ATV

Category: Lajme

  • KFOR-i në Bondsteel prezantoi pajisje për zbulimin dhe neutralizimin e dronëve

    KFOR-i në Bondsteel prezantoi pajisje për zbulimin dhe neutralizimin e dronëve

    Pjesëtarët e KFOR-it nga Komanda Rajonale Lindje organizuan në kampin Bondsteel një demonstrim të kapaciteteve për luftimin e sistemeve ajrore pa pilot (CUAS), për zyrtarë të lartë ushtarakë të kësaj komande.

    Siç është bërë e ditur nga KFOR-i, gjatë ngjarjes u prezantuan pajisjet dhe kapacitetet që përdoren për zbulimin dhe reagimin ndaj mjeteve ajrore pa pilot, ndërsa qëllimi i aktivitetit ishte gjithashtu forcimi i ndërveprueshmërisë ndërmjet forcave shumëkombëshe që marrin pjesë në këtë mision, transmeton Paparaci.

    Ata shtuan se pjesëtarët e KFOR-it vazhdojnë të monitorojnë situatën e sigurisë dhe të kontribuojnë në stabilitetin në të gjithë rajonin.

    “Ky aktivitet pasqyron gjithashtu përkushtimin e vazhdueshëm të KFOR-it për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”, thuhet nga misioni i NATO-s në Kosovë.

    Edhe këtë herë theksuan se KFOR-i vazhdon të punojë në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.

    “Për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe në lirinë e lëvizjes në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si forca të sigurisë”, thuhet nga KFOR-i.

  • Kuba pa energji dhe në errësirë totale, Trump: Mund ta marr ishullin kur të dua

    Kuba pa energji dhe në errësirë totale, Trump: Mund ta marr ishullin kur të dua

    Kuba ndodhet prej pak ditësh pa energji elektrike. Kompania shtetërore e energjisë njoftoi lajmin se dy të tretat e ishullit të Karaibeve mbetën pa energji elektrike, duke shkaktuar protesta të dhunshme antiqeveritare që përfshiu qytetet kryesore, përfshirë kryeqytetin, Havana.

    “Shkëputja e plotë” e sistemit elektrik të vendit, siç thuhej në deklaratën e kompanisë kubaneze, është rezultat i embargos së ashpër të naftës të vendosur nga Shtetet e Bashkuara, pikërisht për të ushtruar presion mbi qeverinë dhe për të kthyer popullin kundër establishmentit.

    Për javë të tëra, rrugët e Kubës kanë qenë të mbushura me protesta kundër politikës dhe Partisë Komuniste, e cila pa zyrën e saj të digjej në qytetin e Moronit.

    “Unë vërtet besoj se do të kem nderin të pushtoj Kubën”. Me këto fjalë, Donald Trump iu rikthye çështjes së ishullit të Karaibeve, duke mos i fshehur ambiciet e reja të Shtëpisë së Bardhë.

    “Do të ishte fantastike. Është një nder i madh. Mund ta çliroj ose ta pushtoj: mendoj se mund të bëj çfarë të dua”.

    Sipas “New York Times”, Shtëpia e Bardhë ka urdhëruar tashmë presidentin kuban, Miguel Díaz-Canel të tërhiqet dhe të japë dorëheqjen për të lejuar që negociatat të përparojnë mbi të ardhmen e ishullit.

    Megjithatë, sipas rrjedhjeve të informacionit, dorëheqja e udhëheqësit nuk do të rezultonte në humbje të pushtetit për Partinë Komuniste.

    Ndërprerjet e energjisë u shkaktuan nga një “mbyllje e plotë e rrjetit kombëtar të energjisë elektrike”, tha në një deklaratë Unioni Kombëtar i Energjisë Elektrike i Kubës, duke shtuar se puna ka filluar për të rivendosur energjinë elektrike.

    Por pas javësh errësire, është e vështirë të parashikohet se kur dritat do të ndizen përsëri në ishull. Për momentin, energjia elektrike u garantohet vetëm atyre që mund të përballojnë gjeneratorët.

    Të premten, presidenti Miguel Díaz-Canel, zbuloi se ishulli nuk kishte marrë furnizime me naftë për më shumë se tre muaj.

    Energjia furnizohej nga energjia diellore, gazi natyror dhe termocentralet. Megjithatë, sistemi ishte i mbingarkuar pikërisht për shkak të mungesës së naftës bruto, duke e detyruar qeverinë të shtynte operacionet për dhjetëra mijëra njerëz.

    Kapja e presidentit venezuelan, Nicolas Maduro më 3 janar nga forcat speciale amerikane, rezultoi fatale për Kubën.

    Havana, në fakt, mbështetej te Karakasi për 50-60% të naftës së saj bruto të importuar. Pa të, Havana nuk mund të mbijetojë, përveç nëse arrin një marrëveshje me Uashingtonin, siç e konfirmoi vetë presidenti kubanez.

  • Ngjarje e rëndë në Kumanovë: Dy fëmijë 3 dhe 4 vjeç helmohen nga një helm për bujqësi

    Ngjarje e rëndë në Kumanovë: Dy fëmijë 3 dhe 4 vjeç helmohen nga një helm për bujqësi

    Dy fëmijë të moshës tre dhe katër vjeç nga një fshat i Kumanovës janë dërguar për kontroll mjekësor pasi dyshohet për helmim nga një lëng që përdoret për kulturat bujqësore. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rastit.

    Rasti është raportuar në polici nga një mjek i Spitalit të Përgjithshëm në Kumanovë dje në ora 11:52.

    “Silleshin për kontroll dy fëmijë të moshës tre dhe katër vjeç nga rajoni i Kumanovës, të cilët ishin helmuar nga një lëng që përdoret për kulturat bujqësore. Pas kontrollit mjekësor ata janë transferuar në Kompleksin e Klinikave ‘Nënë Tereza’ në Shkup”, njoftuan nga policia.

    Nga spitali bëjnë të ditur se gjatë kontrollit klinik fëmijët kanë qenë në gjendje të mirë të përgjithshme dhe me parametra vitalë stabilë.

    “Për shkak të mundësisë për intoksikim, pacientët janë transportuar me automjet spitalor dhe me shoqërim të ekipit mjekësor në ISHP Klinika Universitare për Sëmundje të Fëmijëve në Shkup”, njoftojnë nga spitali.

  • Me 79 vota pro, Shqipëria miraton projekt rezolutën për shpalljen e Iranit sponsor të terrorizmit

    Me 79 vota pro, Shqipëria miraton projekt rezolutën për shpalljen e Iranit sponsor të terrorizmit

    Ka nisur seanca në Kuvend me qëllim miratimin e projektrezolutës për shpalljen e Iranit “shtet financues të terrorizmit”.

    Një ditë më parë opozita njoftoi se nuk do të marrë pjesë në seancë, për të cilën tha se do të mblidhet për agjendën personale të kryeministrit Edi Rama.

    Është miratuar me 79 vota pro, 1 abstenim dhe 0 kundër projekt-rezoluta për shpalljen e Iranit sponsor të terrorizmit.

    Rezoluta u miratua pa prezencën e deputetëve të opozitës, të cilët lajmëruan një ditë më parë se nuk do të marrin pjesë në seancë.

  • ShBA mirëpret ujdinë mbi zbatimin e Ligjit për të Huajt: Çdo ndryshim të bëhet në konsultim me serbët e Kosovës

    ShBA mirëpret ujdinë mbi zbatimin e Ligjit për të Huajt: Çdo ndryshim të bëhet në konsultim me serbët e Kosovës

    Ambasada Amerikane në Prishtinë ka thënë se e mirëpret marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe BE-së mbi zbatimin e Ligjit për të Huajt.

    Ambasada në një përgjigje për gazetën online Reporteri.net ka thënë se përgëzon angazhimin e palëve në këtë çështje, për të arritur një zgjidhje të pranueshme për të dy palët.

    “Shtetet e Bashkuara mirëpresin njoftimin për arritjen e marrëveshjes mbi zbatimin e Ligjit për të Huajt. Ne përgëzojmë angazhimin e palëve në këtë çështje për të arritur një zgjidhje të pranueshme nga të dyja palët“, ka thënë një zëdhënës i Ambasadës amerikane, të martën, për Reporteri.net.

    Ambasada tutje thekson se çdo ndryshim që ndikon në komunitetin serb të Kosovës duhet të bëhet në konsultim të ngushtë dhe me mbështetjen e komunitetit serb të Kosovës.

    “Çdo ndryshim që ndikon në komunitetin serb të Kosovës duhet të bëhet në konsultim të ngushtë dhe me mbështetjen e komunitetit serb të Kosovës“, thuhet në përgjigjen për Reporteri.net.

    Më 14 mars, Qeveria e Kosovës u pajtua që të ofrojë leje të përkohshme qëndrimi dhe të njohë letërnjoftimet e pjesëtarëve të komunitetit serb që nuk janë të pajisur me dokumente të Kosovës në Ligjin për të huajt dhe për automjetet, që nisi të zbatohet nga 15 marsi.

    Vendimi u bë publik pas një takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

    Sorensen, të shtunën pas takimit në Prishtinë me kryeministrin Albin Kurti, njoftoi se janë pajtuar për disa masa shtesë në zbatimin të Ligjit për të Huajt dhe atij për Automjete, përfshirë dhënien e lejes nga Qeveria e Kosovës për një periudhë fillestare prej 12 muajsh për punëtorët arsimorë e shëndetësorë dhe studentët serbë.

    Vendimi u përshëndet nga bashkësia ndërkombëtare. Shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, të shtunën tha se është e gatshme ta ndërmjetësojë “së shpejti” një takim të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë, pasi autoritetet kosovare mundësuan lehtësira të përkohshme për komunitetin serb në Ligjin për të huajt.

    Sipas saj, “është krijuar një momentum i ri për t’i çuar përpara marrëdhëniet mes BE-së dhe Kosovës dhe dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit”.

  • Trump shtyn vizitën në Kinë: Kemi një luftë në zhvillim

    Trump shtyn vizitën në Kinë: Kemi një luftë në zhvillim

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se planifikon të shtyjë me rreth një muaj vizitën e rëndësishme në Kinë, e parashikuar për në fund të marsit, për shkak të luftës me Iranin.

    “Është shumë e thjeshtë. Kemi një luftë në zhvillim. Mendoj se është e rëndësishme që të jem këtu,” u shpreh ai, duke theksuar se “nuk ka asnjë prapavijë” në këtë vendim dhe se mbetet në pritje për t’u takuar me Presidentin Xi Jinping.

    Ky zhvillim vjen një ditë pasi Trump i tha gazetës britanike “Financial Times” se mund të shtyjë takimin nëse Kina nuk ndihmon në zhbllokimin e Ngushticës së Hormuzit.

    Deklaratat e Trump vijnë në një kohë kur tensionet mes dy ekonomive më të mëdha në botë janë rritur, të nxitura edhe nga konflikti me Iranin.

    Pekini mbetet një nga blerësit kryesorë të eksporteve energjetike iraniane dhe ka kritikuar sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj këtij vendi.

    Ndërkohë, Uashingtoni ka njoftuar se do të nisë hetime mbi praktikat tregtare të disa vendeve, përfshirë Kinën, pasi politika tarifore e Trump u rrëzua nga Gjykata e Lartë në muajin shkurt.

     

  • Shpenzimet rekorde të VV-së për fushatë, Muharremi: Partia e ndihmave sociale paska shpenzuar mbi 4 milionë euro

    Shpenzimet rekorde të VV-së për fushatë, Muharremi: Partia e ndihmave sociale paska shpenzuar mbi 4 milionë euro

    Analisti Shenoll Muharremi ka komentuar shpenzimet e mëdha të VV-së për fushatë zgjedhore.

    Duke ironizuar, ai ka bërë me dije se VV-ja, e cila njihet si parti e ndihmave sociale, paska shpenzuar mbi 4 milionë euro gjatë vitit të kaluar.

    Në profilin e tij në Facebook, ajo ka shkruar disa detaje për këtë çështje.

    “LVV-ja, kjo “parti e ndihmave sociale” kishe për ‘barazi’ e me i ndihmu të ligut, paska shpenzu mbi 4 milionë euro për vete gjatë 2025 për me i fitu zgjedhjet. Po kjo nuk është kurgjo. Me gjasë, kësaj shume duhet me ia shtu edhe nja 100 milionë euro të tjera nga buxheti publik i Kosovës, të shpërndara nga 100 euro si bonuse për shtresa të ndryshme për me e manipulu votuesit dhe me i ja ble votën për me i fitu zgjedhjet përmes korrupsionit elektoral”, ka shkruar ai, duke shtuar se kjo parti është transformuar nga ajo që ka qenë në opozitë.

    “Pasiqë nuk ka më asnjë kauzë, e vetëm pushtet e pozita po don, e as me qeverisë nuk din, nuk ka realizu asnjë projekt madhor.. tash i ka mbetë vetëm korrupsioni elektoral dhe milionat për me e mbajtë pushtetin. Kjo nuk ka me pas një fund të mirë të qëndrueshëm për ta. Nga ajo LVV që e kemi njoftë kur ka qenë në opozitë, sot absolutisht asgjë nuk ka mbetë. Krejt ato të zeza që dikur kishe ka premtu që ka me i luftu, sot po i bën vetë”, ka shkruar ai.

  • Studimi i fundit: Ramazani ndihmon në uljen e depresionit dhe ankthit

    Studimi i fundit: Ramazani ndihmon në uljen e depresionit dhe ankthit

    Një studim i fundit shkencor ka nxjerrë në pah ndikimin pozitiv që muaji i Ramazanit mund të ketë në shëndetin mendor, duke treguar se agjërimi lidhet me ulje të ndjeshme të simptomave të depresionit, ankthit dhe stresit.

    Psikologia Teuta Cacaj Sadiku, duke iu referuar një studimi të publikuar në fund të vitit 2025, në emisionin “LIBERO” theksoi se përveç dimensionit shpirtëror, Ramazani ka edhe përfitime të rëndësishme nga këndvështrimi shkencor.

    “Edhe nga perspektiva shkencore kuptojmë se Ramazani ka një impakt shumë të madh në shëndetin mendor, duke na mundësuar kështu që ne të përfitojmë nga kjo duke pasur vetëkontroll, empati dhe më shumë kontroll mbi impulset,” u shpreh ajo.

    Sipas saj, studimi i publikuar në revistën shkencore Discover Psychology përfshinte një rishikim sistematik të 20 studimeve empirike, të mbledhura nga databaza të njohura shkencore si PubMed dhe Scopus. Qëllimi i këtij rishikimi ishte të vlerësonte ndikimin e agjërimit gjatë Ramazanit në shëndetin mendor.

    Rezultatet treguan se:

    • 72.7% e studimeve raportuan ulje të simptomave të depresionit
    • 66.7% raportuan ulje të ankthit
    • 85.7% raportuan ulje të stresit
    • 71.5% raportuan përmirësim të mirëqenies psikologjike

    Këto gjetje sugjerojnë se agjërimi gjatë Ramazanit mund të shërbejë jo vetëm si praktikë fetare, por edhe si një mekanizëm mbështetës për mirëqenien emocionale dhe psikologjike.

    Ekspertët theksojnë se faktorë si reflektimi shpirtëror, rutina e strukturuar ditore dhe rritja e lidhjeve sociale gjatë këtij muaji mund të kontribuojnë në këto efekte pozitive. Megjithatë, ata rekomandojnë që individët me probleme të theksuara të shëndetit mendor të konsultohen me profesionistë përkatës gjatë kësaj periudhe.

    Për ta dëgjuar diskutimin e plotë rreth kësaj teme, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Trump presion për Europën për të mbrojtur Ngushticën e Hormuzit

    Trump presion për Europën për të mbrojtur Ngushticën e Hormuzit

    Ndërsa Trump shton presionin ndaj Evropës që të mbrojë ngushticën e Hormuzit, Rusia po përfiton nga rritja e çmimeve të energjisë – në dëm të Ukrainës dhe aleatëve të saj në Evropë.

    Kërkesa e presidentit amerikan Donald Trump që aleatët evropianë të ndihmojnë në sigurimin e kalimit të cisternave të naftës dhe gazit përmes Ngushticës së Hormuzit ishte një nga temat kryesore të diskutimit në takimin e së hënës (16.03.2026) të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian në Bruksel.

    Disa shtete anëtare bënë të ditur se nuk duan që NATO të përfshihet në mbrojtjen e ngushticës, e cila u mbyll nga Irani për shumicën e trafikut në përgjigje të fushatës së bombardimeve nga SHBA-ja dhe Izraeli.

    Evropianët nuk janë të gatshëm të dërgojnë trupa për të siguruar Ngushticën e Hormuzit, “sepse kjo do t’i shtonte ata në listën e objektivave të mundshëm” për Iranin, tha për DW Charles Hecker, bashkëpunëtor i Institutit Mbretëror për Shërbime të Bashkuara (RUSI).

    Në fillim të takimit, diplomatja e lartë e BE‑së, Kaja Kallas, tha se është në interes të bllokut që Ngushtica e Hormuzit të mbetet e hapur, “prandaj po diskutojmë edhe se çfarë mund të bëjmë në këtë drejtim nga ana evropiane”, dhe shtoi se BE‑ja është në kontakt me kolegët amerikanë në nivele të ndryshme.

    Megjithatë, në fund të takimit ajo tha se nuk kishte “asnjë dëshirë” mes shteteve anëtare për të zgjeruar misionin detar të BE‑së në Ngushticën e Hormuzit, “për momentin”.

    Rritja e menjëhershme e çmimeve të energjisë në të gjithë kontinentin, dhe krizat energjetike që pasuan, kanë rrezikuar edhe më tej marrëdhëniet tashmë të tensionuara mes Evropës dhe Uashingtonit.

    Ministrat e BE‑së vlerësuan gjithashtu se si konflikti mund t’i japë një dorë më të fortë Rusisë, e cila mund të përdorë të ardhurat shtesë nga eksportet e saj të karburanteve fosile për të mbështetur luftën e saj në Ukrainë. “I vetmi fitues real nga lufta kundër Iranit në këtë moment është Rusia,” tha Hecker.

    Presioni i Trump-it ndaj Evropës për të siguruar anijet në Hormuz

    Të dielën (15.03.2026), presidenti i SHBA-së Donald Trump rriti presionin ndaj vendeve që marrin furnizime me energji përmes Ngushticës së Hormuzit, duke u kërkuar atyre të sigurojnë mbrojtjen e kësaj rruge ujore, nëpër të cilën zakonisht kalon rreth 20% e furnizimit botëror me naftë bruto.

    Edhe pse blerësit kryesorë të këtyre ngarkesave janë vende aziatike, Trump duket se ka kërcënuar sërish aleancën e NATO‑s.

    “Është krejt e arsyeshme që vendet që përfitojnë nga ngushtica të ndihmojnë për t’u siguruar që atje të mos ndodhë asgjë e keqe,” tha ai në një intervistë për The Financial Times. “Nëse nuk ka reagim, ose nëse reagimi është negativ, mendoj se kjo do të jetë shumë e keqe për të ardhmen e NATO‑s.”

    Hecker tha, se kjo është një përpjekje nga ana e Trumpit për t’i shtyrë evropianët të angazhohen më aktivisht në luftën e SHBA‑së dhe Izraelit kundër Iranit. “Ende nuk e dimë se çfarë lloj kërcënimi po bën presidenti ndaj NATO‑s dhe si do ta realizonte atë. Por ai po bën gjithçka që mundet për të ushtruar presion ndaj vendeve që dëshiron t’i përfshijë në konflikt.”

    Trump u ka bërë thirrje sidomos Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar që t’i bashkohen përpjekjes, por Hecker tha se asnjëra prej tyre nuk ka gjasa të përfshihet sa kohë që luftimet po vazhdojnë.

    “Ata nuk janë gati t’u bashkohen përpjekjeve ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Ngushticën e Hormuzit dhe me shumë gjasë nuk do të jenë as në të ardhmen e afërt,” shtoi ai.

    Dhe jo vetëm sepse kjo do t’i shndërronte në objektiva për Iranin, por edhe sepse ata nuk e kanë të qartë objektivin dhe strategjinë e SHBA‑së dhe Izraelit në këtë luftë.

    Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, u tha gazetarëve se ai nuk sheh asnjë rol për NATO‑n në sigurimin e ngushticës dhe shtoi se ai pret që evropianët të informohen nga SHBA dhe Izraeli për objektivat dhe planet e tyre.

    “Nuk shoh që NATO ka marrë ndonjë vendim në këtë drejtim apo që mund të marrë përgjegjësi për Ngushticën e Hormuzit. Nëse do të ishte kështu, atëherë organet e NATO‑s do ta trajtonin këtë çështje siç duhet,” tha Wadephul përpara takimit të ministrave të BE‑së.

    Franca, megjithatë, është shprehur më fleksibile. Presidenti francez Emmanuel Macron tha se vendi i tij do të ishte i gatshëm të ndihmonte në sigurimin e ngushticës “pasi të ketë përfunduar faza më e nxehtë e konfliktit.”

    Evropa e goditur nga rritja e çmimeve të energjisë

    BE‑ja tashmë po goditet rëndë nga kostot ekonomike të bllokadës. “Që nga fillimi i konfliktit, çmimet e gazit janë rritur me 50 për qind dhe çmimet e naftës me 27 për qind,” tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

    Në vetëm 10 ditë lufte në Iran, taksapaguesit evropianë kanë paguar 3 miliardë euro shtesë për importet e karburanteve fosile, u tha ajo anëtarëve të Parlamentit Evropian.

    “Evropa nuk është as prodhuese nafte, as prodhuese gazi. Për karburantet fosile jemi plotësisht të varur nga importe të shtrenjta dhe të paqëndrueshme, gjë që na vendos në një disavantazh strukturor ndaj rajoneve të tjera,” shtoi ajo.

    “Kriza aktuale në Lindjen e Mesme na kujton qartë se sa të cenueshëm jemi për këtë arsye.”

    Për të ulur çmimet e energjisë, vendet evropiane — përfshirë Francën, Gjermaninë, Italinë dhe Mbretërinë e Bashkuar — mbështetën vendimin për të liruar miliona fuçi nafte, së bashku me anëtarët e tjerë të G7‑s. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka bërë thirrje për lirimin e 400 milionë fuçive nafte nga rezervat e emergjencës.

    A është Rusia përfituesja më e madhe nga  lufta e Iranit?

    Ndërsa Irani lëshoi raketa dhe dronë drejt hoteleve, aeroporteve dhe madje rafinerive të naftës në Gjirin Persik, dhe bllokoi Ngushticën e Hormuzit, Rusia ishte gati të përfitonte.

    Kur çmimet e naftës u rritën në 87,20 € (100 dollarë), niveli më i lartë që nga pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022, Moska e paraqiti naftën dhe gazin e saj si një mundësi për blerësit e dëshpëruar.

    “Rusia ka qenë dhe vazhdon të jetë një furnizuese e besueshme si e naftës ashtu edhe e gazit,” tha Dmitry Peskov, zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin, ndërsa këshilltari i Kremlinit, Kirill Dmitriev, kritikoi vendimin e Evropës për t’u shkëputur nga energjia ruse, duke e quajtur atë një gabim strategjik.

    Për të frenuar rritjen e çmimeve, Trump pezulloi përkohësisht disa sanksione për blerjen e naftës ruse, përfshirë një përjashtim 30‑ditor për Indinë.

    Evropianët janë të shqetësuar se një rritje e fortë e çmimeve të energjisë do të rrisë të ardhurat e Rusisë dhe do t’i mundësojë asaj ta zgjasë ose madje ta intensifikojë luftën kundër Ukrainës.

    Një shqetësim shtesë është se pajisjet kyçe të mbrojtjes që i duhen Ukrainës – si raketat Patriot, të cilat Evropa shpesh i blen nga SHBA për t’ia dërguar Ukrainës – mund të devijohen tani drejt Gjirit.

    Kallas ka theksuar se ekziston një “ndikim i drejtpërdrejtë” i luftës në Iran ndaj Ukrainës, pasi “kapacitetet mbrojtëse që i duhen Ukrainës” tani po “shkojnë drejt Lindjes së Mesme.”

    Sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, vendet e Gjirit kanë përdorur më shumë raketa Patriot në ditët e para të sulmeve iraniane sesa Ukraina gjatë katër viteve të luftës që nga sulmi i Rusisë.

    Ukraina u ka ofruar vendeve të Gjirit teknologjinë e saj kundër dronëve, me shpresën se ato do të përdorin dronët kundër‑sulmues të zhvilluar në Ukrainë dhe të ruajnë sistemet Patriot vetëm për sulmet me raketa.

    “Ukraina ka vite të tëra përvoje në ndalimin e dronëve rusë të tipit Shahed — të njëjtit që Irani po i përdor kundër fqinjëve të tij. Industria ukrainase e mbrojtjes ka zhvilluar gjithashtu sisteme anti‑dronë të testuara në betejë, të cilat po ua ofron vendeve të Gjirit,” tha për DW Rafael Loss, ekspert i Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë.

    Qëllimi është të “ulet kërkesa për raketa mbrojtësë Patriot në Gjirin Persik, në mënyrë që Ukraina të mund të marrë më shumë në të ardhmen,” tha Loss./DW/

  • Ministri Vitia nënshkruan kontratën për vazhdimin e punimeve në Spitalin e Ferizajt

    Ministri Vitia nënshkruan kontratën për vazhdimin e punimeve në Spitalin e Ferizajt

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka njoftuar se ka nënshkruar kontratën për vazhdimin e punimeve në Spitalin e Ferizajt.

    Përmes, një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Vitia ka bërë të ditur se projekt do të finalizohet brenda 30 muajsh.

    Sipas tij, ky është një projekt shumë i rëndësishëm për këtë rajon, e që do të realizohet sipas standardeve më të larta të infrastrukturës spitalore, me një kosto prej 24 milionë euro.