ATV

Category: Lajme

  • Kushtetuesja e Maqedonisë V. refuzon përdorimin e shqipes në mesazhet për gjoba në trafik

    Kushtetuesja e Maqedonisë V. refuzon përdorimin e shqipes në mesazhet për gjoba në trafik

    Gjykata Kushtetuese në Maqedoni të Veriut ka vendosur të refuzojë të tri iniciativat me të cilat u kontestuan dispozitat e Ligjit për kundërvajtje, gjegjësisht aplikimi i sistemit “Qyteti i Sigurt”. Dispozitat ligjore u kontestuan në disa aspekte, siç është përdorimi zyrtar i gjuhëve në procedurë kundërvajtëse, parimi i barazisë dhe zbatimi territorial. Vendimit në fjalë i parapriu një debat i gjerë me mendime të ndara, posaçërisht nga gjykatësit shqiptarë sa i përket aplikimit të gjuhës shqipe në këtë rast.

    Iniciativat në Gjykatën Kushtetuese u dorëzuan nga Zijadin Sela, Ilire Dauti, Elmi Aziri, Ylli Paçuku dhe Arben Taravari. Aplikimi i sistemit të kamerave “Qyteti i Sigurt” ka filluar të aplikohet nga muaji shkurt në qytetin e Shkupit, Tetovës dhe Kumanovës.

    “Me ligjin që e miraton shtëpia ligjvënëse, për çdo të drejtë që vërtetohet apo garantohet me Kushtetutë, ligjvënësi nuk mundet që atë të drejtë ta ngushtojë, ta kufizojë e aq më pak ta shfuqizojë atë. Nuk e ka një të drejtë të tillë. Në rastin konkret, çështja e përdorimit të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, edhe në procedurat për këto kundërvajtje. E drejta nuk po zbatohet dhe kjo d.m.th. se gjuha shqipe nuk po përdoret”, tha gjykatësi kushtetues, Osman Kadriu.

    Kryetari i Kushtetueses në Maqedoninë e Veriut, Darko Kostadinovski, tha se nuk pajtohet që “bëhet fjalë për shkurtimin e të drejtave për përdorimin e gjuhëve”.

    Ai tha se SMS-at për gjoba të dërgohen në maqedonisht dhe mund të dërgohen edhe në gjuhën angleze, por jo në gjuhën shqipe.

    Ndaj këtyre deklaratave pati reagime të shumta.

    Bashkimi Demokratik për Integrim ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të Kostadinovskit.

    “Bashkimi Demokratik për Integrim reagon ashpër ndaj deklaratave skandaloze dhe të papranueshme të kryetarit të Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Darko Kostadinovski. Me qëndrimet e tij të djeshme dhe me një seri vendimesh gjatë dy viteve të fundit, ai ka dëshmuar se ky institucion është shndërruar në një mjet politik për të minuar çdo arritje që buron nga Marrëveshja e Ohrit. Deklaratat e tij për çështjen e projektit “Safe City”, sipas të cilave porositë SMS duhet të dërgohen vetëm në maqedonisht, ndërkohë që mund të dërgohen edhe në anglisht, por jo në shqip, përbëjnë një akt të hapur diskriminimi dhe një shkelje të rëndë të frymës dhe të vetë Kushtetutës së shtetit”, thuhet në reagimin e BDI-së.

    Sipas BDI-së me këtë veprim, kryetari i Gjykatës Kushtetuese jo vetëm që tejkalon kompetencat e tij, por ndërhyn brutalisht në rendin juridik dhe në marrëdhëniet ndëretnike në vend.

    “Edhe një herë u dëshmua se gjyqtarët shqiptarë dhe ai turk në këtë gjykatë u mbivotuan, duke rikthyer praktika që i kujtojnë opinionit publik kohët më të errëta të viteve të nëntëdhjeta. BDI kërkon dorëheqjen e menjëhershme të Darko Kostadinovskit dhe të çdo gjyqtari që ndan të njëjtat qëndrime diskriminuese për këto dy vite me majorizim. Përndryshe, prej sot e tutje ai do të mbajë përgjegjësi të plotë për çdo pasojë që mund të prodhohet në planin e marrëdhënieve ndëretnike. Ne do të veprojmë dhe do të kërkojmë përgjegjësi për këto qëndrime, të cilat nuk janë të rastësishme dhe as të sotme, por janë ndërtuar sistematikisht gjatë dy viteve të fundit”, thuhet në reagimin e BDI-së.

    Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi ka reaguar ndaj deklaratës së Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Kostadinovski lidhur me përdorimin vetëm të maqedonishtes në sistemin “Safe City”. Në intervistën e lajmeve në Alsat, Durmishi tha Kryetari i Gjykatës Kushtetuese duhet ta mbrojë Kushtetutën dhe jo të merrer me politikë ditore.

    “Përveç gjuhës maqedonase, sipas kushtetutës gjuhë zyrtare është edhe gjuha të cilën e flasin të paktën 20% e qytetarëve, pra gjuha shqipe. Prandaj as kryetari i gjykatës kushtetuese dhe askush tjetër nuk mund ta mohojë këtë të drejtë, as ta interpretojë kushtetutën ashtu siç dëshiron ai. Ne do të bëjmë betejën tonë brenda Qeverisë, brenda Ministrisë së Brendshme”, tha Durmishi në intervistë për Alsat.

  • Qorrolli: Nëse Osmani kthehet në LDK, VV-ja ta harrojë edhe 40 përqindshin

    Qorrolli: Nëse Osmani kthehet në LDK, VV-ja ta harrojë edhe 40 përqindshin

    Ekonomisti Adem Qorrolli ka komentuar zhvillimet politike në vend dhe raportet mes partive kryesore, duke u ndalur veçanërisht te roli i presidentes Vjosa Osmani.

    Duke folur në Debat Plus, Qorrolli tha se Osmani, në aspektin politik, vazhdon të ketë ndikim të madh te elektorati i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    Sipas tij, nëse presidentja do të rikthehej në këtë parti, kjo do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë në rezultatet elektorale të Lëvizjes Vetëvendosje.

    “Vjosa Osmani njëherë përnjëherë është liderë e LDK-së, po të kthehet në LDK VV-ja le ta harron tanimë edhe 40-shin se më 50 i ka të fshira”, ka thënë Osmani.

  • Këshilli i Sigurimit i OKB-së miraton rezolutën që i kërkon Iranit t’i ndalojë sulmet në Gjirin Persik

    Këshilli i Sigurimit i OKB-së miraton rezolutën që i kërkon Iranit t’i ndalojë sulmet në Gjirin Persik

    Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka miratuar një rezolutë që dënon sulmet e Iranit ndaj vendeve të Gjirit dhe Jordanisë dhe kërkon ndërprerjen e tyre të menjëhershme.

    Asnjë vend nuk votoi kundër.

    Pas votimit, Ambasadori i Iranit në OKB, Amir-Saeid Iravani, iu drejtua Këshillit dhe shprehu “keqardhje të thellë” për miratimin e rezolutës. “Kjo është një ditë keqardhjeje të thellë, si për Këshillin e Sigurimit ashtu edhe për bashkësinë ndërkombëtare. Miratimi i sotëm është një goditje serioze për besueshmërinë e Këshillit dhe lë një njollë të përhershme”, tha Iravani.

    “ Akti i sotëm përfaqëson një abuzim të hapur të mandatit të Këshillit të Sigurimit”, tha ai, duke kritikuar ashpër Shtetet e Bashkuara për zhvillimin e një “lufte barbare kundër popullit iranian” dhe nxitjen e konfliktit, përfshirë vrasjen e udhëheqësit suprem të Iranit, Ali Khamenei.

    “Kjo rezolutë është një padrejtësi e hapur ndaj vendit tim, i cili është viktima kryesore e një akti të qartë agresioni. Ajo shtrembëron realitetin në terren dhe injoron qëllimisht shkaqet rrënjësore të krizës aktuale”, tha Iravani, duke akuzuar SHBA-në dhe Izraelin se qëndrojnë pas rezolutës.

    Qëndrimet e Rusisë dhe Kinës

    Duke iu drejtuar Këshillit, ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia, tha se vendi i tij abstenoi nga votimi për projektrezolutën “sepse ishte jashtëzakonisht e pabalancuar” dhe nuk do t’i shërbente qëllimit të “arritjes së paqes dhe sigurisë ndërkombëtare”.

    “Na vjen keq për situatën në të cilën janë gjendur vendet e Lindjes së Mesme. Për më tepër, i konsiderojmë sulmet ndaj infrastrukturës civile të shteteve arabe në Gjirin Persik të papranueshme”, tha Nebenzia.

    Ambasadori i Kinës në OKB, Zhang Jun, i tha Këshillit se konflikti “nuk ka as legjitimitet dhe as bazë ligjore” dhe se SHBA-të dhe Izraeli duhet të ndalojnë sulmet e tyre për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm të situatës në rajon.

    Këshilli i Sigurimit i OKB-së votoi gjithashtu për një projektrezolutë të propozuar nga Moska të mërkurën, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të ndërpresin veprimet ushtarake në Lindjen e Mesme, por propozimi nuk u miratua.

  • Rriten sërish çmimet e naftës

    Rriten sërish çmimet e naftës

    Çmimet e naftës janë rritur sërish të enjten, pavarësisht se vendet kryesore ranë dakord të lirojnë një sasi rekord nafte nga rezervat e tyre të emergjencës, ndërsa përpiqen të frenojnë ndikimin e luftës së Iranit.

    Nafta bruto Brent u rrit me pothuajse 9% duke arritur në 100 dollarë (74.79 dollarë) për fuçi në tregtimin e Azisë, edhe pasi të 32 anëtarët e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA) thanë se do të lirojnë 400 milionë fuçi në përgjigje të shqetësimeve për furnizimin, raporton BBC.

    Të mërkurën, Irani paralajmëroi se nafta mund të arrijë në 200 dollarë për fuçi, ndërsa sulmet e tij ndaj anijeve intensifikohen në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë ujore kyçe për dërgesat e energjisë.

    Një zëdhënës i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) tha se çdo anije e lidhur me ShBA-në, Izraelin ose aleatët e tyre do të jetë në shënjestër.

  • Tahiri: Kurti i frikësohet zgjedhjeve, po e sheh fuqinë e Vjosa Osmanit

    Tahiri: Kurti i frikësohet zgjedhjeve, po e sheh fuqinë e Vjosa Osmanit

    Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, në ”Click” të RTV21 ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti po shmang zgjedhjet për shkak të situatës aktuale politike në Kosovë.

    “Kurti po i frkësohet zgjedhjeve për shkak se po e sheh që fuqia e presidentes Vjosa Osmani ka qenë bukur e madhe, po e sheh se opozita nuk është dorëzuar, po sheh se opozita mundet me u ribashku dhe e din që përgjegjësia kryesore për bllokadë është e tij,” tha Tahiri.

    Ai shtoi se kjo situatë tregon tensionin në mes të ekzekutivit dhe institucioneve të tjera, si dhe nevojën për dialog dhe bashkëpunim për të shmangur krizën politike dhe për të siguruar funksionim normal të shtetit.

  • Osmani edhe tri javë presidente, pëfundon mandatin 5 vjeçar

    Osmani edhe tri javë presidente, pëfundon mandatin 5 vjeçar

    Më 4 prill, me 71 vota për, Kuvendi e zgjodhi Vjosa Osmanin në postin e presidentes së Kosovës me mandat pesëvjeçar.

    5 vjet pas, Osmanit në këtë detyrë i kanë mbetur edhe 24 ditë.

    Deri në përmbyllje të mandatit, ajo do ta ushtrojë pozitën e kreut të shtetit me kompetenca të plota. Por, si do t’i kalojë Osmani tri javët e mbetura në Presidencë si kryetare shteti?

    “Këto tri javë janë më tepër të nevojshme për ta përmbyllë mandatin, për të përgatitur dorëzimin e detyrës, për të proceduar ndoshta me njoftimin e partnerëve ndërkombëtarë, kjo puna e prezantimit të Kosovës në Bordin e Paqes mbetët të shihet se si do të funksionalizohet”, tha Besa Luzha- njohëse politike

    Në presidencë nuk i kthyen përgjigje RTK-së në pyetjet e dërguara.

    Tashmë, Osmani po pret emrat e kandidatëve për anëtarë të KQZ-së, nga subjektet politike. Afati i fundit për dorëzimin e emrave është 15 marsi, ndërsa Osmani, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, do të ketë 5 ditë kohë për emërimin e tyre.

    “Ju ka kërkua partive të rekomandojnë përfaqësuesit për KQZ sepse është diçka që është e domosdoshme sepse nëse shkojmë në zgjedhje, KQZ-ja duhet të funksionalizohet”, tha Luzha.

    Osmani, është gruaja e dytë, pas Atifete Jahjagës, e zgjedhur presidente në historinë e shtetit të Kosovës. Në zgjedhjet e atëhershme të 14 shkurtit, ajo ishte personi më i votuar, me mbi 300 mijë vota.

  • Koci: Kushtetuesja s’do të presë deri më 31 mars, do të anulohet dekreti i Osmanit

    Koci: Kushtetuesja s’do të presë deri më 31 mars, do të anulohet dekreti i Osmanit

    Sipas politologut Melazim Koci, Gjykata Kushtetuese shumë më shpejt se që ka paralajmëruar do të dalë me vendimin mbi dekretin e presidentes për shpërndarjen e Kuvendit, e ai është i bindur se vendimi do të jetë me anulim të atij dekreti. Gjykata më 9 mars pati vendosur masë të përkohshme ndaj dekretit për shpërndarjen e Kuvendit, masë që vlen deri më 31 mars.

    Ai ka thënë se katër nenet e Kushtetutës e thonë qartë se kur mund të shpërndahet Kuvendi, dhe siç ka thënë ai, në rastin aktual nuk parasheh në asnjë pikë shpërndarje të Kuvendit.

    “Besoj shumë që Gjykata Kushtetuese do të marrë vendim para 31 marsit, këtë e mbështes në faktin se rasti nuk është i ndërlikuar. Pavarësisht qëndrimeve politike, rasti është shumë i qartë, kemi të bëjmë me shkelje të rëndë kushtetuese, por që lehtë deshifrohet”, ka thënë ai në Interaktiv.

    Koci ka shtuar se minimumi që mund ta bënte presidentja Vjosa Osmani para vendimit, ishte konsultimi me partitë politike.

    “Minimumi nëse presidentja është thirrur në këtë nen (86), është dashur të ftojë partitë politike, të konsultohet dhe pastaj ta marrë vendimin. Ne jemi demokraci parlamentare dhe nuk është presidentja dhe kryeministri mbi Kuvendin, ata i përgjigjen Kuvendit. Prandaj jam i bindur se ky rast do përfundojë shpejt me anulim të dekretit të presidentes Osmani”, ka theksuar ai.

    Sipas masës së përkohshme të vendosur nga Gjykata Kushtetuese, që është në fuqi deri më 31 mars, presidentja Vjosa Osmani nuk mund t’i shpallë zgjedhjet, por edhe Kuvendi mbetet pa aktivitet.

    Presidentja Osmani nxori dekret për shpërndarjen e Kuvendit, pasi Kuvendi në ditën e fundit të afatit kushtetues dështoi të zgjedhë presidentin.

    Mandati i Osmanit si presidente përfundon më 4 prill.

    Ndërkohë, vendimi i Kushtetueses mund t’ia kthejë funksionalitetin Kuvendit për së paku 60 ditë ose ta dërgojë vendin në zgjedhje.

  • Temperatura pranverore edhe sot

    Temperatura pranverore edhe sot

    Sot në Kosovë pritet të mbajë mot kryesisht me diell dhe relativisht i ngrohtë pranveror. Do të ketë vranësira të pakta lokale, por pa ndonjë ndikim në atmosferë.

    Temperaturat pritet të lëvizin nga 0 deri në 18 gradë Celsius.

    Nga e premtja pritet të kemi mot me diell, por në disa zona edhe me zhvillime të vranësirave sidomos në pjesë të Shqipërisë dhe Malit të Zi ku mund të ketë rrebeshe të izoluara shiu me vetëtima dhe bubullimë kryesisht orëve të pasdites. Në Kosovë më pak zhvillime, por mund të ndodhin rrebeshe të izoluara dita ditës.

  • Vdekja e 3-vjeçares, reagojnë anesteziologët: Mos gjykoni para se të përfundojnë hetime

    Vdekja e 3-vjeçares, reagojnë anesteziologët: Mos gjykoni para se të përfundojnë hetime

    Shoqata e Anesteziologëve dhe Intensivistëve të Kosovës, ka reaguar pas vdekjes tragjike të një fëmije 3-vjeçar, duke shprehur ngushëllime për familjen dhe duke kërkuar trajtim më të kujdesshëm të rastit në opinionin publik.

    Në reagimin e saj, shoqata thekson se dhimbja e familjes duhet të trajtohet me respekt dhe dinjitet, ndërsa kërkon që rasti të mos shndërrohet në temë sensacionaliste në media apo në rrjete sociale.

    Në të njëjtën kohë, shoqata ka shprehur shqetësim për akuzat publike të drejtpërdrejta ndaj anesteziologut, të bëra ende pa përfunduar hetimet institucionale dhe profesionale.

    Sipas tyre, gjykimet e parakohshme rrezikojnë të krijojnë perceptime të gabuara në opinion dhe të dëmtojnë besimin në sistemin shëndetësor.

    Shoqata rikujton se anesteziologjia është një specialitet që funksionon mbi standarde të rrepta ndërkombëtare për sigurinë e pacientit dhe përfshin monitorim të vazhdueshëm të funksioneve jetësore gjatë procedurave mjekësore.

    Megjithatë, theksohet se anestezioni i përgjithshëm, veçanërisht tek fëmijët e vegjël, mund të shoqërohet me komplikime të rralla dhe të paparashikueshme, të lidhura me gjendjen shëndetësore të pacientit, reagimin individual të organizmit apo faktorë të tjerë klinikë dhe gjenetikë.

    Për këtë arsye, shoqata kërkon që rasti të trajtohet me profesionalizëm dhe të analizohet në mënyrë të pavarur nga autoritetet kompetente për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe shkaqet.

  • “Turp” – Ish-shefja e komunikimit në MPJD kritikon Gërvallën për largimin e fotografive dhe flamurit të UÇK-së

    “Turp” – Ish-shefja e komunikimit në MPJD kritikon Gërvallën për largimin e fotografive dhe flamurit të UÇK-së

    Ish-shefja e komunikimit në kabinetin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) gjatë mandatit të ministres Meliza Haradinaj, Alkena Dervishaj, ka reaguar ashpër pas publikimit të një fotografie ku shihen në mbeturina fotografi të ish-ministrave të këtij institucioni.

    Përmes një reagimi publik, Dervishaj ka rikujtuar se një nga vendimet e para të ministres Meliza Haradinaj, kur mori detyrën, ishte vendosja e fotografive të ish-ministrave në korridorin e katit të katërt të ministrisë, si shenjë respekti për vazhdimësinë institucionale. Sipas saj, edhe pse shumica e ish-ministrave nuk i përkisnin partisë politike të Haradinajt, kjo nuk kishte rëndësi, pasi në institucion përfaqësohet shteti dhe jo partia.

    “Kur hyn në institucion nuk përfaqëson më parti, përfaqëson institucionin dhe respekton të gjithë ata që kanë qenë para teje, pa dallim,” ka shkruar ajo.

    Dervishaj theksoi se me disa prej këtyre ish-ministrave kanë pasur përplasje të forta mendimesh ndër vite, por sipas saj respekti institucional nuk ka munguar. Ajo po ashtu ka përmendur edhe një vendim tjetër të asaj kohe, kur për nder të Epopesë së UÇK-së, misioneve diplomatike të Kosovës u ishte dërguar flamuri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për t’u vendosur krahas flamurit shtetëror.

    Sipas Dervishajt, me ardhjen në krye të MPJD-së, ish-ministrja Donika Gërvalla Schwarz ka urdhëruar largimin e fotografive të ish-ministrave si dhe heqjen e flamurit të UÇK-së nga misionet diplomatike. Ajo shtoi se kjo qasje, sipas saj, po vazhdon edhe nga pasardhësi i saj në këtë post.

    “Vazhdimësia institucionale është këputur në vitin 2021 dhe përdhosja e çdo vlere të këtij shteti është shndërruar në normë,” ka deklaruar Dervishaj. Duke iu referuar fotografisë së publikuar së fundmi, ajo ka thënë se pamja e fotografive të ish-ministrave në mbeturina është “fytyra e vërtetë e kësaj kaste politike pesëvjeçare”. “Shkatërro dhe sundo. Turp,” ka përfunduar reagimi i saj.