ATV

Category: Lajme

  • Takimi Kurti–Abdixhiku pritet të mbahet së shpejti

    Takimi Kurti–Abdixhiku pritet të mbahet së shpejti

    Shefja e grupit parlamentar, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se janë dakorduar që seanca konstituive e legjislaturës së 11-të të mbahet më 6 gusht.

    Pas takimit të kryetares së Kuvendit me përfaqësuesit e partive politike parlamentare, Nagavci tha se LVV është e gatshme që të përfundojë procesi i konstituimit të institucioneve dhe të nisë puna me kompetenca të plota.

    Duke komentuar zhvillimet pas Kuvendit të LDK-së dhe gatishmërinë për vazhdimin e bisedimeve me kryetarin e LVV-së, Albin Kurti, Nagavci tha se ky vendim është i mirëpritur.

    Ajo deklaroi se pritet që diskutimet mes Kurtit dhe Abdixhikut të vazhdojnë në afatin më të shkurtër të mundshëm, por mohoi se tashmë ekziston një marrëveshje mes dy partive.

    “Nuk ka marrëveshje në parim me LDK-në. Deri tani nuk ka asnjë dakordim për pozita të caktuara”, tha Nagavci.

    Sipas saj, prioriteti është që vendi të ketë sa më shpejt institucione funksionale dhe të vazhdojë puna në interes të qytetarëve.

  • Rikthehet “Lufta e Tarifave”

    Rikthehet “Lufta e Tarifave”

    AKADEMIK. PROF ANASTAS ANGJELI

    Në qendër të politikës ekonomike e tregtare që prej fillimit të Presidencës ‘Trump 2’ u vendos politika e re e tarifave në marrëdhëniet me thuajse të gjithë partnerët tregtar të SHBAsë. Edhe pse kjo politikë e re zgjati disa muaj, pasi u pezullua nga organet e drejtësisë amerikane, ajo dha sinjalet e ndryshimit dhe reformimit të një politike tarifore e tregtare jo vetëm të SHBA-së me partnerët e vet ndërkombëtarë, por edhe të marrëdhënieve tregtare e tarifave ndërkombëtare dhe të politikave të pandryshuara për 80 vjet të OBT. Presidenti Trump, pavarësisht pezullimit të masave të reja tarifore të shpallura në fillim, iu rikthye vazhdimit të kësaj politike, mbi një bazë të re ligjore e kushtetuese, tashmë vështirë të kundërshtueshme dhe…

    “LUFTA”E TARIFAVE RIFILLOI

    Më 23 korrik 2026, administrata e Presidentit Donald Trump shpalli një valë të re dhe të gjerë tarifash, nga 10% deri në 12.5%, mbi importet e ardhura nga 60 partnerë tregtarë të Shteteve të Bashkuara, duke prekur praktikisht 99% të të gjitha mallrave që hyjnë në vend. Vendimi hyri në fuqi në mesnatën e së premtes, 24 korrik, në të njëjtën orë kur skadoi tarifa e përgjithshme e përkohshme prej 10% që Trump kishte vendosur disa muaj më parë. Nuk bëhet fjalë thjesht për një masë të re proteksioniste, por për një kapitull të tretë në përpjekjen e vazhdueshme të presidentit amerikan për të rindërtuar një regjim tarifor global.

    Ajo çka e dallon këtë raund tarifash nga përpjekjet e mëparshme të Trump është themeli i tij juridik. Ndryshe nga tarifat “reciproke” të shpallura në prillin e vitit 2025 , të njohura si “Dita e Çlirimit”, të cilat u mbështetën në kompetencat e emergjencës ekonomike (IEEPA) dhe u shfuqizuan nga Gjykata e Lartë më 20 shkurt 2026, tarifat e reja mbështeten në Nenin 301 të Ligjit të Tregtisë të vitit 1974. Ky nen i jep presidentit të drejtën të veprojë kundër vendeve që gjenden fajtore për praktika tregtare “të padrejta”, “të paarsyeshme” ose diskriminuese, një bazë ligjore konsiderueshëm më e qëndrueshme dhe më e vështirë për t’u kundërshtuar në gjyq, pasi Neni 301 ka mbijetuar tashmë sfida të tjera gjyqësore në të kaluarën.

    Pas humbjes në Gjykatën e Lartë, administrata kishte reaguar duke thirrur Nenin 122 të po të njëjtit ligj, që i lejoi vendosjen e një tarife globale të përkohshme prej 10%, por vetëm për 150 ditë, një afat që skadonte pikërisht më 24 korrik 2026. Ishte pra ky “kufi kohor” ligjor dhe jo ndonjë vendim politik i papritur, që e vuri administratën në presion për të gjetur një zgjidhje më të qëndrueshme para se muri i saj tarifor të shembej krejtësisht. Zyrtarisht, administrata e justifikon këtë valë tarifash me argumentin se 60 ekonomitë e synuara kanë dështuar të vendosin ose zbatojnë siç duhet ndalime mbi importet e prodhuara me punë të detyruar. Përfaqësuesi Tregtar i SHBA-ve, Jamieson Greer, e mbrojti masën me fjalë të forta: “Shtetet e Bashkuara kanë pasur një ndalim ligjor për importet e punës së detyruar për gati një shekull dhe e zbatojnë me rigorozitet. Është koha që partnerët tanë tregtarë të bëjnë të njëjtën gjë”. Greer shtoi se veprimi “do të nisë të korrigjojë atë që është njëkohësisht një shkelje e të drejtave të njeriut dhe një praktikë tregtare shtrembëruese, për të përmirësuar mirëqenien e punëtorëve kudo në botë”.

    Megjithatë, natyra vërtet strategjike e këtij hetimi bëhet e dukshme kur shihet lista e vendeve të prekura. Kjo listë përfshin jo vetëm vende në zhvillim të Jugut Global, por edhe aleatë tradicionalë të ngushtë të SHBA-ve si Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Japonia dhe Zelanda e Re. Kjo gjerësi e mbulimit, që prek pothuajse çdo partner tregtar madhor, sugjeron se çështja e punës së detyruar funksionon më shumë si mjet ligjor për të krijuar një kornizë të përgjithshme tarifash, sesa si një politikë e synuar specifikisht kundër shkeljeve të të drejtave të punëtorëve. Tarifat e reja janë të ndara në dy shkallë. Vendet që konsiderohen se kanë ndërmarrë disa hapa ose kanë bërë angazhime konkrete kundër punës së detyruar, përfshirë Kanadanë, Meksikën, Mbretërinë e Bashkuar dhe Bashkimin Evropian, përballen me tarifën më të ulët, prej 10%. Vendet e vlerësuara si më pak të rrepta në zbatim, grup që përfshin ekonomi të mëdha si Kina, Japonia, India, Koreja e Jugut dhe Zvicra, do të paguajnë tarifën më të lartë, prej 12.5%. Në grupin e parë, me tarifë 10%, bëjnë pjesë gjithashtu Argjentina, Bangladeshi, Kamboxhia, Ekuadori, Salvadori, Guatemala, Honduras-i, Indonezia, Jordania, Malajzia, Pakistani, Sri Lanka dhe Trinidad e Tobago, vende për të cilat Uashingtoni thotë se kishin ndalime ose plane ligjore kundër punës së detyruar, por nuk i zbatonin sa duhet ato. Në grupin e dytë, me tarifë 12.5%, përfshihen edhe 38 vende të tjera, mes tyre Vietnami, i cili këtë javë nxori një dekret të ri me rregulla më të detajuara kundër importeve me punë të detyruar, dhe Kina, të cilën Uashingtoni e akuzon për mbajtjen e minoriteteve uigure në kampe pune, akuzë që Pekini e mohon prerazi.

    Ky diferencim, sipas analistëve, nuk pasqyron thjesht performancën reale të secilit vend në luftën kundër punës së detyruar, por edhe marrëdhëniet ekzistuese tregtare të SHBA-ve me secilin partner. Japonia, Koreja e Jugut dhe Tajvani, për shembull, përfituan njëfarë “krediti” për shkak të marrëveshjeve dypalëshe ekzistuese me Uashingtonin, çka ndikoi që norma efektive e tarifave amerikane të rritej vetëm lehtë — në rreth 10.7%, në vend të 11.1% siç ishte parashikuar fillimisht.

    Për të zbutur ndikimin ekonomik të kësaj vale tarifash dhe për të mbajtur parasysh shqetësimet e brendshme lidhur me çmimet e larta pak muaj para zgjedhjeve të mesmandatit, administrata parashikoi një sërë përjashtimesh të rëndësishme. Mallrat që tashmë mbulohen nga tarifa sektoriale ekzistuese, si çeliku, alumini, automobilat dhe produktet farmaceutike, nuk preken nga masat e reja. E njëjta gjë vlen edhe për mallrat që kualifikohen sipas Marrëveshjes SHBA-Meksikë-Kanada (USMCA), të cilat përbëjnë rreth një të pestën e të gjitha importeve amerikane, si dhe për disa kategori specifike si nafta, gazi, plehrat kimike dhe një pjesë e produkteve bujqësore.

    Lista e përjashtimeve u zgjerua edhe më shumë krahasuar me draftin fillestar: rreth 471 produkte të reja u shtuan në listën e përjashtimeve në momentin e fundit, përfshirë aeroplanët dhe pjesët e tyre, si dhe mineralet kritike. Një rast domethënës është ai i diamanteve të lëmuara: përjashtimi për to, i cili kishte rënë pas vendimit të Gjykatës së Lartë në shkurt, u rikthye, një lajm i mirëpritur veçanërisht nga sektori i diamanteve në Antwerp të Belgjikës, që në vitin 2024 eksportoi diamante të lëmuara në vlerë 2.1 miliardë dollarë drejt tregut amerikan.

    Për t’u dhënë kohë kompanive importuese të përshtaten, administrata parashikoi gjithashtu një periudhë kalimtare “faljeje”: mallrat që ndodhen tashmë në transit drejt SHBAve përjashtohen nga tarifat e reja deri në mesnatën e 28 korrikut 2026.

    CILAT ISHIN REAGIMET DHE NDIKIMET?

    Reagimet e partnerëve tregtarë ndaj vendimit amerikan kanë qenë të përziera, duke shkuar nga protesta të hapura deri te pranimi pragmatik. Bashkimi Evropian mbajti një ton të matur: një zëdhënës i Komisionit Evropian tha se Bashkimi “e vëren pozitivisht faktin se ky rezultat është në linjë me angazhimet tarifore të rëna dakord në Deklaratën e Përbashkët BE-SHBA”, duke shtuar se kjo krijon “vrull pozitiv” për të vazhduar bisedimet për përjashtime të tjera tarifore. Negociatori i tregtisë i BE-së, Ignacio Garcia Bercero, konfirmoi se Uashingtoni kishte kërkuar t’i respektojë detyrimet tarifore të marrëveshjes BE-SHBA, por paralajmëroi se një hetim i dytë, mbi “tejkapacitetin industrial,” pritet të sjellë tarifa shtesë për BE-në, Kinën, Indinë, Japoninë, Korenë e Jugut dhe Zvicrën.

    Franca shprehu skepticizëm ligjor por pranoi realitetin praktik: ministri i Tregtisë, Nicolas Forissier, tha se, ndonëse baza ligjore e vendimit ngre pikëpyetje, tarifat e reja të paktën u japin bizneseve më shumë qartësi për planifikim. Zvicra, ndonëse hodhi poshtë akuzat mbi punën e detyruar, pranoi se Uashingtoni po respektonte kufijtë tariforë të rënë dakord më herët, në rastin e saj deri në 12.5%.

    Britania e trajtoi lajmin si pozitiv: një zëdhënës i qeverisë britanike deklaroi se “marrëveshja jonë me SHBA-në mbetet në fuqi, dhe sot shohim një përmirësim të kushteve tona tregtare, me tarifa zero për uiskin dhe teknologjinë mjekësore.” Oda e Tregtisë Britanike e cilësoi pamjen si “të përzier” — duke përshëndetur heqjen e tarifave për uiskin dhe një normë më të ulët se konkurrentët për çelikun, por duke vënë në dukje humbjen e avantazhit krahasues ndaj Bashkimit Evropian në disa kategori të tjera mallrash.

    Në anën tjetër të spektrit, Kina deklaroi se “kundërshton të gjitha tarifat unilaterale”, duke shtuar se luftërat tregtare “nuk i shërbejnë interesave të asnjë pale”. Zyrtarë të administratës ‘Trump’ kanë njoftuar homologët kinezë për qëllimin e tyre për ta rikthyer tarifën mbi mallrat kineze deri në 20%, një nivel i rënë dakord në marrëveshjen e armëpushimit tregtar me presidentin Xi Jinping në nëntor 2025, pa e kaluar atë kufi. Përpara vendimit të së premtes, tarifa kineze kishte rënë në 10%, pa llogaritur tarifën shtesë prej 25% të vendosur mbi produktet industriale gjatë mandatit të parë të Trump.

    Australia dhe Brazili i cilësuan të dyja tarifat e reja si “të pajustifikuara” dhe njoftuan se do të kërkojnë heqjen e tyre. Norvegjia tha se nuk ekziston “asnjë bazë” për vendosjen e tarifave. Kanadaja, e cila pak ditë më parë ishte prekur edhe nga tarifa të tjera mbi mallra në vlerë 20 miliardë dollarë, dha një përgjigje më të matur: ministri kanadez përgjegjës për tregtinë me SHBA-në, Dominic LeBlanc, tha se vendi i tij “do të vazhdojë të bashkëpunojë në mënyrë konstruktive me Shtetet e Bashkuara për këtë çështje, si dhe për çështje të tjera të pazgjidhura, në javët në vazhdim, për të mirën e ndërsjellë të qytetarëve tanë”. Ndikimi i drejtpërdrejtë i tarifave në tregjet financiare u vlerësua si i kufizuar në ditën e shpalljes: yield-et e bonove thesarit u ngritën lehtësisht, pasi tarifat rrisin rrezikun inflacionist, por vëmendja kryesore e tregjeve ishte e përqendruar te konflikti në Lindjen e Mesme dhe jo te vendimi tregtar amerikan. Kelly Ann Shaw, e cila ishte këshilltare e Shtëpisë së Bardhë për çështje tregtare në mandatin e parë të Trump dhe tani punon si avokate, e përmblodhi kështu situatën: “Mendoj se kjo është më shumë ruajtje e status quo-s në aspektin e ndikimit ekonomik”, duke vënë në dukje se ndryshimet kryesore ishin shtimi i rreth 471 produkteve në listën e përjashtimeve.

    Por efektet e muajve të fundit të politikës tarifore po ndihen tashmë në xhepat e amerikanëve të zakonshëm. Sipas një studimi të Bankës Federale Rezervë të Dallasit, publikuar në maj, inflacioni bazë vjetor arriti në 3.2% në mars 2026, niveli më i lartë i regjistruar në tre vjet, një rritje që ekonomistët e Fed-it ia atribuojnë drejtpërsëdrejti kostove të shtuara nga tarifat. Sipas llogaritjeve të tyre, pa këto tarifa, inflacioni do të ishte rreth 0.8 pikë përqindjeje më i ulët, pra rreth 2.3%. Një raport i ‘Tax Foundation’ nga shkurti 2026 vlerëson se tarifat e vendosura gjatë vitit do të kushtojnë familjeve amerikane mesatarisht 700 dollarë shtesë. Të dhëna të Fed-it të Nju Jorkut treguan se 47% e kompanive të shërbimeve dhe 44% e prodhuesve planifikojnë rritje të mëtejshme çmimesh për shkak të tarifave, disa prej tyre që në gjashtë muajt e ardhshëm — shenjë se efektet e këtij “muri tarifor” ende nuk kanë përfunduar të kalojnë tek konsumatori final. Analiza më e thelluar e këtij episodi zbulon një model të qartë të sjelljes së administratës ‘Trump’ përballë kufizimeve gjyqësore. Kur Gjykata e Lartë i shfuqizoi tarifat “reciproke” në shkurt 2026, reagimi i menjëhershëm i administratës nuk ishte tërheqja, por kërkimi i shpejtë i një baze ligjore alternative, fillimisht përmes Nenit 122, dhe tani, në mënyrë më të qëndrueshme, përmes Nenit 301. Kjo strategji dyshe, përdorimi i kompetencave “të vjetra” dhe të testuara paralelisht me eksperimentimin me autoritete “të reja” e më pak të sprovuara, pasqyron një përkushtim të qëndrueshëm ndaj idesë së “murit tarifor”, pavarësisht pengesave institucionale. Ekonomistja e Columbia Business School, Laura Veldkamp, e ka përmbledhur këtë dinamikë në mënyrë të prerë: “Kjo duket qartazi si një justifikim për të ringjallur tarifat origjinale nën një maskë tjetër.” Fakti që administrata zgjodhi të mbështetet në një çështje me përmbajtje morale të fortë, pra punën e detyruar, në vend të një argumenti thjesht ekonomik, sugjeron edhe një kalkulim politik: është më e vështirë, retorikisht dhe ligjërisht, të kundërshtosh publikisht një masë të paraqitur si mbrojtje e të drejtave të njeriut, sesa një tarifë e justifikuar thjesht me interesa proteksioniste. Historia, megjithatë, nuk mbaron këtu. Paralelisht me këtë valë tarifash, USTR-ja po zhvillon një hetim të veçantë mbi 16 ekonomi, që përbëjnë rreth 70-75% të importeve amerikane, lidhur me akuza për “tejkapacitet industrial”, një çështje që prek drejtpërdrejt Kinën dhe rivalët e saj rajonalë në prodhimin industrial. Nëse ky hetim çon në tarifa shtesë, siç e presin shumë analistë, kjo do të përbënte hallkën e tretë të një strategjie që synon të restaurojë, në mënyrë graduale por të qëndrueshme, gjerësinë e regjimit tarifor që ekzistonte para vendimit të Gjykatës së Lartë. Shumica e vëzhguesve, sidoqoftë, presin që kjo hallkë e re të mos aktivizohet përpara zgjedhjeve të mesmandatit, duke pasqyruar ndjeshmërinë politike të administratës ndaj efekteve inflacioniste të tarifave në një vit elektoral. Përtej efekteve të menjëhershme mbi çmimet dhe marrëdhëniet dypalëshe, kjo valë tarifash lidhet edhe me dinamika më të gjera, që prekin njëkohësisht politikën e brendshme amerikane dhe arkitekturën e vetë tregtisë globale. Në planin e brendshëm, tarifat mbeten një nga shtyllat kryesore të agjendës ekonomike të administratës ‘Trump’, por zbatimi i tyre po ndodh në një kontekst politik gjithnjë e më të ndjeshme. Sondazhet e fundit tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e amerikanëve po shprehin shqetësim për ndikimin e tarifave te çmimet e përditshme, ndërsa studime si ai i Yale Budget Lab vlerësojnë se çmimi i mallrave të qëndrueshme është rritur me rreth 3.8% brenda 13 muajve, pjesërisht si rezultat i politikave tarifore. Kjo krijon një ekuilibër delikat përpara zgjedhjeve të mesmandatit: qeveria kërkon të ruajë linjën e saj proteksioniste, njëkohësisht duke ndjekur me kujdes efektin që ajo mund të ketë te opinioni publik. Në këtë dritë kuptohet edhe kalendari i hetimit të dytë, mbi “tejkapacitetin industrial,” që shumë analistë e presin të mos aktivizohet përpara nëntorit. Në planin ndërkombëtar, implikimet janë edhe më të gjera se vetë shifrat e tarifave. Drejtoresha e Përgjithshme e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT), Ngozi Okonjo-Iweala, e ka përshkruar periudhën aktuale si një nga rishikimet më të mëdha të rregullave tregtare globale në 80 vitet e fundit, duke theksuar se pjesa e tregtisë botërore që zhvillohet sipas parimit të “kombit më të favorizuar” të OBT-së ka rënë nga rreth 80% në rreth 72%. Në konferencën ministrore të OBT-së në Kamerun, në mars 2026, ajo vlerësoi se sistemi multilateral i njohur deri tani po kalon një transformim të thellë dhe të vështirë për t’u kthyer mbrapsht. Kjo pasqyron një prirje më të gjerë drejt rishikimit të rregullave që kanë udhëhequr tregtinë globale prej krijimit të OBT-së në vitin 1995. Një element që e plotëson këtë pamje është përdorimi i tarifave si instrument presioni apo pse jo, ndëshkimi, ndaj vendimeve konkrete të politikës së jashtme dhe jo thjesht si mjet i orientuar nga tregtia. Në disa raste të fundit, administrata amerikane i ka lidhur haptazi tarifat me qëndrimin e një vendi ndaj çështjeve që Uashingtoni i konsideron prioritare. Kështu, importet nga India u ngarkuan me një tarifë shtesë prej 25%, e justifikuar drejtpërdrejt me blerjet e naftës ruse nga ky vend, ndërsa Brazilit iu vendos një tarifë prej 50% e lidhur haptazi me gjyqin ndaj ish-presidentit Jair Bolsonaro. Në një rast tjetër, gjatë periudhës së luftës në Iran në pranverën e vitit 2026, Presidenti Trump kërcënoi me tarifa prej 50% çdo vend që do të furnizonte Teheranin me armatim, si mjet për të izoluar ekonomikisht partnerët e mundshëm të Iranit. Kolumbisë, nga ana tjetër, i kërcënon tarifa fillimisht për shkak të mosbashkëpunimit në çështjen e migracionit, e më vonë për qëndrimin e saj ndaj Venezuelës. Këto shembuj tregojnë se, përtej logjikës klasike të mbrojtjes tregtare, tarifat po shërbejnë gjithnjë e më shumë si një formë e diplomacisë koercitive: një mjet për të shpërblyer ose ndëshkuar vendet sipas afërsisë a largësisë së tyre me pozicionet e Uashingtonit në çështje të politikës së jashtme, jo vetëm sipas peshës së tyre në bilancin tregtar amerikan.

    Një pasojë e dukshme e këtij ambienti është rritja e kujdesit mes vendeve tregtare ndaj marrëveshjeve me Uashingtonin, pasi ndryshimet e njëpasnjëshme të bazës ligjore të tarifave (nga IEEPA tek Neni 122 dhe tani Neni 301) kanë krijuar një klimë paqartësie. Në përgjigje, shumë ekonomi po diversifikojnë rrjetin e tyre tregtar. Kina, për shembull, po zgjeron rrjetin e saj me rreth 20 marrëveshje të reja tregtare të lira dhe ka hequr tarifat për importet nga 53 vende afrikane. Në një zhvillim domethënës, Bashkimi Evropian dhe Kina kanë intensifikuar gjithashtu bashkëpunimin e tyre tregtar, duke krijuar mekanizma të përbashkët monitorimi dhe duke shprehur mbështetje për sistemin multilateral të bazuar te rregullat, me OBT-në në qendër. Kjo nuk do të thotë domosdoshmërish se po formohet një bllok i unifikuar kundër Shteteve të Bashkuara, vetë Bashkimi Evropian po forcon paralelisht masat e tij ndaj importeve kineze, duke treguar se pothuajse çdo ekonomi e madhe po rregullon politikat e saj tregtare sipas interesave të veta. Ajo çka po ndodh, në thelb, është një kalim gradual drejt një peizazhi tregtar më të fragmentuar, me blloqe rajonale dhe marrëveshje bilaterale që lëvizin në ritme dhe drejtime të ndryshme. Në këtë kontekst, tarifat amerikane ndaj 60 vendeve mund të shihen si pjesë e një procesi më të gjerë rirregullimi, në të cilën ekonomitë e botës po ripërcaktojnë marrëdhëniet e tyre tregtare në një mjedis global në ndryshim.

  • 58 të vdekur nga aksidentet në trafik në periudhën janar-korrik, policia bën thirrje për kujdes

    58 të vdekur nga aksidentet në trafik në periudhën janar-korrik, policia bën thirrje për kujdes

    Policia e Kosovës ka publikuar një grafikë përmes së cilës tregon për numrin e të vdekurve në aksidente rrugore përgjatë periudhës janar-korrik të këtij viti.

    Policia tha se 58 persona humbën jetën si pasojë e aksidenteve.

    Në këtë grafikë, policia bën thirrje për kujdes e për respektim të rregullave në komunikacion.

  • Thirrja e PE-së ndaj Kosovës: Përshpejtoni reformat – normalizoni raportet me Serbinë

    Thirrja e PE-së ndaj Kosovës: Përshpejtoni reformat – normalizoni raportet me Serbinë

    Parlamenti Evropian i ka bërë thirrje Kosovës që të përshpejtojë reformat e nevojshme për afrimin me Bashkimin Evropian dhe të angazhohet më shumë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

    PE përmes një shkrimi në platformën X ka vlerësuar se funksionimi i institucioneve është thelbësor për përparimin e Kosovës në agjendën evropiane.

    “Kosova duhet të përshpejtojë reformat dhe të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë. Parlamenti bën thirrje për një legjislaturë dhe qeveri funksionale për të çuar përpara reformat që lidhen me BE-në dhe për të mbështetur rrugën e Kosovës drejt BE-së si një vend kandidat potencial”, thuhet në postim.

  • 18-vjeçari i lënduar rëndë nga vinçi mbetet në Mjekimin Intensiv, gjendja e tij është stabile

    18-vjeçari i lënduar rëndë nga vinçi mbetet në Mjekimin Intensiv, gjendja e tij është stabile

    Gjendja shëndetësore e 18-vjeçarit që u lëndua të martën në një vendpunishte në Prishtinë, si pasojë e rrëzimit të një vinçi, është stabile.

    Drejtori i Mjekimit Intensiv Qendror, Shaqir Uka, ka deklaruar për KosovaPress se i riu është pranuar në Njësinë e Mjekimit Intensiv pas konsultimeve dhe ekzaminimeve mjekësore, për shkak të lëndimeve të rënda që ka pësuar.

    “Pacienti është sjellë dje në Qendrën Emergjente, pasi ka pësuar lëndime në vendin e punës. Pas kryerjes së të gjitha ekzaminimeve të nevojshme, ai është transferuar në Njësinë e Mjekimit Intensiv, ku po vazhdon të marrë trajtim mjekësor.Lëndimet janë kryesisht në tri sisteme të mëdha të organeve: në gjoks, bark dhe kocka. Fatmirësisht, parametrat vitalë të pacientit janë stabilë. Ai vazhdon të marrë trajtim mjekësor dhe të monitorohet nga ekipet mjekësore”, tha Uka.

    18-vjeçari u lëndua të martën në një vendpunishte në Prishtinë, pasi mbi të ra një vinç, ndërsa rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente.

    Si pasojë e këtij aksidenti ka humbur jetën një 20-vjeçar. /kp/

  • Haxhiu: Gjetja e varrit masiv në Kalludër të Zubin Potokut, hap i rëndësishëm për zbardhjen e fatit të të zhdukurve

    Haxhiu: Gjetja e varrit masiv në Kalludër të Zubin Potokut, hap i rëndësishëm për zbardhjen e fatit të të zhdukurve

    Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka mirëpritur konfirmimin e gjetjes së një varri masiv në fshatin Kalludër të Zubin Potokut, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm në përpjekjet për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë.

    Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu tha se ky është një zhvillim me rëndësi në procesin e ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur.

    “Kam mirëpritur lajmin për konfirmimin e gjetjes së varrit masiv në fshatin Kalludër, në Zubin Potok. Ky është një zhvillim i rëndësishëm në përpjekjet për ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me forcë gjatë luftës”, ka shkruar Haxhiu.

    Ajo ka vlerësuar angazhimin e institucioneve që po punojnë në këtë rast, duke përmendur Policinë e Kosovës, Institutin e Mjekësisë Ligjore, Komisionin Qeveritar për Personat e Zhdukur, Prokurorinë dhe institucionet e tjera të drejtësisë dhe sigurisë.

    “Vlerësoj angazhimin dhe punën profesionale të ekipeve të Policisë së Kosovës, Institutit për Mjekësisë Ligjore, Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Prokurorisë dhe institucioneve të tjera të drejtësisë e të sigurisë, të cilat po e trajtojnë këtë rast me përkushtim dhe përgjegjësi”, ka theksuar ajo.

    Haxhiu ka bërë të ditur se ky proces do ta ketë mbështetjen e saj të plotë, nga vlerësimi i lokacionit deri te identifikimi i viktimave.

    “Ky proces do ta ketë përkrahjen time të plotë, nga vlerësimi i gjithanshëm i lokacionit, zhvarrimi dhe ekzaminimet mjeko-ligjore, e deri te identifikimi i plotë i viktimave, gjithmonë në përpjekje për t’iu përgjigjur të drejtës së familjeve për të ditur fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre”, ka përfunduar Haxhiu. /Telegrafi/

  • IKD: Ministria nuk po zbaton aktgjykimet për pensionet e dyfishta të kategorive të dala nga lufta

    IKD: Ministria nuk po zbaton aktgjykimet për pensionet e dyfishta të kategorive të dala nga lufta

    Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka shprehur shqetësim për moszbatimin e aktgjykimeve të formës së prerë nga Departamentet e Pensioneve në Ministrinë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare (MPFVLÇ), të cilat u njohin qytetarëve të drejtën për pension të dyfishtë.

    Sipas IKD-së, rastet e trajtuara nga Qendra për Ndihmë Juridike Falas tregojnë se nuk bëhet fjalë për raste të izoluara. Instituti thotë se edhe pas përfundimit të procedurave gjyqësore, në disa raste ministria nuk i ekzekuton aktgjykimet, nuk i alokon mjetet financiare për përfituesit ose nxjerr vendime të reja që bien ndesh me ato që kanë vendosur gjykatat.

    IKD-ja thekson se ka raste kur, edhe pse e drejta është konfirmuar nga të gjitha instancat gjyqësore, përfshirë Gjykatën Supreme, qytetarët vazhdojnë të mos marrin përfitimet që u janë njohur me vendim të formës së prerë.

    Po ashtu, sipas institutit, kur gjykata anulon një vendim administrativ dhe e kthen çështjen në rivendosje, ministria në disa raste nxjerr sërish vendime refuzuese me të njëjtin arsyetim, pa respektuar udhëzimet dhe qëndrimin juridik të gjykatës.

    IKD-ja ka vlerësuar se kjo praktikë cenon sigurinë juridike, autoritetin e vendimeve gjyqësore dhe parimin e “res judicata”, duke i detyruar qytetarët të ndjekin vazhdimisht procedura të reja administrative dhe gjyqësore për të njëjtën çështje.

    “Neni 394 i Kodit Penal e konsideron vepër penale refuzimin ose mosekzekutimin e një vendimi të plotfuqishëm gjyqësor, për të cilin dënimi mund të arrijë deri në pesë vjet burgim. Në rrethana të caktuara mund të ngrihen dyshime edhe për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, thuhet në reagim.

    IKD-ja kërkon nga MPFVLÇ që të evidentojë dhe zbatojë menjëherë të gjitha aktgjykimet e formës së prerë, të kryejë pagesat që burojnë prej tyre dhe të ndalë nxjerrjen e vendimeve që bien në kundërshtim me qëndrimet e gjykatave.

    Njëkohësisht, IKD-ja i ka bërë thirrje Prokurorit të Shtetit që të hetojë rastet për shkak të dyshimeve për moszbatim të vendimeve gjyqësore.

  • Vdekja e të riut në kantierin e ndërtimit në Prishtinë, Inspektorati sqaron kompetencat dhe paralajmëron masa ligjore

    Vdekja e të riut në kantierin e ndërtimit në Prishtinë, Inspektorati sqaron kompetencat dhe paralajmëron masa ligjore

    Inspektorati Qendror i Punës ka reaguar pas aksidentit të rëndë në një kantier ndërtimi në lagjen e Spitalit në Prishtinë, ku një 20-vjeçar humbi jetën dhe një tjetër punëtor mbeti i lënduar pas rrëzimit të një vinçi.

    Në reagimin e tij, Inspektorati ka shprehur ngushëllime për familjen e viktimës dhe ka bërë të ditur se rasti po trajtohet me prioritet.

    “Inspektorati Qendror i Punës, edhe njëherë shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së punëtorit që humbi jetën në aksidentin e ndodhur dje në një kantier ndërtimi në Prishtinë dhe i uron shërim sa më të shpejtë punëtorit të lënduar”, thuhet në njoftim.

    Sipas Inspektoratit, për zbardhjen e plotë të rrethanave janë duke bashkëpunuar me Policinë e Kosovës, Prokurorinë dhe institucionet tjera kompetente.

    “Ky rast po trajtohet me prioritet të lartë dhe Inspektorati Qendror i Punës është duke bashkëpunuar ngushtë me Policinë e Kosovës, Prokurorinë dhe institucionet e tjera kompetente, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave dhe përcaktimit të përgjegjësive”, thuhet në reagim.

    Inspektorati ka sqaruar se kompetencë e tij është mbikëqyrja e zbatimit të legjislacionit për sigurinë dhe shëndetin në punë, sa i përket punëmarrësve, kontraktorëve, nënkontraktorëve dhe personave të tjerë të autorizuar që kanë qasje në kantier.

    “Mbikëqyrja e zbatimit të legjislacionit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, në raport me punëmarrësit, kontraktorët, nënkontraktorët dhe personat e tjerë që kanë qasje të autorizuar në kantier, është kompetencë e Inspektoratit Qendror të Punës”, thuhet në njoftim.

    Ndërkaq, për sigurinë e palëve të treta dhe parandalimin e dëmeve jashtë kantierit, Inspektorati ka bërë të ditur se përgjegjësia bie mbi inspektoratet komunale të ndërtimit.

    “Ligji për Ndërtim, përkatësisht neni 35, përcakton se përgjegjësia për mbikëqyrjen e zbatimit të masave të sigurisë në kantieret e ndërtimit i takon inspektorateve të ndërtimit të komunave përkatëse”, thuhet në reagim.

    Inspektorati ka theksuar se në këtë fazë nuk mund të nxirren përfundime përfundimtare për shkakun e aksidentit, pasi nevojiten hetime dhe ekspertiza të mëtejshme.

    “Në këtë fazë është ende herët të nxirren konstatime përfundimtare, pasi natyra dhe rrethanat e rastit kërkojnë hetime dhe ekspertiza të mëtejshme për të përcaktuar shkakun e saktë të aksidentit, si dhe përgjegjësitë lidhur me zbatimin e masave të sigurisë dhe shëndetit në punë”, ka deklaruar Inspektorati.

    Tre persona ndalohen pas aksidentit tragjik në vendpunishte në Prishtinë, Prokuroria nis hetimet

    Po ashtu, institucioni ka bërë të ditur se nëse gjatë hetimeve konstatohen shkelje të legjislacionit për sigurinë dhe shëndetin në punë, do të ndërmerren masat ligjore brenda kompetencave të tij.

    Në fund, Inspektorati ka kërkuar forcim të koordinimit ndërmjet institucioneve përgjegjëse për lejet ndërtimore dhe mbikëqyrjen e kantiereve, duke bërë të ditur se aktualisht nuk njoftohet në mënyrë sistematike nga komunat për fillimin e punimeve të reja.

    “Për pasojë, planifikimi i mbikëqyrjes inspektuese bazohet në monitorimin e vazhdueshëm të territorit, raportimet e qytetarëve dhe burime të tjera të informacionit, e jo në një mekanizëm ndërinstitucional të shkëmbimit të të dhënave”, thuhet në reagim. /Telegrafi/

  • Akuzat për kurdisje, reagon për herë të parë menaxheri i Kristian Prengës

    Akuzat për kurdisje, reagon për herë të parë menaxheri i Kristian Prengës

    Menaxheri i Kristian Prengës, Keith Sullivan, ka reaguar ndaj teorive të përhapura pas humbjes së boksierit shqiptar ndaj Anthony Joshuas, duke mohuar çdo mundësi për ndikim të jashtëm apo marrëveshje të dyshimtë.

    Prenga befasoi shumë tifozë në rundin e parë të duelit në Jeddah, ku e rrëzoi dy herë Joshuan, por më pas britaniku u rikthye fuqishëm dhe fitoi me nokaut teknik në rundin e dytë.

    Pas ndryshimit të madh të paraqitjes së Prengës nga raundi i parë në të dytin, në rrjetet sociale nisën të qarkullonin teori se diçka nuk kishte shkuar siç duhej.

    Megjithatë, Sullivan i hodhi poshtë këto pretendime.

    “Mund t’i sqarojmë shumë lehtë me një fjalë: e pamundur. Nuk kishte asnjë ndikim të jashtëm”, tha ai për talkSPORT.

    Menaxheri mohoi edhe pretendimin se persona nga organizatorët apo kompanitë e përfshira në event kishin ndërhyrë në këndin e Prengës gjatë meçit.

    “Turki Alalshikh nuk ishte fare në Jeddah. Edhe ideja se dikush nga Sela kishte ardhur në këndin tonë dhe kishte folur me ne, nuk është e vërtetë. Shikoni pamjet, nuk ka ndodhur”.

    Megjithatë, Sullivan zbuloi një detaj të panjohur më parë: Kristian Prenga kishte kaluar një periudhë të vështirë shëndetësore para përballjes me Joshuan.

    “Kristiani ishte sëmurë rëndë para luftës. Nuk bëri sparing dhe nuk u stërvit për dy javë para se të shkonte në Jeddah. Kishte temperaturë 102 gradë celcius dhe qëndroi tetë ditë në shtrat”.

    Sipas tij, Prenga kishte bërë kontrolle mjekësore dhe ishte menduar se bëhej fjalë për një grip apo lodhje të madhe, por koha e rikuperimit ndikoi në përgatitjet e tij.

    “Në rundin e parë doli dhe e harxhoi gjithë energjinë. Kur nisi raundi i dytë, ai më tha se ndihej sikur ishte kthyer sërish në atë shtrat ku kishte qenë tetë ditë, pa energji dhe duke luftuar për frymë”.

    Në fund, Sullivan theksoi se nuk po kërkon justifikime për humbjen.

    “Nuk po bëj justifikime. Mendoj se ishin pesë minuta e gjysmë nga momentet më emocionuese të boksit që kam parë prej shumë kohësh”.

  • Arrestohet një i mitur në Istog pas videos me armë në rrjetet sociale

    Arrestohet një i mitur në Istog pas videos me armë në rrjetet sociale

    Policia e Kosovës ka raportuar për dy raste të ndara në komunën e Istogut, që kanë të bëjnë me posedim të paautorizuar të armës dhe posedim të substancave të dyshuara narkotike.

    Në rastin e parë, që lidhet me datën 19 korrik 2026, policia ka bërë të ditur se pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, ku një i mitur shihej duke mbajtur një armë në dorë, njësitet policore kanë zhvilluar hetime dhe kanë arritur ta identifikojnë e arrestojnë të dyshuarin.

    I mituri është intervistuar dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa policia ka bërë të ditur se gjatë veprimeve hetimore nuk është gjetur asnjë armë. Rasti vazhdon të hetohet.

    Ndërkaq, në një rast tjetër, të hënën rreth orës 20:35, është arrestuar një person tjetër në Istog, pasi gjatë kontrollit në çantën e tij policia ka gjetur dhe konfiskuar një sasi të substancës së dyshuar narkotike, lloji dhe pesha e së cilës nuk janë bërë të ditura.

    Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet për rastin janë në vazhdim.