ATV

Category: Lajme

  • 901 zyrtarë publikë nuk e kanë deklaruar pasurinë, afati përfundon sot

    901 zyrtarë publikë nuk e kanë deklaruar pasurinë, afati përfundon sot

    Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka njoftuar se procesi i deklarimit vjetor të pasurisë po zhvillohet sipas afateve ligjore, me shumicën e zyrtarëve publikë që tashmë kanë përmbushur obligimin.

    Sipas të dhënave të fundit, 79.79% e zyrtarëve (8276 persona) kanë deklaruar pasurinë, 11.52% janë ende në proces, ndërsa 8.69% nuk e kanë nisur ende këtë procedurë. Afati përfundimtar për deklarimin është 31 mars 2026, deri në mesnatë, dhe nuk parashihet shtyrje pa pasoja juridike, përveç rasteve të veçanta teknike.

    APK paralajmëron masa ndëshkuese për zyrtarët që nuk respektojnë afatin, përfshirë gjoba në vlerë prej 30% të pagës mujore. Në rast të mosdeklarimit edhe pas masave administrative, çështja mund të procedohet më tej me kallëzime penale në prokurori.

    Verifikimi i pasurisë bëhet përmes shortit të rastësishëm ose bazuar në informacione nga qytetarët, mediat dhe institucionet. Ndërkohë, deklarimi i rremë ose i paplotë mund të çojë në pasoja ligjore, përfshirë hetime dhe njoftim të institucioneve relevante si Administrata Tatimore apo Dogana./Front Online

  • KMDLNJ: Pensionistët e Kosovës janë lënë në harresë nga Qeveria

    KMDLNJ: Pensionistët e Kosovës janë lënë në harresë nga Qeveria

    Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka reaguar ashpër ndaj Qeverisë së Kosovës, duke e akuzuar atë për neglizhencë ndaj pensionistëve dhe kategorive më të ndjeshme të shoqërisë.

    Në reagimin e tij, KMDLNJ vlerëson se ekzekutivi po ndan mjete buxhetore për kategori të ndryshme, ndërsa, sipas tyre, pensionistët, përfituesit e skemave sociale, veteranët dhe invalidët e luftës po përballen me vështirësi serioze për mbijetesë.

    Sipas KMDLNJ-së, rritja e çmimeve dhe kostos së jetesës është në shpërputhje të madhe me mundësitë financiare të shumicës së familjeve në Kosovë. Organizata thotë se përkundër rritjes së vazhdueshme të çmimeve, pensionet gjatë gjashtë viteve të fundit janë rritur vetëm 20 për qind, apo mesatarisht rreth 3.25 për qind në vit.

    KMDLNJ ka kritikuar gjithashtu vendimin për ndarjen e pagesës së 13-të për shërbyesit civil dhe mbështetjen financiare prej 500 mijë eurosh për futbollistët e Kombëtares së Kosovës, duke thënë se këto masa nuk kanë prekur shtresat më të rrezikuara të shoqërisë.

    “Me këto pensione nuk mund të sigurohet as një vdekje dinjitoze, e lëre më një jetë dinjitoze”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.

    Po ashtu, kjo organizatë ka ngritur shqetësime edhe për çështjen e tarifave të energjisë elektrike, duke pretenduar se qytetarët e Kosovës janë dëmtuar rëndë ndër vite nga politikat e faturimit dhe nga rritja e çmimeve të energjisë.

    KMDLNJ vlerëson se Qeveria ka dështuar të mbrojë të drejtat e njeriut për grupet më të cenueshme dhe më kontributdhënëse të shoqërisë, duke ua mohuar, sipas tyre, një jetë të dinjitetshme përmes pensioneve dhe pagesave të arsyeshme.

    Në fund, KMDLNJ thekson se në vendet e rajonit pensionet dhe skemat sociale janë rritur disa herë, ndërsa në Kosovë, sipas tyre, ka pasur vetëm improvizime dhe manipulime pa efekt real për qytetarët në nevojë.

    Sot, qeveria e Kosovës ka ndarë pagën e 13-të për zyrtarët publikë në vend.

  • 27 vjet nga masakra në Pastasellë të Rahovecit

    27 vjet nga masakra në Pastasellë të Rahovecit

    Masakra në Pastasellë të Komunës së Rahovecit është një nga masakrat më të tmerrshme që kanë bërë forcat kriminale serbe gjatë luftës së Kosovës të vitit 1999.

    Në këtë masakër janë vrarë dhe masakruar 106 persona nga ky fshat dhe fshatrat tjera përreth.

    Edhe sot e kësaj dite nga kjo masakër ende ka familjarë që kërkojnë t’i kthehen trupat e më të dashurve të tyre, të cilët edhe pas 27 vjetësh figurojnë të pagjetur.

    Në këtë masakër përpos vrasjes dhe masakrimit nga forcat serbe, të vrarët më pastaj edhe janë djegur.

    13 persona i mbijetuan kësaj masakre.

    Për vrasjen dhe masakrimin e 106 martirëve, deri më tani nuk është dënuar asnjë serb që ka marrë pjesë në masakrën e fshatit Pastasellë.

  • Shqipëria këtë vit planifikon t’i mbyllë 16 kapituj në procesin e anëtarësimit në BE

    Shqipëria këtë vit planifikon t’i mbyllë 16 kapituj në procesin e anëtarësimit në BE

    Kryeministri Edi Rama dhe ministrat e tjerë, të hënën paraqitën një panoramë e negociatave me Bashkimin Evropian.

    Ministër Shteti dhe Kryenegociatore, Majlinda Dhuka, ka deklaruar gjatë mbledhjes se deri më tani Shqipëria ka marrë 101 kushte për mbylljen e negociatave me BE-në, shkruan Top Channel.

    Ndër të tjera Dhuka shtoi se në vitin 2026 planifikohet të mbyllen deri në 16 kapituj për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

    “Shqipëria ka marrë deri më tani mbështetjen e BE-së, por deri në 2027, edhe deri në fund të dekadës ka shumë punë për t’u bërë. Shqipëria ka marrë vlerësimin pozitiv të Komisionit Evropian. Nga Shqipëria presin me durim edhe vlerësimin e vendeve anëtare dhe jemi të gatshëm të plotësojmë kërkesat e veçanta që mund të vijnë edhe nga vendet anëtare”.

    “Me të marrë vlerësimin pozitiv edhe nga vendet anëtare Shqipëria duhet të kalojë në fazën e mbylljes së kapitujve, një nga një. Kemi filluar punën për mbylljen e negociatave. Gjatë 2025 kemi punuar edhe për plotësimin e kushteve për mbylljes së negociatave, jo vetëm për çeljen e tyre. Në krye të punës qëndrojnë grupi negociator dhe të gjithë ministrat pa përjashtim. Puna është komplekse, jo e komplikuar, me përjashtim të disa rasteve që për nga natyra janë të tilla, që do të thotë që shtrohet në shumë institucione njëkohësisht, 157 institucione Shqipëri-BE. Ku ndodhet sot Shqipëria, në aspektin e vetëvlerësimit, se i ka përmbushur 24 kushtet e ndërmjetme”.

    “Ndryshe e thënë 92 pika të veprimit strategjik. Shqipërisë i janë dhënë kushtet për mbylljen e negociatave për 31 nga 33 kapitujt e BE. Deri tani Shqipëria ka marrë 101 kushte për mbylljen e negociatave, pasi ka mbyllur 24 kushtet e ndërmjetme. Parashikojmë ose kemi ambicie të madhe, që Brenda vitit 2026 të jemi gati teknikisht me kushtet për 12-16 kapituj, dhe brenda 2027 me kapitujt e mbetur, duke ndarë pak a shumë peshën e punëve”, u shpreh ajo.

  • Paga e 13-të për sektorin publik vlerësohet diskriminim për atë privat

    Paga e 13-të për sektorin publik vlerësohet diskriminim për atë privat

    Vendimi i Qeverisë për ndarjen e pagës së 13-të për rreth 85 mijë të punësuar në sektorin publik do t’i kushtojë buxhetit të shtetit afro 75 milionë euro.

    Përveç kostos buxhetore, ky vendim po shihet si diskriminues për punëtorët e sektorit privat.

    Blendi Hasaj, drejtor i Institutit GAP, thotë se një ndërhyrje më adekuate do të ishte zbatimi i një mase të tillë për të gjithë punonjësit në ekonomi me paga më të ulëta.

    Sipas tij, studimet e fundit në Kosovë tregojnë se punëtorët në sektorin publik paguhen rreth 31 për qind më shumë për orë pune sesa ata të sektorit privat.

    “Në vijimësi ka pasur kritika që administrata publike tek ne është e mbingarkuar me numër të punonjësve, problem i cili nuk është trajtuar fare as nga Qeveria Kurti. Andaj, edhe problemi me inflacion muajve të fundit, del se i ndikon shumë më shumë punonjësit e sektorit privat. Një ndërhyrje shumë më adekuate sesa kjo, meqë qeveria veçse ka vendosur të zbatoj një masë të tillë, do të ishte që të ndihmoheshin të gjithë punonjësit në ekonomi me paga më të ulëta. Përfshi punonjës të sektorit privat dhe atij publik”, ka thënë Hasaj.

    Edhe kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK), Jusuf Azemi, thotë se në këtë vendim duhet të përfshihen edhe punëtorët e sektorit privat, si mbushës të arkës së shtetit.

    “Ne jemi ata punëtorë të cilët prodhojmë, përderisa punëtorët e sektorit publik janë ata të cilët shpenzojnë. Dhe mos të kemi ironi: ne i gëzohemi pagës së 13-të për këta punëtorë, por jashtëzakonisht kemi presione të mëdha nga punëtorët e sektorit privat: ‘pse ata marrin dhe ne jo?’, domethënë çka na dallon neve prej punëtorëve të sektorit publik?”, ka thënë Azemi.

    Diskriminuese këtë vendim e ka quajtur deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku.

    “Një padrejtësi tjetër qëndron në faktin se ata që kanë punuar vitin e kaluar në sektorin publik, por nuk vazhdojnë të punojnë më, janë të përjashtuar nga kjo pagë, ndonëse ajo jepet për punën e bërë gjatë vitit të kaluar. A mendoni se kjo është një politikë diskriminuese ndaj sektorit privat dhe atyre që nuk punojnë më?”, ka thënë ai.

    E ministri i Financave, Hekuran Murati, në mbledhjen e Qeverisë, të hënën, ku bëri të ditur se më 31 mars do të ekzekutohet paga e 13-të për punonjësit e sektorit publik, ka treguar edhe mënyrën e zbatimit të saj.

    “Kemi hasur raste ku ka situata që nuk i kanë përmbushur të gjithë 12 muajt, jemi dakorduar me Thesarin që për këta persona që nuk i kanë përmbushur 12 muaj të plotë të jepet pjesa e pjesshme. Për aq muaj sa kanë qenë të angazhuar në këta 12 muajt e fundit, të jepet proporcionalisht një pjesë e pagës së trembëdhjetë. Ngjashëm veprohet edhe me ata që punojnë me orar të shkurtuar dhe jo të plotë”, ka thënë Murati.

    E në fillim të mbledhjes së Qeverisë, kryeministri Albin Kurti ka thënë se janë në përgatitje të një pakoje kundër inflacionit, që do t’iu vihet në ndihmë edhe punëtorëve të sektorit privat.

    Paga e 13-të për sektorin publik ishte premtuar nga kryeministri Albin Kurti gjatë fushatës për zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 dhe është përfshirë në buxhetin e vitit 2026.

  • Kandiq: As në Serbi s’është thënë që të vrarët në Dubravë ishin të armatosur

    Kandiq: As në Serbi s’është thënë që të vrarët në Dubravë ishin të armatosur

    Aktivistja serbe, Natasha Kandiq, mbrëmë përmes një lidhje direkte në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova ka folur lidhur me ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, e cila ka shkaktuar indinjatë të madhe publike për shtrembërim historie.

    Ajo tha se Shkëlzen Gashi ka vepruar padije.

    “Ekspozita nuk mund të bëhet në këtë mënyrë, dhe duhen hulumtime”, tha ajo në Klan Kosova.

    Kandiq shtoi se për Masakrën e Dubravës, as në Serbi nuk është thënë që civilët ishin të armatosur.

    “As në Serbi nuk janë munduar që pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që kanë qenë të vrarë në burgun e Dubravës, në atë kohë flitej ekskluzivisht për të burgosur politik, të dënuar apo të privuar nga liria”, tha ajo.

  • Cakolli: Vendimi i Kushtetueses mbyll debatet për përbërjen e KQZ-së

    Cakolli: Vendimi i Kushtetueses mbyll debatet për përbërjen e KQZ-së

    Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila shpalli të papranueshme kërkesën e presidentes për vlerësimin e kushtetutshmërisë së përbërjes së KQZ-së.

    Ai thekson se kjo çështje është e qartë dhe e trajtuar më parë nga Gjykata, duke nënvizuar nevojën për respektimin e rregullave ekzistuese dhe përmbylljen sa më të shpejtë të përbërjes së plotë të KQZ-së për të ruajtur ekuilibrin dhe besueshmërinë e procesit zgjedhor.

    Sipas Cakollit, kjo çështje është ndër më të trajtuarat nga Gjykata dhe nuk lë hapësirë për dilema të reja artificiale. Ai thekson se rregullat e ekzistuara duhet të zbatohen njësoj si në situata identike më parë dhe se ideja që KQZ duhet të pasqyrojë raportin e mandateve të Kuvendit është e gabuar.

    “KQZ nuk është miniaturë e Kuvendit që riprodhon raportin e forcave politike. Përbërja e saj nuk është ndërtuar për të reflektuar dominimin e një subjekti, por për të ruajtur ekuilibrin që e mban procesin zgjedhor të besueshëm,” tha Cakolli.

    Ai shtoi se presidentja duhet të përmbyllë sa më parë kompletimin e përbërjes kushtetuese prej 11 anëtarësh, duke emëruar anëtarin e mbetur nga radhët e subjektit tjetër politik me të drejtë nominimi.

  • Mblidhen dy komisione parlamentare

    Mblidhen dy komisione parlamentare

    Dy komisione të rëndësishme parlamentare do të mbajnë mbledhjet e tyre gjatë ditës së sotme në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

    Në orën 13:00, Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Transport do të zhvillojë mbledhjen e radhës.

    Ndërkaq, në orën 14:00, do të mblidhet Komisioni i posaçëm për shqyrtimin e kandidatëve për emërim në Gjykatën Kushtetuese.

  • Mot i ftohtë sot e me reshje lokale

    Mot i ftohtë sot e me reshje lokale

    Sot në Kosovë pritet të mbajë mot relativisht i ftohtë, me vranësira dhe mundësi për reshje të dobëta lokale kryesisht në disa zona të rajonit të Dukagjinit.

    Mbrëmja pritet të jetë e vranët dhe kryesisht pa reshje ose me mundësi për riga të dobëta lokale shiu e në viset kodrinore-malore ndonjë fjollë bore.

    Temperaturat pritet të luhaten nga 2 minimalja deri në 10 gradë Celsius ajo maksimale.

  • Osmani premton medalje Presidenciale për kombëtaren e Kosovës

    Osmani premton medalje Presidenciale për kombëtaren e Kosovës

    Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se do ta dekorojë kombëtaren e Kosovës me medalje presidenciale të meritave, pavarësisht rezultatit të ndeshjes së nesërme kundër Turqisë.

    Osmani theksoi se “Dardanët” me paraqitjet e tyre kanë hyrë në histori.

    “Ne duhet t’i vlerësojmë edhe ata që po i dhënë shpresë qytetarëve të Kosovës. Pavarësisht rezultatit të ndeshjes së nesërme Kosovë – Turqi, ekipi i Kombëtares së Kosovës tashmë e ka bërë historinë. Kam nderin që të ju njoftoj që pikërisht për këtë kontribut të pamatshëm, për krenarinë që i kanë dhënë vendit në çdo moment, për shpresën që po i jepin këtij populli në hapat përpara, medalja presidenciale e meritave menjëherë pas fitores së nesërme, por pavarësisht edhe rezultatit, do t’i ndahet ekipit të Kombëtares së Kosovës”, ka deklaruar ajo gjatë një ceremonie ku ndau mbi 200 dekorata për personalitete të ndryshme që kontribuan për vendin.

    Kombëtarja e Kosovës triumfoi në një ndeshje dramatike në Bratisllavë të enjten e kaluar përballë Sllovakisë me rezultat 3:4, e vlefshme për gjysmëfinalen e kualifikimeve për Kampionatin Botëror.

    Nesër mbrëma në ‘Fadil Vokrri’, Kosova sfidon Turqinë në finalen e madhe të play-off-it të Botërorit që këtë verë mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.