ATV

Category: Lajme

  • Gërvalla: Juristët dhe avokatët shqiptarë në Zvicër janë aset i pazëvendësueshëm për institucionet tona

    Gërvalla: Juristët dhe avokatët shqiptarë në Zvicër janë aset i pazëvendësueshëm për institucionet tona

    Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, gjatë qëndrimit të saj në Zvicër, zhvilloi një takim me juristë dhe avokatë shqiptarë që veprojnë atje, të cilët i cilësoi si mbështetje të fuqishme në rrugën tonë për shtet të fortë ligjor.

    Sipas një njoftimi për media thuhet se Gërvalla vlerësoi lart profesionalizmin dhe integritetin e tyre, duke theksuar se eksperienca e tyre në sfidat dhe sukseset e sistemit juridik zviceran përbën një aset të pazëvendësueshëm për institucionet tona.

    “Rrjeti i tyre profesional krijon mundësi të jashtëzakonshme për koordinim, shkëmbim dijesh dhe projekte të përbashkëta me Odën e Avokatëve dhe institucionet e drejtësisë në Kosovë, si instrument ndihmës për forcimin e strukturave ligjore dhe avancimin e drejtësisë”, deklaroi ajo.

    Takime të tilla, siç theksoi Gërvalla, rikujtojnë se mërgata jonë është një rezervuar i jashtëzakonshëm i dijes me potencial për të ndërtuar një sistem drejtësie të fortë dhe efikas.

    “Gatishmëria e tyre për të dhënë kontributin e tyre në zhvillimin e drejtësisë në Kosovë është një shans i jashtëzakonshëm që duhet kanalizuar në strategjitë tona institucionale, për të konsoliduar një shtet ligjor që respekton standardet më të larta dhe një drejtësi që përgjigjet realisht ndaj të gjithë qytetarëve”, përfundoi Gërvalla.

  • A do të zgjidhet problemi i rrymës (në Kosovë) me energji solare?

    A do të zgjidhet problemi i rrymës (në Kosovë) me energji solare?

    Energjia solare po shihet gjithnjë e më shumë si një nga alternativat kryesore për të zbutur problemet me furnizimin me energji elektrike në Kosovë. Megjithatë, sipas Ana Tolaj e cila e udhëheq një Kompani për Energji Solare, zhvillimi i këtij tregu ende është në fazat fillestare dhe përballet me disa sfida të rëndësishme.

    Tolaj në emisionin “LIBERO” ka theksuar se në Kosovë janë realizuar vetëm disa projekte të vogla solare dhe shumica prej tyre nuk kanë arritur standardin dhe cilësinë që kërkohet për zhvillim të qëndrueshëm të sektorit.

    “…E kam studiuar tregun e Kosovës në këtë sektor. Deri tash është vetëm fillimi. Janë zhvilluar disa projekte të vogla, por jo të kualitetit dhe standardit që do të duhej të ishin…”, është shprehur ajo.

    Sipas saj, Kosova ka potencial shumë të madh për zhvillimin e energjisë solare, duke pasur parasysh numrin e madh të ditëve me diell gjatë vitit. Kjo e bën vendin një hapësirë të favorshme për instalimin e paneleve

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Ana Tolaj, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Rriten të hyrat tatimore gajtë dy muajve të parë të vitit, mbi 206 milionë euro të mbledhura

    Rriten të hyrat tatimore gajtë dy muajve të parë të vitit, mbi 206 milionë euro të mbledhura

    Dy muajt e parë të këtij viti janë karakterizuar me rritje të të hyrave tatimore në Kosovë, duke reflektuar një nivel më të lartë të përmbushjes së obligimeve nga tatimpaguesit dhe përmirësim të vazhdueshëm të proceseve të administrimit fiskal.

    Sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), gjatë kësaj periudhe janë mbledhur 206.9 milionë euro të hyra nga tatimet. Kjo paraqet një rritje prej 22.6 milionë eurosh apo 12.2 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

    Nga ATK-ja theksojnë se kjo rritje nuk reflekton vetëm performancën më të mirë në mbledhjen e të hyrave, por edhe progresin në forcimin e administrimit tatimor si dhe në zgjerimin e bazës së tatimpaguesve që përmbushin rregullisht obligimet e tyre.

    Autoriteti tatimor bëri të ditur se do të vazhdojë të punojë për konsolidimin e këtij trendi pozitiv përmes avancimit të proceseve të punës, rritjes së përdorimit të teknologjisë në administrimin tatimor, analizës më të thelluar të riskut si dhe intensifikimit të aktiviteteve kundër ekonomisë joformale.

    Ndërkohë, Administrata Tatimore e Kosovës rikujton tatimpaguesit se afati për dorëzimin e deklarimit vjetor të të ardhurave është deri më 31 mars. ATK-ja u bën thirrje të gjithë tatimpaguesve që ta përmbushin këtë obligim ligjor brenda afatit të përcaktuar, duke shfrytëzuar shërbimet elektronike për një proces më të lehtë dhe më efikas të deklarimit.

  • Përmendi fjalën pushkatim për Osmanin, Geci pas reagimit të Presidencës: Nuk kam nxitur dhunë

    Përmendi fjalën pushkatim për Osmanin, Geci pas reagimit të Presidencës: Nuk kam nxitur dhunë

    Pas reagimit të Presidenca e Kosovës ndaj deklaratave të tij, Halil Geci ka publikuar një reagim publik duke sqaruar qëndrimin e tij lidhur me shkrimin ku kishte komentuar veprimet e presidentes Vjosa Osmani.

    Në reagimin e tij, Geci thotë se në shkrimin e publikuar kishte shprehur vetëm një mendim kritik mbi respektimin e Kushtetutës dhe se deklaratat e tij janë interpretuar gabimisht.

    “Kam theksuar se, sipas vlerësimit tim dhe duke u mbështetur edhe në opinionet e disa njohësve të së drejtës kushtetuese, veprimet e Presidentes mund të konsiderohen si shkelje e Kushtetutës. Kjo çështje nuk është ngritur vetëm nga unë, por është përmendur edhe nga juristë dhe ish-gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese”, ka shkruar ai.

    Geci ka përmendur edhe deklarimet publike të juristëve si Enver Hasani dhe Mazllum Baraliu, duke thënë se edhe ata kanë diskutuar në media për mundësinë e shkeljeve kushtetuese nga institucionet.

    Ai ka shtuar se reagimi i Presidencës ndaj tij është i tepruar dhe se debati publik për respektimin e Kushtetutës duhet të jetë i lejuar në një shoqëri demokratike.

    “Kritika ndaj institucioneve nuk duhet të interpretohet si sulm personal, por si pjesë e lirisë së shprehjes dhe e kulturës demokratike”, ka shkruar Geci.

    Sipas tij, referenca e bërë ndaj shembujve nga Turqia në shkrimin e tij kishte karakter krahasues dhe informues dhe nuk ishte thirrje për veprime të dhunshme.

    “Unë nuk kam kërcënuar askënd dhe as nuk kam nxitur dhunë. Kam shprehur vetëm një mendim kritik dhe qytetar mbi respektimin e Kushtetutës dhe përgjegjësinë e institucioneve publike”, thuhet në reagim.

    Ndryshe, më herët Presidenca e Kosovës kishte reaguar duke dënuar gjuhën e përdorur nga Geci ndaj presidentes Vjosa Osmani, pasi ai kishte përdorur termin “pushkatim” në një koment të tij publik, duke e cilësuar një gjuhë të papranueshme dhe që nxit dhunë në diskursin publik.

    Pas këtij reagimi, Halil Geci e ka edituar më vonë postimin e tij në rrjetet sociale duke hequr fjalinë “Po të ishte në Turqi, do të pushkatohej”.

  • AGK dënon pengimin e gazetares Vesa Hoda nga mbrojtja e afërt e kryeministrit Kurti

    AGK dënon pengimin e gazetares Vesa Hoda nga mbrojtja e afërt e kryeministrit Kurti

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pasi gazetarja e Klan Kosovës, Vesa Hoda, është penguar fizikisht nga pjesëtarë të mbrojtjes së afërt të kryeministrit Albin Kurti, derisa po tentonte të parashtrojë pyetje për çështje të interesit publik.

    Në reagimin e publikuar, AGK-ja ka dënuar sjelljen e pjesëtarëve të sigurisë, duke theksuar se pengimi i gazetares përbën cenim të punës së mediave.

    Sipas njoftimit, gazetarja kishte tentuar të bënte pyetje lidhur me krizën rreth zgjedhjeve të reja pas një ngjarjeje, kur njëri nga pjesëtarët e Policisë e ka shtyrë fizikisht.

    “Kjo është një sjellje e papranueshme dhe minim i punës së gazetarëve dhe mediave”, thuhet në reagimin e AGK-së.

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës u ka bërë thirrje institucioneve që të respektojnë punën e mediave dhe të mos krijojnë pengesa për raportim.

    “AGK-ja i bën thirrje Policisë së Kosovës dhe Zyrës së Kryeministrit që mos krijojnë pengesa, por të lejojnë gazetarët dhe mediat që të bëjnë punën e tyre në kërkim të përgjigjeve për tema të interesit publik”, thuhet më tej në reagim.

  • Regjisorja Erleta Rexhepi bëhet pjesë e jurisë përzgjedhëse në një festival ndërkombëtar

    Regjisorja Erleta Rexhepi bëhet pjesë e jurisë përzgjedhëse në një festival ndërkombëtar

    Regjisorja shqiptare Erleta Rexhepi, do të jetë pjesë e jurisë përzgjedhëse në një nga festivalet ndërkombëtare të teatrit që do të mbahet në Krakovë të Polonisë, gjatë muajit maj.

    Rexhepi në emisionin “LIBERO” ka bërë të ditur se është përzgjedhur si anëtare e jurisë që do të vlerësojë dhe përzgjedhë shfaqjet pjesëmarrëse nga vende të ndryshme të botës.

    “…Jam pjesë e anëtarëve të jurisë përzgjedhëse të shfaqjeve. Kanë aplikuar shfaqje nga shtete të ndryshme të botës dhe festivali do të mbahet në muajin maj…”, është shprehur ajo.

    Sipas Rexhepit, festivali zhvillohet në bashkëpunim edhe me festivale të tjera ndërkombëtare nga Gjermania, Korea… duke krijuar një platformë të rëndësishme për shkëmbimin e përvojave artistike.

    Ky festival synon t’u japë mundësi artistëve nga vende të ndryshme të prezantojnë artin dhe punën e tyre në skenë, si dhe të nxisë bashkëpunimin mes shteteve që prodhojnë shfaqje teatrale.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Erleta Rexhepit, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Piktorja Drenusha Palloshi: Humbja e Shpat Kasapit më ka marrë një copë nga jeta ime

    Piktorja Drenusha Palloshi: Humbja e Shpat Kasapit më ka marrë një copë nga jeta ime

    Piktorja Drenusha Palloshi ishte e ftuar në emisionin “LIBERO” dhe ajo rrëfeu me dhimbje për ndarjen nga jeta të këngëtarit Shpat Kasapi, i cili ishte edhe familjar i saj i afërt.

    Palloshi ka treguar se Shpati ishte djali i tezës së saj dhe se mes tyre kishte një lidhje shumë të fortë familjare dhe shpirtërore.

    “…Shpati është djali i tezës sime… Humbja e Shpatit ka marrë një copë nga jeta ime me vete. Kam pasur një lidhje shumë të madhe me të”, është shprehur ajo.

    Artistja theksoi se gjatë vitit të fundit kishin komunikuar shumë me njëri-tjetrin, gjë që i jep një lloj qetësie shpirtërore në këtë moment të vështirë.

    “…Së fundmi kemi komunikuar shumë me të (vitin e fundit shumë) dhe e kam një rehati shpirtërore se kam komunikuar, por njeriu asnjëherë nuk ngopet me njerëzit e dashur…”, u shpreh Palloshi.

    Humbja e Shpat Kasapit ka prekur jo vetëm familjen dhe miqtë e tij, por edhe publikun që e ka ndjekur dhe dashur ndër vite për kontributin e tij në muzikë.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Drenusha Palloshit, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Situata në Lindjen e Mesme, ShBA evakuon stafin nga konsullata në Turqinë jugore, pezullon shërbimet

    Situata në Lindjen e Mesme, ShBA evakuon stafin nga konsullata në Turqinë jugore, pezullon shërbimet

    Shtetet e Bashkuara të hënën pezulluan shërbimet në Konsullatën e Përgjithshme në Adana dhe urdhëruan largimin e stafit jo-thelbësor nga Turqia jugore për çështje sigurie.

    Në një deklaratë të publikuar në platformën X, Departamenti amerikan i Shtetit tha se vendimi u mor për shkak të rreziqeve të sigurisë.

    “Më 9 mars 2026, Departamenti i Shtetit urdhëroi që punonjësit jo-emergjentë të qeverisë amerikane dhe familjarët e tyre të largohen nga Konsullata e Përgjithshme në Adana për shkak të rreziqeve të sigurisë”, thuhet në deklaratë.

    Në njoftim gjithashtu u bë thirrje që qytetarët amerikanë në rajon të largohen.

    “Amerikanët në juglindje të Turqisë inkurajohen fuqishëm të largohen tani”, shtohet më tej.

  • Konjufca takon ambasadorin e Japonisë: U diskutua për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve

    Konjufca takon ambasadorin e Japonisë: U diskutua për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve

    Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka pritur në takim të Ngarkuarin me Punë të Ambasadës së Japonisë në Republikën e Kosovës, Hiroyasu Tanigaki.

    Në këtë takim, Tanigaki ka uruar Konjufcën për marrën e detyrës dhe kanë diskutuar për interesat dhe vlerat e përbashkëta që e forocojnë lidhjen mes dy vendeve.

    “Gjatë bisedës u trajtua pjesëmarrja e Kosovës në EXPO në Japoni, si dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy vendeve. U përmend gjithashtu se Universiteti i Prishtinës tashmë ofron kurse të gjuhës japoneze, duke krijuar një urë të re bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve. Në takim u theksua edhe përputhja e qëndrimeve gjeopolitike ndërmjet Kosovës dhe Japonisë, si dhe përkushtimi i përbashkët për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar. Zëvendëskryeministri Konjufca gjithashtu i përcolli urimet e tij Japonisë për formimin e qeverisë së re dhe për emërimin e Kryeministres së re”, thuhet në njoftim të MPJD-së.

    Në këtë njoftim thuhet se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për forcimin e mëtejshëm të partneritetit me Japoninë.

  • Për herë të dytë: Raketa iraniane hyn në hapësirën ajrore turke, rrëzohet nga NATO

    Për herë të dytë: Raketa iraniane hyn në hapësirën ajrore turke, rrëzohet nga NATO

    Një raketë balistike e lëshuar nga Irani është rrëzuar në hapësirën ajrore turke, sipas ministrisë turke të mbrojtjes.

    Raketa u shkatërrua nga mbrojtjet e NATO-s me bazë në Mesdheun lindor, tha ajo, duke shtuar se fragmente municionesh ranë në fusha të zbrazëta në Gaziantep, në Turqinë juglindore.

    “Ne theksojmë edhe një herë se të gjitha hapat e nevojshëm do të ndërmerren me vendosmëri dhe pa hezitim kundër çdo kërcënimi të drejtuar ndaj territorit dhe hapësirës ajrore të vendit tonë”, tha ministria e mbrojtjes.

    Është incidenti i dytë i tillë i raportuar brenda një jave – Ankaraja tha se sistemet mbrojtëse të NATO-s rrëzuan një raketë balistike ndërsa ajo po drejtohej drejt hapësirës ajrore turke të mërkurën. Teherani mohoi se e kishte lëshuar raketën.

    Incidenti “serioz” e shtyu shefin e NATO-s Mark Rutte të thoshte se Neni 5 nuk ishte në tryezë. /Skynews