ATV

Category: Lajme

  • BE miraton sanksione kundër 19 zyrtarëve dhe subjekteve iraniane

    BE miraton sanksione kundër 19 zyrtarëve dhe subjekteve iraniane

    Ambasadorët e Bashkimit Evropian kanë miratuar sanksione të reja kundër 19 zyrtarëve dhe subjekteve iranianë përgjegjës për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, tha sot shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaia Kalas.

    Sanksionet, të cilat kishin filluar të përgatiteshin para fillimit të luftës, do të kenë nevojë për miratimin përfundimtar nga Këshilli i BE-së.

    Ndërkohë iranianët në Teheran morën pjesë në funeralet e zyrtarëve ushtarakë iranianë të vrarë në sulme, mes konfliktit SHBA-Izrael me Iranin.

  • Shiste kokainë të ndarë në doza, arrestohet 33-vjeçari në Fier

    Shiste kokainë të ndarë në doza, arrestohet 33-vjeçari në Fier

    Policia e Fierit, arreston 33-vjeçarin Arnold Levendi, pasi shiste lënë narkotike kokainë. 33-vjeçari me precedent për krime në fushën e narkotikëve.

    Nga kontrolli fizik, atij iu gjet një dozë lënde e dyshuar narkotike Kokainë, ndërsa nga kontrolli në automjetin që drejtonte, u gjetën 23 gramë të së njëjtës lëndë, të siguruara dyshohet me qëllim shitjen.

    Bashkë me lëndën narkotike, u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, automjeti dhe 2 celularët e të arrestuarit, shkruan Abcnews.al.

    Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

  • Hakeri hyri në serverin e FBI-së me dosjet e Epstein

    Hakeri hyri në serverin e FBI-së me dosjet e Epstein

    Një haker i huaj tre vite më parë hyri në sistemin e FBI-së dhe pati qasje në dokumente të besueshme lidhur me hetimin ndaj pedofilit amerikan, Jeffrey Epstein. Hyrja ndodhi në zyrën e FBI-së në New York, sipas dokumenteve të sapobotuara të Departamentit të Drejtësisë dhe një burimi të njohur me rastin, shkruan Reuters.

    Kjo është hera e parë që publikohen detaje për atë që ka pasur qasje në server, duke përfshirë pretendimet se bëhet fjalë për një haker të huaj. FBI e përshkroi incidentin në një deklaratë si “i izoluar”. “FBI ka kufizuar qasjen për aktorin keqdashës dhe ka riparuar rrjetin. Hetimi vazhdon, kështu që në këtë moment nuk kemi komente të mëtejshme”, thuhet në deklaratë.

    Edhe pse burimi thotë se sulmi ishte veprim i një krimineli kibernetik dhe jo i një qeverie të huaj, incidenti nxjerr në pah vlerën potenciale të dosjeve të Epstein për inteligjencën. Publikimi i dokumenteve të Departamentit amerikan të Drejtësisë zbuloi lidhjet e të ndjerit financues me individë të shquar nga politika, financat, shkenca dhe biznesi, gjë që ka nxitur hetime në shumë vende.

    “Kush nuk do të përpiqej të merrte dosjet e Epsteinit nëse do të ishte në vend të një rusi ose ndonjë tjetri që kërkon materiale komprometuese?”, tha Jon Lindsay, që studion rolin e teknologjive të reja në sigurinë globale në Institutin Teknologjik të Georgias. “Do të isha i habitur nëse agjencitë e huaja të inteligjencës nuk i konsideronin seriozisht dosjet e Epsteinit si objektiv”, shtoi ai.

    Sulmi ndodhi pasi serveri në Laboratorin Forenzik për shfrytëzimin e fëmijëve në zyrën e FBI-së në New York mbeti i pambrojtur. Sipas burimeve dhe dokumenteve, serveri mbeti i ekspozuar pa qëllim nga agjenti special Aaron Spivack ndërsa përpiqej të kuptonte procedurat komplekse të agjencisë për menaxhimin e provave digjitale.

    Kalendari i përgatitur nga Spivack, pjesë e dokumenteve të Epsteinit që u publikuan, tregon se sulmi ndodhi më 12 shkurt 2023. Hyrja u zbulua një ditë më vonë, kur Spivack gjeti në kompjuterin e tij një skedar tekst që e paralajmëronte se rrjeti i tij ishte komprometuar.

    Hetimet e mëtejshme zbuluan gjurmë të aktiviteteve të pazakonta në server, që përfshinin “kërkimin e disa skedarëve të lidhur me hetimin mbi Epsteinin”. Dokumentet nuk tregojnë saktësisht cilët skedarë u përdorën, nëse u morën të dhëna, apo kush ishte hakeri.

    Burimi që njeh rastin thotë se sulmin e kreu një haker i huaj që fillimisht nuk kuptoi se ishte futur në serverin e një agjencie policore. Hakeri, sipas burimit, shprehu neveri për praninë e imazheve të abuzimit të fëmijëve dhe la një mesazh duke kërcënuar se do t’i raportonte pronarin e serverit në FBI.

    Zyrtarët e FBI-së qetësuan situatën duke bindur hakerin se ata ishin vetë FBI. Kjo përfshinte, ndër të tjera, një video-thirrje gjatë së cilës i treguan hakerit shenjat e tyre zyrtare përpara kamerës. Reuters nuk ka mundur të identifikojë hakerin, vendin nga i cili veproi, çfarë bëri me të dhënat e aksesuar, apo nëse ka nisur ndonjë procedurë për identifikimin dhe ndëshkimin e tij.

    Spivack tha për hetuesit se ndihej si “kri i shfajësuar” dhe fajin për gabimin e atribuoi politikave të kundërta të brendshme të FBI-së dhe udhëzimeve të gabuara për teknologjinë e informacionit. Shumë dokumente të Departamentit të Drejtësisë mbi rastin Epstein mbeten ende të redaktuara ose plotësisht sekrete. Administrata e Trumpit thotë se kjo bëhet për të mbrojtur identitetet e viktimave dhe hetimet që vazhdojnë.

  • Irani: Përgatituni që çmimi i naftës të arrijë 200 dollarë për fuçi

    Irani: Përgatituni që çmimi i naftës të arrijë 200 dollarë për fuçi

    Irani u ka thënë SHBA-ve të “përgatiten” që çmimi i naftës të arrijë 200 dollarë për fuçi, ndërsa kjo prish transportin përmes Gjirit Persik.

    Lufta ka shkaktuar rritje të kostove të naftës, duke iu afruar 120 dollarëve për fuçi të hënën për herë të parë në gati katër vjet, përpara se të ulet më vonë gjatë ditës. Tani ajo qëndron në rreth 91 dollarë.

    Komanda e përbashkët ushtarake e Iranit tha se SHBA-të duhet të “përgatiten” për 200 dollarë për fuçi, ndërsa konflikti vazhdon, duke thënë se nuk mund të kontrollojë çmimet me “masa artificiale”.

    Teherani ka ndaluar në mënyrë efektive trafikun e mallrave në Ngushticën e Hormuzit, e cila normalisht trajton një të pestën e tregtisë botërore të naftës.

    Në të njëjtën informim, komanda e përbashkët tha se politika e Iranit e “goditjeve reciproke” kishte mbaruar dhe tani do të kryente “sulme të vazhdueshme”.

    Çmimi rekord për një fuçi naftë të papërpunuar Brent është 147.50 dollarë, i arritur në korrik 2008 para kulmit të krizës financiare.

  • Anulohet tenderi 400 milionë eurosh për Portin e ri në Porto Romano

    Anulohet tenderi 400 milionë eurosh për Portin e ri në Porto Romano

    Procedura e tenderit për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano është anuluar, pasi kompania e vetme e mbetur në garë nuk paraqiti ofertë financiare.

    Bëhet fjalë për kompaninë Archirodon, e cila nuk dorëzoi ofertën financiare brenda afatit të përcaktuar, më 9 mars, duke bërë që procesi i prokurimit të ndërpritet. Tenderi kishte një vlerë të parashikuar prej rreth 400 milionë eurosh dhe synonte ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano, një projekt i rëndësishëm për infrastrukturën portuale dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

    Vendimi për pezullimin vjen pas kërkesës dhe insistimit të vazhdueshëm të SHBA-ve, shkruan A2. Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Tiranë, Grant Van Cleeve, pak ditë më parë adresoi një letër publike për Edi Ramën dhe titullarë të lartë qeveritarë, në lidhje me këtë tender.

    Van Cleeve e konsideron këtë projekt si një vendim që merret një herë në 100 vjet dhe kërkoi shtyrjen e garës, pasi sipas tij projekti ekzistues i heq Shqipërisë shansin të jetë konkuruese në rajon.

    Ndërkohë, SPAK ka nisur hetimet lidhur me procedurën e tenderit, për të sqaruar çdo pasaktësi ose shkelje gjatë procesit të prokurimit.

    Ndërkohë, në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, mbajtur ditën e hënë, kryeministri Edi Rama u ndal edhe te projekti i portit të ri në Porto Romano, duke e cilësuar atë si një ndër projektet më komplekse që po zhvillohen aktualisht./A2CNN

  • Shqiptari nga Kosova i mbijeton tragjedisë në Zvicër: Brenda pak sekondash autobusi u mbush me tym

    Shqiptari nga Kosova i mbijeton tragjedisë në Zvicër: Brenda pak sekondash autobusi u mbush me tym

    Faton Berisha ishte mes pasagjerëve në autobusin që u përfshi nga flakët në Kerzers. Ai shpëtoi me djegie dhe dëmtime nga tymi, ndërsa familjarët rrëfejnë momentet dramatike të ngjarjes.

    Mes personave që ndodheshin në autobusin postar që u përfshi nga flakët në Kerzers në kantonin Fribourg ishte edhe një shqiptar nga Kosova, i cili arriti të shpëtojë nga tragjedia ku humbën jetën gjashtë persona dhe pesë të tjerë mbetën të plagosur, transmeton albinfo.ch.

    Sipas raportimit të mediumit zviceran 20 Minuten, bëhet fjalë për Faton Berisha, i cili pësoi djegie në trup dhe dëmtime nga thithja e tymit, por arriti të dalë me vështirësi nga autobusi i përfshirë nga flakët.

    Kushëriri i tij, Arbi Berisha, ka treguar se kishte mbërritur në vendin e ngjarjes vetëm pak minuta pasi shpërtheu zjarri.

    “Fatoni më telefonoi dhe më tha se autobusi ishte përfshirë nga zjarri dhe të shkoja sa më shpejt në parkingun e Migros. Në atë moment nuk dija çfarë të bëja, thjesht fillova të vrapoja”, rrëfen ai.

    Sipas tij, e gjeti kushëririn pak më vonë kur doli nga tualeti i një restoranti pranë vendit të ngjarjes.

    “U lehtësova kur e pashë, por ai kishte djegie në duar, në këmbë dhe në majën e hundës. Fytyra i ishte nxirë krejt nga tymi dhe mushkëritë i ishin dëmtuar”, tregon Arbi.

    Ai shton se ishte pikërisht ai që i kishte sugjeruar Fatonit të merrte autobusin për t’u kthyer në shtëpi.

    “Ai kishte dalë për një shëtitje të shkurtër dhe më telefonoi për të më pyetur si të kthehej në shtëpi. I thashë të merrte autobusin”, kujton ai.

    Sipas dëshmisë së Fatonit, momentet kur shpërtheu zjarri ndodhën shumë shpejt. Ai ishte ulur në mes të autobusit, pranë dyerve të hyrjes dhe daljes. Një burrë që ndodhej pranë hapësirës për biçikleta dyshohet se kishte nxjerrë një çakmak dhe ishte spërkatur me benzinë.

    “Në atë moment Fatoni bërtiti me zë të lartë. Brenda pesë ose gjashtë sekondash autobusi u mbush plot me tym dhe nuk shihej asgjë”, rrëfen Arbi duke përcjellë dëshminë e kushëririt të tij.

    Fillimisht dyert e autobusit nuk u hapën dhe Fatoni pësoi djegie në duar duke u përpjekur t’i hapte ato.

    “Më pas ai dëgjoi se dyert u hapën dhe doli me vështirësi jashtë. Në atë moment më telefonoi”, tregon Arbi, i cili jeton rreth 200 metra nga vendi i ngjarjes.

    I plagosuri u dërgua për trajtim në Inselspital, ku sipas familjarëve djegiet më të rënda i ka në duar, ndërsa gjendja e tij konsiderohet relativisht stabile.

    Megjithatë, përveç lëndimeve fizike, ai po përballet edhe me pasojat psikologjike të ngjarjes.

    “Ai është shumë i traumatizuar dhe nuk mund të flejë”, ka thënë kushëriri i tij.

    Ndërkohë, një tjetër shqiptar që ndodhej pranë vendit të ngjarjes, Astrit B., pronar i një lokali në Kerzers, ka treguar se policia ishte në ambientet e biznesit të tij pak para incidentit për shkak të një raportimi për vjedhje.

    Ai rrëfen se situata ndryshoi papritur kur njëri nga policët dëgjoi komunikimin në radio.

    “Policët ishin te lokali im për shkak të një vjedhjeje. Papritur njëri prej tyre tha: ‘Ju lutem pak qetësi’, sepse po dëgjonte komunikimin në radio. Pas pak ai tha: ‘Duhet të largohemi menjëherë, është një emergjencë’”, ka treguar ai për median zvicerane Blick.

    Pak çaste më vonë ai pa një re të madhe tymi në qiell.

    “Policët hipën në veturë dhe arritën në vendin e ngjarjes për rreth 30 sekonda. Edhe unë shkova menjëherë pas tyre – ajo që pashë ishte tronditëse”, tha ai.

  • Miftaraj ironizon me Rrustemin: Shpresojmë që nuk të shkon mendja me kërku me i mbyll ambasadat

    Miftaraj ironizon me Rrustemin: Shpresojmë që nuk të shkon mendja me kërku me i mbyll ambasadat

    Drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj, ka ironizuar me Adnan Rrustemin i cili aludoi se ambasadorët po bëjnë presion në Gjykatën Kushtetuese.

    Miftaraj ka thënë se shpreson që Rrustemi të mos kërkojë mbylljen e ambasadave.

    “Adnan shoku, të shpresojmë se nuk do të shkoj mendja me kërku edhe me i mbyll ambasadat e vendeve perëndimore! Deklaratë e papërgjegjshme dhe aspak etike. Sikurse sa problematike eshte kjo deklaratë e pamatur edhe me problematike eshte mendesia qe perfaqesojne”, shkruan ai.

  • Erdogan paralajmëron se lufta në Lindjen e Mesme mund të zgjerohet në rajon

    Erdogan paralajmëron se lufta në Lindjen e Mesme mund të zgjerohet në rajon

    Lufta që po vazhdon në pjesën më të madhe të Lindjes së Mesme duhet të ndalet para se të përfshijë të gjithë rajonin, duke shkaktuar kosto gjithnjë në rritje për ekonominë globale, tha të mërkurën presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.

    “Kjo luftë duhet të ndalet para se të bëhet më e madhe dhe të përfshijë plotësisht rajonin në flakë”, tha ai, duke përshkruar Lindjen e Mesme si “përsëri e mbuluar nga një erë gjaku dhe plumbi”.

    “Nëse diplomacisë i jepet një mundësi, kjo është krejtësisht e mundur”, këmbënguli lideri turk, një ditë pasi kryediplomati iranian, Abbas Araghchi në mënyrë efektive përjashtoi negociatat me Uashingtonin, duke thënë se Teherani kishte pasur “një përvojë shumë të hidhur nga bisedimet me amerikanët”.

    Lufta, e shkaktuar nga sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit më 28 shkurt, ka shkaktuar vdekje, shpërngulje dhe shkatërrim, ndërkohë që ka trazuar tregjet e naftës dhe ka çuar në një rritje të çmimeve të naftës.

    “Nëse kjo luftë pa kuptim, pa ligj dhe e parregullt vazhdon, do të ketë më shumë humbje jete dhe pronash, dhe kostoja për ekonominë globale do të rritet edhe më shumë”, shtoi Erdogan, duke thënë se Turqia po ndjek përpjekje për të gjetur një zgjidhje diplomatike.

    Që nga fillimi i luftës, Teherani ka kundërpërgjigjur me sulme në të gjithë Lindjen e Mesme.

    Përveç dy interceptimeve të raketave balistike në hapësirën ajrore turke nga sistemet e mbrojtjes së NATO-s gjatë pesë ditëve, duket se Turqia është shpëtuar.

  • Shteti nis kontroll të rreptë për çmimet e naftës në Kosovë, kjo është marzha maksimale

    Shteti nis kontroll të rreptë për çmimet e naftës në Kosovë, kjo është marzha maksimale

    Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut pranë Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka njoftuar publik se, në kuadër të monitorimit të vazhdueshëm të tregut të derivateve të naftës, është duke realizuar mbikëqyrje intensive lidhur me zbatimin e Vendimit për rregullimin e përkohshëm të çmimeve dhe caktimin e masave të tjera mbrojtëse të nënshkruar nga ministrja Mimoza Kusari-Lila, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorit, rritjen e transparencës, mbrojtjen e konkurrencës së ndershme si dhe mënjanimin e çrregullimeve në treg.

    Gjithashtu Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut së bashku me Administratën Tatimore të Kosovës është duke realizuar analiza të të dhënave lidhur me çmimet e importit dhe çmimet e ekspozuara për konsumatorët në tregun vendor.

    Sipas të dhënave zyrtare të siguruara nga evidencat e Doganës së Kosovës, çmimi mesatar i importit për derivatet e naftës gjatë ditës së matrë – datë: 10.03.2026, ka qenë si në vijim:

    • Naftë (Dizel): 1.45 €/litër;

    • Benzinë: 1.17 €/litër;

    Ndërkohë, bazuar në monitorimin e realizuar në tregun vendor sot, çmimet e ekspozuara për konsumatorët në pikat e shitjes me pakicë rezultojnë si më poshtë:

    • Naftë (Dizel): nga 1.44 €/litër deri në 1.54 €/litër;

    • Benzinë: nga 1.18 €/litër deri në 1.31 €/litër;

    Bazuar në vendimin e datës 04.03.2026 për rregullimin e përkohshëm të çmimeve dhe caktimit të masave të tjera mbrojtëse, është vendosur marzha tregtare maksimale e lejuar si vijon:

    2 eurocentë për litër të produktit të shitur me shumicë, dhe

    12 eurocentë për litër të produktit të shitur me pakicë.

    Marzhë tregtare domethënë ndryshimi mes çmimit të shitjes dhe çmimit të furnizimit.

    Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut do të vazhdojë të monitorojë dhe inspektoj në mënyrë intensive zhvillimet në tregun e derivateve të naftës së bashku me Doganën e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës si dhe Autoritetin e Konkurrencës së Kosovës dhe, në të gjitha rastet ku identifikohen parregullsi eventuale, mos respektim i vendimit të marzhës apo praktikave që mund të dëmtojnë konkurrencën dhe konsumatorët, do të ndërmerren masa rigoroze të parapara me legjislacionin në fuqi.

    Për çdo zhvillim të mëtejmë, publiku do të njoftohet me kohë.

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit

  • Aksion kundër nxjerrjes ilegale të thëngjillit në Vushtrri, arrestohen gjashtë persona

    Aksion kundër nxjerrjes ilegale të thëngjillit në Vushtrri, arrestohen gjashtë persona

    Një aksion kundër nxjerrjes ilegale të thëngjillit është zhvilluar në tri lokacione të komunës së Vushtrri, ku janë arrestuar gjashtë persona dhe janë sekuestruar disa mjete pune që dyshohet se janë përdorur për kryerjen e veprimtarisë së paligjshme.

    Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, aksioni është realizuar në koordinim me Policia e Kosovës në fshatrat Bivolak, Zhilivodë dhe Stroc, pas dyshimeve për nxjerrje ilegale të thëngjillit në këto zona.

    “Gjatë aksionit janë arrestuar gjashtë persona të cilët do të intervistohen nga policia, me dyshimin për kryerjen e veprave penale ‘Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit’ dhe ‘Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm’”, thuhet në njoftim.

    Po ashtu, gjatë operacionit janë sekuestruar tre eskavatorë, gjashtë kamioneta dhe një traktor, të cilat dyshohet se janë përdorur për nxjerrjen ilegale të thëngjillit.

    Nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë është theksuar se institucionet e drejtësisë mbeten të përkushtuara në luftimin e veprave penale që dëmtojnë mjedisin.

    “Prokuroria Themelore në Mitrovicë mbetet e përkushtuar në luftimin e veprave penale që cenojnë mjedisin dhe do të vazhdojë me vendosmëri të ndjekë penalisht të gjithë ata që shkaktojnë dëme ndaj natyrës dhe pasurisë së përbashkët”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/