimore me mundësi ekonomike. Do të thotë ligje pune që garantojnë pagë të barabartë për punë të barabartë, kujdes shëndetësor që respekton dinjitetin e grave dhe ligji për familjen që mbron barazinë, si dhe institucione drejtësie të lira nga paragjykimi dhe nga ndikimi. Drejtësia e barabartë nuk është vetëm një çështje e grave, është një masë e demokracisë sonë, rrugës sonë evropiane dhe e të ardhmes sonë.

    Pra do të thotë që të drejtat e shkruara në letër duhet të zbatohen në praktikë. Gjatë mandatit tonë fuqizimi i grave dhe i vajzave ka qenë prioritet konkret, me politika, buxhet dhe me rezultate të matshme”, tha ai.

  • Nagavci: Sot e dërgojmë në Kushtetuese dekretin për shpërndarjen e Kuvendit

    Nagavci: Sot e dërgojmë në Kushtetuese dekretin për shpërndarjen e Kuvendit

    Anëtarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se sot do ta dërgojnë në Kushtetuese dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, i shpallur nga Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.

    Kështu ka thënë Nagavci, kur është pyetur se pse ende ky dekret nuk është dërguar në Gjykatën Kushtetuese.

    “Jemi në finalizim të shkresave, sot gjatë ditës e dërgojmë…një është dërgu vetëm tashmë”, ka thënë Nagavci për Kallxo.com

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të premten ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit të premten.

    Në seancën e jashtëzakonshme të së enjtes vonë, të mbajtur veç pak orë para skadimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit, Kuvendi e ka ndalur procesin e zgjedhjes, si pasojë e mungesës së kuorumit të nevojshëm.