ATV

Category: Lajme

  • Tragjedia që tronditi Gjakovën: Çfarë dihet për vrasjen dhe vetëdorëzimin e autorit

    Tragjedia që tronditi Gjakovën: Çfarë dihet për vrasjen dhe vetëdorëzimin e autorit

    Një ngjarje e rëndë ndodhi në orët e hershme të mëngjesit të 16 marsit në rrugën “Vëllezërit Frashëri” në Gjakovë, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri mbeti i vrarë 38-vjeçari Rasim Binakaj, ndërsa u plagos Edi Mehmeti, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

    Sipas të dhënave fillestare, viktima dhe i dyshuari, Nexhdet Zymberaj – pronar i lokalit “My Place” – kishin qenë shokë, ndërsa dyshohet se ngjarja ndodhi pas një konflikti brenda një lokali. Në vendin e ngjarjes policia gjeti pesë gëzhoja dhe një thikë, duke treguar për një përshkallëzim të dhunës.

    Fillimisht, i dyshuari u largua nga vendi i ngjarjes dhe ishte në kërkim, por në orët e pasdites (rreth 16:30) ai u vetëdorëzua në Stacionin Policor në Gjakovë. Me vete dorëzoi edhe armën e dyshuar të krimit – një pistoletë TT me një karikator – e cila u sekuestrua si provë materiale.

    Pas intervistimit në prani të avokatit, i dyshuari zgjodhi të mbrohet në heshtje. Me vendim të prokurorit për krime të rënda, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë.

    Rasti është cilësuar si “vrasje e rëndë” dhe “mbajtje e paautorizuar e armëve”, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Hetimet po vazhdojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj tragjedie që ka tronditur qytetin e Gjakovës.

  • Bie nga tri metra lartësi, punëtori në Gjilan lëndohet në vendin e punës – arrestohet pronari i kompanisë

    Bie nga tri metra lartësi, punëtori në Gjilan lëndohet në vendin e punës – arrestohet pronari i kompanisë

    Një punëtor është lënduar dje në vendin e punës në Gjilan.

    Siç bën të ditur Policia e Kosovës, i njëjti ka rënë nga një lartësi prej tri metra, në vendin e tij të punës, në një firmë në Gjilan.

    Viktima është dërguar për tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari mashkull kosovar, pronar i firmës është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

    Njoftimi i policisë:

    ASGJËSIMI, DËMTIMI OSE HEQJA E PAJISJEVE MBROJTËSE DHE RREZIKIMI I SIGURISË NË VENDIN E PUNËS

    “Rr. Idriz Seferi, Gjilan 16.03.2026-10:40. Është raportuar se viktima mashkull kosovar, deri sa ishte duke punuar në vendin e tij të punës në një firmë, kishte rënë nga një lartësi prej rreth tri metra. Viktima është dërguar për tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari mashkull kosovar, pronar i firmës është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”.

    “I urrej luftërat më shumë se çdokush”, Trump: Nëse nuk do ta kishim sulmuar Iranin, ata do shkatërronin Lindjen e Mesme
    Read more

  • Moti i vranët sot, IHMK paralajmëron reshje shiu dhe bore

    Moti i vranët sot, IHMK paralajmëron reshje shiu dhe bore

    Sot priten ndryshime në kushtet e motit.

    Nga dita e martë parashihen reshje, ku në viset malore dhe në lartësi më të mëdha do të ketë reshje bore, ndërsa në viset e ulëta priten kryesisht reshje shiu, të cilat herë-herë mund të përzihen edhe me borë

    Temperaturat minimale do të zbresin në vlera të lehta negative, ndërsa temperaturat maksimale pritet të arrijnë deri rreth 16°C.

    “Sa i përket kushteve agrometeorologjike, ato në përgjithësi do të jenë të favorshme për aktivitetet bujqësore. Bujqve u rekomandohet që gjatë ditës së hënë të shfrytëzojnë kushtet e mira të motit për shpërndarjen e plehut artificial në kulturat bujqësore dhe për kryerjen e punëve të tjera të nevojshme në parcela. Në ditët në vijim, për shkak të reshjeve dhe uljes së temperaturave, aktivitetet në fushë mund të jenë më të kufizuara”, thuhet në njoftimin e Institutit Hidrometeorologjik.

  • Një i mitur nga Lipjani përfundon në QKUK, arrestohen prindërit e tij

    Një i mitur nga Lipjani përfundon në QKUK, arrestohen prindërit e tij

    Një i mitur nga Lipjani është dërguar në QKUK në gjendje jo të mirë shëndetësore. Policia e Kosovës bën të ditur se kjo ka ndodhur për shkak të mostrajtimit nga ana e prindërve të tij.

    Që të dy prindërit janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje, bëhet e ditur në raportin 24 orësh të policisë.

    Rasti është iniciuar si “shkelje e detyrimeve familjare”.

    “SHKELJE E DETYRIMEVE FAMILJARE: Lipjan NN. Është raportuar se është sjellë në QKUK- Prishtinë viktima mashkull kosovar i mitur, për shkak të gjendjes së tij jo të mirë, për shkak të mos trajtimit nga ana e prindërve të tij. Të dyshuarit janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, bëhet e ditur në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

  • Dëgjohen shpërthime pranë ambasadës amerikane në Bagdad

    Dëgjohen shpërthime pranë ambasadës amerikane në Bagdad

    Agjencitë e lajmeve po raportojnë shpërthime në Bagdad pranë ambasadës amerikane.

    Gazetarët e agjencisë së lajmeve AFP kanë raportuar shpërthime në Zonën e Gjelbër, pjesën shumë të sigurt të kryeqytetit irakian ku ndodhen misionet diplomatike, përfshirë ambasadën amerikane, dhe organizatat ndërkombëtare.

    Një dëshmitar okular i tha Reuters për shpërthime dhe sirena pranë ambasadës, e cila është shënjestruar vazhdimisht që nga fillimi i luftës SHBA-Izrael me Iranin, ka raportuar BBC.

  • “Akt vetëvrasje”- Dalin detaje të reja nga zjarri tragjik në autobusin në Zvicër

    “Akt vetëvrasje”- Dalin detaje të reja nga zjarri tragjik në autobusin në Zvicër

    Autoritetet zvicerane kanë publikuar detaje të reja lidhur me zjarrin tragjik në autobusin postar në Chiètres, kantoni Fribourg, ngjarje që ndodhi javën e kaluar dhe la gjashtë persona të vdekur.

    Sipas policisë së Fribourgut, në momentin kur autobusi mori flakë rreth orës 18:25, në mjet ndodheshin nëntë persona: shoferi, shtatë pasagjerë dhe autori i dyshuar. Tre persona arritën të dalin nga autobusi me lëndime, ndërsa një grua 56-vjeçare vazhdon të jetë në gjendje kritike në spital. Dy persona të tjerë jashtë autobusit u lënduan lehtë teksa përpiqeshin të ndihmonin viktimat.

    Hetimet kanë konfirmuar se autori i dyshuar është një burrë 65-vjeçar zviceran, i cili gjithashtu humbi jetën në incident. Sipas policisë, provat e deritanishme tregojnë se ai veproi i vetëm, ndërsa motivet e këtij akti mbeten ende të paqarta. Autoritetet po shqyrtojnë si pistë kryesore një akt vetëvrasjeje që përfshiu edhe persona të tjerë.

    Ekspertiza teknike ka treguar se autobusi ishte i pajisur me dy dyer për pasagjerët, të cilat funksiononin normalisht dhe u hapën pasi mjeti u ndal. Zjarri kishte nisur gjatë lëvizjes së autobusit, çka bëri që pasagjerët të mund të dilnin vetëm pasi ai ndaloi plotësisht.

    Pas përfundimit të procesit të identifikimit dhe autopsive, trupat e gjashtë viktimave iu dorëzuan familjeve javën e kaluar. Viktima më e re ishte një djalë 16-vjeçar.

    Autoritetet konfirmuan gjithashtu se 65-vjeçari ishte i njohur për institucionet sociale në kantonin e Bernës dhe ndodhej nën kujdestari administrative. Ai ishte larguar nga një spital në Bernë në ditën e ngjarjes, ku kishte shkuar vetë për shkak të problemeve shëndetësore, dhe më herët kishte bërë edhe kërcënime për vetëvrasje.

    Pas tragjedisë, mbi 150 persona kanë kërkuar mbështetje psikologjike nga ekipet e ndihmës së krizës.

    Ndërkohë, shoferët e autobusëve postarë në të gjithë Zvicrën kanë mbajtur një minutë heshtje dhe kanë rënë boritë e autobusëve në shenjë solidariteti dhe nderimi për viktimat e kësaj tragjedie./Albinfo.ch

  • Një vit nga vrasja e Ilaria Sulës, prindërit kërkojnë drejtësi: Nuk do t’i falim kurrë

    Një vit nga vrasja e Ilaria Sulës, prindërit kërkojnë drejtësi: Nuk do t’i falim kurrë

    Një vit pas vrasjes tragjike të 22-vjeçares shqiptare Ilaria Sula në Itali, dhimbja për familjen e saj mbetet po aq e fortë. Prindërit e së resë kthehen pothuajse çdo fundjavë në vendin ku u gjet trupi i vajzës së tyre, në një greminë përgjatë rrugës malore në Capranica Prenestina, pranë Romës.

    Flamur dhe Gëzime Sula kujdesen për memorialin e ngritur në vendin ku u gjet vajza e tyre. Nëna pastron pllakën përkujtimore dhe fotografitë, ndërsa babai vendos lule të freskëta. Në mermerin e zi është gdhendur një mesazh prekës: “Do të të dërgoj një puthje me erën dhe e di që do ta ndjesh”.

    Për nënën e Ilarias, një vit pa vajzën është vetëm boshllëk. Ajo thotë se jeta e tyre ndryshoi përgjithmonë më 2 prill. “Jeta jonë u ndal atë ditë. Kur të marrin një vajzë, të marrin arsyen e jetës. Nuk jemi më njerëzit që ishim. Atë ditë na vranë edhe ne”, rrëfen ajo mes dhimbjes.

    Babai i saj tregon se Ilaria kishte shumë ëndrra për të ardhmen. Ajo studionte Statistikë dhe pritej të diplomohej në tetor, ndërsa synonte të punonte në fushën financiare.

    Gëzime Sula u shpreh ashpër edhe ndaj nënës së autorit të dyshuar, e cila në gjyq ka pranuar se ndihmoi të birin të pastronte gjakun nga dhoma. “Ajo nuk është nënë. Ata shkelën mbi gjakun e vajzës sime. Nuk ka falje, kurrë”, u shpreh ajo.

    Procesi gjyqësor për vrasjen e 22-vjeçares vazhdon ende dhe prindërit nuk kanë munguar në asnjë seancë.

    “ Nuk kërkoj hakmarrje, por drejtësi. Dua që Ilaria të kujtohet për atë që ishte: e gëzuar, inteligjente dhe plot jetë”, thotë babai i saj.

    Trupi i pajetë i studentes shqiptare u gjet më 2 prill 2025 në një valixhe të hedhur në një humnerë në një zonë të pyllëzuar. Sipas hetimeve, ajo u vra nga ish-i dashuri i saj filipinas, Mark Samson, i cili pas krimit përdori telefonin e saj dhe publikoi në rrjetet sociale për të fshehur zhdukjen e saj. /A2 CNN

  • Raporti financiar: LVV shpenzoi mbi 4 milionë euro në 2025-ën, pastaj vjen PDK, LDK dhe AAK

    Raporti financiar: LVV shpenzoi mbi 4 milionë euro në 2025-ën, pastaj vjen PDK, LDK dhe AAK

    Lëvizja Vetëvendosje ka përfunduar vitin 2025 me shpenzime rekord, që arrijnë në 4 milionë e 509 mijë euro, sipas raportit financiar të publikuar së fundmi.

    Të hyrat e deklaruara të partisë për të njëjtin vit arrijnë në 2 milionë e 185 mijë euro, ndërsa shpenzimet totale kanë kapur shumën prej 4 milionë e 509 mijë eurosh.

    Kjo rezulton me një deficit prej 2 milionë e 323 mijë eurosh.

    Një pjesë e konsiderueshme e kësaj shifre është dedikuar për paga dhe kompensime të tjera, që në total arrijnë në 929 mijë euro.

    Për transport janë shpenzuar 132 mijë euro, ndërsa për reklama, reprezentacion dhe konferenca janë ndarë edhe 297 mijë euro të tjera.

    Mediat dhe përfituesit kryesorë

    Sipas raportit financiar, Grupi “Koha” renditet si përfituesi kryesor në fushën e mediave, duke arkëtuar plot 95,120 euro nga Vetëvendosje.

    Kjo vlerë është dukshëm më e lartë krahasuar me fondet e destinuara për mediat e tjera.

    Në mesin e përfituesve përmenden edhe platforma të tjera:

    Kosovanews, me 13,770 euro;

    Katror Media and Publicity SH.P.K., me 20,650 euro;

    Radiotelevizioni i Kosovës, me 11,530 euro;

    Media Invest SH.P.K., me 6,000 euro;

    Telegrafi, me 5,000 euro.

    Shpenzimet në rrjetet sociale

    Vetëvendosje ka shpenzuar shuma të konsiderueshme për promovime në rrjetet sociale.

    Për profilat zyrtare në Facebook dhe Instagram, partia ka harxhuar 48,168.50 euro, duke përfshirë edhe angazhimin e profileve të rreme për promovime të veçanta.

    Eventet dhe mikpritjet

    Dokumenti i publikuar tregon gjithashtu një mori shpenzimesh për evente dhe mikpritje.

    Takimi i kryeministrit Albin Kurti me të rinjtë në Gate Club ka kushtuar 14,460 euro.

    Shpenzime të mëdha janë regjistruar edhe për: Helix Events SH.P.K., me 11,540 euro, Hotel Emerald SH.P.K., me 10,989 euro.

    Shpenzimet e partive të tjera

    Partia Demokratike e Kosovës, 2 milionë e 166 mijë euro;

    Lidhja Demokratike e Kosovës, 1 milion e 335 mijë euro;

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, 531 mijë euro.

    Kjo situatë tregon një diferencë të ndjeshme mes Vetëvendosjes dhe të tjerëve, duke evidentuar një fokus të madh të partisë në shpenzime për paga, promovime mediatike dhe evente publike.

  • Rrustemi: Po të mos ishte LVV-ja në pushtet, veriu do të ishte ende nën kontrollin e Radoiçiqit

    Rrustemi: Po të mos ishte LVV-ja në pushtet, veriu do të ishte ende nën kontrollin e Radoiçiqit

    Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje në TV Dukagjini, ka thënë se po të mos ishte VV-ja në qeveri, sot gjendja në veri do të ishte me Radoiçiqin dhe me barrikadat.

    Ai ka akuzuar PDK-në për situatën e mëhershme në veri të Kosovës.

    “Pse veriu i Kosovës ishte mbajtur nën kontroll nga strukturat paralele të Serbisë deri në vitin 2023, respektivisht 2024, kur z. Kurti i eliminoi, është pikërisht PDK”, ka thënë ai.

    Ai ka pretenduar se PDK ishte në pushtet për 20 vite.

    “Ata ishin për 20 vite, ndërkohë që gjendja ishte… për 20 vite në mënyra të ndryshme”, ka pretenduar ai.

    “Por edhe po të ishin edhe deri më sot në pushtet, sot do t’i kishim strukturat paralele në veri të Kosovës”, ka thënë ai.

  • Tahiri viziton Thaçin dhe Veselin në Hagë: Dinjiteti dhe besimi i tyre në të vërtetën mbetet i pathyeshëm

    Tahiri viziton Thaçin dhe Veselin në Hagë: Dinjiteti dhe besimi i tyre në të vërtetën mbetet i pathyeshëm

    Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri njoftoi për një vizitë të tij te ish-kryetarët e partisë, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë.

    Ai shkroi në Facebook se “hyrja sot në ambientet e paraburgimit në Hagë ishte një moment i rëndë dhe plot emocione”.

    “Çdo hap drejt atij takimi të kujton sakrificën dhe historinë që këta burra mbartin. Pata nderin të takoj Presidentin Hashim Thaçi dhe Kryetarin Kadri Veseli, dy figura që në momentet më të vështira qëndruan në ballë të rrugëtimit tonë për liri. T’i shohësh sot prapa mureve të burgut, larg familjeve dhe vendit për të cilin sakrifikuan gjithçka, të prek thellë në shpirt”, shkroi ai.

    Tahiri tha se Thaçi dhe Veseli mbeten “të pathyeshëm” në dinjitetin dhe besimin e tyre në të vërtetën.

    “Megjithatë, edhe në këto rrethana, qëndrimi, dinjiteti dhe besimi i tyre në të vërtetën mbetet i pathyeshëm. Historia e Kosovës është e lidhur ngushtë me sakrificën e tyre dhe të shumë të tjerëve. Me respekt të veçantë kujtoj edhe Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, të cilët po ashtu po përballen me këtë padrejtësi larg familjeve dhe atdheut. Kosova nuk harron. E vërteta dhe drejtësia do të dalin në dritë”, shkroi ai.