ATV

Category: Lajme

  • Rusia pranon të ndalojë rekrutimin e kenianëve për luftën kundër Kievit

    Rusia pranon të ndalojë rekrutimin e kenianëve për luftën kundër Kievit

    Rusia ka rënë dakord të ndalojë rekrutimin e qytetarëve kenianë për të luftuar me ushtrinë e saj në Ukrainë. Kështu ka deklaruar këtë të hënë, ministri i jashtëm i Kenias Musalia Mudavadi, pas bisedimeve me homologun e tij rus në Moskë.

    Më shumë se 1 mijë e 780 qytetarë nga 36 vende afrikane besohet se po luftojnë përkrah Rusisë në Ukrainë, sipas vlerësimeve të Ukrainës në shkurt.

    Shërbimet e inteligjencës së Kenias vlerësojnë se mbi 1 mijë kenianë janë dërguar për të luftuar, sipas një raporti të parë nga Agence France-Presse (AFP).

    “Tani kemi rënë dakord që kenianët nuk do të rekrutohen,” tha ministri Mudavadi, duke folur para gazetarëve përkrah ministrit të jashtëm rus, Sergei Lavrov, citon The Guardian.

    Që nga dërgimi i trupave në Ukrainë në vitin 2022, Rusia është akuzuar shpesh herë se ka rekrutuar njerëz nga kombësi të ndryshme për të luftuar përkrah ushtrisë së saj.

    Lavrov tha se qytetarët kenianë kishin nënshkruar vullnetarisht kontrata për të luftuar me ushtrinë ruse. Por disa prej tyre, si atleti Evans Kibet, pretendojnë se u mashtruan. Kibet, i kapur nga Ukraina dhe i mbajtur si rob lufte, i tha AFP-së në një intervistë nga vendi ku mbahej se ishte mashtruar për të nënshkruar një kontratë ushtarake pasi kishte shkuar në Rusi për një aktivitet sportiv.

    Kryeministri britanik Keir Starmer, që pret presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy për bisedime të martën, paralajmëroi se lufta SHBA-Izrael kundër Iranit nuk duhet të kthehet në “fitim për Putinin”.

    Rusia ka përfituar rreth 6 miliardë euro nga shitja e karburanteve fosile që prej nisjes së konfliktit. Zelenskyy do të vizitojë Madridin të mërkurën për takime me kryeministrin Pedro Sánchez.

    Rusia ka marrë kontrollin e 12 vendbanimeve në Ukrainë në dy javët e para të marsit si pjesë e avancimeve përgjatë vijës së frontit në lindje dhe jug të Ukrainës, sipas agjencive shtetërore ruse të lajmeve, që citojnë gjeneralin e lartë Valery Gerasimov. Ai tha se forcat ruse po “lëvizin në mënyrë aktive drejt Slovianskut,” një qytet i fortifikuar në rajonin lindor të Donetskut, i konsideruar prej kohësh një nga objektivat kryesore të Moskës.

    Ndërkohë, një cisternë gazi ruse e dëmtuar, “Arctic Metagaz”, po endet pa ekuipazh prej gati dy javësh me 700 ton karburant në bord. Rusia tha se anija, pjesë e “flotës hije” të sanksionuar nga SHBA-të dhe BE-ja, u sulmua nga dronë detarë ukrainas.

  • Rritja e çmimit të energjisë mund të arrijë deri në 20%, paralajmëron Shala

    Rritja e çmimit të energjisë mund të arrijë deri në 20%, paralajmëron Shala

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka paralajmëruar se çmimi i energjisë elektrike në Kosovë pritet të rritet, duke u bazuar në zhvillimet e fundit në sektorin energjetik dhe kërkesat e paraqitura pranë institucioneve rregullatore.

    Sipas Shalës, politikat e deritanishme qeveritare, së bashku me paralajmërimet e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) dhe kërkesat e kompanive furnizuese për përcaktimin e të hyrave maksimale të lejuara, tregojnë se një rritje e tarifave të energjisë është e pashmangshme.

    “Nisur nga politikat qeveritare të deritanishme, si dhe nga paralajmërimet e ZRRE-së dhe kërkesat tashmë të deponuara për përcaktimin e të hyrave maksimale të lejuara nga kompanitë furnizuese me energji elektrike, është e qartë se çmimi i energjisë pritet të rritet”, ka deklaruar Shala.Ai ka theksuar se niveli i saktë i rritjes do të varet nga vendimet që do të marrin institucionet përgjegjëse për menaxhimin dhe rregullimin e sektorit energjetik.“Sa do të jetë niveli i kësaj rritjeje do të varet nga institucionet përgjegjëse që vendosin, trajtojnë dhe menaxhojnë sektorin energjetik”, ka thënë ai për FrontOnline.

    Megjithatë, sipas indikacioneve aktuale që ai përmend, rritja e çmimit të energjisë mund të arrijë deri në rreth 20 për qind.

    “Sipas indikacioneve aktuale, rritja mund të jetë rreth 20%”, është shprehur ai.

    Shala ka vlerësuar se situata aktuale politike në vend mund të ndikojë në një vendim të tillë, për shkak të mungesës së kontrollit të mjaftueshëm institucional, transparencës së plotë dhe një auditimi të qartë të shpenzimeve dhe importeve të energjisë.

    Ai gjithashtu ka theksuar se një parlament jashtë funksionit dobëson mbikëqyrjen institucionale dhe krijon hapësirë për keqmenaxhim apo korrupsion në sektorin energjetik.

    “Në këto rrethana, një parlament jashtë funksionit përbën një faktor që dobëson mbikëqyrjen institucionale dhe krijon hapësirë për keqmenaxhim apo korrupsion në sistemin energjetik qeveritar”, ka shtuar Shala.

  • Zelensky viziton sot Mbretërinë e Bashkuar

    Zelensky viziton sot Mbretërinë e Bashkuar

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky sot do të vizitojë Mbretërinë e Bashkuar .Kjo u bë e ditur nga Sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey.

    “Do ta mirëpresim Presidentin Zelensky”, është shprehur ai.

    Kjo vjen pas deklaratës së Sir Keir Starmer se do të takohej së shpejti me presidentin ukrainas, sepse “është jetike që të vazhdojmë të përqendrohemi në mbështetjen e Ukrainës”.

  • Ambasada amerikane në Irak sërish në shënjestër, raportohet për sulm me dronë e raketa

    Ambasada amerikane në Irak sërish në shënjestër, raportohet për sulm me dronë e raketa

    Dronë dhe raketa janë lëshuar drejt ambasadës së SHBA-së në Bagdad, kryeqyteti i Irakut, në sulmin e dytë të tillë gjatë kësaj lufte.

    Ndërkohë, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë rihapur hapësirën e tyre ajrore pasi kërcënimet me raketa dhe dronë nga Irani i detyruan ta mbyllnin përkohësisht.

    Milicia pro-iraniane në Irak publikoi pothuajse dy minuta pamje në Telegram që tregojnë një dron duke fluturuar ulët brenda kompleksit të ambasadës së SHBA-së në Bagdad.

    Droni shihet duke lëvizur mes ndërtesave në kompleksin shumë të fortifikuar dhe duke kaluar vetëm disa metra pranë një flamuri të madh amerikan gjatë ditës. Nuk duket se ka goditur ndonjë objekt brenda kompleksit.

    Videoja mban datën 16 mars, por CNN raporton nuk mundi të verifikojë saktësisht se kur është regjistruar. Në fillim të marsit, ambasada urdhëroi të gjithë stafin jothelbësor të largohej për shkak të shqetësimeve për sigurinë.

    Publikimi i pamjeve erdhi disa orë pasi hoteli Al-Rasheed, i cili ndodhet brenda “Green Zone” ku ndodhet edhe ambasada, u godit pas një sulmi me dron gjatë natës.

    Ambasada e SHBA-së ka qenë në shënjestër të disa sulmeve ditët e fundit, ajo u godit nga dy dronë të shtunën dhe mbrojtja ajrore u aktivizua për të rrëzuar projektile hyrëse të hënën.

    Disa grupe milicie pro-iraniane që veprojnë në Irak kanë marrë përgjegjësinë për sulme të ndryshme ndaj objektivave amerikane atje që nga fillimi i luftës me Iranin.

    Presidenti amerikan, Donald Trump vazhdon t’u bëjë thirrje vendeve të tjera, veçanërisht aleatëve të NATO-s, që të ndihmojnë në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit, një rrugë kyçe për transportin e naftës.

    Por kancelari gjerman Friedrich Merz thotë se kjo luftë “nuk është çështje për NATO-n”, ndërsa aleanca deklaron se “aleatët tashmë kanë shtuar përpjekjet për të siguruar më shumë siguri në Mesdhe”.

    Liderët e Mbretërisë së Bashkuar, Kanadasë, Francës, Gjermanisë dhe Italisë kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët, duke thënë se një ofensivë e madhe tokësore izraelite në Liban do të kishte “pasoja shkatërruese humanitare”.

  • Festa e Bajramit kthehet në ‘luftë’ për mjekët: 150 pacientë për infuzione brenda ditës

    Festa e Bajramit kthehet në ‘luftë’ për mjekët: 150 pacientë për infuzione brenda ditës

    Mjekja e përgjithshme (dhe nutricionistja) Dhurata Nasufi-Halabaku, në emisionin “LIBERO”, ka ngritur alarmin për rritjen e rasteve të helmimeve ushqimore gjatë festës së Bajramit, duke e përshkruar këtë ditë si një “luftë” për stafin mjekësor për shkak të numrit të madh të pacientëve që kërkojnë ndihmë.

    Sipas saj, ndryshe nga ditët e zakonshme, gjatë Bajramit evidentohet një fluks i jashtëzakonshëm i pacientëve, ku vetëm në kujdestari paraqiten deri në 140–150 persona që kanë nevojë për trajtim me infuzione.

    Ajo theksoi se një nga arsyet kryesore të këtyre rasteve është konsumimi i ushqimeve të papërshtatshme ose i atyre të ruajtura në kushte jo të sigurta.

    “…Bakllavaja mund të qëndrojë edhe 2–3 javë pa u prishur, ndërsa ëmbëlsirat që përmbajnë vezë, qumësht dhe sheqer janë shumë më të ndjeshme. Nëse këto ëmbëlsira qëndrojnë për një ditë në temperaturë rreth 20 gradë Celsius, ato fillojnë të prishen dhe shkaktojnë helmime, si te të rriturit ashtu edhe te fëmijët”, ka deklaruar Nasufi.

    Mjekja apelon për kujdes të shtuar gjatë përgatitjes dhe ruajtjes së ushqimeve festive, duke rekomanduar që ato të konsumohen të freskëta dhe të ruhen në kushte të përshtatshme, për të shmangur pasojat shëndetësore gjatë festës.

    Për ta dëgjuar diskutimin e plotë rreth kësaj teme, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Anulohet seanca për krime lufte ndaj të akuzuarve Pantiq dhe Zariq

    Anulohet seanca për krime lufte ndaj të akuzuarve Pantiq dhe Zariq

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, këtë të martë për të dytën ditë me radhë është anuluar seanca ndaj dy të akuzuarve për krime lufte, Momir Pantiq dhe Zharko Zariq. Seanca e planifikuar për sot u anulua për arsye shendetësore të të akuzuarit Pantiq.

    Nga zyra e kryetares së trupit gjykues, Donikë Shala-Avdyli konfirmuan se nga Burgu i Sigurisë së Lartë në Dyz, janë njoftuar se gjendja shëndetësore e të akuzuari Pantiq vazhdon të jetë e njëjtë, për këtë arsye ai nuk mund të jetë prezent në gjykim as sot, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Edhe seanca e 16 marsit 2026 është anuluar për të njëjtat arsye.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 1 shtator 2024 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ish-kryeshef i stacionit policor në Istog, Momir Pantiq dhe ish-polici Zharko Zariq, ngarkohen se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”.

    Sipas aktakuzës, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, më datën 19 maj 1999 në fshatin Dubravë, saktësisht në burgun e Dubravës pas bombardimeve të NATO-s ku si pasojë kishin mbetur të vrarë 3 të burgosur shqiptarë, Pantiq si kryeshef i stacionit policor bashkë me forcat policore serbe kishin shkuar për të marrë kontrollin e situatës dhe pasi pushuan bombardimet në përbërje edhe të gardianëve kanë hyrë në dhomat e të burgosurve dhe kanë ushtruar dhunë sistematike, duke i rrahur në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, vetëm për faktin se ishin shqiptarë.

    Në aktakuzë thuhet se bombardimet e NATO-s kanë vazhduar edhe më 21 maj, ku mbetën të vrarë 18 të burgosur shqiptarë dhe dhjetëra të tjerë të plagosur. Ndërsa, një ditë pas në mëngjes gardianët, të burgosurit, serbë të armatosur bashkë me forcat policore dhe Njësitë Speciale të cilët gjendeshin nën komandën e Stacionit Policor në Istog, fillimisht i kanë mbledhur të burgosurit shqiptarë në fushën e sportit dhe më pas, siç thuhet në aktakuzë filluan të gjuajnë me armë zjarri të llojeve të ndryshme, kurse nga mbrapa murit të burgut kanë gjuajtur me bomba në drejtim të burgosurve shqiptarë.

    Gjithmonë, duke iu referuar aktakuzës, forcat policore serbe të Stacionit Policor në Istog, nën udhëheqjen e Pantiqit po ashtu, kidnapuan një civil shqiptar me pseudonimin “A1”, të cilin e dhunuan seksualisht. Përveç viktimës “A1”, në aktakuzë përshkruhet dhunimi i një viktime tjetër- “B1”. Dy të pandehurit, po ashtu akuzohen për vrasje të disa familjeve në Komunën e Istogut.

  • Vdes babai i dëshmorit Ferit Curri

    Vdes babai i dëshmorit Ferit Curri

    Ka vdekur Esat Curri, babai i dëshmorit Ferit Curri.

    Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj i cili tha se i ndjeri la pas një jetë të mbushur me sfida e sakrifica.

    Përmes postimit në Facebook, kreu i Aleancës ngushëlloi familjen Curri, dhe të gjithë bashkëluftëtarët e familjeve të dëshmorëve.

  • Mbi 38 mijë lodra të pasigurta të ndaluara, rrezik për fëmijëve

    Mbi 38 mijë lodra të pasigurta të ndaluara, rrezik për fëmijëve

    Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka ndërmarrë një aksion të gjerë për të kontrolluar tregun e lodrave për fëmijë, duke ndaluar mbi 38 mijë lodra që nuk përmbushnin standardet e sigurisë. Vlera e tyre arrin rreth 100 mijë euro, ndërsa rreziku për shëndetin e fëmijëve konsiderohet i madh.

    Gjatë vitit 2026, IQMT ka realizuar një aksion të gjerë inspektimesh, si në zonat doganore ashtu edhe në tregun e brendshëm, ku janë inspektuar mbi 50 subjekte.

    Në këtë aksion, janë ndaluar 38,000 copë lodra të pasigurta për fëmijë, të cilat janë kthyer në vendin e origjinës.

    Qëllimi i këtyre aksioneve është që në treg të gjenden produkte të sigurta dhe në përputhje me standardet ligjore, duke kontribuar në mbrojtjen e shëndetit dhe mirëqenies së qytetarëve.

    Kriter bazë sipas direktivave të Bashkimit Evropian për importimin e lodrave është shenja CE, e cila tregon se lodrat janë të përshtatura me standardet evropiane të sigurisë, shëndetit dhe mbrojtjes së mjedisit.

    Ekipi i RTK-së vizitoi disa dyqane dhe tregun e gjelbër në Prishtinë, ku u vu re se disa lodra nuk kishin shenjën CE dhe nuk përmbanin informacion mbi origjinën dhe përmbajtjen. Ndërkohë, dyqanet më të mëdha kishin vendosur shenjat dhe dokumentacionin e nevojshëm.

    “Me numrin e vogël të inspektorëve është e kuptueshme që ndodh rrjedhje e kontrabandës, veçanërisht me lodra për fëmijë, që shpesh janë edhe të rrezikshme dhe kancerogjene. Duhet të fokusohen më shumë kontrollet parandaluese, pasi lodrat e lira nga Kina apo shtete të tjera mund të dëmtojnë shëndetin e fëmijëve”, tha Lulzim Beqiri, njohës i ekonomisë.

    Çmimet e lodrave të importuara nga Kina mund të jenë edhe vetëm 1 euro, dhe shpesh mungojnë të dhënat mbi origjinën dhe përmbajtjen e tyre, duke rritur rrezikun për konsumatorët më të rinj.

  • Afro 200 ushtarë amerikanë janë plagosur deri më tani në luftën me Iranin

    Afro 200 ushtarë amerikanë janë plagosur deri më tani në luftën me Iranin

    Afërsisht 200 trupa amerikane janë plagosur në shtatë vende të ndryshme gjatë fushatës ushtarake në vazhdim kundër Iranit, sipas zëdhënësit të Komandës Qendrore të SHBA-së, Timothy Hawkins.

    Shumica dërrmuese e këtyre lëndimeve, sipas Hawkins, kanë qenë të lehta dhe më shumë se 180 ushtarë amerikanë janë rikthyer tashmë në detyrë, transmeton Telegrafi.

    Përditësimi rrit totalin nga 140 trupa amerikane që Pentagoni tha se ishin plagosur që nga 10 marsi. Në atë kohë, agjencia tha se tetë nga këto lëndime ishin të rënda.

    Një zyrtar amerikan i tha më parë CNN se ushtarët që konsiderohen të plagosur rëndë përfshijnë raste të rëndësishme, ku vdekja është e mundur ose e afërt. Trembëdhjetë ushtarë amerikanë janë vrarë në aksion deri më sot.

    Nuk është e pazakontë që numri i lëndimeve të luhatet ose të rritet me kalimin e kohës, pasi ushtarët mund të mos kërkojnë kujdes menjëherë pas një incidenti në varësi të ashpërsisë së tij.

  • Çfarë është HELIOS, laseri amerikan që shkatërron dronët e lirë iranianë?

    Çfarë është HELIOS, laseri amerikan që shkatërron dronët e lirë iranianë?

    Laseri me Energji të Lartë me Vezullim Optik të Integruar dhe Mbikëqyrje, i vendosur në një anije detare amerikane, rrëzoi disa dronë javën e kaluar. Ja çfarë duhet të dini rreth teknologjisë që ndryshon lojën.

    Lufta e Iranit, tani në javën e tretë, tashmë po rezulton e kushtueshme: të premten, një zyrtar i administratës Trump tha se konflikti deri më tani kishte kushtuar 12 miliardë dollarë (10.4 miliardë euro), ose pak më pak se 1 miliard dollarë në ditë, transmeton Telegrafi.

    Irani ka reaguar ndaj ndërhyrjes SHBA-Izrael duke nisur fushatën e vet të bombardimeve kundër fqinjëve të tij rajonalë, duke përdorur dronë të lirë si Shahed 136 i projektuar dhe i prodhuar nga Teherani, që kushtojnë 20,000-50,000 dollarë secili (17,400-43,500 euro).

    Ndërkohë, SHBA-të i kanë rrëzuar ato me raketa interceptuese Patriot, të cilat kushtojnë nga 3 deri në 4 milionë dollarë (2.6 milionë-3.5 milionë euro), dhe interceptorë THAAD, të cilët kushtojnë 10 milionë dollarë (8.7 milionë euro).

    Edhe pse buxheti ushtarak i Uashingtonit prej 900 miliardë dollarësh (783.8 miliardë euro) e lë jashtë loje atë të Iranit, me shpenzimet e mbrojtjes në vitin 2025 prej afërsisht 23 miliardë dollarësh (21 miliardë euro), kjo nuk është qartë një mënyrë efektive nga ana e kostos për SHBA-të për të zhvilluar luftë.

    Megjithatë, SHBA-të tani po vendosin teknologji që do ta kthejnë situatën në favor të tyre duke e ulur koston e rrëzimit të një droni nga disa milionë në vetëm disa centë: armë laserike.

    Javën e kaluar, u raportua se një anije e Marinës Amerikane, USS Preble, një shkatërrues i klasit Arleigh Burke, rrëzoi disa dronë iranianë duke përdorur një armë të re laserike të njohur si HELIOS.

    HELIOS, i njohur gjithashtu si Laseri me Energji të Lartë me Verbim Optik të Integruar dhe Mbikëqyrje, është një armë laserike me energji të lartë prej 60 kilovatësh e projektuar për të kapur dronë luftarakë, avionë dhe raketa. Helios është gjithashtu emri grek për perëndinë e diellit.

    I projektuar nga gjiganti amerikan i mbrojtjes Lockheed Martin, sistemi i armëve tani po integrohet në anijet detare dhe mjetet amfibe si një mbrojtje kundër sulmeve me dronë dhe raketa.

    Deri më tani, USS Preble është e vetmja anije e pajisur me sistemin dhe aktualisht është vendosur në brigjet e Iranit.

    Kontraktori amerikan i mbrojtjes fitoi kontratën për të zhvilluar armën në janar 2018, me zhvillimin që ndodhi deri relativisht vonë duke përfshirë një provë të suksesshme në shkurt 2026.

    HELIOS mund të godasë objektiva me një intensitet të ulët energjie për të “verbuar”, që në fund të fundit do të thotë të ngatërrojë sistemin e udhëzimit dhe ta detyrojë mjetin ose raketën të rrëzohet, ose një intensitet të lartë energjie për ta “vrarë” objektivin duke e mbinxehur atë.

    Lockheed Martin gjithashtu pretendon se sistemi është lehtësisht i shkallëzueshëm, me arkitekturën aktuale që tashmë është e aftë të arrijë 120 kilovat.

    Kompania e përshkruan atë si “më shumë se një laser, HELIOS është një sistem i integruar armësh”.

    Siç sugjeron edhe emri, HELIOS mund të përdoret gjithashtu për mbikëqyrje dhe zbulim falë imazheve termike, shikimit të natës dhe shikimit me definicion ultra të lartë, duke i mundësuar atij të identifikojë, gjurmojë dhe vlerësojë objektivat deri në 8 kilometra larg.

    HELIOS ka dobësi: efektiviteti i tij është i kufizuar nga shiu, tymi, pluhuri, retë, mjegulla dhe ndërhyrje të tjera atmosferike që shpërndajnë rrezen.

    Arma gjithashtu kërkon një sasi të konsiderueshme energjie për të qëlluar dhe ka një rreze veprimi të kufizuar.