ATV

Category: Lajme

  • Arrestohet një person për fajde në Prizren, katër të tjerë në kërkim – dëm prej 700 mijë eurosh

    Arrestohet një person për fajde në Prizren, katër të tjerë në kërkim – dëm prej 700 mijë eurosh

    Policia e Kosovës ka arrestuar një person gjatë një operacioni të zhvilluar në pesë lokacione në Prizren, ndaj disa personave të dyshuarve për fajde.

    Operacioni është zhvilluar pas veprimeve intensive hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren

    Operacioni është zhvilluar në kuadër të hetimeve ndaj pesë personave të dyshuar me inicialet: B.K., GJ.K., E.K., E.K. dhe E.R., të cilët dyshohen për kryerjen e veprave penale “Fajdeja” nga neni 331, “Privimi i kundërligjshëm i lirisë” nga neni 193 dhe “Detyrimi” nga neni 328 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    “Sipas dyshimeve të deritanishme, të dyshuarit në mënyrë të vazhdueshme kanë detyruar viktimën të paguajë shuma të ndryshme parash si interes për fajde, duke përdorur forma të ndryshme të presionit dhe dhunës. Po ashtu, ata dyshohet se në raste të caktuara e kanë privuar viktimën edhe nga liria, me qëllim që ta detyrojnë të paguajë kamata të larta të fajdesë. Dëmi i shkaktuar ndaj viktimës, sipas vlerësimeve fillestare, arrin shumën rreth 700,000 (shtatëqind mijë) euro, ndërsa të dyshuarit dyshohet se kanë kërkuar edhe rreth 450,000 euro shtesë në emër të interesit të fajdesë”.

    Katër persona të tjerë ndodhen në kërkim policor.

    Me vendim të prokurorit të shtetit nga Prokuroria Themelore në Prizren, ndaj personit të arrestuar është lëshuar aktvendim për ndalim prej 48 orësh, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.

  • Rinia e PDK-së me aksion simbolik para Qeverisë: Luftë me fjalë, lëshime me vepra

    Rinia e PDK-së me aksion simbolik para Qeverisë: Luftë me fjalë, lëshime me vepra

    Rinia Demokratike e Kosovës sot ka realizuar një aksion simbolik para Qeverisë së Republikës së Kosovës, përmes së cilit ka shprehur shqetësimin për vendimin e fundit të Ekezkutivit lidhur me lehtësirat për serbët në kuadër të zbatimit të Ligjit për të Huajt.

    Ata kanë zbrazur një thes me lajme të deklaratave të kryeministrit Albin Kurti ndër vite duke u mburrur se në Kosovë nuk ka më struktura paralele të Serbisë.

    Kryetarja e RDK-së, njëherit deputete e PDK-së, Arbnora Salihu tha se ky aksion është një mesazh i qartë se e vërteta nuk mund të mbulohet me propaganda dhe se dështimi nuk mund të fshihet pas fjalëve boshe, të pakuptimta.

    “E kemi mbushur këtë thes me gënjeshtrat e Albin Kurtit, i cili deklaronte që i ka çrrënjosur strukturat paralele në pjesën veriore të vendit. Ky thes e shpërfaqë qasjen e tij manipulative, me fjalë të mëdha në emër të patriotizmit dhe me vepra në dëm të interesit shtetëror”, shtoi ajo, thuhet në komunikatën e PDK-së.

    Salihu rikujtoi disa nga deklarata e Kurtit, me të cilat siç tha ajo, kryeministri ka ndërtuar narrativë të rreme dhe i ka mashtruar qytetarët.

    “Në prill të vitit 2022, Kurti premtonte se nuk do të kishte “asnjë gram tolerancë” ndaj strukturave ilegale. Në qershor 2023, ai deklaronte se “Kosova nuk do të lejojë struktura paralele në veri” dhe madje kërcënonte se ata do të shkonin “ose në Serbi, ose në burg”. Në janar 2025, ministrat e tij mburreshin se “epoka e komunave paralele ka përfunduar”. Ndërsa, në janar të këtij viti, në Davos, Albin Kurti thoshte se “Në Kosovë nuk ka më struktura paralele të Serbisë”. Por, para dy ditësh, më 14 mars 2026, ai bëri të kundërtën, lejoi përdorimin e letërnjoftimeve të lëshuara nga Serbia, duke i bërë ato pjesë të sistemit ligjor të Kosovës”, vuri re ajo.

    RDK e cilëson këtë vendim si dorëzim përballë bandave kriminale që krijon një momentum të rrezikshëm për të ardhmen e vendit.

    “Për më tepër, ky kompromis i dhimbshëm u përshëndet nga Serbia, e cila e konsideron si shmangie katastrofe. Përderisa Albin Kurti flet për mbyllje të strukturave ilegale, Aleksandër Vuçiq po feston për fitore”, theksoi Salihu.

    Ajo tha se Kosova meriton stabilitet, zhvillim dhe seriozitet, jo populizëm dhe hipokrizi politike.

    “Kur një kryeministër që ka ndërtuar karrierën mbi retorikë të ashpër ndaj Serbisë, përfundon duke i dhënë legjitimitet dokumenteve të saj, atëherë kemi të bëjmë me mashtrim. Ky vendim i Albin Kurtit është tradhti ndaj shtetit dhe qytetarëve. Është paradoksale dhe shqetësuese që një kryeministër, i cili nuk arriti të gjejë konsensus politik për zgjedhjen e Presidentit, sot gjen gjuhë të përbashkët me strukturat paralele dhe me Serbinë. Prandaj, nga këtu i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i ndalë politikat e dyfishta dhe të mos i mashtrojë më qytetarët tanë”, përfundoi deputetja Salihu.

  • Hamza e nënshkruan peticionin kombëtar në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

    Hamza e nënshkruan peticionin kombëtar në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka njoftuar se ka nënshkruar peticionin kombëtar në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

    Përmes një postimi në Facebook, Hamza tha se është detyrë e secilit që të qëndrojë pranë atyre që, sipas tij, kontribuan për lirinë dhe shtetin e Kosovës.

    “Është detyrë e secilit prej nesh që t’u qëndrojë pranë atyre që kontribuan me vite të tëra për lirinë dhe shtetin tonë. Lufta çlirimtare ishte mbrojtëse, e drejtë dhe jam i bindur se drejtësia së shpejti do ta rikonfirmojë këtë”, shkroi kreu i PDK-së.

  • GUXO në Belgjikë e ndal aktivitetin politik pasi Kurti nuk e rikandidoi Osmanin

    GUXO në Belgjikë e ndal aktivitetin politik pasi Kurti nuk e rikandidoi Osmanin

    Koordinatori i partisë Guxo për diasporë, Kujtim Hajdaj, ka njoftuar se dega e kësaj partie në Belgjikë ka vendosur të pushojë aktivitetin politik.

    Sipas tij, ky vendim është marrë pas pakënaqësive të krijuara lidhur me mosrizgjedhjen e Vjosa Osmanit edhe për një mandat në krye të vendit.

    Në një njoftim në Facebook, kryesia e Degës së Guxo në Belgjikë bëri të ditur se pas një debati të hapur dhe transparent, ku janë shprehur mendime të lira për situatën politike në Kosovë, është vendosur njëzëri që aktiviteti politik të pezullohet deri në një vendim të ri.

    Kryesia, e përbërë nga 13 anëtarë, përfshirë kryetarin, nënkryetarët, sekretarin, anëtarët e tjerë të kryesisë dhe tre kryetarët e nëndegëve , ka theksuar se vendimi lidhet me situatën e krijuar pas mosrizgjedhjes së Vjosa Osmanit për presidente të Kosovës.

    “Njëzëri kemi vendos të pushojmë aktivitetin tonë politik në kuadër të Partisë GUXO deri në një vendim tjetër të ri. Kjo, duke u bazuar në situatën e krijuar të mos rizgjedhjes së Vjosa Osmani për Presidente të Kosovës, dhe duke u bazuar në vendimin e anëtarit të kryesisë qendrore dhe kordinatorit me degët jashtë Kosove, z.Kujtim Hajdaj, që të pushoj aktivitetin e vet politik në kuadër të Partisë GUXO për një kohë të pacaktuar.”, thuhet në njoftim.

  • “Pritjet e mia nuk kanë qenë që të marr lëndë nëpër korridore”- deklarohet prokurori që dha dorëheqje

    “Pritjet e mia nuk kanë qenë që të marr lëndë nëpër korridore”- deklarohet prokurori që dha dorëheqje

    Prokurori Jeton Koca ka folur pas dorëheqjes nga pozita e prokurorit të shtetit. Ai përmendi disa problematika që pretendon se bashkë me kolegë ka hasur gjatë ushtrimit të detyrës, siç janë marrja e lëndëve nëpër korridore apo rastet kur prokurorët shkojnë në sallën e gjykimit pa lëndë dhe atje u jepet lënda në prezencë palëve.

    Prokurori i dorëhequr tha për Betimin për Drejtësi se pritjet e tij si prokuror nuk kanë qenë që të marrë lëndë nëpër korridore për të përfaqësuar.

    “Unë jam prokuror i ri, mirëpo unë i kam 17 vite përvojë pune në institucionet e administratës publike, kam pas pozita profesionale dhe shumë pozita menaxheriale, dhe pritjet e mia nuk kanë qenë që unë të marr lëndë nëpër korridore dhe të shkoj të përfaqësoj në gjykata”.

    Prokurori tha se nuk duhet të bëhet praktikë marrja e lëndëve nëpër korridore dhe as nuk duhet të bëhet rregull përfaqësimi i lëndëve të kolegëve.

    Ai shtoi se nuk ka vërejtje për Prokurorinë Themelore në Prishtinë pasi që nuk është vetëm problem i kësaj prokurorie. Tha se Këshilli Prokurorial duhet t’i mbështetë Prokuroritë në kërkesat që i kanë.

    “E dyta nuk kam vërejtje absolut në Prokurorinë Themelore në Prishtinë sepse tek e fundit nuk është problemi te një Prokurori me zgjidh një problem të caktum si ky, mirëpo unë mendoj se menaxhmenti i lartë- në këtë rast Këshilli Prokurorial duhet me u fokusu me i mbështetë prokuroritë në kërkesat që i kanë dhe ky problemi i ngarkesës së lëndëve duhet me u zgjidh. Çka nënkupton kjo nuk është në rregull për një prokuror me marrë lëndë nëpër korridore dhe me përfaqësu lëndë të kolegëve, mund të jetë përjashtim kjo por jo rregull”, tha Koca.

    Koca tha se sistemi duhet të punojë në drejtim të kthimit të besimit tek qytetarët.

    “Dua ta them në njëfarë mënyre që unë mendoj se sistemi duhet të punojë më gjatë në këtë drejtim, me u përkushtu, m’u evitu këto gjana, me kriju, me kthy besimin te qytetarët”, u shpreh Koca.

    Praktika e dhënies së lëndëve në korridor, sipas Kocës, është e shpeshtë. Për këtë çështje, ai u pyet në rast se e ka njoftuar kryeprokurorin.

    “Nuk kam informata për ma shumë në këtë drejtim, mirëpo unë po flas se është si praktikë e shpeshtë dhe për më shumë ne flasim në të ardhmen”, tha ai.

    Sipas tij, ka rast kur prokurori shkon në gjykatë pa lëndë dhe atje e merr lëndën në prezencë të palëve. E për mosadresimin e kësaj problematike, ai tha se kanë qenë prokurorë të rinj.

    “Ki rast kur prokurori shkon në gjykatë me prezentu pa lëndë dhe atje e merr lëndën”, tha Koca.

    Lidhur me këtë deklarim të Kocës, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi tha se nuk ka dëgjuar asnjëherë të jepen lëndët nëpër korridore.

    “Jo në korridore, por kur është i zënë me një seancë që vazhdon tërë paraditen, kolegu i vet e thirrë dhe i thotë me më zëvendësu sepse po më zgjatë më shumë sesa është e parashikume dhe ja jep lëndën. E këtë korridore, për herë të parë po e dëgjoj”, tha Gashi.

    Gashi shtoi se për pjesën e korridoreve nuk di, por se zëvendësimi ndodh në zyre.

    “Kjo në korridore po më duket banale, sepse në zyre ja jep lëndën dhe shkon e përfaqëson pastaj”, tha Gashi.

    Kryeprokurori tha se në seanca fillestare, mund të ndodh që lënda të merret nga gjykata.

    “Te shqyrtimi fillestar mundet me ndodh, ajo vec në shqyrtim fillestar”, u shpreh Gashi, duke shtuar se në Këshill e kanë adresuar çështjen e mungesës së prokurorëve.

  • Faleminderit zemrës: Mentor Dida i transformoi ëndrrat në veprime konkrete

    Faleminderit zemrës: Mentor Dida i transformoi ëndrrat në veprime konkrete

    Inxhinieri Mentor Dida, në emisionin “LIBERO”, ka rrëfyer rrugëtimin e tij nga studimet në inxhinieri (në Amerikë), deri te angazhimi i tij për të ndihmuar komunitetin.

    “…Shkova në Arizonë, studiova aty inxhinieri. Por gjatë kohës t’u u bo inxhinier, ma rroki diçka – kuptova që bota ka më shumë nevojë për njerëz me zemër të mirë…”, ka treguar Dida.

    Ai shpjegoi se entuziazmi i tij nuk ishte vetëm për arritje akademike, por për të kontribuar për të mirën e komunitetit: “…Unë e kisha entuziazmin me shku me ju ndihmu njerëzve, me këqyr qysh me eduku edhe zemrën, me u bo ndryshimtar… Shkova te dekani dhe i thashë ‘kështu bre e kam gjendjen’. Ai më tha: ‘Mentor, çfarë vizioni, çfarë ëndrre të mirë, unë çkado që të duhet ka me të ndihmu’.”

    Gjatë studimeve, Dida nuk u ndal vetëm në inxhinieri. Ai u bë senator i fakultetit dhe themeloi një organizatë në Kosovë për të mbështetur komunitetin dhe iniciativat sociale, duke shndërruar idetë e tij në veprime konkrete.

    Një moment kyç në karrierën e tij akademike ishte kur fakulteti e përzgjodhi si folës në ceremoninë e mbylljes së vitit të graduimit dhe ia dha dy çmime: si studenti më i mirë i fakultetit të inxhinierisë dhe si studenti më i mirë i gjithë fakultetit. Dida përshkruan këtë si një “boost i madh” për motivimin dhe vizionin e tij për të ndihmuar të tjerët.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Mentor Didës, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Vuajtja nga ankthi e çoi drejt Jogës, sot Sara Obërtinca është trajnere që ndihmon të tjerët

    Vuajtja nga ankthi e çoi drejt Jogës, sot Sara Obërtinca është trajnere që ndihmon të tjerët

    Ajo e nisi si një mënyrë për ta ndihmuar veten, por sot është kthyer në një mision për të ndihmuar edhe të tjerët. Sara Obërtinca, tashmë trajnere e Jogës, tregon se rrugëtimi i saj me këtë praktikë filloi në një periudhë sfiduese të jetës.

    Në një rrëfim për emisionin “LIBERO”, ajo ka treguar se fillimisht e provoi Jogën për ta menaxhuar ankthin dhe stresin, pa e menduar se një ditë do të bëhej instruktore.

    “…Kam bërë Joga për vete dhe e kam vërejtur që po më ndihmon mentalisht shumë, sidomos për ankth, për stres…”, ka thënë ajo.

    Sipas Obërtincës, përfitimet që ndjeu në gjendjen e saj emocionale e shtynë të mësonte më shumë rreth kësaj praktike dhe më vonë të marrë edhe licencën si instruktore.

    “…Unë e kam pa që po më ndihmon dhe mandej kam dashtë me e bo trajnimin dhe me marrë licencën si instruktore, por në fakt nuk e kam pasë qëllim me jap mësim, me u bo instruktore; kam pasë qejf me mësu për vete…”, është shprehur Sara.

    Ajo tregoi se një periudhë me ankth dhe sulme paniku e bëri të kërkonte mënyra për ta përmirësuar mirëqenien mendore.

    “Kam pasë një fazë sfiduese që kisha panika, ankth. Besoj që secili e ka një fazë pak më sfiduese gjatë jetës së vet. Po më ka ndihmu Joga, sidomos ushtrimet e frymëmarrjes…”, ka rrëfyer Obërtinca.

    Vlen ta potencojme se sipas disa studimeve  shkencore thuhet se praktika e Jogës mund të ketë ndikim pozitiv në reduktimin e ankthit dhe stresit. Një studim i publikuar (në vitin 2024) në National Library of Medicine ka zbuluar se personat që praktikonin joga për disa javë kishin një ulje të ndjeshme të simptomave të ankthit dhe përmirësim të cilësisë së jetës krahasuar me ata që nuk e praktikonin.

    Po ashtu, analiza e disa studimeve klinike ka treguar se kombinimi i ushtrimeve fizike të jogës, teknikave të frymëmarrjes dhe meditimit mund të ndihmojë në uljen e stresit të perceptuar dhe në përmirësimin e mirëqenies mendore te të rriturit.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Sara Obërtincës, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Arbesa Abazi rrëfeu eksperiencën në Dior që i formoi vizionin në modë

    Arbesa Abazi rrëfeu eksperiencën në Dior që i formoi vizionin në modë

    Arbesa Abazi, kreatore e modës, ka ndarë në emisionin “LIBERO” një përvojë të paharrueshme nga studimet e saj, që ka lënë gjurmë të thella në karrierën e saj.

    Abazi tregoi vizitën e një ekspozite të shtëpisë së modës Dior në Paris, një eksperiencë që i ofroi mundësinë të kuptonte nga afër se si funksionon dizajni në një nga shtëpitë më të mëdha të modës në botë.

    “…Ne shkuam si studentë për të vizituar nga afër proceset e punës në shtëpitë e mëdha të modës. Mësova kulturë të lartë në çdo aspekt – nga prezantimet e tyre, profesionalizmi, deri te mënyra se si i organizojnë dyqanet…”, rrëfeu Arbesa.

    Ajo tregoi se, kur arritën në dyqanet e Dior, si studentë nuk kishin asnjë qëllim të blinin diçka; vizita ishte thjesht një mundësi për të parë nga afër botën e modës. Por ajo që ndodhi tejkaloi pritshmëritë e tyre!

    “…Kur u ndodhëm në dyqanet e Dior, nuk kishim ndërmend të blinim asgjë, sepse ishim studentë. Por njëri prej punonjësve na tha: ‘Kjo është për ju, hyni brenda dhe shihni nga afër.’ Ai veprim, sipas meje, tregon atë kulturë të veçantë profesionale”, potencoi Abazi.

    Kjo përvojë e hershme ka frymëzuar kreatoren e modës Arbesa Abazin dhe ka formuar mënyrën e saj të qasjes ndaj modës, duke e bërë profesionalizmin dhe kulturën e punës elemente kyçe të vizionit të saj artistik.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Arbesa Abazit, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Orav takim lamtumirës më Osmanin: BE është partneri i besueshëm i Kosovës

    Orav takim lamtumirës më Osmanin: BE është partneri i besueshëm i Kosovës

    Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav ka zhvilluar një takim lamtumirës me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

    Në këtë takim sipas njoftimit të zyrës së BE-së, Orava e ka falënderuar Osmanin për bashkëpunimin, duke shtuar se Bashkimi Evropian mbetet partneri më i besueshëm i Kosovës.

    “Në një takim lamtumirës sot, Aivo Orav falënderoi Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani për bashkëpunimin gjatë mandatit të tij si Ambasador i BE-së në Kosovë, duke theksuar se BE-ja mbetet partneri më i fortë dhe më i besueshëm i Kosovës ndërsa vendi avancon drejt BE-së”, thuhet në njoftim.

  • Gjermania i përgjigjet kërkesës së Trumpit: “Kjo nuk është luftë e NATO-s”

    Gjermania i përgjigjet kërkesës së Trumpit: “Kjo nuk është luftë e NATO-s”

    Berlini i është përgjigjur thirrjeve të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për të ndihmuar në mbajtjen e rrugëve të transportit detar pa ndërprerje në Ngushticën e Hormuzit.

    Në këtë drejtim, sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, një zëdhënës i qeverisë tha: “Kjo luftë nuk ka të bëjë fare me NATO-n. Nuk është luftë e NATO-s”.

    Komenti i bërë nga zëdhënësi i kancelarit Friedrich Merz vjen pasi Trump bëri një “kërcënim” ndaj aleancës së NATO-s, duke thënë se ajo mund të përballet me një “të ardhme shumë të keqe”.

    Kështu, qeveria gjermane përsëriti edhe një herë se nuk do të merrte pjesë në asnjë aktivitet në Ngushticën e Hormuzit.

    “Pjesëmarrja nuk është marrë në konsideratë para kësaj lufte dhe nuk po merret në konsideratë tani”, shtoi zëdhënësi i qeverisë, shkruan CNN.

    Këtë mëngjes, duke mbërritur në Bruksel, ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul u tha gjithashtu gazetarëve se nuk sheh një rol për anëtarët e NATO-s në Ngushticën e Hormuzit.

    E sipas DW, ai e përjashton për momentin pjesëmarrjen gjermane në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit.

    Në emisionin televiziv “Bericht aus Berlin” ai tha: “Ne nuk do të marrim pjesë në këtë konflikt”.

    Sipas Wadephul, SHBA-ja dhe Izraeli i kanë thënë se qëllimi i sulmeve të tyre është shkatërrimi i kapaciteteve ushtarake të Iranit, veçanërisht i programit bërthamordhe i programit të raketave.

    Gjermania pret ta informojnë kur kjo të ketë ndodhur dhe “pastaj do të dëshironim me kënaqësi të marrim pjesë në negociata”, tha ai.

    Ndërsa lidhur me një zgjerim të mundshëm të misionit detar të BE-së “Aspides” në Ngushticën e Hormuzit, Wadephul u shpreh se është “shumë skeptik” nëse kjo do të sillte më shumë siguri në atë zonë, pasi sipas tij aty ku është vendosur tani misioni në Detin e Kuq “nuk po tregon efekte”.

    Ai pranoi se nuk kishte pritur drejtpërdrejt luftë dhe se gjithashtu “nuk dihet plotësisht saktë” se kur do të përfundojë.

    Sipas tij, është e qartë se Evropa gjithmonë ofron mbështetje konstruktive, kur bëhet fjalë për sigurimin e rrugëve detare.

    “Por unë nuk shoh ndonjë nevojë të menjëhershme, dhe sidomos se pse Gjermania duhet të marrë pjesë”, citohet të ketë thënë ai.

    “Kërkesa jonë ndaj SHBA-së dhe Izraelit është të na mbajnë të informuar dhe të na tregojnë cilat objektiva konkrete po ndjekin, dhe pastaj të diskutojmë së bashku se si mund të përfundojë kjo luftë”, ka thënë ministri i jashtëm gjerman.

    Sipas Wadephul në rajon të gjithë presin që Gjermania të ketë një rol aktiv.

    Siç vënë në pah më tej Mediat, Merz ka forcuar qëndrimin e tij ditët e fundit, ndërsa lufta me Iranin vazhdon të mos tregojë shenja përfundimi.

    Javën e kaluar ai kritikoi SHBA-në për lehtësimin e sanksioneve ndaj Rusisë dhe ka thënë hapur se nuk është i qartë se cilat janë planet e SHBA-së për t’i dhënë fund luftës.

    Kancelari gjerman do të takohet me kryeministrin holandez Rob Jetten në Berlin më vonë sot. Të dy udhëheqësit ka të ngjarë të përgjigjen në pyetje mbi përgjigjet e tyre ndaj Trump dhe kërkesave të tij