ATV

Category: Lajme

  • Arrestohet në Francë biznesmeni shqiptar, i kërkuar nga SPAK-u

    Arrestohet në Francë biznesmeni shqiptar, i kërkuar nga SPAK-u

    Policia e Shtetit në Shqipëri njoftoi se biznesmeni Ermal Beqiri është arrestuar në Francë. Ai është i shpallur në kërkim ndërkombëtar me kërkesë të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK). Beqiri pritet të ekstradohet në Shqipëri.

    Beqiri është pjesë e një prej dosjeve më të rëndësishme hetimore në Shqipëri, që lidhet me dyshimet për abuzime me tenderët e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

    AKSHI është institucioni qendror që administron dhe zhvillon infrastrukturën e teknologjisë së informacionit të Qeverisë shqiptare, përfshirë platformën e-Albania, sistemet elektronike shtetërore dhe ndërveprimin mes bazave të të dhënave të institucioneve publike. Agjencia mbikëqyret drejtpërdrejt nga kryeministri i Shqipërisë.

    Për këtë dosje janë vendosur masa sigurie ndaj tetë personave, mes tyre edhe ndaj ish-drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj. Më 16 dhjetor 2025, ndaj saj u vendos fillimisht masa e sigurisë “arrest shtëpiak”, ndërsa në shkurt të këtij viti ajo dha dorëheqjen nga drejtimi i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.

    Masa e sigurisë ndaj Karçanajt u zbut më pas nga Gjykata e Lartë, në detyrim paraqitje, ndërsa në fuqi është masa ndaj saj që ia ndalon daljen nga shteti pa autorizim.

    Sipas SPAK-ut, Karçanaj dyshohet për “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tenderë”, të kryer në bashkëpunim dhe në kuadër të “një grupi të strukturuar kriminal” Prokuroria pretendon se, në cilësinë e drejtoreshës së AKSHI-t, ajo ka pasur rol në procedurat e prokurimit publik dhe në favorizimin e kompanive të caktuara në disa tenderë të agjencisë. Nën hetim për të njëjtat akuza është edhe ish-zëvendësdrejtuesja e AKSHI-t.

    Sipas SPAK, dy personat e tjerë me role të rëndësishme në hetim janë biznesmenët Ermal Beqiri, i cili pritet të ekstradohet në Shqipëri, dhe Ergys Agasi, i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

    Katër personat e tjerë të përfshirë në hetim lidhen me kompani private, procedurat e tenderëve dhe elementë të tjerë të skemës së dyshuar.

    Ndaj Ermal Beqirit është caktuar masa e arrestit me burg, në mungesë. Ai dyshohet për veprat penale “konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “heqje e paligjshme e lirisë”, “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, vepra të kryera në formën e “grupit të strukturuar kriminal”, si dhe “pastrim parash”.

    Më 21 prill 2026, SPAK njoftoi sekuestrimin e 52 pasurive dhe llogarive bankare me vlerë mbi 40 milionë euro. Pasuritë lidhen me Mirlinda Karçanajn, Ergys Agasin, Ermal Beqirin dhe persona të tjerë që janë nën hetim. Mes pasurive të sekuestruara janë banesa në Tiranë, Durrës dhe Vlorë, troje, sipërfaqe toke, llogari bankare dhe një jaht në pronësi të Beqirit, njofton rel.

    Ermal Beqiri kontrollonte disa shoqëri në sektorin e teknologjisë, por kompania kryesore që del në qendër të hetimit për tenderët e AKSHI-t është “Soft & Solution”, e cila dyshohet të ketë përfituar kontrata publike nga ky institucion.

    Një nga episodet më të rënda të hetimit ndaj Beqirit lidhet me rastin e pengmarrjes së një biznesmeni. Sipas SPAK-ut, ai dyshohet se ka ushtruar presion në kuadër të një konflikti për konkurrencën në tregun e teknologjisë dhe tenderëve publikë. Biznesmeni që u mor peng kishte paraqitur ankesa për procedurat e ndjekura në disa tenderë. Për këtë, Beqiri përballet edhe me akuzën e heqjes së paligjshme të lirisë dhe konkurrencës së paligjshme përmes dhunës.

    Dosja AKSHI-t nuk preku vetëm drejtuesit e agjencisë dhe bizneset private, por solli edhe pezullimin e zëvendësdrejtorit të Policisë së Tiranës, Erion Ismaili, i cili u përfshi në hetimin e SPAK-ut lidhur me këtë çështje. Deri tani, autoritetet nuk kanë bërë publike hollësi mbi rolin konkret që dyshohet se ka pasur ai në episodet nën hetim.

    Sipas mediave franceze, Ermal Beqiri u arrestua në Francë pasi avioni i vogël që ai pilotonte kaloi mbi zonën e ndjeshme të centralit bërthamor Penly, në Seine-Maritime, duke shkelur kufirin e lejuar të fluturimit. Autoritetet franceze e shoqëruan avionin drejt aeroportit Albert, ku Beqiri u ndalua.

    Gjatë kontrollit, atij iu gjetën edhe tre pajisje gjurmuese AirTag. Pas verifikimit të identitetit, autoritetet franceze konstatuan se ai ishte person në kërkim nga Shqipëria për dosjen AKSHI-it. Ai u dënua në Francë me gjobë dhe dënim me kusht për fluturim të paligjshëm dhe tashmë pritet ekstradimi i tij drejt Shqipërisë.

    Policia tha se të mërkurën Beqiri pritet të dalë para Gjykatës Penale të Amiens në Francë, ku do t’i komunikohet zyrtarisht kërkimi ndërkombëtar ndaj tij dhe do të vijojnë procedurat për ekstradimin drejt Shqipërisë.

  • Gërmimet në Zubin Potok, Kurti: Dyshohet se mbetjet mortore mund t’u përkasin 23 intelektualëve të zhdukur në Mitrovicë

    Gërmimet në Zubin Potok, Kurti: Dyshohet se mbetjet mortore mund t’u përkasin 23 intelektualëve të zhdukur në Mitrovicë

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se dyshimi i parë i institucioneve pas gjetjes së mbetjeve mortore në fshatin Kalludër të Zubin Potokut është se ato mund t’u përkasin grupit prej 23 intelektualësh të Mitrovicës, të cilët ishin rrëmbyer dhe zhdukur më 19 prill 1999, raporton Ekonomia Online.

    Kurti tha se ende nuk mund të konfirmohet nëse bëhet fjalë për këtë grup, ndërsa theksoi se duhet pritur konfirmimi nga organet kompetente.

    “Dyshimi ynë i menjëhershëm kur kemi marrë vesh se janë gjetur mbetje mortore, natyrisht ka qenë se bëhet fjalë për grupin e intelektualëve, 23-sosh, të cilët u rrëmbyen dhe u zhdukën dhunshëm më 19 prill të vitit 1999, pra grupi i intelektualëve në Mitrovicë. Ne nuk mund ta konfirmojmë që bëhet fjalë për ta, por ky ka qenë dyshimi ynë i menjëhershëm; sidoqoftë, duhet t’i presim organet tona që të na tregojnë se për çfarë bëhet fjalë atje, por duket që kemi një varrezë masive në fshatin Kalludër të Zubin Potokut, që është një komunë në veri të Ibrit, që ka qenë zonë e pashqyrtuar më herët, pra bëhet fjalë për një territor të paprekur prej gërmimeve. Përkintasi, mesbardhjen e fatit të pagjeturve”, tha ai.

    Kurti bëri të ditur se në terren janë angazhuar ekipet e Policisë së Kosovës dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore, me mbështetjen e EULEX-it.

    “Në terren janë angazhuar ekipet e policisë së Kosovës, dhe të Institutit të Mjekësisë Ligjore, me mbështetjen e EULEX-it. Ky fakt na kujton se për shumë familje, lufta nuk ka përfunduar; përderisa ende nuk janë gjetur personat më të dashur të tyre. Për qindra familje, pritja vazhdon. Për to, çdo gërmim është shpresë. Çdo identifikim është një hap drejt së vërtetës e drejt drejtësisë. Derisa këto gërmime janë rezultat i punës së institucioneve tona, mosbatimi nga Serbia i deklaratës së Brukselit për të zhdukurit me dhunë, e dakorduar me 2 maj 2023, përkatësisht refuzimi për të hapur arkivat e ushtrisë, është dëshmi se shteti fqinj vazhdon t’i ikë përgjegjësisë për krimet e kryera në vendin tonë gjatë Luftës së Fundit. Andaj, e përsërisim thirrjen ndaj faktorëve ndërkombëtarë të shtojnë trysni ndaj Serbisë që, mes të tjerash, të ndryshohet vendimi për klasifikim 30-vjeçar deri në vitin 2044 dhe të hapet arkiva e Brigadës së Motorizuar 37 të ushtrisë jugosllave në mënyrë që të kemi informacione për zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë”, tha ai.

  • Nesër kufizime të përkohshme për kamionët mbi 20 tonë në autoudhët e Kosovës

    Nesër kufizime të përkohshme për kamionët mbi 20 tonë në autoudhët e Kosovës

    Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se nesër, më 29 korrik 2026, do të hyjnë në fuqi kufizime të përkohshme të qarkullimit për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë në autoudhët e Kosovës.

    Sipas njoftimit, kufizimi do të zbatohet nga ora 11:00 deri në 17:30, pasi temperaturat e parashikuara pritet të arrijnë ose tejkalojnë 32 gradë Celsius.

    Në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse qarkullimi do të zhvillohet pa kufizime.

    Nga ky vendim përjashtohen automjetet e organeve të rendit dhe sigurisë publike, shërbimeve emergjente dhe institucioneve shëndetësore.

    Ministria u bën thirrje operatorëve ekonomikë dhe drejtuesve të mjeteve që të respektojnë kufizimet dhe të planifikojnë qarkullimin sipas orarit të përcaktuar.

     

     

  • Nis operacioni për zhvarrosjen dhe identifikimin e mbetjeve mortore në Zubin Potok

    Nis operacioni për zhvarrosjen dhe identifikimin e mbetjeve mortore në Zubin Potok

    Institucionet e Kosovës kanë nisur veprimet për zhvarrosjen, autopsinë dhe identifikimin e mbetjeve mortore në një lokacion në Komunën e Zubin Potokut.

    Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Arbnora Luta ka konfirmuar se operacioni po zhvillohet në kuadër të një urdhri gjyqësor, të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, me kërkesë të Prokurorisë Speciale.

    Sipas saj, institucionet relevante janë duke zbatuar procedurat për ekshumim, autopsi dhe identifikim të mbetjeve mortore, ndërsa deri më tani nuk janë dhënë detaje lidhur me identitetin e mundshëm të personave apo rrethanat që lidhen me rastin.

    Autoritetet pritet të japin më shumë informacione pas përfundimit të veprimeve hetimore dhe procedurave mjeko-ligjore.

  • Përgatitjet për konstituimin e Kuvendit, partitë politike takohen të premten

    Përgatitjet për konstituimin e Kuvendit, partitë politike takohen të premten

    Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës dhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka thirrur në takim liderët e subjekteve politike për të diskutuar përgatitjet për konstituimin e Legjislaturës së XI-të të Kuvendit.

    Takimi është caktuar të mbahet të premten, më 31 korrik, në sallën C-301 të Kuvendit të Kosovës, duke filluar nga ora 11:00.

    Sipas njoftimit, në fokus të diskutimit do të jetë organizimi dhe hapat e nevojshëm para mbajtjes së Seancës Konstituive të Kuvendit të ri.

     

     

  • Eksperti i ADN-së dëshmon në rastin “Ibër-Lepenc”: Analizat u kryen në Prishtinë, rezultatet u dërguan në Itali për interpretim

    Eksperti i ADN-së dëshmon në rastin “Ibër-Lepenc”: Analizat u kryen në Prishtinë, rezultatet u dërguan në Itali për interpretim

    Dëshmitari Fatmir Ademi, drejtor i Departamentit për Kimi dhe Biologji në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, ka deklaruar se ekspertiza e ADN-së në rastin e sulmit ndaj kanalit “Ibër-Lepenc” është realizuar në laboratorët vendorë, ndërsa rezultatet janë dërguar në Itali për interpretim për shkak të mungesës së një softueri të specializuar.

    Gjatë dëshmisë së tij në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Ademi sqaroi se mostrat nuk janë analizuar në Itali, por vetëm janë dërguar rezultatet e përpunuara për një vlerësim shtesë profesional.

    “Ekspertiza është kryer në laboratorin e Prishtinës. Në Itali janë dërguar rezultatet për interpretim për shkak të mungesës së softuerit që nevojitet për analiza të caktuara”, deklaroi Ademi.

    Ai bëri të ditur se provat janë pranuar përmes procedurave zyrtare dhe janë trajtuar sipas rregullave të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë.

    Sipas tij, gjatë punës në këtë rast janë analizuar rreth 50 prova të ADN-së, ndërsa shtatë prej tyre kanë qenë të mbledhura drejtpërdrejt nga vendi i shpërthimit. I pyetur nëse në këto prova ishte gjetur përputhje me të pandehurin Dragisha Viqentijeviq, Ademi tha se një gjë e tillë nuk ishte konstatuar.

    Rasti lidhet me sulmin ndaj kanalit “Ibër-Lepenc” në nëntor të vitit 2024, ku Prokuroria Speciale pretendon se një grup personash ka vendosur rreth 20 kilogramë eksploziv TNT në afërsi të infrastrukturës kritike në Zubin Potok.

    Sipas aktakuzës, dëmtimi i kanalit kishte rrezikuar furnizimin me ujë dhe energji elektrike në Kosovë, ndërsa dëmi material është vlerësuar në mbi 376 mijë euro.

    Për këtë rast akuzohen vëllezërit Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq, të cilët përballen me akuza për vepra që lidhen me rrezikimin e rendit kushtetues, terrorizëm dhe armëmbajtje pa leje. Të akuzuarit kanë mohuar përgjegjësinë për veprat që u ngarkohen.

  • Zjarret dhe i nxehti ekstrem mbajnë Francën dhe Spanjën në alarm

    Zjarret dhe i nxehti ekstrem mbajnë Francën dhe Spanjën në alarm

    Zjarrfikësit në Francë dhe në Spanjë vazhdojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll zjarret masive pyjore që kanë detyruar dhjetëra mijëra njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre.

    Të dyja vendet po përgatiten, po ashtu, për një valë të re të të nxehtit që pritet ta përkeqësojë situatën nga e mërkura.

    Në Francë, zjarrfikësit arritën ta frenojnë përhapjen e zjarrit pranë qytetit të Bordosë gjatë natës.

    Në Spanjë, autoritetet lejuan banorët e nëntë prej 11 qyteteve të evakuuara në provincën Toledo, të kthehen në shtëpitë e tyre.

    Megjithatë, zjarret vazhdojnë të djegin hapësira jashtë kontrollit në rajonin e Madridit dhe në provincat fqinje Avila dhe Toledo.

    Një banor i evakuuar nga zjarret në Spanjë e përshkroi situatën si “një ferr të kuq”, duke thënë se njerëzit u larguan me nxitim, duke marrë me vete vetëm rrobat që kishin veshur, raporton Reuters.

  • Presidenti Begaj takon ministrin kroat, vlerëson mbështetjen për Shqipërinë dhe Kosovën

    Presidenti Begaj takon ministrin kroat, vlerëson mbështetjen për Shqipërinë dhe Kosovën

    Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë, Gordan Grlić-Radman, me të cilin diskutoi mbi marrëdhëniet shumë të mira dhe miqësore midis dy vendeve, si edhe forcimin e partneritetit strategjik.

    Gjatë takimit u vlerësua mbështetja e vazhdueshme e Kroacisë për integrimin evropian të Shqipërisë, si dhe bashkëpunimi në fushën e ekonomisë, mbrojtjes, energjisë, infrastrukturës dhe turizmit.

    Kreu i Shtetit falënderoi Kroacinë për avokatinë e vazhdueshme që i bën Shqipërisë dhe procesit integrues të saj në të gjitha tryezat ndërkombëtare dhe mori edhe një herë sigurinë dhe gatishmërinë e plotë të Kroacisë për të vijuar me mbështetjen në çdo aspekt të këtij procesi, shkruan TvKlan.

    Presidenti Begaj shprehu mirënjohje për qëndrimin e Kroacisë në mbështetje të Kosovës dhe vlerësoi se bashkëpunimi ynë mbetet i rëndësishëm për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

  • Defekt në rrjetin e ujësjellësit, disa zona të Prishtinës mbesin pa ujë

    Defekt në rrjetin e ujësjellësit, disa zona të Prishtinës mbesin pa ujë

    Një defekt i madh në rrjetin e ujësjellësit ka shkaktuar ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë në disa pjesë të Prishtinës.

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se për shkak të prishjes në afërsi të lagjes “Dardania”, furnizimi me ujë është ndërprerë për banorët e lagjes Dardani, Lakrishtë, si dhe për një pjesë të rrugës “Bill Clinton”.

    Ekipet teknike të kompanisë janë angazhuar në terren për identifikimin dhe riparimin e defektit, ndërsa pritet që furnizimi të rikthehet pas përfundimit të punimeve.

    Nga KRU “Prishtina” kanë kërkuar mirëkuptim nga qytetarët dhe kanë bërë të ditur se do të punojnë për normalizimin sa më të shpejtë të gjendjes.

     

  • Shaqir Lutvija dënohet me 10 vjet burgim për krime lufte në Prizren

    Shaqir Lutvija dënohet me 10 vjet burgim për krime lufte në Prizren

    Gjykata Themelore në Prishtinë edhe në rigjykim e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 10 vjet burgim të akuzuarin Shaqir Lutvija, lidhur me akuzën për krime lufte në Prizren.

    Aktgjykimi u shpall të martën nga kryetari i trupit gjykues, Kujtim Krasniqi, dhe anëtarët Violeta Namani-Hajra dhe Rrahman Beqiri, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Gjykatësi Krasniqi tha se në dënimin me burgim, të akuzuarit i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Kjo masë i vazhdohet deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit, por jo më shumë sesa dënimi i shqiptuar.

    I akuzuari obligohet të paguajë edhe shpenzimet e procedurës penale- 400 euro për paushallin gjyqësor dhe 100 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

    Të dëmtuarit, për realizimin e kërkesës pasurore- juridike udhëzohen në kontest të rregullt juridiko-civil.

    Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditësh përmes kësaj Gjykate në Gjykatën e Apelit.

    Prezent në sallë qenë prokurori Armend Zenelaj dhe i akuzuari Shaqir Lutvija me mbrojtësen e tij, avokaten Jovana Filipoviq.

    Themelorja më 11 nëntor 2025 kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Lutvija, duke e dënuar me 10 vjet burgim. Por, Gjykata e Apelit me vendimin e 23 qershorit 2026 e ktheu lëndën në rigjykim.

    Në seancën fillestare të mbajtur më 17 shtator 2024, Lutvija u deklarua i pafajshëm për akuzën që i vihet në barrë.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 4 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Shaqir Lutvijës, i cili akuzohej se në cilësinë e inspektorit dhe policit në Stacionin Policor në Prizren, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore serbe, gjatë periudhës kohore 1998-1999, në Prizren, gjatë kohës së luftës në Kosovë, ka ushtruar masat represive të vrasjes, arrestimit, rrahjes, maltretimit dhe trajtimit çnjerëzor.

    Aktakuza thotë se sipas dëshmisë së dëshmitarëve: Murat Kabashi, Elmi Gashi, Sefer Ejupi, Vehbi Velija, Qemajl Kollari, Ukë Kolgeci, Haxhi Gashi, Safet Gashi, Hasan Shala dhe Arsim Zyba, i akuzuari Lutvija nga 28 shtatori 1998 deri më 7 tetor 1998, në bashkëkryerje me pjesëtarët e tjerë të forcave policore, kanë ndërmarr një fushatë për arrestimi e tyre në burgun e Prizrenit, në cilësinë e popullatës civile të nacionalitetit shqiptar, në mesin e të cilëve ishin: R.J., dhe të lartcekurit.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, forcat serbe pas arrestimit i dërguan në Stacionin Policor në Prizren, me ç’rast i akuzuari Lutvija së bashku me të pandehurit e tjerë, në cilësinë e inspektorit të këtij stacioni, i morën në pyetje të dëmtuarit dhe gjatë procesit të marrjes në pyetje i kanë rrahur me boksa e shqelma, me mjete të tjera të forta dhe metoda të tjera të trajtimit çnjerëzor.

    Në aktakuzë thuhet se Lutvija dhe të pandehurit tjerë, kanë përdorë mjete të rrymës elektrike, të cilat ua vendosnin në pjesën e duarve dhe në organe gjenitale, me ç‘rast si pasojë e kësaj R.J., kishte vdekur, kurse Murat Kabashi, Elmi Gashi, Sefer Ejupi, Vehbi Velija, Qemajl Kollari, Ukë Kolgeci, Haxhi Gashi, Safet Gashi, Hasan Shala dhe Arsim Zyba pësuan lëndime serioze trupore.

    Me këtë, Lutvija akuzohej se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ-së.