ATV

Category: Lajme

  • Ukraina planifikon të zgjerojë marrëveshjet e mbrojtjes me vendet e Lindjes së Mesme

    Ukraina planifikon të zgjerojë marrëveshjet e mbrojtjes me vendet e Lindjes së Mesme

    Numri i vendeve të Lindjes së Mesme me të cilat do të nënshkruhen marrëveshje mbrojtjeje mund të rritet.

    Prandaj, edhe numri i ekspertëve ukrainas që udhëtojnë në këto vende mund të rritet.

    Presidenti Volodymyr Zelensky e bëri këtë njoftim gjatë një bisede me gazetarët, sipas Ukrinform.

    “Ne po planifikojmë të shtojmë disa partnerë të tjerë. Sapo të arrijmë një marrëveshje në nivelin tim, do të bëhet e qartë se sa ekspertë mund të dërgohen në këto vende”, theksoi kreu i shtetit.

    Siç raportohet, më 27 mars, presidenti i Ukrainës filloi një turne në Lindjen e Mesme, gjatë të cilit vizitoi Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarin dhe Jordaninë.

    Në Doha, Volodymyr Zelensky nënshkroi një marrëveshje me Emirin e Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani dhe Kryeministrin Mohammed bin Abdulrahman Al Thani për një partneritet të dobishëm reciprok në sektorin e mbrojtjes për të paktën 10 vjet.

  • Manipulimi me njehsorët e energjisë, Azemi i LDK-së shkon tek ZRRE-ja: Kërkon hetim dhe dorëheqje të Bordit

    Manipulimi me njehsorët e energjisë, Azemi i LDK-së shkon tek ZRRE-ja: Kërkon hetim dhe dorëheqje të Bordit

    Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës Visar Azemi ka mbajtur konferencë para zyreve të Rregullatorit për Energji, nga ku ka kërkuar dorëheqje të bordit dhe hetim, pas manipulimit me njehsorët e energjisë.

    Përpos këtyre, Azemi ka kërkuar edhe ndalim të ngritjes së çmimit si dhe kompensim për qytetarët e dëmtuar.

    “Kemi kërku me ndalu intervenimin nëpër njehsorë, sepse po fshihen detajet dhe provat e kjo është vepër penale. Prandaj duhet të ndalohen këto veprime menjëherë”, deklaroi Visar Azemi.

  • Ngritet aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të “Pallatit të Rinisë” për keqpërdorim të mbi 137 mijë eurove

    Ngritet aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të “Pallatit të Rinisë” për keqpërdorim të mbi 137 mijë eurove

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj A.Z. dhe F.Rr., për veprat penale “Përvetësimi në detyrë” , “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ndihma në kryerjen e veprës penale – Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Sipas aktakuzës, A.Z., në cilësinë e menaxherit të Financave dhe më pas ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv në “Pallati i Rinisë” Sh.A. në Prishtinë, dyshohet se gjatë viteve 2021–2022, ka keqpërdorur mbi 137 mijë euro të ndërmarrjes,duke realizuar transfere të paautorizuara në llogaritë personale dhe të personave të tjerë.

    Me këto veprime, A.Z., akuzohet se ka kryer veprat penale “Përvetësimi në detyrë” dhe

    “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Ndërsa, F.Rr., në cilësinë e zyrtarit përgjegjës për sigurim, dyshohet se ka ndihmuar A.Z., duke tërhequr mjete financiare në para të gatshme dhe duke ia dorëzuar ato, me ç’rastka mundësuar përfitimin e kundërligjshëm në vlerë prej 9,250 euro.

    Ai ngarkohet për veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale – Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Prokuroria Speciale mbetet e përkushtuar në luftimin e korrupsionit dhe keqpërdorimeve në sektorin publik, duke garantuar trajtim të paanshëm dhe profesional të çdo rasti.

  • Arrestohet i dyshuari për vjedhjen e 9 kg ari, i sekuestrohen pasuri

    Arrestohet i dyshuari për vjedhjen e 9 kg ari, i sekuestrohen pasuri

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti i Përgjithshëm, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, në kuadër të hetimeve intensive, ka ndaluar një (1) person me inicialet XH.V., për një periudhë prej 48 orësh, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale ‘’Vjedhja e rëndë’’, sipas nenit 315 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Sipas dyshimeve fillestare, në argjendarinë ‘’G…..’’, janë vjedhur rreth 9 kilogramë ari, në vlerë prej 1.000.000 (një milionë) euro.

    Gjatë bastisjes në banesën e të dyshuarit, është gjetur dhe sekuestruar një (1) armë pa leje, si dhe një (1) diamant, me urdhër të prokurorit të shtetit. Po ashtu, ndaj pasurisë së të pandehurit, përkatësisht një veturë të tipit BMW X6 dhe një banesë në lagjen Tophane, në vlerë rreth 110.000 euro, do të lëshohet urdhër i përkohshëm ndalimi, si dhe do të parashtrohen kërkesa për urdhër ndalues përfundimtar lidhur me pasurinë e sekuestruar. Prokurori i shtetit, brenda afatit ligjor, do të paraqesë në gjykatën kompetente kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit.

  • GJKKO ndryshon masën e sigurisë për Ajola Xoxën, bashkëshorten e Erion Veliajt

    GJKKO ndryshon masën e sigurisë për Ajola Xoxën, bashkëshorten e Erion Veliajt

    Gjykata e Posaçme ka vendosur të ndryshojë masën e sigurisë për Ajola Xoxën. Më herët, Xoxa ishte nën masën “detyrim për paraqitje” pranë policisë gjyqësore, si edhe ndaj saj ishte vendosur ndalimi për të dalë jashtë vendit.

    Sipas vendimit më të fundit, gjykata ka vendosur ta lërë atë pa masë sigurimi. Ndryshimi i masës është bërë për shkak të gjendjes shëndetësore të saj.

    Aktualisht ndaj Xoxes, që nga shkurti i vitit të kaluar janë vendosur masat e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”.

    Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në masën “arrest me burg” që prej 10 shkurtit 2025 kur u arrestua me urdhër të SPAK, ndërsa ndaj janë ngritur 13 akuza, përfshirë korrupsionin pasiv, pastrimin e parave, mosdeklarimin e pasurisë dhe shpërdorimin e detyrës.

    Kryebashkiaku i ka kundërshtuar, teksa aktualisht ka nisur edhe procesi gjyqësor në GJKKO, ku janë mbajtur seancat e para. Për shkak të gjendjes shëndetësore prej shtatëzanosë, bashkëshortja e kryebashkiakut përfaqësohet nga avokati. /Euronews.al/

  • Artjola Krasniqi la atdheun për dashurinë dhe përmes poezisë rrëfen mallin e pashuar

    Artjola Krasniqi la atdheun për dashurinë dhe përmes poezisë rrëfen mallin e pashuar

    Poetja Artjola Krasniqi Morina në emisionin “LIBERO” ndau me publikun rrëfimin e saj personal mbi jetën dhe krijimtarinë.

    “…Lash vendin, lash gjuhën, lash ëndrrat, lash familjen dhe për dashuri shkova atje… e kisha vështirë adaptimin, pasi u bëra nënë, filloi të më rikthehet frymëzimi për shkrimet…”, u shpreh ajo, duke përshkruar sfidat e mërgimit dhe të jetës së re jashtë atdheut.

    Përmes librit të saj të parë, “Malli për atdheun”, Artjola ka sjellur ndjenja të thella të nostalgjisë dhe lidhjes me rrënjët: “…Kam shumë mall, nuk ngopem asnjëherë kur vi këtu. Është shumë e vështirë me shku me një moshë madhore në mërgim…”

    Vepra e saj reflekton përjetimet universale të diasporës dhe pasionin për letërsinë si mënyrë për të ruajtur identitetin dhe kujtimet nga vendi i origjinës.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Artjola Krasniqit, klikoni në linkun e mëposhtëm:

     

  • Oficeri i FSK-së shpallet kampion kombëtar i karatesë në Shqipëri

    Oficeri i FSK-së shpallet kampion kombëtar i karatesë në Shqipëri

    Një tjetër sukses i rëndësishëm vjen nga radhët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Major Getoar Rexhepi është shpallur kampion kombëtar i karatesë në edicionin e 27-të të Kampionatit Kombëtar të zhvilluar në Shqipëri për kategoritë kadet, junior, U21 dhe senior.

    Garat u mbajtën në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, ku morën pjesë rreth 80 sportistë nga afro 20 ekipe të ndryshme nga e gjithë Shqipëria. Kampionati u zhvillua në dy disiplina, kata (demonstrime) dhe kumite (ndeshje), duke sjellë një nivel të lartë konkurrence mes pjesëmarrësve.

    Në këtë konkurrencë të fortë, majori Rexhepi arriti të dallojë me performancën e tij, duke u kurorëzuar me titullin kampion kombëtar i Shqipërisë në karate për vitin 2026.

    Ky kampionat konsiderohet si ngjarja më e rëndësishme në nivel kombëtar për sportin e karatesë në Shqipëri, ndërsa suksesi i majorit Rexhepi dëshmon për përkushtimin, disiplinën dhe profesionalizmin e pjesëtarëve të FSK-së, jo vetëm në detyrat ushtarake, por edhe në fushën e sportit.

    Arritja e tij është pritur me urime dhe reagime pozitive nga qytetarë dhe dashamirës të sportit, duke e vlerësuar këtë sukses si një tjetër dëshmi të nivelit të lartë të sportistëve shqiptarë.

  • Shqiptarja nga Maqedonia e Veriut, Shasime Osmani zgjidhet deputete në Parlamentin e Kantonit të Bernës

    Shqiptarja nga Maqedonia e Veriut, Shasime Osmani zgjidhet deputete në Parlamentin e Kantonit të Bernës

    Në zgjedhjet e mbajtura në Kantonin e Bernës, qytetarët kanë zgjedhur 160 deputetë. Mes tyre, edhe Shasime Osmani, e cila u zgjodh deputete në Parlamentin e Kantonit të Bernit. Ajo është shqiptare me prejardhje nga Maqedonia e Veriut, respektivisht nga Kërçova.

    Gjyshi i Shasimes kishte shkuar në Zvicër në vitin 1979 nga Kërçova e Maqedonisë së Veriut, ndërsa babai i saj iu bashkua në vitin 1993. Vetë Shasimja shkoi në Zvicër me nënën në vitin 1999, në moshën 1-vjeçare.

    Ajo është studente e drejtësisë në Universitetin e Bernit. Ka përfunduar kualifikimin në biznes dhe ka një diplomë profesionale. Është rritur në lagjen Bümplitz-Bethlehem të Bernës, një zonë ku fëmijët përballen shpesh me vështirësi arsimore dhe sociale.
    Në fushatën e saj, Osmani theksoi:

    “Unë dua të jem zëri i atyre që mund të mos dëgjohen gjithmonë dhe kanë frikë se mos i nxjerrin jashtë sapo të flasin.”
    Zgjedhja e Shasimes në Parlamentin kantonal të Bernës është një hap i madh në karrierën e saj politike dhe një sukses i komunitetit shqiptar në diasporë, duke i dhënë një zë shqiptarëve dhe të rinjve me sfida sociale në Zvicër.

    Mediat zvicerane e prezantuan atë si “një zë për ata që nuk kanë zë”, dhe qytetarët e Bernës i dhanë besimin e tyre duke e votuar për të përfaqësuar 9641 qytetarë.

    Pas fitores, fotografia e parë që ajo postoi në Instagram ishte një tepsi me fli, shoqëruar me shënimin: “If you know, you know”.

  • Gjysmë lakuriq dhe me vija në fytyrë, ky është këngëtari që sfidon normat

    Gjysmë lakuriq dhe me vija në fytyrë, ky është këngëtari që sfidon normat

    Këngëtari Auron Deva ka ndarë në emisionin “LIBERO” reflektime mbi rrugëtimin e tij artistik dhe sfidat që ka hasur për shkak të zgjedhjeve të tij kreative.Ai theksoi dëshirën për të eksperimentuar dhe për të sjellë elemente të reja në skenën muzikore shqiptare, edhe kur ato nuk janë lehtësisht të pranueshme nga publiku.

    “Unë kam dëshirë me bo gjana që ndoshta nuk janë të pame shumë,” u shpreh ai, duke kujtuar paraqitjen e tij në Festivalin e RTK-së, ku kishte përdorur elemente vizuale jo të zakonshme.

    “…Kam pasë disa vija në fytyrë që kanë qenë të lyme, që për një djalë normalisht janë tabu, po që unë kam dashur me i bo sepse ka tregu një vizion artistik që kam dasht me e shpreh…”, theksoi Deva.

    Artisti foli gjithashtu për paraqitjen e tij në Festivalin e Këngës Magjike, ku kishte zgjedhur një stil më provokues në skenë. Sipas tij, kjo u shoqërua me reagime të shumta dhe shpesh paragjykuese nga publiku dhe komentuesit.

    “Kam qenë gjys lakuriq, edhe aty jam gjyku. Ka pasë komente si: ‘e murr çmimin se tregoj trup’, që ka qenë shumë e çuditshme…” u shpreh Deva.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Auron Devës, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • “Ekspozita”, Nagavci: Na duhet shumë punë që të kemi të dhëna të besueshme dhe të sigurta

    “Ekspozita”, Nagavci: Na duhet shumë punë që të kemi të dhëna të besueshme dhe të sigurta

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka thënë se “gabimet ndodhin”, kur u pyet rreth ekspozitës me të dhëna të pasakta lidhur me masakrat e ndodhura në Kosovë.

    Para mediave, Nagavci tha se Kosovës i duhet ende shumë punë që të ketë të dhëna institucionale të besueshme dhe të sigurta, sa i përket luftës së fundit në vend.

    “Ajo që kemi vërejtur gjatë reagimeve dhe debatit publik të këtyre ditëve, sjell në pah disa gjëra shumë të rëndësishme. E para, se neve si shtet akoma na duhet shumë punë që të kemi të dhëna institucionale të besueshme dhe të sigurta. Kjo e dëshmoi që gabimet ndodhin”, tha Nagavci.