ATV

Category: Lajme

  • Arrestohet një i mitur në Istog pas videos me armë në rrjetet sociale

    Arrestohet një i mitur në Istog pas videos me armë në rrjetet sociale

    Policia e Kosovës ka raportuar për dy raste të ndara në komunën e Istogut, që kanë të bëjnë me posedim të paautorizuar të armës dhe posedim të substancave të dyshuara narkotike.

    Në rastin e parë, që lidhet me datën 19 korrik 2026, policia ka bërë të ditur se pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, ku një i mitur shihej duke mbajtur një armë në dorë, njësitet policore kanë zhvilluar hetime dhe kanë arritur ta identifikojnë e arrestojnë të dyshuarin.

    I mituri është intervistuar dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa policia ka bërë të ditur se gjatë veprimeve hetimore nuk është gjetur asnjë armë. Rasti vazhdon të hetohet.

    Ndërkaq, në një rast tjetër, të hënën rreth orës 20:35, është arrestuar një person tjetër në Istog, pasi gjatë kontrollit në çantën e tij policia ka gjetur dhe konfiskuar një sasi të substancës së dyshuar narkotike, lloji dhe pesha e së cilës nuk janë bërë të ditura.

    Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet për rastin janë në vazhdim.

  • Vdekjet misterioze të elefantëve, nxisin hetim urgjent në Kenia

    Vdekjet misterioze të elefantëve, nxisin hetim urgjent në Kenia

    Në Kenia ka nisur një hetim urgjent lidhur me vdekjet misterioze të 15 elefantëve, pranë Parkut Kombëtar Amboseli.

    Shërbimi i Kafshëve të Egra të Kenisë (KWS) i tha BBC-së se ekspertët po shqyrtonin kufomat dhe se mostra të indeve ishin dërguar në laboratorë për të përcaktuar nëse vdekjet ishin shkaktuar nga ndonjë sëmundje, helmim apo faktor tjetër, shkruan BBC.

    Parku dhe zonat përreth tij njihen si ekosistemi Amboseli, një zonë e gjerë që shtrihet përgjatë kufirit me Tanzaninë dhe që shquhet për botën e saj të egër.

    Autoritetet thonë se kjo është hera e parë në dekada që regjistrohen vdekje të elefantëve në këto përmasa në rajonin ku është luftuar me sukses gjuetia e paligjshme.

  • Temperaturat e larta shtojnë rastet me infarkte, mjekja: Mbi 50 vjeç grupmosha më e prekur

    Temperaturat e larta shtojnë rastet me infarkte, mjekja: Mbi 50 vjeç grupmosha më e prekur

    Goditjet në zemër dhe ato në tru kanë pësuar rritje në këtë periudhë të nxehtë në Gjirokastër.

    Shefja e urgjencës Jona Leka thotë se shifrat në të dyja rastet kanë qenë pothuajse të njëjta dhe pacientet kanë marrë trajtim të menjëhershëm, shkruan rtsh.al.

    Sigurisht që temperaturat e larta kanë pasur ndikim të madh, por Leka vendos theksin te kujdesi i vazhdueshëm që duhet treguar për shëndetin kryesisht nga ata që kanë hasur më parë problematika me zemren dhe trurin.

    “Grupmosha më e shpeshtë, e cila vërehet se preket nga këto lloj sëmundjesh, është ajo mbi 50 vjeç. Natyrisht, faktorët e riskut janë të shumtë, por të lidhur kryesisht me stilin e jetesës, trashëgiminë, temperaturat e larta të ambientit dhe me kontrollet shëndetësore, specifikisht kontrollet rutinë, të cilat nuk janë të realizuara në kohë”, tha mjekja.

    Gjatë muajve qershor dhe korrik në spitalin rajonal “Omer Nishani” janë konfirmuar 20 raste infarkti dhe goditje në tru, ndërsa të tjerë po nga Gjirokastra madje në shifra më të larta janë konfirmuar dhe trajtuar në spitale terciare.

  • Gërvalla viziton Kalludrën, përcjell nga afër gërmimet për varrezën e dyshuar masive

    Gërvalla viziton Kalludrën, përcjell nga afër gërmimet për varrezën e dyshuar masive

    Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka vizituar këtë të mërkurë fshatin Kalludër të Zubin-Potokut, ku institucionet kompetente po zhvillojnë gërmime në një lokacion që dyshohet se mund të jetë varrezë masive e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

    Në terren janë angazhuar ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore, nën koordinimin e Prokurorisë Speciale, ndërsa siguria po garantohet nga Policia e Kosovës me mbështetjen monitoruese të EULEX-it.

    Gërmimet në Zubin Potok, Kurti: Dyshohet se mbetjet mortore mund t’u përkasin 23 intelektualëve të zhdukur në Mitrovicë

  • Rritet në 18 numri i viktimave nga tërmeti në Japoni, vazhdojnë operacionet e kërkim-shpëtimit

    Rritet në 18 numri i viktimave nga tërmeti në Japoni, vazhdojnë operacionet e kërkim-shpëtimit

    Bilanci i viktimave nga tërmeti i fuqishëm që goditi jugperëndimin e Japonisë është rritur në 18, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë operacionet në zonat më të prekura.

    Sipas autoriteteve lokale, në mesin e viktimave është edhe një shtetas i huaj. Të paktën 62 persona kanë mbetur të plagosur, ndërsa gjashtë prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë.

    Tërmeti me magnitudë 6.8 goditi rajonin e Kumamotos, duke shkaktuar dëme të mëdha në disa zona. Ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet në rrënoja, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se numri i viktimave mund të rritet edhe më tej në ditët në vijim.

    Ndër zonat më të goditura janë fabrika Nippon Paper Industries në Yatsushiro dhe qendra tregtare Aeon Mall, ku janë raportuar viktima dhe dëme të konsiderueshme.

    Rajoni i Kumamotos ishte goditur edhe në vitin 2016 nga një tërmet i fuqishëm, i cili kishte shkaktuar mbi 50 viktima.

  • Lushtaku pas vizitës në Zubin Potok: Arrestimet e serbëve për krime lufte duhet të vazhdojnë

    Lushtaku pas vizitës në Zubin Potok: Arrestimet e serbëve për krime lufte duhet të vazhdojnë

    Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, pas vizitës në Zubin Potok, ku po dyshohet për gjetjen e një varreze masive, ka falënderuar Policinë e Kosovës dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në identifikimin dhe gjetjen e personave të zhdukur gjatë luftës, raporton Ekonomia Online.

    Lushtaku tha se gjetja e të zhdukurve ka rëndësi të madhe për familjet e tyre dhe për gjithë Kosovën, duke theksuar se për familjarët është e rëndësishme që të kenë mundësi të vendosin lule pranë varreve të të dashurve të tyre.

    “Dua ta falenderoj policinë e Kosovës edhe gjithë ata që e kanë bërë të mundur që të gjinden edhe këta të zhdukur, sepse ka shumë rëndësi për familjet, rrethin edhe për Kosovën natyrisht. Sa është e vështirë dhe e rëndë është edhe një ditë sidomos për familjet, çlirimi sepse në fund të fundit kanë mundësi që të shkojnë të vendosin një tufë lule pranë varrezave të tyre”, tha ai.

    I pyetur për arrestimin e dy personave lidhur me këtë rast, Lushtaku tha se procesi duhet të vazhdojë në mënyrë profesionale, ndërsa theksoi se arrestimet për krime të kryera gjatë luftës në Kosovë duhet të vazhdojnë.

    “Mendoj se këtu tani varet edhe mënyra e punës, profesionalizmi i tyre, për mua është tepër pozitive që janë gjendur një pjesë e tyre. Unë nuk pres nga Serbia që të rreh shuplaka për arrestimin e atyre që kanë bërë krime në këtë vend. Arrestime duhet me vazhdu me ndodh, ka shumë serbë që janë të lirë e krimet janë tepër të mëdha në Kosovë e sidomos në komunën tonë”, tha ai.

  • Prokuroria thotë se Charlie Kirk u vra për shkak të pikëpamjeve anti-LGBT

    Prokuroria thotë se Charlie Kirk u vra për shkak të pikëpamjeve anti-LGBT

    Tyler Robinson, njeriu i akuzuar për vrasjen e Charlie Kirk, e kishte marrë në shënjestër aktivistin e krahut të djathtë për shkak të bindjeve të tij politike, kanë thënë të martën prokurorët, duke përmendur kundërshtimin e Kirk-ut ndaj martesave të personave të të njëjtës gjini dhe të drejtave të personave transgjinorë.

    Komentet në dokumentet gjyqësore përbëjnë deri tani shpjegimin më të detajuar të prokurorisë lidhur me motivin e dyshuar të sulmit të 10 shtatorit 2025, kur Kirk, një aleat i presidentit amerikan Donald Trump, u vra në një universitet në shtetin e Utah.

    Prokurorët e Qarkut Utah kanë cituar një letër të paraqitur si provë nga një mik i Kirk, ku thuhej se qëllimi i aktivistit ishte të promovonte vlerat konservatore, përfshirë bindjen e tij se “eksperimentimi me identitetin seksual ose gjinor është mëkat” dhe se “heteroseksualiteti brenda kufijve të martesës është e vetmja formë e virtytshme e seksualitetit”.

    Prokurorët kanë thënë se letra e David Engelhardt, anëtar i bordit të organizatës Turning Point USA të Kirk, tregonte se Kirk përfaqësonte “jo vetëm një lëvizje fetare, por edhe një lëvizje politike kundër martesave të personave të të njëjtës gjini dhe kundër pranimit e mbështetjes së transgjinorizmit, homoseksualitetit dhe eksperimentimit seksual.

    Prokurorët pretenduan se “stili i jetesës” i Robinson ishte në kundërshtim me bindjet fetare dhe politike të Kirk dhe se 23-vjeçari e kishte marrë aktivistin në shënjestër për shkak të “shprehjes së tij politike”.

    “Provat rrethanore që tregojnë se i pandehuri e kishte marrë në shënjestër zotin Kirk për shkak të bindjeve ose perceptimit të tij mbi bindjet politike të zotit Kirk janë dërrmuese”, kanë thënë prokurorët në argumentimin e tyre me shkrim, duke shpjeguar pse, sipas tyre, ka prova të mjaftueshme që Robinson të dalë në gjyq për vrasjen e Kirk-ut.

    Ndërkohë, avokati i Robinsonit, Richard Novak, ka deklaruar në gjykatë më 9 korrik se letra e Engelhardt nuk ofronte asnjë provë që Robinson nuk pajtohej me bindjet politike ose fetare të Kirk dhe nuk ndihmonte aspak për të kuptuar gjendjen mendore të klientit të tij.

    E prokurorët kanë thënë se Robinson ishte në një lidhje me shokun e tij të banesës, Lance Twiggs, në kohën kur ka ndodhur sulmi dhe se Tëiggs po shqyrtonte mundësinë e tranzicionit gjinor.

    Prokurorët paraqitën një sërë provash që, sipas tyre, tregojnë se Robinson e kishte marrë në shënjestër Kirk për shkak të bindjeve të tij politike.

    Ata kanë përmendur gjithashtu mbishkrimet e gdhendura në fishekët e gjetur në armën e dyshuar të vrasjes, ku në njërin prej tyre shkruhej: “Hej fashist, kape këtë”.

    Mbrojtja ka afat deri më 18 gusht për të paraqitur argumentet me shkrim se përse, sipas saj, nuk ka prova të mjaftueshme që Robinson të dalë në gjyq.

  • Rama i reagon Krasniqit të VV-së: Do të paditet për shpifje

    Rama i reagon Krasniqit të VV-së: Do të paditet për shpifje

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ndaj deklaratave të anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Alban Krasniqi, njëherësh bashkëshort i ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, i cili e ka quajtur Ramën “vrasës”.

    Në reagimin e tij publik, Rama ka thënë se “gjuha e urrejtjes dhe linçimit nuk e ndryshon ligjin”, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për përdorim të këtij lloj diskursi politik. Ai ka përmendur edhe rastin tragjik të vdekjes së 26-vjeçarit në Prishtinë.

    “Duke mos i njohur as kompetencat dhe përgjegjësitë institucionale, po tentohet t’i faturohen Kryeqytetit përgjegjësi që sipas ligjit u takojnë institucioneve të nivelit qendror”, ka deklaruar Rama.

    Ai ka theksuar se, sipas legjislacionit në fuqi, verifikimi teknik i vinçave, inspektimi i pajisjeve dhe mbikëqyrja e masave të sigurisë në punë janë kompetencë ekskluzive e Inspektoratit Qendror të Punës.

    Sipas Ramës, Inspektorati i Kryeqytetit ushtron kompetenca vetëm në zbatimin e kushteve të lejes së ndërtimit dhe legjislacionit përkatës.

    “Çdo përpjekje për t’ia faturuar Kryeqytetit dhe mua përgjegjësitë që ligji ua ngarkon institucioneve të nivelit qendror tregon se, përveç dashakeqësisë, jeni edhe të padijshëm!”, ka shkruar ai.

    Rama ka bërë të ditur se Inspektorati i Kryeqytetit do të vazhdojë bashkëpunimin me Policinë e Kosovës, Prokurorinë e Shtetit, Inspektoratin Qendror të Punës dhe institucionet e tjera, me qëllim zbardhjen e plotë të rastit.

    Ai gjithashtu ka njoftuar se do të ndërmarrë veprime ligjore ndaj Alban Krasniqit.

    “Alban Krasniqi do të paditet për shpifje”, ka deklaruar Rama.

    Në fund të reagimit të tij, kryetari i Prishtinës ka kritikuar qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje, duke e akuzuar për mungesë të investimeve kapitale, intimidim të kundërshtarëve politikë dhe përkeqësim të marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë.

    “Po e ripërsëris: ju jeni fatkeqësia e këtij vendi”, ka përfunduar Rama reagimin e tij.

  • Publikohet raporti preliminar i të vrarëve dhe të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë, dokumentohen mbi 12 mijë viktima

    Publikohet raporti preliminar i të vrarëve dhe të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë, dokumentohen mbi 12 mijë viktima

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se për periudhën 1 janar 1998 deri më 20 qershor 1999 janë dokumentuar gjithsej 12.230 viktima të luftës në Kosovë, përfshirë 1.047 fëmijë të vrarë, 94 që humbën jetën si pasojë e kushteve të luftës, ndërsa fati i rreth 100 fëmijëve të zhdukur ende nuk dihet.

    Në lansimin e Raportit të Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë (IKKL), Kurti tha se vetëm gjatë periudhës mars-qershor 1999 u vranë rreth 9 mijë persona.

    Ai theksoi se raporti i publikuar paraqet metodologjinë mbi të cilën është ndërtuar lista e viktimave dhe procesin e mbledhjes së të dhënave, duke shtuar se lista është preliminare dhe do të vazhdojë të plotësohet me dëshmi të reja.

    “Pa dokumentim nuk ka kujtesë, drejtësi dhe paqe të qëndrueshme”, deklaroi Kurti, duke u bërë thirrje të gjithë atyre që posedojnë informacione të bashkëpunojnë me institutin.

    Kryeministri në detyrë kritikoi Serbinë për, siç tha ai moszbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur të dakorduar më 2 maj 2023 në Bruksel dhe refuzimin për hapjen e arkivave ushtarake.

    “U bëj thirrje ndërkombëtarëve të ushtrojnë presion ndaj Serbisë që të ndryshojë vendimin për klasifikimin 30-vjeçar të dokumenteve deri në vitin 2044 dhe të hapen arkivat e Brigadës së 37-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, në mënyrë që të sigurohen informacione për fatin e personave të zhdukur në Kosovë”, tha Kurti.

    Ndërkaq, drejtori i Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës, Atdhe Hetemi, tha se raporti nuk përfshin 267 raste që figuronin në lista të mëparshme, pasi bëhet fjalë për persona të vrarë jashtë territorit të Kosovës.

    “Ky përjashtim nuk ua mohon statusin e viktimës, por lidhet me mosplotësimin e kritereve të raportit”, tha Hetemi.

    Sipas tij, raporti është hartuar duke u mbështetur në burime institucionale, dëshmi të familjarëve dhe hulumtime shtesë të institutit, mbi parimet e plotësueshmërisë, krahasueshmërisë, gjurmueshmërisë dhe integritetit të të dhënave.

    Sipas Hetemit, analiza demografike tregon se numri më i madh i viktimave kanë qenë meshkuj, ndërsa grupmosha më e prekur ka qenë ajo 18 deri në 50 vjeç. Ai shtoi se ndër grupet më të cenueshme kanë qenë fëmijët dhe personat mbi 65 vjeç.

    Sa i përket shpërndarjes gjeografike, Hetemi tha se rajonet më të prekura nga viktimat e luftës kanë qenë Gjakova, Mitrovica dhe Prishtina, ndërsa rajoni i Gjilanit rezulton të jetë më pak i prekur.

    Në aspektin kohor, ai theksoi se numri më i madh i viktimave është regjistruar gjatë vitit 1999, veçanërisht në muajt e parë të atij viti. /KP/

     

  • Gjykata Speciale ia vazhdon paraburgimin Rexhep Selimit

    Gjykata Speciale ia vazhdon paraburgimin Rexhep Selimit

    Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë urdhëruar vazhdimin e paraburgimit ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi.

    Në vendimin e publikuar më 28 korrik 2026, Paneli i Gjykatës ka bërë të ditur se rishikimi i ardhshëm i paraburgimit të Selimit është caktuar në parim për 28 shtator 2026, përveç nëse ndërkohë publikohet aktgjykimi i çështjes.

    Paneli ka vlerësuar se, duke pasur parasysh se seanca për shpalljen e aktgjykimit është planifikuar për 16 shtator 2026, në këtë fazë nuk është e nevojshme që palëve t’u kërkohen parashtresa shtesë lidhur me vazhdimin e masës së paraburgimit.

    Në pjesën përfundimtare të vendimit, gjykata ka urdhëruar vazhdimin e paraburgimit ndaj Selimit dhe ka kërkuar nga mbrojtja e tij që të dorëzojë një version publik të njoftimit për rishikimin e paraburgimit ose të kërkojë riklasifikimin e dokumentit deri më 21 gusht 2026.

    Rexhep Selimi po gjykohet në Hagë së bashku me ish-krerët e tjerë të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, në një proces për akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Ky nuk është vendimi i parë për vazhdimin e paraburgimit ndaj Selimit.

    Gjykata edhe më herët ka konstatuar se vazhdojnë të ekzistojnë rreziqe të lidhura me pengimin e procedurave gjyqësore, përfshirë ndikimin mbi dëshmitarët. /Telegrafi/