ATV

Category: Lajme

  • “Lutjet tona në këtë muaj të Shenjtë janë që të jemi përsëri bashkë”, Endrit Thaçi dedikim ish-presidentit gjatë iftarit me nënën e tij

    “Lutjet tona në këtë muaj të Shenjtë janë që të jemi përsëri bashkë”, Endrit Thaçi dedikim ish-presidentit gjatë iftarit me nënën e tij

    Endrit Thaçi dhe Lumnije Thaçi, djali dhe gruaja e ish presidentit Thaçi, kanë ngrënë iftar bashkë.

    Endriti, ka publikuar një foto me nënën e tij duke thënë se “tryeza është më e qetë” pa babanë e tij.

    Ai thotë se në këtë muaj të Shenjtë, luten që Thaçi t’u bashkohet atyre përsëri.

    Postimi i plotë:

  • I dha fund jetës me fostoksinë, shpallet në kërkim bashkëshorti i 25-vjeçares nga Lezha, në trupin e saj u konstatuan edhe shenja dhune

    I dha fund jetës me fostoksinë, shpallet në kërkim bashkëshorti i 25-vjeçares nga Lezha, në trupin e saj u konstatuan edhe shenja dhune

    Kjo është 25-vjeçarja Xhuana Nikollaj nga Lezha, e cila një ditë më parë ndërroi jetë në QSUT, si pasojë e vetëhelmimit me fostoksinë.

    Pas ngjarjes, familjarët e saj kanë bërë kallëzim në Komisariatin nr. 2 në Tiranë ndaj bashkëshortit të saj, shtetasit Eraldo Fizi duke pretenduar se ai ushtronte dhunë ndaj të resë.

    Sipas burimeve, në trupin e 25-vjeçares janë konstatuar edhe shenja dhune, raporton Top Channel.

    Në lidhje me këtë rast, Policia e Tiranës e ka shpallur bashkëshortin në kërkim për veprat penale “dhunë në familje” dhe “shkaktim i vetëvrasjes”.

    Uniformat blu kanë ushtruar kontrolle edhe në banesën e tij në Lezhë, por ai nuk është gjetur.

    Ndërkohë, vijojnë kërkimet për lokalizimin e tij, pasi pritet të merret në pyetje lidhur me pretendimet e ngritura nga familjarët e të ndjerës.

    Xhuana Nikollaj jetonte në Shëngjin dhe kishte përfunduar studimet për drejtësi. Po ashtu, nuk kanë munguar reagimet në rrjetet sociale për vdekjen e parakohshme të 25-vjeçares, ku miq të saj kanë shprehur dhimbjen dhe ngushëllimet për ndarjen e saj nga jeta.

  • FSK vizitë në shërbimin mjekësor të Bundeswehrit Gjerman

    FSK vizitë në shërbimin mjekësor të Bundeswehrit Gjerman

    Me ftesë të shefit të shërbimit mjekësor të Bundeswehrit Gjerman dhe me urdhër të KOMFSK, një delegacion nga Komanda e Logjistikës së Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka realizuar vizitë zyrtare në shërbimin mjekësor të ushtrisë gjermane në Berlin.

    Gjatë kësaj vizite, bëhet e ditur se delegacioni i FSK-së është takuar me Ralf Hoffmann dhe stafin e tij, po ashtu edhe me përfaqësuesit e këshilltarëve të NALT-it që kanë shërbyer në Kosovë në kuadër të NALT.

    “Gjatë kësaj vizite delegacioni i FSK-së ka marrë pjesë në DV-DAY gjatë realizimit të UF mjekësor “MEDVAL QUADRIGA 2026”, ku kanë parë nga afër procedurat e trajtimit të ushtarëve të lënduar në pikën e lëndimit (PoI), pikën e grumbullimit të pacientëve (CCP), procedurat e evakuimit deri te kapacitetet ROL 1 deri në ROL 4, procedurat e evakuimit strategjik (STRATEVAC), trajtimin përfundimtar dhe rehabilitimin e të lënduarve, gjithashtu gjatë vizitës delegacioni është takuar edhe me përfaqësuesit e Qendrës së NATO-s për Ekselencë (NATO COE) dhe delegacionet e shërbimeve mjekësore të ushtrive mike, pjesëmarrëse në këtë aktivitet”, thuhet në një njoftim të FSK-së.

    Delegacioni i FSK-së, në emër të KOMFSK gjeneral Jashari, kan falënderuar Gjenerallejtënant Hoffmann për mbështetjen e vazhdueshme që Bundesëehri gjerman është duke e dhënë për FSK-në, e veçanërisht për shërbimin mjekësor të FSK-së, si dhe kanë diskutuar për zhvillimin edhe më tej të bashkëpunimit mes dy shërbimeve tona mjekësore

  • Gjendet trupi i pajetë i Alush Kastratit, Latifi: Ishte babai i dëshmorit Mazllum Kastrati

    Gjendet trupi i pajetë i Alush Kastratit, Latifi: Ishte babai i dëshmorit Mazllum Kastrati

    Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka shprehur ngushëllime familjes Kastrati për vdekjen e familjarit të tyre Alushit, i cili u gjet sot pa shenja jete nga ekipet e kërkim-shpëtimit në malet e Zatriqit.

    Kreu i kësaj komune u shpreh se Alush Kastrati, ishte babai i dëshmorit Mazllum Kastrati, një prind që i dha atdheut më të shtrenjtën e tij dhe që jetoi me krenari dhe sakrificë për lirinë e Kosovës.

    “Shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjitha ekipet që u angazhuan pa ndërprerë në kërkim: Policinë e Kosovës, ekipet profesionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës, bashkëpunëtorët, së bashku me drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe me ekipet komunale për emergjenca të shëndetësisë dhe të zjarrfikësve. Po ashtu, falënderojmë organet e tjera kompetente profesionale, ekipet vullnetare të kërkim-shpëtimit (shoqata e Kosovës për kërkim-shpëtim) dhe të gjithë qytetarët që ndihmuan dhe u angazhuan gjatë këtyre ditëve të vështira të operacionit të udhëhequr nga nënkolonel Arsim Berisha”, ka shkruar Latifi në Facebook.

    “Familjes Kastrati i shpreh ngushëllimet më të sinqerta! U prehsh në qetësi, baca Alush!”, u shpreh numri një i Rahovecit.

    80 vjeçari Alush Kastrati, ishte shpallur i zhdukur më 7 mars, teksa sot u gjet i vdekur pas disa ditë kërkimesh të pandërprera.

  • Demonstratat e 81-tës, Kurti: Tërë Kosova iu përgjigj thirrjeve të studentëve për të protestuar

    Demonstratat e 81-tës, Kurti: Tërë Kosova iu përgjigj thirrjeve të studentëve për të protestuar

    Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i ka kujtuar demonstratat e studentëve të Universitetit të Prishtinës, të cilët 45 vjet më parë hapën periudhë të re për shqiptarët nën Jugosllavi.

    “Ajo erdhi si një organizim i gjerë i nisur nga studentët, që një javë më parë, më 4 mars, kishin kundërshtuar kushtet e këqija në mensën e universitetit, por që protesta e tyre ishte ngritur në nivel artikulimesh politike”, shkroi Kurti në profilin e tij në Facebook.

    Kurti deklaroi se mijëra njerëz nga tërë Kosova u përgjigjen në thirrjen studentëve të Universitetit të Prishtinës për të protestuar.

    “Kërkesat e tyre përmbledheshin pas parullës ‘Kosova Republikë’, e shkruar shkurtimisht edhe si “KR”, që ishte kërkesa e shqiptarëve brenda Jugosllavisë për Kosovën si republika e shtatë në kuadër të Federatës. Demostrata e 11 marsit, u pasua nga demostrata gjithëpopullore më 26 mars, si dhe me 1 dhe 2 prill 1981, që asaj stine ia dhanë epitetin e Pranverës ‘81, si stinë e kryengritjes politike dhe rizgjimit kombëtar të shqiptarëve nën Jugosllavi”.

    I pari i ekzekutivit, theksoi se demostratat e shqiptarëve në vitin 1981, janë ndër ngjarjet kyçe në historinë politike të Kosovës.

    “Ato ishin organizim i indinjatës qytetare dhe i revoltës së shqiptarëve si një populli që nën Jugosllavi ishte i shtypur dhe i nënpërfaqësuar politikisht, i diskriminuar etnikisht dhe i shfrytëzuar ekonomikisht”, shkroi tutje ai.

    Duke kujtuar atë ditë, Albin Kurti thotë se demonstratat e vitit 1981 u shtypën dhunshëm nga policia jugosllave, pasuar nga mijëra arrestime, ndalime arbitrare, gjyqe politike dhe verdikte që rezultuan me mijëra të burgosur e vite të shumta dënimesh me burg.

    “Por demostratat e pranverës së vitit 1981, e futën organizimin politik të shqiptarëve në Jugosllavi në një kahje të re, që kulmoi me rezistencën e armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku u bashkëorganizuan shumë nga ata që kishin qenë të organizuar edhe më 1981. Sot në 45 vjetorin e demostratave të vitit 1981, duke i kujtuar ato ngjarje dhe zhvillime historike, i kujtojmë me mirënjohje të gjithë individët dhe grupet që i dhanë jetë atij zhvillimi politik me ngjarje historike dhe të gjithë brezat që u përbashkuan te demostratat e vitit 1981”.

  • Gjykimi në Hagë drejt fundit, Specialja thotë se e respekton Kushtetutën e Kosovës për të drejtat e të akuzuarve

    Gjykimi në Hagë drejt fundit, Specialja thotë se e respekton Kushtetutën e Kosovës për të drejtat e të akuzuarve

    Gjykata Speciale ka publikuar në njoftim në faqen zyrtare të saj në “X” duke shkruar se gjyqtarët e Hagës sigurojnë se të drejtat e të akuzuarve respektohen në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

    Specialja shkruan se nëse një i akuzuar s’është i kënaqur me ndonjë vendim, ai mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese të Dhomave të Specializuara.

    “Nëse një i akuzuar beson se një vendim nuk është në përputhje me ligjin ose shkel të drejtat e tij, ai mund ta apelojë vendimin te një panel i veçantë gjyqtarësh dhe, si mjet i fundit, te Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në njoftim.

    “Në vendimmarrjen e tyre, gjyqtarët ndjekin Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe vendimet e marra më parë nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.Vetëm Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese ka zbatuar të paktën 160 raste të vendosura më parë nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut për të siguruar që vendimet e saj të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut”, thekson Specialja.

  • Dënohet me një vjet burgim me kusht A.I. që kërcënoi gazetarët në gjykatë, AGK mirëpret vendimin

    Dënohet me një vjet burgim me kusht A.I. që kërcënoi gazetarët në gjykatë, AGK mirëpret vendimin

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka mirëpritur vendimin e marrë këtë të mërkurë për dënimin me një vjet burgim të A.I pas kërcënimit ndaj ekipeve të gazetarëve e monitoruesve të Betimi për Drejtësi dhe Nacionale.

    Sipas një njoftimi të Gjykatës Themelore të Gjilanit, A.I “i është shqiptuar dënim me një (1) vit burgim, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i pandehuri brenda 2 (dy) viteve nuk kryen vepër tjetër penale.”

    “A.I me një gjest si “ekzekutim” iu ishte drejtuar në një seancë pronash në Viti gazetares së Nacionales, Eriola Cacaj, kameramanit Drilon Namani si dhe monitoruesit të Betimi për Drejtësi, Flamur Kabashi. Rasti kishte ndodhur më 30 janar”, njofton AGK.

    AGK-ja ka përshëndetur “efikasitetin me të cilin gjykata e ka trajtuar këtë rast dhe prioritetin që i është dhënë, me besimin se kjo praktikë do të vazhdojë edhe në të ardhmen”.

    “AGK-ja ka mirëpritur Strategjinë e KGJK-së të miratuar në janar të këtij viti, e që prioritizon rastet gjyqësore që ndërlidhen me shpifjen dhe sigurinë e gazetarëve dhe të anëtarëve të shoqërisë civile”.

  • Policia njofton se i zhdukuri nga Rahoveci u gjet i vdekur

    Policia njofton se i zhdukuri nga Rahoveci u gjet i vdekur

    Policia e Kosovës, ka njoftuar se i zhdukuri nga Rahoveci është gjetur i vdekur.

    Në njoftimin e PK’së, bëhet e ditur se trupi i Alush Kastratit u gjet në një zonë malore, disa kilometra larg fshatit Zatriq.

    Njoftimi:

    Gjendet një trup i pajetë në një zonë malore, dyshohet se është personi i zhdukur në Rahovec

    Rahovec, 11 mars 2026

    Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, njofton opinionin publik se në kuadër të operacionit të kërkimit lidhur me zhdukjen e personit Alush Kastrati, sot ekipet e angazhuara në terren kanë hasur në një trup të pajetë në një zonë malore, disa kilometra larg fshatit Zatriq.

    Trupi i gjetur, bazuar në përshkrimet dhe të dhënat e njohura, dyshohet të jetë i personit të raportuar si i zhdukur në këtë rast. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore dhe në koordinim me prokurorin e shtetit janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale.

  • Hykmete Bajrami thirrje rinisë: Ata që janë të pakënaqur me situatën aktuale politike le t’i bashkohen LDK-së

    Hykmete Bajrami thirrje rinisë: Ata që janë të pakënaqur me situatën aktuale politike le t’i bashkohen LDK-së

    Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka uruar Forumin Rinor të LDK-së në 36 vjetorin e themelimit.

    Bajrami ka pasur një thirrje për të rinjtë që s’janë të kënaqur me situatën aktuale politike që t’i bashkohen LDK-së meqë aty janë dyert e hapura për ta.

    “Urimet më të sinqerta me rastin e 36-vjetorit të gjithë themeluesve dhe atyre që sot janë pjesë e Forumit Rinor të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërsa të rinjve që ende s’janë pjesë e kësaj organizate u them se nëse s’jeni të kënaqur me situatën politike aktuale dhe dëshironi të kontribuoni që ajo të ndryshojë, shtëpia e demokracisë i ka dyert e hapura për ju!”, ka shkruar Bajrami.

  • Gjendet i moshuari i zhdukur nga Rahoveci

    Gjendet i moshuari i zhdukur nga Rahoveci

    Është gjetur i moshuari Alush Kastrati, i cili ishte shpallur i zhdukur që nga 7 marsi në fshatin Zatriq të Rahovecit.

    Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim njoftoi se 80-vjeçari u lokalizua pas angazhimit dhe kërkimeve intensive të ekipeve të saj, në bashkëpunim me Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Policinë e Kosovës.

    “Pas angazhimit dhe kërkimeve intensive nga ekipet e Shoqatës së Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim, në bashkëpunim me Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Policinë e Kosovës, është gjetur personi i zhdukur, z. Alush Kastrati”, thuhet në njoftimin e shoqatës.

    Shoqata falënderoi gjithashtu vullnetarët, institucionet dhe qytetarët që kontribuan në operacionin e kërkimit, duke theksuar se bashkëpunimi dhe solidariteti i tyre ishte i rëndësishëm për përfundimin e suksesshëm të misionit.

    Për gjendjen shëndetësore të 80-vjeçarit pritet të jepen informacione shtesë në vijim.