ATV

Category: Lajme

  • “Turp” – Ish-shefja e komunikimit në MPJD kritikon Gërvallën për largimin e fotografive dhe flamurit të UÇK-së

    “Turp” – Ish-shefja e komunikimit në MPJD kritikon Gërvallën për largimin e fotografive dhe flamurit të UÇK-së

    Ish-shefja e komunikimit në kabinetin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) gjatë mandatit të ministres Meliza Haradinaj, Alkena Dervishaj, ka reaguar ashpër pas publikimit të një fotografie ku shihen në mbeturina fotografi të ish-ministrave të këtij institucioni.

    Përmes një reagimi publik, Dervishaj ka rikujtuar se një nga vendimet e para të ministres Meliza Haradinaj, kur mori detyrën, ishte vendosja e fotografive të ish-ministrave në korridorin e katit të katërt të ministrisë, si shenjë respekti për vazhdimësinë institucionale. Sipas saj, edhe pse shumica e ish-ministrave nuk i përkisnin partisë politike të Haradinajt, kjo nuk kishte rëndësi, pasi në institucion përfaqësohet shteti dhe jo partia.

    “Kur hyn në institucion nuk përfaqëson më parti, përfaqëson institucionin dhe respekton të gjithë ata që kanë qenë para teje, pa dallim,” ka shkruar ajo.

    Dervishaj theksoi se me disa prej këtyre ish-ministrave kanë pasur përplasje të forta mendimesh ndër vite, por sipas saj respekti institucional nuk ka munguar. Ajo po ashtu ka përmendur edhe një vendim tjetër të asaj kohe, kur për nder të Epopesë së UÇK-së, misioneve diplomatike të Kosovës u ishte dërguar flamuri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për t’u vendosur krahas flamurit shtetëror.

    Sipas Dervishajt, me ardhjen në krye të MPJD-së, ish-ministrja Donika Gërvalla Schwarz ka urdhëruar largimin e fotografive të ish-ministrave si dhe heqjen e flamurit të UÇK-së nga misionet diplomatike. Ajo shtoi se kjo qasje, sipas saj, po vazhdon edhe nga pasardhësi i saj në këtë post.

    “Vazhdimësia institucionale është këputur në vitin 2021 dhe përdhosja e çdo vlere të këtij shteti është shndërruar në normë,” ka deklaruar Dervishaj. Duke iu referuar fotografisë së publikuar së fundmi, ajo ka thënë se pamja e fotografive të ish-ministrave në mbeturina është “fytyra e vërtetë e kësaj kaste politike pesëvjeçare”. “Shkatërro dhe sundo. Turp,” ka përfunduar reagimi i saj.

  • Nagavci: VV ishte e bindur që Glauk Konjufca ka më shumë vota në Kuvend sesa Vjosa Osmani

    Nagavci: VV ishte e bindur që Glauk Konjufca ka më shumë vota në Kuvend sesa Vjosa Osmani

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka thënë se kanë qenë të bindur se Glauk Konjufca ka mbështetje më të madhe në Kuvend sesa Vjosa Osmani.

    “Sikurse e kemi bërë të ditur, ne kemi qenë të bindur që Glauk Konjufca do të ketë më shumë mbështetje sesa Vjosa Osmani. Kjo për shkak të diskutimeve në grupin tonë dhe partnerët tanë që jemi në koalicion, ne e kemi ditur që Glauk Konjufca do t’i merr 66 vota”, ka thënë ajo në T7.

    Nagavci, u pyet se pse kur VV nuk ka qëndruar në sallë për zgjedhjen e asnjë presidenti, ata tani mendojnë që opozita duhet të qëndrojë.

    “ LVV i ka pas gjithmonë qëndrimet e veta publike, sikurse e dini për emra specifik konkret kemi pas qëndime si subjekt politik..Është e ditur pse LVV ka kundërshtuar në atë kohë, ndërkohë në situatën që jemi nuk kemi dëgju asnjë arsye as nga PDK e as nga LDK”, tha ajo.

    Ajo është pyetur se nga i doli 60 ditëshi Lëvizjes Vetëvendosje, duke u pyetur edhe për deklaratën e Hekuran Muratit që nëse nuk zgjidhet presidenti deri më 4 mars vendi shkon në zgjedhje.

    “Kah doli 60 ditëshi, është shprehimisht e cekur në kushtetutë, neni 82 pika parë që flet për shpërndarjen e Kuvendit. Unë besoj që Murati e ka thënë këtë për finalizimin dhe konstituimin sa më parë të Kuvendit të Kosovës, vitin e fundit e kemi humbur 1 vit për mos gatitshmërinë e deputetëe të opozitës për të votuar”, ka thënë Nagavci.

  • Abdixhiku zbulon bisedën me Kurtin për presidentin: A duam marrëveshje apo zgjedhje?

    Abdixhiku zbulon bisedën me Kurtin për presidentin: A duam marrëveshje apo zgjedhje?

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka zbuluar detaje nga diskutimi që kishte me kryeministrin dhe liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit të Kosovës.

    Abdixhiku tha se gjatë takimit e kishte pyetur Kurtin nëse synimi është arritja e një marrëveshjeje apo shkuarja në zgjedhje.

    “A i kemi këto takime sa për sy e faqe? Që bëhemi se po takohemi dhe në fund përfundojmë në zgjedhje dhe këtë punë e marrim vesh për pak ditë, apo do të shkojmë drejt zgjedhjes së presidentit?”, deklaroi Abdixhiku në Klan Kosova.

    Sipas tij, ekzistojnë tri alternativa për procesin e zgjedhjes së presidentit. E para, tha ai, është imponimi i një kandidature, gjë që sipas Abdixhikut do të çonte vendin drejt zgjedhjeve parlamentare.

    “Në qoftë se imponon kandidaturë, atëherë shkojmë në zgjedhje. Nuk ka nënshtrim, nuk nënshtrohet askush”, theksoi ai.

    Abdixhiku shtoi se Kurti i ka thënë se nuk ka qëllim për imponim të kandidatit. Në këtë rast, sipas tij, mbeten edhe dy mundësi të tjera: gjetja e një kandidati konsensual pa përkatësi partiake, ose arritja e një marrëveshjeje klasike politike mes partive.

    “Mu tha që jemi për këto të dyja. Preferojmë konsensusin e gjerë”, u shpreh Abdixhiku.

  • Gjendet në Dresden të Gjermanisë një bombë 250 kg nga Lufta e Dytë Botërore, evakuohen rreth 18 mijë banorë

    Gjendet në Dresden të Gjermanisë një bombë 250 kg nga Lufta e Dytë Botërore, evakuohen rreth 18 mijë banorë

    Rreth 18.000 banorë u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre në qendër të Dresden pas gjetjes së një bombe nga Lufta e Dytë Botërore në bregun e lumit Elbe River, në operacionin më të madh të evakuimit që është kryer ndonjëherë në këtë qytet të Gjermanisë Lindore.

    Piroteknikët neutralizuan një bombë britanike 250 kilogramëshe, e cila u gjet gjatë punimeve në një urë, një pjesë e së cilës kishte rrëzuar në vitin 2024.

    Operacioni nisi rreth orës 09:00 me pjesëmarrjen e mbi 400 policëve, helikopterëve dhe dronëve. Qëllimi ishte të sigurohej që shtëpitë, dyqanet, shkollat, shtëpitë e pleqve dhe zyrat në një rreze prej një kilometri të ishin evakuuar, ka transmetuar Panorama.

    Mes ndërtesave të prekura ishin edhe monumente historike të Dresdesë, si pallati Zwinger Palace dhe Kisha e Shën Mërisë (Frauenkirche). Policia njoftoi se bomba e neutralizuar do të transportohet në një qendër të specializuar për t’u shkatërruar në mënyrë të sigurt.

    Në janar dhe gusht të vitit 2025, në Dresden u gjetën dhe u neutralizuan edhe bomba të tjera nga periudha e Luftës së Dytë Botërore. Qyteti ishte bombarduar rëndë nga Aleatët më 13-14 shkurt 1945.

  • Ambasada Britanike i dhuron Policisë së Kosovës 2 automjete dhe 16 dronë me vlerë 153 mijë euro

    Ambasada Britanike i dhuron Policisë së Kosovës 2 automjete dhe 16 dronë me vlerë 153 mijë euro

    Në kuadër të partneritetit dhe të bashkëpunimit, Ambasada Britanike në Kosovë dhuron donacion për Policinë e Kosovës, 2 automjete dhe 16 dronë me pajisje përcjellëse vlera totale e të cilit arrin 153.000,00€, njofton policia.

    Sipas PK-së, ky donacion do të ndihmoj njësitet policore në raste të ndryshme, si në identifikimin, gjurmimin, monitorimin dhe përcaktimin e vendndodhjes së automjeteve dhe personave të dyshimtë.

    Drejtori i Departamentit të Policisë Kufitare Fehmi Xhata dhe përfaqësuesja nga ambasada britaneze në Kosovë Emma Huntley në kuadër të partneritetit dhe bashkëpunimit, nënshkruan marrëveshje mbi pranim-dorëzimin e një donacioni të rëndësishëm për Policinë e Kosovës, vijon njoftimi.

    “Pajisjet e specializuara do të luajnë rol shumë të rëndësishëm, do të ndihmojnë dhe profesionalizojnë edhe më tepër punën e Policisë së Kosovës, në veçanti të njësiteve kufitare të cilat kujdesen për parandalim të krimit transkufitar, kontrabandës dhe migrimit të paligjshëm”, tha policia.

  • OVL e UÇK reagon ndaj deklaratave të Speciales për respektimin e të drejtave të të akuzuarve

    OVL e UÇK reagon ndaj deklaratave të Speciales për respektimin e të drejtave të të akuzuarve

    Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK) ka reaguar pas njoftimit të Gjykatës Speciale në Hagë, e cila përmes faqes së saj zyrtare në “X” deklaroi se gjyqtarët sigurojnë respektimin e të drejtave të të akuzuarve në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

    Në reagimin e saj, OVL e UÇK e konsideron deklaratën e gjykatës si një përpjekje për të “hedhur hi syve popullit të Kosovës”. Organizata thekson se qytetarët kanë parë gjatë gjithë këtyre viteve shkeljet e të drejtave themelore të të akuzuarve dhe nuk besojnë në respektimin real të Kushtetutës gjatë procesit.

    “Pikërisht për këtë arsye, sot shtrojmë një pyetje të thjeshtë dhe krejt legjitime: nëse gjykimi është në fazën përmbyllëse, pse bashkëluftëtarët tanë nuk lejohen ta presin verdiktin përfundimtar në shtëpitë e tyre, pranë familjeve dhe popullit të tyre?” thuhet në reagim.

    OVL e UÇK thekson se mbajtja e të akuzuarve në paraburgim të pafund është e paarsyeshme, duke kërkuar një përgjigje të qartë dhe jo deklarata formale.

    Organizata thekson se kërkon drejtësi të vërtetë dhe standarde të barabarta, siç aplikohen në çdo sistem gjyqësor demokratik.

    Ky reagim vjen në një kohë kur Gjykata Speciale po afrohet drejt përfundimit të proceseve të saj, ndërsa tensionet dhe polemikat për të drejtat e të akuzuarve mbeten një çështje me rëndësi të madhe për opinionin publik në Kosovë.

  • Trump për operacionin kundër Iranit: E kemi goditur më fort se çdo vend tjetër, ua shkatërruam flotën detare dhe forcën ajrore

    Trump për operacionin kundër Iranit: E kemi goditur më fort se çdo vend tjetër, ua shkatërruam flotën detare dhe forcën ajrore

    Donald Trump foli për operacionin ushtarak kundër Iran para gazetarëve në Washington, D.C. pasditen e së mërkurës, pak para se të hipte në helikopterin presidencial Marine One për t’u nisur drejt Joint Base Andrews.

    “Ne i nxorëm jashtë loje flotën detare dhe forcën ajrore. Fundosëm 16 anije të tyre minosëse; askush nuk ka parë kurrë diçka të tillë. Nuk kanë më radarë, udhëheqësit e tyre janë vrarë. Kemi lënë ende disa gjëra”, deklaroi presidenti amerikan për operacionin kundër Iranit.

    Ai shtoi: “I kemi goditur më fort se çdo vend tjetër në histori dhe ende nuk kemi përfunduar”.
    Trump shpjegoi se disa objektiva janë lënë qëllimisht pa u goditur. “Po lëmë disa gjëra që mund t’i shkatërronim deri pasdite, në fakt brenda një ore. Ata nuk do të mund ta rindërtonin kurrë këtë vend”, tha ai.

    Në një moment tjetër të deklaratës së tij, Trump tha se ka folur me shumë liderë botërorë. “Kam biseduar me shumë udhëheqës në botë dhe më thonë se kemi ushtrinë më të mirë. Nuk kanë parë kurrë diçka të tillë”, u shpreh ai.

    Trump iu përgjigj edhe një pyetjeje nëse janë vendosur mina detare në Ngushticën e Hormuzit. “Nuk mendojmë se ka ndodhur diçka e tillë”, tha presidenti amerikan, duke shtuar se “i shkatërruam të gjitha anijet e tyre minuese brenda një nate”.

    Ai gjithashtu inkurajoi cisternat e naftës të kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, duke këmbëngulur se kalimi është i sigurt pavarësisht sulmeve ndaj tre anijeve në këtë rrugë detare më herët gjatë së njëjtës ditë. Sipas raportimeve, Iran ka marrë përgjegjësinë për sulmet ndaj të paktën dy prej tyre.

    Megjithatë, më herët gjatë ditës, agjencia Reuters raportoi se Irani ka vendosur “rreth një duzinë mina detare”. Një nga burimet e cituara nga agjencia tha se vendndodhja e shumicës së minave është e njohur, por nuk sqaroi se si synojnë United States të përballojnë situatën.

    Trump kritikoi gjithashtu Spanjën, duke thënë se “nuk e dinë çfarë bëjnë në Spanjë, nuk janë të mirë me NATO… njerëzit në vend janë fantastikë, por udhëheqja nuk është aq e mirë”.

    Ai shtoi se spanjollët nuk janë bashkëpunues dhe përsëriti kërcënimin se “mund të ndërpresim tregtinë me Spanjën”.

    Në fund, i pyetur për situatën në Liban, presidenti amerikan tha: “Njerëzit në Liban janë shumë të mirë, por duhet të çlirohemi nga Hezbollah”.

  • Tragjedia në Zvicër, mes viktimave edhe moderatorja Lara Baumgartner

    Tragjedia në Zvicër, mes viktimave edhe moderatorja Lara Baumgartner

    Moderatorja Lara Baumgartner nga Radio Energy Bern ndodhej në autobusin e aksidentit, ku një burrë të martën në mbrëmje ndezi qëllimisht një zjarr. Ajo humbi jetën në flakë. Babai i saj dhe shtëpia mediatike Ringier e konfirmuan vdekjen e saj.

    Të martën në mbrëmje, në Ried pranë Kerzers, një grua e re hipi në autobusin postar që po udhëtonte nga Düdingen drejt Kerzers. 26-vjeçarja vdiq vetëm disa minuta më vonë në zjarrin tragjik të autobusit postar në Kerzers (FR), ku humbën jetën gjashtë persona, raporton 20min.ch, transmeton albinfo.ch.

    Ajo kishte hipur në autobus vetëm dy ndalesa para shpërthimit të zjarrit shkatërrues. Ndalesa e radhës e autobusit do të ishte te stacioni i trenit në Kerzers, prej nga zakonisht niset treni për në Bern.

    Lara Baumgartner (26) ishte moderatore në Radio Energy dhe prezantonte emisione të mesditës dhe të fundjavës nga Berna. Në faqen e saj të internetit, Radio Energy shkruan se Lara ishte një “adhuruese e njerëzve – sidomos e atyre me karakter dhe veçanti.”

    Ajo e donte psikologjinë, sepse sipas saj aty nuk ka vetëm bardhë e zi. “Lara donte të tregonte histori dhe të përjetonte emocione të mëdha – pikërisht atë që mund ta shprehte përmes radios.”

    Të mërkurën pasdite, Radio Energy njoftoi për vdekjen e moderatores në Instagram:

    “Mes viktimave ndodhet kolegia jonë e çmuar Lara Baumgartner, moderatore në Energy Bern. Lara ishte një njeri i mrekullueshëm dhe një kolege e jashtëzakonshme. E qeshura e saj, zemërgjerësia e madhe, humori i hollë dhe mënyra e saj e mençur e dashamirëse prekën shumë njerëz. Ajo lë pas një boshllëk që vështirë të përshkruhet me fjalë.”

    Baumgartner kishte një pasion të madh për skenën dhe për shumë vite kishte marrë mësime këndimi.

    “Kjo bëri që ajo sot të mos bënte kurrë gjëra përgjysmë kur bëhej fjalë për shprehje artistike”, përshkruhet ajo.

  • Ambasadori britanik: Zgjidhja e shpejtë e sfidave politike thelbësore për përparimin e Kosovës

    Ambasadori britanik: Zgjidhja e shpejtë e sfidave politike thelbësore për përparimin e Kosovës

    Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka shkruar për takimin që pati me ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla.

    Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se ka folur më Gërvallën për diskutova rëndësinë e zgjidhjes së shpejtë të sfidave politike në mënyrë që Kosova të mund të përparojë dhe të ofrojë rezultate për qytetarët.

    “Këtë pasdite e përgëzova Ministren e Drejtësisë Donika Gërvalla-Schëarz për rolin e saj të ri dhe diskutova rëndësinë e zgjidhjes së shpejtë të sfidave politike në mënyrë që Kosova të mund të përparojë dhe të ofrojë rezultate për qytetarët”.

    Në këtë takim, fokus tjetër ka qenë edhe trajtimi i dhunës në bazë gjinore dhe mbësthetjen e të mbijetuarce të dhunës seksuale.

    “Gjithashtu biseduam për bashkëpunimin e vazhdueshëm në trajtimin e dhunës me bazë gjinore dhe mbështetjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale të lidhur me konfliktin – e cila mbetet një përparësi për Mbretërinë e Bashkuar – dhe punën e Mbretërisë së Bashkuar për të mbështetur sektorin e drejtësisë”, ka thënë ai.

  • Mbi 10 mijë zyrtarë duhet deklaruar pasurinë deri më 31 mars, deri tani e deklaruan vetëm 1200 prej tyre

    Mbi 10 mijë zyrtarë duhet deklaruar pasurinë deri më 31 mars, deri tani e deklaruan vetëm 1200 prej tyre

    Me 31 mars është afati i fundit kur mbi 10 mijë zyrtarë publikë të Kosovës duhet të deklarojnë pasurinë.

    Në lidhje me këtë proces, lajmi.net ka kontaktuar me Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.

    Fillimisht, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit tregoi se mbi 1 mijë zyrtarë tanimë e kanë deklaruar pasurinë.

    “Deri më tani, numri i subjekteve deklaruese që e kanë përmbushur obligimin për deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë ka arritur në 1 mijë e 200. Procesi i deklarimit është në vijim dhe subjektet deklaruese kanë afat ligjor për ta kryer deklarimin deri më 31 mars 2026.”, thuhej në përgjigjen e tyre.

    Por, numri i zyrtarëve që duhet të deklarojnë deri me 31 mars është shumë i lartë.

    “Sipas legjislacionin në fuqi numri i përgjithshëm i subjekteve deklaruese që i nënshtrohen obligimit për deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë për këtë cikël deklarimi është rreth 10 mijë e 350.”, tha APK për lajmi.net.

    Tutje, Agjencia tha se procesi është duke u zhvilluar në përputhje me afatet dhe procedurat e përcaktuara

    “Procesi është duke u zhvilluar në përputhje me afatet dhe procedurat e përcaktuara. Gjatë këtij viti është vënë në funksion një sistem i ri për deklarimin e pasurisë, i cili edhe pse funksionon në të njëjtën logjikë si sistemi i mëparshëm, paraqitet me një formë të re. Për këtë arsye, ka raste që subjektet deklaruese kërkojnë sqarime shtesë lidhur me përdorimin e tij apo për disa çështje teknike të funksionimit të sistemit. Punonjësit e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit janë në komunikim të vazhdueshëm me subjektet deklaruese, duke ofruar edhe përmes telefonit sqarime të nevojshme për realizimin e deklarimit përmes sistemit elektronik. Marrë në përgjithësi procesi është duke vijuar mirë dhe brenda afateve të përcaktuara.”, thanë nga Agjencia.

    Përpos kësaj, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit bëri të ditur se sa janë gjobat e parapara për zyrtarët që vonohen dhe nuk e deklarojnë pasurinë në afatin e parashikuar.

    Siç thuhet nga APK, për vonesat deri në 15 ditë janë shqiptuar gjoba në vlerë prej 30 për qind nga paga mujore e zyrtarit/es përkatës.

    Vitin e kaluar në kohën e deklarimit të pasurisë, APK kishte shqiptuar 135 gjoba për këtë lloj kategorie të shkeljeve.

    Përpos gjobave, 16 raste ishin dorëzuar në organet përkatëse, saktësisht në Prokurori.

    “Në rastet kur subjektet deklaruese nuk kanë përmbushur obligimin ligjor brenda afatit të përcaktuar, Agjencia ka ndërmarrë veprimet e parapara me ligj. Për vonesa deri në 15 ditë janë shqiptuar gjoba në vlerë prej 30% të pagës mujore. Gjatë vitit të kaluar janë shqiptuar 135 gjoba për këtë kategori shkeljesh. Ndërkaq, për vonesa mbi 15 ditë dhe varësisht natyrës së shkeljes në përputhje me legjislacionin në fuqi 16 raste janë përcjellë edhe në organet kompetente – prokurori.”, tha kjo agjenci.

    Në fund, APK tregoi se sa profesorë dhe doktorë do t’i nënshtrohen këtij procesi.

    Për dallim nga vitet e kaluara tanimë në deklarim të pasurisë përfshihen edhe shumë zyrtarë shtetërorë si doktorë e profesorë.

    APK njoftoi se në deklarim të pasurisë përfshihen 1 mijë e 360 të tillë.

    “Kategoritë e subjekteve deklaruese përcaktohen në bazë të legjislacionit në fuqi. Sa i përket profesorëve dhe mjekëve që i nënshtrohen procesit të deklarimit të pasurisë, numri i tyre në këtë cikël deklarimi është 1360.”, u shprehë Agjencia.

    Ndryshe në deklarimet e kaluara të pasurive nga zyrtarët shtetërore dolën në pah shumë emra të cilët kishin pasuri të majme. Madje presidentja Vjosa Osmani ka mbërritur në milionësh të pasurisë së deklaruar.