ATV

Category: Lajme

  • Kurti pret në takim admiralin Wikoff, thotë se biseduan për situatën e sigurisë

    Kurti pret në takim admiralin Wikoff, thotë se biseduan për situatën e sigurisë

    Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka njoftuar se ka pritur në takim admiralin amerikan George M. Wikoff, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli të Italisë.

    Kurti, përmes një njoftimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ka shkruar se me admiralin amerikan kanë biseduar për situatën e sigurisë dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve tona dhe NATO-s.

    Postimi i tij i plotë:

    Pas takimit tonë të parë në janar, pata nderin ta pres sërish në Zyrën e Kryeministrit admiralin amerikan George M. Wikoff, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli të Italisë, i cili ishte i shoqëruar nga komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş.

    Ne jemi mirënjohës për përkushtimin e NATO-s për mjedis të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët dhe të gjitha komunitetet, si dhe për kontributin e vazhdueshëm për paqen e qëndrueshme dhe stabilitetin afatgjatë në Republikën tonë dhe mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Me admiralin Wikoff biseduam për situatën e sigurisë dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve tona dhe NATO-s.

  • Rritet sërish çmimi i naftës në Kosovë, litri arrin në 1.73 euro

    Rritet sërish çmimi i naftës në Kosovë, litri arrin në 1.73 euro

    Çmimet e derivateve të naftës kanë shënuar sërish rritje në Kosovë, sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Industrisë (MINT).

    Sipas çmimeve zyrtare për ditën e sotme, një litër naftë do të kushtojë 1 euro e 73 centë, duke shënuar rritje prej një centi krahasuar me ditën paraprake.

    Ndërkohë, benzina do të shitet me çmim maksimal prej 1 euro e 52 centë për litër, ndërsa gazi do të kushtojë 0.60 euro për litër.

    Rritja e vazhdueshme e çmimeve të derivateve po vazhdon të ndikojë në shpenzimet e qytetarëve dhe bizneseve, ndërsa tregu i karburanteve mbetet i ndikuar nga lëvizjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

  • Dyshohet se falsifikuan dokumentet e veturave koreane, sekuestrohen pesë automjete në Vushtrri

    Dyshohet se falsifikuan dokumentet e veturave koreane, sekuestrohen pesë automjete në Vushtrri

    Pesë automjete janë sekuestruar gjatë një aksioni të përbashkët të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Doganës së Kosovës dhe Policisë së Kosovës, pas dyshimeve për falsifikim të dokumenteve gjatë procedurës së importimit.

    Sipas njoftimit të Prokurorisë, kontrollet janë kryer në shtëpinë e të pandehurve në Vushtrri, në kuadër të një hetimi penal për sigurimin e provave materiale.

    Dyshohet se personat e përfshirë kanë falsifikuar dhe përdorur dokumente publike të automjeteve gjatë zhdoganimit, duke ndryshuar të dhënat në librezat koreane të veturave për vitin e regjistrimit të parë.

    Sipas dyshimeve, në dokumente është ndryshuar viti i regjistrimit nga 2015 në 2016, me qëllim që automjetet të paraqiteshin si më të reja dhe të plotësonin kushtet ligjore për import në Kosovë.

    Dokumentet e dyshuara si të falsifikuara janë përdorur gjatë procedurave doganore për pesë automjete, të cilat tashmë janë sekuestruar nga autoritetet.

    Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë në bashkëpunim me institucionet përkatëse, me qëllim zbardhjen e plotë të rastit dhe sigurimin e provave të tjera.

  • Trump do të takohet sot me Zelenskyn dhe Netanyahun në Shtëpinë e Bardhë

    Trump do të takohet sot me Zelenskyn dhe Netanyahun në Shtëpinë e Bardhë

    Presidenti amerikan Donald Trump pritet të presë të martën në Shtëpinë e Bardhë presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në takime të ndara, të cilat pritet të përqendrohen në konfliktet në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme, tha për CNN një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.

    Trump do të takohet me Netanyahun për të diskutuar luftën me Iranin, përparimin në negociatat me Libanin dhe përpjekjet për zgjerimin e Marrëveshjeve të Abrahamit, tha zyrtari i Shtëpisë së Bardhë.

    Trump pranoi se ai dhe Netanyahu nuk janë plotësisht në një mendje për Iranin, por tha se të dy udhëheqësit mbeten ngushtë të koordinuar. “Kemi një dallim të vogël, por jemi shumë afër”, u tha Trump gazetarëve të hënën.

    Gjatë takimit të Trumpit me Zelenskyn, udhëheqësit do të diskutojnë procesin e vazhdueshëm të paqes mes Rusisë dhe Ukrainës, sipas zyrtarit. “Tani është koha për t’i dhënë fund luftës”, shtoi ai.

    Më herët të hënën, Trump minimizoi pretendimin e Zelenskyt se Rusia po i ofron Iranit informacione të inteligjencës për bazat ushtarake amerikane, duke thënë: “Nuk besoj se e kanë bërë këtë, sigurisht jo në një nivel të lartë”.

    Si Netanyahu, ashtu edhe Zelensky planifikojnë të marrin pjesë të martën në Washington në funeralin e senatorit të ndjerë Lindsey Graham.

  • Gashi ngre shqetësimin për moszbatimin e ligjit nga zyrtarët publikë

    Gashi ngre shqetësimin për moszbatimin e ligjit nga zyrtarët publikë

    Drejtori i Rrjetit të Organizatave Joqeveritare AVONET, Kenan Gashi, ka reaguar lidhur me, siç e quan ai, mungesën e përgjegjësisë ligjore të disa zyrtarëve publikë, duke theksuar se mosrespektimi i ligjit nga institucionet dëmton rëndë besimin e qytetarëve në drejtësi dhe në funksionimin e shtetit.

    Gashi ka deklaruar se kur zyrtarët publikë nuk japin llogari për veprimet e tyre dhe nuk përballen me përgjegjësi për shkeljet eventuale, atëherë pushteti rrezikon të largohet nga misioni i tij për t’i shërbyer qytetarëve dhe të shndërrohet në mjet presioni ndaj tyre.

    Sipas tij, në Komunën e Ferizajt janë vërejtur raste ku zyrtarë të caktuar kanë treguar qasje shpërfillëse ndaj kritikave publike dhe reagimeve për shkelje të mundshme ligjore, duke krijuar një perceptim se pozita zyrtare mund të shërbejë si mburojë ndaj përgjegjësisë.

    “Kur krijohet bindja se askush nuk mban përgjegjësi për shkeljet ligjore, atëherë dobësohet besimi i qytetarëve në institucionet publike dhe në drejtësi. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, pavarësisht pozitës apo ndikimit që gëzon”, ka theksuar Gashi.

    Drejtori i AVONET-it ka kërkuar më shumë transparencë institucionale, përgjegjësi dhe zbatim të ligjit pa përjashtime, duke theksuar se vetëm përmes ndëshkimit të shkeljeve dhe respektimit të rregullave mund të rikthehet besimi i qytetarëve në institucionet publike.

    “Përgjegjësia, transparenca dhe sundimi i ligjit janë themeli i një shoqërie demokratike dhe i sigurisë juridike për të gjithë”, ka përfunduar Gashi.

  • Arrestohet një kosovar në Ulqin, dyshohet për vjedhje nëpër plazhe

    Arrestohet një kosovar në Ulqin, dyshohet për vjedhje nëpër plazhe

    Një shtetas i Kosovës, G.R., 47 vjeç, është arrestuar të shtunën nga Policia e Malit të Zi pas dyshimeve për vjedhje të shumta në plazhet e Ulqinit. Ai ishte i kërkuar edhe nga Kosova.

    Sipas deklaratës së Policisë, gjatë kontrollin në banesën ku qëndronte i dyshuari u gjetën një pjesë e sendeve të vjedhura dhe sende nga periudha e mëparshme, të cilat dyshohet se burojnë nga vepra penale të kryera në zonën e Ulqinit.

    Gjithashtu, u gjet edhe një pako heroinë.

    G.R. dyshohet se në Plazhin e Madh dhe të Vogël të Ulqinit vodhi para, telefona, çelësa automjetesh, biçikleta, pije alkoolike të shtrenjta, cigare e të tjera.

    Sipas policisë malaziase, i dyshuari është person me vepra të shumëfishta penale edhe në Kosovë, shtet i cili e ka në listën e kërkimit.

    Ai është ndaluar, derisa do të vazhdojnë procedurat e mëtejme.

  • Përparim Rama i kërkon sqarim publik Jeta Xharrës: Kush është autori me emrin “Lule Gjeli”, pres deri të hënën më së largu

    Përparim Rama i kërkon sqarim publik Jeta Xharrës: Kush është autori me emrin “Lule Gjeli”, pres deri të hënën më së largu

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kërkuar nga mediumi “Kallxo.com” që të sqarojë se kush është personi prapa profilit “Lule Gjeli”, pasi ky medium kishte publikuar një opinion me autor me këtë emër.

    “Lule Gjeli” po dyshohet për nxitje të urrejtjes dhe shantazh derisa shumë figura publike kanë filluar denoncimin në rrjete sociale, por edhe në organet e rendit.

    Rama tha se vetë ishte viktimë.

    “Publikimi i analizës nga profili famëkeq fiktiv “Lule Gjeli” në Kallxocom, medium që drejton Jeta Xharra, është alarm i frikshëm për shkelje të rëndë të standardeve etike dhe ligjore dhe ngre pikëpyetje serioze që meritojnë përgjigje të qarta dhe publike!”, shkroi Rama.

    Ai kërkoi nga drejtoresha e këtij mediumi, Jeta Xharra, sqarim dhe tha se këtë duhet ta bëjë deri të hënën përndryshe Komuna e Prishtinës do ta shqyrtojë bashkëpunimin me këtë medium.

    Opinioni me titullin “Modeli i fshehur që mund të jetë në tavolinën e marrëveshjeve Kosovë-Serbi” u publikua në “Kallxo.com” më 27.8.2020 dhe ende është publik.

    “Lule Gjeli është konsulentë e ligjit komercial për një kompani për mbrojtje të fondeve”, e përshkruan Kallxo.com profilin e “Lule Gjeli”.

    Postimi i plotë i Ramës:

    Publikimi i analizës nga profili famëkeq fiktiv “Lule Gjeli” në Kallxocom, medium që drejton Jeta Xharra, është alarm i frikshëm për shkelje të rëndë të standardeve etike dhe ligjore dhe ngre pikëpyetje serioze që meritojnë përgjigje të qarta dhe publike!

    Në emër të transparencës dhe llogaridhënies publike, i bëj thirrje BIRN Kosovës, Kallxocom, Interneës Kosova dhe drejtoreshës Jeta Xharra që të sqarojnë publikisht këto çështje:

    1. Kush është autori me emrin “Lule Gjeli”?

    2. Çfarë bashkëpunimi tjetër kanë pasur me Lule Gjeli?

    3. Në cilën periudhë kohore ka bashkëpunuar me të, sa ka zgjatur ky bashkëpunim, a është paguar ajo/ai për publikimet e saj dhe me çfarë fondesh është paguar?

    4. A ka qenë ndonjë politikan i përfshirë në diskutimet gjatë angazhimit të Lule Gjelit në publikimin e “opinioneve” pro qeveritare?

    5. A do t’i kërkoni falje qindra viktimave, një prej të cilave jam edhe unë, për dëmin që u ka shkaktuar profili Lule Gjeli?

    Unë pres reagim dhe sqarim publik më se largu deri të hënën. Deri atëherë, dhe derisa këto çështje të jenë sqaruar plotësisht, në mënyrë transparente dhe bindëse, Kryeqyteti do të rishqyrtojë çdo formë të bashkëpunimit dhe mbështetjes institucionale me BIRN Kosovën. Nëse sqarimet nuk i përmbushin standardet e transparencës që qytetarët meritojnë, do të kërkoj ndërprerjen e çdo bashkëpunimi institucional me BIRN Kosovën.

    Institucionet publike kanë detyrim të mbrojnë jo vetëm resurset publike, por edhe interesin publik dhe besimin e qytetarëve!

    Për këtë arsye, Kryeqyteti nuk mund të vazhdojë të ofrojë mbështetje institucionale për asnjë organizatë ndaj së cilës ekzistojnë dyshime serioze dhe të pazgjidhura lidhur me përkushtimin e saj ndaj interesit publik, llogaridhënies demokratike dhe vlerave mbi të cilat është ndërtuar Republika e Kosovës.

    Paraja publike dhe hapësirat publike u përkasin qytetarëve. Ato administrohen ekskluzivisht në funksion të interesit të tyre dhe nuk mund të vihen në dispozicion të askujt derisa të jenë adresuar dhe sqaruar plotësisht çështjet që cenojnë besimin publik!

  • Besnik Tahiri kërkon veprime nga shteti për të gjithë ata që kanë përzier me “Lule Gjelin”

    Besnik Tahiri kërkon veprime nga shteti për të gjithë ata që kanë përzier me “Lule Gjelin”

    Deputeti i zgjedhur i AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se është detyrë e organeve ligjzbatuese që të vendosin drejtësi për secilin individ, grupacion apo entitet që kanë çfarëdo lidhje me persona të tipit “Lule Gjeli”.

    Tahiri ka thënë se persona të tillë përdorin intimidim, urrejtje e shantazh për të dëmtuar reputacionin, prandaj duhet veprim urgjent i shtetit.

    “Është detyrë e organeve të zbatimit të ligjit dhe të sigurisë ta zbulojnë dhe të ndajnë drejtësi, për secilin individ, grupacion apo entitet që është në skemë kriminale, përfshirë çiftat me alias “Lule Gjeli”. Këta tipa përdorin praktika të intimidimit, urrejtjes, shantazhit dhe dëmtimit të reputacionit. Trajtimi institucional duhet të ndodh me urgjencë dhe seriozitet maksimal”, ka shkruar ai.

  • Haki Abazi i vetofrohet Prokurorisë: “Lule Gjeli” është në shërbim të Kurtit e Mihalit, e kam takuar në vitin 2021 në Delaware

    Haki Abazi i vetofrohet Prokurorisë: “Lule Gjeli” është në shërbim të Kurtit e Mihalit, e kam takuar në vitin 2021 në Delaware

    Ish-deputeti, Haki Abazi, ka reaguar lidhur me debatin e fundit të ngritur rreth profileve të rrejshme në rrjete sociale, debat ky i nxitur nga një llogari me emrin “Lule Gjeli”.

    Haki Abazi ka thënë se “Lule Gjeli” është lufta hibride për të cilën flet Albin Kurti dhe sipas tij “Lule Gjeli” është në shërbim të Kurtit dhe Dejona Mihalit.

    Ai ka thënë se është i gatshëm të flasë për Prokurorinë meqë thotë se në vitin 2021 në Delëare të SHBA-së e ka takuar “Lule Gjelin.

    “Publikisht kërkoj nga prokurori që ka marrë rastin në dorë të më dërgojë ftesë për dëgjim lidhur me Lule Gjelin, të cilin e kam takuar në Delaware në vitin 2021 me kërkesën e tij. Hera e parë dhe e fundit që kam komunikuar me atë njeri, por pasojat e luftës speciale kanë vazhduar deri në penetrimin e mediave dhe të opinionit dhe deformimin e së vërtetës|”, ka shkruar Abazi.

    Reagimi i plotë:

    Lule Gjeli është lufta hibride për të cilën Kurti flet në vazhdimësi! Kjo është lufta hibride e Kurtit por nuk përfundon me Lule Gjelin!

    Lule Gjeli është në shërbim të Kurtit dhe Dejona Mihalit në kuadër të LVV-së. Në vazhdimësi, së bashku kanë prodhuar lajme të pavërteta edhe për zyrtarë të lartë të SHBA-së dhe kanë kontribuar në prishjen e marrëdhënieve me SHBA-në duke sulmuar zyrtarët dhe poashtu në bashkëveprim me zyrtarë lokal të ambasadave të huaja në Kosovë, kanë keqinformuar dhe deformuar informacione me qëllim denigrimin dhe eliminimin e kundërshtarëve politik.

    Kurti ka përzgjedhur që në SHBA të ketë të tillë si përfaqësues dhe informatorë, ka injoruar Ambasadën dhe patriotët e intelektualët në mërgatë dhe ka angazhuar persona shumica me dosje dhe reputacion shumë të keq e për rrjedhojë kanë marrë urdhra nga ai dhe drejtpërdrejt nga Dejona!

    Konspiracioni dhe lufta speciale e Kurtit, i kanë rrënjët në zyrat e propagandës dhe të agjitacionit për sulm dhe dëmtim të reputacionit. Lule Gjeli është vetëm një nga ata që kanë marrë dhe kanë dhënë informacione dhe kanë kontaktuar zyrtarë me qëllime të panjohura.

    LVV – Mihali & Kurti and Co. – kanë krijuar tregimin se kinse SHBA-ja ka refuzuar kandidaturën time për Ambasador në SHBA. Ky tregim, mes shumë të tjerash me urdhër të Kurtit dhe Mihalit, është përhapur nga po këta aktorë medialë që sot po e konsiderojnë Lulë Gjelin ashtu siç është, por që janë shërbyer me informata të Lulë Gjelit, Kurtit e Mihalit.

    Lulë Gjeli duhet patjetër të merret në pyetje për mashtrim dhe konspiracion, si dhe për fushata denigruese me pasoja të rënda dhe rrezikshmëri të lartë për personalitete zyrtare, përfshirë edhe pengimin e kryerjes së detyrës zyrtare, por së pari duhet të merren në pyetje shefat e Lule Gjelit.

    Po ashtu, është koha që ata që kanë përhapur propagandën e Mihalit, Gjelit, Kurtit e Manxhukës, në pritje të vendimeve të gjykatave, të reflektojnë duke filluar me kërkim-falje, ndryshe nuk janë më pak fajtorë sesa vetë Lulë Gjeli.

    Publikisht kërkoj nga prokurori që ka marrë rastin në dorë të më dërgojë ftesë për dëgjim lidhur me Lule Gjelin, të cilin e kam takuar në Delaware në vitin 2021 me kërkesën e tij. Hera e parë dhe e fundit që kam komunikuar me atë njeri, por pasojat e luftës speciale kanë vazhduar deri në penetrimin e mediave dhe të opinionit dhe deformimin e së vërtetës.

  • Të dielën s’ka kufizim të qarkullimit të automjeteve me mbi 20 tonë

    Të dielën s’ka kufizim të qarkullimit të automjeteve me mbi 20 tonë

    Ministria e Infrastrukturës dhe e Transportit bëri të ditur se të dielën (26 korrik) nuk do të ketë kufizim të qarkullimit për automjeteve me mbi 20 tonë.

    “Bazuar në parashikimin zyrtar të temperaturave, për nesër nuk pritet të plotësohen kushtet e përcaktuara në vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit për zbatimin e kufizimeve të përkohshme të qarkullimit.

    Ministria do të vazhdojë të monitorojë çdo ditë parashikimet meteorologjike dhe do të njoftojë me kohë qytetarët dhe operatorët ekonomikë për çdo rast kur plotësohen kushtet për zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në njoftim të kësaj ministrie.