ATV

Category: Lajme

  • Gjendet i moshuari i zhdukur nga Rahoveci

    Gjendet i moshuari i zhdukur nga Rahoveci

    Është gjetur i moshuari Alush Kastrati, i cili ishte shpallur i zhdukur që nga 7 marsi në fshatin Zatriq të Rahovecit.

    Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim njoftoi se 80-vjeçari u lokalizua pas angazhimit dhe kërkimeve intensive të ekipeve të saj, në bashkëpunim me Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Policinë e Kosovës.

    “Pas angazhimit dhe kërkimeve intensive nga ekipet e Shoqatës së Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim, në bashkëpunim me Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Policinë e Kosovës, është gjetur personi i zhdukur, z. Alush Kastrati”, thuhet në njoftimin e shoqatës.

    Shoqata falënderoi gjithashtu vullnetarët, institucionet dhe qytetarët që kontribuan në operacionin e kërkimit, duke theksuar se bashkëpunimi dhe solidariteti i tyre ishte i rëndësishëm për përfundimin e suksesshëm të misionit.

    Për gjendjen shëndetësore të 80-vjeçarit pritet të jepen informacione shtesë në vijim.

  • Kurti priti në takim Komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Ulutaş

    Kurti priti në takim Komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Ulutaş

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralmajor Özkan Ulutaş.

    Në komunikatë bëhet e ditur se Komandanti Ulutaş e uroi kryeministrin Kurti për mandatin e ri qeverisës dhe diskutuan për bashkëpunim të ngushtë mes misionit të NATO-s në Kosovë – KFOR dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.

    “Në takim u diskutua për situatën e sigurisë, në një kohë të zhvillimeve dhe ndryshimeve të mëdha në botë që mund të paraqesin sfida për sigurinë, me ç’rast Kryeministri vlerësoi komunikimin e mirë dhe të vazhdueshëm. Kryeministri Kurti e falënderoi komandantin Ulutaş për kontributin dhe rolin e tij të rëndësishëm në udhëheqjen e KFOR-it dhe për bashkëpunimin me institucionet e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

  • Disa studentë e profesorë protestojnë në veri kundër integrimit në sistemin kosovar të arsimit

    Disa studentë e profesorë protestojnë në veri kundër integrimit në sistemin kosovar të arsimit

    Disa studentë dhe profesorë të Universitetit në Mitrovicën e Veriut kanë protestuar të mërkurën kundër shkrirjes së sistemit të tyre të arsimit në atë kosovar.

    Duke mbajtur pankarta me mbishkrime si “Pse po hesht Beogradi” dhe “Sipas cilit sistem të marrim frymë”, ata u mblodhën në qendër të qytetit për ta kundërshtuar synimin e autoriteteve kosovare për një sistem të vetëm arsimor.

    Universiteti në Mitrovicën e Veriut punon në sistemin e Serbisë.

    Studenti i Fakultetit Filologjik në këtë universitet, Lluka Peçenkoviq, tha se “jemi lënë në mëshirë të fatit”, dhe se autoritetet po heshtin sepse “kështu janë urdhëruar”.

    Ai tha gjithashtu se protesta e së mërkurës u mbajt pa mbështetjen e rektoratit dhe se themeluesi i universitetit, pra Qeveria e Serbisë, “na e ka kthyer shpinën”.

    “Profesorë, të tjerë që kanë frikë, që janë të shantazhuar, gjithsesi do të humbim. Ata që ju kërcënojnë me humbjen e vendit të punës, nuk do të mund ta zbatojnë atë kërcënim. Luftoni për interesin tuaj dhe tonin, interesin e përbashkët”, tha Peçenkoviq.

    Profesoresha Mitra Reliq u bëri thirrje autoriteteve kosovare që t’u lëshojnë “vërtetim për jetë”, për arsimim dhe për ruajtjen e identitetit, ndërsa Beogradin zyrtar e ftoi të qëndrojë përkrah Universitetit që e ka themeluar.

    Çështja e integrimit të shëndetësisë dhe arsimit serb në Kosovë u ngrit në shtator të vitit të kaluar, kur kryeministri Albin Kurti theksoi se sistemi i dyfishtë nuk është i qëndrueshëm dhe se është e nevojshme shkrirja e tyre në një.

    Ai tha asokohe se për integrimin do të punohej së bashku me përfaqësuesit politikë të komunitetit serb, por edhe me bashkësinë ndërkombëtare, gjë që ua përcolli përsëri ambasadorëve të vendeve të QUINT-it (SHBA, Francë, Britani e Madhe, Gjermani dhe Itali) në dy raste që nga fillimi i vitit.

    Megjithatë, deri më tani nuk është saktësuar qartë se cilat modele të integrimit po shqyrtohen.

    Bashkimi Evropian, në një përgjigje për REL, kishte deklaruar se statusi i strukturave dhe shërbimeve shëndetësore dhe arsimore që në Kosovë mbështeten nga Serbia do të zgjidhet në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, në përputhje me marrëveshjet e arritura dhe me ligjet e Kosovës.

    Për integrimin e shëndetësisë dhe arsimit në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit ngul këmbë edhe Beogradi zyrtar, si dhe Lista Serbe si partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e pushtetit të tanishëm në Serbi.

    Ndërkohë, Universiteti i Prishtinës më 10 shkurt i dha afat prej 30 ditësh Fakultetit të Shkencave Teknike të Universitetit në Mitrovicën e Veriut që të largohet nga hapësirat që përdor ose të fillojë të paguajë qira.

    Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, tha më herët për Radio Evropa e Lirë se kërkesa për lirimin e pronës së “uzurpuar” është dërguar në bazë të ligjeve në fuqi dhe procedurave të Kosovës.

    Ai tha gjithashtu se Universiteti i Prishtinës është i përkushtuar për vënien në përdorim të “të gjitha objekteve dhe hapësirave të tij, për të cilat ekziston nevojë e madhe, pa vonesa të mëtejshme”.

    Nga ana tjetër, rektori i Universitetit në Mitrovicën e Veriut, Nebojsha Arsiq, kishte thënë për portalin Kossev se Fakulteti i Shkencave Teknike nuk funksionon në sistemin juridik të Kosovës dhe se nuk kishte mundësi t’i përgjigjej kërkesës në mënyrë institucionale, por se në lidhje me hapat e mëtejshëm “pret udhëzime”.

  • Arrestohen në flagrancë dy të dyshuar për fajde, i kërkonin viktimës shtëpinë e lokalet në vlerë rreth 1 milion euro në emër të kamatave

    Arrestohen në flagrancë dy të dyshuar për fajde, i kërkonin viktimës shtëpinë e lokalet në vlerë rreth 1 milion euro në emër të kamatave

    Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prizren kundër fajdeve, ku ka arrestuar dy persona të dyshuar.

    Sipas Prokurorisë, të dyshuarit me veprimet e tyre në vazhdimësi kanë detyruar viktimën të paguaj shuma të ndryshme të parave si interes për fajde, si dhe në emër të kamatave të fajdesë përmes formave të ndryshme të presionit, kanë kërkuar nga viktima marrjen e shtëpisë dhe dy lokaleve të tij në Prizren, vlera e te cilave është rreth 1 milion euro.

    Ata janë arrestuar në flagrancë gjatë përpjekjes se tyre për ta detyruar viktimën në rregullimin e dokumentacionit për bartjen e pronësisë së shtëpisë dhe dy lokaleve pronë e viktimës.

    “Me urdhëresë nga gjykata është kontrolluar vendbanimi i dy të dyshuarve, me ç ’rast janë gjetur dhe sekuestruar dëshmi materiale të cilat do të përdoren në procedurën penale ndaj te dyshuarve. Ndaj dy të dyshuarve E.K., dhe A.K., Prokurori i Shtetit – PTH-Prizren ka lëshuar aktvendim për ndalim”, thuhet në njoftim.

    Më poshtë gjeni pamje nga aksioni:

  • Rama reagon për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mbylljen e TikTok-ut

    Rama reagon për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mbylljen e TikTok-ut

    Kryeministri Edi Rama ka reaguar së fundmi përmes një postimi në “X” lidhur me vendimarrjen e Gjykatës Kushtetuese e cila ka konsideruar mbylljen e TikTok-ut si antikushtetuese dhe se ka cenuar lirinë e shprehjes.

    Rama shkruan se sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese 90% e prindërve dhe mësuesve shqiptarë ishin gabim kur kërkuan mbylljen e TikTok. Sipas tij falë mbylljes së TikTok sot prindërit dhe mësuesit mund të jenë më të lehtësuar. Ai thekson se hapja e TikTok u bë pasi kompania ka shtuar masat extra.

    “Gjykata Kushtetuese mendoka që 90% e prindërve dhe mësuesve shqiptarë ishin gabim kur kërkuan mbylljen e TIKTOK-ut! Fatmirësisht ne e rihapëm TIKTOK-un vetëm falë mirëkuptimit që gjetëm tek kompania për masat extra që u morën prej saj, pikërisht nga impakti i mbylljes, se të ishte për Gjykatën Kushtetuese, s’do ishte mbyllur fare dhe as masat pozitive s’do kishin ardhur dot! Falë asaj mbylljeje sot prindërit dhe mësuesit mund të jenë pakëz më të lehtësuar, ndërsa falë këtij vendimi që s’dua t’ia ve emrin që ka, shpifësit mund të ndjehen të inkurajuar”, shkruan Rama.

    Mbyllja e TikTok-ut, Gjykata Kushtetuese në Shqipëri: Cenoi lirinë e shprehjes

  • Lideri i ri suprem Mojtaba Khamenei është plagosur lehtë

    Lideri i ri suprem Mojtaba Khamenei është plagosur lehtë

    Lideri suprem i sapoemëruar i Iranit, Mojtaba Khamenei u plagos lehtë, por po vazhdon të veprojë.

    Kështu i tha një zyrtar iranian agjencisë së lajmeve “Reuters” të mërkurën.

    Zyrtari nuk dha detaje se kur u plagos ose pse nuk kishte bërë asnjë deklaratë për publikun që kur u ai u emërua lider i ri.

  • Mbyllja e TikTok-ut, Gjykata Kushtetuese në Shqipëri: Cenoi lirinë e shprehjes

    Mbyllja e TikTok-ut, Gjykata Kushtetuese në Shqipëri: Cenoi lirinë e shprehjes

    Gjykata Kushtetuese në Shqipëri u shpreh për mbylljen e platformës TikTok, duke deklaruar se vendimi ishte antikushtetues dhe u cenua liria e shprehjes.

    Sipas gjykatës aplikacioni i TikTok nuk mund të bllokohej me vendim qeverie, raporton TopChannel.

    “Mbyllja e TikTok me vendim qeverie ishte antikushtetuese. Kufizimi i të drejtave dhe lirive të qytetarëve mund të bëhet vetëm me ligj”, argumenton Kushtetuesja.

  • Furgoni përplaset me barrikadën e Shtëpisë së Bardhë, arrestohet shoferi i tij

    Furgoni përplaset me barrikadën e Shtëpisë së Bardhë, arrestohet shoferi i tij

    Një shofer është ndaluar pasi përplasi një furgon me një barrikadë pranë Shtëpisë së Bardhë të mërkurën në mëngjes.

    Oficerët u dërguan për të ndihmuar agjentët e Shërbimit Sekret rreth orës 6:37 të mëngjesit të mërkurën, pasi një furgon kaloi një barrikadë sigurie pranë rezidencës presidenciale.

    Sipas policisë së kryeqytetit amerikan, nuk raportohet se nuk pati të lënduar, transmeton Telegrafi.

    Një incident i ngjashëm ndodhi në tetor, kur një burrë u arrestua për përplasjen e automjetit të tij me një barrierë sigurie të Shtëpisë së Bardhë.

    Përplasja çoi në bllokimin e Shtëpisë së Bardhë dhe një reagim nga skuadra e deminimit, e cila përfundimisht e konsideroi situatën të sigurt. /Telegrafi/

  • Zgjedhjet e reja afër, Osmani fillon procedurën për emërimin e KQZ’së së re, partitë edhe 5 ditë afat për propozime

    Zgjedhjet e reja afër, Osmani fillon procedurën për emërimin e KQZ’së së re, partitë edhe 5 ditë afat për propozime

    Vetëm edhe 5 ditë të tjera subjektet politike kanë afat për t’i dërguar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, propozimet për anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Përbërja e re e KQZ-së pritet të reflektojë rezultatin e subjekteve politike nga zgjedhjet e fundit parlamentare, të cilat u mbajtën më 28 dhjetor 2025, shkruan Gazeta Express.

    Sipas këtyre rezultateve, 6 anëtarë pritet të emërohen nga radhët e subjekteve politike shqiptare: 2 nga Vetëvendosje, 2 nga PDK dhe nga një anëtar për LDK dhe AAK. Katër anëtarë të tjerë do të emërohen nga radhët e komuniteteve pakicë.

    Aktualisht, në KQZ, Vetëvendosje dhe PDK përfaqësohen nga dy anëtarë, kurse LDK dhe AAK me nga një anëtar. Nga komunitetet, Lista Serbe ka një përfaqësues, ndërkaq, turqit, boshnjakët dhe romët, gjithashtu nga një anëtar.

    Më 9 mars 2026, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u ka dërguar subjekteve politike kërkesat e veçanta nga të cilat ka kërkuar propozimet me shkrim të emrave të kandidatëve për anëtarë të KQZ-së.

    Sipas paragrafit 6 të nenit 61 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme ku flitet për mandatin dhe emërimin e anëtarëve të KQZ-së, subjektet politike duhet që brenda afatit prej 7 ditësh t’i dërgojnë propozimet e tyre. Pra, ky afat do të skadojë më 15 mars 2026.

    Po sipas të njëjtit ligj dhe të njëjtit paragraph, emërimi i anëtarëve nga presidenti bëhet brenda 5 ditësh nga dërgimi i propozimeve. Pra, afati i fundit për emërimin e tyre është data 20 mars 2026.

    Zgjedhjet e reja – DnV me thirrje për emërimin e anëtarëve të rinj

    Situata e re politike në vend, e krijuar pas dështimit të Kuvendit që deri më 5 mars të zgjedhë Presidentin e Kosovës dhe dekretit të presidentes aktuale, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës – me shumë gjasa pritet ta çojnë vendin në zgjedhje të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

    Në këto rrethana, rrjeti i organizatave që merren me monitorimin e zgjedhjeve në Kosovë, Demokracia në Veprim (DnV), më 7 mars ka kërkuar nga presidentja Osmani që të fillojë procedurën për përbërjen e re të KQZ-së.

    “Në këtë moment, kur vendi po përballet me zhvillime që pritet të çojnë drejt një procesi të ri zgjedhor dhe kur 11 marsi – si afat ligjor për këtë procedurë është drejt përfundimit – përmbyllja e procesit të emërimit të përbërjes së re të KQZ-së bëhet edhe më e rëndësishme. Kjo sidomos për shkak se legjislacioni aktual nuk parasheh më vazhdimin automatik të mandatit të përbërjes ekzistuese të KQZ-së deri në emërimin e së resë – në rast të zgjedhjeve – siç ishte rregulluar me ligjin e mëparshëm”, thuhej në kërkesën e DnV-së.

    Sipas DnV-së, “çdo proces i mundshëm zgjedhor duhet ta gjejë Kosovën me institucione zgjedhore të konsoliduara, funksionale dhe me mandat të qartë ligjor, në mënyrë që administrimi i zgjedhjeve të mos shoqërohet me dilema për legjitimitetin e tij”.

    Emrat e përfolur për anëtarë të KQZ-së

    Deri më tani, disa nga partitë politike kanë dërguar në Presidencë propozimet e tyre.

    Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Alenca për Ardhmërinë e Kosovës kanë dërguar emrat e anëtarëve aktual, Sami Hamiti dhe Muharrem Nitaj, raporton Express.

    Merret vesh se Vetëvendosje dhe PDK ende nuk kanë propozuar zyrtarisht përfaqësuesit e tyre për KQZ.

    Aktualisht, Vetëvendosje përfaqësohet nga Alban Krasniqi dhe Sami Kurteshi. Ky i fundit nuk ka të drejtë të ri-emërohet pasi që sipas ligjit për zgjedhjet “anëtarët e KQZ-së nuk mund të shërbejnë më shumë se 3 mandate të njëpasnjëshme”.

    Kurse, PDK përfaqësohet nga Ilir Gashi dhe Arianit Elshani. Ky i fundit, gjithashtu nuk mund të ri-emërohet për shkak të kufizimit të njëjtë ligjor.

  • Pse është kaq e rëndësishme Ngushtica e Hormuzit?

    Pse është kaq e rëndësishme Ngushtica e Hormuzit?

    Rreth 3,000 anije në muaj kalojnë normalisht nëpër Ngushticën e Hormuzit në Lindjen e Mesme, duke e bërë atë një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë për tregtinë e energjisë.

    Kjo ngushticë është kanali më i ngarkuar i transportit të naftës në botë, pasi rreth 20% e naftës globale kalon përmes saj çdo ditë. Ajo është gjithashtu mjaftueshëm e thellë për të lejuar kalimin e tankerëve më të mëdhenj të naftës bruto.

    Rruga detare përdoret nga disa prej prodhuesve më të mëdhenj të energjisë në rajon, përfshirë Irani, Iraku, Kuvajti, Katari, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

    Megjithatë, lufta në rajon ka ulur ndjeshëm trafikun detar në këtë zonë. Sipas United Kingdom Maritime Trade Operations, janë raportuar 13 anije të sulmuara që nga fillimi i konfliktit.

    Situata ka ndikuar edhe në tregjet globale të energjisë. Çmimi i naftës u rrit mbi 100 dollarë për fuçi, përpara se deklaratat e Donald Trump se lufta ishte “pothuajse e përfunduar” të çonin në një rënie të çmimit në rreth 90 dollarë për fuçi, megjithëse kjo mbetet ende mbi nivelet para luftës.

    Ngadalësimi i trafikut përmes Ngushtica e Hormuzit ka ngritur shqetësime globale, pasi çdo ndërprerje në këtë rrugë strategjike mund të rrisë çmimet e energjisë, transportit dhe prodhimit në mbarë botën.